RETORIKA LËNDON (II)

[Kam marrë një letër nga z. Nazmi Seitaj, i cili i ka njohur mirë dy poetët, Genc Lekën dhe Vilson Blloshmin; madje ka shkruar edhe një libër për kalvarin e tyre, me titullin Ngadhnjimi i shpirtit. Letrën po e përcjell në vijim (me lejen e autorit, të cilin e falënderoj përzemërsisht), së bashku me materialin që i bashkëngjitet. 2Xh]

Lexova shkrimin Retorika lëndon dhe ndjehem i prekur nga ndjesitë e shkrimit tuaj të sinqertë e të kthjellët, por ndjehem edhe i tronditur nga ajo e vërtetë që ju përmendni : Nëse poetët martirë Genc Leka dhe Vilson Blloshmi do t’i rezistojnë apo jo kohës. Meqënëse këta dy poetë kanë qënë miqtë e mi më të dashur ndjehem i përkushtuar t’ju shkruaj me një respekt të thellë për shqetësimin që shprehni. Për këta poetë me fat tragjik është folur shumë por ndonjëherë ngre krye falsiteti dhe hipokrizia. Ndonjë nga politikanët mundohet të fitojë prej tyre kredo politike, ndërsa ndonjë shkrimtar i thekur i monizmit shkruan për ata që të afirmohet si demokrat kur as i regëtinte sado pak zemra ndërsa vriteshin poetët e rinj e të pafajshëm. Ka prej tyre që kanë ngritur kartonat për t’i dënuar dhe sot u thurin lavde. Kësisoj të vjen ndërmend Noli ynë kur shkruan për Franc Shubertin se: na e vranë të gjallë, na e monopolizuan dhe të vdekur.

E vërteta e hidhur e memorialit të tyre në qytetin e Librazhdit i cili nga dita në ditë rrënohet dhe asgjësohet, rrëfen më së miri edhe harresën ndaj tyre dhe kjo ka të bëjë me kujdesin e shtetit ndaj martirëve por edhe me kulturën njerëzore të një vendi. Por ajo që është edhe më shumë për të ardhur keq, sipas perceptimit tim, forma dhe ideja e memorialit nuk është e realizuar.

A do të harrohen poetët? Edhe pse ata u ndanë nga jeta të rinj dhe jetuan në kushtet e një skllavërie e tiranie nga më të egrat e më barbaret krijuan shumë por ua asgjësuan dhe i vetasgjësuan ato në kushtet e terrorit gjatë kohës së kontrollit nga hetuesia, para se t’i arrestonin. E megjithëkëtë disa nga krijimet e tyre mbetën. Nga ato rrënoja që mbetën ne mundemi të shohim madhështinë e tyre. Jeta e tyre dhe arti i tyre për ato vlera që kanë mendoj se do të mbeten në kujtesën e njerëzve me ndjesi të veçanta. Ata nuk e meritojnë harresën.

MBI TË VËRTETËN E PUSHKATIMIT TË POETËVE GENC LEKA DHE VILSON BLLOSHMI

Genc Leka dhe Vilson Blloshmi, djem të lindur në fshatin Bërzeshtë të Librazhdit, i pari në mars të vitit 1941 dhe tjetri në mars të vitit 1948 ishin kushërinj të parë. Të dy mundën të kryenin vetëm arsimin e mesëm (shkollën pedagogjike Elbasan). Për më tepër, nuk iu dha mundësia, mbasi ata ishin cilësuar nga partia në pushtet si elementë me “biografi të keqe”.

E vërteta është se në Bërzeshtë, si fisi i Lekajve ashtu edhe ai i Blloshmëve, kishin qënë veprimtarë të lëvizjes Nacional-Çlirimtare. Por mbas çlirimit i ati i Genc Lekës, Bardho Leka, financier me arsim të mesëm pedagogjik, u arratis në Jugosllavi në vitin 1951, ndërsa ishte në marrëdhënie pune si shef finance në ndërmarrjen tregtare shtetërore të qytetit të Librazhdit. Arsyeja e arratisjes ishte se Bardho Leka, përpara se të vinte sistemi komunist, për arsye të disa grindjeve e ofezave që i patën bërë nja dy kapadainj, i vrau ata me armën e tij dhe nga meraku i ndonjë dënimi të mundshëm ai zgjodhi alternativën e arratisjes.

Fill mbas kësaj ndaj gruas së tij Nergjize Leka dhe tre fëmijëve, Gencit dhe dy motrave të tij, filloi një persekutim i egër. Nergjizja, nëna e Gencit, vinte nga një familje nacionaliste nga Mokra e Pogradecit dhe njërin prej vëllezërve e kishte të arratisur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nergjizen e internuan në kampet e Tepelenës e Lushnjes, ndërsa fëmijët i shpërndanë tek të afërmit e tyre, që t’i mbanin për mëshirë.

Babai i Gencit, Bardhua, edhe pse u arratis, pati ardhur në fshatin e tij të Bërzeshtës me qëllim që të merrte në arrati gruan dhe fëmijët, por nuk mundi ta realizonte këtë për arsye të rezistencës që pati hasur nga e shoqja e cila kishte merakun se mund t’i kapnin dhe kjo do tu shkaktonte atyre pasoja më të rënda. Bardho Leka, duke dashur t’u bënte sfidë forcave të ndjekjes, u linte letra në vende të dukshme ku u shkruante se e kishte shkelur kufirin por ata nuk ishin të zotë që ta zinin. Dhe në të vërtetë ashtu ndodhte, ata e ndiqnin, e rrethonin por nuk mundën ta vinin në çark. Për këtë arsye pushtetarët patën deklaruar se këpucët që po grisnin duke ndjekur Bardhon do t’i paguante i biri, Genc Leka…

Një nga strehuesit dhe mbrojtësit e Bardho Lekës kur ai vinte e shkelte kufirin ishte Hasan Blloshmi, xhaxhai i Vilson Blloshmit i cili e kishte Bardhon dajën e tij. Hasan Blloshmi, edhe pse kishte qenë partizan gjatë luftës dhe ndjekës i bandave antikomuniste mbas çlirimit, për shkakun se kishte mbajtur të strehuar Bardho Lekën, u dënua me njëzet vjet burg politik nga regjimi i E. Hoxhës. Vite më vonë u dënua me burg politik edhe babai i Vilsonit për agjitacion e propagandë. Kësisoj fisit të Blloshmëve iu vu damka e kulakut dhe armikut të klasës dhe iu mohua triska e të qenit Anëtar të Frontit Demokratik. Si rrjedhim tashmë Genc Leka dhe Vilson Blloshmi u renditën në kampin e armiqëve të klasës dhe do të luftoheshin sistematikisht nga pushteti në fuqi.

Genc Lekës iu rëndua edhe më biografia e tij e kur u martua me Zhulieta Robon, një arsimtare dhe kolege e tij, e cila ishte e bija e Koli Robos, ish prefektit të Korçës gjatë regjimit të Mbretit Zogu i Parë. Koli Robo ishte burgosur fill mbas çlirimit dhe vdiq nga torturat në burgun politik të E. Hoxhës.

Genc Leka punoi arsimtar nëpër fshatrat e thella të Librazhdit nga viti 1960 deri në muajin mars të vitit 1966, ndërsa Vilson Blloshmi edhe pse kishte mbaruar arsimin pedagogjik, nuk punoi as dhe një ditë në mësuesi. Ai provoi vetëm punët më të rënda në kooperativën bujqësore dhe atë të minatorit në galeritë e thella të minierave të Prrenjasit. Ndërsa Genci, si e hoqën nga arsimi punoi në ndërmarrjen bujqësore shtetërore të Librazhdit. Të dy këta poetë i dërguan të kryenin shërbimin e detyrueshëm ushtarak në brigada të rëndomta pune, ku punonin punë të rënda krahu pa të drejtën për të mbajtur armë luftarake.

Gjatë këtyre viteve të rënda të persekutimit të tyre ata me një stoicizëm të pashembullt lexonin, studionin dhe krijonin në mënyrë intensive gjatë orëve të natës duke dëmtuar dukshëm shëndetin e tyre.

Përralla se ata bënin sabotime ekonomike në kooperativë duke hedhur grurin e sapo shirë në lumin e Shkumbinit e profka të tjera si këto, nuk janë veçse një skenar banal e trashanik për t’i dënuar e asgjësuar ata fizikisht. Vetë gjykatësja të cilës ju ngarkua gjykimi i këtij ‘‘krimi’’ nuk pranoi t’i gjykonte ata djem dhe bëri dorëheqjen nga ai proces i sajuar. Pas kësaj, gjykimi ju ngarkua një gjykatësi tjetër i cili pranoi të ecte në gjurmët e skenarit të realizuar nga një grup pune i Komitetit të Partisë në rrethin e Librazhdit.

Shkëndijë e parë për arrestimin e poetëve u bë martesa e Vilson Blloshmit me një vajzë nga Tirana. Të braktiste kryeqytetin një vajzë e të shkonte për t’u martuar në një fshat të largët malor me një punëtor krahu të deklasuar ishte e padëgjuar. Pushtetarët e Librazhdit nuk i mbante vendi. Kjo martesë e Vilsonit, talenti i poetëve në fushën e artit dhe studimeve shkencore të tyre i bënte pushtetarët xhelozë dhe ata ishin të gatshëm për t’u shtypur kokat. Partisë në pushtet i duhej ta mbante popullin të nënshtruar e të sundonte ngado në atë epokë kur vendi përjetonte një krizë të thellë ekonomike e politike. Nuk duhet harruar se atëherë vendi ishte në vazhdën e luftës kriminale e absurde që bënte Partia ndaj grupit të ashtuquajtur puçist në ushtri të kryesuar nga ministri i mbrojtjes Beqir Balluku e të tjerë. Jemi në atë kohë kur pati viktima ngado; në kuadrot e ekonomisë, politikës e në fushën e artit. Uragani i së keqes ishte një zjarr që do të digjte me përmasa të mëdha. Po përgatitej prishja e marrëdhënieve me R. P. të Kinës e pas kësaj do të eliminohej kryeministri i vendit. Lufta e klasave po merrte përmasa të papara. Populli duhej të përgatitej për të gjitha këto duke u bashkuar rreth Partisë me një unitet të çeliktë. Vendi ynë i vogël socialist duhej ti bënte sfidë kampit kapitalist e njëkohësisht kampit revizionist. Vetëm duke e parë në këtë këndvështrim do të kuptohet me qartësi eliminimi i grupit armiqësor të Bërzeshtës dhe pushkatimi i poetëve Leka e Blloshmi. Ndërsa duke e parë si një ngjarje të veçantë e të shkëputur do të na duket si diçka gati absurde dhe e pakuptimtë. Ashtu si ata me poste e me pushtet, Partisë i duheshin edhe viktima të tjera qofshin ata pa pushtet por thjesht të deklasuar ashtu siç ishin Genc Leka e Vilson Blloshmi, mjafton që t’i vihej fre popullit e të mbahej i nënshtruar. I ashtuquajturi “ revolucion socialist” ishte i pamëshirshëm.

Disa herë Instituti i Gjuhësisë dhe i Let:ersisë në Tiranë i pat kërkuar rrethit të Librazhdit që G. Lekës, i cili po linte një krijimtari të madhe e me vlera, t’i krijoheshin kushte për punët studimore në gjuhësi, por kjo refuzohej me egërsi nga kuadrot e larta të rrethit. Genci kërkohej edhe nga Radio Televizioni si folës në ekranin e vogël, mbasi kishte konkurruar dhe komisioni ishte mahnitur nga zëri i tij i jashtëzakonshëm, por përsëri nga rrethi i Librazhdit vinte i njëjti refuzim.

Para se të arrestoheshin poetët, në mars të vitit 1976 u arrestua dhe iu kalua për pyetje hetuesisë  vëllai i Vilsonit, Bedri Blloshmi reth 24 vjeç në atë kohë. E vërteta është se Genc Leka dhe Vilson Blloshmi u arrestuan katër muaj mbas arrestimit të Bedri Blloshmit i cili ishte pyetur e shoshitur mirë në hetuesinë e Librazhdit. Gjyqi në fillim vendosi të pushkatohej Bedri Blloshmi e jo Vilsoni, por ndodhi e kundërta. Bedriut ju fal jeta, duke e shkëmbyer me atë të Vilsonit.

Ajo që është shkruar e shkruhet shpesh se G. Leka e V. Blloshmi u pushkatuan thjesht për poezitë që shkruanin nuk është veçse një pjesëz e së vërtetës. Por le të shpresojmë për më të mirën.

Përshëndetje të sinqerta, Nazmi Seitaj.

Elbasan, 6 Prill 2011.

Nuk ka komente

  1. Jam e prekur dhe e motivuar fort nga ky rrefim i nje historie te dhimbshme e te mrekullueshme. Sa e nevojshme eshte te degjojme histori te tilla treguar thjeshte…keshtu. Sa shume mund te mesohet prej tyre, kur librat tane te historise jane te dobet e thellesisht propagandistike. Dhe sa e veshtire eshte qe histori te tilla te mos abuzohen politikisht e te behen pis nga te gjitha palet e interesuara qe marrin pjese ne lojen e fuqise ne Tirane.

  2. Jam dakord me Z.Seitaj për të gjitha shqetësimet që përmendi më lart.Sidomos për harresën në heshtje që të gjitha qeveritë “demokratike” u bëjnë heronjve,dëshmorëve dhe njerëzve të ndritur të këtij kombi.Duke i përmendur këto figura në mënyra tepër banale vetëm atëhere kur ja do interesi. Mjafton të shohim fondet qesharake që pushtetarët japin për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e monumenteve te këtyre figurave te larta,ndërkohë që lëshojnë miliona dollarë thjeshtë për rikostruksione të “përkohëshme” ambientesh parlamenti apo zyrash shtetërore. Po e mbyll duke e përshëndetur dhe shpresuar si Z.Seitaj që diçka të ndryshojë tek “ne”.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin