TERAPIA QË VRET

nga Gjilpëra

Gjatë një diskutimi të mëparshëm për terapinë e shokut, me kolegun komentues Cyprinodon Diabolis, më shkoi në mendje që nuk mund të mos marrim parasysh avantazhin që ne kemi sot, që të gjykojmë nga perspektiva 20 vjeçare, përkundër atyre që iu desh të peshonin alternativat dhe të merrnin vendime në kushtet e një kaosi total – politik, ekonomik, social, ideologjik – si ai i Shqipërisë në 1990. Megjithatë…

Nëse bëjmë një skicë të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë nga 1945 e këtej, tre janë periudhat që bien ne sy:

I. 1945-1978, periudha e ngritjes dhe zhvillimit të ekonomisë kombëtare
II. 1980-1997, periudha e stanjacionit dhe më pas rënimit ekonomik
III. 1998 deri sot, periudha e rimëkëmbjes mbi bazën e një modeli të ri ekonomik

Në fazën e parë dhe më të gjatën me mbi tre dekada, u hodhën fundamentet e ekonomisë së centralizuar shqiptare. Çfarë e veçoi këtë periudhë, ishte industrializimi i sforcuar i vendit, i financuar me kreditë e dhëna fillimisht nga Bashkimi Sovjetik dhe më vonë nga Kina dhe i mbështetur në trasferimin e teknologjisë dhe të know-how-t nga po këto vende.

Nën ndikimin e modelit sovjetik të zhvillimit ekonomik, përparësi iu dha industrisë së rëndë kundrejt asaj të lehtë të mallrave të konsumit, prodhimit kundrejt shërbimeve, investimit kundrejt konsumizmit. Nëpërmjet shkollimit masiv të detyrueshëm, përhapjes së shkollave të mesme të përgjithshme dhe atyre teknike dhe më vonë me hapjen e UT, dhe sidomos nëpërmjet dërgimit të studentëve shqiptarë për studime në vendet e Lindjes, regjimi komunist u kujdes gjithashtu që të përgatiste dhe elitat e veta intelektuale për të drejtuar këtë industri: inxhinierët, specialistët, ekonomistët, teknokratët…

Edhe pse industrializimi u bë i njëanshëm dhe ndonjëherë përtej nevojave të shoqërisë shqiptare, në rezultat ai krijoi një industri kombëtare, që prodhonte pjesërisht për nevojat e vendit dhe pjesërisht për eksport (kryesisht industria minerare dhe ajo energjetike) dhe më e rëndësishmja, krijoi strukturat organizative – ndërmarrjet – bashkë me nje shtresë teknokratësh për të drejtuar këtë ekonomi.

Në bujqësi, pas suksesit fillestar të reformës agrare, rezultatet ishin tepër modeste, qoftë për shkak të kolektivizimit të nxituar (në fakt, ky ishte më tepër shtetëzim i pronës se sa kolektivizim), qoftë për shkak të kapaciteteve të mangëta të shtetit shqiptar për të investuar më tepër në fshat, qoftë për shkak të natyrës së thyer të territorit dhe të infrastrukturës së keqe, qoftë për shkak të boom-it demografik dhe të kontrollit rigoroz të lëvizjes së popullsisë drejt qytetit, ç’ka çoi në mbipopullim dhe rrjedhimisht, me kalimin e kohës, dhe në varfërim të fshatit.

Megjithatë në këtë periudhe mirëqënia në përgjthësi u rrit dhe standartet e jetesës, kryesisht në qytete, u përmirësuan, edhe pse këto ngelën shumë mbrapa standarteve dhe mirëqënies në Evropën Perëndimore të pas L2B.

Kjo periudhë përfundoi me prishjen e marrëdhënieve me Kinën dhe me izolimin total të vendit në fund të viteve 1970.

Periudha e dytë ndahet në vitet e stanjacionit dhe të rënies ekonomike 1980-89 dhe në vitet e Terapisë së Shokut dhe të rrënimit të plotë të pas 1990, që kulmuan në renien e shtetit dhe në shkërmoqjen përfundimtare të ekonomisë shqiptare më 1997.

Izolimi i plotë i vendit pas 1978 ishte fatal për ekonominë e nje vendi të vogel si Shqipëria, me një treg të brendshëm të vogël në numër banorësh dhe të varfer për nga fuqia blerëse, pasi e shkëputi atë nga tregjet e kapitalit (kreditë), nga tregjet e shitjes së mallrave (kryesisht nga eksportet në vendet e Lindjes) dhe nga tregjet e e teknologjisë dhe të know-how-t, duke e zhytur ekonominë shqiptare në nje stanjacion të tejzgjatur, që u pasua në gjysmën e dytë të viteve ‘80 nga një rënie galopante e nivelit të prodhimit, të investimeve dhe të mirëqënies në përgjithësi.

Shtoju këtyre dhe paranojën e regjimit me “mbrojtjen nga armiqtë e jashtëm” e shoqëruar kjo me shpenzime kolosale ushtarake që shkonin deri në 30% të buxheteve vjetore (30%… çfarë shpërdorimi i tmerrshëm i kapitalit!), bashkë me krizën në tregjet ndërkombëtare të lëndëve të para (The Commodity Crisis of the Eighties), me rënien drastike të çmimeve të naftës, bakrit, kromit, aluminit dhe të ardhurave nga eksportet, dhe ke një panoramë të qorrsokakut ku hyri ekonomia shqiptare pas vetizolimit.

Kush ka jetuar në ato vite e ka parë rënien e përshpejtuar të nivelit të jetesës, tallonat, kuponat, rradhat në mëngjes, në drekë, në darkë, prapë në mëngjes, 80-përqindëshin famëkeq të industrisë, pezullimet e tejzgjatura të prodhimit, “dredhjen e zinxhirit” nëpër fabrika, varfërimin e skajshëm të qytetarëve dhe fshatarëve… Ekonomia e centralizuar shqiptare faktikisht pushoi së lëvizuri në fund të viteve ’80; prodhimi dhe qarkullimi i mallrave dhe i parasë ishin paralizuar.

POR ekonomia shqiptare ekzistonte, strukturat organizative të ndërmarrjeve ishin në dispozicion, teknokratët, inxhinierët, specialistët, punëtorët ishin në vend, teknologjia edhe pse e prapambetur ishte aty, çfarë mungonte ishte kapitali për të mbajtur në levizje ingranazhet e industrisë dhe të ekonomisë në përgjithësi.

Këtu hynë në lojë Terapia e Shokut, misionarët e FMN-së dhe Gramoz Pashko, si Zëvendës-Kryeministër dhe Ministër i Ekonomisë në qeverinë e Stabilitetit në vitin 1991. Ideja e Terapisë së Shokut qëndronte në gjetjen e një rruge të shkurtër edhe pse të mundimshme, të një shortcut-i , për të “nxjerrë” ekonomitë e centralizuara, në krizë të ish-vendeve komuniste, në ekonomi të suksesshme tregu, nëpërmjet kryerjes së reformave radikale në një kohë sa më të shkurtër. Reformat radikale kishin në thelb seleksionimin e sektorëve dhe ndërmarrjeve të afta për të mbijetuar, pra konkurruese dhe efektive, nga ndërmarrjet apo sektorët jo-efektiv dhe jo-konkurues, çka conte në hapin tjetër, atë të financimit dhe të privatizimit të të parave dhe në mbyllje të të dytave (ndarja e e shapit nga sheqeri…)

Në letër kjo ide e propaganduar me forcë nga të dërguarit arrogantë të FMN-së (madje duke kërcënuar me bllokim/mosaprovim të kredive) ishte tunduese, ishte nje lloj shkopi magjik që do të shndërronte ‘brenda natës’ një ekonomi të centralizuar, të prapambetur, në një ekonomi konkuruese tregu. Por në realitet problemet ishin “paksa” më të komplikuara se sa ishin parashikuar në manualet e FMN-së.

Procesi i seleksonimit ka kuptim në një ekonomi e cila funksionon në tërësinë e vet, por ku sektorë dhe ndërmarrje të caktuara të saj janë të subvencionuara nga shteti, janë jo-efektive në prodhim apo në shërbimet e ofruara, kanë kosto të larta, cilësi të ulët të mallrave, thjesht janë jo-konkuruese dhe duhet që të dalin ose të nxirren nga tregu (ndahet “shapi”) për t’ua lënë vendin firmave të tjera, me parametra më të mirë dhe me shanse më të larta për të qënë konkuruese (keto të fundit pastaj kalojnë nje proces racionalizimi, shkurtimesh përsoneli, ulje kostosh, pajisen me kapital shtesë, nëse është e nevojshme për përmirësim teknologjie dhe në fund privatizohen duke iu shitur atij që ofron më shumë).

Por seleksionimi sipas Terapisë së Shokut nuk ka kuptim në një ekonomi si ajo në Shqipërinë e 1991, pasi për arsye të mungesës masive të kapitalit ekonomia në 1990 kishtë ndaluar së funksionuari, ishte paralizuar pothuajse në të gjithë sektorët dhe hallkat e veta (me pak përjashtime, si psh energjetika që vazhdonte të punonte). Në keto kushte, primare do të ishte rifutja në punë e ndërmarrjeve duke përdorur kapitalet e FMN-së apo kredi nga shtete të tjera, ruajtja e përkohshme e strukturave organizative dhe më pas seleksionimi dhe privatizimi gradual i tyre. Në fakt, në kushtet e paralizës totale të ekonomisë, thuajse asnjë ndërmarrje nuk plotësonte kushtet për t’u përzgjedhur dhe për t’u mbajtur, por ngelej vetëm që t’u vihej dryni, nëse mbi to do të zbatohej Terapia e Shokut, ç’ka edhe ndodhi…

Procesi i Terapisë së Shokut, për më tepër, kërkon një kornizë ligjore specifike dhe një sistem drejtësie solid, për të shmangur korrupsionin në privatizim, nepotizmin, vjedhjen etj. Këto, as në Shqipëri por as në vendet e tjera të Lindjes, nuk ekzistonin në 1990 dhe as që patën kohe të krijoheshin në ngutin e reformave të Terapisë së Shokut. Pasojat në privatizim dihen…

Ky proces po ashtu kërkon një sistem bankar të paktën bazik, qoftë për kreditimin e ndërmarrjeve të përzgjedhura për privatizim, qoftë për realizimin e transaksioneve monetare të lidhura me procesin e privatizimit dhe pas-privatizimit. Sistemi bankar në Shqipëri por dhe në vende të tjera të Lindjes në fillim të viteve 1990 nuk ishte në gjendje që ta përmbushte këtë funksion.

Procesi gjithashtu kërkon një sistem social elementar, që ndihmon punonjësit e nxjerrë të papunë nga firmat e destinuara për t’u mbyllur. As ky sistem nuk ekzistonte, pasojat dihen… rënie drastike e mirëqënies, mbi një milion emigrantë etj.

Në këtë situatë Qëveria e Stabilitetit dhe Gramoz Pashko, si përgjegjësi direkt për ekonominë dhe për reformat, zgjodhën rrugën radikale, atë të zbatimit Terapisë së Shokut pavarësisht rrethanave ku ndodhej ekonomia dhe pa marrë parasysh pasojat. Madje, dhe çfarë rëndon më shumë, ata vazhduan të zbatonin reformat e Terapisë edhe atëhere kur efektet e saj katastrofale mbi ekonominë shqiptare u bën të dukshme, kur u pa se rezultati nuk ishte privatizimi por plaçkitja dhe shkatërrimi i pasurisë kombëtare.

Përse Gramoz Pashko, Ylli Bufi dhe qeveritarët e tjere të atëhershëm nuk reaguan për të ulur ritmin apo ndaljen e reformave, kjo ngelet një pyetje e hapur: ishte presioni i FMN-së, mungesa e përvojës dhe e fantazisë se si manaxhohej një ekonomi në këtë gjendje, apo ishtë thjesht diletantizmi dhe inkompetënca e drejtuesve në qeveri?

Ja ç’thotë Ylli Bufi, kryeministër i Qeverisë në 1991, sot tek Panorama:

Stabilizimi nuk mund të bëhej mbi strukturat e vjetra, duhet të fillonte ngritja e strukturave të reja. Por ato duheshin ngritur me ligje dhe ajo që unë e vlerësoj shumë dhe i kthehem edhe mbas kaq vitesh, është sesi ne u importuam në çështjen e reformës. Do të të them vetëm një gjë – ja do vinin ndihmat ushqimore, po ku do të vinin? Si do të shpërndaheshin? Rrjeti i tregtisë ishte tërësisht i shkatërruar. Ndërmarrje shtetërore s’kishte. Duhet të ktheheshin në private, po si bëhej që të ktheheshin kaq shpejt në private? Atëherë ne nxorëm në mënyrë të shpejtuar një ligj që është i diskutueshëm, disa thonë edhe i gabuar, pse jo, të privatizimit të dyqaneve në mënyrë që t’i merrnin shitësit dhe të fillonin të shisnin, të shpërndanin në të gjitha mënyrat. Ndihmat i merrnin ndërmarrjet tregtare, rezerva e shtetit, që si rrjet shpërndarjeje kishte dyqanet, s’kishte gjë tjetër. Nuk ekzistonin strukturat që janë krijuar sot për rastet e emergjencave. Njerëzit s’kishin paga. Shteti s’kishte buxhet në vitin 1991, ishte pa buxhet. Kjo na detyroi të futemi në çështjen e reformës për të ngritur strukturat e ekonomisë së tregut. Nuk mund të fillonim të stabilizonim disa gjëra në strukturat e shtetit të vjetër. Pra u detyruam të paraqesim në parlament një program të reformës ekonomike dhe një paketë ligjesh. Ligji bazë, që ekziston edhe sot mbi ekonominë e tregut, iniciativën e lirë dhe pronën private, është ligji që kemi propozuar ne si qeveri në vitin 1991. Ai ligj gjithnjë amendohet, pasurohet, por vazhdon të jetë edhe sot në fuqi dhe është ligj bazë i gjithë reformave që ndodhën më pas me PS-në apo me PD-në. Ligji i 1991-shit që i lejonte gjithkujt të hapte një dyqan, të shiste, të blinte, të kishte aktivitet tregtar. Elementet e para të ekonomisë së tregut filluan të kristalizoheshin aty…

Shumë domethënës është konfuzioni dhe kontradiktat në fjalët e tij edhe sot, 20 vjet mbas reformave të ndërmara nga qeveria e tij. Çka thotë në fjalinë e parë, e hedh poshtë me të dytën, e përsërit prapë në të tretën, e keshtu me rradhë… Privatizimi gratis i rrjetit dyqaneve, që përmend Ylli Bufi në intervistë, falja e tyre personelit që punonte në ndërmarrjet tregtare, është një nga shembujt më flagrantë të shpërdorimit të pasurisë kombëtare, por kurrsesi rasti i vetëm.

Në rastin më të mirë ndërmarrjeve iu vu dryni dhe më pas iu shitën xhabá ndonjë ish-funksionari komunist, në shumicën e rasteve ama ndërmarrjet e mbyllura u bën “mall pa zot”, ku kush të mundte, rrëmbente nga një copë (njoh njerëz që morën tornot e ofiçinës në shtëpi dhe i mbanin nëpër oborre, ca të tjerë ndanë materialet e magazinës mes tyre, ca të tjere akoma ndanë magazinën e tyre me mure dhe secili zuri nga një pjesë të saj, ca të tjerë vodhën tavolinat dhe karriget, ca të tjerë dyert dhe ca të fundit thyen xhamat apo ia vunë zjarrin binasë së ngelur…)

Kjo plaçkitje e pasurisë kombëtare, ky vandalizëm ekonomik, u përsërit me mijëra herë në të gjithë Shqipërinë, para syve të “ekspertëve” të FMN-së dhe nën hundën e Qeverisë së Stabilitetit . Kjo barbarí u vuri drynin qindra ndërmarrjeve dhe fabrikave në Shqipëri, të cilat vertetë ishin anemike nga financat, të prapambetura nga teknologjia, të shkëputura nga tregjet ndërkombëtare dhe të mbingarkuara me përsonal, por që me një politikë racionale të mbështetjes së ekonomisë kombëtare nëpërmjet doganave të përkohshme, racionalizimit në prodhim dhe në personel, ndihmës financiare të përkohshmë nga shteti osë nga partnerë të huaj për modernizimin e teknologjisë dhe për mbajtjen e tregut vendas, një pjesë e madhe e tyre, i kishin të gjitha shanset që t’i shpëtonin mbylljes apo shkatërrimit total (dëmi më i madh nga mbyllja e tyre ishte humbja e personelit të aftë, inxhinierëve, ekonomistëve, punëtorëve të kualifikuar dhe prishja e strukturave organizative të ndërmarrjeve, të cilat sot edhe më shumë kapital nuk është e lehtë që t’i ringresh – kjo shpjegon pjesërisht dhe mbizotërimin e sotshëm të firmave me karakter tregtar, familjar, provincial kundrejt ndërmarrjeve prodhuese, aksionere apo eksportuese).

Në bujqësi efektet e Terapisë ishin po aq shkatërruese dhe afatgjata sa dhe në industri; me ligjin famëkeq 7501, ku pas prishjes kaotike të kooperativave, u bë privatizimi turbo i tokës, pa u menduar gjatë se kujt i takonte prona, se si dhe me çfarë do ta punonte tokën fshatari tashmë pronar, se ku dhe si do t’i shiste prodhimet bujqësore, kush do të organizonte transportin, shpërndarjen dhe marketingun e prodhimeve bujqësore, me çfarë çmimi dhe çfarë garancie.

Reforma e vetme që pati sukses të pjesshëm ishte privatizimi i banesave, kjo për shkak të karakterit personal dhe specifik që kishte tregu – më saktë, stoku – i banesave në Shqipëri para 1990, ç’ka nuk linte shumë hapësirë për të bërë gabime (dështimi i kthimit të banesave të marra nëpërmjet shpronësimit, pronarëve të mëparshëm, problem që ende sot 20 vjet më vonë nuk është zgjidhur, tregon se privatizimi i banesave nuk ishte aq meritë e qeverisë së asaj kohe se sa e specifikës së tregut të banesave, një miksi midis pronësisë publike dhe asaj personale).

Terapia e Shokut e propaganduar nga burokratët e FMN-së dhe e aplikuar me zell nga Qeveria e Stabilitetit dhe nga qeveritë e tjera të mëvonshme, në realitet e ktheu ekonominë shqiptare në epokën e gurit, përndoqi në emigrim mbi një milion punëtorë, fshatarë dhe intelektualë shqiptarë, shpartalloi sistemin shëndetsor dhe atë shkollor, energjetikën dhe urbanistikën, nuk la më vend për drejtësi sociale, ishte një terapi që, në vend që ta shëronte pacientin, e futi në varr një herë e mirë.

Përhapja e firmave piramidale dhe pasojat që solli rënia e tyre në 1997, i dhanë dërrmën e fundit ekonomisë shqiptare. Praktikisht ekonomia shqiptare pushoi së ekzistuari; industria dhe bujqësia tashmë ia kishin lënë vendin ‘tokës së djegur’. 1997 u bë Viti Zero i ekonomisë shqiptare.

Periudha e tretë e ekonomisë shqiptare filloi në 1998 dhe vazhdon ende sot. Tipar kryesor është “ri-zbulimi” i zhvillimit ekonomik pas dy dekadash amullie dhe rënieje, zhvillim ky i bazuar tani mbi një model të ri ekonomik, larg prodhimit, larg industrisë dhe ndërhyrjes së shtetit, drejt shërbimeve, ndërtimeve dhe financave private.

Arsyet pse u ngrit pikërisht ky model ekonomik, në thelb kryekëput i ndryshëm nga ai i mëparshmi, janë të vetkuptuesheme. Vërshimi në rritje i dërgesave monetare të emigrantëve drejt Shqipërisë, që filloi nga mesi i viteve 1990 dhe që arriti kulmin në 2008, bashkë me të ardhurat e konsiderueshme nga veprimtaritë ilegale të droges dhe trafiqeve gjithëfarësh, i siguruan më në fund kapitalin e munguar prej dekadash ekonomisë shqiptare.

Por, në mungesë të firmave prodhuesë dhe të fermerëve vendas në “tokën e djegur” që lanë pas në ekonomi reformat e Terapisë së Shokut, si dhe “etja” kolosale e popullsisë për mallra të konsumit, pas një periudhe disa dekadash varfërimi dhe skamjeje të frikshme, çuan vetvetiu në ngritjen e një ekonomie konsumi, e bazuar tek importet masive dhe diçka më vonë, edhe në zhvillimin e shpejtë të sektorit të ndërtimit. Një ekonomi kjo që në thelb kënaq kërkesën e popullsisë për mallra konsumi, duke thithur dhe qarkulluar kapitalin që hyn në vend nga emigracioni dhe trafiqet e ndryshme (thithja e kapitalit bëhet kryesisht nëpërmjet sektorit të ndërtimit të banesave, qarkullimi i tij bëhet nëpërmjet importeve në masë të mallrave nga jashtë dhe rrjetit, tashmë të mbingopur, të firmave tregtare).

Pasojat e këtij zhvillimi janë të dukshme, ato pozitive dhe ca më tepër ato negative. Kapitali që vërshoi në vend – në pikun e vet ky, sipas vlerësimit të Bankës së Shqipërisë, kapi pothuajse 1 miliardë Euro në vit – shoqëruar dhe me stabilitetin relativ politik në vend, solli një bum ekonomik me rritje vjetore 5-10%, me rritje të punësimit dhe të të ardhurave për të punësuarit privat apo në shtet dhe me rritje po ashtu dhe të investimeve, edhe pse modeste, të shtetit në infrastrukturë, kryesisht në atë rrugore. Bashkë me kapitalin në vend erdhën gjithashtu dhe bankat, të huaja apo të krijuara në vend, të cilat ngritën një rrjet të dendur filialesh dhe punësuan një numër të konsiderueshëm punonjësish të kualifikuar, erdhën shoqëritë telefonike, u hapen super- dhe minimarketet, qendrat e biznesit etj.

Përballë këtyre avantazheve, modeli i ri ekonomik solli dhe një sërë disavantazhesh, efektet e të cilave tashmë kanë filluar të bien gjithnjë e më tepër në sy, sidomos me rënien e sasisë së kapitalit që hynë në vend, proces i cili ka filluar tashmë. Defiçiti i frikshëm tregtar dhe varësia totale nga kapitalet e jashtme në njërën anë, si dhe shpërdorimi i pashoq i këtij kapitali në anën tjetër, janë disavantazhet e dukshme të këtij zhvillimi të njëanshëm.

Efekti më delikat dhe më shqetësues i këtij zhvillimi të njëanshëm është defiçiti tregtar, i cili sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, arrin në thuajsë 25% të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto (për krahasim, në USA, një nga vendet me defiçitin më të lartë tregtar ndër ekonomite e zhvilluara, ky është rreth 5% e PBB; në Greqi, para falimentimit, defiçiti ishte 10% e PBB). Nga përvoja historike e vendeve të tjera, është e sigurt që ky defiçit nuk mund të ekzistojë gjatë; herët apo vonë defiçiti ka për të rënë në nivele “normale” – lexo, të financueshme.

Nëse deri para pak vitesh ky defiçit mbulohej me prurjet financiare të emigrantëve dhe, në nje pjesë më të vogël, nga të ardhurat e trafiqeve të ndryshme dhe shumë më pak nga eksportet, rënia e shpejtë dhe e vazhdueshme e dërgesave të emigrantëve në vitet e fundit (-25% në 3 vjet!) ka krijuar një boshllëk të rrezikshëm, boshllëk i cili deri tani vetëm pjesërisht është zëvendësuar me të ardhura të tjera nga jashtë – kryesisht me turizmin nga Kosova.

Në pjesën më të madhe, boshllëku është duke u mbuluar me rritjen e borxhit publik të shtetit shqiptar (si me Eurobondin 300m Euro, i emituar në fund të 2010), nëpërmjet xhonglimeve financiare mes qeverisë dhe Bankës së Shqipërisë, si ai i shitjes së Hotel Dajtit për 30 milionë Euro në maj të 2010 (për koincidencë, në fund të majit 2010 qeveria shqiptare duhet të paguante një interes prej 30m Euro për kredinë sindikale, të marrë një vit më parë për rrugën Durrës-Morinë…) dhe së fundmi nëpërmjet privatizimeve të sforcuara të pasurisë publike, si ai i OSSH, HEC-eve, etj.

Korrigjimi i këtij defiçiti duhet, në fakt, që të jetë objektivi ekonomik nr. 1 i çdo qeverie në Tiranë dhe i Bankës së Shqipërisë gjithashtu. Kjo e fundit përpiqet prej tre vjetësh, nëpërmjet zhvlerësimit gradual të Lekut kundrejt Euros, që të zbusë këtë defiçit, duke bërë importet më të shtrenjta dhe eksportet më të lira me anë të kursit të këmbimit – efektet janë megjithatë modeste.

Reduktimi më efektiv i këtij defiçiti mund të ndodh nëpërmjet rritjes së prodhimit dhe të shërbimeve në vend, për të zëvendësuar kështu importet me mallra të vendit, për të gjeneruar të ardhura shtesë nga rritja e punësimit në vend dhe nga prodhimi për eksport. Rruga tjetër është ajo e uljes së detyruar të importeve, çka do të vijë vetvetiu me rënien e fuqisë blerëse të konsumatorit shqiptar, si pasojë e pakësimit të dërgesave të emigrantëve.

Në fakt, shenjat e para të reduktimit të detyruar të defiçitit tregtar janë dukur që në vitin 2010, kur defiçiti ra lehtë me 2 deri 3% të PBB-së – pasojat vihen re sot në sektorët që përfituan direkt nga ky model ekonomik, në tregëti dhe në ndërtim: në rënien e xhiros së tregtarëve, e shoqëruar kjo me mbyllje dhe falimentime në rritje të bizneseve të vogla dhe të mëdha, në rritjen e papunësisë dhe në uljen e rrogave në këta sektorë, në paralizimin e ndërtimit dhe tregut të banesave, në rritjen e kredive të këqija tek bankat (16% e stokut të kredive!) etj.

Në mungesë të prodhimit vendas, për shkak efekteve të Terapisë së Shokut, të paaftësisë apo mungesës së interesit të sektorit privat për të riinvestuar në prodhim dhe të politikës së neglizhimit të sektorëve prodhues nga të gjitha qeveritë e pas 1997, si dhe me arritjen e limiteve të borxhit publik, është për t’u pritur, që korrigjimi i detyruar i defiçitit tregtar të përshpejtohet në muajt dhe në vitet që vijnë, i shoqëruar ky me pasoja edhe më negative mbi punësimin, rrogat, çmimet dhe mirëqënien në përgjithësi në Shqipëri.

Efekti tjetër negativ i modelit ekonomik të pas 1997 është shpërdorimi i vazhdueshëm që i bëhet i kapitalit dhe bashkë më të edhe kapaciteteve njerëzore dhe i hapësirave publike – nëpërmjet investimeve të njëanshme në ndërtim dhe në rrjetin e tejngopur tregtar, në ato mijëra dyqane në çdo cep pallati e qoshe rruge, që i shesin njera-tjetrës të njëjtat produkte e shërbime, pronarët e të cilave ndajnë qindarkën në kuptimin e vërtetë të fjalës. Ky kapital, i kanalizuar në importe dhe në aktivitete ekonomike jo-ripërtëritëse gjatë dekadës së fundit, ka për t’i munguar ekonomisë shqiptare në vitet që vijnë.

Pyetja është, sa dhe si do të përshtatet ekonomia dhe shoqëria shqiptare në kushtet e mungesës në rritje të kapitalit nga njëra anë dhe të aftësive të kufizuara për ripërtëritje autonome nga ana tjetër? A do të arrijë të mbijetojë ky model zhvillimi ekonomik dhe njëkohësisht të shtojë mirëqënien e shoqërisë? Apo ishte ky thjesht një model tranzitor zhvillimi, ashtu si tranzicioni në politikë, nga i cili Shqipëria, do apo nuk do, ka për t’u shkëputur një ditë?

Nuk ka komente

  1. Vetem nje gje, ne vitet 80 pati stanjacion jo renie te prodhimit.
    Faktori demografik kishte nje peshe te madhe, qysh ne vitet 70 doli planifikimi familjar, sepse bujqesia e cila qysh ne fillimet e industrializimit ishte burimi kryesor i kapitalit nepermjet eksporteve, nuk mund te plotesonte nevojat e brendshme.

    Kolektivizimi i blegtorise, u be i nevojshem ne 1980 bashke me tollonat, ne menyre qe shteti tu garantonte njerezve buke per te ngrene por njekohesisht te kishte edhe mundesi eksporti bujqesor.
    Rritja galopante demografike kerkonte kontroll kapitar te bujqesise, shkaktoi edhe mbipunesimin ne ndermarrjet industriale.

    Nga ana tjeter shteti praktikonte me rigororizet politiken e sigurimit ushqimor kombetar, ne menyre qe ne rast lufte vendi te ishte e gjendje te ushqente popullsine.
    Kjo me rritjen e popullsise kerkonte ne radhe te pare rritjen e siperfaqeve me drithera, ne dem te produkteve per eksport (bimet industriale).

    Bujqesia ka qene sektor i realizuar dhe mjaft produktiv, veçse ne fazen e industrializimit, ishte burim kapitali, kur u be industrializimi, u rrit popullsia ne limitet e vete tokes bujqesore.
    Ne vitet 80, rritja demografike nga njera ane, nevoja jetike per kapitale nga ana tjeter, shkaktuan dukurine e tollonave.
    Ne merrnim ushqime me tollona, por shteti bente eksporte bujqesore.

    Munguan investimet ne vitet 80, pa investime nuk hapen dot vende pune e rritja demografike i shtonte çdo vit te rinjte ne kerkim te punes.

    Persa i perket perqendrimit ne tregti e sherbime, si e the edhe ti, kjo ka shkaktuar shperdorim te jashtezakonshem te kapitalit.

    Jam skeptik ne lidhje me renien fiziologjike te importeve (do jete proçes i dhunshem), besoj se do kemi falimentimin e shtetit, por pasuria kombetare nuk eshte shitur ende e gjitha, ka rezerva, sapo qeveria te mos kete me çfare te privatizoje, borxhi i brendshem te arrije tek 120% te PBB/GDP, emigrantet te ulin me tej dergesat sikunder eshte fiziologjike, atehere, shteti ka per te falimentuar pa me te voglin dyshim.

    I vetmi shpetim eshte hyrja ne Europe, qe te perfitojme nga programet europiane per bujqesine e per rajonet me pak te zhvilluara.

    Nese nuk hyjme ne Europe, Sala duhet te filloje te shese territoret e Shqiperise, Sazanin Italise, ishujt e Ksamilit Greqise, pasi perndryshe nuk mbijetohet.

    Ne fund te fundit Rusia me 1867 ngaqe kishte nevoje per kapital i shiti Alasken Amerikes, pse Cari yne te mos shese ndonje territor nga shteti i tij i Shqiperise.

    Mendoj se do hyjme ne Europe para se te falimentojme, deri atehere Sala do shese gjithe pasurine kombetare ende ne administrim te shtetit, keshtu qe do garantoje mosfalimentimin edhe per shume vjet.
    Punuan shqiptaret per 45 vjet, vetem hidrocentralet mbi Drin kushedi sa miliarda dollare e kane vleren e tregut, sidomos tani qe çmimet e naftes dhe gazit jane ne qiell e s’kane per tu ulur me. Ka Sala para ka, derisa te na fusin ne Europe i ka.

  2. Metodologji së prapthi, retorikë e sofizma nga fillimi në fund, logjikë për të dëshiruar.
    Të paktën gënjeshtrat ti lije jashtë. Apo fundja fundit të kishe kopjuar e sjellë të plotë sa thotë Ylli Bufi. Ta citoj unë për ty:
    “….anuluam të gjitha ligjet e sistemit të vjetër ekonomik. Sot nuk ka më nevojë të bëj vlerësime superlative për atë periudhë, por kur e mendoj, në fakt habitem me atë volum pune që atëherë është bërë pa asnjë ekspert ndërkombëtar.”
    “Gramoz Pashko punoi goxha fortë për ligjin e iniciativës së lirë dhe ligjin e tokave. Ai vetë ishte dakord me propozimin e Qeverisë së Stabilitetit që të jepej toka në përdorim. Por ishte e pamundur, sepse PD-ja nuk e pranonte dhe reforma duhej të ishte konsensuale. Nga ana e PS-së ka qenë zv.ministër Zydi Pepa, që e njihte mjaft mirë bujqësinë. Ai këmbëngulte se duke qenë qeveri e përkohshme, ne nuk mund të fillonim të shpërndanim tokë bujqësore, sepse nuk do ta bënim dot dhe do të krijonim konfuzion. Ne këtë ide shkuam në Parlament. Atje pastaj Partia Demokratike rezistoi. Mbaj mend që më në fund u bë një kompromis siç bëhet në Parlament tek kafeneja dhe u kalua nga përdorimi në pronësi, me ligjin 7501 që është edhe sot aq i diskutueshëm.”
    http://www.panorama.com.al/argument/ylli-bufi-pasojat-e-thenies-sime-%E2%80%9Ckemi-vetem-6-dite-buke%E2%80%9D

    1. CD, linkun e intervistës me Ylli Bufin e kisha vënë si ‘hyperlink’ tek fjala ‘Panorama’, por humbi kur shkrimin e kalova nëpërmjet dritares së komenteve, tek “Arbitra Importi” (edhe tani nuk e di si mund ta kaloj si ‘hyperlink’ në këtë koment). Sidoqoftë, kërkoj ndjesë për mungesën e linkut dhe të falenderoj për prurjen e tij.

      Tashti, shkrimi im më sipër mund të ketë interpretime të gabuara, mund të ketë pasaktësi, madje dhe “logjikë që lë për të dëshiruar” (tregomë se ku, dhe unë me shumë dëshirë do t’i diskutoja këto me ty), por gënjeshtra nuk ka! Gënjeshtra është fjalë e rëndë, CD, se presupozon që unë i di se si janë faktet dhe e vërteta, por që i shtrembëroj apo i manipuloj ato qëllimisht, për çfarëdo lloj qëllimi qoftë ky. Prandaj më sqaro, të lutem, se çfarë është gënjeshtër në shkrimin më sipër. Që Ylli Bufi është konfuz dhe kontradiktor në ato që thotë? Po ty si të duken këto fjalë të tij:

      “ne u importuam në çështjen e reformës…”
      “Ndërmarrje shtetërore s’kishte. Duhet të ktheheshin në private…”
      “Ndihmat i merrnin ndërmarrjet tregtare, rezerva e shtetit, që si rrjet shpërndarjeje kishte dyqanët, s’kishte gjë tjetër…”

      Ndërmarrje, sipas fjalëve të YB, edhe kishte, edhe s’kishte; ndihmat i merrnin ndërmarrjet tregtare, por që nuk i shpërndanin dot, edhe pse kishin dyqanet si rrjet shpërndarjeje, prandaj dyqanet duhet që t’u jepeshin punonjësve të tregtisë, që të shpërndaheshin pastaj ndihmat… A gjen logjikë ti në këto thënie?

      Apo e teproj kur them që Terapia e Shokut ishte katastrofë për ekonominë dhe shoqërinë shqiptare? Edhe 20 vjet më vonë ndihen pasojat negative ekonomike dhe sociale të reformave të TS. Pronësia mbi tokën? Lesh arapi! Industria, fabrikat, uzinat, punishtet? Nuk u ngeli nam as nishan! Inxhinierët, specialistët, teknikët, puntorët e kualifikuar, teknokratët? Të shpërndarë nëpër botë si zogjtë e korbit! Po ta lexosh me kujdes intervistën, Ylli Bufi le të kuptohet, që dhe ai vetë ka dyshime per shpejtësinë dhe efektet e reformave, psh që ligji për privatizimin e dyqaneve mund të ketë qënë i gabuar:

      “Atëherë ne nxorëm në mënyrë të shpejtuar një ligj që është i diskutueshëm, disa thonë edhe i gabuar, pse jo, të privatizimit të dyqaneve në mënyrë që t’i merrnin shitësit dhe të fillonin të shisnin, të shpërndanin në të gjitha mënyrat.”

      Apo që ligji 7501 ishte dhe është i diskutueshëm:

      “Mbaj mend që më në fund u bë një kompromis siç bëhet në Parlament tek kafeneja dhe u kalua nga përdorimi në pronësi, me ligjin 7501 që është edhe sot aq i diskutueshëm”

      Edhe një herë, unë nuk vë në pikëpyetje zellin e Qeverisë së Stabilitetit, as vë në dyshim qëllimet që kishin me kryerjen e reformave. As u mohoj vështirësitë e situatës në 1991 dhe presionet që u janë bërë, nga FMN-ja, PD-ja, apo PS-ja, as them që ata ishin përgjegjës të vetëm. Por rezultatet e Terapise së Shokut janë këto që janë, dhe Qeveria e Stabilitetit, me Ylli Bufin, Pashkon dhe të tjerë mbajnë përgjegjësinë kryesore për to, si njerëzit në krye të vendit kur u bënë ato reforma.

  3. Ekonomia shqiptare ka qene e subvencionuar ne nje periudhe shume te gjate, ne shekullin e kalur, si dhe keta 20 vjetet e fundit.
    Subvencionimi do pare si nje ndihme financiare qe i jepet nje familje me te ardhura te pamjaftueshme per te mbyllur muajin, nga nje mikdashes, nga nje patron/mecenat, nga nje protector, etj, etj.
    Familja ka nevoje, te themi, per $4,000.00USD per te mbyllur muajin, duke mbajtur nje fare standarti jetese qe i pershtatet menyres se tij te jetuarit ( ketu eshte nje vije e holle midis deshires dhe nevojes). Te ardhurat nga aktiviteti ekonomik jane dot vetem $3,000.00. Te tjerat plotesohen nga ata qe duan te ndihmojne.
    Ne kohen e Zogut, ekonomine e tij, mbas 1928 e subvencionuan italianet.
    Ne kohen e Enverit, nga 1945 deri ne 1948, shteti shqiptar u subvencionua nga jugosllavet
    Nga 1948-196(2) [mund ta kem gabim vitin ketu], nga ruset.
    Nga 196(2) – 1978, subvencionimet, tejet te medha, ishin nga Kina.

    Nga 1978 deri ne 1991, ishte periudha qe ndoshta ekonomia shqiptare ishte me te vertet e mbeshtetur plotesish ne kembet e veta. Pa nje ndihme te jashtme, pa nje strukture ekonomike te brendeshme te orientuar drejt tregut dhe elementeve te saj, me nje bote te zhytur ne nje krize tejet te mprehte ekonomike.
    Per mendimin tim, ajo periudhe duhet studiuar mire, e te shihet cfare mesimesh mund te nxirren, sepse eshte me te vertet nje “worst case scenario”, apo “black swan” moment.

    Nga 1992 deri ne 2010 subvencionimi i radhes ishin dhe jane remitancat. Kjo eshte edhe ndihma qe i eshte dhene Shqiperise pa asnje detyrim/prapamendim/ planifikim/ perfitim/ interes.
    Me to eshte mbeshtetur pjesa me e madhe e industrise se ndertimit dhe aktivitetve terciare ne vend.
    Por nuk eshte e vetmja. Nga ana tjeter shteti shqiptar kete periudhe ka harxhuar $14.6 miljard me shume se sa c`ka qene ne gjendje te fitoje( borxhi prej 60% e GDP). Pra midis remitancave dhe te marurit te borxheve, ekonomia shqiptare ka pasur nje ndihme te jashtme, te pambeshtetur nga aktiviteti ekonomik ne territor, prej afro $2 miljard ne vit, qe nga 1992 deri 2010 (shto ketu edhe 1 miljon goje me pak per te ushqyer). Pa kete faktor, perfundimi do ishte se shqiptaret, se bashku me shtetin e tyre jetojne artificialisht mbi mundesite e tyre. Sa me shpejt te realizohet aq me mire eshte. Sepse te gjitha shenjat jane qe te dy keta faktore po ndryshojne per keq. Remitancat po bien, importet jane 300% me te larta se exportet, inflacioni eshte me i madh se sa rritja e GDP, duke i dhene nje vlere negative aktivitetit ekonomik. Dhe shteti vazhdon te harxhoje me shume se sa fiton ( buxheti vjetor $3.2 miljard; shpenzimet vjetore $3.6 miljard).

    Per fat te keq, pershtypja nga larg mbi politikanet e sotem tanet eshte se ata jane si ai gjeli qe kujton se dielli ne mengjes del vetem prej kakerimes se tij.

  4. Ipare, jo subvencionim po kapital.

    Nje vend qe do te zhvillohet ka 2 probleme themelore.

    1- ka gjithnje defiçit tregtar
    2- ka gjithnje nevoje per investime

    Pra duhet kapital si per investime si per te mbyllur defiçitin tregtar.

    Vendet me mend, investimet i nxjerrin ne dem te konsumit, duke ndjekur politika kursimi (austerita), ashtu sikunder individet me mend dine edhe te kursejne apo te sakrifikojne sot per te fituar mot.

    Kur nje vend ndjek politiken e kursimit, vetvetiu edhe importi i mallrave te konsumit bie,pra zgjidhet pjeserisht edhe çeshtja e defiçitit tregtar.

    Keto kursime shkojne ne investim dhe investim do te thote vende te reja pune.

    Gjeja tjeter per favorizimin e investimeve jane taksat e uleta, mirepo kjo e le shtetin pa para, rrjedhimisht shteti shfrytezon doganat.
    Nga kjo loje shkak-pasoje rritja e doganave ndihmon perseri ne uljen e defiçitit tregtar, sepse e ben mallin e importit te shtrenjte dhe se nxit prodhimin e brendshem, vetvetiu edhe vleren e eksportit.

    Kuptohet qe kjo menyre rendon me shume tek shpatullat e atyre poshte, por hap vende pune dhe sido qe te vene çmimet me mire te jesh ne pune e te kete çmime te larta, sesa te jesh i papune e te kete çmime te uleta.
    Me keq se papunesia s’ka, si per individin si per shoqerine, ja psh ke 1 milione te papune qe kane vajtur jashte si emigrante, ose me shume se gjysma e fuqise punetore.

    Po te ktheheshin ne Shqiperi, papunesia do shkonte ne stratosfere.

    Investimet duhen bere jo vetem ne fushat me fitimprurese por edhe ne ato qe punesojne me shume njerez, pavaresisht fitimeve me te uleta.

    Ne Shqiperi eshte bere krejt e kunderta dhe gjithe ai kapital, valute prej dergesave ka ikur per presh, per te mbyllur defiçitin tregtar.

    Shqiperia nga pikepamja strukturore, nuk ka avantazhe ne asnje dege, nuk ka ne bujqesi se ka pak toka, nuk ka ne energjitike se s’ka rezerva te konsiderueshme gazi,nafte, qymyrguri, nuk ka ne turizem sepse Kroacia, Greqia e Italia vende fqinje kane vije bregdetare te llahtarshme e plazhe fantastike, nuk ka nga pikepamja e pozicionit gjeotregtar se Egnatia e dikurshme sot s’ka peshe.

    Me pak fjale Shqiperia eshte shtet pa asnje avantazh specifik.

    Sikur te mos mjaftonte kjo, Shqiperia vjen direkt pas Kosoves si shteti me dendesine me te madhe ne Ballkan, dendesi qe e ben automatikisht te varur nga importi bujqesor.

    Ne Ballkan vetem Shqiperia e Kosova jane vende importuese ne bujqesi, gjithe vendet e tjera, eksportojne me shume mallra bujqesore sesa importojne.

    Kjo te ekspozon ndaj rrezikut te defiçit tregtar dhe te detyron ty si shtet qe te mendosh si te mbushesh gapin bujqesor me ane te eksporteve industriale.

    Nje vend si Italia ka qene gjithnje dobet nga ana financiare per shkak te defiçitit tregtar, kurse sot gjendja eshte aq keq, saqe qarkullon rendom batuta, ”’Italia eshte vend me kapitaliste pa kapital”’.

    Pra Shqiperia duhet ta mendoje veten si vend eksportues industrial dhe importues bujqesor sepse dendesia e popullsise eshte e atille saqe ne jete te jeteve do ngelemi importues te mallrave bujqesore dhe e vetmja menyre qe defiçiti tregtar te mos na thaje kapitalin qe mblidhet eshte rikonceptimi i Shiperise si vend i industrializuar.

    Ne dhe Kosova per shkak te dendesise se madhe nuk kemi rruge tjeter, perpos shfrytezimit maksimal te mineraleve, fale Zotit Shqiperia me Kosoven i kane pasurite komplementare dhe te gjithanshme.

    Europa eshte ne krize, po me shume jane vendet me strukture te dobet industriale dhe me defiçite te medha tregtare, nese ne ndjekim shembullin e Greqise apo Portugalise atehere per lesh kemi per te vajtur menjehere pas bum-it te munshem fillestar.

    Pra kjo krize e Greqise sidomos, duhet te na beje te mendojme se ndjekja e shembullit te saj, do te na çoje ne qorrsokak shume shpejt.

    Une vete jam katerciperisht i bindur se pa ri-industrializimin e vendit nuk ka per te pasur asnjehere nje zhvillim te qendrueshem e te perballueshem dhe kemi per te ngelur vend emigrantesh si keto 20 vjet.

  5. Gjilpëra!
    Ja një gënjeshtër që ke shkruar:
    “Këtu hynë në lojë Terapia e Shokut, misionarët e FMN-së dhe Gramoz Pashko, si Zëvendës-Kryeministër dhe Ministër i Ekonomisë në qeverinë e Stabilitetit në vitin 1991.”
    Sepse ja ç’thotë z. Bufi që ke lexuar:
    “…habitem me atë volum pune që atëherë është bërë pa asnjë ekspert ndërkombëtar.”
    “Gramoz Pashko … ishte dakord me propozimin e Qeverisë së Stabilitetit që të jepej toka në përdorim.”
    Kjo gënjeshtra më lart plotëson kushtin tend të veçantë, që pohimi yt shtrembëron e fsheh me qëllim të vërtetën. Teksa mbrohesh duke u zmbrapsur se presupozohet se duhet ti dish faktet dhe të vërtetën, harron se ke lënë këmbën të të bjerë në gropën e padijes; kjo më bën të të them miqësisht mos shkruaj për gjëra që nuk i di në këtë formë, si dhe të të kujtoj të kujtosh atë shprehjen e latinit. Por, në zhgënjimin tim që ti nuk i kishe lënë përjashta shkrimit gënjeshtrat, me gënjeshtra, besomë për këtë, kisha parasysh këtë përkufizim për gënjesht/ër/rat-fjalë e thënë që s’është e vërtetë; …
    Ja edhe një gënjeshtër tjetër që ke shkruar:
    “Privatizimi gratis i rrjetit dyqaneve, që përmend Ylli Bufi në intervistë, falja e tyre personelit që punonte në ndërmarrjet tregtare, është një nga shembujt më flagrantë të shpërdorimit të pasurisë kombëtare, por kurrsesi rasti i vetëm.”
    Sepse ja ç’thotë z. Bufi:
    “Atëherë ne nxorëm në mënyrë të shpejtuar një ligj që është i diskutueshëm, disa thonë edhe i gabuar, pse jo, të privatizimit të dyqaneve në mënyrë që t’i merrnin shitësit dhe të fillonin të shisnin, të shpërndanin në të gjitha mënyrat.”
    Gratis? Falja? Si ndodhka që ti i lexoke këto fjalë ndërsa unë jo?
    E boll besoj.
    Për logjikën për të dëshiruar. Ti ndanë arbitrarisht, me sy të lirë periudha, e pastaj detyrohesh ti mbushësh me lëndë. Argumenton se terapia do të kishte efekt nëse:
    -ekonomia do të ishte funksionuese
    -ka një kornizë ligjore specifike
    -një sistem bankar bazik
    -një sistem social elementar
    -etj.
    Por ti kishim këto në rregull, ne duhet të ishim në rregull; ç’na duhej reforma? Ç’i duhen ilaçet një të shëndetshmi? E ç’kuptim ka të thuash se një të shëndetshmi ilaçet i bëjnë mirë? Pikërisht se vendi dhe ekonomia lëngonte, ishte e vdekur e pakallur, duhej terapia. Për të cilën ti sërish shkruan gënjeshtra kur shkruan se ndërmarrjeve ju vu dryni. Të kish qënë kështu ajo ndërmarrja e prodhimit të drynave do të kishte lulëzuar. E vërteta e reformave është krejt tjetër.
    Ajo as nis e as mbaron me Pashkon &co. Ajo nis me Ramiz Alinë, mekanizmin e ri ekonomik, heqjen dorë nga gjigandomania, rikthimin e pronës, miratimin nga Kuvendi në Korrik 90 të dekreteve nr. 7406 “Mbi mbrojtjen e investimeve të huaja në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë” dhe nr.7407
    “Mbi aktivitetin ekonomik të ndërmarrjeve me pjesëmarrjen e kapitalit të huaj në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë”. Për të vazhduar me plotësimin nëpër vite të asaj pakete ligjore që ka pasur për qëllim TRANSFORMIMIN E NDËRMARRJEVE SHTETËRORE NË SHOQËRI TREGTARE që ta lë siç e ka titullin një prej ligjeve.

    Nuk kam aspak dëshirë të vazhdoj me tej. Nuk jam mendjendryshues, përkundrazi.
    Po i kthehem një fjale që e shmanga për ta trajtuar tani – qëllimit.
    Jam i prirur të besoj se meraku juaj me këtë shkrim, i Klosit me “Shitet”, i Lubonjës me “kafsho dhe ik” etj, ka të përbashkët si frikën se po na bëhet dëm ashtu edhe shpreh sheshit pakënaqsinë për pritshëmërinë e atij proçesi që shqiptarët i hynë unanimisht më 1990. S’ka peizazh, ka tablo ku ti i ke futur rulin me të zezë të pashndritshme, Klosi mbi të ka pikturuar tabelën, e Lubonja kafshimet e qenve- nuk them se ju ka lidhur gjë veç rastësisë kur qeveria kërkon të shesë disa hidroçentrale. Ju jeni qëllimmirë. Por unë, gjithashtu, jam i prirur të besoj se qeveria e sotme edhe ato në vazhdim, janë qëllimmira në vendimet e tyre. Nga përplasja e mendimeve të qëllimmirëve, shpresoj që të ndiqet rruga që na sjell të mirën më të mirë se po të ndiqet rruga tjetër.
    Por ndërsa këtë e kam shpresë, bëj këtë konstatim: Kundërshtimi mbi vazhdimin e privatizimeve nuk arrin dot të ngrihet minimalisht në një rrymë të mendimit ekonomik që të mund ta quanim të asseteve (që do të ishte e kritikueshme) por që për fat të keq mbetet e aseteve (që s’di nga t’i kapësh).
    Nuk ka përparim me hap iriqi.

    p.s. për dashamirët e poezisë:

    Sir Walter Ralegh

    Gënjeshtra

    Shko, shpirt, bujtës i trupit,
    me një detyrë që s’merr mirënjohje;
    mos u tremb ti qepesh të mirit;
    e vërteta do të jetë leja jote.
    Shko, përderisa të vdes u dashka,
    qitja botës gënjeshtrën përjashta.

    Thuaji oborrit se vezullon
    edhe shkëlqen si druri kalbësirë;
    thuaji kishës se ajo tregon
    ç’është mirë dhe s’bën të mirë.
    Nëse kisha dhe oborri përgjigjen serbes
    qitjau gënjeshtrën në shesh.

    Thuaju sundimtarëve se rrojnë
    duke vepruar me veprimet e të tjerëve;
    nuk i do kush gjësend pa dhënë
    dhe kanë fortësinë e bajraktarëve.
    Nëse sundimtarët përgjigjen serbes
    qitjau sundimtarëve gënjeshtrën në shesh.

    Thuaju burrave të sërës së lartë,
    që drejtojnë pasuri e pronë,
    qëllimi i tyre ambicia është,
    vetëm urrejtjen kanë zakon.
    E nëse ata njëheri përgjigjen serbes,
    qitjau gjithë atyre gënjeshtrën në shesh.

    Thuaju se trimëri përmbi gjithçka,
    ata lypin dhe më teksa shpenzojnë,
    se dhe me kostot më të mëdha,
    s’kërkojnë por veçse ti lavdërojnë.
    E nësa ata të përgjigjen serbes
    Qitjau gjithë atyre gënjeshtrën në shesh.

    Thuaji zellit se kërkon bindje;
    thuaji dashurisë se është veç epsh;
    thuaji kohës se është veç lëvizje;
    thuaji mishit veç pluhur do jesh.
    E uro që mos të përgjigjen serbes,
    se ti duhet t’ja u qitësh gënjeshtrën në shesh.

    Thuaji moshës se përditë rrëgjohet;
    thuaji nderit se si ndryshon;
    thuaji bukurisë se si shkatërrohet;
    thuaji favorit se si belbëzon.
    E ndërsa ata do të përgjigjen serbes
    qitja çdonjërit gënjeshtrën në shesh.

    Thuaji zgjuarsisë sa shumë miklon
    në pika gudulisëse të mirësisë;
    thuaji mençurisë se ngatërron
    veten me përmbidituritë e botës.
    Dhe kur ata të përgjigjen serbes,
    troç qitjau atyre tok gënjeshtrën në shesh.

    Thuaje guximin e mjeksësisë;
    thuaji aftësisë është mëtim;
    thuaje bamirësinë e ftohtësisë;
    thuaji ligjit është pretendim.
    Dhe ndërsa të përgjigjen serbes
    sërish qitjua gënjeshtrat në shesh.

    Thuaji fatit çka verbëri;
    thuaje natyrën e kalbjes;
    thuaje miqësinë e panjerëzi
    thuaje drejtësinë e shtyrjes.
    Dhe nëse të përgjigjen serbes
    të gjithëve qitjua gënjeshtrën në shesh.

    Thuaji arteve se s’kanë kumbim
    por varen nga respekti;
    thuaju shkollave se duan thellim,
    por mbahen më shumë në si duket tjetri.
    Në artet dhe shkollat do të përgjigjen serbes
    qitjau arteve dhe shkollave gënjeshtrën në shesh.

    Thuaj besimi u zhduk nga qyteti;
    thuaj si vendi po rreshket;
    thuaj burrëria hoqi qafe mëshirën;
    thuaj dlirësia është e fundit në rresht.
    Dhe nëse të përgjigjen serbes
    mos u kurse t’ja u qitësh gënjeshtrën në shesh.

    E kur të kesh, si qejfi ma desh
    e të urdhërova, dhënë fund llomotitjeve-
    edhe pse e qite gënjeshtrën në shesh
    meriton jo më pak se goditjeve-
    kush të dojë le të të godasë,
    s’ka goditje që shpirtin të vrasë.

    1. “…Ke një problem serioz kur thua se dyqanet ishin pasuri publike e të gjithë shqiptarëve, sepse pasuri publike e të gjithë shqiptarëve ishin edhe apartamentet e banimit”

      Ne apartamentet banoret pagonin nje sasi takse te vogel mujore, ndersa ne dyqanet kjo sasi pagese ishte e shtetit, per sa vjet ishte edhe mosha e dyqanit ose e apartamentit. Ne shtepine qe nje familje jetoj 40-50 vjete, edhe pse nje pagese e vogel e paguar per cdo muaj, mund te ishte e blere ajo banese ne fund te fundit, duke patur parasysh edhe amortizimin e saj kur nje pagese e fundit u kerkua per privatizim te baneses. Perjashto ketu rastin e banesave te reja dhe dyqaneve te rinje, ku prap nuk vihet shenje barazimi me banimin dhe dyqanin per pronesim, se ai qe pronesoj shtepine pronesoj edhe dyqan, o CD!
      Dakort jam, qe sa mundesi ishin per spekulim, ne ate kohe u spekulua.

  6. CD,

    Keto qenkan genjeshtrat e mia?

    “Këtu hynë në lojë Terapia e Shokut, misionarët e FMN-së dhe Gramoz Pashko, si Zëvendës-Kryeministër dhe Ministër i Ekonomisë në qeverinë e Stabilitetit në vitin 1991.”

    Ha! Po keto jane fjalet e mia o njeri, kush tha qe jane te Ylli Bufit? Pse, duhet te me thote Ylli Bufi mua, qe terapia e shokut u formulua ne zyrat e FMN-se dhe i’u rekomandua prej saj per zbatim vendeve te Europes Lindore per te pershpejtuar, kalimin nga ekonomia e centralizuar e planit ne ate te tregut? Seriozisht e ke ti dhe Ylli Bufi, qe reformat ne 1991 u bene me “forcat e veta”, nga Qeveria e Stabilitetit, pa konsulencen dhe pa ekspertizen e te huajve? Kjo po qe eshte genjeshter!

    “…habitem me atë volum pune që atëherë është bërë pa asnjë ekspert ndërkombëtar.”
    “Gramoz Pashko … ishte dakord me propozimin e Qeverisë së Stabilitetit që të jepej toka në përdorim.”

    Gramoz Pashko dhe Ylli Bufi mund te kene pasur cfaredo lloj mendimi mbi privatizimin e tokes – rezultati eshte ky ligj qe eshte ne fuqi, ligji 7501! Me duket shume e papergjegjshme dhe e pahijshme nga ana e Ylli Bufit, te pretendosh sot qe njeri apo tjetri apo Qeveria e Stabilitetit madje, kishin nje mendim tjeter atehere, krejt te kundert me ate qe thote ligji , por ishte PD-ja ajo qe nuk donte. Kesaj i thone t’ia lesh kopilin tjetrit ne dere, CD! (Xha xhai, pardon per kete gjuhe, nen nivelin e ketij blogu)

    “Privatizimi gratis i rrjetit dyqaneve, që përmend Ylli Bufi në intervistë, falja e tyre personelit që punonte në ndërmarrjet tregtare, është një nga shembujt më flagrantë të shpërdorimit të pasurisë kombëtare, por kurrsesi rasti i vetëm.”
    Sepse ja ç’thotë z. Bufi:
    “Atëherë ne nxorëm në mënyrë të shpejtuar një ligj që është i diskutueshëm, disa thonë edhe i gabuar, pse jo, të privatizimit të dyqaneve në mënyrë që t’i merrnin shitësit dhe të fillonin të shisnin, të shpërndanin në të gjitha mënyrat.”
    “Gratis? Falja? Si ndodhka që ti i lexoke këto fjalë ndërsa unë jo?”

    CD, po kete cfare e ke? Lexoje mire ate qe thote Ylli Bufi me lart: “të privatizimit të dyqaneve në mënyrë që t’i merrnin shitësit…” Une po genjekam ketu apo ti nuk lexon ate qe eshte shkruar? Xhaba CD, i morren dyqanet shitesat, dhe shefat dhe llogaritaret e ndermarrjeve te tregtise, qe lane zyrat dhe u ben shitesa (!) per 1 muaj, qe te zhvasnin secili nga nje dyqan! Edhe ne u morren ndonje lek per dyqanet, ato ishin cikerrima CD, sa per te thene, qe i shitem; une, ti, Ylli Bufi dhe kushdo ne Shqiperi e di qe dyqanet iu dhana xhaba fare shitesve! Dhe ato dyqane, CD, ishin pasuri publike e te gjithe shqiptareve, nuk ia kish trasheguar njeri ato, as Yllit dhe as Pashkos, qe hapen qesen!

    Thote YB: “Ndihmat i merrnin ndërmarrjet tregtare, rezerva e shtetit, që si rrjet shpërndarjeje kishte dyqanët, s’kishte gjë tjetër…”

    Pyetja qe nuk i pergjigjet Ylli Bufi eshte, pse ndihmat qe merrnin ndermarrjet tregtare nuk u shperndan apo nuk u shiten nepermjet dyqaneve, qe permbante rrjeti i shperndarjes, por duhet qe te privatizoheshin njehere dyqanet dhe pastaj te shperndaheshin ndihmat?

    Lidhur me rrjedhen logjike te shkrimit thua:

    “Ti ndanë arbitrarisht, me sy të lirë periudha, e pastaj detyrohesh ti mbushësh me lëndë.”

    Une u perpoqa te argumentoj, pse ndarjen e bera te tille, ne nje periudhe te ngritjes se ekonomise kombetare, ajo e stanjacionit dhe e renies dhe periudha e rimekembjes, duke u bazuar te kriteri i zhvillimit ekonomik dhe i dispozicionit apo mungeses se kapitalit ne ekonomi. Besoj qe ka nje logjike ne kete ndarje, por nuk perjashtoj qe te tjere, te bejne ndarje te tjera. Ky grupim mu duk me logjik dhe me i thjeshte per te analizuar zhvillimin ekonomik pas 1945, por ky nuk perjashton grupime te tjera te mundshme, po ashtu te logjikshme. Dikush mund te bej nje grupim tjeter, mbi nje kriter tjeter si psh ai i burimit te subvencionimit te ekonomise shqiptare, sic e ben ndarjen kolegu komentues ‘ipare’, periudha e subvencionimit nga italianet, jugosllavet, nga ruset, nga kinezet, periudha e izolimit dhe periudha e pas 1990, e subvecionimit nga emigrantet – shume dakord dhe shume logjike! Thua, une ndaj “arbitrarisht, me sy te lire periudha”, por une s’mund te ve vizoren per te bere ndarjen! E rendesishme eshte qe brenda cdo periudhe, kriteri i perzgjedhur per ndarjen, te tregoj dukshem te njejten tendence/drejtim (edhe pse ne ekonomi drejtimi asnjehere nuk eshte 100% linear, por luhatje rreth nje mesatarje), qe te kete kuptim agregimi dhe nxjerrja e perfundimeve. Dhe une mendoj qe ndarja me siper, 1945-78, 1978-97, 1997- e ploteson me se miri kriterin e grupimit sipas rritjes/renies ekonomike dhe dispozicionit apo mungeses se kapitalit ne ekonomi.

    Thua : “Por ti kishim këto në rregull, ne duhet të ishim në rregull; ç’na duhej reforma? Ç’i duhen ilaçet një të shëndetshmi? E ç’kuptim ka të thuash se një të shëndetshmi ilaçet i bëjnë mirë? Pikërisht se vendi dhe ekonomia lëngonte, ishte e vdekur e pakallur, duhej terapia.”

    Pikerisht ketu qendron dhe strumbullari i diskutimit pro dhe kunder terapise se shokut! Ti mendon – dhe Qeveria e Stabilitetit veproi sipas kesaj motoje – se ekonomia shqiptare ishte “e vdekur e pakallur”, kurse une them qe ajo nuk ishte e vdekur, por e paralizuar, e prapambetur, e pafinancuar, ishte ne krize por jo e vdekur per tu kallur ne varr. Reformat e terapise se shokut e trajtuan ekonomine si te tille dhe nuk ben gje tjeter, vecse sa e futen ne varr, per te filluar nga niveli zero pastaj! Thua, nuk iu vu dryni, po me trego ku shkuan industria e lehtë dhe ushqimore, ato dhjetra për të mos thene qindra fabrika dhe punishte në gjithe Shqipërinë që ekzistonin para 90-es? Po industria kimike? Po ajo tekstile (veshmbathje, qylyma)? Po industria minerare, minierat, uzinat e përpunimit, po ajo mekanike dhe elektrotenike (sado pak dhe te prapambetura që ishin)? Sa prej tyre i mbijetuan terapise? Edhe nje here, patjeter qe jo te gjitha do te mbijetonin, qe shume do te mbylleshin edhe me nje rruge tjeter te berjes se reformave, kjo nuk diskutohet, por shanset qe te mbijetonin do te ishin shume me te medha dhe pasojat do te ishin shume me te buta si per ekonomine ashtu dhe per shoqerine.

    Thua : “Por ti kishim këto në rregull, ne duhet të ishim në rregull; ç’na duhej reforma?”

    CD, te besh reforma kaq rrenjesore ne ekonomi, te ndryshosh madje komplet sistemin dhe pronesine, pa bere me pare nje kornizë ligjore specifike dhe një sistem drejtësie qe lufton dhe denon korrupsionin, vjedhjet, nepotizimin, matrapazlleqet eshte as me pak, as me shume por AVENTURE dhe PAPERGJEGJSHMERI! Po ashtu sic eshte cinizem qe te hedhesh mbi nje milione njerez ne rruge te madhe, pa siguruar me pare nje minimum te ndihmes sociale!

    Dhe dicka para se ta mbyll.

    Thua: “Teksa mbrohesh duke u zmbrapsur” – une nuk u zmbrapsa CD, thjesht te dhashe ty mundesine per te argumentuar ne nivelin e diskutimit qe behet ne kete blog, pa qene nevoja qe t’i hedhim kokes njeri-tjetrit as popla, as tralala poetike.

  7. Gjilpëra,
    Kronologjikisht radha e kryeministrave të Shqipërisë ka qënë e tillë:
    Shkurt 1991 e tutje Adil Çarçani
    22 Shkurt 1991 – 5 Qershor 1991 Fatos Nano
    5 Qershor 1991 – 10 Dhjetor 1991 Ylli Bufi
    10 Dhjetor 1991 – 13 Prill 1992 Vilson Ahmeti
    13 Prill 1992 e për këtej Aleksandër Meksi
    Ndërsa e presidentëve:
    Deri më 3 Prill 1992 Ramiz Alia
    Nga 9 Prilli e për këtej Sali Berisha
    Shqipëria ju bashkua FMN-së më 15 Tetor 1991

    Pasi dimë këto, mund të themi se përgjegjësitë politike të reformës duhet ti kërkojmë tek presidentët me kufi prillin e 1992, përgjegjësitë për shkak të detyrës të lartë shtetërore tek kryeministrat, e pastaj tek të tjerët me radhë më poshtë. Paralelisht për forcat politike që i vunë në pushtet, kjo edhe sepse për një periudhë është qeverisur në koalicion. Dhe që të gjejmë përgjegjësit dhe përgjegjësitë, duhet të rendisim kur dhe kush nis e bëri çfarë. Si e bëri dhe si e vazhduan pasardhësit. Nëse vendimi ka qënë me votë, vota e tij ka qënë pro a kundra. Sipas kësaj llogjike mua nuk më del në krye të listës Gramoz Pashko (ti shkruan …Gramoz Pashko, si përgjegjësi direkt për ekonominë dhe për reformat, zgjodhën rrugën radikale… vazhduan të zbatonin reformat e Terapisë edhe atëhere kur efektet e saj katastrofale mbi ekonominë shqiptare u bën të dukshme), jo para atyre burrave më lart, dhe jo sepse në gusht të 1992 kariera e tij politike mori drejtim tjetër. Kështu duhet parë edhe lidhja e tij me FMN-në, roli i kësaj kur hyri në lojë (siç dëshiron ta quash) me sa shqiptarët kishin bërë vetë, – të solla dekrete, Ylli Bufi dëshmon. Mund të kërkosh e të gjesh ligjet e VKM-të e kohës e të shohësh të vërtetën.
    Korrektesa nuk lidhet vetëm me saktësinë apo pasaktësinë e atyre që thua por me përgjegjsinë për ato që thua.
    Ta lëmë artikullin them. Të të them sa mendoj për sa shkruan në komentin tënd.
    Nëse mendon se dyqanet u shitën xhaba duhet ta kishe shkruar xhaba dhe jo falas. Nëse mendon se llogaritarët zhvatën nga një dyqan fajin Gramoz Pashko me FMN-në e kishte? Provoje se lekët nga privatizimi i dyqaneve ishin çikërima, … me paranë e atëhershme; po këtu – krahaso totalin e shumave të vlerësimit të tyre me totalin e depozitave të shqiptarëve në bankë. Por mos harro se nuk ju shitëm biznesin, ju shitëm një pjesë aq me kaq të një dyqani, që sa më i lartë pallati ku ndodhej aq më e vogël pronësia për truallin, sa më herët i ndërtuar pallati aq më i amortizuar. Dhe një pjesë u shit me kushte a klauzola për mosndrimin e veprimtarisë për kaq vjet. Merr dhe krahaso dy dyqane, njërin ç’të duash dhe tjetrin librari – meqë për këto të fundit u veprua ndryshe. Ndryshimi ishte i llahtarshëm deri ndonjë vit më parë (mos gabohem). Këto dy aktivitete derë më derë, një që e merr rrufeshëm terapinë e një që i zgjatet në lëngatë janë shembull që tregojnë se privatizimi ishte i suksesshëm e duhej të bëhej si rregulli i përgjithshëm e jo si përjashtimi. Ke një problem serioz kur thua se dyqanet ishin pasuri publike e të gjithë shqiptarëve, sepse pasuri publike e të gjithë shqiptarëve ishin edhe apartamentet e banimit, …apo jo? E gjithë sa thua me të hapur qesen, falas, dhurua, xhaba vlen njëlloj.
    Për strumbullarin e diskutimit po të ofroj sërish shembuj sinjifikativë dhe bindës. Nga shëndetsia. Shi e shkruaj gjendjen e mjekësisë shqiptare sipas e privatizuar ose e pa privatizuar. Krahaso spitalet që vazhdojnë të jenë shtetërorë me klinikat dentare apo farmacitë që u privatizuan, krahaso spitalet shtetërorë me ato që janë hapur nga privatët. Nga transporti. Krahaso transportin rrugor, detar e ajror të privatizuar me transportin hekurudhor ende shtetëror.
    Ekonomia shqiptare ishte e pafinancuar. 90% të fitimit të ndërmarrjeve socialiste dhe 70% të fondit të tyre të amortizimit (ndarja për investime kjo) shkonin në buxhetin e shtetit. Nëse ky është gjaku ripërtëritës i çdo ndërmarrjeje, ky kishte shteruar,
    e para, sepse shteti socialist nuk mendonte për njësitë ekonomike veç e veç por mendonte në tërësi, ato nuk ishin vetëqeverisëse. Fondet e ndërmarrjeve fitmiprurëse nuk shkonin për teknologji të re brenda tyre por për të pjellë kusi të vogla si kusia e madhe e Nastradinit. Teknologjia ishte e 20-40 viteve më parë dhe e shfrytëzuar intensivisht me tre turne, asnjëherë e ripërtërirë, ta ripërtërish të gjithën është pamundësi financiare, që edhe sikur të gjendej siç mund të besohet naivisht, ajo do të kërkonte të paktën dekada të shlyente veten.
    E dyta, fondet e krijuara për periudhën që flasin u përdorën masivisht për pagesën e 80%, që merrej papunuar, fillimisht sepse s’kishte energji elektrike e pastaj sepse njerzit u hodhën në grevë të përgjithshme e demonstrata sepse reformat po ngadalësoheshin. Duke bërë fondet zero, ashtu si edhe rezervat valutore për të cilat thuhet se me izën e Ramiz Alisë u xhiruan nga banka në kambizëm 400 milion dollarë, ku ta përplasje kokën. Tek invesitori i huaj. FMN-në me kokën plot se duam, investitorin me xhepin plot e bëjmë perëndi; paçka.
    Në të vërtetë disa erdhën. Një shëmbull nga tekstilet meqë i përmend. Me tre kombinate Tiranë, Berat, Korçë, e me lëndë të parë që nuk prodhohej në vend, sa prodhohej ishte me cilësisë më të keqe se e importit që vinte nga Kina, Egjypti, Greqia. Sipas kushteve shqiptare u krijua ndërmarrja e përbashkët; sipas zgjedhjes së investitorit Korça (është më e lehtë ta arrish temperaturën optimale në një kombinat tekstili me ngrohje sesa me ftohje). Investimi eci deri në momentin e instalimit të teknologjisë që i huaji do sillte. Gjithçka ngeci tek kontrata që ndërmarrja e përbashkët duhet të nënshkruante me ndërmarrjen elektrike. Kjo e fundit nuk siguronte furnizim të pandërprerë, nuk merrte përsipër asnjë përgjegjësi mbi dëmin si për prodhimin në proces si për makineritë, bile as ndonjë orar furnizimi fiks si ai i ujit qyteteve. Aventurës të sjelljes së gjeneratorëve ju pre rruga shkurt, ndryshe nga biznese të tjera me gjeneratorë të vegjël, gjeneratorët duheshin të mëdhenj dhe ishin të patransportueshëm në rrugët e Shqipërisë. Aventurës që ndërmarrja të blinte energjinë jashtë e ti shërbehej me transportin ju tha jo. Askush nuk gjeti dot një zgjidhje. Që kjo është një histori e pasukseshme nuk vjen nga terapia e shockut, por vjen nga ngritja e një industrie me varësi nga lënda e parë e importit, nga mungesa e theksuar e energjisë elektrike që nisi që prej thatësirave të ’80 e vazhdoi proporcionalisht të përkeqësohej me përdorimin gjithnjë e më të madh të energjisë elektrike për konsum familjar, nga mos investimi në rinovimin e teknologjisë që kur e sollën kinezët, etj.
    Aq sa kemi të drejtë të gjejmë shkaqe në përgjithësi aq të drejtë kemi dhe për të gjetur shkaqe të brendëshme. Atyre pikëpyetjeve në do mund tu a gjesh përgjigjet kësaj rruge. Ajo që unë e di mirë dhe e them është se pjesë të industrisë shqiptare vazhduan të punonin, edhe pse në lëngatë të rëndë, deri më 1997. Ka të tjera që vazhdojnë punën. Ka që u mbyllën më herët.
    Pa e mbyllur e jo personalisht për ty,
    Duhet të dallojmë midis shitjes së biznesit dhe shitjes së asseteve që janë pjesë e tij. Duhet ta gjykojmë të mirën e përbashkët dhe pronën e përbashkët (publike – siç thuhet). Ndodh që këto të jenë e njëjta gjë, një lulishte fjala vjen e me plot gojë ti themi pasuri e përbashkët, por ndodh dhe që të jenë krejt të ndryshme, ndodh që e mira e përbashkët e do që prona të mos jetë e përbashkët, apo që ne të marrim më shumë të mira kur prona të mos jetë e përbashkët.

    1. CD,

      Te falenderoj per pergjigjen dhe per informacionet. Po ashtu dhe per detajet mbi funksionimin dhe gjendjen e ndermarrjeve ne 1991 si dhe per veshtiresite me te cilat u ndesh shteti dhe Qeveria e Stabilitetit ne ate kohe, veshtiresi keto plotesisht te besueshme dhe te kuptueshme per mua. Me lejo qe te perseris – dhe te theksoj – dhe nje here pozicionin tim, nga i cili u nisa te qe te shkruaj, c’ka une jo rastesisht e vura ne krye te shkrimit: Unë nuk mund të mos vlerësoj avantazhin që ne kemi sot, që të gjykojmë nga perspektiva 20 vjeçare, përkundër atyre që iu desh të peshonin alternativat dhe të merrnin vendime në kushtet e një kaosi total – politik, ekonomik, social, ideologjik – si ai i Shqipërisë në 1990.

      Mbi Terapine e Shokut dhe efektet e saj mbi ekonomine dhe shoqerine shqiptare kemi mendime te ndryshme, por kjo eshte OK. Diskutimet pro dhe kunder kane 20 vjet qe vazhdojne, disa (perfshi dhe mua ketu) e shohin Terapine e Shokut, ngutin dhe radikalitetin e reformave te saj, si shkaktaren kryesore te renies drastike dhe mandej te renimit ekonomik dhe shoqeror ne vendet ku u zbatua, disa te tjere e shohin arsyen tek dobesite dhe tek demet e bera nga sistemi i meparshem, disa te tjere ne dobesine e administrates dhe te shtetit, qe nuk ishte ne gjendje ti zbatonte dhe ti ndiqte efektivisht reformat e Terapise se Shokut. Megjithate, fakti qe ne vendet ku u be zbatimi turbo, radikal i Terapise se Shokut, kalimi ne ekonomine e tregut u shoqerua me renie drastike te prodhimit industrial, atij bujqesor dhe te standarteve te jeteses (Shqiperi, Rusi), kurse ne vendet ku reformat e Terapise se Shokut u bene me ngadale dhe hap pas hapi, efektet negative mbi prodhim mbi standartet e jeteses ishin shume me te buta (Cekia, Polonia), dhe ne vendet qe nuk u morren fare me TS, por ben nje kalim gradual ne sistemin e ri, nuk pati as krize dhe as renie standartesh (rasti i Kines), ky fakt duhet qe ti bej te mendohen perkrahesit e Terapise se Shokut…

      Une iu referova Qeverise se Stabilitetit sepse shume nga reformat me pasoja te Terapise se Shokut (ligjet per privatizimin e tokes, dyqaneve, ndermarrjeve) u miratuan dhe u filluan pikerisht ne kohen e shkurter kur kjo ishte ne krye te vendit. Zbatimi i tyre filloi ne ate kohe, por natyrisht qe ky proces vazhdoi pertej Qeverise se Stabilitetit dhe qeverite e mevonshme kane patjeter pjesen e tyre te konsiderueshme te pergjegjesise, ne mosreagimin per te korrigjuar ose zbutur reformat dhe pasojat prej tyre. A jam duke i rene ne qafe me te padrejte Gramoz Pashkos, kur them se ai ishte ekonomisti dhe politikani qe qendroi pas Terapise se Shokut ne Shqiperi? Nuk e besoj, por le t’ia leme te tjereve dhe kohes qe te gjykojne. A e teproj kur them qe FMN-ja dhe misionaret e saj arrogante ishin shtytesit kryesor ne propagandimin dhe ne zbatimin e doktrines se Terapise se Shokut ne Shqiperi? Absolutisht qe jo!

      Ne lidhje me privatizimin e banesave, ato, si dhe dyqanet, ishin pasuri publike e te gjithe shqiptareve dhe po ashtu u privatizuan xhaba, por nese privatizimi i banesave u ktheu te gjithe shqiptareve/cdo shqiptari/ kete pasuri te tyre, privatizimi i dyqaneve ua dha pasurine publike nje grushti njerezish, qe rastesisht apo jo-dhe-aq-rastesisht, u gjenden shites ne ato momente… Eshte dallim i madh ky, me duket, pavaresisht nese privatizimi u be xhaba apo jo… Privatizimi i banesave ishte nje reforme e sukseshme ne teresine e vet, perjashto problemin e shtepive qe kishin nje pronar te meparshem (problem qe u la hapur atehere, por e pafalshme qe kane kaluar kaq qeveri ne keto 20 vjet dhe ky eshte ende i pazgjdhur).
      Kurse per allishverishet dhe hilet e llogaritareve apo shefave te Tregetise, gjate privatizimit, mendoj qe ishte pikerisht mungesa e nje kornize ligjore dhe i nje sistemi kontrolli qe i mundesoi ato, gjera keto qe duhej te ishin ngritur perpara se te fillohej me privatizimin, për të shmangur korrupsionin, nepotizmin, vjedhjen etj. Une nuk them qe s’duhej te seleksionoheshin dhe me pas te privatizoheshin ndermarrjet, sherbimet, dyqanet etj, por qe ato te rifuteshin nje here ne pune pas krizes se tejzgjatur te viteve 1980, duke perdorur kapitale nga jashte (nga FMN-ja apo nga vende te tjera), te ngrihej korniza ligjore, sistemi i kontrollit dhe i drejtesise tu pershtateshin kushteve te reja, te krijohej nje asistence sociale elementare, dhe me pas te behej seleksionimi dhe privatizimi, me rregulla te qarta, te kontrolluara dhe me nje cmim fair. Ashtu sic bene dhe vendet e tjera te Lindjes (perjashtuar Rusine). A ishte kjo e pamundur per Shqiperine? A ishte shume vone per te bere keto ne 1991? Mua nuk me duket keshtu…

      1. …dëshira për tu përgjigjur është e madhe, detyra për të hequr më përpara mjegullën e viteve edhe më e madhe, koha ime … edhe dy minuta më tepër
        një retrospektivë e shoh të dmd-shme; nuk e di në do ta kem ndonjëherë kohën për këtë, në po do ta bëj…

  8. Kete e gjeta tek RD-ja.
    Ja vlen te kihet parasysh prej kujtdo qe shkruan per te shkuaren tone. Dhe te thellohet – ne mund- ne hollesite.

    Komisioni i Ekonomisë miraton marrëveshjen, Shqipëria i shlyen Jugosllavisë 3.6 milionë dollarë

    Blloku na la si trashëgimi 700 milion dollarë borxhe

    Shqipëria po vijon të shlyejë borxhet e akumuluara gjatë regjimit komunist ndaj republikave, të cilat kanë qenë pjesë e ish-Jugosllavisë. Komisioni parlamentar i Ekonomisë miratoi dje, marrëveshjen për shlyerjen e detyrimeve në vlerën 3.6 milionë dollarë ndaj Bosnje-Hercegovinës. Përfaqësuese e Ministrisë së Financave, Mimoza Loli, shpjegoi se, kjo marrëveshje riskedulon borxhin e vjetër ndaj këtij shteti të akumuluar nga marrëdhëniet tregtare me klering. Aktualisht, qeveria shqiptare është në negociata me 5 vende të tjera për shlyerjen e borxhit të trashëguar nga koha e regjimit komunist. Ministria e Financave synon që, brenda këtij viti të zgjidhë në mënyrë përfundimtare të gjitha borxhet e vjetra. Sipas Lolit shlyerja e të gjitha borxheve të vjetra, përbën një lajm shumë të mirë për karakterin e Shqipërisë në tregun ndërkombëtar të kapitaleve. “Marrëveshjet e para me vendet ish-komuniste kanë nisur në vitin 1998, por realisht vetëm nga viti 2006 e këtej është punuar me intensitetin e duhur për të riskeduluar gjithë borxhin e vjetër”, bën të ditur ajo. Pjesa e borxhit të pashlyer, por dhe të pariskeduluar është tashmë e vogël, nën 10 milionë dollarë. Pjesa e borxhit që vijon të shlyhet, pasi është riskeduluar, përfshirë dhe një pjesë që sapo është riskeduluar, por s’ka filluar ende të shlyhet, është rreth 130 milionë dollarë. Vetëm Greqisë, qeveria shqiptare i dha rreth dy vjet më parë, rreth 40 milionë dollarë, marrëveshja u firmos me ardhjen e Kryeministrit grek të atëhershëm, Karamanlis. Borxhi ndaj kompanive tregtare perëndimore deri në vitin 1995 kapte shifrën e 500 milionë dollarëve, por shumica e tij iu fal vendit tonë nëpërmjet Klubit të Londrës (1995). Pavarësisht se, Hoxha i kishte prishur marrëdhëniet me Perëndimin, nevoja për financim e detyronte t’u shtrinte dorën dhe të kërkonte borxh. Sikurse deklarojnë ekspertët e fushës, fakti se qeveria komuniste propagandonte në popull një politikë kundër Perëndimit, negociatat dhe marrëveshjet për kreditë nuk ishin publike, pra, bëheshin fshehtas, dhe kryesisht me shoqëri private. Po cilat ishin shtetet Perëndimore që ndihmuan Shqipërinë në kohën e diktaturës? “Borxhet tregtare janë marrë nga kompani private nga Greqia, Italia, Franca, Turqia, Zvicra, Gjermania, etj”, thotë Loli, ndërsa sa i takon vendeve të ish-bllokut komunist, pothuajse të gjitha shtetet e kanë ndihmuar Shqipërinë, duke i dhënë borxhe, madje dhe vetë Kuba apo Koreja e Veriut, që sot janë në krizë ekonomike.

    Borxhi i marrë që nga koha e diktaturës

    Nga viti 1945 dhe deri në 1991, periudhë kur nisi dhe përfundoi qeverisja komuniste, Shqipëria mundi të merrte borxh rreth 700 milionë dollarë. Sot, vendet e ish-bllokut komunist kërkojnë t’u kthehen sërish këto detyrime, ndërsa qeveria aktuale shqiptare përpiqet të gjejë kompromis për një kosto më të ulët. Aktualisht po zhvillohen negociata me disa vende, ku mësohet se qeveria shqiptare e ka njohur borxhin e marrë nga Enver Hoxha, për nevoja të vendit, por jo i gjithi do të shlyhet. “Borxhi i vjetër i marrë në kohën e komunizmit, i cili është njohur prej nesh dhe ka filluar të shlyhet prej disa vitesh, është rreth 200 milionë dollarë. Borxhi total i marrë në kohën e komunizmit është shumë më tepër se kaq (rreth 700 milionë dollarë amerikanë), por pjesa më e madhe e tij iu fal Shqipërisë gjatë viteve 1991-1995”, ka deklaruar për gazetën “RD”, drejtori i menaxhimit të Borxhit Publik, në Ministri të Financave, Xhentil Demiraj. Në shumicën e rasteve, borxhi është marrë në formë “malli” dhe është çmuar në “clearing dollar”, vlera e të cilit tradicionalisht vlerësohet me raportin 1:1 me dollarin amerikan (për efekt të zgjidhjes së borxheve të vjetra). Demiraj tregon se, shtetet nga të cilat qeveria komuniste e kohës kishte marrë më shumë borxh gjatë periudhës së komunizmit janë Rusia, Kina dhe Greqia, totali i të cilave i afrohej vlerës së 100 milionë dollarëve.

    Negociatat do të bëhen edhe me Kubën dhe Korenë

    Borxhi i marrë nga qeverisja komuniste e Enver Hoxhës, në rreth 55 vjet sistem, ka vënë jo pak në vështirësi qeverisjen aktuale demokrate, e cila prej katër vitesh po negocion me disa shtete lidhur me detyrimet e prapambetura. Ministria e Financave bën të ditur se shumë shtete, pavarësisht kohës dhe qëllimit të borxhit kërkojnë që t’u kthehet mbrapsht detyrimet, që në total arrijnë deri në 200 milionë dollarë. Harta e vendeve që sistemi komunist i kohës ka patur marrëveshje shkon deri në Kubën e largët të Fidel Kastros dhe Korenë e Veriut, i vetmi shtet pothuajse i izoluar nga pjesa tjetër e botës. Me të dyja këto vende, Ministria e Financave ka nisur negociatat për kushtet e pagesës së borxhit. Hapi i parë është njohja e detyrimeve nga palët dhe më pas mënyra sesi do të paguhet. Pikë e fortë diskutimi mes palëve mësohet të jetë shlyerja e detyrimeve nga interesat dhe kamatëvonesat, duke qenë se bëhet fjalë për periudha mbi 30-vjeçare. “Borxhi ndaj ish-vendeve komuniste, i njohur prej Shqipërisë dhe nën regjim shlyerje tashmë është në nivelin e 200 milionë dollarëve, ndërkohë që një pjesë e vogël është ende e pazgjidhur apo në proces negocimi si ai me Kubën apo Korenë e Veriut”, tregojnë ekspertët. Ata shpjegojnë formën sesi shteti shqiptar i kohës komuniste arrinte të merrte borxh. “Është e rëndësishme të theksojmë, se borxhi në kohën e komunizmit është kontraktuar në dy mënyra: me vendet ish-komuniste (apo të Bllokut Socialist) është marrë në formën e mallrave, nëpërmjet marrëveshjeve shtet me shtet dhe denominuar në “clearing dollars”, ndërsa me vendet Perëndimore është marrë kryesisht nga Banka Tregtare, kompani apo biznesmenë (pra, jo në mënyrë publike)”, sqarojnë më tej ata.

    Ecuria e borxhit në vite

    -Nga viti 1945 dhe deri në 1991, periudhë kur nisi dhe përfundoi qeverisja komuniste, Shqipëria mori borxh rreth 700 milionë USD

    -Vendet e ish-bllokut komunist kërkojnë t’u kthehen sërish borxhet, ndërsa qeveria shqiptare përpiqet të gjejë kompromis

    -Borxhi i vjetër komunist, i njohur nga qeveria, ka filluar të shlyhet prej disa vitesh dhe është rreth 200 milionë USD

    -Shtetet, nga të cilat qeveria komuniste kishte marrë më shumë borxh janë Rusia, Kina dhe Greqia, totali i të cilave arrin 100 milionë USD

    -Borxhi total i marrë në kohën e komunizmit është 700 milionë USD, por pjesa më e madhe u fal Shqipërisë gjatë viteve 1991-1995

    -Vendet dhe kompanitë Perëndimore i kishin dhënë Shqipërisë kredi tregtare, 500 milionë USD, kurse blloku komunist 200 milionë USD

    -Pjesa e borxhit të pashlyer është nën 10 milionë USD. Pjesa e borxhit që vijon të shlyhet është afërsisht 130 milionë USD

    -Nëse për këtë borxh të vjetër do të ishin aplikuar norma interesi gjatë gjithë periudhës së qenies së borxhit (në disa raste shkon në mbi 60 vite), atëherë s’do ishte çudi që borxh i marrë në kohën e komunizmit të arrinte vlerën e borxhit të marrë në 20 vitet e fundit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin