KINEZË

Kolegji Zgjedhor pritet që të japë më datën 13 qershor vendimin e tij të fundit lidhur me zgjedhjet lokale në Shqipëri, i cili sipas gjasave do të konfirmojë ligjshmërinë vendimit të KZQ nr. 709 të datës 23 maj lidhur me cilësimin si të vlefshme të votave të hedhura në kutitë e gabuara, të cilat përmbysin rezultatin paraprak të datës 14 maj, që nxirrte fitues kandidatin e të majtës me 10 vota më shumë. Nëse diçka e tillë do të ndodhë, do të thotë që Edi Rama i ka humbur faktikisht zgjedhjet dhe duhet t’i lërojë vendin rivalit të tij Lulëzim Basha, gjë që shpresoj ta kryejë pa qenë nevojë të provokojë dhunën fizike në rrugë.

Një shije paraprake për atë që pritet të ndodhë e la vendimi i disa ditëve më herët i të njëjtës gjykate, e cila me një vendim të formës së prerë la në fuqi aktet e KQZ lidhur me ndryshimin në tavolinë të rezultatit zgjedhor.

Unë jam i bindur, se kjo ka për të qenë një ditë turpi në historinë e shtetit ligjor shqiptar, pasi një gjykatë e lartë do të miratojë botërisht shkeljen e ligjit.

Dhe ja se si është shkelur ligji.

Siç është thënë edhe në një shkrim të mëhershëm në këtë blog, hedhja e e fletëve të votimit në kutitë e gabuara nuk përputhet me mënyrën e parashikuar në ligj për kryerjen e votimit, që do të thotë se kështu është djegur vota. Këtë e konfirmon edhe rregullimi ligjor i pavlefshmërisë së votës, kur fleta e votimit nuk ka ngjyrën e parashikuar me vendim paraprak të KQZ. Praktika e zgjedhjeve të deritanishme nuk e ka vënë në diskutim këtë rregullim; dhe nuk ka pasur se si, pasi ligjvënësi parashikon vetëm detyrimin e zgjedhësit për hedhjen e votës vetëm në kutinë përkatëse. Për nga natyra e fenomenit nuk mbetet hapësirë për një interpretim alternativ, pasi vota për të qenë e vlefshme hidhet në kutinë përkatëse dhe basta!

Pa qenë nevoja të përsëriten argumentet tashmë të njohura, KQZ ka shkelur ligjin, kur me Vendimin 709 vendosi t’i konsiderojë ato si të vlefshme. Vendimi është qepur me penj të bardhë, gjë që duket që në ballë të tij, kur këto vota konsiderohen si të hedhura aksidentalisht, ndërkohë që faktikisht është e pamundur të dihet kjo e vërtetë. Fakti që 250.000 fletë-votimi të vlefshme u ndanë midis kandidatëve rivalë 50% – 50% dhe rreth 250 fletë të hedhura gabimisht 33% – 66 % lë të kuptojë se mund të ketë pasur një dashje për këtë sjellje të zgjedhësit, i cili ka përdorur kutinë e gabuar. Gjithashtu presupozimi se 250 zgjedhës anonimë kanë vepruar aksidentalisht është i huaj për realitetin. Dua të them, se po të pyesim një polic trafiku, se sa e mundur është, që ndër 250.000 shofere që kanë kaluar semaforin me ngjyre jeshile; ata 250 që e kanë kaluar me ngjyrë të kuqe e kanë kryer këtë të gjithë aksidentalisht, ai me siguri – në rastin më të mirë – do të na shikojë me shumë dyshim.

Se ku përfundon shpesh ai që kapërcen semaforin me të kuqë, kjo dihet.

Megjithatë edhe kjo është një temë e ezauruar, por le të marrim si të mirëqenë faktin, se ligji paska pasur një boshllëk për kutitë e gabuara (që nuk është e vërtetë) dhe se këto 250 vota janë hedhur aksidentalisht (që gjithashtu nuk ka se si të jetë i vërtetë). Pra le të besojmë se vendimi 709 është një vendim i marrë pa asnjë dashakeqësi dhe të kontrollojmë aspektin antikushtetues të tij, i cili për mendimin është sa aq flagrant, aq edhe joprofesional.

Vendimi rregullon detyrimin e marrjes në konsideratë të votave të hedhura në kutitë e gabuara vetëm për një pjesë të territorit, duke shkelur parimin kushtetues të parashikuar në nenin 45 parag. 4 të Kushtetutës: “Vota është vetjake, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë.“ Por çdo të thotë që “vota është e barabartë”? Kjo do të thotë, që të gjitha votat vlejnë dhe merren në konsideratë në mënyrë të barabartë. Në një demokraci nuk mund të ndodhë, që një votë e hedhur në A apo nga AA të këtë një status të ndryshëm nga vota e hedhur në B apo nga BB, pasi ato janë të gjitha të barabarta. Por çfarë ndodhur me vendimin 709 të KQZ?

Votat e hedhura në Tiranë në kutitë e gabuara kanë një status tjetër nga votat e hedhura në kutitë e gabuara të pjesës tjetër të territorit, pasi në Tiranë ato numërohen e ndërsa të tjerat jo. Nëse KQZ do të gjente të nevojshme cilësimin si të vlefshme të votave të hedhura në kutitë e gabuara, do të duhej ta bënte këtë për të gjithë territorin e Republikës; në momentin që ajo e bën këtë vetëm për Tiranën, ajo shkel parimin e barazisë së votës, të parashikuar në Nenin 45 parag. 4 të Kushtetutës.

Nëse KQZ do të rregullonte statusin e votave të hedhura në kutitë e gabuara në të gjithë territorin e Republikës, do të duhej ta bënte këtë me një akt normativ, pra me miratimin e shumicës së cilësuar, gjë që e bën si vendimin 709 e KQZ ashtu edhe të të Kolegjit Zgjedhor të datës 3 qershor shumë të dyshimtë.

Por KQZ shkon edhe më tutje. Në një deklaratë të datës 24.05.2011 KQZ sqaron:

Që KQZ ishte e vendosur të numëronte çdo votë e konfirmon fakti i bërë publik gjatë transmetimit ‘live’ të mbledhjeve, kur kryetari i Komisionit i kërkonte në mënyrë të përsëritur subjekteve pjesëmarrëse në proces e të paraqisnin çdo sinjal, informacion apo dokumentacion që lejonte identifikimin e këtyre votave dhe të kutive ku ishin hedhur ato.

Por çdo të thotë kjo praktikisht. Vota të hedhura në kuti të gabuara fitojnë vlefshmërinë e tyre pasi subjekte pjesëmarrëse në procesin zgjedhorvënë dijeni për këtë fakt KQZ, i cili bën rehabilitimin e tyre. Pra përsëri mund të dallojmë në vota të vlefshme sepse janë hedhur në kutitë përkatëse sipas nenit 106 parag. 2 të Kodit Zgjedhor dhe vota të hedhura në kutitë e gabuara, të cilat nuk e fitojnë automatikisht vlefshmërinë e tyre me aktin e votimit si ato të mësipërme, por vetëm pasi kanë kaluar në një procedurë suplementare, e cila nga ana e saj, nuk aplikohet përgjithësisht, por me kërkesë. Këto votat e dyta bëhen të vlefshme vetëm kur vihet një mekanizëm shtesë në lëvizje. Pra, që ato të vlejnë, nuk mjafton vetëm veprimi i zgjedhësit, por duhet edhe diçka më tepër.

Kjo diçka tjetër, pavarësisht se gjithnjë do të ishte e kundra ligjshme, mund të kishte mbetur si një gabim teknik, sikur të kishte plotësuar të paktën këto tre kushte:

  1. Rregullimi të kishte dalë përpara ditës së zgjedhjeve, në mënyrë që kandidati të kishte mundësi objektive të vinte në dijeni zgjedhësin e tij potencial për rrezikun e vlefshmërisë apo pavlefshmërisë së votës së hedhur në kutinë e gabuar,
  2. Rregullimi të mbulonte të gjithë territorin e Republikës,
  3. Rregullimi të kishte papërjashtimisht karakter detyrues për komisionet e numërimit të votave, pra jo “paraqitjen e çdo sinjali, informacioni apo dokumentacioni që lejonte identifikimin e këtyre votave” në KQZ, por numërimin e këtyre votave si të vlefshme gjatë procesit të numërimit.

Deklarata e KQZ e datës 24.05.2011 tregon, se procedura e numërimit të votës nuk është unike dhe gjendet në transformacion, gjë që bie haptazi në kundërshtim me Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor, që sanksionojë barazinë e votës.

Ditët e fundit është dëgjuar shpesh të përsëritet, se numërimi i votave të hedhura në kutitë e gabuara në Tiranë është i nevojshëm për shkak të numrit të vogël me të cilin kryesonte Rama më14 maj. Ky argumentim nuk është i arsyeshëm, pasi votat nuk numërohen në relacion me rezultatin, por janë ato që numërohen të gjitha dhe pastaj japin rezultatin.

Ditët e fundit është dëgjuar shpesh të përsëritet, se duhet të numëroheni të gjitha votat, pasi ato janë vullnet i popullit, por në fakt deri tani janë numëruar vetëm votat e një pjese të popullit, atij të Tiranës; pra si retorikë më duket kryekëput boshe. KQZ për këtë argument shprehet më datë 24.05.2011:

Përtej pretendimeve të gënjeshtërta dhe dezinformuese të hedhura në shtyp, KQZ rithekson dhe njëherë se vullneti i saj, për të vlerësuar dhe numëruar çdo votë të panumëruar të shqiptarëve është një parim i palëkundur ligjor, të cilit Komisioni i përmbahet me fanatizëm.

dhe miraton pastaj vendimin 709 për numërimin vetëm të votave të hedhura në Tiranë në kutitë e gabuara, a thua se ata që nuk jetojnë në Tiranë janë kinezë.

Nuk ka komente

  1. Eshte nje tipe andej nga Peshku qe parashikon cdo dite fundin e botes ne cdo koment. Keshtu me ngjasin dhe analizat qe aludojne (ketu e dy vjet) qe po nuk u konfirmua Edi Rama ne cfaredo qe aderon apo kerkon ai (i.e. hapjen a po mbylljen e kutive, sipas rastit) kjo do te thote qe botes do ti vije fundi, ose te pakten botes ligjore dhe botes se drejte e demokratike.

    Nigga please! – do thoshte ndonje zezak ketej.

    1. Më fal për pyetjen, po esëll je ti kur shkruan këtu, apo je gjë i mangët nga trutë?

      Sinqerisht, se vetëm për kësi palaçollëqesh që nuk jam mangët. Unë hodha një shkrim, i cili mirë apo keq, i referohej një problemi të rëndësishëm dhe u mundova ta trajtoja atë aq sa dija nën frymën e ligjit. Tani vjen ti (që vjen për ditë) dhe flet kësi marrëzish.

      E di si është puna mik? Kur gjërat nuk të hyjnë në kokë, hesht.

      Dhe nuk ka nevojë për asnjë replikë personale.

      Në kuptimin që “QEPE!” dhe shko e gjej shokët e tu për replika boshe.

    2. xhibi,
      fiton apo s’fiton Edi Rama nuk ka rendesi para shkeljes flagrante te ligjit: per mendimin tim u sajuan vota te paqena e te gabuara per te permbysur rezultatin e zgjedhjeve. Duke kryer ne kete menyre fazen e dyte te grushtit te shtetit qe u be ne janar me perdorimin e armeve ne shesh.

      Rrofte Shqiperia Etnike!

      Nipi

      ps
      Kujtoj vetem nje element domethenes te artikullit per te cilin po shkruajme: numerimi i votave “te gabuara” vetem ne Tirane.
      Dhe persa i perket botes ligjore dhe demokratike, mos e ngaterro me katrahuren shqiptare.
      Dhe e fundit: une po pres akoma te dalin ne televizor ata qe sulmuan kryeministrine me çadra-pistoleta, dhe qe te denohen presidenti i republikes dhe kryeprokurorja per konspiracion siç akuzoi kryeministri, ndryshe duhet te largohet ai vete.

  2. Ketu absurdi kap maja edhe me te medha se ky qe eshte vene ne dukje ne kete shkrim, sepse jo vetem qe vota s’ka te njejten vlere ne te gjithe territorin – ne Tirane vlen nje çike me teper – por edhe vete brenda ne Tirane, madje edhe per te njejtin person, vota s’ka te njejten vlere. Se Presidentit te Republikes, njera vote iu quajt e vlefshme (ajo per kryetarin e bashkise qe kishte hedhur gabimisht ne kutine e keshillit te Tiranes) ndersa tjetra (ajo per keshilin bashkiak qe gabimisht e kishte hedhur ne kutine per kryetarin e bashkise) iu quajt e pavlefshme dhe nuk iu numerua.

    Ku ndryshon njera nga tjetra, une nuk e di. Se ndersa mund te kete nje kriter diskriminues (megjithese i papranueshem) e te thuhet qe nje kryeqytetas ka te drejten ta hedhi voten ku t’i doje qejfi, ndersa gjithe te tjeret t’i bejne syte kater ose perndryshe ta qajne voten e hedhur gabim, ne rastin e Topit, qe eshte i njejti person, ka ne dore dy flete qe i hedh te dyja gabim, dhe njeren ia quajne ndersa tjetren jo. Kete nuk e kuptoj une, si e kane zgjedhur kush eshte e mire e kush eshte e keqe.

  3. Ja me ne fund Kolegji foli dhe dha verdiktin Ramist dyvjecar-kutist: Te hapen te gjitha kutite.

    Freskllik i madh tani, votat do c’klaustrofobohen dhe regjimi i kusarise dhe matrapazllekut i Saliut s’do mundet me ti mbaje kutite te mbyllura forcerisht ngaqe e di qe ka humbur.

    Jemi te kenaqur me kete vendim apo presim qendrimin e Rames dhe Berishes para se te marrim vesh ca mendojme vete?

    Te pakten te kemi shpetuar nga kijameti qe u parashikua te ndodhte sot…

    P.S. Pishak, tani them se ka ardhur koha te shkruash artikullin vijues, s’ke ca pret me. 🙂

  4. …..”duhet t’i lërojë vendin rivalit të tij Lulëzim Basha” ………..
    S’me pelqen perdorimi i foljes lëron ne vend te liron, pasi dy foljet kane kuptim fare te ndryshem.
    E bej kete verejtje sepse perdorimin e foljes lirim ne lakime te ndryshme e kam ndeshur shpesh me zevendesim te panevojshem (apo te pamotivuar) te germes “i” me germen “ë”, qe e ben pak si “gjuhe fshatare” kete fjale (e verteta eshte se ne disa zona e perdorin me kete kuptim foljen lërim).
    Ne-apo te pakten une – kam mesuar se lërohet ara, e kjo eshte nje procedure me disa faza e qe ska te beje fare me ate qe token, apo aren e kemi liruar.
    Ndoshta e kam gabim, por ata qe e ndjejne veten më ekspert te fushes mund te na “japin pak mend” si eshte e verteta.

    Sa per temen ne fjale, mos u lodhni kot se Sala edhe kete here e dribloi Edin. Aresyeja eshte se Edi nuk eshte politikan por piktor (ne fakt klasat politike ne Shqiperi jane te mbushura me artiste, rast tipik: Arben Imami). Nga kjo pikepamje “politikani” Berisha ja hodhi “politikanit” Rama.
    Konkluzioni im: keta duhet te hidhen ne plehra me gjithe langonjte qe i rrethojne se u ka ikur koha.

    1. Është gabim i imi.
      Natyrisht, kam dashur të them “lirojë”, në kuptimin “t’i hapë vend”, “t’i bëjë vend”.
      Përndryshe edhe unë jam i mendimit, se humbja e PS në Tiranë përfaqëson humbjen e merituar të sistemit, me dy kampe politike identike, pa etikën minimale të nevojshme për drejtimin e punëve të shtetit, të cilat funksionojnë vetëm si paterica të të njëjtit pacient me një këmbë në varr.
      Në këto rrethana do të duhej që të paktën sistemi të merrte formën e merituar, një-partiak, me një tiran, në mënyrë, që vetë mashtrimi narkotik i demokracisë dikur të gjente dikur një fund.

  5. I forte eshte ky xhibi, per zotin. Dy komente me siper i rrasin nje shpulle kokes dhe ka sy e faqe te vije perseri ne te njejten teme, por jo per t’u sqaruar, siç do duhej, por per te vazhduar muhabetin sikur s’ka ndodhur gje. Dy jane mundesite ketu; ose ka ngrene kaq shume shpulla kokes – çdo kush qe kalon i rras nganje – dhe eshte bere kokeshpulle e nuk ia ndjen me; ose keto jane pasojat negative te te shkruarit te peshku, si vajze. Nejse me, se une u ndjeva ne siklet per te, dhe prandaj po shkruaj, po ne te vertete s’me intereson shume se ç’ben ai. Keto shfaqje sidoqofte, nuk jane te hijshme.

    Ndersa ajo qe po ndodh me zgjedhjet mua me duket njelloj sikur ke nje patate te nxehte ne dore, qe s’e mban dot, por te duhet ta kalosh disa here nga njera dore te tjetra, deri sa t’i bjeri temperatura e te behet e gelltitshme. Keshtu edhe KQZ-ja ia kalon Kolegjit, e Kolegji ia kalon KQZ-se, e KQZ-ja do ia kaloje prape Kolegjit, deri sa te na lodhin e ta hajme sa krahu. Ne kete proçes e vetmja gje e lezetshme dhe objekt gallate eshte te shikosh sesa trashe e bejne kete loje. Sepse te thuash, siç tha kolegji, hap kutite ku ndodhen vulat (materialet zgjedhore) dhe numero fletet e votimit te hedhura gabim – kur e shumta aty ndodhen vetem fletet e kontestuara qe s’kane asnje lidhje me ato qe jane hedhur gabim se keto jane quajtur te pavlefshme – eshte shume e trashe si gjetje.

    Keshtu qe mendoj se edhe tifozi gjerman s’e ka gjetur mire krahasimin – driblimi nenkupton klas, ndersa kjo ishte diçka e trashe dhe e bere sa per te shtyre kohen e veren bashke me te; por edhe nese driblim ka qene, ky futet tek ata te keqijte, tek kalimi per shalesh; dhe nuk e di o Tifoz nese luan futoboll, por ne shqiperi e gjithandej, po e perserite shpesh kete pune, te siguroj une qe heret a vone t’i thyejne kembet; kjo eshte edhe arsyeja pse Ronaldo apo Messi – qe pergjate nje ndeshje mund te bejne sa te duan – mjaftohen me nje ose dy e nuk rrezikojne kaq shume sa po ben saliu.

  6. Noftkat tuaja shtohen neper internet gjate fushatave si kinezet nente muaj pas vitit te ri.

    Bash pse juve e shikoni diskutimin politik si shenim a pesim goli personal, dhe nga fakti qe frustroheni me shume kur prisni krietarin qe te flase (e pastaj te dini dhe juve ca mendoni) sesa kur prisni te dashuren, ngjani si rinoceronta me tanga. Dmth ne mendjen tuaj jeni si gjithe bota duke bere plazh se keni mbuluar dygisht-gjene.

    Shpresoj tju orientojne sa me shpejt se ca duhet te mendoni se rrezikoni tju digjet kandelja.

    Ju duhet te ofshani dhe protest-gomadjegoni pa pushim se po ndenjtet pak kohe pa bere zhurme ka rrezik te kthjelloheni dhe ta kuptoni qe jeni grupimi me i deshtuar politik sipas gjasave; keni me shume votues si parti se partia e Berishes por nuk e mundni dot pavaresisht te metave dhe negativitetit te tij te madh ne popull. Dmth ne nje fare menyre juve jeni arsyeja kryesore pse Berisha vazhdon te jete akoma sot ne politike dhe ne krye te PD-se, veshtire te mendohej pas 97-tes e pas Gerdecit qe sot Berisha do ishte jo vetem ne pushtet, po ne krahasim me juve do dukej para popullit dhe botes si pala me e arsyeshme dhe ligjore.

    Shyqyr qe s’ju le krietari te kthjelloheni se do ju beheshin pucrat mal.

  7. Xhaxha, nuk e kam marrë vesh ndonjëherë, pse pranoni komente si këto të Xhibit më lart ? Na është shpifur dhe neveritur ideja e të komentuarit dhe lexuarit në këtë blog, për shkak
    xhibllëqesh të tilla.

    Nuk besoj se ka ngelur pa u marrë vesh, që ky lloj robi kërkon rregullisht të krijojë konflikte artificiale, që më pas të degjenerojë temat, arsyen dhe qëllimin për të cilin janë shkruar.

    Përveç etikës formale në përdorimin e fjalëve, ka dhe një etikë tjetër morale, apo “frymë të shkruari”, e cila duhet respektuar, përndryshe diskutimi nuk funksionon.
    Nëse keni mundësi, merreni parasysh ju lutem.

  8. Jam shume dakord me J. edhe une Xh2 per sa i perket etikes se te shkruarit. Xhibi e ka qelbur fare.

    Ja per shembull se si duhet trajtuar tema ne fjale.

    Pifto tha :Më fal për pyetjen, po esëll je ti kur shkruan këtu, apo je gjë i mangët nga trutë?Sinqerisht, se vetëm për kësi palaçollëqesh që nuk jam mangët. Unë hodha një shkrim, i cili mirë apo keq, i referohej një problemi të rëndësishëm dhe u mundova ta trajtoja atë aq sa dija nën frymën e ligjit. Tani vjen ti (që vjen për ditë) dhe flet kësi marrëzish.E di si është puna mik? Kur gjërat nuk të hyjnë në kokë, hesht.

    Ndersa Xhoni tha: “….ose je kokeshpulle ose keto jane pasojat e te shkruarit si vajze te peshku”.

    Te dyja komentet e sipercituara ishin te drejtperdrejta dhe shume informuese mbi temen. Ky duhet te jete standarti!

  9. Xhibit ia kam thënë disa herë – duke shkruar shpesh dhe fort edhe te Peshku pa Ujë edhe këtu në PTF, ai nuk arrin të dallojë mirë mes këtyre dy mediumeve; gjë që unë si administrator mund ta toleroj përkohësisht, sa kohë që nuk shoh foul play, por tek e fundit nuk mund ta lejoj të shndërrohet në normë.

    Meqë ra fjala, unë ju lutem të gjithëve që të heqin dorë nga ironitë, batutat dhe thumbat, sidomos kur nuk janë të sigurt se personi të cilit i drejtohen i mirëpret ato. Hapësira e komenteve mund të përdoret për gjithfarë lloj punësh, por jo për dyluftime mes komentuesve (ose si urinore publike).

    Ju lutem gjithashtu të gjithëve që, edhe për tema politike, të shprehen vetëm kur kanë ndonjë gjë për të thënë; ndonjë gjë me interes për temën, jo për ata vetë si persona. Interesi im është ta mbaj debatin në një nivel të caktuar, sepse ashtu edhe trollët e rastit nuk do të afrohen, as do të më hapin punë. Për ta arritur këtë, megjithatë, më duhet bashkëpunimi juaj.

    1. 2xha, mundesh te me thuash me kokretisht, persa me permend mua me siper, ku qendron problemi me komentet e mia?

      nuk e them kete si karshillek, afermendsh; ketu jemi ne bujtinen tende. thjesht po perpiqem te kuptoj kritiken, qe ta di ku po e shkel a bej balte dmth

      flm

      1. Shkruan:

        Noftkat tuaja shtohen neper internet gjate fushatave si kinezet nente muaj pas vitit te ri.

        Akuzon njeri se po shkruan me disa pseudonime?

        fakti qe frustroheni me shume kur prisni krietarin qe te flase

        Ajo i-ja e krietarit është shumë e çalë; aluzion ndaj dialektit të Gjirokastrës.

        Shpresoj tju orientojne sa me shpejt se ca duhet te mendoni se rrezikoni tju digjet kandelja.

        Me kë e ke këtu? Me kolegët në diskutim?

        Shyqyr qe s’ju le krietari te kthjelloheni se do ju beheshin pucrat mal.

        Përsëri e njëjta shaka e konsumuar, me y-në e kthyer në i. Mungon vetëm emotikoni i LOL-it.

        Nigga please! – do thoshte ndonje zezak ketej

        Konfidencë e tepruar, me një person të cilin ti nuk e njeh fare.

        Po ashtu, një analizë serioze që kish bërë Piftoja, ti e krahasove – pa e arsyetuar këtë – me komentet e një personi te Peshku (përsëri te Peshku) që parashikon fundin e botës.

        Xhibi, të gjitha këto janë shumë banale; dhe provokojnë banalitete si përgjigje. Të lutem hiq dorë nga ky ton – nuk i përshtatet blogut. Ky diskutim mbyllet këtu.

  10. Brenda dy muajsh, në Itali, populli shkoi dy herë në kutitë e votimit… herën e fundit me nga katër skeda votimi të ndryshme (bile, në Milano kishin edhe 5 të tjera shtesë); 3 orë pas mbylljes së votimeve dihej numri i saktë i votuesve dhe vetëm një natë më pas dihej rezultati zyrtar përfundimtar (25milionë votues!!!).
    Përveç mrekullisë (që mrekulli nuk është) së numërimit në kohë, këtu (nuk) të bën përshtypje që askush nuk shqetësohet për “të drejtën e votuesit” që ka gabuar kutinë e votimit… ato vota janë thjesht: Të djegura.

    P.s: Një arsyetim me llogjikën e çobanit: Nëse votat s’do ishte e rëndësishme që të hidheshin në kutitë e duhura, atëhere përse janë lodhur të venë katër kuti të ndryshme? A nuk do ju mjaftonte që të vinin vetëm një dhe më pas të seleksiononin skedat?!

    1. Edrus, më fal për saktësimin, por ligji italian, sikurse praktika, dëshmon se votat e hedhura gabimisht në tjetër kuti votimi janë të vlefshme. Për siguri, pyeta një kolegen time që është “Presidente di seggio elettorale” prej shumë vitesh. “Kur hapen kutitë, më tha, në rast se gjenden fleta votimi të hedhura gabimisht, zhvendosen menjëherë tek grumbulli i ngjyrës që i takon”. Pra NUK digjen.
      Po ta shkruaj thjesht se e ke të pasaktë informacionin, jo për të bërë ndonjë lidhje instrumentale me realitetin shqiptar.

  11. Sot gazeta Mapo ka nje artikull te Peter Berkowitz ( origjinali ne anglisht gjindet ne peterberkowitz.com), nje profesor i jurisprudences ne George Mason University dhe ekspert i Hoover Institute te Stanford University i cili ka shkruar per ceshtjen Bush vs Gore. Meqenese Pifto dhe Ena tentojne te na bindin se nuk mund te kete interpretime ligjore te cilat mund te qendrojne pervec atij qe ata sjellin ne rastin e tanishem te zgjedhjeve lokale, besoj se artikulli ka interes jo aq per opinionin ligjor te autorit ( ne vetvete autoritet jo pa peshe) por per parashtrimin e qarte te dy perspektivave ligjore te kunderta, dhe ne te njejten kohe racionale.

    Do shtoja ketu qe ka shume vite qe “beteja” e rrymave konservatore dhe liberale ne gjykaten supreme amerikane eshte e mirenjohur dhe e shumepublicizuar. Debatet e shpeshta publike(per standartet e nje gjykate te mbyllur si Supremja Amerikane) Breyer-Scalia perbejne tashme lexim interesant jo vetem per juristet por edhe per ata qe interesohen nga jashte per ceshtje te ligjit.

    Une po e vendos hiperlinkun me poshte, por le te vendose Xh2shi ne ka interes apo jo. Dua te theksoj vetem pasazhin e meposhtem : …Njohja e këtyre përmasave politike të Bush v. Gore nuk do të thotë se shumica shmangu ligjin dhe u përfshi në politikë, me qëllim avancimin e preferencave të tyre politike…

    PS: nuk marr asnje pergjegjesi per perkthimin e Mapos por besoj se ideja e shkrimit del e qarte.

    http://www.mapo.al/index.php?z=blog&bcategory=Peter%20Berkowitz&id=1087

    1. Unë thashë vetëm, që në ligj thuhet: “Vota hidhet në kutinë përkatëse”. Ti dhe Partia jote e kthyet ligjin me kokëposhtë dhe thatë:” Vota hidhet edhe në kutitë e gabuara”.
      Unë besoj se ti dhe Partia jote keni vepruar në mënyrë të kundraligjshme për të përmbysur një rezultat elektoral të gjetur fillimisht duke zbatuar me përpikëri ligjin.
      Ta bësh këtë që bën ti dhe Partia jote aksidentalisht është një pakujdesi flagrante që e shumta të diskualifikon profesionalisht, të paktën deri në momentin që e kupton gabimin dhe tërhiqesh duke kërkuar ndjesë dhe duke u kujdesur para së gjithash, që pasojat e veprimit tënd të gabuar të korrigjohen.
      Të këmbëngulësh në zbatimin kokëposhtë të ligjit për ndryshimin e rezultatit elektoral është krim.
      Ti justifikon një krim dhe për këtë të shkruaj prej ditësh. Duhet të jesh vërtetë jashtëzakonisht i pafytyrë, pa karakter dhe pa moral që e bën këtë.
      Ti duhet të jesh edhe krejtësisht i paditur dhe i paorientuar në çështjet që kanë të bëjnë me shtetin ligjor dhe zbatimin e ligjit sepse nuk ka asnjë kuptim t’i referohesh sistemit amerikan elektoral për të gjetur zgjidhjen e konflikteve eventuale elektorale në Shqipëri. Nuk ka asnjë ngjashmëri midis sistemeve juridike, praktikave gjyqësore, përmbajtjeve politike të predispozicioneve të palëve në konflikt, dhe para së gjithave asnjë nevojë konkrete për harmonizimin e mënyrës së zgjidhjes së konflikteve shqiptare me atë amerikane.
      Se në fund të fundit, pse do të duhej marrë për referencë sistemi elektoral amerikan dhe zgjidhja e konflikteve elektorale brenda atij sistemi për t’u dhënë udhë konflikteve të brendshme të sistemit elektoral shqiptar? Ku është logjika për këtë? Nuk ka asnjë kuptim kjo që thua ti! Është thjeshtë boshe.
      Fakti që hyn me ambicien për të paraqitur një lloj ekspertize në këtë çështje, ku nuk e ke idenë, tregon se nuk je njeri serioz.
      Dhe e fundit, fakti që interpretimin e zgjeruar të ligjit elektoral që bën ti dhe Partia jote për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve e cilëson si një “këndvështrim konservator” të bën edhe hajdut të koncepteve, njësoj si ai komunisti që të paguan.
      Në këtë histori nuk je ti konservatori, por jam unë. Tipike për qëndrimin konservator nuk është interpretimi i zgjeruar në ekstrem i ligjit, por zbatimi rigoroz i tij dhe në rast nevoje interpretimi i ngushtë dhe vetëm në raste të skajshme. Pra jo ta marrësh ligjin dhe ta bësh çorap, por ta respektosh një-për-një.
      E kupton këtë?
      Je aq i aftë mendërisht të kuptosh se çfarë paradoksi është të thuash “jam konservator” sepse vota për të qenë e vlefshme “nuk hidhet vetëm në kutinë përkatëse” siç thotë ligji por edhe në “atë të gabuar” si nuk thotë ligji “?
      Por ti dhe Partia jote jeni mashtrues, ju i vidhni hapur petka të huaja për të fshehur karakterin e vërtetë tuaj, për të zbardhur faqen tuaj tashmë të zezë të nxirë.
      Ju jeni maskarenj dhe përdornin konservatorizmin për të fshehur karakterin tuaj të vërtetë.
      Keni 20 vjet që e bëni këtë dhe kjo është shumë e trishtuar.
      Në këtë kuptim të thashë që hiqu për ca kohë sysh, se ti je një turp publik në këtë blog dhe se këtu nuk të ndihmon gjë biografia që sikur fillove ta përmendësh para ca ditësh, për të treguar, se çfarë zotnie qenke, a thua se kush të ka pjellë ty apo mua ka pasur ndonjëherë ndonjë rëndësi, për çfarë shkruajmë.

      1. te pergezoj ty dhe xh2shin per sensin e etikes qe ruani ne kete blog. Nuk kam ndermend te harxhoj asnje sekonde per te te mesuar ty te lexosh e as te sillesh, do ishte kohe humbur. Pastaj ti e di qe une nuk te marr kurre seriozisht, humbas kohe me ty si xh2 me Ngjelen pa asnje pritshmeri. Ti me nderon gjithnje duke treguar veten.

  12. Nje mendim desha te jap lidhur me rezultatin provizor te zgjedhjeve.
    Me ato qe kam lexuar, del rezultati ka qene shume i ngushte. Ky rezultat i ngushte mua me ngjall dyshim duke konsideruar se Tirana ka gati 800 mije banore (siç kam degjuar).
    Nga statistikat del se diku 255 mije ka qene numi i votuesve. Ne nje numer kaq te madh votuesish, diferenca qe u thane ne fillim deri ne 10 vota, me duket pak si e pabesueshme.
    Kur ka trende preference per njerin apo tjetrin kandidat, me duket e dyshimte kaq diference e vogel.
    Them ose Edi do te kishte fituar ngushte me + disa qindra vota, ose Luli po ashtu me + disa qindra vota e kjo do te ishte e ngushte. Nga hesapet qe bera (pjesto 10 me 255 mije del 0,0039 perqint diference. Kjo me duket e cuditshme. Nuk them se ska cudira, por kjo te con ne dyshimin se rezultatet mund te ishin afer, por jo kaq, dhe prandaj i humburi mund te filloje makinacion per ti sjelle afer, e pastaj per tja kaluar me “pak”.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin