OPSIONI PUSHKATIM


Sikur të mjaftonte situata e tensionuar në Shqipëri, me bllokime të pashpjegueshme rrugësh kombëtare dhe djegie gomash të makinave (për t’u dërguar sinjale tymi satelitëve të NATO-s?), ia behu edhe një letër e shqiptaro-amerikanit Geri Kokalari, botuar sot në “Shekulli”, ku autori u drejtohet lexuesve, dhe pas gjase të gjithë shqiptarëve, me këto fjalë:

Mos prisni shpëtim nga Amerika apo BE-ja. Përpos faktit se manipulimi i votës ka ndodhur nën hundën e tyre, Berisha e di mirë se këta “iriqë pa gjemba”, do ta mbështesin rezultatin. Ata do të vazhdojnë të rrinë gjysmë-fshehur nën gurë, për sa kohë që stabiliteti do të ekzistojë. Për këtë arsye, ka vetëm një leksion që Sali Berisha – dhe Departamenti Amerikan i Shtetit, për sa i përket – do të kuptojnë. Vetëm një. Ai është i njëjti leksion që populli i Rumanisë i dha Nikola Çausheskut.

Zgjidhja? Çaushesku!, e titullon letrën redaksia e gazetës.

Në rrethanat e tanishme, ky mesazh është i gabuar, anti-demokratik, kundërprodhues dhe i papërligjur. Të rekomandosh që shqiptarët pakënaqësinë e tyre ndaj regjimit Berisha ta zgjidhin duke e çuar liderin e djeshëm para skuadrës së pushkatimit nuk është veçse nxitje për krim politik.

Ta përcjellësh këtë rekomandim nga privilegji që të jep pozicioni jashtë konfliktit dhe mbrojtja që ofron pasaporta amerikane është edhe më e papërgjegjshme.

Pavarësisht nga kusuret e kryeministrit Berisha, të cilat dihen botërisht dhe janë debatuar edhe në PTF, pavarësisht nga krimet që mund të ketë kryer ai si politikan dhe si njeri, zgjidhja e krizës së sotme politike mund të vijë duke e detyruar atë, me rrugë demokratike, të largohet nga pushteti; jo duke e hequr qafe me plumb, siç bënë rumunët me Çausheskun.

Aq më pak mund të pranohet kjo alternativë, kur sillet nga jashtë shoqërisë shqiptare; ose nga një individ që nuk është as pjesë e konfliktit politik, as pjesë e kontradiktave që e mbajnë atë konflikt të ndezur.

Qytetari amerikan Geri Kokalari, me origjinë shqiptare, është treguar aktiv në mediat dhe gjetiu, për të hetuar dhe denoncuar me forcë prapësitë e kryeministrit Berisha dhe njerëzve të tij të afërt. Për këtë, ai ka fituar admirimin dhe respektin e të gjithë atyre qytetarëve shqiptarë të cilët besojnë se drejtësia mund të arrihet nëpërmjet qasjes tek e vërteta.

Mirëpo opsioni Çaushesku jo vetëm është kriminal në vetvete, por edhe bie ndesh me krejt filozofinë e vendosjes së drejtësisë në Shqipëri; sepse ekzekutimi fizik i fajtorit vetëm i mbyll gojët, ndërsa shoqëria shqiptare sot ka nevojë që gojët të flasin dhe të rrëfejnë për krimet që kanë kryer, po t’i kenë kryer.

Nëse ka qytetarë shqiptarë që mendojnë se kryeministri Berisha ka kryer krime, asgjë nuk i pengon që të depozitojnë padi kundër tij në prokurori, duke ndjekur rrugën ligjore dhe demokratike.

Nëse ka qytetarë shqiptarë që mendojnë se kryeministri Berisha i ka bllokuar shtigjet institucionale të kërkimit të drejtësisë dhe riprodhimit të pushtetit, atëherë vjen në vështrim protesta publike dhe forma të tjera të mosbindjes civile.

Gabimi më i madh që mund të bëhet, në këto momente të tensionuara kur njerëzit janë të lodhur dhe nuk mendojnë dot as veprojnë dot me arsye dhe gjakftohtësi, është që të homologohet regjimi autokratik i Berishës me regjimet totalitare të Çausheskut dhe të Enver Hoxhës; dhe të sillen për zgjidhje opsione të papranueshme, si ekzekutimi fizik i kundërshtarëve politikë.

Nuk di çfarë mund ta ketë shtyrë shqiptaro-amerikanin Kokalari të bëjë thirrje të tilla; as se çfarë mund ta ketë bindur gazetën Shekulli që t’u japë këtyre thirrjeve hapësirë në faqet e veta. Por jam i sigurt se efekti i vetëm i zhvillimeve të tilla do të jetë polarizimi dhe radikalizimi i situatës në terren, ose mbështetja për të gjithë ata që kërkojnë ballafaqimin e dhunshëm mes palëve.

Për mua, propozimi i z. Kokalari i shërben drejtpërdrejt kauzës së Berishës, ciladoqoftë ajo.

Edhe më e papranueshme është që ky opsion vjen nga një shqiptaro-amerikan; veçanërisht po ta krahasosh me mesazhin e përcjellë nga deklarata e 40 organizatave shqiptaro-amerikane, të cilën e kemi diskutuar këtu në blog para disa javësh. Kontrasti në përmbajtje dhe ton mes këtyre dy dokumenteve është i tillë, që të bën të mendosh se diaspora mbetet e shkëputur nga realiteti shqiptar; dhe nuk arrin t’i kalibrojë dot ndërhyrjet dhe iniciativat në mënyrë të tillë, që këto t’i shpëtojnë groteskut.

Nuk ka komente

  1. Nese per 40 organizatat u debatua nese jane vertet “diaspora” apo nje cep i saj, per Kokalarin mund te thuhet pa merak se nuk ka te beje me komunitetin shqiptar ne SHBA.

    Ai eshte nje individ i coroditur, qe i jepet mundesia per te folur te “Shekulli” vetem per dy arsye: “eshte nga Amerika” dhe “shan Berishen”.

    Po ky individ pak vite me pare fliste nga tribunat e Vatres. Ofendonte ne menyre te ngjashme kryeministrat socialiste, me fjale fyese dhe thirrje luftenxitese. Atehere pro-Berishanianeve u shkonte shume per shtat. Tani u shkon per shtat ketyre te tjereve.

    Kerkon mjaft ndergjegje profesionale dhe civile qe nje gazete aq anti-Berishiane sa Shekulli t’i rezistoje tundimit per t’i dhene hapesire nje njeriu si Kokalari. Eshte nje deshmi e situates emocionale dhe aftesise per t’u orientuar ne situata kaq alarmante te redaksise se gazetes.

    Sigurisht eshte e lehte te flasesh nese nuk je ne situaten e tyre, por nuk do te ishte e sinqerte nese nuk ua thua te verteten ne kete rast.

    Eshte gjithashtu fyerje e terthorte per shume opinioniste me vlera qe shkruajne ne gazete dhe nje kujtese se ne thelb, me shume se cilesia e mendimit vlen pozicioni politik.

    (Shekulli sigurisht eshte vetem nje shembull i medias shqiptare sot.)

  2. berisha po pushkaton kushtetuten dhe republiken. Ju flisni pallavra amerike ketu.
    jam me Shekullin dhe Kokalarin. Plotesisht.
    E di qe nuk do ta botoni, por kjo qe lexoj tregon qe ju as qe e keni idene se cfare po ndodh ne Shqiperi.
    Me sa duket putinizimi i mediave po e ben efektin edhe tek ju qe mbaheni si intalektuale klasi.
    Hajt shendet

  3. Qytetari amerikan Geri Kokalari, me origjinë shqiptare, është treguar aktiv në mediat dhe gjetiu, për të hetuar dhe denoncuar me forcë prapësitë e kryeministrit Berisha

    Per te qene ‘fair’ duhet permendur qe qytetari amerikan GQ ka filluar aktivitetin e tij duke kerkuar me force hetimin dhe denimin e prapesive te F.Nanos. Kjo, mendoj une, i jep GQ-se shume me teper kredibilitet sesa paraqitet ne kete blog entry.

  4. Kokalari eshte pjese e diaspores sepse eshte shqiptar dhe jeton ne diaspore. Pertej kesaj per sa kohe qe mendimi i tij eshte personal dhe nuk ka kurrfare mbeshtetje ( lexo mos ma merr per kapital) ka vlere vetem si opinioni i nje personi. Kokalari po te perfaqesonte dicka me siguri do e shprehte.

    Krahasimi me deklaraten e 40 organizatave nuk eshte i goditur jo vetem sepse 40 eshte me shume se sa 1, por edhe sepse asnje nga ata qe e kundershtuan deklaraten nuk gjeten ne te dicka ofenduese apo deri edhe te papranueshme. Ne fakt, kritika e xh2shit ishte se deklarata nuk shkonte aq larg sa duhej per te mbeshtetur qendrimin e tij personal, por kjo verteton qe deklarata ishte me e balancuara e njezet viteve te fundit. Nese beri pune apo jo eshte tjeter gje, megjithese me duket se zgjedhjet u zhvilluan te qeta deri ne rezultatin e Tiranes, edhe perkunder parashikimit tim te zymte. Nuk eshte e qarte qe deklarata kontribuoi as edhe nje gram, por perpjekja ishte e lavderueshme dhe nje hap i pare i rendesishem.

    Arsyet e botimit te deklarates kriminale te Kokalarit (kodi penal i republikes se Shqiperise denon nxitjen e dhunes ndaj institucioneve) jane te qarta. Ne Shqiperi ka filluar gjurulldia dhe nese ka vertet aq pakenaqesi sa thone socialistet, do kete perplasje. Rames sot i volit cdo mendim ekstrem sepse eshte ne fund te rruges. O la va o la spacca thote italiani. Botimi ben pjese ne garnituren e jashtme te corodise, i.e. perdorimin e teknikave eversive per te irrituar popullaten e per ta bere te ndjehet e shtypur sepse Rama nuk po rezulton fitues. Nuk do funksionoje per mendimin tim nese nuk ka baze gjenuine per revolte. Kjo baze do ishte rrenimi ekonomik, per te cilin shume flitet por nuk shihet. Ne 97′ koha jone vertet i perdorte keto teknika revolucionare por kishte nje pakenaqesi popullore per parate e humbura tek e cila gjeti ushqim. Perndryshe mbetet nje gur i hedhur ne oqean i cili edhe mund te godase ( perqindja eshte shume e vogel). Por per Ramen cdo guricke do te perdoret tani, sepse me vone mund te jete kurre.

    1. Kokalari ka shumë ekspozim në mediat shqiptare – më shumë se gjithë pjesa tjetër e diasporës e marrë së bashku, përfshi këtu edhe ato 40 organizatat firmëtare të letrës.

      Të gjithë ia kanë dëgjuar fjalën dhe e kanë besuar, në një moment ose në një tjetër.

      Thua: “krahasimi me deklaratën e 40 organizatave nuk është i goditur.”

      Ti mund të kesh konceptet e tua për “goditjen”; unë ta shpjegoj se ku e bazova krahasimin. Së pari, që të dy këto reagime vijnë nga ShBA, ose nga e ashtuquajtura “diasporë” (për mua, një koncept arkaik dhe i kotë; madje edhe vetë nocioni i “Shqiptarëve të Amerikës” ka vetëm kuptim demografik tashmë.) Së dyti, në deviacionin standard; ose në faktin që të dy reagimet janë kaq të larguara nga realiteti, sa distanca bie më shumë në sy, në këtë rast, se përmbajtja e reagimeve vetë.

      Një tjetër provë që diaspora ka shkuar për lesh – nëse ma lejon këtë shprehje pak baritore; është bërë irrelevante, sidomos në rrethanat kur Interneti i ka ripërkufizuar distancat mes njerëzve dhe komuniteteve dhe kur “location” fizik i një personi nuk ngre peshë, në krahasim me “location” e tij virtual.

      Kokalari është një “variabile impazzita”; ose një përjashtim që ndoshta vërteton rregullin. Megjithatë, ai të paktën është përpjekur të komunikojë edhe me ambasadorin e vet në Shqipëri, Arvizu-n – një gjë që mund ta bënin edhe individë ose organizata të tjera të diasporës. Tek e fundit, Arvizu është atje edhe në përfaqësim të shqiptaro-amerikanëve që paguajnë taksa.

      Mirëpo, që ta bëjnë këtë, individët dhe organizatat e diasporës duhet të kenë vërtet dëshirë për të marrë pjesë në zgjidhjet; në një kohë që unë këtë dëshirë nuk e shoh veçse shumë rrallë. Përkundrazi, shoh kryesisht dëshirë për vetë-promocion dhe vetë-riprodhim (partenogjenezë) duke i përdorur çështjet shqiptare për të çuar përpara interesa të ndryshme personale ose biznesi, ose për masazhe të egos.

      Ah, se desh harrova: Rroftë Shqipëria etnike!

  5. Mirë, e pushkatojmë Berishën, i drejtohem z.Kokalarit, por me Ramën ç’farë do të bëjmë? Pas Berishës dhe Ramës, janë gati në radhë Berisha i II, Rama i II, Arusha e madhe e keshtu sipas radhës. Edhe e fundit, ç’farë do të behet me udhëheqësit e revoulcionit, sepse janë udheheqës revolucioni shqiptare dhe nuk largohen kollaj nga fusha kur do te mbaronte ndeshja.

  6. Shekulli mbahet per nje mungese profesionalizmi te theksuar dhe mosrespektim minimal te ligjeve ne fuqi te ketij vendi.

    Kokalari ka te drejte te shprehi zemeraten e tij, por nuk duhet kurrsesi qe nje gazete te botoje gjera te tilla dhe te nxise vrasjen e nje kryeministri te nje vendi te lire e demokratik.

    Nga ana tjeter, duke menduar analitikisht, cfare po ngjet ketu eshte nje karazgjozllek.

    Protesta eshte nje forme e shprehjes se kundershtimit ndaj nje padrejtesie nga nje grup i prekur njerezish. Te dalesh ne proteste ne rruge, pra te kerkosh zgjidhje jashte-institucionale do te thote se individet nuk jane te kenaqur me zgjidhjen ligjore e formale, cfare nuk do te thote medoemos “drejtesi”. Revolta e 21 Janarit mund te quhej e tille. Cdo zgjidhje institucionale refuzohej si e padrejte.

    Njerezit e kerkojne “drejtesine” edhe jashte institucionit te ligjit, sepse drejtesia, si nje gjendje e ndergjegjes se individit ne nje cast te caktuar, eshte e pavarur nga ekzistenca e saj brenda sistemit te ligjit (edhe pse sipas ndonje teoricieni sistemesh, e drejta-Gerechtigkeit ka kuptim vetem brenda sistemit te ligjit -Rechtssystem).

    Por ne Shqiperi njerezit dalkan ne proteste qe te kerkojne “respektimin e ligjit”. Pra me zgjedhje joformale dhe joinstitucionale kerkojne respektimin e institucioneve.

    Mjeti i zgjedhur, revolta, nuk e justifikon ne kete rradhe qellimin, “respektimin e ligjit”. Se ligji si institucion, ashtu si edhe instancat e drejtesise, nuk e gezojne respektin e protestuesve.

    Pra shkurtimisht, ketu nuk behet fjale as per “drejtesi” dhe as per “ligj”, porse per pushtet te njerit apo tjetrit individ. Se vetem pushteti, forca, mund ta perligj rezultatin si “te drejte” ose “te ligjshem”, duke fshire pikerisht dallimin midis te drejtes (gjendjes ideale, synimit) dhe formes. Dhe prandaj dalin ata njerez ne rruge, te tregojne force, e jo te kerkojne “drejtesi”.

    1. Mire, Kapedan, mire fare: t’i pranoj te gjitha sa shkruan: po kerciti automatiku ne bulevard te Tiranes me shume se sa gjate luftes se dyte boterore, u vrane njerez qe po benin sehir, u plagosen demonstrues e gazetare ME ARME ZJARRI, dhe pastaj u akuzuan se po benin ata grusht shteti me “çadra-pistoleta”. Shpresoj qe keto te vihen ne vend nga fitimi i vetedijes i gjithe pjeses se shendoshe te shoqerise shqiptare deri ne mosbindje civile, protesta ekstreme jo te dhunshme ne te gjitha fushat, çdo dite deri sa Sali Berisha te largohet nga pushteti dhe politika.
      Pala socialiste ka gjynahet e veta por SB po perdor ushtrine kunder turmes dhe po ndryshon rezultatin e zgjedhjeve ne menyre qesharake e barbare njekohesisht.
      Rrofte Shqiperia etnike!

      1. Po u vrane 4 veta ne mes te dites. Madje i vrau Saliu, i qendisi nje nga nje si usta. Puna eshte se nje dite ose dy dite me pare, Edi Rama deklaronte se duke u nisur nga konsumimi i te gjitha mjeteve ligjore dhe institucionale per te bere transparencen e zgjedhjeve dhe per ti dhene opozites nje te drejte te mohuar, pra ne kete rast “sistemi politik del jashte funksionit”. Pra protesta e forte mbetet e vetmja rruge. Saliu u tremb dhe beri ate qe beri bashke me marrezite e pucit dhe komisionet groteske ne mbeshtetje. Pas 21 janarit, cfare ben opozita? I rikhehet normalitetit politik, ai qe eshte ketu, duke legjitimuar ate sistem politik qe nuk jep zgjidhje. Pas 8 majit, kur edhe merr nje goditje ne zemer, qe eshte ngjizese e nje krize shume te madhe brenda vete opozites, ajo e braktis serish kete sistem politik per te folur per revolta popullore. Me fal, por kur nje opozite nuk con dot nje kauze deri ne fund, atehere une them se kjo este nje situate revolucionare vetem per humorin. D.m.th kercenon Edi Rama me revolta, nje shumice e madhe ose qesh, ose ka kuriozitet te tipit: Ore po cfare do beje ky? Keshtu beri ky edhe pas Gerdecit, aq sa u be gerdalla e politikes. Prandaj, edhe pas ketyre ulerimave, nuk ka asgje me shume sesa nje serial te ri ngjarjesh shume interesante qe do te mbushin veren me gallate, si forme e shtuar e vlerave turistike te Shqiperise.

  7. Dalengadale po ravijezohet cdo dite e me shume nje organizate terroriste ne Shqiperi me frymezim e drejtim brenda dhe jashte kufijeve te Republikes se Shqiperise. Po te kemi parasysh edhe historine e origjinen e PSSH, ate histori dhune e gjaku, cdo gje qe thuhet ne podiume zyrtare apo edhe me keto “letrat nga populli” nuk jane aq te rastesishme ose emocionale dhe duhet te jene preokupim brenda dhe jashte Shqiperise. Ne situaten e sotme nderkombetare ku terrorizmi eshte ceshtje dite, pergjigjia dhe reaksioni ndaj cdo lloj tentative terroriste, qofte edhe i tipit me “letra nga populli” qe botohen ne gazeta, ka per te qene mjaft i ashper dhe me pasoja direkte per ata qe jane mbrapa tentativave te tilla terrroriste e luftenxitese.

    Une po pres nga minuti ne minut qe te dale dhe ndonje shqiptaro-amerikan tjeter qe di ose jo shqip dhe te shpalle si detyre kombetare, ceshtje te sigurise se atdheut, eleminimin fizik te Edi Rames i cili krizen e tij kerkon ta ktheje ne krize te te gjitheve dhe ka marre peng vendin e kercenon me flake e hekur Shqiperine e shqiptaret po humbi karrigen e kryetarit te bashkise nga numerimi krejt ligjor i votave te shqiptareve, duke vene ne pikepyetje vete shtetin dhe Shqiperine.

    Me duket dashakeqe dhe verberi nga urrejtja qe edhe ne kete blog i jepet hapesire nje te çakerdisuri te tille, qe shkarravit ne mediat e Rames dhe sic thuhet ka edhe interesa financiare te lidhur me kete te fundit apo njerez te tij. Medemek ketu kritikohet Kokalari por ne fakt pervec terrorizmit te Kokalarit ku nuk bihet dakort, e gjithe qasja tjeter eshte e njejte me te Kokalarit. Krahasohet kryeministri i nje vendi te Natos me diktatore, Shqiperia anetare e Natos, partnere me Ameriken e vendet me te zhvilluara perendimore me autokraci, megjithese sapo kemi bere nje pale zgjedhje me standarde perendimore dhe ku opozita ka marre pothuajse te gjitha qytetet kryesore. Autokraci e cuditshme kjo.

    Flitet per nje politikan shqiptar, me te mirat e te keqijat e tij, gjithmone ne kontekstin e nje demokracie, sikur te ishte nje despot diku larg nga vendet qe s’ja u dime emrin dhe sikur ky politikan nuk ka ardhur ne pushtet me vote te lire dhe koalicioni i tij qeverises eshte konfirmuar jo me larg se me 8 Maj si koalicioni qe ka me se shumti konsensusin e shqiptareve.

    Terrorizmi eshte i lidhur me kete krah politik qe edhe sot i mshon kesaj lajthitje, sic duket ballafaqimi qe kujtuam se e kryem ne 91-92 nuk paska ndodhur. Fatkeqesisht e paskemi perpara me po ate krah politik (lidershipin e ketij krahu se nuk e besoj kurre qe elektorati i kesaj partie eshte i tille) qe terrorizmin e beri shteteror dhe me ndihmen e perendimit te zhvilluar, t’i japim fund njehere e mire kesaj qasje e praktike qofte edhe duke perdorur forcen e ligjit dhe mbrojtur Kushtetuten e te gjitha ato qe burojne prej saj.

  8. Lereni çausheskun atje ku eshte, se atij ia ben gropen ruset qe “po demokratizoheshin”.
    Ne Krahasim me ’97 gjendja eshte me e rende dhe Berisha tani ka me shume pergjegjesi direkte. Ne ’97 u be grusht shteti (nga kush eshte pune tjeter qe duhet sqaruar avash avash; dhe jo nga Ps qe edhe F Nanon e kishte ne burg). te perdorim te njejten njesi matese: ne vitin ’97 pushteti u ndryshua me dhune (nuk them u mor, sepse Ps nuk e mori pushtetin, por asaj ia dhane, ia dhuruan), pra duke shkelur ligjin themelor te shtetit, edhe tani Berisha po ben ate qe ne ’97-en i bene te tjeret atij: ai po merr pushtetin (pushtetin ne Tirane) duke shkelur kushtetuten, ne menyre flagrante, duke fallsifikuar jo votat, por me rende gjithe procesin e votimit. Dhe kjo eshte vetem nje prove e paaftesise se tij politike. Dhe e parimeve te dhunshme dhe antidemokratike qe e udheheqin ate ne veprimtarine e tij antishqiptare. Per kete, sipas meje, pergjegjesine kryesore e kane nderkombetaret qe e vune ne krye te vendit pas renies se komunizmit (sigurisht me sygjerimin dhe pelqimin e mbeturinave komuniste qe dorezuan pushtetin teknikisht, si R Alia), partite e tjera politike shqiptare qe e kane legjitimuar si politikan, nje pale e politikes kosovare (shume driteshkurter: duhet ta kishin bo lanet vetem per naften qe kaloi jugosllavise se izoluar) dhe vete gjysma e popullit qe e voton. Te gjitha keto sepse, ta themi e ta pranojme me dhimbje, se pas renies se komunizmit Shqiperia ne arenen nderkombetare mori fund, u kthye ne protektorat nderkombetar, gje qe u pa me ambasadorin amerikan ne fillim te viteve ’90 qe dilte me Salen neper fushate elektoarle dhe tani me ambasadoret e tjere qe shkojne ne nje palester shkolle ku nuk numerojme vet dot as votat. Rrezultati epokal i antaresimit ne nato vetem me sa po ndodh tani me manipulimin e zgjedhjeve nga komisioni qendror po zvogelohet e po zhduket fare.
    Megjithekete nuk kuptoj thirrjen per “zgjidhjen rumune” te ofruar nga Kokalari. Thuhet se urtesia dhe kompromisi i politikes duhet t’i sherbejne uljes dhe ftohjes se tensionit dhe zgjidhjes se konflikteve politike e sociale. Pikerisht kete duhet te urojme dhe te sygjerojme dhe jo “pushkatime alla çaushesku”. Pastaj per rastin e Berishes çeshtja eshte me e thjeshte: ai e ka vrare vete veten, ka 20 vjet qe po e ben (sigurisht flas per vetevrasje politike) aq keq sa edhe kur mund te kete te drejte, kapercen ne anen e gabimit, ne anen e te mundurit, dhe ne anen e krimit. Keto mungesa te tij thelluan trazirat e ’97-s, kane veshtiresuar jeten politike ne vend, kane demtuar marredheniet e Shqiperise me boten, kane ngadalesuar zgjidhjen e problemit kombetar. Dhe tani po kryen nje grusht te mirefillte shteti.
    Rrofte Shqiperia etnike!
    Nipi

  9. Ne CNNWorld , http://www.cnn.com/2011/WORLD/europe/05/19/albania.election/index.html, ishte shkruajt nji artikull mbi zgjedhjet lokale ne Shqiperi. Ajo që me më bëri shumë përshtypje ishte njeanshmëria ekstreme e artikullit. Artikulli ishte i bazuar ne nji evidence të gënjeshtërt, shtrëmbëronte plotësisht problemin dhe synote te drejtonte lexuesin drejt përcaktimit të nji shkaku fals për ç’ka po ndodhte ne Shqipëri. Niveli shumë i ulët i këtij artikulli, shumë e çuditshme kjo për nji media prestigjioze si CNN, binte ne kontrast me nivelin e lartë të komentuesve. Komentet e njerezve te thjeshtë, popull, pa emra te njohur, rezatonin nji ekuliber dhe arsyetim llogjik te habitshëm. Kam me lexuar me mijera komente ne faqe ma natyra nga me te ndryshmet si: shkence, politike, sport, youtube, filma, etj, dhe gjitmone kam ndjere tendencen e njerzeve komentues per te qene te njeanshem, te ceket, ndonjihere edhe me banalitete nga me te pështirat, p.sh, sic eshte rasti i pushkatimit prej Kokalarit. Ndersa, ç’fare lexova ne kete rast me befasoi dhe me rriti besimin se ky popull ka ende njerez me natyre te larte, pamvaresisht nga ekstremistet majt-djathte leko-politik te elites politike te sotme shqiptare dhe kamikazve kocka-ngrenes te tyre, saqe i shkaktoi edhe nji joshqiptari ndjesim te tille që e shtyu te shkruante:
    rollodewski
    After reading these posts, it is obvious that Albanians are polite and respectful of other posters — the rest of CNN posters could learn a lot from you nice folks.

    1. Ilias,

      Kjo quhet kultura e dizinformimit. E lexova qe heret komentin e Auron Tares, i cili eshte autori. E verteta eshte se CNN e ka te veshtire te gjeje nje korrespondent vendas profesionist e te pa infektuar nga politika.

      Me sa di une, Tare njihet si historian e studiues, por sic duket paska veshur edhe petkun e gazetarit te punesuar nga CNN.

      Na duhet te hapim nje teme rreth kultures te dizinformimit qe ekziston ne Shqiperi, e qe perdoret pa piken e skrupullit jo vetem nga partite, por edhe nga vet altari i paanesise te informacionit, sic edhe konsiderohet media “e pavarur” si Shekulli ta zeme..

  10. Zgjidhja rumune që sugjeron Kokalari tregon se sa pak e njeh Rumaninë fundviteve ’80 autori. Çaushesku ishte një tiran, kriminel dhe diktotor, i cili nuk ishte zgjedhur asnjëherë.

    Berisha, pavarësisht se është ai që është, mbetet një figurë politike, e cila është zgjedhur nga shqiptarët, qoftë edhe me dhjetë vota më pak dhe me pastaj të tjera të vjedhura, qoftë edhe me 10% më pak dhe pastaj përsëri të tjera të vjedhura.

    Berisha është ai komunist që është, por si figurë politike ka vepruar në këto 20 vjet gjithnjë me “detyrim dhe përcaktim” si ka dashur perëndimi dhe në këtë kuptim nuk mund të krahasohet me një diktator evropianolindor të periudhës staliniste.

    Metodat e tij në komunikimin politik publik mbeten thellësisht katundare dhe enveriste, por kjo është Shqipëria dhe shoqëria e saj, bujkrobe, mesjetare, servile, hipokrite, frikacake; dhe në këtë kuptim Berisha mbetet udhëheqësi më i përshtatshëm për Shqipërinë dhe shqiptarët.

    Përpjekja e shumëkujt (edhe e imja) për ta hequr Berishën nga ky funksion nuk ka te bëjë me atë si person, por me dëshirën e mirë për t’i dhënë shoqërisë shqiptare impulset e duhura, për t’u vetëqeverisur në mënyrë të qytetëruar e borgjeze apo socialdemokratike.

    Kjo gjë mbetet siç duket një iluzion. Ai sqarim e ndriçim qytetar që shumëkush si unë e priste vetëkuptueshëm të hynte në aksion në fillim të viteve ’90 në mënyrën e organizimit të shoqërisë dhe të shtetit tregon se shumëkush si unë ishte naiv.

    Shqipëria ishte shumë më tepër feudale dhe mesjetare se sa besoja (besonim) dhe elementi (tharmi) katundar thartoi sipas mënyrës së vet zhvillimet e mëvonshme.

    Kjo është arsyeja, që pse shqiptarët zgjedhin Berishën dhe Mediun e Gërdecit, socialistin Meta të korrupsionit (thonë se ky ka 250 milionë dollarë në bankat e Qipros; unë e besoj). kjo është arsyeja, se pse djali i Berishës miku më i mirë i Mediut të Gerdecit nuk u pa asnjëherë e nevojshme të thirrej qoftë edhe si dëshmitar në hetimet e kësaj çështjeje), kjo është arsyeja, se pse ai gazetari iku nga sytë këmbët në strehim politik pas 21 janarit, kjo është arsyeja, se pse ai gjynahu tjetër (qe nuk ja mbajmë dot mend emrin asnjëherë) dikur në mesin e viteve pasi vdiq në tortura e sipër në ambientet e SHIK-ut të shtetit demokratik, nuk i intereson askujt në shoqërinë civile por shpërdorohet vetëm si temë “thriller”, kjo është arsyeja, se pse sa herë që kontakton me shtetin shqiptar ose problemet e asaj shoqërie, ke përshtypjen se ke udhëtuar mbrapsht në kohë.

    Shqipëria është në duart e duhura, në ato të maskarenjve, se kështu do.

    Pyetja që ngrihet nga varri për momentin nuk është më Berisha; i miri apo i keqi, por Enver Hoxha.

    A ishte edhe ky ai që kishim merituar vetëkuptueshëm?

    1. Pifto me pelqeu nderhyrja ne pjesen me te madhe te saj sidomos rreth rolit te Sali Berishes si figure legjitime politike ne ekuacionin me shume te panjohura te Shqiperise post komuniste.

      Eshte bere boze shprehja e Curcillit per fatin e shqiptareve e perse ne ndjek ky fat. Te gjithe i kujtojne momentet kur FDR shkembente copa letrash si te luante bizhoz me Stalinin nderkohe qe ndanin zonat e influences ne Ballkan, ku Shqiperia i takoi ne nje pusulle te ishte 90% nen influences ruse.

      Po ashtu te kujtojme biseden e Stalint me Gilasin, qe nuk zbulon ndonje konsiderate te larte per fatin e shqipove. Nga figurat e historise moderne, vulen i ka vene Marksi, duke i ngjyrosur shqiptaret me nje ngjyre te disfavorshme historike, duke i quajtur si nje popull qe nuk ka histori, pra jo popull historik.

      Herakliti ka lene nje shprehje qe me dy llafe thote: “character is destiny”. Une mund t’i bej me faj shqiptaret 50%, thjesht opinion personal.

      Nje harrese nga ana jote, ke lene jashte listes te milionereve te supozuar, Ed Ramen…:)

      Edhe nje here te pergezoj per qetesine e tonin reflektiv…

  11. Jam dakord me Alisonin.
    Ju as qe e keni idene se cfare po ndodh ne Shqiperi.
    Juve ju ka bere lavazh truri propaganda e Berishes, qe kush nuk eshte mete, eshte me Ramen apo me kedo qe eshte perballe Berishes.
    E verteta eshte qe ne cdo konflikt keto 20 vite ne Shqiperi, njera pale e ka emrin Berisha.
    Ky ish-komunist qe i ka ngecur Shqiperise ne ezofag eshte i vetmi ish-komunist i viteve 60 qe vazhdon ben politke ne Europe.
    Sa per Shekullinh, respekte maksimale, stafit dhe kryeredaktorit te cilin e njoh personalisht. Ata djem e vajza qe kane mbetur nje grusht i vogel, punojne nen presion te madh dhe paguajne kosto te paimagjinuara ne te perditshmen e tyre, per te arritur te jene ndryshe nga te tjeret.
    Poshte Berisha. Rrofte liria dhe gjithe mbartesit e saj

    1. Mos e zhvendosni më kot fokusin te Shekulli. Shekulli është një gazetë dhe një faqe online, jo forcë politike. Redaksia mori një artikull nga Kokalari, e botoi. Por fjalët janë të autorit, jo të gazetës. Ideja për të ndëshkuar, qoftë edhe moralisht, një gazetë për çfarë ka përcjellë do ta bënte krenar Çausheskun vetë. Nëse ka një problem këtu, ka të bëjë me atë që një thirrje kaq radikale botohet në një gazetë mainstream, si Shekulli; por ky problem është i papërfillshëm, në krahasim me çfarë përmban thirrja vetë dhe përkrahjen që ajo ka gjetur në “popull”.

  12. Berisha eshte nje problem i madh. Mos beni sikur nuk e shikoni.
    Jam dakord me ate komentuesin qe thote qe ne 20 vite konflikt njera pale quhet gjithmone Sali Berisha.
    Atje po vidhet rezultati i zgjedhjeve. Po zevedesohet vullneti popullor me vullnetin e nje individ.
    A jeni ne terezi qe beni teori politke ketu kur abuzimi me demokracine po konsumohet ne formen e nje perdhunimi publik?
    Sipas disave ketu, e keqja qenka nje shkrim i Kokalarit apo Shekulli. Mosni bre. Jeni ben-ristanet e rradhes qe futeni ne kete blog, apo jeni te painformuar?
    Shekulli eshte e vetmja vrime ajrimi qe ka mbetur ne shtypin shqiptar. Te gjithe te blere, te gjithe kontribues ne ne masakrimin e opinionit publik. Ajo gazete ka qene gjithmone ne opozite. E ke inat, jepi hakun. Dje lexova nje editoria te tyre ku i kerkonin Rames ose te kishte vendimarrje te qarte ose te largohej nga drejtimi i PS.
    E kuptoj frustimin e nje pjese komentuesish. Berisha e ka bere prape kellire atmosferen. Jam dakord me Mustafa Nanon: Palët janë larg. Tepër larg. Të moderuarit ose janë shndërruar në skifterë, ose s’bëzajnë. Për rrjedhojë, mendimi i pavarur kritik ose është partizan, ose duket (merret) si partizan, ose nuk shfaqet fare. Një ndarje kaq e thellë mes palëve nuk e ushqen mendimin kritik e nuk i pranon mendimtarët kritikë; madje, në rrethana të tilla, këta të fundit urrehen prej palëve më shumë se sa palët urrejnë njëra-tjetrën.

    1. Vërtet, problem i madh, i jashtëzakonshëm.

      Mirëpo, pavarësisht nga neveria që ngjall në elitat, Berisha është produkti tipik i Shqipërisë së sotme, të dominuar nga amoraliteti, dinakëria katundare, tribalizmi, mosrespekti për njeriun dhe individin, mosrespekti për ligjin, shpërfillja për institucionet, gangsterizmi, intriga, shantazhi dhe pështyma.

      Të mos harrojmë edhe diçka: Berisha problemet i ka me kundërshtarët e vet, por këto probleme njeriu i thjeshtë, i rrugës, nuk i përjeton, ose nuk i përjeton si të shkaktuara prej kryeministrit.

      Me fjalë të tjera: Berisha është problem për elitat, jo për masën e shqiptarëve. Unë kështu e shoh.

    2. Koloreto, historia e përdhunimit politik të institucioneve në Shqipëri nuk fillon sot, as me këto zgjedhje.

      Prandaj, kush kërkon të kuptojë se çfarë po ndodh, ose edhe të sugjerojë ndonjë zgjidhje, është i detyruar të shtyhet pak në kohë.

      Për shembull, për të arritur te marrëveshja famëkeqe e vitit 2009.

      Shkrimi i Kokalarit është një shkrim që, në thelb, legjitimon Berishën, meqë i kundërvihet këtij duke sjellë një opsion stalinist.

      Ky opsion, po të gjykosh nga reagimet poshtë e lart, përshëndetet nga një pjesë e madhe e turmës, të cilët duan spektaklin e gjakut.

      Është po kjo turmë që, sapo të heqë qafe Berishën, do të gjejë një Berishë tjetër për ta zëvendësuar.

      Ne nuk prodhojmë dot asgjë tjetër. Shih gangsterizmin me të cilin trajtohet një njeri më i moderuar, si presidenti Topi.

      Ne e konsiderojmë qytetërimin si dobësi.

      Ne e konsiderojmë respektin për institucionet dhe ligjin si dobësi.

      Ne e konsiderojmë pushtetin si instrument për të dalë mbi ligjin.

      Ne e konsiderojmë marrëveshjen dhe kompromisin publik si dobësi.

      Problemet që ka sot politika shqiptare mund të zgjidhen vetëm në një mënyrë: duke e ridimensionuar në mënyrë drastike. Duke e bërë të parëndësishme. Duke e zbritur nga skena.

      1. Ky që thoni ju Xhaxha, është vërtet rrezik eventual dhe potencial. Që në fund të jetë dhuna E VETMJA mënyrë për të hequr Berishën nga pushteti. Dhe dhuna do të prodhonte një hundëlesh si Berisha, i cili me autoritetin e vet të dhunës prej nga përfitoi pushtetin, të imponohej përsëri me dhunë.

        Duke sjellë kështu një cikël pas cikli dhune të ushtruar nga njëri kamp tek tjetri.

        E megjithatë, regjimi i Berishës po përdor ashiqare DHUNË për të mbajtur veten në pushtet. Ajo që nuk kuptoj unë është, se si ka mundësi që njerëz të përgjegjshëm dhe me ndjenjë qytetare, e shpërfillin këtë dhunë të ushtruar, nuk e dënojnë këtë dhunë, kërkojnë të inkriminojnë për gjënë më të vogël kampin kundërshtar… dhe në fund presin tia hedhin bths me këtë qëndrim!

  13. Kolereto,
    Quhet groupthink. Ne kemi nje situate te tille tashme te quajtur normale ne Shqiperi. Brenda grupit-parti, ne ndeshemi me nje grupthink te paster, ata jane qe marrin vendimet e fshehta kunderdemokratike, p.sh,si ato pistat sesi të mposhtin kundershtarin politik duke vendosur dhe planifikuar me pare per te shkelur ligjin dhe kush do ta kundershtonte, jo vetem nuk do perfillej, por edhe do te kishte pasoja me vone. Ne shumicen e rasteve shqiptare, kur kritikuesi eshte nje anetar i thjeshte i grupit, pa shume kredite, jo si Bamir Topi, ai brenda 5 sekondas do te qitej jashtë salles-grupit me shqelma e grushta, ndersa per Bamirin do te nxitej ndonji TV-fushark. Ndersa Rama paska rrahur dike ne keto zgjedhje, Berisha kishte rrahur dike me pare, ose e ka rrahuar keto dite, por nuk e kemi marre akoma vesh; fshati ne feste i thone andej nag anet e mia. Ndoshta prandaj sot ne Shqiperi ka aq shumë parti qe jane pre ; shumcia e tyre kane lindur nga mospranimi i mendimit alternative dhe kritik brenda grupit te tyre të pare pjesmarës,
    Ndersa jashtë grupeve-parti kemi grupet-polle, mbështetesit e tyre, ose perfituesit e vegjël ekonomike, kockuesit, nga pjesmarja në këtë grup, në një vend pune, në nje tendër te vogël për çizme për punëtoret e naftës, një…, të cilet na paraqesin nje grup-polle, që jane gjithomne shume me te eger se grupet-mëmë, dhe pothuaj janë në gjëndje skizofrenike gjatë zgjedhjeve. I fundit është populli, ose jashte-grupi, i cili vuan kronikisht pasojat dehumane te vendimeve dhe verpime jo ligjore, jo racionale, te dy grupthink-partive kryesore, që të shkreterve po i ndodh ne menyre te perseritur historia e deleve gati per te rene ne gremine, ose te rena ne nji rast me tre mije trupa pajete, vetem nga grupthink edhe gruppollet.
    Grupet, ne rastin tone partite kryesore PD-PS, kerkojnë brënda grupit të tyre të arrijnë një vendim unanim duke shtypur çdo mendim dhe vlerësim kritikues, u cili eshte baza e efektivitetit te shoqërise së hapur demokratike. Ky vendim unamim është tek gagiçitjet neveritese te Berishes per “çdo vote duhet numeruar”, ose te Rames m,e grushtin lart “hapni kutite”, te cilat kane te fshehurat brenda grupit, paraplanifikura kunder ligjore, para-vendim-veprime shkeles dhe shkaterrues të ligjit.
    Pra, edhe grupthink ne rastin shqiptar eshte ekstrem, sepse kalon zonen brenda ligjit, por zhvillohet ne zonen e ndaluar nga ligji. Me pak fjale eshte nji groupthink kriminal, prandaj me te drejte perbuzen tashme, pas njezet vjetesh nga jashte-grupi popull.
    E vetmja menyre, e cila eshte gjeniale ne demokraci, ajo do te ishte terheqja e tyre nga skena politike ne menyre paqesore dhe ndertimi i votimeve te pavarura. Ndoshta do te ishte mire votimi elktronik. Dy butona kuq e blu, vendos gishtin tend mbi ekran dhe pas indetifikimit shtyp vetem njerin prej tyre dhe kjo eshte e gjitha. Jo me letra me njolla, me ngjyra, kuti pa celesa, komisione velresimi e numerimi, etj. Kjo vendosja e gishtit do te kishte edhe shume te mira te tjera.

  14. Berisha eshte produkt i antikomunizmit, po te kishte perballe nje parti tjeter e jo PS-ne s’do rronte dot 1 vit ne pushtet.

    Njoh disa pedeiste qe te japin bisht me uje te luges per gjithe keto dukurite qytetarizuese, kur vjen puna tek politika, i kap ngerçi, votojne Salen se eshte simboli i antikomunizmit.

    Jane muhabete pa bereqet keto te Sales si bir i popullit, Sala eshte simbol i antikomunizmit dhe si i tille mund ti lejoje vetes si do e thoshte Cili, te beje ça i do trapi.
    Nuk ka asnje shpjegim tjeter rehabilitimi i tij pas 97.

    97 e quajne rendom rebelim komunist, dhe ne 97 PD-ja ka marre 25 % te votave ose 4 % me shume se ne keto zgjedhje lokale.

    Nese duam te pohojme qendrimin ontologjik se gjithçka eshte pasoje e asaj qe je, atehere Sala eshte pasoje e antikomunizmit shqiptar, dmth antikomunizmi shqiptar legjitimon ekzistencen a priori te Sales apo berishizmit e te gjitha paraqitjet e tij.

    LSI-ja perkundrazi perfaqeson shqiptarin e ketyre 20 vjeteve, qe perballe dialektikes komuniste-antikomuniste, parapelqen vendin e punes, lidhjet krahinore, pragmatizmin post-ideologjik.

    Perballe asaj dialektike qe i sherben vjedhjes se djerses se popullit, LSI-ja perfaqeson nje parti te emancipuar nga hipokrizia, sepse te thote troç, une jam aty per interesat e mia dhe te tuat, do vjedh siç vjedhin te gjithe e do te jap nje luge.
    LSI-ja nxjerr lakuriq PD-ne e PS-ne biles mund te sherbeje shume ne dobesimin e PS-se dhe PD-se, rrjedhimisht ne dobesimin e autokracise se Berishes, Rames apo kujdoqofte.

  15. Red Me,
    Per ç’farë historie ka fol Marksi, për atë të dhënë nga ata që planifikonte ti rrëzonte me dhunë, apo për historinë e pashkruar. Përmendja e emrit tij mos vallë gjë rrit vlerën, apo rëndësinë e shprehjes së tij. Pse e kujton me vlerë atë shprehje, ose vetë kallpin Marks, Stalin e kompani. Ka një qëllim çdo shprehje e thënë dhe ajo shprehje me teper tregon frike te ardhme prej tyre sesa përbën një vlersim për shqiptarët e shkuar. Çuditërisht dhe Nostradamus ka shkruajt për ta. Dhe nga ana tjetër, sot kjo punë e historisë së shkruar se shqiptarëve ka kohë që ka marë erë. Ndërsa përsa i përket mozese Marks, do te doja te thoja që ai për mua ka qënë një troll i gomarllekut te radhes njerezor, si gjithë trollët para tij, ku gjithë bazë e tij teorike solli në jetë një nga sëmundjet njerëzore më të mëdha kolektive të të gjitha koherave. Po të shikosh me kujdes historine e shekujve te fundit, e cila ka diçka të vertetë në të, edhe pse pakëz, gjithë ata që kanë folur dhe vepruar kundër Shqipërisë me turks, marks, bismarks, stalin, sllobodan e kompani, bota i ka rrëzuar me kohë si teori, praktike, persona, qeveri, shtete, perandori dhe si sisteme. Kanë ngel edhe diçka pa rëne ende; por nga gjasat do të bjerë së afërmi. I kanë rrëzuar sepse kanë qënë të gabuar dhe mendoj që veprimet e thëniet e tyre, ose librat e tyre duhen të përdoren vetëm për tek vendi; janë të ashpra në fakt, gërvishin. Dhe jo vetëm ato libra. Për mendimin tim do filluar që nga Iliada e shekullit te 10-të pas krishtit, Kapitali, Main Kampf, Dy popuj Miq dhe deri tek Kujtimet e te riut Xhorxh Bush. Mendoj se duhet vendosur si etalon i keqësisë shpirterore te njerezimit qendrimi ndaj shqiptarëve ne boten e krishtere, si edhe ndaj hebrejve ne boten myslymane. Shqiptarët nuk kanë histori sepse nuk kanë sulmuar,vrare, pushtuar, marrë tokën e asnje race, populli, shtet, që zakonisht përdredhin si matës për të pasur histori. Ajo lloj historie tregon vetëm nivelin kafsheror të njerëzimit. Sa për kollanat, statujat prej mermeri dhe librat janë filluar të gjitha në trojet ku ka jetuar nga prehistoria kjo racë, pamvarësisht se çfarë kanë dashur të shkruajnë. “Grekërit”, shkruhet ne kopjet e librave te “lashtesise”, kërkuan gjak në Trojë duke zhdukur me zjarr gjithë qytetin, për “shkak” të një emri E Lena dhe po ashtu Bushi, djeg Irakun duke vrarë mijera, për “shkak” të një të lëni me mjekër vrasësi.
    Në kohëra të njerëzimit të egër, luftarak, pushtues, dominues ndoshta është më mirë të mos kesh Histori dhe emër.

  16. Mos e zhvendosni më kot fokusin te Shekulli. Shekulli është një gazetë dhe një faqe online, jo forcë politike. Redaksia mori një artikull nga Kokalari, e botoi.

    Vertet? Kjo eshte gallate 2xha, por dhe e qit jashte loje artikullin tuaj ku kritikoni kete artikull te Shekullit.

    Per mua s’ka shume rendesi (apo efekt) ky artikulli i Kokalarit, mbase hic fare, se efektivisht s’kane rezonance ne popull thirrje te tilla, nga asnjera pale. Ata “revolucionaret” qe dalen ne gomadjegjet e Rames apo ata natoflamu-mjbajtesit ne antiprotestat e Berishes jane thjesht nje pakice qe del aty ose nga detyrimi ose nga militantizmi i verber, ose nga te dyja, po gjithsesi nje pakice.

    Por qe te kritikosh nje artikull te tille te nje gazete dhe pastaj ta shfajesosh gazeten duke nenkuptuar qe cdo njeri mund te depozitoje nje qenef ne redaksi dhe nese gazeta e boton faji i mbetet kryesisht qenefit jo gazetes qe ja percjell kete qenef popullit ne gjithe vendin ky kjo botohet, kjo eshte vertet gallate, eshte akrobaci logjike.

    1. Xhibi:

      Por qe te kritikosh nje artikull te tille te nje gazete dhe pastaj ta shfajesosh gazeten duke nenkuptuar qe cdo njeri mund te depozitoje nje qenef ne redaksi dhe nese gazeta e boton faji i mbetet kryesisht qenefit jo gazetes qe ja percjell kete qenef popullit ne gjithe vendin ky kjo botohet, kjo eshte vertet gallate, eshte akrobaci logjike.

      Artikulli ishte i nënshkruar, autori i mirënjohur – dhe jo nëpërmjet shkrimeve te Shekulli. (Po të kish sjellë kush një shkrim të tillë në PTF, unë nuk do t’ia nxirrja; por PTF ia imponon vetes vullnetarisht këto standarde, nuk është se ndjek ato të medias shqiptare.) Gjithsesi, unë jam për përgjegjësinë individuale, edhe kur një medium i ul standardet për arsye të vetat. Duhet të jesh vërtet gdhe, që të vrasësh lajmëtarin.

  17. Po clidhje ka vrasja e lajmetarit i nderuar 2xh, se po me duket sikur bejme balet kur debatojme kshu.

    Kush permendi vrasje? Ti vete kritikon nje artikull, vete ne fund pastaj thua fajin e ka kryesisht ai qe shkruan artikullin, jo gazeta qe ja boton. Ne bote ka shume te cmendur e idiote, e shume njerez te papergjegjshem, e nder ta dhe shqiptare, e kur zeri i tyre percillet ne megafonin e nje media, eshte pergjegjsia krejt e medias, aq me teper kur jane shkrime dhe jo ndonje thenie ne transmetim live se thua hajt mo s’e dinte media ca do thoshte ky.

    Ky arsyetim qe adapton ti tani per ironi me solli ndermend nje interviste qe jepte Berisha tek BCC para ca vitesh, me duket tek ai programi Hard Talk a si quhet…i flet intervistuesja per pergjegjsine e qeverise se tij per Gerdecin, jo thote Berisha une s’kam asnje pergjegjsi. Po si s’ke i thote ajo, a s’ishte ai ministri i mbrojtjes i qeverise tende? Po thote Berisha, ministri ishte po une personalisht s’kisha djeni dhe s’kam pergjegjsi dhe ministri dha doreheqjen…dmth fiks pergjegjsia individuale.

    1. I referohesha thënies “don’t shoot the messenger” – të cilën do ta kesh dëgjuar. Ne shqiptarët jemi qitës të zotët – kur shtiem me pushkë, nuk na del huq 🙂

  18. Te vrasesh nje kryeminister eshte krim, atentat ndaj demokracise dhe e con vendin 100 vjet mbrapa.

    Po te vrasesh nje diktator eshte e moralshme ?

    Ky njeri pushtetin mund ta leshoje vetem me plumb!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin