MES VËLLEZËRISH

Rastësisht ndesha në një përsiatje, ose më mirë në një metaforë të filozofit të gjuhës Mikhail Bakhtin, për fjalën brenda një marrëdhënieje dialogjike.

Është një akt i dyanshëm, thotë Bakhtin-i, meqë përcaktohet njëlloj si nga ai të cilit i përket, ashtu dhe nga ai tjetri, të cilin e synon… Fjala është një urë e hedhur mes meje dhe tjetrit, truall i përbashkët për adresuesin dhe të adresuarin, folësin dhe bashkëfolësin.

Ky është “koncept territorial” i fjalës, komentojnë biografët e Bakhtin-it, Clark dhe Holquist, i cili thërret në vështrim çështjen se kush e administron këtë territor pikërisht, dhe si.

Metafora është filozofike, por jo vetëm. Madje fton për një qasje të re ndaj debateve – tashmë të fashitura – rreth shqipes së njësuar dhe varianteve letrare.

Bakhtin-i i shkruan këto në lidhje me dyluftimin – të pandërprerë sipas tij – midis prirjes së gjuhës për variacion e diversitet dhe prirjes tjetër, për vetë-rregullim dhe normativitet (heteroglosisë dhe kanonizimit), dyluftim që, sipas tij, ndeshet në çdo instancë të thënies, madje edhe në atë individualen; madje edhe brenda një fjale të vetme.

Unë që të flas ty në shqipen e njësuar, të identifikohem jo vetëm si bartës i këtij varianti suprem të shqipes, por edhe si autoritet disiplinues, sa kohë që ti e identifikon veten si bartës të dialektit geg dhe, ndoshta, të një varianti letrar të gegërishtes (shkodranishtes, kosovarishtes, elbasanishtes).

Kush e kontrollon thënien që përvijohet mes nesh duke na vendosur në lidhje me njëri-tjetrin?

Gjuhëtarët, gjithnjë sipas Bakhtin-it, tradicionalisht janë marrë me aspektet fonetike dhe gramatikore të gjuhës, si më të lehta për t’u sistemuar; ose me uniformat leksikografike të fjalëve, të cilat u shërbejnë këtyre për t’u rreshtuar në fjalorë. Megjithatë, “lufta” brenda dialogut të përditshëm shtjellohet në nivele të tjera, shpesh mikro ose tepër volatile.

Përpjekjet e deritanishme për ta futur në krizë shqipen e 1972-shit kanë dështuar; dhe kanë dështuar sepse kanë qenë përpjekje të njëanshme, të të adresuarit vetëm, për të vënë në kontroll truallin e fjalës nga pozitat e të adresuarit.

Nuk ka munguar aq vullneti i secilës prej palëve për t’u mirëkuptuar, sesa vullneti i përbashkët për t’u mirëkuptuar. Janë dy gjëra të ndryshme, po aq të ndryshme sa dëshira e njërit dhe e tjetrit për ta kapërcyer lumin dhe ura si e tillë.

Sa kohë që i adresuari (“marrësi”) do të kërkojë kontroll mbi fjalën me argumente ideologjike dhe historike, rivendikime dhe mitologji, kontrolli mbi fjalën do t’i mbetet adresuesit (“dhënësit”) vetvetiu; edhe pse kjo nuk i shërben doemos komunikimit.

Për një kategori të pakënaqurish me gjendjen e sotme, e djeshmja komunikative mund të përkufizohet edhe si një tosk që i fliste gegut, nëpërmjet një procesi disiplinimi të dyfishtë (nuk di pse kjo më përfytyrohet si ndonjë komedi e Ionesco-s).

Sot ligjërimi publik flet ende toskërisht, edhe pse çështja qëndron tjetërkund – meqë frika është se mos tosku nuk po ka më çfarë t’i thotë gegut dhe anasjelltas. Dëshira për pluralizëm në kod mund të fshehë edhe një dëshirë për të mos e ndërtuar më, tek e fundit, urën; meqë lumi mund të kalohet edhe me lundër.

Demokracia gjuhësore, si të thuash, ua rikthen të plotë identitetin brigjeve.

Gjithnjë sipas Bakhtin-it, një shoqëri e shëndetshme e mban dyluftimin mes heteroglosisë dhe kanonizimit në stazë ose në ekuilibër, madje edhe në nivelin mikro. Shoqëria dhe kultura shqiptare e kanë realizuar këtë, për fat të keq, në nivelin makro vetëm: kanonizim gjatë 40-50 vjetëve totalitarizëm, heteroglosi të mundshme në vazhdim.

Le ta përfytyrojmë fjalën si truall të mbetur pa lëvruar në mes tonë, tashmë tokë e askujt; njëlloj si ato pronat ende të kontestuara mes vëllezërve, ku askush nuk guxon të hedhë farën i pari. Edhe sa do të duhet, që këtyre t’u shkojë mendja se se nuk ia vlen të ballafaqohen për një djerrinë një pëllëmbë?

Nuk ka komente

  1. Megjithse ky shkrim, në stil dhe formë, nuk mu duk si i Xhaxhait, përsa i përket thelbit të problemit, qëndron.
    Jo se jam partizan i të ndryshuarit me çdo kusht, ngaqë shikoj të gabuar atë “kanonizim gjatë 40-50 vjetëve totalitarizëm” (si premesa kryesore që përdorin 99% e “dialoguesëve” të sotëm), por nëse duhet rishikuar ky proces i kanonizimit, atëhere duhet kryer për një arësye që ja vlen që problemi të rihapet.
    Kjo arsye (dhe vetë kjo fjalë e pretendon), duhet të jetë e qëndrueshme dhe larg banalitetit apo diletantizmit me të cilin i ofrohen, ose i janë ofruar, këtij diskursi deri më tani “dialoguesit” e rinj… që shpesh e ngrenë zërin, jo se kanë arsye, por ngaqë ju duket vehtja se janë ata që janë në shalë dhe për këtë duhet që të mbajnë edhe frerët në duar.

    Për t’i qëndruar parabolës së paragrafit të fundit; nuk e shikoj të arësyeshme (apo racionalisht të justifikueshme) që, ndokush, edhe pse i nisur nga qëllime të mira, të vijë e të të thotë: “Duhet të heqim dorë nga mbjellja e këtij lloj misri, edhe pse jep 80kv/ha, dhe t’i rikthehemi misrit majosh që na e ka pas lanë baba>/i>…” sepse është kollaj që, jo vetëm për “një djerrinë një pëllëmbë”, por, sikur edhe historia ka treguar, edhe “për dy gisht ven” bëhet hataja nganjëherë…

  2. Nuk arrij ta kuptoj dot se ku dallon kjo perplasje nga ajo fonetike vs gramatike.

    Historia na thote se pas Aristotelit, gramatika ka korrur mbi fonetiken fitore pas fitoreje, pavaresisht ringritjes se prestigjit te fonetikes fale studiuesve te saj ( ne fakt çdo dege e gjuhesise i ka shpallur lufte sundimit post-aristotelian te gramatikes, gjuhetaret historikisht jane quajtur gramatikane) perseri gramatika, ashtu si tek reklama e vjeter e Kronenburgut, kudo kryeson.

    Konflikti ne Shqiperi ka natyre te pashmangshme gramatike, nga pikepamja fonetike geget falin, po paskajoren s’e falin dot.
    Marreveshja fonetike eshte relativisht e lehte, por marreveshja gramatikore s’ka gjasa te ndodhe.
    Geget do ishin mese te kenaqur nese do kembenin gjithe dallimet fonetike (qe nuk jane pak) duke ia lene toskerishtes, ne kembim te paskajores.

    Natyrisht paskajorja per nga vete natyra e nderlidhur e gramatikes dhe perparesia e kesaj forme foljore do rrembente edhe copa te tjera, çka ne fakt e ben çik si te majme ‘plaçken’ gramatikore, jo aq te pafajshme’, ‘naive’, ‘toleruese’ sa eshte ne dukje .

    Prandaj konflikti gramatikor ka gjasa te vazhdoje ne perjetesi, here i qete, here i vrullshem, gjithsesi konflikti eshte dhe do te jete edhe kur nuk duket.
    Perparesia, sundimi i gramatikes ne gjuhe, nuk ka si te jete me xixellues se kaq.

    Humbja e paskajores ne toskerisht rezultoi fatale, meqe tek ne identiteti pershqisohet ne terma absolutisto-ekstremiste.
    Megjithate sipas gjasave ne rast se toskerishtja s’do e kish humbur, konflikti do ngrihej ne nivel fonetik, termat absolute te identitetit ne kategorite tona mendore nuk na lene asnjehere pa konflikte te brendshme.

    Tek historia e dy vellezerve qe nuk hedhin faren tek toka e perbashket, problemi qendron tek fakti qe me vdekjen e Atit, humbet edhe elementi qe nenshtron subjektivitetin e dy vellezerve, tashme triumfon konceptimi absolut i identitetit, vellai, vella, po ama une jam une, ai eshte ai , keshtu vellai behet tjetri dhe tjetri mund deri edhe te vritet.

    Vellai, megjithese nje gjak eshte lidhje horizontale, ndryshe nga ati dhe biri, qe jane lidhje vertikale, pra per nga vete natyra identiteti ka tipare ekzistenciale absolutiste, pa atin nuk mund te konceptosh dot ekzistencen, kurse pa vellane e koncepton shume mire.

    Keshtu nje geg qe mendon shqiptarçe fare mire mund te pranonte gegerishten e Buzukut, biles edhe parapriresen e para 2000 vjeteve te cilen pas gjasave se kupton fare, sesa toskerishten, se kjo edhe vellai, ajo eshte Ati, toskerishtja eshte horizontalja, ajo eshte vertikalja.

    Natyrisht nje tosk qe mendon shqiptarçe, arrin ne perfundim analog, rrjedhimisht kompromisi eshte i veshtire.

    Teoria hegeliane, nje shtet, nje komb, nje gjuhe tek ne gjen veshtiresi te jashtezakonshme ne kategorite tona mendore, veshtiresi shume me ndikuese ne rezultat, sesa ato te jashtmet.

  3. “Unë që të flas ty në shqipen e njësuar, të identifikohem jo vetëm si bartës i këtij varianti suprem të shqipes, por edhe si autoritet disiplinues, sa kohë që ti e identifikon veten si bartës të dialektit geg dhe, ndoshta, të një varianti letrar të gegërishtes (shkodranishtes, kosovarishtes, elbasanishtes)”

    Kjo mbetet parimore. Ne praktike, nisur nga menyra si komunikohet dhe si lexohet varianti i gjuhes standard ne pergjithesi, une qe te flas ty ne shqipen e njesuar identifikohem me shume si tosk. C’ka e perjashton madje priret qe edhe premisen normuese ta kundershtoje si element te ndryshem, burimisht nga nje dialekt tjeter. Keshtu ne rastin tone, konfrontimi diversitet-kanonizim, ka humbur hapesiren, pse standardi konfirmon toskerishten per adresaret gege, duke u reduktuar ne nje komunikim nderdialektor me shume sesa nje qasje veterregulluese ne funksion te ligjerimit publik. Ne gjykimin tim, e folura e Tiranes qe riprodhohet brenda nje brezi, cilado qofte origjina e bartesit, eshte konvergimi logjik i perplasjes dialektore dhe ketu une pranoj fitoren gege. Edhe pse ne kete rast tosket ndaj te folures se kryeqytetit, ruajne nje reagim sa ironik aq edhe miratues per tingellimin disi me civil qe ajo i krijon degjuesit qe sapo ka ardhur nga qyteti i tij me xhepin me fara dhe me shprese se do ta konsumoje me kapadaillek para Petro Ninit, qendrimi i tyre ndaj te folures se Tiranes eshte me liberal. E them kete nisur nga fakti se kjo e folur eshte me e panatyrshme per ta sesa per geget. Ketu ndihmon shkretimi kulturor i Jugut, asgjesimi i qyteteve te tij dhe emigrimi jashte.
    Shpresoj vetem qe standardi te mos mbetet vetem nje alibi toske per ate qe sot sulmohet si establishment i Diktatures ne leme te gjuhes, qe gjithsesi kane kontributet e tyre. Aq sa edhe shpresoj qe R-te e zbutura dhe qeshjet e instaluara artificialisht ne fytyren e qytetarit kryeqytetas si version i amerikanzimit ne sjellje te mos gjeje vend ne rrezen ekzistuese te kohes sime biologjike. Edhe pse ne fakt veshtiresia per te arritur ne nje pike kompromisi ne kete ceshtje, nuk deshmon sipas meje pamundesi per te perpunuar shkencerisht variante te pranueshem, por deshmon se per te qene majmun eshte me e lehte sesa te jesh njeri.

  4. Shqiptareve u mesohet standarti neper shkolla, por çfarë ata flasin pas mbarimit të cikleve shkollore është një përzierje e standartit, shqiptimeve të mësuesit dhe shqiptimeve të dialekteve të tyre, të cilat janë shumë më tepër se sa shkruhet që janë. Nji çam ka fonetike te ndryshme nga nje gjirokastrit, te cilat ndryshojnë ndryshon nga ajo e Vlorës, Permetit, Korçes, Beratit, Fierit, Lushnjes, etj. Nje firak thotë, “Ç’a ben erej?”, ndersa nje vlonjat “Ç’bën ore”, ndersa nje çam, “Ç’ish bin more?”, me të tjerat, “Ç’ka je tuj bo?”.
    Ka edhe disa fshatra te Elbasanit, Tiranës, Kukësit, ose disa zona malore ne Kosovë që vetëm të ndigjosh ato variante të Shqipes do të mpihej aftësia për të mësuar standartin. Nuk ke nevojë të shkosh larg dhe per fqinjët tanë eshtë e njëjta dukuri; degjo një siçilian, napoletan, barez, ose venecian , dhe nëse vetëm ke degjuar italishten, do të pyesësh Ç’farë gjuhe është? Arabisht? Barberisht? Irlandisht?.
    Dihet edhe që asnji nga shqiptar-folësit e dialekteve ndjehet në turp kur flet në dialekt. Megjithese njihet kjo ne psikologji që dialekti im është më i miri, në rastin e shqipfolëse ka një gropë gjoksi më shumë, është meritë. Nga ana tjetër mendoj nuk ka ekzistuar ndonjiherë nji nivel perfeksioni reth standartit në përgjithësi në të gjitha gjuhët, por besoj se ka disa lloje të pranueshme Shqipesh, që kuptojnë njera tjetrën, e cila fatëkeqësisht në disa rate keqintrepetohet qëllimisht si “nuk merren vesh”, dhe disa që janë tashmë jashtë shtratit të saj plotësisht si rezultat i izolimit të gjatë në zona të mbyllura malore, dhe janë me të vërtetë që “nuk njigohen njera me tjetrën”. Gjithashtu që janë një numër i madh gjuhësh që vetëm shumë pak njerëz e flasin në jetën e përditshme standartin e tyre, kjo është e njohur në botën e gjuhëtarëve.
    Ç’farë unë dua të theksoj tjetër është anti-mitizimi I standartit, siç tashmë më është marë vesh na anërët e këtij blloku. Dua të theksoj që mospërphapja e një standarti nuk vjen nga vetëm faktorë të një drejtimi të vetëm, por vjen edhe nga dobësia e e vetë standartit për të konkuruar me dialektet. Kur dialekt, si për shëmbull ai i Shkodrës ka përparësi të dukshme fonetike, gramatike(paskajorja) dhe muzikaliteti me standartin, as që mund të mendohet që standarti mundt të fitoje atje. Ajo formë e shqipes do ti mbijetojë përhrë standartit, , sikur vetëm dy shkodranë të ngelen në këtë botë.
    Përsa i përket paskajores, Hyllin ka të drejtë. Ajo duhet menjeherë ndrequr në standart , sepse pengon format e ndërlikuara të menduarit dhe të shprehurit, si dhe ka efektet anesore negative në pakësimin e ndërtimeve te kategorive të tjera gramatikore.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin