HYJNESHA DARDANIA

nga Moikom Zeqo

Dr. Edi Shukriu, arkeologe e njohur në Prishtinë në librin e saj “Dardania paraurbane”, Dukagjini, Pejë 1996, bën një sintezë shkencore të etnicitetit ilir të dardanëve, duke bërë kështu konceptualizimin e provës arkeologjike të autoktonisë dardano-shqiptare.

Kurse në botimin “Kosova Antike”, Muzeu i Kosovës, Prishtinë, 2004, në shqip dhe në anglisht realizon një sintezë tjetër të Dardanisë, që nga fillesat prehistorike deri në antikitetin e vonë.

Libri është edhe album me ilustrime të cilësisë së lartë të objekteve arkeologjike, hartave përkatëse dhe është edhe një informacion i shkëlqyer shkencor për Dardaninë.

Të tërheq vëmendjen fakti që dr. Edi Shukriu analizon edhe kulturën kultike dhe mitologjike të Dardanisë antike dhe sidomos atë të epokës perandorake romake.

Në këtë epokë kemi një lëvizje kultesh dhe hyjnish të ndryshme. Në Dardani arritën perënditë dhe kultet që i sillnin ushtarët e tregtarët nga pjesët e ndryshme të Perandorisë së madhe Romake.

Të tillë ishin perënditë romake Jupiteri, Minerva, Furtuna (mbrojtëse e familjes së furijëve të Ulpianës), Merkuri dhe Diana; perënditë që vinin nga lindja, siç ishin Mitra, Izida, Serapisi dhe Jupiteri Dolihen dhe perënditë helene Nemezisi, Orfeu, Hekata, Asklepi, Higia dhe Telesfonti.

Duket se i traditës së më hershme dhe lidhur me kultin e kalit është respektimi i Kalorësit trakas dhe Kalorësit danubianë, si interpretime të hyjnive vendës, dhe i hyut trakas Zbeltiurdit. Panteoni i hyjnive është i madh.

Në shumë raste, pas emrave të hyjnive të huaja, që duken në monumentet votive qëndrojnë hyjnitë vendëse, kryesisht në interpretimin romak të tyre – interpretatio romana.

Këtë më së miri e dëshmon monumenti votiv nga Smira, të cilin pjesëtarët e tribës së njohur romake Quirinia ia përkushtuan Jupiterit të tyre (lovi Optimo Maximo Noster), për ta dalluar nga Jupiteri vendës, emri i të cilit ngel i panjohur.

Ky mund të jetë dhe hyu Andin apo ndonjë tjetër, nëse jo hyu ilir i rrëfesë Enji, nga i cili mori emrin dita e Enjte.

Nuk njihet as emri i hyjneshës dardane, e cila, përmes monumenteve të periudhës romake, njihet vetëm me emrin e shkruar latin Dea – Perëndeshë. Duket, nënvizon dr. Edi Shukriu, se është fjala për hyjneshën ilire P(e)rendën / Prendën / Prenën / Premën, emri i së cilës u trashëgua nga fjala Perëndi. Roli i dikurshëm suprem i saj fshihet në emërtimin shqip të ditës së javë në gjuhën shqipe: e Premtë.

Kjo u përfshi në gjirin e të shenjtërve të krishterizimit si Shën Prenda / Prena / Premta, duke mos pasur mundësi të çrrënjosej nga tradita e besimit të ngulmshëm të popullatës autoktone në të.

Ky arsyetim është i drejtë.

Por dr. Edi Shukriu nënvizon:

“Gjatë periudhës romake dardanët ruajtën hyjnitë e tyre, ruajtën Perëndeshën (Dean) dardane dhe Andinin, së bashku me hyjtë e tjerë ilirë.

Besimi i qëndrueshëm në Dean dardane duket nga përkushtimet në monumentet votive nga Smira e Romula Malva e Dakisë, nga shtatorja e Medianës së Nishit, si dhe nga monedhat e xeheroreve me mbishkrim DARDANICI (shekulli II).

Monedhat mbajnë paraqitjen e një hyjneshe femërore, e cila në njërën dorë ka kallirin e grurit, ndërsa me tjetrën mban cepin e fustanit – hitonin.

Perëndeshë dardane

Busti i njohur i Gruas nga Kllokoti (II-III) duket të jetë po ashtu personifikim i kësaj perëndeshe, sepse në të nuk është shënuar asnjë emër, se Perëndeshën e tyre e kanë njohur të gjithë dardanët dhe se ka ngjashmëri me paraqitjet figurative të Deas nga monumentet e Rumanisë.

Edhe shtatorja e periudhës romake nga Mediana afër Nishit, me elemente të karakterit autokton dhe deri vonë e paidentifikuar, identifikohet me Perëndeshën dardane.

Ajo mban në dorën e majtë viçin, në të djathtën qesen (marsupium), ndërsa te këmbët ka sëpatën dytehëshe (labrys) dhe derrin farran. Simbolet që e shoqërojnë Perëndeshën dardane në monumentet nga Rumania janë edhi, gjeli dhe shporta e bollëkut.

Pos qeses dhe shportës së bollëkut, simbolet e tjera janë pjesë e traditës vendëse.

Perëndesha dardane, e lidhur ngushtësisht me besimin në fuqinë supreme të Diellit dhe në kultin për të, u bë personifikim i këtij besimi që në fazën urbane dardane (IV-I p.e.r.).

Besimi në forcën hyjnore të saj ishte aq i fuqishëm sa që u respektua edhe nga të huajt: arën nga Smira e ngriti Artor Herakliti (Artorius Heraclitus), ushtar romak me prejardhje greke. Besimin në Perëndeshën dardane e morën me vete edhe Aurel Dardani (Aurelius Dardanus). Eli… (Aelius…) dhe një dekurioni tjetër dardan, të cilët u bënë udhëheqës (decurion) të qytetit antik Romula Malva të Dakisë (Rresha në Rumani).

Ndonëse ishin larg atdheut, iu përkushtuan dy monumente hyjneshës së tyre të çmuar dhe lanë në trashëgimi përfytyrimet e rëndësishme figurative për të.

Se Perëndesha dardane ishte më shumë se personifikim dhe mbrojtëse e Dardanisë paralajmëron monumenti nga Smira, përkatësisht labyrinthet e relievuara në faqet anësore, njëri rrethor dhe tjetri katërkëndësh.

Rëndësi të posaçme ka labyrinthi autokton rrethor, i përbërë nga një kompozicion më i gjerë me domethënie të thellë filozofiko-religjioze, i cili prezanton Perëndeshën dardane në manifestime të shumta të saj.

Në pjesën qendrore gjendet labyrinthi i ndarë në tri hapësira (horizonte) dhe në to gjenden nga dy svastika drejtimesh të ndryshme. Sfera e vendosur në qendër është po ashtu e ndarë në tri pjesë.

Mbi labyrinth shtrihet hardhia e rrushit, ndërsa nën të gjethet e lerthit me një nyjë profilaktike.

Labyrinthi sjell një qasje gjeometrike dhe numerologjike, e cila krijon fushën holografike shumëdimensionale.

Bëhet fjalë për një Gjeometri të Shenjtë, e cila paraqet rregullin kozmik dhe ndërlidhjen midis botës materiale dhe mbretërisë së vetëdijes më të lartë.

Prezenca e labyrinthit rrethor nga Smira hedh poshtë mendimin e gabuar se ilirët, duke përfshirë edhe dardanët, nuk kanë zhvilluar një kozmologji uniforme mbi të cilën është përqendruar praktika e tyre religjioze.

Monumenti i Perëndeshës nga Smira paralajmëron sa njohuritë kozmogonike dhe kozmologjike dardane aq edhe kompleksitetin e tyre, duke pasur për bazë konceptin e treshit të mbështetur në tri sferat e dukshme dhe të mëdha astrale: në Diell, në hënë dhe në tokë.

Të zbërthyer në kontekstin filozofik-religjioz toka te dardanët del si vendbanim i trupit të vdekshëm, Hëna si vendbanim i shpirtit të përjetshëm dhe dielli si synim dhe qendër – vetëdije më e lartë, urti sublime dhe iluminacion.

Është ky balancim i tri energjive kryesore, ndërsa rrugëtimi i përjetshëm nënkupton ribashkimin e trupit dhe të tokës, të shpirtit dhe të Hënës, të urtisë hyjnore dhe të Diellit.

Një botëkuptim i tillë, duke mos i lënë anash as ndikimet e mëvonshme, është ndërtuar shekuj të tërë dhe fati e deshi që të zbulohet në një monument mermeri të shekujve të parë të sundimit romak.

I parë në një kontekst më të gjerë vetë kompozicioni dhe përqendrimi i funksioneve të shumta të një hyjneshe, përkatësisht te Perëndesha dardane, paraqet sfondin e krijuar shpirtëror e mendor të dardanëve për përqafimin e shpejtë të besimit të ri – krishterimit.”

Ky citim një paraqitje rindërtuese e kultit të hyjneshës Dardania. Del qartë se ajo është një hyjneshë sinkretike dhe kryesore.

Dilema e emrit të saj që nuk dihet saktësisht mund të sqarohet vetëm nëse mendojmë se kjo Dea parakupton për vendasit autoktonë pikërisht Dardaninë si emër përgjithësues gjeografik dhe jo një emër thjesht personal.

Por kjo çështje kërkon hulumtim.

Fakti që rafigurimi skulpturor i hyjneshës Dardania mbijeton në epokën perandorake romake na bën të mendojmë për origjinën e saj në kohëra shumë më të hershme.

1. Deri më sot nuk është bërë një krahasim ikonografik i skulpturës së Dardanisë me plastikën e idhujve prehistorikë.

Hyjnesha në fron

Idhulli prej terakote (18,5 cm) i neolitit (kultura e Vinçës), gjetur në Tjerrtore (Prishtinë) tërheq vëmendjen në gjoks mban një medalion të rrumbullakët, simbol solar i padyshimtë.

Po kështu edhe idhulli i gjetur në Faqos të Mitrovicës mban në gjoks të njëjtin medalion.

Këto dy raste krijojnë një rregullsi të qartë. Medalioni solar është simbol identifikues i kultit. Medalioni shpreh fuqinë kozmogonike të Diellit tek banorët e Dardanisë.

Këtë idhuj shprehin figurën e Magna Mater-it. Pra të kryehyjneshës së matriarkatit në neolit.

2. Tek skulptura prej mermeri (75x55x15cm) e shekujve II dhe III, që sot ndodhet në Muzeun e Kosovës femra hyjnizuar mban gjithashtu në gjoks një medalion solar të ngjashëm me medalionet e idhujve neolitikë të Magna Mater.

Padyshim që këtu nuk kemi të bëjmë me rastësi por me një vijimësi të çuditshme identifikimi në mijëravjeçarë.

3. Duke e rivendosur këtë lidhje, mendoj se medaljoni solar është një element ikonografik qendror, i pandryshueshëm, megjithëse struktura ikonografike e idhujve neolitikë ndryshon me ikonografinë e hyjneshës Dardania në shekujt II dhe III.

Arti ilir i kësaj skulpture ndryshon qartë në raport me artin e skulpturës perandorake e kultike romake të vonë.

4. Duke bërë këtë ekuacion të kultit diellor midis idhujve neolitike të hyjneshës Dardania dua të shënoj se ky ekuacion e ka një lidhje në shekullin IV me rafigurimin e Ilirikut në formën e një hyjneshe, që ndodhet në veprën “Notitia dignitatum” (“Lista e rangjeve”) që është përpiluar në vitet 390 deri në 437. (shih “Notitia dignitatum accendum. Notitia urbis constantinopolitanae et Laterculi provinciarum.” ed. O. Seek. Berolini 1876).

Tek hyjnesha e Ilirikumit pamja femërore nuk është në bust, por në këmbë, e plotë, mbulesën mbi kokë e ka si hyjnesha Dardania, nuk e ka medalionin pagan solar në gjoks, sepse mban mbi kokë aureolën e hyjnitetit të krishterë. Kemi një transferim të simbolit të hyjnitetit, por mbetet forma gjeometrike e rrethit, që në historinë mitologjike të kohërave, përfaqëson kultin parak diellor.

5. Edhe diçka tjetër: hyjnesha e Ilirikut mban në duar një enë blatimi të shenjtë, një përsëritje e simbolikës gjeometrike.

Hyjnesha Dardania e ka gjithashtu atributin e blatimit (simbolet e shportës së bollëkut, qesja (marsupium), derri, gjeli, sopata dytehëshe (lobrys) etj.

6. Nëse hyjnesha Dardania ka një përfaqësim gjeografik të Dardanisë si provincë e shënjuar dhe e përcaktuar e perandorisë romake, edhe hyjnesha e Ilirikut bazohet në përfaqësimin gjeografik të një province shumë më të gjerë perandorake në një kohë kur krishterimi fiton përparësi mbi paganizmin.

7. Karakteri antropomorf i dy figurave të hyjnizuara të Dardanisë dhe Ilirikut tregon një vijimësi të metamorfizuar të artit shtetëror ikonografik për bashkësitë vendase të njohura në rrafshin juridik, që institucionalizon edhe simbolikën religjioze dhe kultike.

Nuk ka komente

  1. Eshte psikologjike, ti lexon Perun, mendja te shkon tek piruni, patatet e skuqura, berxolla e mishit, mendohesh dy te qindat e sekondes dhe pastaj thua me vete, – Perun-i eshte fjale e rendesise se madhe, me siguri edhe fjala Perendi prej aty e ka origjinen!
    Seriozisht nqs nuk eshte hipoteza e shkrimit, sipas se ciles Perendia shqipe vjen prej perendeshes me vone shenjtore Premte, atehere hippoteza tjeter ngelet Zoti indo-europjan i furtunes dhe shiut Perkwonos. Prejt tij kemi Perkunas-in baltik dhe Perjuan-in indo-arjan, perveç dy “Perendive” shqiptare dhe sllave.
    Nqs M Zeqo (apo E Shukuriu ?) ka te drejte atehere perfitohet nje fakt shume interesant, shqiptaret jane per aq sa njoh, i vetmi popull ne bote per te cilet Zoti, ose Zoti kryesor eshte i gjinise femerore! Ndoshta te vjetrit e kane pasur me te lehte ti luteshin e pergjeroheshin imazhit te nje gruaje se sa atij te nje burri!

  2. Per prejardhjen e fjales Perendi indoeuropianistet bien dakort per lidhjen me per’kw’onos, po problemi qendron tek forma(t) e ndermjetme mes fjales indoeuropiane dhe shqipes se sotme, pra i takon historise fonetike te shqipes.

    Artikulli ka nje kah te çuditshem se duket sikur do ti jape qendersine e besimit nje figure femerore, duke i nenshtruar asaj edhe kultin e Diellit.

    Sikur t’i sodisnim ca figurat ne fjale nuk do ishte keq, edhe artikulli behet me i kuptueshem..

    1. I kërkova autorit të më dërgojë ndonjë foto ilustruese për artikullin. Më premtoi, të shohim.

      Hyllin, kur thua:

      Per prejardhjen e fjales Perendi indoeuropianistet bien dakort per lidhjen me per’kw’onos

      Nuk e kuptoj pse tingëllon kaq akademik.

      Në fakt nuk ka asnjë ‘dakord’ mes indoeuropianëve rreth kësaj etimologjie, e cila mbetet problematike.

      Para se të shkojmë dhe të trazojmë forma të rindërtuara si perkwunos, ndoshta ia vlen të shohim lidhjet e fjalës brenda shqipes.

      Që nga Bopp-i, emrin perëndi e kanë lidhur me foljen perëndoj, në kuptimin perëndon dielli; të cilën kuptimisht nuk e ndan dot nga greqishtja ο ήλιος βασιλεύει (“mbretëron dielli”); Oreli, që ka hartuar një fjalor etimologjik të shqipes tani vonë, e pranon se shqipja dielli perëndon mund të jetë kalk nga greqishtja (teorikisht edhe e kundërta qëndron).

      Tani, për vetë fjalën perëndi, ka disa që e lidhin me latinishten imperantem (e cila përndryshe në shqipe ka dhënë mbret); ka të tjerë që e lidhin me latinishten parentare/parentari (“u bëj një sakrificë zotave, i kënaq zotat”).

      Dy etimologë që janë marrë ekskluzivisht me shqipen – Çabej dhe Orel, janë për etimologjinë latine të fjalës. Argumentet e tyre më duken bindëse. Përkundrazi, lidhjet me perkwunos dhe sllavishten perun besoj se kanë nevojë të mbështeten më mirë; sikurse duhen mbështetur më mirë lidhjet me prendë dhe e premte.

      Ka edhe një mundësi të tretë, që e sjell në mënyrë spekulative: të ketë pasur një kontaminim, ose më mirë një polenizim të kryqëzuar mes dy fjalëve – asaj nga latinishtja, dhe një fjale të vjetër ilire (trake). Polenizimi i tillë ndodh më shpesh se ç’kujtojmë. Një rast i fundit, flagrant, është shprehja “nuk më premton koha”, ku fjala premtoj (nga latinishtja ose italishtja promettere) është përzier me një ndikim ose huazim nga italishtja permettere (ndoshta permeton), në kuptimin “il tempo non mi permette”.

      Gjithsesi – etimologjitë latine janë ato kryesoret dhe pikat e referimit. Të tjerat, edhe pse të mundshme, janë alternative.

      1. Xhaxhai
        Para se të shkojmë dhe të trazojmë forma të rindërtuara si perkwunos, ndoshta ia vlen të shohim lidhjet e fjalës brenda shqipes.

        __________________

        Ne fakt nuk eshte e nevojshme qe te shihen as lidhjet e fjales brenda shqipes e as format e rindertuara, (Perkwonas gjithsesi eshte shume me teper se forme e rindertuar) atehere kur kjo hyjni eshte konstatuar tek popujt sllave dhe ballte.
        Me siguri edhe tek proto-shqiptaret ka ekzistuar pasi te treja keto gjuhe, dhe shtoji edhe gjuhet trake dhe ilire, jane aq te aferta me njera tjetren, sa me se fundi po klasifikohen si pjese e te njejtit grup linguistik, “Macro Balto-Sllav”. (Per reference, mund te shihet tek veprat e B. Sergent)
        Mendohet se Protoshqiptaret, protosllavet, dhe protoballtet kane qene dikur i njejti popull, dhe kane jetuar per nje periudhe te gjate bashke pasi jane shkeputur nga pjesa tjeter indo-europiane.
        Per kuriozitet kerkova informacion mbi hyjnite trake, dhe ashtu siç besoja tek Traket gjithashtu ekziston nje perendi Perkon, keshtu qe si perfundim eshte e vertete ajo çka u tha qe ne fillim, Perendi e ka origjinen me siguri prej hyjnise se dyte me te rendesishme tek indoeuropjanet Perkwonas, ose prej versionit femeror te tij Premte/Freyja.
        Cabej dhe Orel, nuk jane prioritare perpara studiuesve te indoeuropjanistikes perendimore si Sergent, Dumezil etj, ashtu sic hipoteza pak e kapur per veshesh, mbreteroj – perendi (? nuk mund te jete prioritare perpara asaj perkwonas-perendi aq me teper qe nqs ju referohesh te dy studjuesve bashke, Orel dhe Cabej nuk kane per te dale llogarite pasi per te parin gjuha shqip ka 50 e kusur % fjale me origjine latine dhe per tjetrin 50 e ca % fjale me origjine sllave, qe i bie perfundimisht 110% sllavo-latine.

        P.S. Huji kalores i shkrimit tek Iliret quhej Medaur

        1. Unë kam studiuar në këtë fushë. Nuk mund ta përmbledh përvojën time si student dhe argumentin profesionist në dy rreshta të komenteve – por vetëm po mjaftohem të them që etimologjitë nuk mund të paragjykohen. Nëse është latine, është latine dhe pikë. Kur vjen puna për shqipen, Çabej dhe deri diku Orel kanë pa dyshim prioritet ndaj indo-europianistëve, sepse këta të fundit punën e tyre e mbështetin në etimologjitë e ofruara prej specialistëve të gjuhëve përkatëse (me gjithë respektin abstrakt, enj, për këtë nuk marr leksione prej teje; sikurse kam frikë edhe se ti nuk e kupton mirë fonetikën historike, e cila është pak e vështirë për amatorin; gjithashtu ti mistifikon kur përmend fjalën ‘mbretëroj’; meqë këtu po flasim për një ngjashmëri evidente, edhe në shqipen e sotme, midis fjalëve perandor dhe perëndi; një ngjashmëri të cilën edhe një fëmijë e vë re). Nga ana fonetike, perkwunos është e pambrojtshme, megjithë një farë ngjashmërie kështu kozmetike. Mund të ketë lidhje me Premtën dhe ditën e Premte, por këto lidhje do të jenë ndërmjetësuar nga një gjuhë e tretë – p.sh. nga trakishtja, nëse shqipja vjen prej ilirishtes (ose e kundërta). Edhe semantikisht po ta marrësh, Perëndia e shqiptarit është ajo e një botëkuptimi ngushtësisht monoteist, nuk ka ndonjë lidhje me paganizmin dhe politeizmin indo-europian. Dy etimologjitë latine nuk janë pa probleme – por gjithsesi të dyja janë shumë më të besueshme se pirunjtë e indo-europianistëve. Kur vjen puna për njohjen e shqipes dhe intuitën, asnjë – dhe e përsërit – asnjë nuk i afrohet Çabejt.

          1. Me shume respekt, jo nuk eshte latine, thjesht pasi faktet dhe llogjika provojne te kunderten. Cabej i ka meshuar latinishtes me teper se c’duhet dhe studimet e tij jane te nje kohe shume te larget (viti 1958 ne mos gaboj) per tu konfrontuar me gjuhetaret e IE-istikes te viteve 2000 e me lart; Une mund te sjell shembuj ku Cabej eshte ngaterruar, psh fjala Qen qe eshte illogjike te konsiderohet si e huazuar kur shohim kontekstin historik gjeografik dhe social te formimit te shqipes Cabej dhe Orel thone se vjen prej latinishtes Canum, Problemi eshte se fjala ilire per qen eshte gjetur, eshte Can. E njejta gje vlen edhe per fjalen perendi, fjala trake Perkon ekziston. Megjithese Cabej apo Orel kane studiuar ne pergjithesi gjuhen shqipe, ne anen tjeter Sergent ose psh. Haudry jane specialiste franceze te mitologjise dhe perendive IE dhe vijne nga shkolla me prestigjize ku kujdesi eshte me i madh, kane studimet me te fundit per te mos thene ironikisht, jane te ekopes sone. Puna e tyre sic e te gjithe gjuhetarave sot natyrisht qe mbeshtet tek gjuhetare te tjere prekursore por duke i shtuar studimet perkatese dhe kjo vlen per studiuesit e cdo shkence konvencionale.
            E vertete qe nuk jam specialist i linguistikes, dhe per faktin se ju jeni i tille, une mund t’ju hap rrugen, por problemi eshte se argumentat qe sillni nuk me binden, dhe deshiroj te kuptoj me shume.
            Atehere ju thoni, se Perkwonos eshte i pambrojtshem fonetikisht.
            A eshte e mundur ta shtjelloni kete me shume, pasi nuk e di por me duket mese i mbrojtshem dhe shume lehtesisht madje.
            Mjafton te pranohet se germa “k” ka rene ne nje kohe shume te hershme dhe eshte perfituar perëni/perendi, sic ka ndodhur tek versioni sllav Perun, tek indiani Parjuana, tek gjermani Fjorgyn apo hititi Pirwa.
            Perpara se te me thote ndokush se tek Protoshqipja humbja e “k” nuk pranohet, atehere po sjell tre shembuj,

            Ariu (shqip) – Arina (Protoshqip nga Orel ) – Artkas (IE)
            Blete – Melita (Protoshqip nga Demiraj) – Bheitka
            Dhjete – Dekam

            Sic e tha edhe Hyllin me poshte, fjala e hershme e perfituar nga latinishtja eshte Mbret,dhe mbreteroj, hipoteza se kemi nje huazim te dyfishte Mbret dhe perendi me duket pak problematike eshte e veshtire qe mbret, dmth kryetar i shtetit qe eshte koncept tokesor te kaloje ne fjalen qe percakton hyjnite dhe Zotin kryesor, aq me teper kur kjo fjale eshte fakt se eshte huazuar ne formen mbret ne ate periudhe kur ndodhen huazimet prej terminologjise kishtare. . Ne gjuhet e tjera IE fjalet korespondente te Perendi , Deus, God,Theos vijne nga emra perendish Khoda, Devas… qe edhe ato vete vijne nga fjale te tjera me te vjetra qe ngelen perseri brenda nje konteksti shpirteror lutjesh apo sakrifikimesh.

  3. Lidhjet latine i perkasin shkolles se pare fare indoeuropianistike, ahere kur thuhej se shqipja pothuajse eshte gjuhe neolatine.
    Persa i perket Perendi, ne mos gaboj interpretimi qe e lidh me perkwonos pas Pokorny-it eshte pranuar.

    Persa i perket lidhjeve me imperator, nuk duhet harruar per asnje çast se kjo fjale eshte tipike formale qe mund te gjendej vetem e shkruar por jo e shprehur jashte ritualeve te oborrit.
    Kaq e vertete eshte kjo, saqe si gjermanet ashtu edhe sllavet kane marre nga Kaesar, gjermanisht Kajzer , sllavisht Tsar.
    Po ashtu vete perandoret e quanin veten dhe njiheshin si Princepse, Auguste dhe Cezare, nderkaq ai bizantin e quante veten dhe njihej si Basileus, Autokrator dhe Sebasto(krator).

    Imperator nuk ka gjasa te kete qene fjale e folur, pra jashte librave dhe ritualeve te oborrit.
    Qe kjo pastaj te depertoje vetem ne gjuhen, krejt ndryshe nga gjuhet e tjera, me duket vertet e pamundur.

    Sa per kryesine e etimologjive latine, une besoj se kryesia i takon indoeuropianishtes, meqe deri ne demostrim te kundert shqipja vjen nga indoeuropianishtja dhe jo nga latinishtja.
    Latinishtja eshte nje ndermjetese qe ndoshta mund te kete gdhendur fjale indoeuropiane te shqipes sipas shembelltyres se vet, por i takon fonetikes historike te shqipes te ndaje shapin nga sheqeri.

    1. E kam fjalorin e Orelit në shtëpi; është fjalori i fundit etimologjik i shqipes, nëse nuk gabohem. Ai nuk mban ndonjë qëndrim të prerë atje, por i jep përparësi shpjegimit të Çabejt (i cili mbështetet te Bopp-i). Lidhja me Perunin e sllavëve është shumë spekulative.

      Sa për përparësitë në hulumtimet etimologjike – edhe këtu unë ndjek Cabejn, i cili thoshte se, para se të kuturisemi në rindërtime rrënjësh indoeuropiane, duhet të shohim lidhjet brenda gjuhës shqipe. Për fjalën perëndi, kjo lidhje manifestohet në foljen perëndoj.

      Kujdes pastaj – nuk është fjala këtu për fjalën imperator, por për fjalën imperans/imperantem – ai që sundon, sunduesi (pjesore e tashme). Kjo nuk më rezulton të ketë qenë fjalë tipike formale në latinishten.

  4. Xha xha, ka disa probleme kohore shtjellimi qe mbron.

    Se pari, pohon se qofte mbret qofte perandor vijne nga e njejta fjale. Tani qe nga e njejta fjale e huaj te vijne 2, kjo me duket se eshte e mundur ne shqip, kur kemi fjale latine (para shek 5) dhe fjale te italishtes le te themi pas shek 13 ose frengjishtes tani vone, me vjen ndermend ‘drejt’ dhe ‘direkt’ e para huazim i vjeter fare , e dyta huazim i ri.

    Mirepo edhe ne keto raste (si shembulli ne fjale) vihet re qe fonetika shqiptare pavaresisht shekujve te diferences na sjell 2 fjale te peraferta.

    Tani mbret dhe perandor jane jashtezakonisht larg njera-tjetres, jo vetem per te qene bashkekohese por edhe per te qene huazim i shqipes nga e njejta fjale.
    Ketu vertet duhet te behen kollotumba fonetike qe e njejta gjuhe te prodhoje 2 fjale kaq te ndryshme.

    Tani e vetmja mundesi, nese duam qe te kene te dyja te njejten prejardhje, eshte huazimi i njeres si shume i vjeter, ne kete rast fjala mbret dhe huazimi i se dytes si shume i ri. Biles ka gjasa te mira qe fjala perandor te jete me shume forme e shkruar sesa e folur, ne ndryshim nga mbret.

    Tani nese fjala Perendi do lidhej me Perandorin dhe meqe eshte fjale e vjeter, te pakten po aq sa Krishterimi nder shqiptare, meqe nuk ka gjasa qe te kete hyre vone ne fjalorin fetar, atehere kjo fjale do shkonte kohorisht si bashkekohore e fjales Mbret dhe jo e fjales Perandor, pra qe ne kohen kur Perandori pagan ishte edhe Pontifex Maximus dhe nderohej si Perendi.

    Ne kete rast , sikunder kuptohet ndryshimi fonetik mes dy fjaleve bashkekohore Mbret dhe Perandor, na sjell prape tek kollotumbat fonetike.
    Per me teper qe Perandor ka prapashtesen -or dhe nuk me duket se ka shanse qe te kete hyre ne shqipen popullore pa kaluar me pare tek ajo e shkruar, s’ka shembuj te tjere ose mua s’me vijne shembuj.

    Prandaj edhe them qe keto pune i zgjidh fonetika historike, sepse vetem ajo mund te na sjelle njefare garancie, se ciles kohe i takon nje fjale, se si behet i pamundur nje huazim apo tjetri, e thene ndryshe kemi nevoje per rregulla te qarta fonetike qe te mos i futemi interpretimeve si tek fjala lugat.

    Interpretimet nga latinishtja shpesh jane caze liberale, si i thone kemi nevoje per çik ortodoksi.

  5. Etimologjia e shqipes perëndi nga indo-europianishtja perkwunos është në vetvete problematike, madje edhe për dikë që nuk e njeh fare shqipen në brendësi, por vetëm ka një ide për fonetikën e saj historike.

    Problemi fonetik këtu është se perkwunos përmban një labiovelare (kw), e cila në shqipe asnjëherë nuk ka rënë, por ka përfunduar, sipas rastit, në velare të thjeshtë (darkë) ose në sibilante (darsëm). Normalisht, ajo rrënjë i.e. do të kishte dhënë, në shqipe, diçka si *përkú/përkuni.

    Rënia e labiovelares (qoftë edhe e velares së thjeshtë) te Perun përbën problem edhe për gjuhët sllave – dhe janë përpjekur ta shpjegojnë nëpërmjet kontaminimit me një fjalë tjetër të sllavishtes. Por nëse labio-velarja ka rënë brenda sllavishtes, për arsye të brendshme të atij dialekti i.e., atëherë i bie që protoshqipja ta ketë marrë fjalën nga sllavishtja pas ndarjes së kësaj nga baltishtja (meqë në baltishte labiovelarja nuk ka rënë) – çka nuk hahet.

    Nga ana tjetër, po flasim për zotin indo-europian të rrufeve dhe të bubullimave; por shqipja nuk i ka ruajtur emrat e panteonit indo-europian dhe kjo nuk është ndonjë çudi, sepse shqiptarët e vjetër u kristianizuan herët, shumë herët, ndryshe nga sllavët, baltët dhe ndonjë popull tjetër më larg Mesdheut.

    Megjithatë, arsyetimet e mësipërme nuk e përjashtojnë mundësinë që Perëndi të vijë nga Perkwunos.

    Çfarë e mbështet etimologjinë latine të Mayer-it dhe të Çabejt është historia e brendshme e shqipes.

    Ndryshe nga indo-europianistët, të cilët u qasen gjuhëve i.e. në mënyrë formale, pothuajse matematike, Çabej i ka kushtuar vëmendje të madhe historisë së brendshme të fjalëve.

    Është lehtë të thuash: perëndi ngjan me Perun-in e sllavëve, atëherë është fjalë e fondit i.e.

    Mirëpo Çabej ka vënë re, për shembull, se autorët e vjetër të shqipes përdorin një fjalë tjetër për hyun, dhe pikërisht zotynë, zot etj. Te Buzuku perëndi nuk del fare.

    Del te Matranga, autori i parë arbëresh, te “E mbsuame e Krështerë”:

    lumtë ata çë janë vabëk shpirti pse i tëreja ishtë perëndia e qiellvet
    (Beati pauperes spiritu, quoniam ipsorum est Regnum caelorum.)

    lumtë ata çë psonjënë të përzëna për ligj pse i tireja ishtë perundia e qiellvet
    (Beati, qui persecutionem patiuntur propter iustitiam, quoniam ipsorum est Regnum caelorum.)

    (Vëreni se Matranga luhatet në drejtshkrimin e kësaj fjale; Camaj këtë luhatje e shpjegon me ndikimin e dialektit të Horës së Arbëreshëve.)

    Te Matranga fjala ka kuptimin “mbretëri, regnum” (perëndia e qiellvet = regnum caelorum).

    Edhe te Budi, fjala perëndi ka kuptimin “regnum, mbretëri, zotërim”.

    Franz Miklosich, në veprën e vet Albanische Forschungen, përmend edhe shprehje të tilla si perëndia i Turqisë (sulltani, që del te Bogdani), reg e perëndij (ré e imperatore, përsëri te Bogdani) dhe perëndillëk për “perandori” (Fjalori i Rossi-t).

    Sipas Miklosich, kuptimi i vjetër i fjalës perëndi është “zotërim” (gjermanisht: Herrschaft).

    Me fjalë të tjera, në autorët e vjetër, fjala perëndi nuk përdoret me kuptimin e hyjnisë, por me kuptime të tjera, jofetare, të cilat të çojnë gjithnjë te latinishtja si burim i fjalës (imperans/imperantem).

    Evoluimi kuptimor i fjalës nga “mbretëri, perandor” në “Zot” ka ndodhur relativisht vonë, pas shekullit 16. Kjo e përjashton çdo lidhje me zotin indo-europian të bubullimës.

    Për mua nuk ka pikë dyshimi që Miklosich-i, Meyer-i dhe Çabej kanë të drejtë; sidomos pasi ky i fundit ka parë historinë e fjalës gjatë 4-5 shekujve të fundit (akuza për të parë në shqipe më shumë latinizma se ç’duhet mund t’u bëhet dy të parëve, por jo Çabejt).

    Lidhja me Perun-in sllav dhe perëndinë përkatëse të panteonit i.e. bëhet ose nga indo-europianistë që nuk e njohin si duhet shqipen, në sinkroni dhe në diakroni; ose nga amatorë entuziastë, të cilët i tërheq ideja e vjetërsisë në vetvete.

    1. Kete punen e Perunit e kam prej Hans Joachim Lancsh. Ben vaki qe ai nuk e njeh shqipen po kur shkruante te Albforumi nuk dallohej nga shkruesit e tjere.

      1. E njoh Lanksch-in, madje e kam takuar vjet në Tiranë. Student i Camajt, shqipen e zotëron shkëlqyeshëm, edhe pse zemra i rreh gegnisht. Nuk është gjuhëtar, por përkthyes i zoti.

  6. Problemin kohor perseri nuk e ke cekur xha xha.
    Fjala Zot nuk eshte se mund te shkeputet nga pikepamja kuptimore nga zoterimi, sundimi keshtu qe edhe kuptimi i Perendi mund te jete molepsur vetiu me zoterimin, sundimin,pra thjesht te perfaqesoje nje dukuri te zakonshme per mendesine shqiptare. Kalimi kuptimor nga zoterim ne Hyj ne shek 16 apo 17 fetarisht eshte i veshtire per tu pertypur, meqe do perfaqesonte nje ndryshim te paprecedent (pra jashte kornizave te gjuhesise se krahasuar).
    Me e kuptueshme do ishte qe meqe Zot ka atribute te forta laike, deri ne zot shtepie e zotni/zoteri , Perendi te kete ruajtur atributet fetare apo qofte edhe mistike, duke mos zbritur ne kuptimin e zoterimit nga bota abstrakte (qofte fetare e qofte politike, meqe perandori,sulltani nuk jane te prekshem).

    Qe nje fjale profane, te zere fronin e fjaleve te shenjta (emri i Zotit), mund te ndodhe ne fillimet e krishterimit jo pas 1000 e kusur vitesh krishterim.

    Natyrisht argumenti i perendi si zoterim, mbreterim eshte i mbeshtetur aq sa duhet, por nuk i shpeton paralelizmit kuptimor me fjalen Zot.

    Sidoqofte, problemi fonetik eshte teper i rendesishem per tu anashkaluar.

    Nje rumun me beri pershtypje kur ne baze ndryshimesh fonetike per shume fjale thosh shqipja i ha huazuar nga rumanishtja (psh kesule apo sorre ):
    http://www.unibuc.ro/uploads_ro/47803/887/Lexetym_Decoromanicum.pdf

    Me eshte krijuar paragjykimi se shqipes po ja ‘fusin’ fonetikisht, prandaj edhe per kete çeshtje po nuk u shpjeguan kalimet fonetike dhe koha e huazimit nuk e quaj te plote e te mjaftueshem.

  7. Sipas indo-europianistëve Gamkrelidze, Ivanov dhe Winter (të cilët mund ta kenë marrë idenë nga Entwistle & Morrison), shqipja perëndi është një fjalë që emërton “Zotin” dhe “Qiellin” dhe që përdoret veçanërisht në formula rituale dhe “këngë lutjesh për shiun.”

    Vëreni pasaktësitë në këtë hipotezë: në fakt, perëndi nuk përdoret gjëkundi për të emërtuar “qiellin”, por vetëm në shoqërim me të (perëndi e qiellit, khs. Matrënga); dhe me sa di unë, as ka ndonjë prevalencë në këngët e lutjeve për shiun, në krahasim me përdorime të tjera.

    Nga e kanë nxjerrë këta dijetarë qiellin dhe shiun? Kam frikë se e kanë nxjerrë nga xhepi. Ose më mirë, qielli, shiu dhe lutjet për shiun u janë dashur, për të mbështetur supozimin e tyre ad hoc të lidhjeve midis shqipes perëndi dhe të mnerrshmit Perkwunos, zotit të lisave dhe të rrfeve (për të parafrazuar Fishtën); madje edhe Perunin e sllavëve.

    Sipas një tjetër specialisteje të këtij kalibri (edhe pse jo ekzaktësisht indo-europianiste), Gerina Dunwich, Perëndia i folklorit shqiptar paska qenë i martuar – me Prenden!

    Këta janë indo-europianistët, për të cilën fola në shënimin tjetër. Asnjë fjalë nuk u besohet, sepse nuk e kanë idenë se për çfarë po flasin. Liliputë, madje nga ata të vegjëlit fare, mediokër, ndoshta edhe gënjeshtarë ordinerë e sharlatanë. Këta do t’i krahasojmë ne me Meyer-in, Joklin dhe Çabejn tonë?

    1. Vëreni pasaktësitë në këtë hipotezë: në fakt, perëndi nuk përdoret gjëkundi për të emërtuar “qiellin”, por vetëm në shoqërim me të (perëndi e qiellit, khs. Matrënga);

      Nuk besoj se këta autorë kanë pasur parasysh Dozon-in, Mitkon, Dinen apo edhe vetë Çabejn, por ky i fundit duke cituar tre të parët shkruan se fjala perëndi ka patur edhe kuptimin qiell, gjë që, sipas Çabejt e ka vënë re edhe H. Pedersen. Nga Mitko ka shprehjen thekëri gjer mbë çati, gruri gjer mbë perëndi (zëri perëndi, Studime Etimologjike në Fushë të Shqipes, bleu VI (N-RR), Tiranë 2002, f.168).

  8. Xha xha fjala eshte e debatueshme. Jepet edhe nje hyj trakas Perkon/Perkos.

    Ka nje toponim shume te afert ne rrethin e Kuçoves, ‘Perondia’ , qe sipas Ben Andonit http://revistamapo.com/lexo.php?id=1584 vjen nga ‘pendarhondia’ (pese arkondet), kurse populli e lidh pashmangshmerisht me Perendine, besoj nje nga rastet e panumerta kur emrat e vendeve dhe njerezve modelohen sipas vullnetit popullor.

    Tani, forma ‘per’ nuk na ofron fare fjale te vjetra, fjale si perde, perime, perçe, perceptoj,periferi, periode etj jane me siguri te vona, do fusja edhe perandor.

    Shqipja e vjeter duhet te kete pasur ‘antipati’ per formen ‘per’, qofte per fjalet e veta aq me shume per huazimet.
    Kjo besoj si shkak i paqendrueshmerise se zanores ‘e’, mbase pas stabilizimit te dialekteve edhe forma ‘per’ u be e pranueshme.

    Megjithate duket te kete mbijetuar tek Perendi,perendoj, perendim.

    Tani nuk me duket aspak e veshtire qe perendi te tkurret ne ‘prend-i’, biles do thoja se eshte mekanizmi me normal qe ‘per’ te shtrengohet ne ‘pr’ gje e natyrshme edhe per formen ”për”.

    Tani forma perendi eshte toske dhe toskerishtja njihet per fryrjen e fjaleve me zanore, ndersa gegerishtja per ekzekutimin e zanoreve.

    Keshtu nje forme me e hershme ‘Prendia’/Prentia do ishte me afer logjikes se fonetikes se shqipes se vjeter, vete fjala mbret e ndjek kete logjike nese pranohet ardhja nga im-per-an.

    Hipoteza tjeter nga latinishtja ‘parentare’, ndjek edhe ajo nje logjike fonetike historike, ne ndryshim nga hipoteza perendi nga imperans qe nuk i çan fort kryt.

    Po njesoj duket afer edhe hipoteza Shukriu-Zeqo.

    Tani sipas Elsit
    http://www.olemiss.edu/depts/modern_languages/BalkArticle2.html

    The third saint to be mentioned in connection with the Albanians is rather special because, strictly speaking, she does not really exist. Saint Veneranda, Albanian Shënepremte or Prende, known in Geg dialect as Prenne or Petka — Greek Paraskevi, Ag. Paraskeuhv, Romanian Sfânta Paraschiva, was originally a pre-Christian deity and came to be identified by the Catholic Church with Saint Anne, mother of the Virgin Mary. In Albania, she is known at any rate as Saint Veneranda.

    Ai shprehet se kjo shenjtore ‘does not really exist’ , ‘was originally a pre- Christian deity’ dhe po te verehet rumunet e kane huazim nga greqishtja, kurse shqiptaret si Shenepremte ose shen Prende.
    Po sipas tij, kjo figure e erret, adhurohet direkt pas Shen Merise dhe Shen Kollit, duke lene gjithe shenjtoret e tjere prapa.

    Po ashtu thote qe adhurohet shume nga grate dhe ne fakt te gjitha keto lidhje femerore shpjegojne bindshem gjinine femerore te emrit Perendi.

    Sipas Elsit
    ”” It has been postulated that the cult of Saint Veneranda was encouraged by the church in Albania as a strategy for stemming the spread of Islam. . ””’

    Me pak fjale kulti eshte nxitur nga kisha si strategji per te ndaluar perhapjen e Islamit, kjo psh do perkonte me fuqizimin e metejshem dhe ngritjen e fjales Perendi ne rangun e Zotit derisa te njehsohej me te, pikerisht ne shekujt 16- 17.

    Njehsimi mund te jete edhe proçes i deshiruar nga vete kleri pas stabilizimit te islamit, per ti hequr primatin e per t’ja kaluar perseri Krishtit e ShenMerise.

    Kjo do shpjegonte psh edhe pse perendia nuk ka qene ne rangun ne Zotit ne kohen e Leke Matrenges.

  9. Per fjalen latinisht “imperator” sapo mesova qe eshte nje titull ushtarak, aspak I trashegueshem, qe I jepej gjenearalit fitimtar. Augusti e ka marre kete titull 21 here, Skenderbeu e ka te shkruar ne perkrenare.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin