PARTITOKRACIA KUNDËR

Nëse partitokracia ka të bëjë me patologjinë e veprimtarisë normale të partive, me hipertrofinë e tyre totalizuese, atëherë vëmendjen duhet ta drejtojmë fillimisht tek arsyet e degjenerimit të politikës.

Në Shqipëri mund të flitet për partitokraci, ndonëse kjo paraqet disa veçori që e dallojnë nga dukuritë e ngjashme në vende të tjera europiane. Duke pasur parasysh veçoritë e çdo vendi, do të ishte e habitshme në fakt e kundërta, pra sikur partitokracia jonë të mos prezantohej alla shqiptarçe.

Me pak fjalë, partitokracia merr formë në çastin kur realizohet dominimi i partive në jetën shoqërore, politike dhe ekonomike. Ky dominim nyjëtohet nëpërmjet pranisë dhe rrënjosjes masive të partive të mëdha në vend. Disa karakteristika të jetës politike në Shqipëri, të rreshtuara nga A. Vehbiu, e dëshmojnë fare mirë këtë tendencë: programet fotokopje të partive politike; prirja për marrjen e kompetencave dhe prerogativave institucionale; mungesa e lidhjes me bazën; ndarja e bazës elektorale mbi baza gjeografike; polarizimi i qëllimshëm i politikës.

Një nga tiparet universale të partitokracisë është edhe monopoli i veprimtarisë politike. Në Shqipëri, kjo mund të pohohet pa frikë, për sa kohë që sindikatat, shoqatat, fondacionet, në përgjithësi shoqëria civile, është ende në gjumë, somnambul, për të mos thënë në komë, duke ua dorëzuar politikën tërësisht partive. Të jemi të qartë, me politikë në këtë rast nënkuptojmë veprimtarinë e bashkësisë së polis-it të lashtë, pra në kuptimin më të gjerë të jetës civile, ku pjesëmarrja të jetë emëruesi i përbashkët.

Në rast se do të merrnim si kriter rrënjosjen e partive, për të diagnostikuar partitokracinë në Shqipëri, do të kishim përnjimend vështirësi objektive. Partitë politike shqiptare nuk janë të rrënjosura në shoqëri, as në territor, në kuptimin tradicional të përhapjes së organizatës partiake. Partia demokratike nuk qenë asnjëherë e tillë, që në lindje, kurse Partia socialiste ka pasur një shpërndarje territoriale të admirueshme (anipse të trashëguar, pra me implikime ideologjike), që është lëngëzuar me kalimin e kohës, për të mbërritur në ditët e sotme: me fizionominë e brand-it të reduktuar pothuajse në një lule.

Kapilarizimi i strukturave partiake në shoqëri na kujton epoka të kaluara, por njëkohësisht edhe vulën e padiskutueshme të partitokracisë së skajshme, si pushtet absolut i partisë mbi shoqërinë dhe ekonominë. Mirëpo tërheqja e partive nga territori mund të ketë pasoja të dyanshme; nga një anë partitë privohen nga funksioni i interpretimit të kërkesave sociale, duke filluar nga baza, çka do të thotë se partitë nuk janë në gjendje ta njohin realisht shoqërinë që duhet të përfaqësojnë; nga ana tjetër japin përshtypjen se nuk anojnë t’i uzurpojnë të hapësirat e jetës sociale. Partitokracia shqiptare, na rezulton kështu, disi anormale, përderisa refuzon të rrënjoset në shoqëri, por në të njëjtën kohë mëton se përfaqëson legjitimisht të gjitha instancat shoqërore. Këtu ka gisht edhe ligji elektoral shqiptar, që përveç bug-ëve teknikë, ka probleme serioze në kahun e përfaqësimit.

Duhet thënë se nga pikëpamja e përfaqësimit, sistemi i partive shndërrohet në partitokraci në momentin kur partitë shprehin vetëm interesa madhore, të përgjithshme, përgjithësuese, pra kur humbasin aftësinë e shprehjes së interesave të vogla, të diferencave, të veçorive. Ky deformim është mëse i qartë në Shqipëri, jo sepse në parlament nuk ka deputetë me prejardhje punëtore apo fshatare, por sepse në parlament veçoritë e qytetarëve vijnë e humbasin në turmën e interesave, ose vetëm në një grusht interesash. Reagenti koagulues i partitokracisë identifikohet fillimisht tek paaftësia e partive për të interpretuar dëshirën për ndryshime, sepse inercia e partive dallohet edhe tek përpjekja për të ruajtur status quo-në.

Partitë nuk e kanë të vështirë ta dëshmojnë legjitimitetin e tyre nëpërmjet votës popullore. Tek e fundit, edhe zgjedhjet e fundit treguan fare qartë se PD-ja dhe PS-ja, madje edhe LSI-ja, e kanë mbështetjen popullore. Kandidatët e tyre u votuan, kush më shumë e kush më pak, kurse treguesi i abstenimit nuk u regjistrua në mënyrë substanciale. Gara frymëmbajtëse për bashkinë e Tiranës thotë në vetvete se partitë gëzojnë mbështetje tek votuesit, në atë pikë sa numërohen me zemër të ngrirë votat një më një. Shumëkush mund ta kundërshtojë këtë interpretim me idenë se partitë mund të krijojnë një farë karteli midis tyre, një lloj aleance për të shmangur konkurrencën e partive të tjera.

Siç shihet, përkufizimi i partitokracisë është tejet i vështirë, aq më shumë për realitetin shqiptar. Kriteri i financimit publik i partive politike është edhe më i diskutueshëm, për mendimin tim. Që partitë shqiptare marrin fonde publike të caktuara për këtë qëllim nuk përbën ndonjë skandal të veçantë. Ndodh edhe në vende të tjera europiane. Sikur të eliminohej partitokracia me heqjen e financimeve publike atëherë do të ishte ndjekur nga të gjithë si metodë. Duket formulë tepër e thjeshtë. Frika e shumëkujt, midis syresh edhe e imja, është se mos partitë bëhen prerogativë e atyre që kanë mundësi të gjejnë financime. Në qoftë se një parti mbledh bashkë disa miliarderë, atëherë nuk ka konkurrente për punë fondesh. Të tjerat nuk do të kenë parà as për shaptilograf, kurse ato “të kamurat” do t’i mbysin mediat me reklama të prodhuara me art nga agjensitë më moderne dhe kreative të kumtimit masiv. Kjo mund të çojë në shpërpjesëtim mjetesh, ndoshta edhe në shpërpjesëtim votash. Përkundrazi, financimi publik siguron disi mbijetesën për të gjithë, barazinë në start, bashkëjetesën e të voglit me të madhin. Ka kosto, por ndoshta është i nevojshëm.

Italianët, të cilët partitokracinë e kanë mbajtur në kurriz për shumë kohë, kanë shpikur neologjizmin “lottizzazione”, për të shënjuar (shpër)ndarjen e pushtetit dhe të vendeve të punës, nga ministritë tek zyrat periferike, nga ndërmarrjet publike tek televizionet. Është prerogativë partiake emërimi në postet drejtuese me karakter politik. Nuk duhet të habitemi. Problemi qëndron kur kjo logjikë shkon e prek administratën vertikalisht, pa pasur parasysh profesionalizmin, kompetencat, përvojat. Në rast se zërat që qarkullojnë në Shqipëri për 20%-shin e posteve të rezervuara për një parti do të ishin të vërteta, atëherë duhet të huazojmë fjalën e mësipërme italiane ose të krijojmë një të re.

Personalisht, pyetjen provokuese të Ardian Vehbiut “Çfarë i duhen qytetarit shqiptar partitë politike?” e interpretoj kështu: “A i duhen shqiptarëve partitë politike që nuk e luajnë siç duhet rolin e tyre në shoqëri?”, ose “Kështu siç janë, a i duhen shqiptarëve partitë politike?”. Në fakt, përçudnimi i partive tona (me dallesat përkatëse, sepse partitë shqiptare janë gjithsesi të ndryshme) duhet parë si anomali për t’u rregulluar, jo si autorizim nihilist e kualunkuist për të eliminuar grupimet politike që konvencialisht quhen parti. Pa bërë avokatin e partive, për të cilët nuk kanë absolutisht nevojë, mund të thosha se partitë nuk janë të domosdoshme, por të dobishme, nëse rrinë në vathën e duhur. Le të bëjmë ca fantapolitikë. Nëse në vend të partive do të kishim nesër në parlament shoqata e Ojq, rreziku në vend do të quhej shoqatakraci, sepse asnjë organizëm shoqëror nuk është imun nga degjenerimi, aspektet e të cilit prekëm më sipër. Këtu batuta për shkërdhatokracinë e famshme vjen e natyrshme, si fill i kuq që potencialisht ose realisht i përshkon të gjitha qelizat e shoqërisë.

Si mund të luftohet partitokracia? Qoftë edhe ajo alla shqiptarçe, në embrion apo e zhvilluar qoftë? Duke filluar nga roli i shëndoshë i rolit partiak, i cili kur ushtrohet mirë i shërben pa dyshim shoqërisë. Ky pohim ka diçka utopike në vetvete, përderisa i kërkon partive të vetëriparohen nga të metat e nga devijimet funksionale, por nuk është i pamundur. Shpesh janë vetë partitë që e kuptojnë se mbijetesa e tyre varet nga aftësia për t’u ripërtërirë, për të përkthyer sa më mirë nevojat e shoqërisë, për t’u diferencuar nga pikëpamja programatike, për të parë drejt së ardhmes pa e mbajtur kokën mbrapa. Shpresa tjetër qëndron tek përçarja midis partive të ndryshme. Konkurrenca i bën mirë edhe sistemit partiak, sepse i shtyn ato të gjejnë rrugë të reja për të dialoguar me elektoratin. Referendumi si mjet duhet konsideruar në përgjithësi si përjashtim, edhe pse është demokratik. Duhet përdorur, por pa abuzuar, sidomos për dënimin kapital të partitokracisë. Sepse nuk dihet rezultati, sepse nuk njihet alternativa.

Antitrupat natyrorë kundër partitokracisë gjenden tek shoqëria civile, ndërmjetësja par excellence e shoqërisë, por kjo është aq e dobët në Shqipëri dhe aq e përulur mendërisht sa e ka të vështirë t’i shërojë patologjitë partiake; sipas gjasës rrezikon më shumë t’i marrë viruset pikërisht prej tyre. E njëjta gjë mund të thuhet për institucionet shqiptare, duke shtuar se shpeshherë janë fryt i ndërveprimit të partive të sotme, e për më tepër vuajnë nga mungesa e traditës. Ka nga ata që e shohin shpëtimin e deformimeve partiake tek ndikimet e huaja, ndoshta edhe tek globalizimi, që shkon përtej logjikës së partive kombëtare. Për të përqafuar këtë optimizëm duhet në radhë të parë të sqarojmë nëse partitokracia e sotme, e pjesshme ose tërësore, nuk është pjellë e kultit të kargove, pra nëse nuk është produkt i transplantimit të praktikave perëndimore në mënyrë shabllone. Në fund të fundit, kopjuam mijëra ligje e praktika, sisteme e struktura, kopjuam të mira e të këqija bashkë. Cinikisht mund të thuhej se në laboratorin “Shqipëri” po testohet një variant i ri i partitokracisë postotalitare.

Partitokracia, paradoksalisht, është problem për vetë partitë, sepse galvanizon forcat e antipolitikës. Sidoqoftë, kur partitë organizohen në mënyrë demokratike, brenda kornizës së demokracisë, për të mirën e qytetarëve që përfaqësojnë ligjërisht, pa ambicie monopolizuese e totalizuese, luajnë rol të rëndësishëm për bashkësinë e vet. Në të kundërt, shndërrohen në problem për vetë jetën e qytetarëve të cilën pretendojnë ta përmirësojnë. Barnat çudibërëse ndoshta kot i kërkojmë, por përpjekjet për kurim nuk duhen reshtur. Mos vallë duhet të fillojmë nga poshtë, nga etika e shëndoshë e administrimit të së mirës së përbashkët dhe të publikes? Duhet kohë, por rezultati është i sigurtë, edhe kundër partitokracisë.

Nuk ka komente

  1. Pak a shume pikat mbi i.

    Por do theksoja prap se nje koncept nuk legjitimohet automatikisht nga pyetja qe shtrohet, qofte dhe kur pyetja prek probleme serioze te situates, te gjendjes se partive dhe politikes ne kete rast. E kam fjalen per ngritjen e ceshtjes ne duhen (me) apo jo partite tek ne, meqe nuk po e bejne punen si duhet.

    Kjo eshte ilustruar me se miri ne artikull ku Pishaku thote qe ojq-te ne Kuvend (apo gjetke, do shtoja une) nuk do ishin gje tjeter vecse parti, por, parti te pavotuara. Tashme keto ojq-ra jane ne shumicen e tyre vegla partish.

    Problemi tek vendet si puna jone, ne tranzicion e siper, sidomos tek ne, nuk jane partite si nocione e si organizata, por fakti se keto zhvillohen si klane, bile si klane mafioze; pa programe, pa demokraci te brendshme (e vetvetiu kjo sjell mungesen e demokracise ne pergjithesi) e me shume pak dallime midis tyre dhe shume ngjashmeri (ne kuptimin e ngjashmerive negative) dhe qe gradualisht metastazohen dhe kapin peng cdo gje, nga institucionet tek Kushtetuta e ligjet per zgjedhjen, tek mediat e shoqeria civile, e bashke me keto dy te fundit dhe debatin publik.

    Ne kete pike jam dakort qe duhet ushtruar (me sa te kete mbetur fuqi) ne transparecen dhe demokratizimin/konkurencen e partive, po dhe ne kanalizimin e tyre brenda ullise se ligjshmerise dhe shtetit ligjor. Ne kete pike marrin vlere si financat publike (perkunder idese se vetefinancimit, shkaqet e te cilave i prek dhe Pishaku) por fatkeqsisht (per realitetin tone tashme dhe pas 20 vjet) dhe te presionit te nderkombetareve.

    Po dhe te shoqerise civile, te pakten te atyre qe kane mbetur te pa sqetulluar nga partite, e ne kete pike e shoh me pozitivitet cdo tendence si ajo e Alternatives Civile dhe te ngjashme si to.

  2. Ne fakt ajo c’ka me shume propozohet eshte demontimi i partive ekzistuese njehere e mire, si krijesa ciklopesh, te lindur nga nje rrethane e qe qendrojne ne jete nga interesat e nje grupi te caktuar njerezish qe i lozin njerezit si xhola.

    antagonizmi, konflikti i dy partive te medha nuk vjen si nje konflikt i ideologjive apo pikepamjeve te ndryshme, por si nje konflikt ndermjet dy grupeve historike qe jane te ndara rastesisht (njera e ish-komunisteve te PPSH, dhe tjetra e te ish-deklasuareve ose te atyre qe kishin humbur privilegjet e mundesuara po nga sistemi i dikurshem).

    Mjafton te dale nje tjeter parti, qe u premton njerezve te duhur nga te dyja palet, dhe nje force e trete mund ta beje ate cfare keta nuk kane mundur t’ja bejne njeri-tjetrit. Por LSI eshte pjelle me te tjera motive. PDIU nuk ka njerez te zote. Nismat qytetare ndoshta…

  3. Nuk rrezohet shqiptari nga kali po si fute plumbin. Kjo duhet futur tek thesii i fjaleve te urta, nuk duhet lene te homologohet tek klishet apo paragjykimet.

    Ska per te ndodhur kurrfare çmontimi, as nismat qytetare s’pijne uje, as heqja e financimeve publike dhe as metimi i rigorozitetit kushtetues.

    Paria e sotme eshte e stabilizuar dhe me e forte, qe prej asaj te viteve ’80, mundesite e ndryshimit ishin ne periudhen e ngjizjes se kesaj parie, pra 1990- 1998, ku elementet e rinj qe po perfshiheshin mund te jepnin ndonje rezultat.

    Suksesi i kesaj parie mbi Mjaftin eshte domethenes, keta fagocitojne kedo qe mund te paraqitet si alternative, i kane te gjitha mjetet ne dispozicion, pushtetin qendror dhe ate lokal, parate, mediat, intelektualet.

    Forca e madhe e tyre eshte dukja demokratike dhe fakti qe ne demokracite parlamentare, mjafton kontrolli i parlamentit per te kontrolluar gjithe pushtetin.

    Dukja demokratike menjanon rrezikun e kercenimit te ushtrimi te presionit fizik nepermjet popullit apo qofte edhe grupimeve mjaft numerike.
    E pame shume mire ne Janar, qe protestat nuk kane asnje vlere.
    Kjo u jep garanci te plote ndaj pakenaqesive te ‘sovranit’. Po edhe rasti italian mund te sillet si shembull.

    Ndersa kontrolli i parlamentit si i vetmi institucion nga burojne direkt apo indirekt gjithe te tjeret ( psh Gj-Kushtetuese, 3 direkt nga parlamenti, 3 indirekt fale Presidentit, meqe ky buron direkt nga parlamenti), i jep mundesi qe te mbledhin energjite ne kontrollin e vetem nje institucioni, ne vend qe ti shperqendrojne e rrjedhimisht shperdorojne ne perpjekjet per kontrollin e disa institucioneve.

    Kontrolli i parlamentit u be i plote nepermjet emerimit te deputeteve fale ligjit zgjedhor.

    Paria eshte shume e forte dhe do jete e tille deri ne krizen e ardhshme te jashtme apo te brendshme, aty do i vishen fajet dhe meqe krizat e jashtme apo te brendshme, zakonisht sjellin nje mjedis ku per parimet demokratike nuk i plas kujt, as per parlamentin nuk e ve kush ujin ne zjarr, atehere Paria e sotme do vendoset perballe rrezikut real, ‘defenestrimi i mbretit’.

    Natyrisht duhet te jete nje krize pothuaj ekzistenciale, jo krize fiziologjike e kapitalizmit apo deklarata e nje konsulli grek.

    Sistemi eshte ne fazen e dekadences, por fuqia e Parise eshte me e madhe se kurre,sepse dekadenca i ben njerezit qe te jene akoma me te varur nga paria, me shpresen se nuk do u takoje atyre ta hane kur te plase.
    Po ashtu dekadenca ka gjasa te zgjase ne rast se Europa na mban gjalle, si puna e njeriut qe rron edhe 20 vjet brenda ne spital po ta mbajne gjalle.

    Individualizmi pothuaj patologjik i ketyre 20 vjeteve si reagim ndaj socializmit patologjik te komunizmit, nuk lejon as krijimin e grupeve pertej miqesise e simpatise, rrjedhimisht grupimet ngelen te vogla ose ne rast se zgjerohen plas lufta per pushtet brenda grupimit, meqe do kundervihen ‘grupet miqesore’.

    Mungon ideja sociale e mirefillte, qe mundeson grupimet e medha te cilat pastaj kane shanse te ushtrojne presion ndaj parise politike, prandaj edhe nismat qytetare jane te deshtuara qe ne lindje, shoqeria civile nuk ka gjasa te kaloje nga abstraksioni ne praktike.

    Paria eshte teper e forte, pakica e organizuar ngadhnjen gjithnje mbi shumicen e paorganizuar, parim shume i vjeter ndoshta me prejardhje ushtarake, qysh ne rrezet e para te qyteterimit, kur u verejt se nje grusht ushtaresh te disiplinuar e te miredrejtuar, fitonin gjithnje mbi turma te padisplinuara e te keqdrejtuara.

    Pra pike tjeter ne favor te parise se sotme eshte individualizmi pothuaj patologjik qe sundon ne Shqiperi.

    Normalisht demokracia i ka kapercyer keto probleme ekzistenciale, sepse parite jane demokratizuar, por tek ne paria nuk eshte aspak e demokratizuar, perkundrazi shkalla e larte e autokracise dhe njohja pothuaj ushtarake e hierarkise, ben qe tek paria jone secili e di vendin e vet dhe pretendon ate qe i takon.
    Kur Autokrati nuk i jep ate qe i takon ne baze te besnikerise, hidhen kunder por pa sukses.
    Kjo shitet per demokraci te brendshme, ne fakt eshte shenje e mungeses se urtesise se Autokratit.

    Tek ne problemi nuk eshte se ne popull parimi demokratik i shumices nuk gjen mbeshtetje, por se ky parim nuk gezon asnje mbeshtetje tek paria, çka verehet tek organizimi i saj, çka verehet pastaj ne parlament.

    Parlamenti para se te jete tempulli i demokracise, duhet te filloje te demokratizohet se ka ngelur ne kohen e Zogut dhe te Enverit, lepe-peqe Kryetarit.

    Prandaj edhe parlamentit per shkak te autokracise qe i buron nga poret (çdo kryetar partie eshte mbret pa kurore) i duhet hequr pushteti absolut qe gezon.
    Ka gjasa me te mira qe po ti kalohet popullit mundesia e zgjedhjes se pushteteve, te kemi pershpejtim drejt demokracise, e cila mbahet peng nga nje parlamentarizem pa parlamentare,se ky i joni eshte parlamentarizem me ushtare (ndonjehere te pabindur, qe ndeshkohen rregullisht sipas ligjit ushtarak).

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin