TRURI I VOGËL

Kur flitet për ikje të trurit zakonisht nënkuptohet largimi i elitave nga vendi. Siç dihet nga të gjithë, Shqipëria vuan ende nga një hemorragji e pandalshme e trurit. Eksodi i sotëm i elitave duhet parë më dramatikisht se ato të mëparshmet, për faktin se tani jemi në një vend demokratik ku gjërat, nga pikëpamja teorike, edhe mund të rregullohen.

Mirëpo lipset një saktësim kur flasim për largim të trurit ose të elitave. Siç e tha edhe Xha Xhai, me elita duhet të kuptojmë “më të mirët” e çdo fushe. Për fat të keq, ne kemi një konceptim të trurit që lidhet shumë me arsimin, kurse këtë të fundit e shohim shumë të lidhur me diplomat e me copat e tjera të letrave, që quhen sipas rastit vërtetime ose doktorata. Kur lexojmë ose dëgjojmë për largimin e trurit na vijnë menjëherë ndër mend shkencëtarët, doktorët e shkencave, profesorët, përgjithësisht njerëzit me universitet. Mirëpo truri i një vendi nuk mund të reduktohet vetëm në kategorinë e njerëzve me certifikata shkollore, qoftë për faktin se këto, shpeshherë, janë të denja vetëm për t’u kornizuar.

Problemi është se tek nocioni i trurit hyjnë edhe talentet, ose njerëzit e ditur, e shquar, që nuk përkufizohen nga dëftesat ose diplomat, as marrin trajtë vetëm në shkollë. Ata që e kujtojnë Shqipërinë parademokratike, e dinë fare mirë se pas fjalës së dikurshme “usta” ose “mjeshtër” fshiheshin talente të jashtëzakonshme në të gjitha fushat: në mekanikë, elektromekanikë, ndërtim, etj., etj. Përballë ustallarëve të vërtetë, inxhinierëve vetëm se u dridheshin leqet, duke pranuar pa kushte injorancën e vet. Pra tek koncepti i trurit duhen futur gjithashtu kompetencat, njohuritë, përvojat.

Largimi i madh pas kolapsit të Shqipërisë totalitare preku detyrimisht të gjitha elitat. Një pjesë e më të mirëve u larguan e u punësuan në vende të huaja, duke pranuar detyra të nënvleftësuara e më të ulëta se kompetencat e tyre. Le të marrim profesionin e shoferit. Ata që merrnin patentën dikur ishin më shumë se shoferë, jo vetëm se kursi zgjaste nëntë muaj, por sepse koncepti i profesionit të shoferit nënkuptonte njohjen e thellë të mekanikës së automjetit. Vetë gjendja e automjeteve të atëhershme i detyronte ata ta vrisnin mendjen për të gjetur zgjidhje sa më praktike, shpeshherë në kushte jashtëzakonisht të vështira. Shoferët që i hipën anijeve për të punuar në perëndim shpunë atje edhe njohuritë teknike. Në fakt, kur u prishej automjeti nuk prisnin automjetin tërheqës, por i fusnin vetë duart në motor, duke i lënë gojëhapur punëdhënësit e kolegët. Ikja e ustallarëve më të mirë i bëri dëm të madh Shqipërisë, por nuk është se i ndihmoi shumë vendet e pritjes, sepse atje ishin të nënpunësuar, e si të tillë të pamotivuar për të dhënë të gjitha njohuritë e veta.

Në këtë pikë të gjithë emigrantët kanë diçka për të treguar. Shembujt nuk u mungojnë, mund t’i marrin nga rrethi farefisnor e shoqëror. E këtu nuk po flasim për masën, por vetëm për trurin, për ata që dallohen në fushat e tyre. Ikja e ustallarëve shkaktoi mbylljen e ofiçinave, ose e kundërta. Mbyllja e fabrikave çoi në ikjen e talenteve. Fakti është se Shqipëria erdhi e u varfërua shumë nga pikëpamja e trurit. Madje në një pikë ku mund të jepte diçka origjinale. Më kujtohet dikur (vitet nëntëdhjetë) se një firmë historike italiane, prodhuese elektroshtëpiakesh, ishte lumturuar kur kishte gjetur dy tornitorë shqiptarë që ishin të aftë të prodhonin detaje për disa elektroshtëpiake të dala nga linja e prodhimit, por që u duheshin ende. Ishin ustallarë “me të shtatën”, që nuk dinin të prodhonin në seri, por vetëm detaje të veçanta. Rrogën ia jepnin të lartë, por kapaciteti i tyre ishte gjithsesi i pashfrytëzuar mirë.

Elitat nuk përbëhen vetëm nga ata që mbarojnë shkenca shoqërore, nga gazetarët, politikanët, profesorët, njerëzit e letrave. Në ajkën e kombit duhen futur edhe të talentuarit, ata që i japin mbivlerë objekteve që prodhojnë e që përpunojnë. Në italisht ekziston një fjalë e posaçme që përdoret në kësi rastesh: “eccellenze”, pra ata që shkëlqejnë. Bëhet fjalë për trurin që shkëlqen, në çdo fushë të ekonomisë. Shqipëria është vend i vogël, qoftë nga ana statistikore e ka të vështirë të prodhojë talente pa kufi. Nga ana tjetër, truri ka nevojë edhe për një klimë e mjedis të caktuar për t’u kultivuar. Të dyja këto kushte nuk përmbushen për fat të keq nga realiteti shqiptar. Në mënyrë të vrazhdë mund të thuhet se Shqipëria e ka larguar, në mos dëbuar, trurin e vet; në mënyrë më delikate mund të thuhet se kushtet e krijuara nuk mundësuan qëndrimin e trurit në vend.

Për një grykës ëmbëlsirash si puna ime, është normale që sot të kërkojë ethshëm prodhimet e mrekullueshme të pastiçerisë së dikurshme shqiptare. Pastat e atëhershme nuk i përshkruaj dot mirë, e kam më të lehtë t’i emërtoj, duke i kërkuar falje brezave më të rinj që nuk i kanë njohur. Gjithsesi, ëmbëlsirat e dikurshme (shportat, pastat 15-lekëshe, mafishet, ingranazhet, tortat me peta, etj.) nuk gjenden më. Shembulli i hallvasisë është edhe më i goditur. Hallvasia që prodhohej në Shqipërinë e viteve shtatëdhjetë e tetëdhjetë nuk ka të bëjë fare me atë të sotmen. Ngjyra e verdhë në të kafe, shija e mrekullueshme, karakteristika e susamit, thyeshmëria e shkriftësia, e bënin të paimitueshme. Prodhimet e sotme të importit nga Greqia, Turqia, ose nga vendet mesdhetare, nuk i afrohen aspak. Cilësia e hallvasisë së dikurshme shqiptare mund të konkurronte fare mirë në vendet ku kjo ëmbëlsirë konsumohet. Fakti është se, së bashku me punishtet, u mbyll edhe arti i pastiçerisë shqiptare. Shumë prej punonjësve ikën, disa ndërruan punë, të tjerë u plakën. Fatkeqësisht tradita nuk u vazhdua, sepse mjeshtrit kanë nevojë edhe për t’u riprodhuar, për t’ia përçuar të tjerëve njohuritë e tyre. Largimi i trurit e ndërpret procesin e trashëgimisë së artit apo profesionit.

Në pastiçeritë e sotme shqiptare, nga Saranda në Shkodër, duke kaluar nga Tirana, do të gjesh ëmbëlsira me prejardhje greke, italiane, ose me ndikime të tjera, por rrallë herë do të provosh pastiçeri tradicionale shqiptare. Emigrantët që janë kthyer në vendlindje kanë sjellë njohuritë që kanë marrë në mërgim, çka duhet parë pozitivisht, por realiteti shqiptar nuk u ofron atyre një mjedis konkurrence luajale, ku traditat e risitë të përballen në të mirë të konsumatorit.

Shembujt janë të panumërt. Në të gjithë sektorët e ekonomisë. Gjithsesi, për Shqipërinë e vogël, largimi i elitave ka qenë më e dëmshme se për vendet e tjera, sepse edhe koha për t’i zëvendësuar është më e gjatë. Talentet nuk krijohen vetvetiu, kanë nevojë edhe për politika ndihmëse e për humus kulturor. Nga ana tjetër, nuk duhet harruar se elitat ikën së bashku me atë kulturë të punës e të përkushtimit brenda të cilës ata vetë ishin përftuar. Edhe kjo kulturë e punës, që shkon përtej fitimit material, sepse lidhet me pasionin, etikën e talentin, nuk riprodhohet dot në seri, edhe pse fabrikat e panumërta të shkollave private punojnë sot me tre turne.

Nuk ka komente

  1. Kjo dukuri quhet shkaterrim i kultures industriale.
    Nje vend mund te shkaterrohet nga lufta apo falimentimi financiar, por kultura industriale i lejon ringritjen e menjehershme dhe historia na jep shembuj te ndryshem.

    Kjo çeshtje lidhet ngushte me mendesine qe u perhap para 20 vjetesh dhe qe sundon ende sot, pra se Shqiperia s’ka nevoje per industri. Mendesia ne fakt perdor dualizmin,s’ka nevoje per industri dhe ushtri, meqe ne Shqiperine komuniste kishte nderveprim te forte midis industrise dhe ushtrise, si ne çdo vend te militarizuar modern.
    Tradites industriale dhe ushtarake iu nderpre vijimesia dhe pas 20 vjetesh mund te themi me gojen plot qe s’kemi jo vetem industri dhe ushtri por as traditat apo me mire kulturat perkatese.

    Qe kjo dukuri te ndihet dhe persa i perket kultures industriale te stigmatizohet tani qe eshte perfunduar, kesaj i thone si kofini pas te vjelit.

    Sipas te gjitha gjasave, kur te ngopen me investime fushat e tregtise, infrastruktures, ndertimi,energjitika, bujqesia atehere do fillohet me deget tradicionale apo te mirefillta te çka quajme industri, natyrisht nga privatet.

    Arsyeja eshte e thjeshte, investimet kerkojne shuma te medha dhe industria ofron me shume vende pune sesa fitime.

    Nje ekonomi e perqendruar tek fitimi, vlera dhe jo tek punesimi, prodhimi, nuk mund te veproje ndryshe.

    Me e lehte eshte te ndryshosh e zevendesosh trurin e madh qe iken sesa trurin e vogel.
    Truri i vogel kerkon shuma te stermedha, nje politike te caktuar ekonomike e disa dhjetravjeçare.

    Mund te kesh me dhjetra mijera studente ne Perendim, por vete struktura ekonomike e vendit, nuk kerkon inxhinjere, matematikane, teknike, prandaj edhe ata qe do vene per keto dege do rrine ne Perendim.

    Me vone pas ndonja 30 vjetesh do kemi bumin e inxhinjerave ne Perendim dhe do zevendesohet edhe truri i vogel e do rifilloje tradita industriale.

    Europa nuk ka ndonje nevoje qe vendet e reja te kene strukture te zhvilluar industriale dhe sipermarrje vendase, maksimumi i lejuar eshte qe ndermarrjet franko-italo-gjermane te zhvendosin industrite e gjejne krahe pune ne shtetet lindore, si ta zeme Fiat-i qe prodhon 2/3 e makinave ne Poloni dhe ka blere Zastaven ne Serbi, apo keto fasonerite ne Shqiperi.

    Megjithate me sakrifica te stermedha ka gjasa qe ne disa dege ku kemi burime vendore heret a vone te vendosen bazat e kultures se re industriale. Me kete etje per para e fitime qe kemi ne, kapitalistet tane do jene ujq te vertete dhe do fitojne ne konkurrence me te huajin, me mjete te ligjshme apo te paligjshme.

  2. Ne kete vazhde artikujsh rreth elitave me duket se u ngaterruan padashje gjerat. Separi, une mendoj se duhet bere nje dallim mes elitave politike, ekonomike, industriale apo kulturore dhe specialisteve apo mjeshtrave te ketyre fushave. Kjo sepse elita eshte ajo pjese e shoqerise e cila eshte e afte te vizionoje dhe jo thjesht te zbatoje (gje qe e ben specialisti). Psh planin per hapjen e nje shkolle teknike e ben nje njeri vizionar dhe jo mjeshtri qe eshte shume i afte ne pune por jo ne aspektin teoriko-politik. Natyrisht qe zbatimi i planit kerkon me vone mjeshtrat. Pra termi elite dhe mjeshter jane natyrshem te nderthurur por nuk jane e njejta gje.
    Se dyti, m’u krijua ideja duke lexuar artikujt rreth kesaj teme se problemi i Shqiperise eshte sasior. Pra ne na kane ikur shume njerez qe mund te quheshin elitar. U permend edhe me te drejte se nje vend i vogel nuk mund te prodhoje vazhdimisht dhe pafundesisht talente. Mirepo ne harrojme se pikerisht pse Shqiperia eshte nje vend i vogel edhe numri i njerezve qe duhet per t’i vene gjerat ne vije nuk ka pse te jete i madh. Une kam pershtypjen se problemi kryesor ne Shqiperi nuk eshte ikja kaq e madhe e trurit (mendoj se eshte nje problem por jo ai kryesori). Ne nuk na duhen me mijra njerez qe i perkasin elitave. Na duhen vetem disa qindra prej tyre ne vendet e duhura. Na duhen edhe njerez qe dine te vjedhin me pak dhe te kujdesen me shume. Na duhen edhe intelektuale me kembe ne toke dhe jo njerez qe fluturojne pas megallomanive. Sot ne vendet kyce qeverisin pikerisht e kunderta e tyre . E thene popullorce ne kemi vene kembet permbi koke. Pra kriza eshte manaxheriale dhe administrative e jo sasiore (deficitare).

    P.S. Jam i sigurt se pasta si te qemotit gjen akoma ne Tirane. Vetem se duhet t’i kerkosh. Dhe pastaj eshte puna e perberesve… Te kujton ate thenien “ah sikur te kishim ca qereste!”

  3. Sociologjikisht, ose te pakten ashtu si e kane perdorur disa sociologe, me Elite kuptohen ata qe kane dhe ushtrojne fuqi politike, ekonomike etj. jo punetoret e specializuar ne nje profesion te caktuar si muratore, bukepjekes, tornitore etj. Embelsire-beresit shqiptare per te cilet s’kam asnje dyshim qe e kane bere punen e tyre me kualitetet te larte, nuk kane te bejne me Eliten, ne kuptimin qe nuk ushtrojne asnje fuqi mbi vendimmarrjen dhe jeten politike te vendit. Kjo eshte teme me shume ekonomike, ku mund te diskutohet per ikjen e krahut te punes te specializuar por nuk ka te beje me e Eliten.

  4. Nuk është hera e parë që shkruaj për elitat, përkufizimi i të cilave ka shkaktuar gjithnjë probleme e keqinterpretime. Bibliografia është e pasur në këtë pikë, sikurse sinonimia. Në shkrimin e mësipërm e përdora termin “elita” në kuptimin më të gjerë të fjalës, në kuptimin e “më të mirëve” në fushat përkatëse, ata që shquhen e që dalin në pah: truri, pra. Mund të përdorja edhe fjalën “ajkë”, por është disi e konsumuar dhe me implikime konotative.
    Dëshira ime është që ta shohim sa më gjerë problemin e rrjedhjes së trurit. Vendimarrja nuk mund të konsiderohet si kriter, për sa kohë që edhe shkencëtari astronaut me çmim Nobel mund të konsiderohet si aplikues i vendimeve të të tjerëve.
    Ka kuzhinierë që kanë krijuar me veprimtarinë e tyre “brand” të vërtetë: restorante, libra, receta, duke e projektuar vetë artin e kuzhinës drejt së ardhmes. Pasuri e vërtetë kombëtare për vendin që e ka. Kryemekaniku që punon në Ferrari nuk është thjesht zbatues i projekteve inxhinierike, por jep ide të vyeshme, ndaj edhe e peshojnë me flori. Si mjeshtri i kuzhinës ashtu edhe kryemekaniku e kanë një vizion, ndonjëherë më të qartë se vetë drejtuesit me emër. E këtu qëndron dallimi me krahun e specializuar të punës. Përbëjnë elitë? Nuk e di, por në rast se kapacitete të tilla do të iknin nga Shqipëria do të thoja se ka rrjedhje truri, sepse mjeshtra të tillë nuk vijnë shpesh.

    1. “Kryemekaniku që punon në Ferrari nuk është thjesht zbatues i projekteve inxhinierike, por jep ide të vyeshme, ndaj edhe e peshojnë me flori’- Pishaku

      Dakort Pishak por kryemekaniku ne fillim tek Ferrari duhet te punesohet pastaj te jape ide. Pastaj eshte edhe ceshtja e sitemit ekonomik qe ben te kete individe qe e blejne dhe vleresojne punen e tij. Ndersa ceshtja ne Shqiperi eshte se nuk po dime te hapim vende pune. Pra ne Shqiperi nuk ka nje bum ekonomik dhe deficit specialistesh. Ka perpjekje energjike ne baze nga individe te ndryshem me apo pa talent per te hapur sipermarje por shumica deshtojne per shkak te paaftesise se atyre pak vetave lart per te pare larg. Qe te krijohet nje sistem ekonomik qe te gjeneroje mirqenie dhe mundesi vleresimi te punes se mjeshtrave duhet me se pari nje kreativitet nga ata qe udheheqin ne cdo fushe. Pra Shqiperia eshte ne kushte te tjera, ne kushte te startit sepse sistemi ekonomik qe ne ndertuam pas Luftes se Dyte falimentoi. Ne fakt specialistet po ikin sepse nuk po dime te krijojme vende pune dhe jo e anasjellta pra qe ne kemi vende pune por nuk kemi specialiste.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin