PLANETI PËRTEJ

Eksperienca e akumuluar, edhe thjesht në trajta emocionale ose estetike, vjen me kosto të lartë – meqë na pengon të mahnitemi.

Për fëmijën deri edhe një derë e mbyllur është ftesë për të zbritur në një mbretëri të nëndheshme; për të rriturin, ajo derë ka arsye të rrijë e mbyllur.

Vitet kalojnë dhe së bashku me vitet, perëndon edhe shpresa për t’u përballur me diçka tërësisht të re, të tillë që t’i futë në krizë mekanizmat e njohjes. Jo se kjo e re nuk ekziston, përkundrazi; por vetëm ngaqë eksperienca e mëson syrin të mos shohë, veshin të mos dëgjojë, hundën të mos nuhatë.

Ti kafshon një mango për herë të parë dhe thua: diçka midis hurmës dhe portokallit. Duke iu afruar së panjohurës nëpërmjet të njohurës, i shmangesh pasurimit të mirëfilltë.

Gjëra që dihen, sfida me të cilat të gjithë përballemi.

Planeti poshtë

Javën që shkoi kaluam pak ditë pushime në Meksikë, në plazhet e Cancún-it në Yucatán. Natyrisht, plazhet dhe hotelet janë të tilla që t’i japin në çdo hap udhëtarit konfirmime për pritjet e veta, madje edhe atëherë kur duket sikur po e lënë gojëhapur.

Mirëpo Yucatán-i është një botë që i shpëton interpretimit, për shkak të Maya-ve. Ky popull enigmatik i Meksikës para-kolombiane ka lënë pas monumente me burí, anembanë Amerikës Latine. Turisti në Cancún ka fatin të vizitojë ndonjë prej tyre, sidomos po të guxojë të kuturiset në Chichén Itzá dhe të kalojë disa orë i pjekur nën diellin e tropikut.

Chichén Itzá-n e kanë përfshirë në shtatë mrekullitë e mëtejshme të planetit; klasifikim ndoshta qesharak, por i meritueshëm.

Piramidat, tempujt, kolonadat, fushat sportive, madje edhe një observator astronomik të verbojnë me tjetërsinë e tyre: europiani nuk ka asnjë pikë referimi për t’i interpretuar. Po të dëgjosh ciceronin e palodhur, interpretimet e historianëve, arkeologëve, antropologëve veç i kundërvihen njëra-tjetrës. Për Maya-t jo vetëm nuk dimë pothuajse asgjë, por na mungojnë edhe premisat për të kuptuar sadopak.

Vizitorit i duhet të heqë dorë nga përpjekjet për lexim dhe të pranojë se gjendet në një planet tjetër.

Në shkollë, një nga momentet më irrituese për mua ka qenë kur na shpjegonin origjinën e fesë me anë të bubullimës, ose ky racionalizëm prej drejtori të muzeut të fshatit. Ka një rrymë të mendimit e cila specializohet në pastrimin e eksperiencës nga çdo lloj magjie dhe perceptimi intuitiv.

Kështu, kur ti mahnitesh, bie fjala, me një dodekahedron të rregullt dhe përfytyron gjithfarë kristalesh dhe përthyerjesh të dritës, ai tjetri të thotë: ky trup platonik ka njëzet kënde, tridhjetë brinjë dhe dymbëdhjetë faqe, të cilat kanë formën e pesëkëndëshave të rregullt.

Fatmirësisht, me Maya-t këtë nuk e bëjmë dot. Bareliefi te fusha e famshme e sportit, ajo me unazat e mëdha prej guri lart në muret, paraqet sakrifikimin e njërit prej lojtarëve, i cili u blatohet bujarisht kokëprerë perëndive, teksa currilat e gjakut i shpërthejnë nga cungu i qafës – por nuk dihet nëse ky është lojtari që ka humbur, apo ai që ka fituar.

Ndërkohë, një prej tempujve, i ashtuquajtur i “luftëtarëve” ruhet nga një statujë e një njeriu në pozicion të çuditshëm, me një tabaka në bark: Chac Mool. Askush nuk e ka shpjeguar ç’mesazh kumton kjo statujë, e cila ndeshet edhe gjetiu në Mezo-Amerikë; as di të thotë gjë për pozicionin ritual, por të pazakonshëm të këtij njeriu.

Misteret ndjekin njëri-tjetrin, me kaq intensitet sa mendja vjen e dorëzohet dhe kalon në një lloj gjendjeje soditëse, duke e pranuar pa kushte jetërsinë.

E njëjta ndjenjë e pushton vizitorin përballë artit Maya – atij të mirëfilltit, jo çikërrimave artizanale që u ofrohen turistëve. Imazhet e atij arti kanë diçka viscerale, një vuajtje ekzistenciale në shprehjet e fytyrave dhe në pozicionet e supeve dhe të gjymtyrëve; tradhtojnë një vizion të padeshifrueshëm të botës, në mënyrën si e organizojnë në perceptim. I ndodhur përballë kësaj doze masive të të panjohurës, vizitori nuk mund veçse të pranojë se kolapsi i qytetërimit Maya, edhe ai i pashpjeguar, është trupëzuar njëfarësoj në shifrën e tij.

Përballë kësaj jetërsie pothuaj absolute, njeriu nuk është e thënë që vetëm të mahnitet. Ato pak të dhëna që kanë mbijetuar, prej kulturës Maya, u kanë mjaftuar entuziastëve për t’u kuturisur në gjithfarë hipotezash, interpretimesh, sajimesh numerologjike, konstruksionesh sa fantastike aq edhe të admirueshme. Zhurma tani vonë për fundin e botës në 2012, së bashku me kontradiktën e një kalendari njëkohësisht rrethor dhe të fundmë, nuk është veçse rezultati i fundit i një vargu përpjekjesh herë të admirueshme dhe herë të marra, për të vendosur një farë rregulli, të çfarëdoshëm, në kaosin e moskuptimit.

Gjithsesi, kur puna e arkeologut dhe e historianit vjen dhe i ngjan, për nga metoda, leximit të gjetheve të çajit, të shpatullës së berrit e të filxhanit të kafesë, vizitori kureshtar fiton të drejtën të formulojë hipotezat e veta të pavarura. Përndryshe, çdo detaj do të marrë kuptim, dhe orvatja për t’i harmonizuar këto kuptime mes tyre do t’i djegë cipat e trurit njëlloj si dielli i Yucatán-it lëkurat e të bardhëve, që nga koha e Hernán Cortés-it e deri më sot.

Dielli, Hëna dhe planeti Venus, numrat 13 dhe 20, kohëzgjatja e shtatzanisë, aligatorët dhe iguanat, vite që zgjatin edhe 260 ditë, edhe 364 ditë, madje edhe nëntë krijesat enigmatike, të njohura si Zotërit e Natës, marrin pjesë në komplotin e madh të kalendarit. Ne vdekëtarët, mjaftohemi të numërojmë shkallaret e piramidës së madhe në Chichén Itzá (plot 365 gjithsej) të mblidhemi për të festuar ekuinokset e pranverës e të vjeshtës, kur gjarpri me pendë Kukulkan përvijohet i ndritshëm në pjerrësinë e strukturës dhe të zbavitemi kur piramida u përgjigjet duartrokitjeve tona me krakërrimën e shpendit Quetzal.

Planeti lart

Dikur qielli mbi Tiranë ishte aq i kthjellët, sa të linte t’i kundroje yjet. Unë jam rritur në dekadat kur njeriu dukej sikur po gatitej të pushtonte universin; librat e fantashkencës që lexoja rrëfenin për udhëtime dhe aventura në planete dhe gjithësi të largëta. Një nga librat më të dashur të fëminisë sime ka qenë “Mjegullnaja e Andromedës”, e rusit Efremov; pasi e kam lexuar, kam nisur të kërkoj në qiell Vegën dhe e kam gjetur, me ndihmën e një harte yllësish… në rusishte.

Mbaj mend shumë net vere të kaluara në oborr të shtëpisë, me hartën të ndriçuar me elektrik dore dhe qafën të ngrirë në pozicion të pazakonshëm, si Chac Mool-i, duke kërkuar me sy yllësitë dhe planetet.

Qiellin e verës e sundon i ashtuquajturi trekëndësh: Lira, Mjellma dhe Shqiponja (Vega, Denebi dhe Altairi); për të parë Akrepin, Demin, Shejzat, Luanin, Binjakët, Orionin dhe dy Qentë, të Madhin dhe të Voglin, duhet pritur dimri.

Gjithsesi, vjen një moment kur soditësi i qiellit i ka identifikuar yllësitë kryesore; vjen një moment kur qielli sipër Tiranës veç përsëritet. Se çfarë pjese e sferës qiellore i shfaqet një vendi të caktuar, kjo varet nga gjerësia gjeografike vetëm. Banorët e hemisferës jugore, në përgjithësi, shohin yje të ndryshme nga tanët; edhe detarët e atjeshëm orientohen me yllësi të tjera. Ne kemi Yllin Polar, bie fjala; ata kanë Kryqin e Jugut.

Me vite kam ëndërruar për qiellin mbi Buenos Aires ose Sydney, ose mundësinë për ta “filluar” një anë të universit nga e para. Megjithatë, deri më sot, nuk kisha zbritur kurrë më poshtë në Jug se Florida.

Qielli mbi Cancún, në vështrim të parë, duket gjithnjë ndryshe nga yni; për shkak të ndryshimit në gjerësi gjeografike (20 gradë, krahasuar me 41 gradë të Tiranës dhe të Romës, 40 të Napolit, 28 të Orlandos, Florida). Yllësitë ende dallohen, por duken “shtrembër”. Në krye ia vura fajin harresës sime; tek e fundit, ka kohë që smogu urban ma ka hequr dëshirën të kthej sytë nga lart.

Pastaj, një natë të kthjellët, njoha në qiell yllësinë e Akrepit; të pangatërrueshme, për shkak të gjigantit të kuq Antares, që ka në qendër. Në Tiranë e kam pasë parë Akrepin gjithnjë në pozicion horizontal, sipër kodrave të Saukut, në Jug; në Cancún më kish dalë vertikalisht, shigjetë e kthyer drejt zenithit.

Nuk ishte, gjithsesi, Akrepi që më habiti, por një masë yjesh poshtë dhe në të majtë të tij; të cilat s’i kisha parë kurrë më parë, por që, njëfarësoj, e kishin vendin atje, sipas një logjike përndryshe të parrokshme. Nuk kisha hartë yjesh me vete, as isha në gjendje ta dalloja atë yllësi aq të plotë dhe të hareshme; por vetëm më mbetën sytë te dy yje të ndritshëm; pak si tepër të ndritshëm, për të mos qenë të rëndësishëm, në mënyrën e tyre.

Mendova se i njoha: njëri ishte Rigel Kentaurus (ose Toliman), tjetri Agena (ose Hadar); i pari, i quajtur ndryshe edhe Alpha Centauri, është ylli më i afërt me diellin, vetëm 4.37 vjet drite larg. Në hemisferën e Jugut, ky çift yjesh përdoret për t’u orientuar drejt Kryqit të Jugut.

Një kërkim i menjëhershëm në Google, me t’u kthyer në dhomë, ma konfirmoi këtë dyshim; e kisha parë, më në fund, Centaurin, edhe pse rastësisht.

Për këdo që ka kureshtje të shohë qiellin dhe të orientohet mes yllësive, fakti që këto përsëriten çdo vit, me saktësinë e një sahati hyjnor, është po aq ngushëllues sa edhe, të themi, pamja e malit të Dajtit, për ne që kemi jetuar në Tiranë. Shoh Dajtin, pra jam, do të thoshte një Descartes tiranas.

Diçka e ngjashme ndodh me yjet: nuk ka gjë që të m’i kujtojë netët e atëhershme të dimrit më mirë sesa pamja e Orionit gjahtar, të shoqëruar nga dy qentë e vet, me Sirius-in, yllin më të ndritshëm të qiellit, që më është dukur gjithnjë si gur i çmuar, ose njëlloj pasurie e pajetërsueshme. Qielli i Jugut, për ne të hemisferës veriore, është edhe skena ku luhet drama e stinëve, ndryshe nga ai i Veriut, gjithnjë i pandryshueshëm, po aq statik sa Byroja Politike, me të njëjtat yllësi në kongregacion të akullt: Arusha e Vogël, Cepheus-i, Cassiopeia. Nga njëra anë teatri, nga ana tjetër publiku. Në fillim të vjeshtës, sipër Dajtit nisnin të shfaqeshin, me radhë, Perseu, Andromeda, Dashi e më në fund Luani; si për të lajmëruar zgjatjen pikëllimtare të netëve. Ishte e vështirë të mos e shoqëroje, mendërisht, qiellin me diktaturën.

Pasi jam larguar nga Tirana, qiellin e kam marrë me vete, ka qenë zhgualli im i pashpronësueshëm, kudoqë kam shkuar. Edhe New York-u ka pothuajse të njëjtën gjerësi gjeografike si Tirana, Roma dhe Napoli – 40 gradë; qielli është i njëjtë, me përjashtim të smogut dhe të avionëve. Me pak sforcim të vullnetit, mund ta bindësh veten se, njëfarësoj, nuk ke shkuar gjëkundi. Edhe përtej Atlantikut, netët në verë dhe në vjeshtë, në dimër dhe në pranverë lajmërohen nga të njëjtat yllësi.

Prandaj edhe më kapi në befasi Alpha e Centaurit, në Cancún; pse aq isha mësuar me të njëjtin qiell mbi kokë, se kisha nisur ta konsideroj hartën e paralelit dyzet si projeksion të identitetit tim.

Mirë apo keq, e ndieva veten në një planet tjetër.

Yucatán-i historik dhe gjeografik nuk ka nevojë për qiellin, që t’i imponohet udhëtarit me jetërsi; por qielli i paralelit njëzet, për këdo që zbret nga Veriu, është si ato goditjet që e bëjnë boksierin në ring të kalojë nga knock-down-i në knock-out.

Ti zbret në tjetërkund i armatosur deri në dhëmbë me stabilitet dhe arsye, me dije dhe mekanizma mbrojtës, me shapka dhe krem kundër rrezeve UV; i vendosur të mos u vësh veshin historive me kalendarë, hieroglife, apokalipse dhe apocalypto; nuk ke ndërmend të merresh me antropologji, as me sociologji; planet e tua nuk shkojnë më tej plazhit dhe kuzhinës lokale – mirëpo edhe mendja më racionale dhe përgatitur nuk e përballon dot këtë dialog me të panjohurën.

Më pas, do të ketë qenë veç efekt i rastësisë, kur kam shquar, gjithnjë e më shpesh, turistë të ulur në rërë në pozicionin e Chac Mool-it; me siguri një ditë, dijetarët do të shpjegojnë misterin e ritualeve tona buzë oqeanit.

Nuk ka komente

  1. Frenezia e jetës moderne, por edhe lehtësia me të cilën mund të gjejmë përgjigje “të gatshme”, na largon gjithnjë e më tepër nga të qënit vrojtues të thjeshtë në vetën e parë.
    Jam i sigurt që përveç rasteve të rralla, shumë prej nesh, për një arsye apo tjetër, nuk kanë patur rastin që të shikojnë qiellin me yje, një luledele apo një frut në pemë.
    Po ti shtosh kësaj edhe çoroditjen dhe çorientimin, e jashtëm dhe dhe të brendshëm, për shkak të largimit nga habitati natyror ku kemi lindur dhe rritur (dhe sfidoj këdo që nuk është në Shqipëri, që në momentin që lexon këtë koment të jetë në gjendje të përcaktojë me saktësi se nga është veriu apo lindja), na ngelet që të jemi qënie njerëzore të robotizuara në funksion të punës dhe shumë larg përqasjes së mrekullive të natyrës… qoftë kjo, edhe pse jo në funksion të studimit, të paktën në funksion të romantikes

    P.s:“dodekahedron … ka njëzet kënde”; nuk do e kesh patur mendjen tek ciceroni, sepse ai do të ta ketë thënë që “ka 20 cepa/qoshe”… sepse, vetëm në sipërfaqen e jashtëme ka 12X5=60kënde (pa i hyrë llogaritjes së këndeve të brendshëm)

  2. “Dodecahedron”-et jane shkaku që sot gjuhësia mos të arrijë të kuptojë pse kokës i thonë kokë. Megjithësë nuk e dinë pse i kokës i thonë kokë arrijnë të shpjegojnë “dodecahedron”-in. E kanë shkruajtur njësoj si e kanë folur ga..ga..çët dikur, do..de..dro. Këta të qosheve janë këta qe xha shkrun ma sipër, të pakuptueshmet ende, edhe në matjen e kohës gabonin me sekonda ne dy mije vjet. Kalendari i “Dodecahedron-ve ka mbetur si term gjuhesor per simboliziaur gabimin me te madh te mundshem ne matjen e kohes prej te ndriçuarve tanë te lashtësisë,te gjithekuptuar nga te gjithe ne sot. Injorantet e pasur e kane perdorur gjuhen dikur, kur u majmem nga rrjepja, si veshje te modes, pa ja ditur kuptimin, perdornin vetem perseritjen e asaj qe degjonin. Ndodhte që njeri i thuthuqte, tjetri e gagaçizonte, nje tjetri e bërbërte, tjetri e kuptonte fjalinë fjalë. E më e keqja ishte se atyre u përuleshin gjunjë shkruesit duke shkruajtur fjlaët ashtu si donin ata,madje pas leximit të gjithë pallnin “sa bukur!”, jo nga muzikaliteti i jashtëzakonshme i thuthuqjeve, por nga tingëllimi i ëmbël i monedhave të arta. Sot, ajo është pak më ndryshe, por jo edhe aq sa duhet të ishte ndryshe.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin