SHASHKA HUTUESE

Historia është kjo: shkrimtari i njohur italian Roberto Saviano, i dha emisionit “Shqip” një intervistë të gjatë ku prekte edhe lidhjet midis mafies shqiptare me atë italiane. Pohimet e tij ishin sa mbresëlënëse aq edhe interesante. Pas intervistës plasën polemika. Edhe përtej detit.

Intervista e Savianos cekte nerva të zbuluara të shoqërisë e politikës shqiptare. Temat ishin padyshim të rëndësishme, edhe pse disa prejt tyre rreknin realitetin italian. Ja disa: raporti i demokracisë me mediat, mekanizmi i shpifjes nëpërmjet mediave, mafia e çimentos në Shqipëri, kontrolli i territorit nga kriminaliteti i organizuar, përpunimi i plehrave, mjedisi, rreziku mafioz në Kosovë, shndërrimi i Uçk-së në mafie, Ndrangheta dhe mafia shqiptare, shfrytëzimi i prostitucionit, lidhjet e mafies me politikën, kanuni në raport me qëndrimet mafioze, marrëdhëniet e regjimit komunist shqiptar me Kamorran napolitane, manifestimet paqësore në demokraci, përgjithësimi në politikë, etj.

Temat e prekura nga shkrimtari italian ishin aq të shumta e të mprehta, sa mund t’i fusnin në punë mediat dhe politikën shqiptare të paktën për disa muaj. Jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të fqinjes Itali, meqë shumë prej tyre trajtonin realitetin e dy vendeve. Mirëpo ajo çka ndodhi, errësoi gjithë interesin e ngjallur nga intervista e Savianos.

Gazeta italiane Libero, me qëndrime të djathta, botoi një shkrim me titull “Saviano plaçkit edhe shqiptarët” (1.4.2011), ku shpjegonte se shkrimtari italian, tek fliste për marrëdhëniet e qeverisë komuniste shqiptare me Kamorran napolitane, nuk kishte cituar të përjavshmen shqiptare Investigim. Kjo e fundit paska autorësinë hetimore lidhur me argumentin. Për këtë citohet gjithashtu drejtori i gazetës Alket Aliu. Për të zbuluar “vjedhjen” e Savianos dhe metodologjinë e ndjekur prej tij, përmendet shkrimi i një gazete tjetër italiane Il Giornale” (edhe kjo e krahut të djathtë, ose më saktë pronë e familjes së Berluskonit).

Në fakt, Il Giornale kishte botuar një ditë më parë një shkrim të gazetarit Domenico Ferrara, tilluar “Sa kopjon Saviano? Tani e akuzon edhe Shqipëria”. Në këtë artikull bashkëlidhej edhe editoriali i Alket Aliut, i cili e akuzonte tepër rëndë shkrimtarin italian për faktin se nuk ishte përmendur gazeta e tij dhe se nuk ishin respektuar të drejtat e autorit. Midis të tjerash, Aliu e quante Savianon “personazh i ngjashëm me ata të ‘Big Brother’”, “mishërim i përkryer i aksiomës se për të qenë i suksesshëm në gazetari, nuk është e nevojshme të punosh me profesionalizëm”, e më tej shtonte se “Roberto Saviano konsumoi mashtrimin e radhës, duke treguar se si e ndërton karrierën në kurriz të të tjerëve”.

Hetimi i gazetave të mësipërme italiane, lidhur me veprimtarinë kopjuese të Roberto Savianos, shkoi më tej. Informacionet ai i paskësh marrë nga Osservatorio Italiano, një organ online që i kushton vëmendje rajonit ballkanik dhe që ka përkthyer e botuar shkrimet e Investigim-it. Drejtori Osservatorio Italiano botoi madje edhe email-shkëmbimin që ka pasur me shkrimtarin Saviano. Polemikat vazhduan edhe në Shqipëri, ku u përkthyen dhe u botuan shkrimet për “kopjimet” e Savianos.

Ata që e kanë ndjekur këtë histori të çuditshme, pavarësisht se kujt i japin të drejtë, me siguri e kanë vënë re se si çështje të rëndësishme, si ato që u përmendën më lart, rrëshqitën dalëngadalë në llucën e një polemike me natyrë tjetër, krejt të personalizuar, me fyerje të rënda e me implikime të pashmangshme politike. Vëmendja e publikut pësoi me siguri të njëjtën trajektore. Fillimisht u përqendrua tek lidhjet mafioze në brigjet e Adriatikut, pastaj me shpejtësi shkoi tek të drejtat e autorit dhe kopjimet mes gazetarësh. Pretendimet për copyright-et përkatëse mund të zgjidhen me gjykatë, pa qenë nevoja të monopolizojnë hapësirën publike. Besoj se të gjithë jemi dakord që kërkojnë më shumë dritë marrëdhëniet midis regjimit totalitar e mafies, ose midis politikës e kriminalitetit të organizuar, se sa akuzat për kopjim. Këto do t’i kishim duruar pa problem sikur t’i tërhiqnin vëmendjen studiuesve, por edhe opinionit publik, për një nga faqet më të errëta të historisë shqiptare.

Nuk ka komente

  1. Sado dëshirë të mirë, apo besim, që të kem tek paqja në botë, tek lufta kundër korrupsionit apo krimit të organizuar kur lexoj që:
    “R.S.: Unë kam ndjesinë, flas thjesht nga ndjesia që kam sepse nuk kam të dhëna, se me çimenton kanë të bëjnë mafiozët shqiptarë”, apo
    “R.S.: Ai referim i imi, në intervistën tonë para dy vjetëve, për kokainën transgjenike, të jetë e qartë, ishte një referim ndaj një mundësie…ai referim ndaj kokainës transgjenike ishte një hipotezë, nuk më duket si personi më i përshtatshëm (apo, më adapti dhe më i besueshmi) për ta ndjekur në diskutime të tilla.
    Nëse “shashkat hutuese” të mediave kërkojnë të largojnë fokusimin e debatit nga problemet e vërteta tek thashethemet, edhe vetë R.S nuk është gjë tjetër (me ndjesitë apo hipotezat e tij) se një SHASHKË.
    Fakti që problemet, që ai ngre, ose që duhet t’i kemi në fokusin e kontrollit, duhet të jenë të pranishëm e/o të monitorueshëm në rrugën e konsolidimit të demokracisë, nuk e bën RS as më special dhe as ndonjë figurë që meriton vëmëndje më tepër se shumë të tjerë që këto rreziqe i njohin… bile i njohin aq mirë, saqë antikorrupsioni dhe lufta kundër krimit të organizuar ishin (edhe më parë se të fliste RS) dy nga kolonat ku, vetë qeveria shqiptare, mbështeti (dhe mori votat) me programin dhe premtimet e saj në fushatën e kaluar zgjedhore.

  2. Në rastin në fjalë ato që shkruan Alket Aliu janë thjesht fyerje dhe shpifje.
    Saviano nuk ka kopjuar asgjë prej tij, thjesht paraqiti dokumentat e një të penduari të Camorra-s, por në rastin konkret ato përkojnë edhe me dokumentat e Aliut i cili mbështetet tek dokumentat e Sigurimit, pra janë thjesht 2 pikëpamje të ndryshme të së njejtit fakt.
    Gazetat e djathta shfrytëzuan këtë rast për të sulmuar Savianon, por ajo që më revoltoi ishte toni ofendues i Aliut.

    Tung.

  3. Nje tjeter shashke qe nuk ben vetem tym, por edhe mund te demtoje (pra te kete funksion publik pozitiv), do ishte te reflektohet mbi vulnerabilitetin e figurave si Saviano qe nuk kane miq nga asnje krah i ‘te fuqishmeve’ dhe nuk pranojne kompromisin me asnje element qe mban ne kembe nje sistem te piste, te majte e te djathte. Kushdo u hidhet ne fyt (lejohet t’u hidhet ne fyt, madje edhe trumbetohet e proliferohet gratis), sado i vogel qofte, sado joetikisht apo dobet te shkruaje. Ne rastin me te keq sistemi i hesht duke i injoruar.

  4. Saviano, vetem per rreshtat qe i ka kushtuar Kosoves, meriton te trajtohet si nje mashtrues i rendomte, ose ose, si nje mashtrues fort i zgjuar (nenkupto : i shitur). Ky fare maskarai, qe e lejon veten te flase per Kosovaret nderkohe qe keta te fundit nuk kane kurrfare tradite me shtetin e tij te qelbur italian, eshte nje gje e lige qe nje Zot e di ku i shtrin kembet. Mitoman, megaloman, viktimist, asgje me teper.

    Ky ben pjese ne ate grupin e ndyre te disa “specialisteve” qe s’lene nje rast pa permendur katastrofen boterore qe do te vije per shkak te Kosovareve dhe Shqiptareve. Dy koka tashme, dihet kush jane :

    – Xavier Raufer
    – Alexandre del Valle.

    Me ne krye dy qelbaniket zviceriane, Dick Marty dhe Carla del Ponte.

    Keta, po t’i vini re librat e tyre, jane pergjithesisht te financuar dhe botuar nga shtepia botuese “L’Age d’Homme”, me baze ne Lausanne, nje shtepi e drejtuar, financuar dhe mirembajtur nga SERBET (nje fakt i njohur boterisht).

    Shkurt, reklamat dhe publicitetet qe i behen ketij palaçoje nga disa shqipfoles, ne Tirane e gjithandej, jane thjesht shenja te mjera kozmopolitizmi dhe madje, mazohizmi, tashme i njohur mire nder shqiptare.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin