HERONJ TË KOHËS SONË

Një anketë e mençur te “Peshku pa ujë” i fton lexuesit të përmendin një figurë ose person(alitet) shqiptar që admirojnë ose respektojnë pa rezerva – me kusht që të jetë fjala për dikë ende të gjallë.

Varfëria në përgjigjet duhet të më lërë pa gojë, por në të vërtetë s’po më habit. Është varfëri që do ta kisha parashikuar, po të më kish pyetur kush; sikurse është varfëri që mund të interpretohet në të paktën dy mënyra: (1) të rinjtë sot – po supozoj që PPU frekuentohet nga të rinjtë kryesisht – nuk ndjekin kënd si role model, nuk admirojnë as respektojnë kënd pa rezerva, përveçse po të jetë i vdekur; ose, të rinjtë sot kanë frikë ose turp të pohojnë se admirojnë, adhurojnë ose respektojnë kënd, për shkak të trysnisë prej bashkëmoshatarëve (peer pressure). Natyrisht flas për shqiptarë dhe shqiptarë.

Pse vallë? Me gjithë kushtin e sqaruar mirë që në titull, disa komentues nuk shmangin dot Nënë Terezën dhe Fan Nolin; kultit të të vdekurve i falemi vetvetiu, si të ishte pjesë e ndonjë ADN-je kulturore; përkundrazi, me të gjallët s’i kemi punët aq mirë.

Disa përmendin emra ikonash nacionaliste: Albin Kurtin, Kristo Frashërin, Arbën Xhaferrin, Abdi Baletën; pa u hyrë në hak këtyre, dhe të tjerëve të tillë, duket sikur, për këtë kategori të anketuarish të jesh shqiptar është një lloj profesioni ose veprimtarie.

Të tjerë rrëmojnë për të gjetur ndonjë artist në sirtarët: vjen në vështrim një fosil – Vaçe Zela, e cila i përket së shkuarës që s’kthehet më, si histori dhe si model i komunikimit të skenës me publikun; ose sërish një i vdekur, dhe për më tepër aktor: Kadri Roshi (kufirin mes admirimit për një aktor dhe admirimit për personazhet e mishëruara prej tij s’e ka prerë dot njeri deri më sot; shih edhe Arnold Schwarzenegger). Për Kadarenë nxjerrin krye disa rezerva, kryesisht të motivuara politikisht; ditto edhe për Rexhep Qosen. Gjithsesi, debati që shoqëron preferencat duket i obsesionuar me temat dhe figurat nacionaliste, ose figurat që jo vetëm i përkasin grupit (kusht i anketës, të jenë shqiptarë të gjallë), por edhe kontribuojnë vendimtarisht, me veprën e tyre, për ta përftuar dhe riprodhuar grupin. Soditje e kërthizës, pra?

Sa i sinqertë është ky farë nihilizmi është e vështirë ta thuash; në forume të tilla horizontale, komentuesit zakonisht priren të thonë çfarë pritet prej tyre që të thonë; me kohë, kjo shndërrohet në natyrë të dytë, si pa u kuptuar.

Megjithatë, është mjerimi i emrave që përmenden që të fut në mendime.

Mungojnë, pothuajse krejtësisht, role models profesionale. Kush i përgjigjet anketës me një emër, sjell një emër për të cilin, njëfarësoj, kërkon konsensusin e të tjerëve; askush nuk guxon të pohojë, bie fjala, se admiron shefin e vet, Kaso Bidon, inxhinier i mrekullueshëm (por që nuk e njeh kush, veç atyre që punojnë me të). Si erdhi vallë dhe u krijua kjo bindje, se kusht që të admirosh dikë qenka që ky objekt admirimi të pranohet, madje të përshëndetet prej grupit mbarë?

Të pyetesha unë për sa më lart, gjatë kohës që kam qenë student, pa ngurim do të kisha sjellë dy-tre emra profesorësh që admiroja: Eqrem Çabej, Shaban Demiraj, Hamit Beqja. Ndoshta nuk i njihja mirë, përveçse si figura akademike; por unë si figura akademike i admiroja. S’mund t’i përfytyroj zgjedhjet e mia të karrierës pa ndikimin e tyre.

Ndoshta të rinjtë e sotëm i kanë zgjeruar interesat përtej kufijve të grupit etnik dhe admirojnë heronj joshqiptarë; me të cilët japin e marrin nëpërmjet mediave. Mua vetë më ka ndodhur kjo; kam ndjekur madje adhuruar, sipas moshës dhe interesave, muzikantë dhe këngëtarë të huaj, sportistë dhe filozofë; kur studioja në Romë, nuk kishte kënaqësi më të madhe, për mua, se të dëgjoja një leksion të Tullio De Mauro-s.

Kam frikë, megjithatë, se arsyeja për rezultatet e anketës së tanishme në PPU është tjetër; dhe ka të bëjë pikërisht me rolin ndërmjetësues të mediave në marrëdhëniet tona me objektet e admirueshme; me obsesionin e mediave për të na afruar pak si shumë me protagonistët e jetës publike.

Familiarity breeds contempt, thotë një proverb i anglishtes; familjariteti pjell përbuzje, meqë na i sjell më afër se ç’duhet figurat; aq afër, sa këto nisin të kutërbojnë, si gjigantët e Brobdingnag-ut të parë nga Gulliver-i.

Cili prej personaliteteve të sotme të botës shqiptare ka mbetur vallë pa u mbuluar me baltë?

Natyrisht, ka të tillë që janë kursyer – por janë kursyer pikërisht sepse nuk ngrenë peshë, ose nuk i ka kapur kamera.

Raporti i njerëzve me idhujt ka qenë gjithnjë konfliktual: sa më lart i kemi ngritur, aq edhe më zhurmshëm i kemi shembur. Arkeologët veç zbulojnë statuja të rrëzuara prej piedestaleve – në të gjitha kulturat.

Megjithatë, epoka jonë e fshatit global ka sjellë një element të ri në cikël: ne i duam idhujt, nuk bëjmë dot pa ta, nuk u shqitemi dot; por i duam të zhgarravitur, të shëmtuar; dhe kur vjen puna për të shëmtuar, askush nuk ua kalon dot mass mediave.

(Përfytyroni respektin që do të kishin shqiptarët e sotëm për kryeministrin, sikur ky të dilte në televizion vetëm një herë në vit, p.sh. për t’u uruar Vitin e Ri… por jo në mesnatë, kurrsesi! Të themi, andej nga ora katër e mëngjesit).

Ky fat u kursehet veç të vdekurve; jo aq nga respekti, sesa nga indiferenca. Të vdekurit s’mund të trajtohen si celebrities – që këtej edhe lehtësia me të cilën u falemi figurave tashmë të mumifikuara; eksponateve të muzeut, jo njerëzve të gjallë, me të cilët ende mund të ndërveprojmë e të cilët ende mund të na befasojnë me dinamizmin e mendjes dhe veprës së tyre.

Të thuash se jemi katandisur aq të vrazhdë, aq të pasigurt, aq të palumtur me veten, sa të mos mundemi veçse të idhullzojmë të vdekurën?

Nuk ka komente

  1. Mendoj se ky idhullizim i të ikurve nga jeta, nuk është diçka shqiptare, sidomos në krahasim me të gjallët.

    Kam vërejtur të njëjtën gjë në një site të huaj sportiv. Lojtarët e vjetër dhe jo më aktivë në futboll, preferohen më shumë si idhuj ndaj atyre që luajnë akoma.

    Besoj se kjo ka të bëjë me një lloj distance që ofron puna e përfunduar e dikujt. Dikush që nuk ndodhet më në jetë, është person i plotë në veprën e vet. Gjykohet i gjithi dhe në tërësi. Vlerësimi për të, nuk është i diktuar prej interesave, është më shumë një përqasje filozofike ndaj idhujve.

    Vërtet ama që mungesa e një “role model”-i të gjallë, shqiptar, është diçka e keqe në vetvete.

  2. Duhet te jete normale, mendoj, qe ne periudha te zhurmshme te mos kete nje apo dy persona qe do u degjohej zeri me larte se te tjereve e do shquheshin kesisoj mbi te tjeret. Besoj gjithashtu se eshte e pamundur edhe qe ne ambjente pune te kete personalitete te tilla, te kulluara le te themi, qe do meritonin duartrokitjen e te pranishmeve. Dhe jo per faj te tyre, aspak, por si veçori e kohes. Ne mungese te nje mbreti apo qofte edhe te nje shteti diktatorial si ai qe kishim, nuk mundet tani per tani, kur akoma s’jane ndertuar strukturat e reja qe do benin te mundur krijimin e person(alitet)it, te pretendojme per me shume. Sot, Person(alitet)i, pa ndihmen e diçkaje qe akoma s’eshte, e ka te pamundur te izolohet ne profesoinin e vet e te shkelqeje pa rezerva nga pothuaj te gjithe. Kohet jane nje rremuje, per fat te keq, e te gjithe jane prekur.

    Edhe vete Qosja apo Kadare, jam i bindur, kur u kthehen disave prej fjaleve apo rrjeshtave qe kane nxjerre njeri kunder tjetrit, rrudhin buzet, padyshim, te penduar. Lubonja eshte i nderuar per asketizmin e tij, por ne analizen e fundit p.sh, harronte (padashje?) faktin se qe prej dy vjetesh tashme ekziston nje plan i pergjithshem i Tiranes, por qe mbahet pezull nga Kryeministri, dhe qe po prej dy vjetesh, ne Tirane, nuk po jepet me asnje leje ndertimi (shkak mosmarreveshjesh) e megjithate, prape percillte idene se plani per Tiranen e moratoriumi jane ide te reja e te pandodhura me pare ne kete qytet. Pse e ben? Nga se vijne keto? Ngaqe njeriu s’eshte i qete. Ngaqe nuk mund te mos perfshihet nga zhurma e gjithçkaje, qe eshte aq e forte, sa te shkoje e te kapi deri edhe dy nga njerezit, padyshim te urte, por qe arrijne te shahen e te ofendohen me njeri-tjetrin si dy çfardo.

    Me pak fjale, po perpiqem te them, qe jo se jane te paafte e s’arrijne te dallojne keto personalitete te pranueshme nga te gjithe, por qe me shume mundesi, personalitete te tilla nuk ekzistojne fare per momentin. Megjithse zoti me falte se shume e rende per nje popull te thuhet nje gje e tille.

  3. ka dy pika per tu marre ne konsiderate serioze ne tere kete ceshtje interesante.

    1. shqipetaret per nga karakteri i tyre, te tere ne, kemi problem me autoritetin. me hierarkine. nese jane 6 furgona ne rradhe dhe gjashte udhetare qe presin, do kemi gjashte furgona me nje vend te pare jo nej furgon gati per tu nisur. nuk eshte krenari per mendimin tim, eshte semundje sociale, por kjo eshte tjeter ceshtje. ideja eshte qe s ka idhuj po patriarke.

    2. idea e idhullit me sa kam vene re une, dhe ne bote eshte zbehur. si e keni analizuar dhe me lart, lentja mendiatike ka sjelle familiarizimin dhe humbjen e largesise tempullore te qenieve pararoje.
    perhapja orale e lajmit dhe fama fantazioze qe sillte kjo per pasoje jane tretur. tani nese marksi do dilte te fliste per teorine e kapitalit tere dynjaja do merrej me mjekren e zverdhur nga duhani ose leshin e hundes qe i kercen, e ja ku reputacioni e kapitalit iku per lesh. (fjala vjen :P)
    keshtu qe tani ne kohen e sotme, “tragjedia e leshit te hundes” nuk lejon seriozitetin pompoz te idhujtarise. ta gezojme epoken e re.

  4. Mencuria ku qendronte tamam e asaj anketes, tek klauzola “pa rezerva”?

    A do ishte pergjigjia ndryshe nese pyetja do ishte cili antar i familjes ju pelqen per te cilin s’keni asnje rezerve? Mos valle kjo tregon qe s’i duam njerzit e familjes?

    Une s’i kam lexuar shume komentet tek ajo ankete se ishte ankete me targa vl per mendimin tim, por shenova aty emrin e atij shqiptarit qe flitet se ka pas te beje me zbulimin e Viagras, dicka e tille si pergjigje te denje per anketen, por dhe per nivelin e aciditetit dhe politizimit, duke shpresuar qe ne keto kohe dasirash te pakten seksi s’do ti fuse ne lufte shqipot.

  5. Nga fundi i klases ku isha ulur,bashkuar me tensionin e prezantimit te detyres sime,ndiqja bashkstudentet e kursit tim, te cilet prezantonin nje e nga nje detyrat e tyre.Gjate kohes qe degjonim duhet te vleresonim njeri tjetrin.
    Detyra duhej punuar duke u bazuar ne eksperiencen e punes personale edhe pse pjesa me madhe nuk kishin me shume se dy ose tre vjete pune.Asnjehere nuk me kishte ndodhur te isha pjese e nje grupi aq te madh njerezish me vleresim maksimal per veten,a thua se ishim nje tufe e madhe “Gjenish”,qe per fat ndiqnim studimet e masterit ne Universitetit te Tiranes.
    Por me e cuditshmja nder ato qe degjova ate dite(per te mos u zgjatur),e theksoj jo ne mase te vogel ishte vleresimi negativ per koleget,sidomos per ata me te vjetrit.Ky ishte nje mesazh i drejtperdrejte,i artikuluar qarte dhe paster nga shumica e bashkmoshatareve te mi.
    Mua me shqetesojne dy gjera.E para eshte vleresimi maksimal qe brezi i ri ka per vetent.Thene kjo nuk kam ndonje gje kunder energjise,deshires per te ndryshuar gjerat apo kriticizmit ndaj ambjentit te punes,por edhe ca baza krahasimi me standarte profesionale duhet ti kemi.
    Se dyti nuk me duket e shendetshme mungesa e respektit dhe e vleresimit me objektivitet e punonjesve qe kane kontribuar deri me sot neper institucionet shqiptare.Valle a do mund te lartesojme ndonjehere muret e kalase nese i shkaterojme pjeset e ngritura nga paraardhesit tane?Legjenda e Rozafes na perndjek apo eshte realiteti shqiptar qe i jep kuptim legjendes?

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin