KUR PIKON LEKSIKU

Një diskutim sot në blogun Language Log, nëse japonishtja e ka apo nuk e ka një fjalë të përshtatshme për plaçkitjen (looting), më solli ndërmend një dilemë timen të pazgjidhur, në lidhje me si ta sjell në shqipe fjalën dhe konceptin e blackmail-it.

Dihet se gjuhët janë sisteme autonome të organizimit të perceptimit; jo nomenklatura, shifra ose kodifikime të të njëjtës hartë konceptuale. Megjithatë, ideja e përhapur se mungesa e një fjale në leksikun e një gjuhe mund të thotë diçka në lidhje me botëkuptimin e folësve të asaj gjuhe është, përgjithësisht, e pambështetur.

Një shembull, sado banal, do të mjaftonte për këtë: në shqipe ne nuk dallojmë leksikisht mes këmbës (foot) dhe këmbës (leg), por kjo nuk tradhton ndonjë paaftësi tonën për të dalluar njërën pjesë të trupit nga tjetra; njëlloj, aty ku shqipja dallon mes tezes dhe hallës, anglishtja dhe gjuhët neolatine kanë një fjalë të vetme (aunt, etj.), të cilën e specifikojnë me mbiemra, nëse është nevoja (maternal aunt, etj.).

E njëjta fallacy (po këtë si ta thuash në shqipe vallë?) mbështet besimin, të rimarrë deri në mërzi, se koncepti i besës dhe fjala besë janë unike për shqiptarët dhe hyjnë në punë si fjalëkyçe, për t’i përkufizuar si kulturë.

Çështja këtu është nëse dallime të tilla kanë ndonjë vlerë përtej rrafshit thjesht etno-folklorik.

Language Log, ku shkruajnë gjuhëtarë të kalibrit botëror, ka alergji të hapur ndaj miteve të tipit “eskimezët kanë dhjetë fjalë për borën”, e cila nuk është pa lidhje me refuzimin, pothuajse sakral, që i bëhet së ashtuquajturës hipotezë Sapir-Whorf, për kushtëzimin që ia bën gjuha të menduarit.

Unë nuk dua të futem këtu në konsiderata të filozofisë së gjuhës e të psikolinguistikës, të cilat janë megjithatë interesante në vetvete, por më tepër t’i kthehem diskutimit siç e përmenda në krye.

Idenë se japonezët nuk kanë fjalë për plaçkitjen (looting) e patën përsiatur të gjithë ata që nuk gjenin dot shpjegim tjetër për sjelljen e admirueshme qytetare të japonezëve, përballë një situate katastrofike si kjo e tanishmja.

Nuk dua të them se këta besojnë që etika japoneze e respektit për pronën abstrakte, ose të mbetur pa zot a pa mbrojtje, buron nga struktura e leksikut të japonishtes; meqë fare mirë mund të supozohet se fjala përkatëse ka humbur nga japonishtja, për shkak të mospërdorimit në rrethanat kur etika komunitare e kish shndërruar plaçkitjen në tabu.

I njëjti arsyetim vlen, bie fjala, për shqipen, së cilës i mungon fjala për incestin – në kuptimin “marrëdhënie seksuale mes personave të afërm nga gjaku, zakonisht prindit dhe fëmijës ose vëllezërve dhe motrave”. Edhe këtu dukuria do parë si efekt i tabuizimit, jo si dëshmi e mungesës së fenomenit.

Aq e vërtetë është kjo, sa Fjalori i Shqipes së Sotme (1984), të cilin e kontrollova tani, nuk e përmban as vetë fjalën incest, si term dituror.

Megjithatë, në raste të tjera, si ai blackmail që më mundoi mua gjatë një përkthimi para pak ditësh, vështirë t’ua vësh e t’ua lësh fajin tabuve sociale.

Fjalorët dygjuhësh që kam, për këtë fjalë, duket se ndihmojnë njëri-tjetrin; Qesku e përkthen blackmail si përfrikësim, shantazh; edhe Leka-Simoni, në fjalorin e tyre të italishtes, për ricatto kanë përfrikësim, shantazh, etj. Këtu përfrikësim është neologjizëm që nuk më rezulton të ketë hyrë në përdorim; ndërsa shantazh huazim relativisht i vonë nga frëngjishtja (çuditërisht, edhe turqishtja më del se përdor të njëjtën fjalë për blackmail: şantaj si emër dhe şantaj yapmak si folje).

Edhe pse përpiqem, nuk gjej dot një fjalë vendëse që ta mbulojë konceptin kënaqshëm; fjalori anglisht-shqip i Hysës ka kërcënim, por në thelb kërcënimi është hiperonim i blackmail (është si ta përkthesh fjalën duck si “shpend”). Nga ana tjetër, praktika e shantazhit nuk është se i mungon jetës shqiptare, as i ka munguar ndonjëherë – në të gjitha format e veta.

Ndonjë sugjerim?

Nuk ka komente

  1. fallacy, në rastin më të mirë mund ta kuptojmë si ide apo përshtypje të gabuara, ndërsa në të kundërt, mund ta marrim si ide mashtruse (inganevole)

    1. Cne qe ngaterrohesh me idete e pershtypjet, te gabuara apo mashtruese qofshin?

      “Fallacy” perdoret specifikisht ne logjike dhe nuk ka te beje fare, pervecse aksidentalisht, me ide apo pershtypje te gabuara, por me arsyetime dhe argumente qe per shkak te ndonje “fallacy” jane te pavlefshme, te pasakta apo jo te bindshme.

      Ad hominemi, psh, eshte nje lloj “fallacy.” Eshte si tip lojtari me karton te kuq. Nuk lejohet te futet ne loje.

      “Fallacy,” eshte e vertete, mund te jete nje ide e gabuar, por jo vetem e gabuar ama, edhe irelevante, e papershtatshme, e nxituar, apo edhe ndonje pershtypje e tille, por mund te jete edhe gabim gjuhesor si ekuivokim termi, analogji e paperputhshme, inuendo, por mund gjithashtu te jete edhe nje besim i gabuar, etj, etj.

      Gjithsesi, “fallacy” eshte kategori me e ngushte se gabimi, ne sensin qe lidhja e telave te kompiutrit mund te jete gabim, por jo “fallacy,” dhe me e gjere se gabimi, ne sensin qe mund te perfshije pervec gabimit edhe disa elemente te tjere si ato qe permenda me lart. Po ashtu, permbledh jo vetem ide e pershtypje, por edhe besim, perdorim gjuhesor, etj.

      Mbase “pasaktesia” eshte perkthim i vlefshem, por problemi eshte se “saktesia” mund te perdoret me mire per “soundness,” keshtu qe do rrezikohej ekuivokimi i “unsound” me “fallacious” pastaj, kur ne fakt, nje “fallacy” duhet pare si shkak i pasaktesise, e jo si pasaktesi.

      “Vlefshmeria” eshte kollaj, per “validity,” “bindshmeria,” po ashtu per “cogency.”

      Keshtu qe per “fallacy” vallaj, edhe une gjendem ne te njejtin pozicion me Xhaxhain. Deri me sot, kam perdorur dhe kam pare te perdorur “falsitet” per “fallacy.” Por nuk e di c’konsensus ka.

      1. Këtu nuk besoj se 2Xh po fliste për probleme llogjike apo llogaritje probabiliteti, sepse për analogji, rasteve vero/fallso do t’i përkthenim thjesht si të mundshme apo të pamundshme.
        2Xh po pyeste se ç’emra të tjerë mund t’i vinim ne “borës” së fallacy-së në kontekste të ndryshme.
        P.s: nëse do t’i qëndroja arsyetimit tënd, në vend të ‘pasaktësi’, duhet të përdornim ‘ i/e pavërtetë’

  2. Kercenim jo e jo. Fjale tjeter ne shqip per “blackmail” nuk duket se i vjen afer ndonje pervec se ajo e shantazhit qe tashme ka zene vend ne perdorimin e perditshem. Nderkohe qe fjala shantazh ne shqipen totalitare perdorej ne nje kontekst krejt tjeter; ne ate te mardhenieve ndermjet dy superfuqive dhe fuqive te tjera te medha midis tyre.
    Perndryshe fjala shantazh nuk ishte ne perdorim te gjere, ne mos krejtesisht e pa perdorshme ne jeten e perditshme te asaj kohe.

    Po sikur te themi kercenim per te treguar?

    Pra kertregim/kertregoj?

    Vetem nje mendim fluturimithi.

  3. Xhaxhai:

    “në shqipe ne nuk dallojmë leksikisht mes këmbës (foot) dhe këmbës (leg)”

    Librat e anatomise ne shqip kur japin pjeset e trupit, bejne dallimin midis kembes(anglisht leg) dhe foot, ne shqip shpute(a).

    Shprehja e njohur ne shqip “shputa e kembes” e “ka shputen e kembes te madhe/te vogel”, ” i eshte rritur shputa e kembes, nuk i bejne me kepucet”, ” e ka shputen e kembes te holle e te gjate”, “shikoi shputen e kembes per te pare nese do te zgjatet”, “e ka shputen e kembes shume delikate, “theu shputen e kembes”

    Persa i perket “blackmail”, sa do me paguash xhaxha per te ofruar nje zgjidhje ne shqip, …. perderisa jemi ne ekonomine e tregut?

    Ty do te jap zbritje. 🙂 Miqesisht…

    1. Edhe një herë citoj nga Fjalori i Shqipes së Sotme:

      SHPUTË: Faqja e poshtme e këmbës së njeriut ose të disa kafshëve, shualli i këmbës, tabani.

      Siç shihet, shputa është vetëm një pjesë e këmbës – ta quash foot-in shputë, do të thotë të rrezikosh një pars pro toto (të ngjashme me çfarë bënim dikur, kur u thoshnim sovjetikëve “rusë”).

      Përndryshe, nuk më rezulton që shputa të përdoret gjëkundi me kuptimin “foot”.

      Sa për “shantazhin” që më bën… të mjafton një muaj shfletim falas i sajtit PTF?

      1. Po c’te them tjeter? Citmi i sjelle nga ju, Fjalori i Shqipes së Sotme eshte mbeshtetur ne fjalorin me te hershem te vitit 1956, nje lloj “copy and paste” i cili jep edhe disa shpjegime te tjera per kuptimin e fjales shpute si pershembull dacke, shuplake.(Arturi hengri nje shpute te mire nga i jati)

        Ka dhe kuptimin si “corap i shkurter nga syri i kembes e poshte”(pra duke mbuluar ate qe anglezet i thone foot, po ashtu te perfshire ne fjalorin qe citon).

        Akoma nena ime plake me urdheron: Mos rri zbathur, vish shputat.

        Une jam rritur ne nje ambjent familjar e shoqeror te kuptoj se kur permendet fjale shpute, flitet edhe per pjesen e poshtme te kembes, qe anglezet i thone “foot”. Duket sikur gjithshka varet nga konteksi. Pak si anglesce, kuptimi i fjales varion me konteksin, pra duhet te kontekstualizohet.

        Librat e anatomise te fakultetit te mjekesise(dhe asaj ligjore) po kete kuptim i japin fjales shpute. Duhet te jete arritur ne nje fare “understanding and agreement”, bazuar ne nje fare historije perdorimi te fjales shpute (Perdorimi anatomik, Shputa: Kockat e shputes, Muskujt e shputes, Arteriet e shputes). Mendoj se nuk flitet per tabanin e kembes.

        Ka disa mundesira: psh, hartuesit e fjalorit e kane ngushtuar (pa dashje) kuptimin e fjales(!!!), ka evoluar perdorimi i fjales shpute duke i dhene nje perdorim te ri(!!!), ose eshte ndonje keqkuptim i madh mes njerezve qe e perdorin kete fjale, duke me perfshire edhe mua,(!!!) etj.

        Dikush ndoshta do te bej pyetjen elementare: A e di ti me mire apo Fjalori i Shqipes se Sotme?

        Une do t’i pergjigjem se e ka fajin nena ime qe ma ka mesuar gabim kuptimin e fjales. E keshtu ngaterrohemi, behemi lemsh ne kuptimin leksikor te fjaleve.

        Ne lidhje me blackmail, me shkoi ndermend sinonimi i fjales ne anglisht qe eshte extortion. Perseri bazuar ne situaten qe kerkohet te pershkruhet, mund te perdoret edhe fjala me zhvat(xhvas): zhvas para dikujt duke e friksuar se do te beja te njohur(kallzoja te gjitheve) faktin… zhvas leke dikujt sepse dija dicka nga jeta personale… zhvas para dikujt duke e kercenuar se do te beja te njohur lidhjen jashtemartesore, etj.

        Pra i marr leke dikujt duke e shtrenguar se do te bej nje far kallzimi te nje fakti…, se do ta le biznesin/dyqanin ne meshiren e kapidan Suliotit, pa mbrojtjen time, i zhvati para plakut, duke e friksuar se do ta linte te vdiste vetem e pa ndihme, etj.

        Mund te gjesh perdorime te pafund ne literaturen shqip ku fjala zhvas duke i shtuar garnituren tekstuale afrohet nga ana leksikore me extortion, blackmail.

        Nderkohe me sillet dicka ndermend, vagelluese, qe futet ne kategorine dialektologjizmave(per te pershkruar blackmail me nje fjale te vetme), por s’me ka dale akoma nga serbatori i kujteses.

        Do ta shtrydhe trurin me diten e re… eshte vone.

        It is not a blackmail.

        1. Ka një keqkuptim, për mënyrën si hartohet fjalori.

          Nuk është se mblidhen leksikografët në tavolinë dhe vendosin për kuptimet e fjalëve.

          Përkundrazi, i nxjerrin ato kuptime nga shembujt që kanë në duar – ose databaza, siç do të thuhej sot.

          Metoda është demokratike, jo autoritare.

          Shputa qëndron ndaj këmbës (foot) si pëllëmba ndaj dorës – kuptimet e tjera janë ndoshta krahinore.

          Fjalorët terminologjikë nuk vijnë në vështrim këtu, sepse kur hartohen ata fjalorë korrespondencat terminologjike vendosen nga specialistët, dhe kriteret janë të tjera; nuk shihet përdorimi siç është, por vendoset përdorimi siç duhet të jetë. Në rastin tonë, terminologëve u është dashur dallimi foot/leg në shqipe dhe e kanë sajuar një zgjidhje me mjete rrethanore, siç veprojnë zakonisht terminologët.

          Nuk ka pikë dyshimi që shqipja e përkthen fjalën piede (foot) si këmbë, RM; sikurse nuk ka pikë dyshimi që nuk ka qime në vezë.

          1. Zhvat besoj se lidhet me shume me boten materiale, me dicka me vlere materiale qe nderron pronesi, duar (pavaresisht nga rruga apo menyra).
            Eshte nje akt, nje veprim i dukshem fizik.
            Shantazhi nuk me duket i tille

            E zhvati – me force, duke i bere shantazh, nga duart, gjithe jeten, etj etj.

            E zhvati, e ropi te gjalle…

            Blackmail = shantazh = kercenim.

            Ndoshta equivalenti i blackmail-it ne shqip ne kuptimin e ngushte te fjales nuk ekziston sepse si ide ajo fjale perfaqeson nuanca te cilat gjuha jone nuk i ka.
            Them kete sepse pervec blackmail, ne anglisht kemi edhe “greenmail”, kemi edhe “graymail”.

            Xhaxha. Ju keni nje numer te konsiderueshem gjuhesh ne bagazh. A mundet te shfrytezohen etimologjite e tyre per kete fjale, per te gjetur rrugen qe mund te coje ne idene/fjalen me te perafert ne gjuhen shqipe? A ka vend ketu per nje fjale te re? Apo shantazh eshte i majftueshem?

          2. Një dashnore (apo edhe dyshnor xhanëm, për të qënë në rregull) e zhvat partnerin/eren edhe pa i bërë presion/shantazh/kërcënim/kanosje se do të bëjë publike relacionin/mardhënien klandestine… varet nga shkalla që ‘sa ja ka marrë ment e kresë’.

            Edhe diçka tjetër; shantazhi përdoret si mënyrë presioni (për të bërë dikë që të ndërrojë ide/mendim/opinion) duke përfituar nga forca/pushteti (i madh) që gëzon kërcënuesi… pavarësisht nëse do apo s’do e përdorte atë.
            Në rastin e presionit për të përfituar, se përndryshe nxirret në dritë një sekret (në italisht kanë fjalën
            ricatto), në shumicën e rasteve bëhet fjalë për përfitime materiale.

            1. Edrus:

              “e zhvat partnerin/eren edhe pa i bërë presion/shantazh/kërcënim/kanosje se do të bëjë publike relacionin/mardhënien klandestine… varet nga shkalla që ‘sa ja ka marrë ment e kresë’.”

              Francezet per kete rast kane nje shprehje “chantage affectif”, e perkthyer ne anglisht si “emotional blackmail”.

              Gjithmone ideja e shantazhit presupozon nje lloj tentative per te zhvatur, qe mund te jete nje tentative per perfitim amoral, te jashteligjshem dhe e shumellojshme.

              Ne shqip ashtu si edhe ne frengjisht, apo anglisht, pa e percaktuar se per cfare perpjekje per zhvatje(marrje me shtrengim, duke ushtruar dhune qofte edhe psikologjike) behet fjale, nuk mund te percaktohet nese flitet per para(qe eshte edhe kjo nje lloj zhvatje materiale), opo zhvatje emocionale, pergjithesisht materiale, kohore, etj.

              Ne shqip fjala shantazh e perdorur vetem, pa percaktuar se per cfare zhvatje(perfitimi amoral) tentohet mbetet e papercaktuar, thjesht nje tentative per te zhvatur dicka.

              Edhe nje here: Ti besh dikujt shantazh, pa percaktuar rezultatin dhe qellimin mbetet thjesht nje tentative(e denueshme ligjerisht apo moralisht).

              ps. Dhuna psikologjike eshte nje variant i dhunes fizike.

            2. Nuk e kisha fjalën nëse është i dënueshëm apo jo shantazhi apo zhvatja… e kisha fjalën që fjala ‘zhvat’ nuk i përgjigjet në të gjitha rastet blackmail-it.
              Sa herë kemi dëgjuar: “E ropi/zhvati të shkretin ajo pisja/shkër…”, ku faji i vetëm i “pises” është se i ka përmasat 90-60-90 dhe ku, ai “i shkreti”, vetëm për t’i qëndruar pranë e mbulon me gjithë të mirat.

              Pra, zhvatja mund të bëhet edhe pa presion psikologjik e/o afektiv… dhe, nëse mungon presioni/shtrëngimi, nuk mund ta quajmë blackmail.

  4. Shpirt-ndrydhje përfitimi. Shpirt-prangim dobiprurës. Dobësi-goditje shfrytëzimi. – Vetëm ca fanitje të rastit.

  5. Te nje perkthim interesant i Origjines se familjes,prones private etj., qe edhe ajo mbetet ende interesante dhe per mua vepra me e mire e literatures marksiste, edhe pse Engelsi kurre nuk beri kerkime ne terren, por vetem se pergjithsoi mbi kerkimet e etnologeve gjeniale te kohes, pra ne kete veper per fjalen “incest” eshte perdorur “fëlligështi” e cila nuk duhet ngaterruar me “fëlliqësi”. nganjhere perdoret edhe togefjalzeshi “felligeshti ne gjak”

    Konteksti i perdorimit ne mos gaboj ka te beje me nje periudhe te hereshme te historise se njerzimit, kur kryetari i tribuse kishte tager te mos e vriste mendjen shume se cilet antare te tribuse ishin femijet a motrat e tij prej gjaku.

    1. Këtë fjalë, fëlligshti, po e kërkoja dje, por nuk e kujtoja as e gjeja dot.

      Për mendimin tim, ajo shënjon pasojën e incestit, ose “prishjen” e gjakut – defektet gjenetike që shfaqen në fëmijët.

      Nëse mund të përdoret edhe për aktin vetë, kjo mbetet për t’u parë.

      Megjithatë, fjalë e vyer.

      1. Nuk e kam librin, por kujtoj se kur ne faqet e tij flitet per “marrëdhenie te fëlligeshta”, fjala eshte pikerisht per relacione incestuoze, shkurt incestin.

        Perseri, duke u mbeshtetur ne kujtese, ne liber flitet edhe per nje “periudhe te fëlligeshtise”, per te cilesur nje periudhe parahistorike dhe kur ai qe me pas do te jete njeriu, nuk eshte shkeputur ende nga paraardhesi i tij me lesh dhe i nenshtrohet impulseve te çastit, duke iu versulur te parit person (e) qe i del perpara.

    2. Në fakt FSHS-ja e përcakton fëlligështinë si një tjetër trajtë të fëlliqësisë, trajtë figurative, e rrjedhur nga fëlligë-a – grua që nuk mban pastër as veten, as shtëpinë, grua ndyracake.

  6. Shpëtim Çuçka, në Fjalorin Anglisht Shqip. TOENA 2006, fallacy e përkthen, mes të tjerash, si besim i gabuar, pathemeltësi.

  7. Besoj se shume prej ketyre fjaleve, diku jane, neper te folme te ndryshme (pavaresisht nga proceset e tabuizimit), vecse nuk i gjejme dot pa nje pune te organizuar nga nje institucion gjuhesor qe te shenohet vertet nje ndryshim qe te mund te ushqeje te gjithe “nevojtaret”. Kur i mungojne gjuhes se perbashket, do ishte mire t’i germonim ne material shqip e t’i nxirrnim e jetesonim duke i perdorur. Por, une shpesh i kam rene shkurt, dhe keto te dyja i kam lene ashtu sic jane duke i “shqipezuar” disi: si “falasine/falasite”. Kuptohet qe kjo nuk mund te jete nje zgjidhje sistematike. Nga ana tjeter, nuk me pelqen perkthimi i nje fjale me nje fjali. Ruan shqipen, por me shume e “prish shqipen”. Gjithashtu ngurroj te perdor fjale ekzistuese te rikuptimesuara, sepse me duket se keqkuptimi ne kete rast, nga shumica, eshte i garantuar (te tille do quaja psh perdorimin e “falsitet”). Nese nuk gjejme dot dicka ekzistuese (e ne kete rast une besoj se nuk kemi nje fjale, nderkohe qe per incest, besoj se fjala ende gjendet diku por nuk e kemi), preferoj me shume huazimin, pra “falasia/falasise, ose edhe nje krijim te ri bazuar tek shqipja, psh (sa per te thene dicka te shpejte) “keqlogjizimi” a ndonje gje e keteij tipi.

    Xhaxha: gjithnje kam dashur te te them (ndoshta edhe ta kam thene apo shkruar) se une personalisht do isha perdoruese dhe ndihmuese entuziaste e nje fjalori kolektiv online per gjithe keto fjale e terma qe i nevojiten shqipes, (e pa te cilet komunikimi ne shqip nuk mund te jete pjese e komunikimit nderboteror), sikur ti ta nisje kete. Besoj do ishte nje revolucion i vogel clirues ne te shprehurit shqip. Ne te gjithe jemi ne lufte te vazhdueshme per te gjetur fjalen qe s’e kemi.

    2. Ti thua: “ideja e përhapur se mungesa e një fjale në leksikun e një gjuhe mund të thotë diçka në lidhje me botëkuptimin e folësve të asaj gjuhe është, përgjithësisht, e pambështetur.” Jam krejt dakord me kete. E megjithate, po ashtu mendoj se pasja e disa fjaleve te caktuara, shpesh THOTE dicka ne lidhje me botekuptimin e perdoruesve. Dhe kjo varet gjithnje nga kategoria ku hyn fjala.

    ps: me pelqeu shume ideja e kontrollimit te fjalorit turqisht. Une nuk e di nese ti di turqisht. Por une nuk di. E megjithate kur dua ndonje fjale “juicy” (fjale qe denoton histori, marredhenie komplekse etj) e kerkoj ne turqisht, sepse, tamam ne ate kategori fjalesh, shqipja te ben te papritura te bukura. Po perpiqesha t’i shpjegoja/perktheja nje te huaji fjalen “naze”, dhe u ngaterrova keq…dhe bukur.

    1. Në fakt, gjatë kohës që shqipja shndërrohej nga një gjuhë kryesisht e folur në një gjuhë të shkruar (Rilindja), një zhvillim i ngjashëm po ndodhte edhe me osmanishten që edhe ajo po modernizohej për të përfunduar në turqishten moderne (edhe Samiu ynë ka luajtur një rol aty); dhe kur them zhvillim i ngjashëm kam parasysh afëri strukturore, jo thjesht ideologjike. Mjaft të shohësh ngjashmërinë e fjalëve që u huazuan në të dy këto gjuhë nga gjuhët neolatine, ose lëvizjen për pastrimin e leksikut – në shqipe nga orientalizmat, në turqishte nga fjalët diturore arabo-persiane, që në thelb i përkasin të njëjtit grup leksikor. Në këto ekuacione kulturore merr pjesë ndonjëherë edhe rumanishtja, e cila e përftoi formën e vet letrare duke u pastruar edhe ajo prej fjalëve të huaja – vetëm se për rumanishten këto ishin sllavizma.

      Kjo përqasje mes shqipes dhe turqishtes, jo si gjuhë gjenetikisht të afërta, por si gjuhë që për arsye historike ndoqën shtigje të ngjashme për t’u modernizuar, është errësuar disi nga përpjekjet, herë të sinqerta herë ideologjikisht të motivuara, për t’i minimizuar lidhjet shqipe-turqishte, e cila mund të kuptohet në atmosferën e Rilindjes, por sot është krejt anakronike.

  8. Shantazh -mund te konsiderohet fare mire fjale nderkombetare meqe figuron ne shume gjuhe , pervec frengjishtes edhe ne gjuhet :ruse, ukrainase, bielloruse,polake,letone , lituane,portugese, hollandeze, rumune,katalane,turke, spanjolle,etj. Ne kete kuptim mund t’i sherbeje edhe shqipes kur zevendesimi me nje fjale te vetme nuk eshte i mundur pervecse me nje neologjizem.

  9. Gjaktrazim? Po kur shkojme me nje tjeter cfare bejme ne, apo vetem ferkohemi qe te mos behemi pis? Me kete perkthim, nisur nga fakti se incest gjen perdorim ne literaturen juridike, mund t’ia hedhesh sa te duash.

    1. Sipas arsyetimit tënd, i bije që fjala gjakmarrje do të thotë që dikush shkon dhe i merr nja 2-3 litra gjak dikujt tjetër.

      P.s:kur thua ‘me një tjetër’ , besoj se e ke fjalën për ndonjë që nuk bën pjesë në familje… dhe nqs ‘ajo tjetra’ nuk është e familjes, pra e të njëjtit gjak, atëhere nuk po e trazon/ngacmon/turbullon gjakun tënd (në mënyrë figurative kjo), por po trazon lëngjëra të tjera

      1. Incest me perkufizim: Marredhenie brenda te njejtit Gjak. Ku kjo fjale e fundit perdoret po njesoj metaforikisht per jeten, sikunder ne Gjakmarrje.

        Tani qe te perdoresh kete fjale qe thua ti-ose onlajni qe e sugjeron- ne kontekstin e “prishjes se paqes se gjakut” eshte shume larg nevojes per te pershkruar procesin me nje fjale te vetme per nevoja te perdorimit te perditshem. Ngjane si ato fjale qe gjen perdorim ne perkthimet Shekspirit, por kaq.

        Aq me shume qe mesa di, po metaforikisht perdoret me kuptim te kundert Trazimi i Gjakut, p.sh trazoi gjakun apo prishi rracen me evgjitin. C’ka tregon nje marredhenie qe konsumohet ne ekstremin me te larget te pranueshem social dhe jo sikunder sillet si raport seksual brenda te njejtit gjak.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin