KOHË PËR PSIKIATËR

I kemi ndjekur të gjithë komentet për incidentin që ndodhi pak ditë më parë, në Universitetin Politeknik të Tiranës, kur një pedagoge e atjeshme iu drejtua kandidatit të PD-së për Bashkinë e Tiranës, z. Lulëzim Basha, me fjalët “Vrasës!”.

Natyrisht, ky cilësim i rëndë nuk kish të bënte me fushatën e Bashës për kryebashkiak, por me të qenët e tij ministër i Brendshëm, ditën që forcat e drejtuara prej tij vranë (pas gjase, ose allegedly, siç thonë anglo-saksonët) katër protestues në bulevard.

Natyrisht, ministrin s’e ka nxjerrë përgjegjës për vrasjet ndonjë gjykatë dhe faji i tij atë ditë, i çfarëdo mase, mbetet për t’u provuar.

Megjithatë, unë besoj se pedagogia e atij universiteti, duke e quajtur Bashën “vrasës”, ushtroi të drejtën e saj të fjalës, haptazi dhe në publik.

Gjithsesi, këtu nuk dua të diskutoj për Fluturën; e kanë bërë të tjerët, më parë dhe më mirë se unë; njerëz që jetojnë në Tiranë dhe që do të votojnë të dielën.

Dua të diskutoj për një analizë të Mark Markut, që lexova sot në gazetën MAPO, ku autori pasi e quante që në titull pedagogen në fjalë “të manipuluar”, shprehej si më poshtë [theksimet janë të miat, 2Xh]:

Dy ditë më parë, në një takim elektoral të zotit Basha, një pedagoge e Universitetit Politeknik ka shpërthyer në një sulm skizofrenik ndaj tij, ndërsa ai po shpjegonte para pedagogëve dhe studentëve të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit platformën e tij elektorale. Mediat pranë Ramës janë munduar ta paraqesin këtë akt, krejt të padenjë për një pedagog universiteti, si një shembull moral të reagimit qytetar. Skena skizofrenike është dhënë e stërdhënë në ekranet televizive, është komentuar dhe, personazhi i saj, një grua që bërtiste me sa zë kishte në kokë duke sharë kandidatin, ka dalë shumë shpejt nga anonimati duke u bërë një simbol i kauzës socialiste për ta fituar për herë të katërt Bashkinë e Tiranës.

Pak ditë më parë, shumë analistë në mediat, duke përfshirë edhe vetë gazetën MAPO, shprehën indinjatën e tyre për një trop të keqkuptuar të Ilir Yzeirit – meqë ky paskësh cenuar ndjeshmëritë e kinezëve duke përdorur fjalën kinezëri; pa çka se nuk e kishin kuptuar atë autor, për shkak të injorancës së përgjithshme.

Kinezëve këta u dolën në mbrojtje ndoshta edhe për të bërë figurë të mirë para ambasadorit amerikan Arvizu, me prejardhje etnike nga Lindja e Largme (God bless him).

Ndërkohë, askujt nuk i bëhet vonë për këtë abuzim dhe përdhosje që u bëhet skizofrenëve në shtyp, nga njerëz të paditur, që nuk dinë as se çfarë është skizofrenia, as e kanë idenë për vuajtjet e skizofrenëve dhe të familjeve të tyre.

“Sulm skizofrenik,” e quan Marku veprimin e pedagoges në fjalë; edhe pse skizofrenët zakonisht nuk sulmojnë, ose të paktën nuk sulmojnë më shumë se të tjerët (edhe po të donin, kush do t’u linte radhë?).

Çfarë do të ishte tamam sulmi skizofrenik? Po skena skizofrenike?

Ndoshta Marku i referohet imazhit të 200 vjetëve më parë, për të sëmurët mendorë si qenie agresive dhe ulëritëse, që duheshin mbajtur të mbyllur në çmendina. Ndoshta Marku nuk ka marrë vesh se, këto dy shekuj të fundit, koncepti për sëmundjen mendore në përgjithësi ka evoluar; duke përfshirë këtu edhe konceptin për skizofreninë.

Ky autor kujton se po distancohet nga gjesti i pedagoges Flutura, duke e cilësuar atë si skizofrenik; dhe duke nënkuptuar që njerëz si Flutura nuk duhen lejuar të shprehen lirisht në vende publike, si “të çmendur” që janë.

Skizofrenia është sëmundje e rëndë mendore, që shfaqet me simptoma të ndryshme; por ushtrimi i fjalës së lirë, në publik, qoftë edhe në mënyrë të pahijshme, nuk është ndonjë karakteristikë e skizofrenisë. Përkundrazi. Po të ishte kështu, atëherë në vend të Parlamentit të Ri, kryeparlamentarja Topalli duhej të niste të ndërtonte një spital psikiatrik për “skicofrenët”, mu te Piramida, madje nën të, për arsye sigurie.

Natyrisht, analisti Marku ka të drejtën e vet për t’u shprehur ashtu; edhe pse ka një kontradiktë midis fajit që ai gjen te Flutura – e cila paska fyer kandidatin Basha, dhe fajit që ai bën vetë, duke lënduar ndjeshmërinë e lexuesve skizofrenë. Me fjalë të tjera, nëse ti ia lejon gojës kaq liri, për t’i cilësuar publikisht disa skena si skizofrenike thjesht ngaqë nuk pajtohen me ndjeshmëritë e tua intelektuale, atëherë njëlloj duhet t’ia lejosh edhe pedagoges Flutura të njëjtën liri, për t’i thënë kandidatit Basha “vrasës”, njëlloj në publik.

Kjo për Markun.

Përndryshe, në Shqipëri ka shumë të sëmurë skizofrenë, si kudo gjetiu. Një pjesë prej tyre i gjen spitaleve ose azileve për të sëmurë kronikë, por një pjesë tjetër arrijnë të jetojnë pak a shumë normalisht, edhe pse disi të tërhequr dhe të çuditshëm. Kam njohur prindër që kanë pasur fëmijë skizofrenë; motra që kanë pasur vëllezër skizofrenë; vëllezër që kanë pasur motra skizofrene – dhe më ka prekur gjithnjë thellë vuajtja e tyre, më e madhe dhe më e pangushëllueshme se ajo e të sëmurëve vetë.

Ka skizofrenë të dhunshëm, edhe pse esenca e skizofrenisë nuk është dhuna; por më tepër prishja e harmonisë ose integrimit mes departamenteve të mendjes: perceptimit, emocionit, arsyes. Dhimbja, përballë një të afërmi skizofren, lidhet edhe me bindjen se, për fare pak, ky njeri do të kish shkëlqyer në fushën e vet: skizofrenia dhe shkëlqimi mendor janë dy anë të së njëjtës medalje mizore.

Ç’lidhje ka kjo me batutat e Mark Markut? Asnjë lidhje, po të pranojmë, mes të drejtave të njeriut, edhe të drejtën hipotetike për të qenë haptazi i paditur, i pandjeshëm, i vrazhdë.

Përndryshe, autori mund ta kish përdorur epitetin skizofrenike jo për të cilësuar një skenë të zakonshme ballafaqimi publik gjatë fushatës, sesa për fushatën vetë; por jo në kuptimin psikiatrik, as në kuptimin që kandidatët e të dy palëve janë skizofrenë; por në kuptimin tjetër, filozofik, të një çarjeje ose dezintegrimi midis natyrës së këtyre zgjedhjeve dhe atmosferës me të cilën po përcillen; ose të çorganizimit mes zellit politik të kandidatëve dhe profkave të premtimeve që lëshohen sa majtas-djathtas, pa fre e pa doganë.

Nuk ka komente

  1. Skizofrenia nuk eshte ofendim, aq me pak racor, etnik, stereotip per nje grup shoqeror etj. por diagnoze mjeksore, keshtu qe nuk ka kurrfare ofendimi te skizofreneve nga MM. Sjella e tyre eshte diagnoze e sqaruar ne sa e sa libra qe merren me shendetin e mendjes dhe nese dikujt i perkon sjellja me ate cfare eshte skizofrenia, nxjerrja ne pah e kesaj nuk ofendon ata qe vuajne nga kjo, ndryshe ne duhet te djegim librat e psikiatrise.

    Sjellja e pedagoges ne incidentin e stisur ne takimin elektoral te Bashes, perkonte fort me ata qe vuajne nga kjo semundje. Ishte nje sjellje anormale ne nje ambient normal qe nuk e kishte ftuar njeri.

    Ushtrimi i te drejtes se fjales ne publik (gjithmone nese kjo fjale eshte normale dhe jo si e nje personi me ilete ne mendje) shkon deri atje kur ti nuk cenon te drejten e tjetrit per te folur (postulat i njohur po ca e harrojne). Zonja Hanelli po pengonte Bashen te fliste, ndersa ky pavaresisht se cfare mendon zonja Hanelli apo cdo zonje e zoteri tjeter, ka te drejten e patjetersueshme te flase e takohet me ke te doje.

    Te njejten gje do te thoja edhe per Ramen nese dikush nga perkrahesit e Bashes, qe per ta Rama eshte njeriu i nje mije e nje te zezave, do ta pengonin te fliste.

    Nese duam te kthejme gjyqet popullore ku denohen kundershtaret politike atehere ky eshte debat tjeter.

    Incidenti i stisur me protagoniste nje pedagoge qe shperfytyrohet ne ate menyre para studenteve te saj, do te duhet te merrte vemendje te madhe dhe te shikohej me hollesisht kjo pune duke vene ne dyshim te drejten e kesaj zonje per te arsimuar e edukuar studente dhe te denohej fort kjo lloj fushate e ndyre qe ben Rama duke stisur incidente te tilla kunder rivalit te tij.

    Ne nje vend demokratik, sado e brishte dhe e re te jete kjo demokraci, keto metoda fushate nuk duhet te pranohen dhe lejohen.

    Tani Rama eshte i humbur dhe cdo lloj fushate duhet bere pasi per te eshte beteje jeta a vdekje, por po sqarojme per kete blog se pergjegjesia e Bashes me 21 janar ka qene te mbronte rendin publik dhe institucionet kushtetuese qe u dhunuan rende nga opozita politike. Viktimat qe ndodhen, fatkeqesisht, jane ne proces hetimi dhe te akuzosh nje person pa asnje fakt me akuza te tilla monstruoze eshte driteshkurtesi politike dhe vetem njerezit e zinje kembe e krye mund ta bejne.

    Po pse nuk na ben gjuha te akuzojme Ramen personalisht per keto viktima qe nje dite para protestes fliste per te vrare betejash?!

    Garda e cila ka rregulloren dhe ligjin mbi te cilin vepron e ka sqaruar per prokurorine qe nuk ka qelluar njeri, as me urdher as pa urdher. Pervec njerit prej viktimave, qe eshte qelluar nga armet e Gardes dhe plumbi nuk ka qene per te por eshte perplasur diku dhe e ka kapur ate pastaj, te tjeret nuk dihet nga jane qelluar. Hetimi is ongoing. Mund te ndodhe qe edhe kane pergjegjesi gardistet per shkak te gjendjes se renduar, per shkak te ndonje aksidenti, per shkak te “tensionit te larte” etj. por kjo s’ka lidhje me Bashen.

    Te gjithe jemi qe pergjegjesite te nxirren nje per nje, duke filluar qe me organizatoret dhe frymezuesit e dhunes.

    Sdq. fushata negativiste e Rames si shenje e disavantazhit te tij elektoral, perpjekjes per te mos dhene llogari per detyren e tij si kryetar bashkie etj. nuk i dhane rezultat gjate fushates dhe as nuk kane per t’i dhene ne diten e mbetur.

    1. Me qe je ekspert i kesaj pune, c’thuhet ne ato librat e tu per reagimin e Bashes gjate ketij incidenti. Nderkohe qe dikush i therriste ne fytyre “vrases,” vura re qe ai as nuk ndryshoi tonin e zerit, perkundrazi, vazhdoi me skriptin si te ishte ndonje kompiuter, makine, automat, apo magnetofon. Nje qetesi prej njeriu qe nuk i dridhet dora e nuk ia ben syri terr para asjgje, ndoshta edhe para vrasjes. A thua se kishte perpara nje cope guri a druri, dhe jo nje njeri qe e akuzonte aq rende. Dua te di ne lidhje me ekspertizen tende se si e klasifikon kete sjellje, pasi mua me duket nje lloj psikopatie pasive-agresive. Ti c’thua?

      1. Tani, po ta kesh pare videon, do shohesh qe Basha po recitonte permendesh. Edhe duart i levizte sic i leviznim kur ishim 8 vjec kur recitonim vjershat. Ne situata te tilla, recituesi ka gjithmone njefare rezistence ndaj atyre qe i flasin, veshet i ka te mbyllura, se po e nderpreu recitimin humbet fillin e duhet ta filloje nga e para. Sidomos kur nuk di se cfare eshte duke recituar.

    2. “Po të ishte kështu, atëherë në vend të Parlamentit të Ri, kryeparlamentarja Topalli duhej të niste të ndërtonte një spital psikiatrik për “skicofrenët”, mu te Piramida, madje nën të, për arsye sigurie.

      Zgjidh e merr o djal i hekurt, o ket zyshen e inxhinierise, ose ate kafshen e xhindosur salibanin, qe skicofrenine e ka bo me fol me vehte.

    3. une propozoj qe per zonjen qe tha “vrases” te filloje procesi i beatifikimit,i lumturimit, meqe Sali Berishen po e mbajme si shpetimtar te kombit edhe pas fjaleve te ulta, joburrerore, dhe te ndyra qe tha per prokuroren. Megjithate tani po e kuptoj edhe me mire kush po i nxjerr dhe po i perdor tani paret e vjedhura ne v. 1997.

      Une mendoj dhe uroj gjithmone pak larg ketyre temave: Rrofte Shqiperia Etnike!
      Nipi

  2. Bazuar ne faktin se xhaxhai eshte pinjoll i nje doktori me emer ne punet e mendjes, ngjan te jete me i lecitur/me njohes, se shume nga ne lidhje me semundjet mendore.

    Desha te shtoj dicka ne lidhje me mekanizmin e semundjeve te mendjes ne pergjithesi. Shumellojshmeria e shfaqjeve te devijimeve mendore tek njerezit e ka bazen vetem ne nje fakt: ne nivelin e “mungeses te ndergjegjes”, e quajne edhe “kundra-ndergjegje”. Mjeket psikiater e shikojne kete dukuri psikotike, si nje lloj armiku te brendeshem i padukshem, i panjohur, i cili qe prej femijerise zhvillohet tek njerezit qe kane predispozicionin me te madh. Ky lloj “armiku” i brendeshem rritet si i tille sepse pacienti nuk eshte ne gjendje qe ta zbuse, ta shnderroje, per t’iu bashkuar pjeses tjeter njerezore te tij.

    Ne rastin e nje shfaqje sic eshte skizofrenia histerike (ka nje korelacion te madh midis skizofrenise dhe histerise, megjithese termi histeri eshte i vjeteruar ne mjekesi) procesi i ngjan nje lloj endre me sy mbylluar (pavarsisht se mund te ndodhesh ne nje salle mes njerezish edhe syte mund t’i kesh hapur). Mendja pastaj kalon ne fazen halucinative e projekton imazhe dhe situata qe nuk po ndodhin aktualisht. Halucinacionet shoqerohen me ngjyra te ndezura ekstravagante, imazhe qe akonisht jane dormante, flene ne trurin e pacientit. Syte e mendjes hallucinative fillojne te projektojne imazhe e nje mori gjerash te paqena, e per momentin pacienti harron realitetin ku ndodhet.

    Ne raste te tilla rekomandohet qe pacienti te perqendrohet tek imazhet reale dhe jo tek projeksionet qe rrjedhin nga halucinacionet. Nese arrihet kjo me sukses imazhet zbehen, deri sa zhduken fare. Skenat e tilla zakonisht shfaqen ne forma neurotike sic eshte histeria(funksionale) e perfundojne ne forma psikotike sic eshte skizofrenia. Ma merr mendja se rasti i zonjes anon me shume nga neuroza, histerizmi.

    Eshte fatkeqesi per dike qe i ka rene per hise te vuaj nga semundje te tilla. Me te thene te drejten duke qene se me eshte dhene rasti te jem deshmitar pergjate jetes i skenave te tilla, me erdhi keq per ate shfaqe histerike te zonjes ne fjale. Jo rralle njerez me motive te ulta provokojne njerezit me predispozicione te tilla, duke i ofruar situata, e krijuar kushte te favoteshme per nxitjen e kauzaleve halucinante dhe reagimeve aspak normale te njerezve qe kane nje predispozicion te tille.

  3. Mark Markun e shqetson menyra e te thenit, toni komunikimit dhe jo vete e verteta e komunikuar. Nuk di si do reagonin Marku &co nese profesoresha do ti ishte drejtuar Bashes me ton me te qete: z.Basha , ju jeni pergjegjes per kater vrasjet ne bulevard! Perseri do kapeshin pas argumentit te prezumimit te pafajesise.Kjo eshte ironia:Marku &co kerkojne Etike ne Republiken Amorale! Edhe nqs do te pranohej per nje moment si i mireqene argumeti per “skizofreni” Marku me siguri ka patur kohe dhe mjaft te dhena empirike per studimin e rastit permes performances se Shefit te tij ne Parlament e jo vetem.
    Ky eshte treguesi Republikes Amorale: dy masa te ndryshme per te njeten sjellje.

  4. Pedagogja bën nji cilësim që në një farë mënyre është i palidhur me topikun e takimit, i cili tingellon disi mashtrues, i paplotë, përderisa asni gjykatë deri më sot nuk ka shpallur ndonjiherë Lulezim Bashën vrasës-ose do te kishte lidhje nëse do të quhej në nji sallë gjyqi, pas asaj klithme te fjalëzur me siguri gjykatësi nuk do të kishte bërë më shumë se sa bënë bodiguardet e Bashës. Kur dikush kërkon të diskretitoje nji kanidat per kryetar Bashkie, në nji fushatë noramele demokratike,në nji takim te lire tij me zgjedhës te tij, s’ka fare rëndësi mbiemri i tyre, zakonisht vendosur me mbipergjithesime te tipi shqiptar, bile kur ky dikushi edhe pse ka nivelin e civilizues mbimesatar, eshte shumë e vendosur për vrastidhësinë e tij është shumë e qartë që ajo është nj PeSeiste. Associatimi me nje term te till është loje e zakonshme e politikanëve për të markëzuar kundërshtarërët e tyre poltike. Ishte thënë edhe shume herë më parë nga krey asaj turme politike, z.Edi Rama. Nuk ishte as skizofreni me kuptimin e sotëm, edhe pse eshte me kuptimin e vjetër, veçse ishte vetëm nje përsëritje amplifikuese e ç’farë udhëheqësi tha, prej popullit shqiptar pedagog të apolitizuar.

    Në facebook të Lulezim Bashës gjeta nje thirje të një natyre tjetër, sigurisht nga një friende shqiptare, nuk e kishte të shkruatur nese ishte pedagoge apo jo, edhe pse ne Favorite Quotations kishte shkruajtur Philosophy
    O humbes ku je?
    Po korr ate qe ke mbjell.
    Nuk i harrojn shqiptaret vjelljet e parave te rruges se kombit! E as tirana se do nje kryebashkiak qe u end gjykatave per muaj te tere i akuzuar per hajduteri..
    TIRANA SJU KA DASHUR, SJU DO, AS SKA PER TIU DASHUR KURRE..jo vetem ty por asnje te PD
    KUUURR!! kuptuat??

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin