GABIMET LOGJIKE (FALLACIES)

Iztok Hozo, Department of Mathematics, Indiana University Northwest

Statistikat dhe politika http://www.iun.edu/~mathiho/mathpol/math-politics.htm:

Shumë reklama, debate politike dhe forma të tjera të diskutimit publik janë të mbushura me gabime logjike – formulime logjike që janë bindëse, por jo të vlefshme. Njohja me gabimet logjike më të ndeshura në jetën e përditshme mund të ndihmojë njeriun e zakonshëm të bëjë zgjedhje të informuara dhe të arrijë në gjykime racionale. Edhe pse njihen shumë gabime logjike, në këtë shkrim përshkruhen ato që përdoren dhe hasen më shpesh.

Gabimet e përkatësisë

Subjektivizmi: “Unë besoj/dua që dicka të jetë e vërtetë, dhe për këtë arsye ajo është e vërtetë’’. Ky gabim shpesh karakterizohet nga refuzimi i individit për të konsideruar dëshmi që kundërshtojnë besimin e tij, qëndrim ky që shpesh nëpër libra emërtohet ‘Gabimi i Hipotezës së Pakundërshtueshme’. Ky gabim haset shpesh në teoritë e konspiracionit. Shembull “Askush që ka zemër nuk mund të besojë që është e pranueshme të torturosh kafshët’’. Pas bombardimit të Ndërtesës Federale Mjurra në Okllahoma, shumë grupe ushtarake pretenduan që qeveria e dinte që kjo do të ndodhte pasi FBI-ja kishte arritur të depërtonte në organizatat e tyre. Kur u bë pyetja se përse, nëse qeveria e kishte këtë informacion, ajo nuk mori masa për të larguar njerëzit nga ndërtesa, u dha përgjigja që qeveria lejoi vrasjen e gjithë atyre njerëzve me qëllim që të diskreditonte lëvizjen e grupeve ushtarake dhe të kthente opinionin publik kundër tyre. Disa zëdhënës të grupeve ushtarake shkuan deri aty sa të shpreheshin që vetë FBI-ja kishte organizuar bombardimin për të arritur këtë qëllim. Në këtë rast, përfaqësuesit e këtyre grupeve kanë një hipotezë të pakundërshtueshme.

Apeli ndaj injorancës/padijes: “Nëse nuk mund të hidhet poshtë, atëherë duhet të jetë e vertetë”. Ky gabim shpesh fshihet nën petkun e një gjuhe mjaft bindëse. Shembuj: “Pavarësisht mijëra të ashtuquajturave ‘shfaqje’ nuk është siguruar asnjë dëshmi e prekshme e Objekteve të Paidentifikuara Fluturuese (UFO). Për këtë arsye OPF-të nuk ekzistojnë.’’ “Mijëra studime dhe miliona dollarë të shpenzuara për kërkime nuk kanë gjetur një shkak për Sindromën e Luftës së Gjirit. Rrjedhimisht duhet të arrijmë në përfundimin që e ashtuquajtura ‘sindromë’ nuk është e lidhur me shërbimin ushtarak në Luftën e Gjirit.’’

Ky gabim është i lidhur ngushtë me gabimin e Zgjedhjes së Kufizuar, në të cilën një argument e detyron arsyetuesin të arrijë në një përfundim të caktuar në bazë të një kushti artificial të formës ‘ose kështu/ose ashtu’ apo ‘nëse x/atëhere y’. Shembuj:  “Nëse je kundër luftës, atëhere ti nuk i mbështet djemtë dhe vajzat tona të veshur me uniformë.’’ “Nëse je kaq i/e zgjuar, pse nuk je i/e pasur?” “Ose duhet të mbështesim eksperimentet me kafshët, ose duhet të heqim dorë nga lufta kundër kancerit.’’

Apeli ndaj Emocionit: Ky gabim synon të ngjallë një përgjigje emocionale për të bindur dëgjuesin, dhe është mjaft i zakonshëm në debate mbi cështje ndaj të cilave publiku është mjaft i ndjeshëm si viviseksioni, aborti dhe dënimi kapital. Ai mund të mbështetet jo vetëm në argumentet verbale, por edhe në përdorimin e pamjeve grafike dhe shqetësuese, ose filmimeve tronditëse që tregojnë p.sh. kafshë që vuajnë nëpër laboratorë. Shembull: “Dikush që copëton dhe vret një fëmijë, meriton të vritet – Unë do ta shkrehja këmbëzën vetë me një buzëqeshje.’’ Ky gabim është i lidhur ngushtë me Apelin ndaj Forcës, i cili është një përpjekje për të fituar përkrahje nëpërmjet një kërcënimi të shprehur ose të nënkuptuar. Shembull: “Nëse nuk voton me të tjerët, vendi yt në këtë komitet do të vihet në diskutim.’’

Apeli i Papërshtatshëm ndaj Autoritetit: Kjo është një përpjekje për të fituar mbështetje ose besim duke e bashkëshoqëruar idenë/produktin me një autoritet të papërshtatshëm ose të pakualifikuar. Ky gabim është jashtëzakonisht i shpeshtë në industrinë e reklamave, në rastet kur një figurë e njohur publike ftohet të reklamojë një produkt. Ky gabim haset edhe në rastet kur një autoritet i korruptuar, si p.sh. shteti në Gjermaninë Naziste, i detyron qytetarët të mbështesin politika që ata nuk i përkrahin, nëpërmjet kërcënimit të nënkuptuar ndaj mospërkrahësve.

Sulmi personal (ndaj personit): Kjo është një teknikë shumë e zakonshme, në të cilën njëra palë kundërshton tjetrën mbi baza personale dhe jo në bazë të argumenteve. Shembuj: “Kjo është dicka që vetëm një liberal i përbetuar do ta besonte.’’ “Pse nuk duhet të dal për gjah, nëse dua? Ti e ha mishin, apo jo?” “Kushdo që mbështet dicka të tillë, nuk ka ndjenja dhe zemër.” Cdo herë që një argument sfidon motivet, vërtetësinë ose kualifikimet e kundërshtarit, argumenti është një sulm ndaj personit, që ka për qëllim të zhvendosë debatin larg meritave të argumentit në vetvete.

Lypja e Pyetjes: Ky gabim ndodh më shpesh nga c’kujtojmë ne. Shumë njerëz argumentojnë në bazë të këtij gabimi për forcë zakoni dhe habiten kur të tjerët iu vënë në dukje se janë duke përdorur arsyetimin e tërthortë. Në përgjithësi ky gabim shprehet në thënie të formës: “Kjo është e vërtetë sepse është e vërtetë.’’ Shembuj: “Kafshët nuk duhen bërë të vuajnë për të cuar përpara njohuritë shkencore, sepse t’iu shkaktosh vuajtje kafshëve është dicka e gabuar.’’ ‘’Kushdo në një shoqëri të pasur si e jona, ka të drejtë të ketë kujdes shëndetësor, prandaj kujdesi shëndetësor duhet ofruar për të gjithë.’’ “E drejta e fjalës është një e drejtë themelore në një shoqëri, sepse cdokush duhet të ketë të drejtën të shprehet në liri të plotë.’’

Non Sequitur (nuk do të thotë që …): Ky gabim është vështirë të dallohet sepse shpesh ai shpreh një anësi ose preferencë të përgjithshme ose i bën thirrje ndjenjës popullore. Gabimi është i pranishëm në të gjitha rastet kur kushtet dhe përfundimet e një argumenti janë në thelb të palidhura me njëra- tjetrën. Shembuj: “Një mbrojtje e fortë kombëtare është thelbësore për lirinë tonë. Për këtë arsye ne duhet të financojmë prodhimin e raketës MX.” “Krimet seksuale janë shpesh rezultat i dëshirës së papërmbajtur seksuale, prandaj kastrimi është një ndëshkim i përshtatshëm për këto lloj krimesh.’’ “Dy të tretat e mbipopullimit të burgjeve vijnë si rezultat i dënimeve të gjata për krime të lidhura me drogën. Për këtë arsye drogat duhen legalizuar.’’ ‘’Pothuajse të gjithë personat e varur nga droga, e kanë filluar duke përdorur droga të lehta si marihuana. Për këtë arsye marihuana nuk duhet legalizuar.’’

Shkakësia e Gabuar: Ngjarja e dytë ndodhi pas ngjarjes së parë, rrjedhimisht ngjarja e parë shkaktoi ngjarjen e dytë. Gabimi në këtë arsyetim është i qartë, megjithatë ky është një gabim mjaft i lehtë për t’u bërë, vecanërisht në politikë. Shembuj: “Pasi kundërshtari im erdhi në fuqi, ekonomia mori tatëpjetën. Një votë për mua është një votë për të rindezur motorin e ekonomisë së këtij vendi.’’ ‘’Gjatë kohës kur ne kemi qenë në pozitë, niveli i krimit ka rënë. Është e qartë që politikat tona kanë pasur sukses në luftën kundër krimit.’’ ‘’Pas liberalizimit shoqëror të viteve 60, sëmundje sociale si shtatëzanitë në adoleshencë, dhuna urbane dhe ashpërsia në diskutimet publike u rritën ndjeshëm. Ne duhet të rikthejmë disa vlera tradicionale.’’

Pyetja Komplekse: Kjo është teknika e famshme “a ke ndaluar së rrahuri gruan?” në të cilën një përfundim imponohet duke u maskuar si një pyetje. Duhet të jeni vecanërisht të kujdesshëm ndaj pyetjeve që kërkojnë një përgjigje në formën ‘Po/Jo’. Shembuj: “A është kundërshtari im gati të heqë dorë nga reklama negative?” “Do të përkushtohesh për të sjellë barazi më të madhe në vendin e punës duke mbështetur pozicionin tim mbi veprimin pozitiv (pohues/mbështetës)?”

Gabime të numrave dhe statistikave

Apeli ndaj popullaritetit: Ky është gabimi i “të gjithë e bëjnë’’ i përdorur shpesh nga fëmijët e shkollave, të cilëve prindër të zgjuar iu përgjigjen “dhe nëse të gjithë hidhen nga shkëmbi, ti do ta bëje?” Shembuj: “Ne kemi produktin me shitjet më të larta në Amerikë. (Kështu që edhe ju duhet të blini një të tillë.)” “Përbindëshin e Lok Nes-it e kanë parë kaq shumë njerëz – aty duhet të ketë patjetër dicka.”

Përgjithësime të nxituara: Ky gabim përfshin arritjen në një përfundim të përgjithshëm në bazë të mbështetjes anekdotike. Shembuj: “Nuk kam qenë kurrë i mirë në matematikë. Nuk kam ‘tru’ për matematikë.’’ “Dy avionë 747 janë rrëzuar gjatë vitit të kaluar. Ky tip avioni nuk është i sigurt.’’

Anësia dhe gabimi i pranishmërisë: Ky gabim është mjaft i zakonshëm në vjeljet e opinionit dhe vjen prej faktit që mënyra se si njerëzit përgjigjen shpesh varet nga mënyra e formulimit të pyetjes.  Këto shembuj nuk përmbledhin në asnjë mënyrë llojet e shumta të gabimeve të zakonshme logjike, por janë përfaqësuese të llojeve tipike në reklamën dhe propagandën bashkëkohore. Zotërimi i aftësisë dhe mprehtësisë për të dalluar këto gabime kur ato përdoren ndaj jush, ju siguron një mbrojtje të shkëlqyer ndaj pranimit të ideve dhe përfundimeve të mbështetura mbi argumente të lëkundura ose mashtruese.

Përktheu: Diana Sh.

Nuk ka komente

  1. Shkakesia e gabuar duhet te kete edhe nje kategori tjeter nga ajo qe eshte sqaruar ne tekst. Dhe ky eshte Injorimi i nje Shkaku te Perbashket (perktthim termi direkt nga Mills, por mund te gjendet nje term me elegant ne shqip). Dy ngjarje qe ndodhin njekohesisht i atribuojne shkakesine njera tjetres, nderkohe qe shkaku i perbashket i tyre injorohet. Edhe ky eshte gabim qe haset shpesh ne politike: “Ne 97-98 kishte dhune kunder humbjes se parave dhe qeveria u nderrua, rrjedhimsht qeveria u nderrua me dhune.” “Ne 21 janar opozita thirri njerezit ne proteste kunder korrupsionit, rrjedhimisht opozita nxorri njerezit ne proteste.”

  2. Një gabim logjik kurioz bën sot i mirënjohuri Alan Dershowitz, në një editorial botuar në Daily News.

    Duke iu referuar aksionit të suksesshëm amerikan, kundër kryeterroristit Bin Laden, ai ankohet se pse i njëjti lloj aksioni, kur është kryer nga komandot izraeliane në të kaluarën, kundër terroristëve të Hamas-it dhe të Hezbollah-ut, nuk është përshëndetur ose së paku toleruar njëlloj si ky i tanishmi.

    Dershowitz-i citon, për shembull, reaksionet, ndaj veprimeve të ngjashme të Izraelit, të Ministrisë së Jashtme Franceze, se “ekzekutimet jashtë-gjyqësore bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare dhe janë të papranueshme”; dhe të Ministrit të Jashtëm Italian se “Italia, si krejt Bashkimi Europian, e ka dënuar gjithnjë praktikën e vrasjeve të shënjestruara”; të Sekretarit Britanik për Punët e Jashtme se “Vrasjet e ashtuquajtura të shënjeshtruara të këtij lloji janë të paligjshme, të papërligjura dhe kundërprodhuese”; të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Kofi Anan se “vrasjet jashtëgjyqësore janë shkelje të së drejtës ndërkombëtare.”

    Me të drejtë, Dershowitz vëren këtu një standard të dyfishtë.

    Tani, lexuesi do të priste që, pas konstatimit të këtij standardi, autori (1) të dënonte edhe mënyrën si u veprua me Bin Ladenin, me të njëjtët argumente; (2) të kërkonte që Europa dhe OKB-ja të dënonin edhe ShBA, njëlloj sikurse kanë dënuar Izraelin në të kaluarën; (3) të kërkonte që këto vende t’i kërkonin të falur Izraelit, që e kanë dënuar, meqë tani e kuptuan se vrasje të tilla janë të nevojshme. Këto kërkesa do të ishin të arsyeshme.

    Mirëpo Dershowitz-i thotë:

    The fact that none of these convenient critics of Israel has dared challenge the wisdom or legitimacy of the assassination of Bin Laden by the United States lays the double standard bare: Israel is the one country whose right to defend itself is systematically questioned.
    [Izraeli është i vetmi vend, e drejta e së cilit për vetëmbrojtje vihet sistematikisht në dyshim.]

    A është vërtet kështu? Mund të jetë, por mund edhe të mos jetë. Një gjë është e qartë – një konstatim i tillë nuk rrjedh nga faktet e mësipërme. Nuk mjafton që një vrasje e shënjestruar e amerikanëve të lihet në heshtje ose të përshëndetet, për të nxjerrë përfundimin se Izraeli po persekutohet.

    Përfundimi logjik, në këtë kontekst, do të ishte që po privilegjiohet Amerika, jo që po persekutohet Izraeli.

    Ministrat e jashtëm hipokritë, që citon Dershowitz-i më lart, njëlloj do të shprehnin indinjatën për veprime të ngjashme të kryera nga Rusia, Kina, ose India, bie fjala.

    Në thelb, Dershowitz-i kërkon, duke u ankuar në këtë mënyrë, që Izraelit t’i njihen po ato privilegje që gëzon edhe ShBA; sidomos nga ana e Europës së Bashkuar, që kohët e fundit është përpjekur t’i përmirësojë marrëdhëniet me armiqtë realë dhe imagjinarë të Izraelit. Ai nuk e ka merakun që të dënohet vrasja e Bin Ladenit, por që të tolerohen vrasjet që ka kryer dhe sidomos që do të vazhdojë të kryejë Izraeli në të ardhmen.

    Natyrisht, është e drejta e tij ta kërkojë këtë. Çfarë më habit, është mënyra si e ka kërkuar, duke i bërë apel imazhit të persekutimit të hebrenjve, dje dhe sot; një e vërtetë historike, por edhe një e vërtetë e abuzuar.

    Faji i kritikëve të Izraelit nuk është se po kritikojnë Izraelin për vrasje jashtëgjyqësore; por sepse nuk kanë guximin e duhur që të veprojnë njëlloj edhe me ShBA. Kanë faj sepse janë frikacakë, jo sepse janë të paragjykuar kundër Izraelit vetëm. Këtë Dershowitz-i, profesor në Fakultetin Juridik në Harvard, e di fare mirë. Fakti që, megjithatë, përdor një argument kaq të dobët për të mbështetur tezën e vet dhe për të kërkuar, në mënyrë megalomaniakale, për Izraelin të njëjtat standarde që përdor bota për ShBA, tregon thjesht se ai nuk ka ndonjë farë konsiderate për IQ-në e lexuesve të vet.

    1. Ne fakt une gjej te pakten kater ketu, por mund te jene perdorur edhe te tjera qe nuk po m’i kap syri. Dy te parat jane te padukshme, nderkohe qe te dytat jane me te qarta.

      1) Apeli emocional. Cifutet kane vuajtur historikisht (if I’m allowed a pun) si cifuti ne shkretetire. Rrjedhimisht ata kane te drejten me vete.

      2) Apeli ndaj autoritetit. Izraeli eshte autoritet ne rajon, nderkohe qe palestinezet, si femije te pabindur duhen vene ne vije.

      3) Ky eshte nje tjeter lloj gabimi shkakesie. Eshte po nga John Stuart Mill dhe quhet Ngaterrim Shkaku me Pasojen. Sic e thote edhe vete termi, nje ngjarje qe eshte pasoje e nje ngjarjeje tjeter, merret si shkaku i saj. Keshtu psh, nderkohe qe terrorizmi i palestinezeve merret si shkak per veprimet e Izraelit, e kunderta eshte po aq e vertete: veprimet e Izraelit jane shkak per deshperimin palestinez qe shkon deri ne terrorizem.

      4) Gabim Kategorik. Eshte term i Gilbert Ryle dhe do te thote se nje fenomen i caktuar klasifikohet, apo kategorizohet gabim, futet pra ne nje kategori qe nuk i perket. Keshtu psh, ceshtja mes Palestines dhe Izraelit eshte nje ceshtje sovraniteti territorial i pazgjidhur. Nderkohe qe ceshtja mes Amerikes dhe Al Kaedes nuk eshte ceshtje e tille. Amerika ka nje sovranitet territorial legjitim, nderkohe qe Al Kaeda nuk e njeh sovranitetin territorial te askujt. Eshte organizate ndershteterore, dhe jo shteterore. Organizatat terroriste palestineze e njohin konceptin e sovranitetit territorial. Ajo qe vene ne dyshim, eshte legjitimiteti i Izraelit, duke advokuar legjitimitetin e tyre. Duke qene se kjo ceshtje sovraniteti territorial eshte e pazgjidhur, kerkesa per nje gjyq asnjeanes ndaj ketyre akteve terrorizmi eshte me e larte se kerkesa per nje gjyq asnjeanes per sa i perket Al Kaedes, pasi kjo e fundit, nuk e njeh fare te drejten e nje gjyqi asnjeanes. Nderkohe qe negociatat nga ana e grupeve palestineze tregojne se keto te fundit do e njihnin autoritetin e nje gjykimi asnjeanes. Qe te dalim tek llafi i Obames, prape, negociata me Al Kaeden eshte e pamundur sepse eshte opsion qe as Al Kaeda vet nuk e njeh. Nga ana tjeter, negociatat Izrael-Palestine jane gjithmone nje opsion i hapur nga ana e palestinezeve. Shkurt, grupet terroriste palestineze nuk jane ne te njejten kategori me Al Kaeden, pasi nderkohe qe te parat e njohin principin e sovranitetit territorial, e dyta eshte ne thelb krejt anarshiste dhe qe nuk njeh asnjelloj autoriteti, me ane te te cilit negociatat do ishin te mundshme.

  3. Mua më duket se arsyetimi i Dershowitz-it ngjan, nga një pikëpamje, me çfarë njihet, në logjikën induktive, si paradoksi i Korbit, i formuluar për herë të parë nga logjicieni gjerman Carl Gustav Hempel në vitet 1940.

    Sipas faqes përkatëse në Wikipedia, Hempeli e përshkruan paradoksin duke u nisur nga hipoteza:

    (1) Të gjithë korbat janë të zinj.

    Në terma ngushtësisht logjikë, nëpërmjet Ligjit të Implikimit, ky pohim është i barasvlershëm me:

    (2) Gjithçka që nuk është e zezë, nuk është korb.

    Nuk ka dyshim se në të gjitha ato rrethana ku (2) është e vërtetë, edhe (1) është e vërtetë; ndërsa në të gjitha ato rrethana ku (2) është e rreme (p.sh. në një botë imagjinare ku të ekzistonte diçka që nuk është e zezë, por që është megjithatë korb), atëherë edhe (1) është e rreme.

    Kur jepet një pohim i përgjithshëm, si të gjithë korbat janë të zinj, ne përgjithësisht e konsiderojmë një formë të këtij pohimi, e cila i referohet një instance specifike të vrojtueshme të klasës së përgjithshme, se përbën provë për atë pohim të përgjithshëm.

    Për shembull, pohimi:

    (3)Korbi im, Bardhi, është i zi

    Përbën provë që mbështet hipotezën se të gjithë korbat janë të zinj.

    Paradoksi lind në momentin kur ky proces zbatohet ndaj pohimit (2). Kur shohim një mollë të gjelbër, ne mund të vërejmë:

    (4) Ky send i gjelbër (pra, jo i zi) është mollë (pra, jo korb).

    Nëpërmjet të njëjtit arsyetim, ky pohim është provë se (2) gjithçka që nuk është e zezë nuk është korb. Por meqë (si më lart) ky pohim është logjikisht ekuivalent me (1) të gjithë korbat janë të zinj, që këtej rrjedh se pamja e një molle të gjelbër përbën provë se të gjithë korbat janë të zinj. Ky përfundim bie ndesh me common sense-in dhe tingëllon paradoksal, meqë implikon se ne marrim informacion për korbat sa herë që shohim një mollë.

    Deri këtu paradoksi. Në faqen e Wiki-t diskutohen edhe zgjidhjet e ndryshme që janë ofruar – disa shumë komplekse.

    Tani, për t’u kthyer te miku ynë dhe i Shqipërisë Dershowitz, ky duket sikur arsyeton kështu:

    (1) Kur Izraeli bën A, dënohet nga komuniteti ndërkombëtar.

    (2) Kur ShBA bën A, nuk dënohet nga komuniteti ndërkombëtar.

    (3) Fakti që ndodh (2), tregon se A nuk është e dënueshme në vetvete, por vetëm kur këtë e bën Izraeli.

    (4) Kur ShBA bën A, reagimi mosdënues i komunitetit ndërkombëtar është anti-izraelian.

    Unë shoh një ngjashmëri këtu me paradoksin e korbit. Nuk di ç’mendojnë kolegët? Lutem, vetëm përgjigje të kualifikuara.

    1. Xha xha, nuk me duket se ka vend paradoksi i korbit ketu.
      Nese do ndjekim hapat e paradoksit te korbit ne rastin tend do te kishim:
      (1) Kur Izraeli ben A, dënohet nga komuniteti nderkombëtar.
      (2) Kur Izraeli nuk denohet nga komuniteti nderkombetar d.m.th ai nuk ka bere A.
      (3) Izraeli beri B (e ndryshme nga A) dhe nuk u denua nga komuniteti nderkombetar. Ky eshte perforcim per (1).
      (4) Komuniteti nderkombetar pershendeti Shqiperine (pra nuk denoi Izraelin) per realizimin e zgjedhjeve te lira (te cilat nuk jane ekuivalente me faktin qe Izraeli beri A). Ky eshte perforcim per (2) dhe rrjedhimisht per (1)!
      Paradoksi ne kete rast qendron qe mesuam dicka per Izraelin duke vezhguar Shqiperine.

      Nuk shoh se si mund te besh lidhjen e kesaj me artikullin e Dershowitz-it.

      1. Vërtet, Arti; por mua m’u duk se pashë një ngjashmëri.

        Po e formuloj edhe një herë idenë time:

        (a) Izraeli bën A dhe dënohet
        (b) ShBA bën A dhe nuk dënohet

        Përfundimi:

        (c) Izraeli trajtohet ndryshe nga të tjerët (me një fjalë, duhet dënuar më shumë ose më ashpër).

        Ky është thjesht një dordolec arsyetimi, por më duket se, si karikaturë, e përmbledh arsyetimin (e gabuar) të Dershos.

        Pse e them këtë? Sepse pohimin (b) mund ta formulojmë edhe kështu: X bën A dhe nuk dënohet – duke e zëvendësuar ShBA me çdo vend tjetër, me përjashtim të Izraelit.

        Kësisoj, (b) vjen dhe i ngjan pohimit “çdo gjë që nuk është e zezë, nuk është korb”; dhe, nga ana tjetër, konfirmon tërthorazi pohimin (a), sikurse e konfirmonte pohimi “çdo gjë që nuk është e zezë, nuk është korb” pohimin “çdo korb është i zi.”

        E shtjellova sa më lart për të ilustruar ngjashmërinë që pashë, edhe pse e kuptoj që arsyetimi yt është shumë më rigoroz.

  4. Me duket se gjeta edhe nje tjeter, por ha debat. Kjo madje kerkon pak elegance prej gjuhetari per ta sjelle si duhet ne shqip. Termi ne anglisht eshte Misleading Vividness. Duke u nisur nga detaje shume te gjalla te nje rasti te jashtezakonshem, gjeneralizon mbi raste te ngjashme por te zakonshme duke i futur ne te njejten kategori. Gershetohet me Gabimin Kategorik nga nje krah, dhe me ate qe quhet Gjeneralizim i Nxituar nga krahu tjeter. Shembull klasik eshte ne dy pjese, detaji dhe gjeneralizmi, dhe vjen si me poshte:

    1. Babai im u vra ne nje aksident rrugor tek i jepte nje makine Golf. (Misleading vividness. Detaji eshte jashtezakonisht emocional per te qene i pakujdesshem me te).

    2. Rrjedhimisht une nuk hipi me ne makina Golf. (Gjeneralizim i nxituar).

    Pak a shume dicka te ngjashme ben edhe Dershowitz. Te gjithe i kemi ne mendje detajet e tmerrshme dhe te ngarkuara emocionalisht te 11 shtatorit. Po ashtu, jo vetem 11 shtatori, por edhe sulmet terroriste cfaredo qofshin, kunder Izraelit apo kujtdo, jane njesoj te ngarkuara emocionalisht. Keto detaje te ngarkuara na turbullojne gjykimin, prandaj edhe duhen trajtuar me kujdes.

    1. Terroristi i 11 shtatorit u denua pa gjyq. (Misleading vividness 11 shtatori).

    2. Rrjedhimisht praktika e te denuarit pa gjyq eshte normale ne cdo rast terrorizmi. (gjeneralizim i nxituar.)

    Por nese rasti i 11 shtatorit ndryshon nga rastet e tjera te terrorizmit, atehere konluzioni ne piken 2 eshte i gabuar.

    Ky lloj gabimi logjik me duket i njejte me “paradoksin e korbit” qe sjell ti Xhaxha. Termi eshte Misleading Vividness. Nuk di se si mund te perkthehet “vividness.”

    1. Shof qe Gjeneralizim i Nxituar eshte sjell ne artikullin kryesor si Pergjithesim i Nxituar. E njejta gje.

      1. Ne fakt Xhaxha, Misleading Vividness eshte nje specie e vecante e Pergjithesimit te Nxituar. Ta kam llafin qe gabimi i Dershos eshte pergjithesim i nxituar i llojit “misleading vividness.” Mbetem kurioz per nje term te pershtatshem ne shqip.

      2. Shiko ku eshte dallimi kryesor. Pergjithesimi i nxituar mund te kryhet ne baze dy faktoresh, sasior, ose cilesor. Tek pergjithesimi i nxituar sasior hyjne argumentet me enumeracion te pamjaftueshem. Psh, kjo mjellme eshte e bardhe, kjo tjetra po ashtu, edhe kjo tjetra, rrjedhimisht, te gjitha mjellmat jane te bardha. Inferenca kryhet ne baze te disa rasteve qe mendohen te mjaftueshme, por qe nuk jane. Misleading vividness eshte “pergjithesim i nxituar cilesor.” Pergjithesimi, apo inferenca, kryhet ne baze se cilesise te qofte edhe nje rasti te vetem. Psh, dikush thote “Sa te mira qe jane femrat suedeze.” Ti e pyet, “po mire, nga e di ti kete?” Dhe pergjigja eshte “Kam shkuar NJE HERE me njeren.” Eksperienca eshte e nje cilesie te tille qe te turbullon gjykimin ne ate mase, sa qe vetem me nje here nxitohesh dhe pergjitheson mbi te gjitha femrat suedeze. Huazon nga apeli emocional i nje rasti apo shume pak rastesh, dhe pergjitheson.

        Ok, per momentin mund te perdoret “pergjithesim i nxituar cilesor,” por eshte term qe ma vret shume veshin me teknikalitet.

        1. Scratch that. Pergjithesim Cilesor i Nxituar, dhe Pergjithesim Sasior i Nxituar, duhet te thosha.

  5. @Diana SH.
    Non sequitur nuk mendon “nuk do të thotë që”. Fjalë për fjalë mendo “nuk ndjek” Ne disa klasifikime te tjera quhet Red Herring. Emrin e ka marre prej ushtrimeve stërvitore që u beheshin langonjve te rinj te gjuetise (te cilët anglishtja çuditërisht i quan hounds) me anë të red herring- peshk, duke e zvarritur atë mbi toke me qëllim që të shmangin vemendjen e Hounds nga gjurmët te nje dhelpre që ai ishte duke ndjekur. Peshku zvarritet nëpër tokë derisa hunda e hounds te ri të dallonte erën origjinale të kafshës që po ndiqte nga era e fortë e peshkut dhe te ndiqte gjurmen e dhelprës.

    1. Non sequitur dhe red herring jane dy kategori te ndryshme, por ke te drejte qe ngaterrohen. Ne rastin e non sequitur, konkluzioni nuk rrjedh logjikisht nga premisat. Ndersa ne rastin e red herring edhe pse konkluzioni nuk rrjedh logjikisht nga premisat, e merr konkluzionin per te mireqene, te sakte dhe vazhdon nje argument logjikisht te sakte prej ketij konkluzioni, por qe ne fakt eshte irelevant. Po te marrim nje nga shembujt me lart: “Krimet seksuale janë shpesh rezultat i dëshirës së papërmbajtur seksuale, prandaj kastrimi është një ndëshkim i përshtatshëm për këto lloj krimesh,” deri ketu eshte non sequitur. Por po te vazhdosh dhe te thuash se “ne Kinen e Dinastise Ming, pas studimeve rigoroze te kryera nga shkollaret konfucian, kastrimi u perdor si metode per te ndaluar krimet seksuale dhe pati efikasitet,” atehere eshte red herring. Njesoj si ata zagaret e aristokracise angleze, red herring nuk eshte vetem nje konkluzion i gabuar mbi vendodhjen e prese, por edhe ndjekja irrelevante ne ate drejtim.

  6. Non sequitur: Nje deklarim që nuk ndjek llogjikisht ç’farë kishte nisur të thoshte.

    Shembull: Saliu është njeri i ndershmëm i ndershëm, për këtë arsye, ai ka për të gjet nje punë të mirë.

    Shumë njerëz të ndeshëm nuk kanë gjet punë të mirë.

    Red Herring: Shmangjen nga problem i vertetë duke drejtuar vemëndjen tek nji problem tjetër pa lidhje.

    Shëmbull1: Ne e dimë që bëmë nje gabim duke e vrarë pa gjyq OBL, por ne do të proçedojmë me gjyq ç’do rast të tillë në të ardhmen”.
    Shembulli2: Ne dime që vrasja pa gjyq e OBL eshte nji gabim, por ne e kryem sepse ne jemi ne gjendje lufte me terrorizmin.

    Kjo është nji red herring për të shmangur erën e problemit të vertetë, vrasja e OBL pa gjyq.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin