MUZEOFOBIA

Muzeu perfekt, ose ideal do të kishte një objekt të vetëm – për shembull, La Gioconda në Louvre, De Nachtwacht i Rembrandt-it në Rijksmuseum, Cappella Sistina në Musei Vaticani.

Natyrisht, asgjë nuk mund ta zëvendësojë torturën e ëmbël të pritjes, duke rrëshqitur sytë nga një kryevepër në tjetrën, duke shkëmbyer vështrime dhe kundërmime me vizitorë të tjerë, teksa tërheq këmbët e rraskapitura në dysheme, duke parë herë pas here nga baxhat gjysmë të hapura në tavan, me shpresë se mund të të dalin befas kahë si engjëjve në pikturat dhe të fluturosh që andej sakaq, për të shpëtuar.

Përndryshe do të duhet, herët a vonë, t’ia pranosh vetes që Louvre-i, bie fjala, me pasuritë e paçmuara që fsheh në gji, rrezikon të shndërrohet në antipastë për Mona Lisa-n, ose në kontekst të një vepre që, sado e madhe dhe unike, nuk është veçse një hallkë në vargun e historisë së pikturës në Perëndim.

Eppur si muove, do të thoshte Galileo-ja, për radhën e turistëve.

Në Vjenë, kam vizituar Muzeun e Armëve dhe të Korracave, i shtyrë fillimisht nga nevoja për të stërvitur instinktin tim patriotik – ose për të parë përkrenaren dhe shpatën e Skënderbeut. I kishin ekspozuar, nuk mbaj mend pse, mu në hyrje të muzeut, te një sheshpushim mes shkallëve; pas kësaj eksperience, vizita në muze vetë ishte diçka si një tepsi me bakllava që ta sjellin në tavolinë pa e porositur – e madhërishme, por e papërballueshme.

Me dhjetra; madje me qindra armura kalorësish, metalike dhe vezulluese, të gjitha të ngjashme por të gjitha të ndryshme mes tyre; më dukej sikur ndodhesha në ndonjë fabrikë robotësh të përfytyruar në vitet optimiste pesëdhjetë. Jam i sigurt se secili prej atyre kalorësve të shquar funksionon si hero për dikë dikund; i kanë kushtuar poema dhe opera, shkollave u kanë vënë emrin e tij, akademive dhe anijeve të flotës tregtare ose ushtarako-detare. Të gjithë bashkë, gati si për kryqëzatë, këta ushtarë prej plumbi të historisë u jepnin sallave një pamje si prej kazerme; renditja shndërrohej në disiplinë, e shkuara në autoritet.

Shumë vite më parë, një të diel të fundit të muajit, kam hyrë për herë të parë në Muzetë e Vatikanit (gratis). Mbaj mend salla të mrekullueshme, me dritë luksoze dhe lodra farfuritëse: statuja, vazo, dhurata për Papët, relike, portrete klerikësh si ata që s’vijnë më. Pas një farë marramendjeje dhe hutimi të lehtë duke parë koreanët dhe japonezët tufa-tufa, u vumë edhe ne në kërkim të Cappella Sistina-s – i vetmi vend që do t’i jepte kuptim kësaj vizite të hardallosur.

Shumë më pas do të mësoja për të ashtuquajturën Sindromë të Stendhal-it, një sëmundje psikosomatike që manifestohet me palpitacione, marrje mendsh, të fikëta, hiperventilim, konfuzion dhe halucinacione, kur viktima i është ekspozuar artit vizual në doza të larta. Stendhal-it i ndodhi kjo, gjatë një vizite në Firenze; ndërsa emrin sindromës ia ka vënë një psikiatre italiane, Graziella Magherini, në 1979.

Çuditërisht,  mbaj mend nga vegjëlia ime – ose shumë më herët se viti 1979 – teton time të më rrëfente për këtë lloj reaksioni ndaj muzeut, pasi unë fëmijë iu ankova, kur po ktheheshim nga një vizitë në Galerinë e Arteve Figurative, se “më përzihej”. Edhe tetoja ime kish studiuar në Firenze; dhe ndoshta kish dëgjuar për çfarë i kish ndodhur Stendhal-it dhe të tjerëve, në Uffizi. Vetë Magherini e pagëzoi sindromën në fjalë pasi studioi me qindra raste mes turistëve dhe vizitorëve në Firenze.

Në Uffizi nuk kam hyrë; por e kam parë “nga jashtë”; gjithsesi, tani nuk do t’i afrohesha pa u pajisur paraprakisht me skopolaminë. Ndoshta vizitorët edhe helmohen nga ndonjë kimikat i panjohur në bojërat e pikturave, ndoshta i zë ndonjë mallkim i të zotërve, siç i zuri dhunuesit e varrit të Tutankhamun-it.

Kam dëgjuar për shqiptarë, të viteve totalitare, që u ka ndodhur kjo kur kanë hyrë në supermarkete të Perëndimit; për homo albanicus të atyre kohëve, të mbrujtur mendërisht me kulturë televizive të RAI-t, edhe supermarketi STANDA do të ketë qenë më i pasur me sugjerime dhe aluzione se ç’ka qenë Firenze-ja për Stendhalin!

Gjithsesi simbolika e të vjellit, pas një vizite të mahnitshme në muze, është në vetvete e mahnitshme: në pamundësi për të flakur jashtë mbingopjen e ushqimit shqisor dhe shpirtëror, mendja ia nxjerr inatin stomakut. Kushedi pikërisht për të shmangur këtë efekt të flakjes, vizitorët kanë qejf të orientohen, si miu në labirint, ndaj një objektivi fiks dhe të besueshëm – p.sh. La Gioconda, ose Cappella Sistina.

Kur shkoj në Muzeun e Historisë Natyrore në NYC, për shembull, ngado që sillem, mendjen e mbaj te pavijoni i mineraleve në katin e nëndheshëm, ku mund të shoh, madje të prek, meteoritët. Përkundrazi, në Muzeun Metropolitan (gjithnjë në NYC), më tërheq salla ku ekspozohet arti i ishujve të Paqësorit, si ngushëllim ose sanktuar. Atje edhe mund të ulesh në një parapet dhe të sodisësh ca piroga të stërgjatura që varen nga tavani ose ca figura totemike me shumë kate, si të ishin dinasti. Ndoshta edhe kjo është ndonjë lloj sindrome, të cilës i mbetet për t’i vënë emri.

Por ndoshta të vjellët është edhe një kundërmasë, in extremis, për të hapur vend për eksperienca të reja. Më kanë treguar për një nga patriarkët akademikë tanë të nderuar të viteve 1970, si kur shkonte i ftuar në Prishtinë dhe e prisnin me salltanetet e merituara, hante aq shumë në tryezat gargantuane që ia shtronin, sa shkonte pastaj në banjë dhe provokonte të vjellët me gishta, si vajzë anoreksike, në mënyrë që të çlirohej dhe të mund të vazhdonte hareshëm me qoftet, kimatë, qahítë, kukurecët, shishqebapet, shpatullat dhe brinjët e qingjit, mëlçitë dhe shpretkat e fërguara… (Triumf i psikes mbi somën, ose ekuivalenti gastronomik i not swallowing.)

Po le të kthehem në Vjenë, te Muzeu i Instrumenteve Muzikore, të cilin mund ta vizitosh me të njëjtën biletë që ke përdorur për armët e Skënderbeut. Pranëvënia e instrumenteve muzikore me armët është, në thelb, ironike; edhe pse dihen raste kur dikujt ia kanë thyer kafkën me trombon, pa folur pastaj për ata që i kanë mbytin me tel kitare, ose ua kanë këputur zverkun duke ua kapur kokën mes kapakut të pianos dhe trupit të instrumentit. Deri edhe cembalet (pjatat) ngjajnë disi me mburojat e rrumbullakëta të romakëve…

Gjithsesi, nga ai muze, mbaj mend përpjekjet – të pafrytshme – për t’u dhënë një kuptim formave të ndryshme të mandolinave, të cithrave, të llautave, të dulcimerëve, të arpeggione-ve dhe të instrumenteve të tjera me tela; diferencave në madhësi dhe në ngjyrë, dhe sidomos në lakoret e kasave, si të ishin kunguj, shalqinj dhe pjepra të rritur në arë, jo dru të punuar nga duar artizani. Mendja ka forcë interpretuese të paepur, arrin të lexojë edhe fraktalet në filxhan të kafesë ose milingonat ose damarët në gjethet e çajit; e ndodhur përballë këtij festivali grotesk të diferencës, nuk mundet veçse të përgjigjet me halucinacion dhe metaforë.

Pa folur pastaj për efektin përforcues të pamundësisë për ta blerë objektin e admiruar: qytetari i sotëm i Perëndimit e ka të pamundur ta ndajë, psikologjikisht, eksperiencën në muze nga eksperienca në dyqan – edhe pse kjo e dyta zgjidhet në aktin e blerjes, ndërsa e para mbetet në nivelin e pakonsumuar të pritjes, ose të nevojës për të kompensuar, njëfarësoj, gjestin e përvetësimit. Kamerat kanë luajtur rol të madh psikoterapeutik, në këtë drejtim; meqë fotografimi është gjithnjë një lloj përvetësimi simbolik, ose hapi i parë drejt shndërrimit të një eksperience të drejtpërdrejtë në turshi të kujtesës.

Përndryshe, të gjithëve na ndodh që, kur kujtojmë vizita të dikurshme në këta tempuj të kulturës Perëndimore, të na vijnë në mendje imazhe të papërshtatshme, ose mbresa të cilat përndryshe do t’i shkonin për shtat fëmijës brenda nesh. Nga muzetë e Vatikanit, për shembull, mua më kujtohet veçanërisht një prej dhuratave që ia kishin bërë nuk di cilit Papë, një servis porcelani në formë elefanti; njëkohësisht llamburitës dhe kitsch; nga muzeu i Joan Miró-së në Barcelona, një statujë e një gruaje me geta të kuqe flakë dhe një saracineskë në vend të flokëve; nga vizita në pallatin e Franz Joseph-it, në Schönbrunn, nevojtorja jashtëzakonisht modeste e perandorit, e cila më kujtoi një nevojtore të ngjashme, që kisha parë dikur në një shtëpi të lagjes Pazar i Vjetër, në Gjirokastër. Duhet një psikanalist që t’i ftillojë këto mbresa e t’ua zbulojë rrënjët pa mëshirë; por unë po mjaftohem me shpjegimin se, më shumë se mbresa, këto kanë qenë regresione në fëmini, ose orvatje për të mbrojtur “mendtë e kresë” nga mbingarkesa shqisore.

Nuk ka komente

  1. U kenaqa dhe u shlodha, sikur te isha rehatuar ne nje ndenjese te rehatshme te perdorur nga disa gjenerata, ne freskun e mbremjes me nje gin tonic ne dore ne nje dite pa andralla, pas nje vizite shumoreshe ne nje muze arti.

  2. Si çdo gjë e krijuar prej njeriut, edhe arti duhet të sjellë një mesazh të caktuar. Mungesa e mesazhit e largon atë prej arsyes njerëzore, prej qëllimit . Arti pa mesazh është njësoj si njeriu pa mendim, qënia pa arsye, deti pa ujë. Përzierja vjellore e barkut gojohet kur syte shikojnë një jashtëqitje, hunda nuhat një erë të së qëlburës, ngordhures, prishures e kalbures, të cilave u ka mbaruar qëllimi. Një rubinet në vënd të një kokë tregon mishmashin e arsyes njerëzore, pjesën skizofrenike të artit. Me dhjetra kritike futen në fjalore 500 mije fjalësh për të shpjeguar të pashpjegueshmen, dhe mijera shikues, lexues bëjnë të kuptuarën, kur edhe autori ka shumë mundësi që tw ngrejw supet reth mesazhit të veprës së vet. Miliona turistë paguajnë mijëra dollarë, bileta e shpenzime vetëm për të parë vajzat e pikturuar me velaturë, kur ato sot mund ta shikosh lehtësisht vetëm duke shetitur rrugës së një qyteti , për të parë një përkrenare kur atë mund ta blesh lehtësisht ne dyqanet e lodrave për fëmijë. Perkundrazi, kur ndodhet përballë Niagarës njeriu duket njësoj si pëlhurat e veta të vjetra me bojrat vjellse përsipër. Ujevara lëshon shuishin çlodhës të rënies së ujit t’kaltër nën sytë e lodhur nga pajetësia e qënies shtatvogël. Niagara e gjallë valëzon çdo ditë pa ndaluar duke levizur krahët përballë syve të Mona Liza’s e duke i nxjerrë gjuhën e gjatë që varet mes shkumave bardhoshe shkumëzuese.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin