ÇËSHTJA PUBLIKE (II)

Në një shoqëri që e ka përqafuar ekonominë e tregut si të ishte Libri i Shenjtë i Modernizimit dhe i Qytetërimit, kush ofron shërbime të vlefshme për publikun duhej të ishte në gjendje të jetonte nëpërmjet të ardhurave nga këto shërbime.

Të paktën teorikisht.

Këtu unë do të doja të pyesja sa shkrimtarë dhe artistë janë në gjendje të nxjerrin bukën e gojës, sot në Shqipëri, duke shkruar dhe duke bërë art.

Ose më mirë, të bëja pyetjen e mëposhtme: Sa shkrimtarë ka sot Shqipëria?

Kam frikë se nuk ka asnjë shkrimtar si të tillë, ose njeri që rron duke shkruar letërsi dhe duke ia shitur atë lexuesit.

Natyrisht, shqiptarët po shkruajnë më shumë se kurrë dhe, po të gjykosh nga libraritë dhe shtypshkronjat dhe panairet e Librit, po lexojnë gjithashtu me zell.

Megjithatë, vendi shkrimtarë profesionistë nuk ka; por vetëm njerëz të përkushtuar, që sakrifikojnë nga koha e tyre e lirë, ngaqë nuk munden ndryshe; ose ngaqë vokacioni për të shkruar është tepër i fortë.

Shoqëria shqiptare ia lejon vetes të ketë, bie fjala, kineastë profesionistë, ose njerëz që jetojnë duke bërë filma; ose artistë figurativë që mbijetojnë duke shitur veprat e tyre anembanë botës; por shkrimtarët e vet nuk arrin dot t’i mbajë me bukë.

Sa është raporti mes shkrimtarëve profesionistë dhe politikanëve profesionistë në vendin e shqiponjave?

Provojeni ta merrni me mend. Pastaj, bëjini këtë pyetje vetes: cilët kanë qenë politikanët shqiptarë, në kohën e De Radës, të Naim Frashërit, të Gjergj Fishtës, të Çajupit, të Nolit, të Lasgushit, të Asdrenit, të Mjedës, të Migjenit?

Kuptohet që askujt nuk i bëhet vonë se kush ka qenë, bie fjala, ministër i Punëve Botore, apo kryetar i Bashkisë së Shkodrës, kur Migjeni botonte Vargjet e Lira; as kush ka qenë ministër i Mbrojtjes, kur botonte Lasgushi Vallen e yjve.

Këtë parantezë e bëj vetëm për perspektivë.

Kam lexuar diku, dikë që nuk po më kujtohet, të thotë: shkrimtarët e gjuhëve të vogla janë heronj. E kishte fjalën për atë që, kur masa e lexuesve që, potencialisht, do të blenin librin tënd nuk është e mjaftueshme, atëherë ti, si shkrimtar, je i dënuar të vdesësh urie, ose të punosh në televizion.

Çudia këtu është që disa zgjedhin, megjithatë, alternativën e parë.

Kush është i familjarizuar me historinë e letërsisë shqipe, do ta ketë vënë re, së bashku me mua, se një pjesë e madhe e autorëve që i nderojmë, ua vëmë portretin në mur dhe nuk lëmë kënd të na i prekë, janë bërë të tillë vetëm me nga ndonjë vëllim me vjersha. Ca ngaqë kanë vdekur herët, të tjerë ngaqë janë marrë me politikë, ca ngaqë kanë pasur punë të tjera dhe familje për të mbajtur.

Kemi jo vetëm shumë pak autorë, por edhe këta pak autorë kanë fare pak vepra.

Një përjashtim verbues: shkrimtarët e Realizmit Socialist, të cilët krijuan brenda një modeli tjetër, kur shteti i punëtorëve dhe i fshatarëve i paguante dhe u krijonte kushte, që këta të merreshin me “inxhinierimin e shpirtrave njerëzore.”

Ky model, i politizuar siç ishte, totalitar dhe i vënë fund e krye në shërbim të ideologjisë moniste, u dha shqiptarëve Ismail Kadarenë – që i ka veprat palë-palë, si çdo shkrimtar normalisht i suksesshëm në Perëndim, që nuk vdes herët nga skrofulla.

Ismail Kadareja ka punuar në punë të shtetit (redaktor gazete) jo më shumë se dy ose tre muaj; pjesën tjetër të jetës e ka kaluar në profesion të lirë, me rrogë të mirë; përkundrejt një zotimi për t’u dhënë “masave punonjëse” letërsi.

Kishte plot të tillë: shkrimtarë, kompozitorë, piktorë, skulptorë, dramaturgë; diktatura e proletariatit paguante për orkestrat, dhe operat, dhe teatrot, dhe estradat, dhe Kinostudion “Shqipëria e Re”, filmat e së cilës shfaqen sot e kësaj dite, në televizion; batutat ua mësojnë përmendsh deri edhe kalamaj që s’e dinë se ç’ka qenë komunizmi dhe diktati i të shprehurit artistik.

Ishte ai i totalitarizmit një sistem ku shteti vepronte si super-mecenat i arteve dhe letrave; dhe financonte jo vetëm individë për të krijuar, por – çka është më e rëndësishme – edhe një sistem të tërë të komunikimit, konsumit dhe transmetimit të vlerave kulturore dhe artistike, të cilin haptazi e shfrytëzonte për interesat e veta propagandistike.

Ai sistem ka përfunduar sot në kosh të plehrave; por pyetja mbetet: a mund të mbijetojë një shkrimtar në tregun e sotëm të letërsisë në Shqipëri?

Kësaj pyetjeje duhet të jesh ekonomist që t’i përgjigjesh; prandaj unë nuk mund të them veçse që sot për sot, duke gjykuar nga çfarë ndodh në realitet, nuk ka mbijetuar dot kush.

Sistemi ekonomik bën vend për riparues pompash, dekoratorë, floktarë, importues qepësh, futbollistë brazilianë, kuzhinierë, sekserë, pronarë bingosh, ligjvënës, kameramanë dhe policë; por jo për ofruesit dhe riprodhuesit kryesorë të vlerave kulturore – shkrimtarët dhe artistët.

A e ndien vallë publiku këtë katastrofë?

Përsëri, ndoshta e ndien, ndoshta jo. Publiku sot e merr ushqimin simbolik kryesisht nga televizioni; dhe kultura në televizionin publik të sotëm, kur nuk është thjesht trash, sigurohet nëpërmjet plaçkitjes së vlerave tashmë ekzistuese, ose të krijuara brenda sistemesh të tjera.

Krahasoni, bie fjala, ekspozimin e publikut të sotëm shqiptar ndaj një filmi jashtëzakonisht propagandistik, por gjithsesi të realizuar mirë për kohën, si Duel i heshtur, me ekspozimin e po këtij publiku ndaj një filmi të ri bashkëkohor, ideologjikisht korrekt, si Koha e kometës e Koçit, ose Alive! e Minarollit.

Meqë po flasim për kinematografi, ka një zhanër filmash amerikanë sci-fi, të mbiquajtur post-apokaliptikë, që rrëfejnë gjithfarë aventurash e bëmash të një grushti personazhesh në një botë si e jona, por që ka pësuar katastrofë – për shembull, pas një lufte atomike totale, ose një përmbytjeje, ose një epidemie të zombies-ve, etj.

Këta heronj, bastione të asaj pak çka mbetur nga qytetërimi i djeshëm, mbijetojnë duke plaçkitur supermarketet tempuj të shoqërisë së konsumit; dhe nuk vdesin kurrë urie, sa kohë që në dyqanet kanë mbetur kuti sardelesh, konserva mashurkash dhe karrotash, galeta dhe supë Campbell me bollëk.

Ky trop lidhet me mitin e të mbijetuarit – esencial, për të kuptuar masscult-in amerikan; që dje trupëzohej në epikat me lopçarë dhe kacafytjet me indianët; ndërsa sot është fiksuar me taktikat e të mbijetuarit pas “vdekjes” së qytetërimit teknologjik perëndimor.

Një efekt anësor paradoksal i këtij apokalipsi teknologjik është se, krejt papritur, të mbijetuarit gjenden të rrethuar nga bollëku; dhe gjenden të rrethuar nga bollëku sepse janë pak, sepse sistemi social ka pësuar kolaps dhe të shumtët janë ndarë nga kjo botë; dhe sepse koncepti i mallit nuk ekziston më – në një botë post-apokaliptike, tempujt e ekonomisë së tregut përfundojnë të mbushur me sende.

Emblematik për të ilustruar konceptin është filmi Dawn of the Dead, i George Romero-s.

E kotë të shtoj këtu se, kur shoh se çfarë po ndodh me kulturën shqiptare, në periudhën e triumfit të ekonomië së tregut nga njëra anë dhe të konceptit të “informacionit të lirë” të katalizuar nga Interneti, nuk mund veçse të shoh aty simptomat e post-apokalipsit.

Ka njëzet vjet që kjo kulturë po jeton duke plaçkitur Ismail Kadarenë dhe Kapedanin, muzikën dhe estradën dhe estetikën e përpunuar në vitet 1960-1980; ose krejt stokun e konservave të peshkut dhe të fasuleve, që kanë mbetur ende të paprekura, pas singularitetit – ose kolapsit të sistemit totalitar në fillim të viteve 1990. Ka njëzet vjet që kjo kulturë po mbijeton duke ia marrë vlerat dhe mbeturinat e kulturës tjetër dhe duke i shndërruar këto në idhuj, të cilët ia shfaq madje ia imponon publikut; madje duke e detyruar këtë të fundit të konsumojë jo më veprat vetë, por suksesin e tyre çfarëdo (si në rastin e triumfit të Kadaresë në Perëndim, ose të artistëve “shqiptarë” në bienalet dhe në tregjet multi-milionere të artit, ose të filmave “shqiptarë” në festivalet në Filipinet ose në Ecuador).

Ka njëzet vjet që një forcë e marrë dhe nekrofilike, arrogante dhe dritëshkurtër po përpiqet ta zëvendësojë konsumin e kulturës ndër shqiptarë me konsum të vlerave patriotike në vetvete, në kërkim të një fondamentalizmi kitsch, i cili ka depërtuar kudo, që nga tekstet shkollore në pritjet qeveritare dhe në muret e ambasadave tona anembanë botës.

Kujtoj Rilindësit e parë që, në kohët moderne, u ulën të shkruajnë shqipen; të hartojnë alfabete dhe libra për mësonjëtoret; vjersha për djalërinë dhe vajzërinë; poema për Skënderbeun dhe kryeartikuj për gazetat e shtypura në bodrumet e Sofjes dhe të Bukureshtit.

Çfarë do të kishin menduar, këta burra të urtë, po t’u thoshte dikush se Shqipëria e shekullit 21, me qeverinë dhe institucionet e veta, ministritë dhe aleancat, aktet dhe paktet, me ushtrinë në NATO dhe ambasadorët anembanë botës, me flamurë dhe pasaporta dhe uniforma dhe fondacione, me televizione që s’kanë lënë skutë të vendit pa elektromagnetizuar me sinjal, me debate dhe konkurse miss-esh dhe baste sportive dhe kazino marramendëse dhe prostituta klasi, s’është megjithatë në gjendje të subvencionojë shkrimtarët dhe artistët e vet, por i lë të mbijetojnë duke shkruar fjalime për boss-ët, ose shitur e blerë apartamente të periferisë dhe makina të përdorura?

Nuk ka komente

  1. Nuk e mora vesh si lidhej paragrafi i trete nga fundi me shkrimin, qe flet per letersine ne kohen e koleres (tregut te lire).
    Po e ben si puna e atij senatorit romak, Catone, qe edhe kur diskutonte per çmimin e perimeve ne treg apo çeshtjet e Greqise dhe Galise e perfundonte fjalimin me :

    -Carthago delenda est!

    Nga personazhet ne Shqiperi, per nga fiksimi, i ngjan Lubonjes, qe edhe po te binte llafi per Kometen Halley, do thoshte se fajin qe shqiptaret nuk e perjetuan ngjarjen ne gjithe plotesine e saj e pati diktatura e eger NACIONAL-(komun)ISTE, po ne boten e sotme po s’u bere i ditur nuk je i lire dhe dituria kalon nga Clayer dhe Shmiti.

    Nejse se secili ka fiksimet e veta, po persa i perket temes mendoj se shkaku eshte se ne keto 20 vjet pati nje bum hyrjesh te shkrimtareve te huaj, nje prirje te pergjithshme minimizuese deri ne rrafshuese te kultures shqiptare, çka edhe ka krijuar paragjykimin tek te gjithe
    se po qe autor shqiptar s’vlen nje grosh.

    Keshtu mund te thuhet se paten njefare suksesi nje varg autoresh qe kishin treg tek emigrantet me shqiptari te lenduar e kryeneçe, kurse tregu brenda vendit i dha perparesine autoreve te huaj, meqe edhe emigrantet nuk e kane problem ti marrin autoret e huaj ne gjuhet e vendeve ku ndodhen.

    Te pyesesh ku vajti mobiljeria shqiptare ne nje kohe qe tregu per 20 vjet kerkoi e kerkon mall te huaj, nuk me duket se e ka te veshtire pergjigjen.
    Te pyesesh pse katundari nuk mbjell domate, kur vjen domatja greke me 5 leke, nuk me duket e ka te veshtire pergjigjen.

    Po ashtu permbysja e vlerave gjate ketij 20 vjeçari nuk eshte pritur mire nga nje pjese e konsumatoreve, po kjo eshte diçka fiziologjike qe ndodh ne çdo vend kur ka kohe permbysjesh, tronditjesh, krizash.

    Shqiptaret ishin thare per mall te huaj kulturor, prandaj edhe tregu i brendshem nuk ishte dhe nuk eshte ende i pershtatshem per shkrimtare profesioniste.
    Gjate ketij 20 vjeçari mund te jene djegur shume shkrimtare e artiste vendas, shume talente mund te kene ngelur palulezuar, po s’ke çti besh, sepse ksenomania kerkon tagrin e vet.

    Kur ksenomania te dobesohet, te zhduket paragjykimi se autoret shqiptare jane skarso, por edhe çmimet e librave te jene me te pranueshme per shtresen e mesme, aq sa ne vend te zgjedhin mes nje autori te huaj e nje shqiptar te kene mundesi ti blejne te dy bashke, atehere edhe tregu shqiptar do behet i pershtatshem per shkrimtarin profesionist.

    Nje mesues deri para 7-8 vjetesh merrte 150 000 leke te vjetra, nje liber bente 5 – 10 mije leke, tani apo 5 leke qe mund te blinte nje liber, çdo zgjidhte nje autor te ri shqiptar apo nje autor te famshem te huaj ?

    Le te themi qe 9/10 kane zgjedhur autorin e famshem te huaj, hiq mesueset e letersise qe i kane blere te dy per pasion.

    Sot rroga ka vajtur 300 000 librat pak a shume s’kane levizur, sot mund te filloje te mendoje ti bleje te dy.

    Po te ishim ende vend i mbyllur mesuesi ne fjale do blinte vetem librin e autorit shqiptar.

    Ksenofobia kulturore, vetlavderimi, krenaria, perçmimi i se huajes etj jane ndjesi izoluese por me efekte pozitive ne zhvillimin e nje kulture qe perfaqeson nje singolaritet kulturor.
    Ne kesi rastesh duhet qe parite te mos jene te izoluara, thjesht lexuesi te jete i tille. Paria supozohet te jete me e forte se lexuesi i thjeshte ne perballjen me nje kulture tjeter, prandaj mund ‘te kultivoje’ brenda vetes edhe te huajen, nderkaq lexuesi i thjeshte pergjithesisht nuk i reziston dot perballjes me te huajes dhe braktis te veten.

    Ne fakt problemi i perket nja 2 brezave te mire qe nuk i kane rezistuar dot perballjes me te huajen, flaka e saj nuk i ka ngohur por i ‘ka djegur’ e sa te jene ata konsumatoret mund edhe te harrohet blerja e shqiptares.

    Duhet te dish te ngrohesh e jo te digjesh ne flaken e se huajes, ose ndoshta nuk eshte çeshtje e te diturit ose jo, ndoshta eshte diçka fiziologjike dhe kaq.

    1. Kam frikë se nuk është tamam kështu. Ja ç’lexoj sot në një artikull të Ylli Polovinës në gazetën “Shqip”:

      Rasti i Thimi Nikës, njërit prej koleksionistëve më të njohur dhe
studiues i historisë postare dhe filatelisë shqiptare, kryeredaktor i revistës së vetme “Koleksionisti”, prej më shumë se dhjetë vitesh edhe anëtar i Komisionit Shtetëror të Pullës, është edhe më i qortueshëm. Prej dy vitesh ai ka përfunduar librin “Historia e filatelisë shqiptare”. Janë bashkë me ilustrimet pesëqind faqe studim i plotë për pullën kombëtare. Dihet që ajo vlerësohet në botë si “kartëvizita e Shtetit”, madje bashkë me flamurin dhe kartëmonedhën quhen edhe nishanet e tij. Ky libër, në të vërtetë i vlerësuar me respekt prej dy institucioneve shtetërore, nga Posta Shqiptare dhe Ministria e
Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, megjithatë prej dy vitesh nuk mbështetet financiarisht. Ndërsa është thjesht jo një festival apo koncert, veprimtari që lypin fonde të mëdha, por vetëm një libër. Madje, autori që prej dy vitesh përsërit butësisht, por pa u lutur: ta marrin, ta botojnë vetë, ta shpërndajnë vetë, t’i marrin të ardhurat vetë; mua të mos më japin jo honorar, por asnjë kopje, sepse pesë copë që më duhen për miqtë do t’i ble me paratë e mia! Ka ndodhur njëherë që edhe një libër historik për Tiranën, më i miri i shkruar gjer tani, me autor penën dhe mendjen e të mençurit profesor Kristo Frashëri, nuk e financoi institucioni përfaqësues i kryeqytetit.

  2. Shqiptarët janë të paktë në numër në përgjithësi, kurse numri i atyre që konsumojnë libra dhe revista është i pamjaftueshëm për një treg profitabil. Në këtë lëmi patjetër duhet të veproj dora e shtetit. Askush nuk mund të më bindë se kjo çështje duhet t’i mbetet vetëm tregut. Nuk mjafton që të mbijetojnë vetëm 2-3 vetë.

    Mbaj mend nga koha djaloshare e vitit 1980, kur lexoja në gazetën e përditshme Rilindja romanin “Trëndëfili në gotë” të Dritëro Agollit, se si e admiroja Shqipërinë ku kishte shkrimtarë që merreshin vetëm me këtë punë. Personazh kryesorë ishte, me sa mbaj mend, një shkrimtar i lirë.
    Po në këtë vit, Kosovën e vizitoi një shkrimtar i tillë, Ismail Kadare, me rastin e botimit të veprës së tij në 10 vëllime. Ai tregonte në intervistat e tij se me profesion është shkrimtar i lirë, nuk punon gjë tjetër. Ky fakt, se në Shqipëri kishte shkrimtarë dhe artistë profesionistë, e parandalonte shumë kritikën potenciale, që mund t’i vinte regjimit nga njerëzit e kulturës. Kjo ishte, si thonë gjermanët, “Schokolladenseite” e këtij regjimi, ana e ndritshme, ana e mirë e saj. Sot shteti nuk e ndihmon librin, kjo është ana e errët e saj.

    Librit dhe kulturës duhet t’i plotësohen të gjitha dëshirat!
    Nëse pretendojmë të bëhemi të qytetëruar.

  3. Keto jane raste kur mungon tregu dhe rrjedhimisht kerkohet nderhyrja e shtetit apo fondacioneve.
    Nderkaq nuk jane te pakta rastet kur mungon tregu dhe autoret e financojne vete librin, sigurisht behet fjale per autore te panjohur shpesh me vepra skadente apo qe e shohin si investim per prestigjin e tyre.

    Nga pikepamja financiare shtetit nuk i kushton gje, sikur te subvencionoje ta zeme 100 shkrimtare nga 10 000 dollare ne vit, i bie 1 milion, biles mund te paguaje edhe 200 edhe 500 edhe 1 000 po te duam.

    Ceshtja eshte parimore, tregu i lire, konkurrenca etj.

    Kur bie fjala tek subvencioni nuk mund te paraqitet çdokush me nje doreshkrim dhe ti kerkoje shtetit para se eshte njeri i letrave.
    Ndihmesa e shtetit nuk mund te mos kaloje nga shoqatat e klubet kulturore dhe sigurisht qe jane keto te fundit te cilat kane rol kyç.

    Per mendimin tim nuk mungojne financimet por administrimi i pergjegjeshem i tyre.
    Shteti financon, parate vene ne disa xhepa, vete nderkombetaret financojne, por perseri parate vene ne disa xhepa.

    Vetem parate e nderkombetare, te Sorosit apo qe kalojne nepermjet Sorosin(meqe ky ka monopolizuar me ane te strukturave çdo ndihmese nderkombetare qe hyn ne Shqiperi) , do mjaftonin, po eshte vete sistemi, hani, pini e kendoni sa te jete lala Gjoni.

    Jam i prirur te besoj se ekzistojne sipermarres shqiptare qe do hidhnin para qofte per mecenatizem, qofte per publicitet, per prestigj apo edhe snobizem, vetem se frenohen pasi e njohin fare mire boten shqiptare, s’mund t’u vesh dot faj.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin