FANTAZMAT E VOTËS

Pyetja nëse emigrantët duhet të votojnë në zgjedhjet lokale mund të ketë përgjigje të thjeshtë, por mjafton të grishës pas “jo”-së së mundshme, për të zbuluar dritëhijet e një sfondi të ndërlikuar, që shkon përtej kufijve të komunës apo të bashkisë ku marrim certifikatën e lindjes.

Normalisht, siç vërejti edhe Xha Xhai, emigrantët që kanë ikur prej kohësh nga vendi i tyre nuk kanë përse të votojnë në zgjedhjet lokale. Këto bëhen për të zgjedhur administruesit vendorë, që merren kryesisht me problemet e përditshme të bashkësisë, pra për të zgjedhur ata që janë shumë të lidhur me territorin dhe politikat e tij. Kjo premisë i përjashton vetvetiu emigrantët nga “e drejta” për të votuar për bashkinë ose komunën, meqë përditshmërinë e tyre ata e kalojnë në një vend tjetër. Ka shumë më kuptim që emigrantët ta hedhin votën në vendet ku jetojnë, për të zgjedhur politikanët vendorë të qyteteve e fshatrave ku jetojnë. Politikat e ndjekura në territor ndikojnë drejtpërdrejt jetën e banorëve: nga autobusi tek trafiku, nga plehrat tek mjedisi, nga pallatet tek urbanistika.

Po ta shohim çështjen nga ana teorike, duke ngritur problemin se ku duhet të votojë një qytetar për zgjedhjet vendore, nuk ka shumë alternativa: në qytet apo në fshat, vota i takon atij që e banon. Mirëpo, kjo përgjigje teorike përplaset në shkëmbinjtë e realitetit. Nga njëra anë e drejta e votës vendore bëhet praktikisht e parealizueshme, nga ana tjetër dukuria e emigracionit po nyjëtohet gjithnjë e më ndryshe në epokën e globalizimit.

Le të marrim një shembull konkret, por kuptimplotë. Krejt rastësisht, në maj të këtij viti, do të zhvillohen zgjedhje lokale si në Shqipëri, ashtu edhe në Itali. Aktualisht në vendin fqinjë jetojnë legalisht rreth gjysmë milioni shqiptarë, por jo të gjithë e kanë moshën për votim. Pavarësisht nga e drejta që ia jep ditëlindja, të paktën gjysma e tyre nuk do të votojnë në zgjedhjet vendore pas një muaji. E njëjta gjë ndodh në Greqinë fqinje ku votuesit potencialë janë edhe më shumë. Nga pikëpamja e së drejtës këta shqiptarë janë jetimë të qytetarisë, të braktisur nga bashkësitë e tyre, të harruar nga pjesëmarrja civile, shpirtra të paqetë që enden në limbon e së drejtës qytetare. Problemi këtu nuk shtrohet, por imponohet. Pyetja nuk është se ku duhet të votojnë, por nëse duhet të votojnë. Normalisht të gjithë mendojnë se çdo qytetar duhet të votojë, por kur bëhet fjalë për emigrantët “por”-et shtohen artificialisht.

Po të marrim si shembull dy vendet fqinje, Italinë e Greqinë, do të thoshim se emigrantët shqiptarë NUK e ushtrojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur qeveritarët vendorë. Në vendet ku punojnë e jetojnë, emigrantët i paguajnë rregullisht taksat, përfshirë ato që vendosen nga administratat lokale. Në këtë vështrim slogani i vjetër “No taxation without representation” merr kuptim të qartë. Në rastin e shqiptarëve duhet shtuar se i pagojnë taksat vendore edhe në vendlindje. Në Tiranë, në rast se të duhet një certifikatë, duhet të kalosh nga darët e taksambledhësve, që të kërkojnë para edhe për shërbime të papara si ai gjelbërimit p.sh. Nuk kemi pse të habitemi nëse emigranti mendon “naivisht”: përse duhet të paguaj një shërbimin të cilin unë nuk e gëzoj? Përderisa jeton në Milano gëzon jeshillëkun e atjeshëm, sikundër emigranti i Patrasit. Fakti është se qytetari emigrant nuk voton as atje ku mbizotërojnë parqet me lule, as atje ku lulëzojnë parqet e automjeteve.

Vota e emigrantëve në nivel vendor mund të shihet edhe si rast i humbur i shoqërive ku ata banojnë. A mund t’ia lejojnë vetes bashkësitë, të cilat marrin jetë pikërisht nga veprimtaria e emigrantëve, që të mos marrin mendimin e këtyre qytetarëve? Është vështirë ta përcaktosh entitetin e dëmit, por nga pikëpamja politike e sociale, qytetarët e papërfaqësuar e kanë një kosto, sepse nuk përfshihen në vendimmarrje nëpërmjet votës. Një shoqëri e papërfaqësuar është në thelb e mangët. Emigrantët shqiptarë nuk kanë të drejtë të zgjedhin as këshillin bashkiak të vendit “të ri”, as “të vjetrit”. Shkurt, nuk kanë të drejtë të zgjedhin.

Ndërlikimi i dytë ka të bëjë me aspektet e reja të migracionit. Shqiptarët gjithnjë e më shumë do të zgjedhin migracionin qarkullues. Kjo dukuri nuk do të jetë predominante, por numerikisht do të shtohet. Është fjala për ata emigrantë që punojnë përkohësisht në vende të huaja. Nga ana tjetër, në Evropë po shfaqet edhe figura e “punonjësve të shkëputur” ose “të huazuar”. Janë punëtorë që huazohen nga një ndërmarrje tek tjetra, ose brenda ndërmarrjeve të së njëjtës shumëkombëshe; me ndryshimin që ndërmarrjet gjenden në vende të tjera. A ka të drejtë të votojë ky migrant i përkohshëm në zgjedhjet vendore? Zgjidhja duket më e lehtë, por në vartësi të kohës që qëndron jashtë ndërlikohet. Nga ana tjetër ekzistojnë emigrantë që kanë ikur për pak kohë, që kanë “emëruar” vëllain t’i administrojë ofiçinën dhe që pasi “të mbledhë ndonjë pare”, do të kthehet në atdhe. A ka të drejtë të votojë për kryetarin e bashkisë që i bllokon rrugën e biznesit me një pallat dhjetëkatësh para? Në Shqipëri nuk ka ende migrantë transkufitarë, por sipas gjasës mund të lindin vitet e ardhshme. Janë ata migrantë që vendin e punës e kanë jashtë shtetit, por pak më tutje kufirit. Jetën praktikisht e bëjnë atje, ndoshta gjithë javën, por votën e japin këtej.

Së fundi, edhe një emigrant që ia ka mbathur me kohë ka të drejtë të kërkojë të drejtën e votës vendore, thjesht për faktin se prej kryetarit të bashkisë varet vlera e shtëpisë së tij që ka lënë në mëmëdhe, ose cilësia e jetës në pleqëri (nëse ka vendosur t’i mbyllë sytë atje ku ka lindur). Apo i mbetet vetëm e drejta e së sharës kur të shohë se nga dritarja e vet tani dallohet silueta e dikujt që shtrëngohet në banjë e jo deti me valët e veta plot shkëlqim? Normalisht, votën lokale duhet ta ushtrojnë ata që e jetojnë territorin, si puna e atij të banjës, që pasi të kryejë nevojat e veta, do të pijë një kafe në ballkonin me pamje nga deti, e pastaj do ta hedhë votën pikërisht për atë që i dha lejen e ndërtimit e të banimit.

Gjithsesi, emigrantët shqiptarë normalisht nuk marrin pjesë në zgjedhjet vendore. Jo vetëm për koston e biletës, që mbetet argument tejet bindës, përtej retorikës për atdhedashuri. Vetë emigrantët e kuptojnë që hedhja e votës për çështjet lokale ka rëndësi relative, pra nuk ka logjikë, përderisa jeta e tyre zhvillohet në një lagje tjetër, atje ku vërtet duhet të votonin. Megjithatë, thelbi i vërtetë ka të bëjë me fatin e këtyre zombie të së drejtës moderne, që bredhin mes kujtimesh të së kaluarës e mirazhe të së ardhmes, pa gjetur Edenin e pjesëmarrjes, pra një vend normal, ku vota merr kuptim e peshë.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin