MISH PËR TOP

nga Xhabyni

Para disa kohësh e pyeta, në një takim me publikun, zotin Lubonja, i cili po mbante një ligjëratë mbi librin e tij të fundit “Viti 97. Apokalipsi i Rremë”, se a mendonte që ndonjëherë shoqëria jonë do të ngrihej vetiu për të rrëzuar Atin (lexo sipas konceptit Frojdian) në mënyrë të tillë që të zhdukim atë sundim totalitar që shohim të pasqyruar në jetën tonë të përditshme?

Përgjigja e Lubonjës ishte negative, mbase atë ditë mbeta pak i zhgënjyer nga përgjigja e tij, ndërsa sot nuk jam aspak, madje e shoh si një përgjigje që i afrohet shumë realitetit tonë. Prandaj puqem me frazën e famshme të Josif Brodskij “Në tragjedinë moderne nuk vdes heroi por Kori”.

Nuk kanë kaluar as katër muaj nga ngjarjet e Janarit të 2011, nuk ka kaluar as muaji nga ajo që shpesh trumbetohet si dita e votimit (ku çdo qytetar shpreh vullnetin e tij, nëse dëshiron ta shprehë duke votuar) dhe shohim palët të vendosura në rreshta të gatshëm për të luftuar, secila me argumentin e saj.

Por në gjithë këtë rrëmujë unë nuk arrij të shoh aspak dëshirën dhe revoltën popullore (sikundër proklamohet) madje shoh një revoltë të induktuar nga individë me fuqi dhe me imunitet, me pak fjalë në vendin tonë shoqëria civile nuk po reagon vetvetiu e nisur nga katalizatorët të brendshëm të një revolte që ajo e sheh të arsyeshme por janë katalizatorë të jashtëm të cilët e nxisin atë të revoltohen qofshin këto deputetë të njërës palë apo të tjetrës palë.

Është shumë shqetësuese kur shikon se si një shoqëri civile mund të manipulohet nga interesat vetjakë apo personalë të një krahu politik apo të një tjetri. Të vjen keq kur shikon se si pas një thirrje për festim apo për revoltë sheh aq shumë njerëz të mblidhen në një shesh për të kënduar apo për të goditur dikënd.

Kjo tregon më së miri që shoqëria jonë e ka humbur sensin e saj të reagimit dhe kundër-reagimit që vjen nga brendësia e saj, por është thjeshtë një masë, një subjekt që shtyhet nga persona të tretë për të lëvruar dhe për të vepruar, pra është një shoqëri apatike. Rrënjët e kësaj apatie të shoqërisë sonë i shoh jo vetëm në të shkuarën tonë totalitare por edhe në faktorët post diktatorialë që kanë mbetur si një hajmali në shoqërinë tonë, faktorë si ai moral, social dhe intelektual.

Rrënjët totalitare

Gjatë regjimit totalitar që kaloi shoqëria jonë ne njohim vetëm dy forma (që nuk kishin lidhje mes tyre) të reagimit popullor, forma e parë ishte ajo e deputetëve të pavarur që u dënuan dhe u pushkatuan nga regjimi hoxhist dhe forma e dytë është e famshmja Kryengritja e Postribës e kryesuar nga Jup Kazazi e cila u shtyp nga regjimi. Që nga 1946 e deri në vitet 90 në Shqipëri nuk ka pasur qoftë edhe një manifestim të mbyllur apo të heshtur ndaj regjimit diktatorial.

Përgjatë 50 viteve të diktaturës në shoqërinë tonë u induktua një formë sjellje dhe komunikimi totalitariste, eprori jepte një urdhër dhe ai duhet të zbatohej pa asnjë dyshim. Populli qeverisej nga një byro që kishte një biografi të pastër, ku individët e byrosë ishin të mbarsur me ideale dhe shpirtin e marksizëm leninizmit ndërkohë që sundonin kastën e byroistëve potencialë, popullin dhe atë të popullit te deklasuar. Sikundër dihet që pjesa e popullit të deklasuar të ngrihej për të rrëzuar “pushtetin popullor” ishte sikur të godisje murin me kokë, ndërkohë që aparati shtetëror përmes institucionit të Sigurimit të Shtetit erdhi deri në atë pikë sa të kontrollonte çdo lloj lëvizje të individëve.

Kështu që jeta e shoqërisë shqiptare i përngjasonte të famshmit roman të Orwellit, ku çdo gjë survejohej dhe ku çdo kush urdhërohej për veprimet që duhet të bënte, nuk kishte ndërgjegje sepse partia e dinte mjaft mirë se çfarë duhet të bëje, nuk kishte moral tjetër (sidomos pas 67’) sepse morali i vetëm ishte ai i marksizëm leninizmit ndërkohë që populli i deklasuar gjithnjë damkosej si një mish i huaj për shoqërinë i cili duhet të izolohej për të mos i bërë dëm njeriut të ri që po ndërtonte diktatura, pra të njeriut proletar i cili më pas do krijonte shoqërinë proletare e cila do të kishte atributet e mësipërme.

Sado që është një ide tërësisht utopike në vetvete diktatura arriti të krijonte një specie e cila nuk komandohej nga ndjesitë emocionale apo nga ndëgjegja e saj por komandohej nga lart dhe nga humoret politike apo ideologjike të byrosë. Kështu mund të komentohet se si populli pranonte që sot figura e një udhëheqësi të lartë të ishte e glorifikuar ndërsa ditën e nesërme po kjo figurë të deklasohej dhe të shpallej armik i popullit.

Periudha postmoderne

Kjo ishte trysnia në të cilën u mbars dhe u krijua shoqëria jonë e cila pas viteve 90’ edhe pse filloi të rigëzonte të drejtën për fjalën e lirë, besimin dhe ndërgjegjen nuk u shkëput nga kjo trysni.

Natyrisht është shumë e kuptueshme që pjesa e popullsisë e cila u përvuajt aq shumë në periudhën e diktaturës mbështeti shumë fuqimisht opozitën e asaj kohe duke krijuar imazhin e shpëtimtarit për atë forcë politike që mbarti shpresat jo vetëm të përndjekurve por edhe të shumë prej atyre shqiptarëve që nuk donin të jetonin me triska gjithë jetën e tyre, të shumë të tjerëve që ishin pragmatistë apo edhe të një pjese komuniste që e shihte pushtetin më pranë vetes përmes kësaj force politike.

Si gjithnjë ishte turma, e cila e brumosur me mentalitetin e totalitarizmit, që shihte tek këto udhëheqës shpëtimtarin dhe ishte pikërisht turma ajo që do sakrifikohej me apo pa urdhër për këtë hero. Kështu që modeli totalitar përmes trysnisë së tij e ngjeshi Partinë me turmën dhe të zgjedhurit e partisë i bëri heronj të turmës, hyjni, rock stars.

Edhe pse shoqëria filloi të hapej dhe të mos induktohej aq haptazi nga morali apo ndërgjegjja e udhëheqjes, sërishmi qeveria shikohej si një entitet i veçuar i cili qe mbushur me një farë aureole dhe frike që nuk vinte nga respekti që kishim për institucionet shtetërore por nga frika që ato institucione mbarsnin në vetvete.

Anipse shoqëria jonë filloj të përhapej kulturalisht ajo nuk u tregua dhe aq tradicionale në ballafaqimin me kulturat që vinin nga jashtë. Kështu shoqëria jonë filloj të transformohej nga një shoqëri totalitare në një shoqëri moderne dhe konsumatore jo në mënyrë uniforme apo shkallë-shkallë por në mënyrë të deformuar dhe pjesë-pjesë.

Por sërishmi lidhja e shoqërisë me vijën e partisë ishte shumë e fortë madje edhe tek pjesa e popullatës që ka qenë e përndjekur në periudhën komuniste, me pak fjalë shoqëria jonë nuk arriti të shkëputej nga ideologjizimi i saj madje u thellua akoma më tej.

Sërishmi ajo u përdor për interesa meskine dhe shumë larg interesave të përgjithshëm shoqëror, u përdor si një desktop për të përshkruar atë që në realitet nuk ishte ndërkohë që ajo vetë vazhdonte të vetësakrifikohej për hir të heroit apo heronjve të saj, sa herë që heronjve u nevojitej një uturisje e korit gjithmonë e gjenin.

E gjithë kjo batërdisje ndodhi sepse shoqërisë sonë i mungojnë disa faktorë që pak më sipër i rreshtova, pra morali, intelektualët e lirë dhe shoqëria (si shoqëri e pa indoktrinuar ideologjikisht, pra e droguar nga interesa partiakë).

Morali i shoqërisë sonë është amoraliteti ose më saktë mungesa e tij, duhet ta pranojmë që jetojmë në një shoqëri ku koalicionin qeveritar e votojmë me një votë popullore shumë herë më të lartë se vota e 2009, dikush mund të thotë që këtë votë koalicioni e morri nga LSI.

Është e vërtetë por nuk duhet harruar që LSI ka arritur të marrë në rang kombëtar thuajse 120 mijë vota, edhe kjo nuk është pak për një forcë politike të cilës para disa muajve i doli një video skandal dhe së cilës kryetari i saj po ndiqet penalisht, kështu mendoj se ne jetojmë në një shoqëri ku nuk ekziston morali. Apo mbase morali dhe parimet morale janë të renditura më poshtë se sa parimet e tjera partiake me pak fjalë vazhdojmë të deklamojmë “Partia mbi të gjithë o shokë” dhe kjo është sërishmi për të ardhur keq. Në këtë mënyrë nuk arrijmë që të ndëshkojmë realisht asnjë nga politikanët tonë, nuk arrijmë të përçojmë atë ndryshim që shoqëria jonë e ka pësuar pas rrëzimit të bustit, nëse e kemi pësuar një ndryshim të tillë gjithnjë!

Ndër të tjera, relativizmi i së vërtetës, i moralit dhe promovimi i modeleve të tilla prej mediave, tentojnë të burgosin njeriun e sotëm brenda mureve të një bote joreale, duke krijuar një realitet shoqëror, që zhytet gjithnjë e më tepër në varfërinë e vet shumë planesh.

Shoqëria jonë është e mbushur me sofistë që turbullojnë mendjet e qytetarëve duke e orientuar keq opinionin. Vetë pushteti, politika, kultura, mediat, kanë nevojë për shërbimet e tyre, duke promovuar një klimë intelektuale pa lidhje me kërkesat morale të çdo shoqërie. Klasa, politike dhe intelektuale që i imponohet sot publikut është e varur prej pushtetit të parasë dhe kjo prej dijes, moralit dhe lirisë, ndaj dhe individët pjesëmarrës në këtë klasë shndërrohen në ushtarë llogoresh të gatshëm të ndeshen me bajoneta mes tyre.

Ndryshe nga regjimi totalitar ku njerëzit mund të sakrifikoheshin edhe për ideale (sepse paraja nuk kishte tërësisht atë koncept që ka sot) sot e kësaj dite Paraja është bërë ‘zoti’ për atë të cilin gjithkush do sakrifikohej dhe do shiste këdo dhe gjithçka. A mund të ketë një politikë të shëndetshme në këtë mes?

Në një shoqëri të mbushur me uzurpatorë të cilët duan pushtetin dhe për zot kanë paranë shoqëria jonë sheh dhe nuk rresht së bëri tifozllëk, nuk rresht së hedhuri parullat që të parët e byrosë u mësojnë, me pak fjalë shkon mish për top. Pa asnjë ideal në veten e saj, pa asnjë moral, pa asnjë qëllim vetëm e vetëm me një dëshirë “të mos lëmë pa zbatuar vijën e partisë”.

Çka më tej?

Kam dëgjuar që protesta e 21 Janarit apo protesta që po bën sot opozita përballë KQZ është e ngjashme me lëvizjet popullore dhe masive që po ndodhin apo kanë ndodhur në Afrikën e Veriut dhe në Siri. Por nuk mendoj se janë të ngjashme as në ngjizje (pra si revoltë popullore) dhe as si proces, në Tunizi ishte një djalosh i cili i vuri flakën vetes (njësoj si në Çekosllovaki andej nga vitet 60’) ne Egjipt opozita e cila ka mbështetjen më të madhe në popull, “Vëllazëria Muslimane-Ihuanët”, nuk ishin shtytësit e protestave por ishin vetë qytetarët të cilët të revoltuar ndaj një dhune psikologjike  dhe fizike që junta ushtarake kishte vendosur.

Madje po të shkojmë akoma më tej në Libi apo në Siri ku protestuesit qëllohen dhe sërishmi nuk ndalojnë por kërkojnë të çlirohen, këto janë revolucione dhe lëvizje që dalin nga populli, nga morali i tyre, janë këto shoqëri që neve i quajmë të prapambetura (meqë janë islame) por që po i japin një leksion gjithë botës, po i tregojnë se nderi dhe ndërgjegjja nuk ka gen, racë apo religjion por ajo ndodhet kudo.

Ndërkohë që ne nuk e kemi akoma këtë ndërgjegje, vazhdojmë të vuajmë trysninë, amoralitetin dhe vazhdojmë të prodhojmë produkte shoqërore të cilët i madhërojmë dhe i lartësojmë jo se janë më të drejtët dhe më të mirët por sepse janë më hajdutët dhe më të zotët për ti shpëtuar ligjit.

Pra miq na mungon ndërgjegjja dhe nderi që poeti i famshëm gjerman dhe njëkohësisht një gjeni si Goethe në një poezi e përshkruan në këtë formë:

Nderin ke humbur
Shumë ke humbur
Të duhet shumë punë
Prapë atë ta fitosh

Deri në ditën që do ta rifitojmë sërish nderin do të jemi të varur prej të tjerëve, prej interesave personale dhe meskine por për një gjë të jemi të bindur që kurrë nuk do të kemi guximin për të drejtuar atë që është e shtrembër, dhe pa guximin ndoshta do të kish qenë më mirë të mos kishim lindur.

Nuk ka komente

  1. …Deri në ditën që do ta rifitojmë sërish nderin do të jemi të varur prej të tjerëve, prej interesave personale dhe meskine por për një gjë të jemi të bindur që kurrë nuk do të kemi guximin për të drejtuar atë që është e shtrembër, dhe pa guximin ndoshta do të kish qenë më mirë të mos kishim lindur…

    Shumë pllakativ ky mendim. Së pari, kur nis njeriu e flet në shumës bën gjithnjë gabimin e rrumbullakosjes së cepave dhe përzierjes së të njomit me të thatin. Shoqëria është një grumbull individësh që, në nuk janë të tillë, u binden ligjeve të turmës, të kopesë.
    Së dyti, të folurit në shumës e përjashton vetvetiu kritikën ndaj të tjerëve, se nëse je njëri prej tyre, atëherë bën të njëjtat gabime, që po kërkon të ndreqësh.
    Nuk është as mirë, as keq në kemi lindur apo jo. Pasi nuk kemi bazën e krahasimit, që në këtë rast do të qe mosqenia – por çfarë është kjo?
    Në duam shoqëri “të ndershme”, na duhet të gjejmë së pari një bërthamë të tillë në individë të tillë.
    Kjo premisë, për fatin tonë të keq e këtu i jap të drejtë autorit të shkrimit, nuk është e dhënë akoma për momentin në histori, në të cilin jetojmë. Por nuk do të thotë kjo që arabët qenkëshin më të tillë.
    Sinqeriteti dhe dëshira për të vënë gishtin në plagë nuk mjafton; nëse nuk ke më shumë për të thënë, më mirë të mos flasësh fare. Jemi ngopur me elegji, me analiza, me komente, me një fjalë, me fjalë. Pyetja shtrohet si dikur në Rusi: Ç’të bëjmë’

  2. Me thene te drejten eshte kontradikte vrasja e Atit dhe pergjigja asnjehere( se e kane vrare edhe ne kohen e pordhes e jo te demokracise). Nejse se Lubonja eshte kontradikte e gjalle ( si thone italianet, un uomo un perche), po thjesht se ky fatalizem eshte vetem ftese per dorezim.

    Vija e partise gjendet vetem tek pjesa me e vogel e popullsise, pjesa me e madhe ndjek vijen e lekut dhe LSI-ja eshte me pak e pershtatshmja per te folur rreth vijes se partise, pasi LSI-ja nuk ka asnje vije partie, po ka vetem vijen e lekut dhe e ka shprehur qarte
    LSI-ja eshte parti seksere qe pranon çdokend, nese ti shkon te besh kerkesen te presin krahehapur, te pyesin ça aftesish ke, sa vota ke e ne baze te tyre te percaktojne apo premtojne vendin e punes.
    LSI-ja eshe partia me e ndershme me perkrahesit e votuesit e vet.

    Persa i perket protestes se induktuar, hiq levizjen studentore te gjitha kane qene te induktuara nga lart.
    Biles ne 1991 fitoi socialistja keshtu qe mos ta kapim historine nga te prapmet.

    Populli mendon si çifçi, çifçiu eshte gjithnje i pakenaqur (ne ndryshim nga proletari, gjithnje i lumtur) po asnjehere nuk ngre krye kunder beut, biles pret nga beu qe ti thote leviz qe te levize.

    Esat pasha i doli kunder Pavaresise ne Shqiperi te mesme dhe kur vjen puna çifçinjte jo vetem qe si dolen kunder por e mbeshteten.

    Me tradite qytetari i çliruar nga çifçilleku (se i pari i tij çifçi ka qene) sheh dyqanin e vet, makinen e vet, hesapin e vet, kurse ai ende i paçliruar nga çifçilleku ben si i thote Beu, Enveri, Sala, Rama.

    Edhe ne kohe te Enverit, qytetaret e vjeter shihnin dyqanet e tyre, shtepine, familjen etj, qytetaret e rinj te ardhur nga fshati ishin proletare te medhenj e komuniste te thekur.

    Me pak fjale qytetari i vjeter tek ne eshte pergjithesisht ‘apolitik’, çka mund ta shohesh tek sjellja e banoreve te Tiranes, menefregiste, shohin aktivitetin e tyre, po me prishen makinen thote une u pip robte, kam grua e kalamaj,ata zihen per pushtet pse budalla jam une e me radhe.

    Qytetari i ri eshte politik por si e kane indoktrinuar, pra nga cila doktrine i ka nxjerre perfitimet apo zbritjen nga fshati, kujt be a pasha i detyrohet atij i ka dhene besen.

    Ata qe zbriten ne kohen e Dulles pergjithesisht i japin besen PS-se, zakonisht ish-proletare a kuadro te lumtur, keta pas 90 pergjithesisht ia japin PD-se.

    Perveç problemeve psikologjiko-sociale e te natyres ekonomike, mendoj se apolitizimi historik i qytetarit te vjeter perben nje nga faktoret e rendesishem apo kusht te domosdoshem qe levizjet qytetare te kene sukses.

    Sepse sot behet fjale per levizje te kulluar qytetare dhe kur qytetaret e vjeter menjanojne bythen nga zjarri edhe pesha e levizjes zbehet.

    Lexohen rendom nga tiransit, se ata s’jane budallenj se protestat jane me se shumti produkt i te ardhurve nga rrethet, se duhet te bejne sherre politike jashte Tiranes e me radhe.
    Pavaresisht se jane zera te PD-se, kjo vlen per qytetaret e vjeter, nuk kane interes, ndersa te rinjte i therret beu apo besa ndaj beut qe i dha te mirat ne kohen e komunizmit.

    Nuk arrij dot ta shpjegoj ndryshe forcen e vogel te levizjeve qytetare, per mua lidhet me nje tredhje historike te shtreses se mesme.

    Nderkaq shoqeria civile eshte si puna e Lubonjes,
    ‘un entita un perche’.
    Duhet gjetur pseja, po si i thone kur s’e gjeti Sterjo Spase….

    1. Po lexon peshkun me vëmendje siç po shoh.

      LSI është një rikthim i firmave piramidale të 97′. Thjesht në vend të lekëve të thata, tani në shkëmbim të votës, ofron vende pune.

  3. Goethe shkruan per nje shoqëri shume te kaluar ne kohe, te imagjinuar prej tij, ose shume te ardhme, persëri të imagjinuar. Nderi dhe turpi ne kuptin e tyre gjuhesor, për mendimin tim, presupozojnë ndoshta nje shoqeri te ardhshme , jo kapitaliste, as edhe socialiste. Per shkak te natyres se lige te njeriut shoqerite gjithmone kane vene ligjin si regullator dhe jo opinionin. Turpi dhe çnderi, si mungese e ndershmerise, jo i lidhur me femren, nuk kane rendesi ne shoqerite qe ne jetojme. Janë jashtë konceptit të tyre. Nje i pandershëm, i paturpshëm, mashtrus perceptohet njesoj tjeret, perveç nëse ka shkelur ndonji ligj.

  4. J. peshkut i hedh gjithnje ndonje sy po parapelqej tema te caktuara.

    LSI-se nuk mund ti kontestosh ndershmerine me votuesin e saj duke folur per piramida, sepse per mua i bie te gjitha partite te jene piramida, kurse LSI-ja bank’ e shtetit.

    E di kur behet piramide, nese kthehet ne opozite, po persa kohe rri ne pushtet LSI-ja eshte me e sigurte se edhe vete PD-ja, sepse kjo ka nje vije partie qe shfrytezohet nga grupime te caktuara, kurse LSI-ja eshte parti e hapur per kedo, ose e thene ndryshe LSI-ja e ndan ndershmerisht plaçken e luftes, ne krahasim me PD dhe PS.

    Kur Meta tha qe la ministrine e jashme per arsye te brendshme partiake, mendoj se duhet t’ja marrim me seriozisht, se ne ministrine e jashtme s’kishte me plaçke, kurse Prifti sikunder e pame, ishte o Mete per vete, ndersa Meta detyrohej ta shtrengonte te bente ndere se X ishte njeriu i tyre. Dmth mund te lexohet edhe se Ministria e Priftit kishte plaçke te cilen Prifti nuk po e ndante sipas parimit te Partise.

    Nuk mund as ta akuzosh dot LSI-ne se e sheh shtetin si plaçke lufte, se PD-ja dhe PS-ja e shohin po njesoj, biles Meta u be me fame si kumandar i ndershem kur ishte Kryeminister i PS-se.

    Meta ka nje pjese te mire te ish-socialisteve qe nuk gjenin dot hapesira per plaçke brenda PS-se si dhe ambicioze pa parti qe nuk po çanin dot brenda partive te medha.

    Nje nga aspektet tragjike te ketij sistemi eshte padurimi i atyre qe presin ne opozite, sepse 4 vjet robi mund te rregullohet gjekundi a te rrije edhe pa pune, po pastaj rendohet shume gjendja dhe duhet marre pushteti me çdo kusht.
    Meta qe ishte pa rezerva dhe pa pushtet lokal, ishte i detyruar te merrte pushtet me çdo kusht o perndryshe do i plaste partia ne rrinte edhe 4 vjet ne opozite.

    Per mendimin tim Meta eshte i gatshem e beje aleance me kedo mjaft te marre pjesen e vet te plaçkes se luftes, edhe me PS-ne e Rames, nese kjo i ka numrat.
    Nese kjo s’i ka numrat e ke me Berishen.
    Nga te gjitha partite LSI-ja eshte ajo qe eshte e denuar te rrije me pushtetin gjithnje, perndryshe plas.

    Ndarja e votes mes blloqeve i garanton Metes pushtet te perhershem, prandaj edhe them qe nese do flasim per partite si piramida, LSI-ja eshte bank’ e shtetit.
    Votuesit e kane kuptuar ndaj edhe LSI-ja mori votat qe mori.
    Siç eshte thene e sterthene ne Shqiperi sundon relativizmi moral prandaj nuk perben skandal asgje, as Berisha , as Meta e as betonizimi i Tiranes.

    1. PO pikerisht per kete mungese morali e ka fjalen xhabyni ne shkrim edhe qe kjo mungese morali vjen pikerisht nga shoqeria, pra induktohet prej saj e perderisa te kemi nje shoqeri te “moralshme” fundja si keto shoqerite qe aspirojme te shkojme (pra Evropiane) atehere nuk do kemi as politike te moralshme. Secili popull meriton sundimtarin qe ka….ne rastin tone: Populli jon meriton politikanet qe ka

    2. Është piramidë, sepse LSI nuk prodhon gjë. As Shqipëria nuk prodhon gjë, nëse do ishte ndryshe, LSI mund të justifikohej. Vetë roli i “sekserit”, është i tillë, operon jo mbi prodhimin, por shërbimin. Është si ndërmjetës në hallkat e tregut. Ndërmjetësi ka gjithnjë “firo” në shërbimin që ofron.

      Shteti klientelist, është shtet kancerogjen. Dhe epiqendra e kancerit moral e ligjor, duket të jetë LSI. Në protestë ata që u ngritën, u ngritën për videoskandalin.

      Nga ana tjetër, shteti tregoi dhe diçka tjetër: është aq i prapambetur, sa nuk e mban dot pushtetin e vet, pa vrarë njerëz.

      Ndërsa për LSI vetë, këto zgjedhje ishin provë për kalimin e Rubikonit. Në rast se “fiton” Basha, LSI e kalon Rubikonin (ndodhet në mes të lumit realisht). Meta atëherë do të synonte PS, sipas dëshmisë së vetë Priftit në T.Ch.

      A ia mbajnë brinjët shtetit shqiptar, një thithlopë rondokop me bagazh morali shumë të ulët, si punë e Ilir Metës? Mbi çfarë morali do jetë ministër, a ndonjë tjetër rol publik në politikë? Si do funksionojë ky shtet më pas?

      Nejse, unë s’pres të biesh dakord. Ama të falënderoj për theksimin e rolit real të Ilir Metës. Që për mua është si ai i Sudes në 97′.

  5. Relatizmi moral dhe mungesa e moralit jane 2 gjera te ndryshme.
    Mungese apo prapambetje morale jane thjesht terma eufemike per ‘moral te ndryshem’, zakonisht perdoren me sfond supremacist,
    Relatizmi moral perkundrazi eshte justifikimi moral i akteve pragmatike me ane te mekanizmave sofistike, psh une vjedh se sot po nuk vodhe vdes per buke. Ose, ne fakt kjo nuk quhet vjedhje sepse une kam punuar nje jete te tere dhe s’me eshte dhene haka, keshtu qe po marr haken time.

    Te dyja jane falsitete logjike, po duket se i japin ‘te drejte’ vjedhesit, sepse tjetri nuk mund te vdese per buke, por edhe mundi i nje jete ngelet mundi i nje jete, kush mund t’ja hedhe dot poshte mundin tjetrit me predikime morale ?

    Nje tjeter eshte kjo, po vjedh apo bej korrupsion, se ne kemi bere shkolla e kemi punuar , te del i pashkolli te thyen koken me para.

    Me e famshmja, eshte e ‘kalamajve qe dun buke’, ne kete rast dhenia e bukes kalamajve jep te drejte morale te besh diçka qe tradita apo sjellja e mire e quan keq.

    Dukurite kryesore negative sot per sot lidhen me relativizimin moral te moralit historik, mund te thuhet qe jane pjese e proçesit te madh te rishikimit qe ka kapur çdo aspekt te shoqerise shqiptare.

    Natyrisht asnje shoqeri s’mund te jetoje perhere ne relativizem moral, jane disa aspekte morale qe lidhen drejtperdrejt me rrafshin ekzistencial te shoqerise, ato do jene te parat qe do rifitojne imunitetin nga relativizimi dhe shoqeria do i ngreje serisht ne rrafshin e absolutes.

    Me duhet te pranoj se e kemi shume te zhvilluar sofizmin, anipse nuk dallohemi per popull filozofik, çka mund edhe ta nxjerre sofizmin si dukuri natyrore e lidhur ngushte me logjiken arketipale.

  6. ”’Vetë roli i “sekserit”, është i tillë, operon jo mbi prodhimin, por shërbimin. Është si ndërmjetës në hallkat e tregut. Ndërmjetësi ka gjithnjë “firo” në shërbimin që ofron. ”’

    A jo , ajo qe ti quan firo e sherbimit ne fakt eshte fitim puro, sepse ndermjetesi ose tregtari te mundeson fitim pas fitimi.

    Ne sa me shume duar qarkullon paraja aq me shume fitime nxirren, eshte ligj ekonomik ky.
    Rrjedhimisht ne sa me pak duar aq me pak fitime dalin.

    Shiko Meta po hakmerret mbi Ramen sepse Rama deshi ta nxirrte krejt jashte loje me ligjin zgjedhor, mirepo as jashte loje nuk e nxori e mundesine e fitores e harroi. Me votat e Metes Rama do kishte fituar edhe ne 2009 ( si koalicion parazgjedhor) por edhe nje fitore totale ne keto vendoret.

    Gjithsesi Meta nuk solli ndonje sistem te korruptuar, ate e gjeti midis nesh, dmth jane vete shqiptaret qe votojne per menderen e tyre , shqiptari post-ideologjik e gjen shume mire veten tek Meta dhe filozofia e tij politike.

    Ka 5 lloje shqiptaresh sipas meje, nostalgjiku i komunizmit, antikomunisti, post-ideologjiku, apatiku politik dhe i paperfaqesuari rrethanor.

    I pari si parti ideale ka PS-ne, i dyti ka PD-ne, i treti ka LSI-ne, dy te tjeret jane jashte loje, njerit se si intereson fare politika, tjetrit se s’ka ku te identifikohet.

    Numerikisht post-ideologjiku eshte kategoria me e madhe, po per shkaqe historike gjendet me shumice ne PS e PD.

    Teorikisht LSI-ja eshte parti me potencial te madh, potencial qe Rama dhe Berisha donin ta asgjesonin me ligjin zgjedhor, por pa ja dale dot.
    Pres qe LSI-ja te marre akoma me shume vota pas 2 vjetesh, sigurisht nese Meta s’ha burg.

    Ti thua a mund ta mbaje Shqiperia edhe nje bandit, maskara, qelbanik me shume… une besoj se jo nje po edhe 2, 3, 4 …… n te tille me shume pasi Paria e Tiranes eshte e bazuar mbi vesin, dmth une s’jam ne gjendje ti ve gishtin dikujt dhe te mos gjej ne llogari te tij 1001 akuza per qelbesirlleqe, mos ti gjej kusherinj ne poste kyçe apo milionere e me radhe.

    Ne kete gjendje ku nuk gjendet ndonje i njome per tu shpetuar, nje Mete me shume a me pak, nuk ndryshon absolutisht asgje, perkundrazi sherben per dobesimin e autoritarizmit te kryetareve te PD e PS, pra ate rezistence qe s’gjejne dot brenda partive perkatese do e gjejne tek Meta.

    Sikunder e kishin kuptuar spartanet e romaket e lashte, me mire me pas’ 2 mbreter ose 2 konsuj, sesa 1 te vetem.

    Them se ne kushtet e nje shoqerie te tille si kjo e jona, Meta duhet pare ca me pozitivisht.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin