LARJE DUARSH

Më bëri përshtypje një frazë përmbyllëse e një artikulli të Afrim Krasniqit, sot në Gazeta Shqiptare:

Nuk e di ku punon autori, as më intereson; nuk pati asnjë moment, kur po lexoja artikullin, që të më shkonte mendja se Krasniqi atje po shprehte pikëpamje jo personale, por të tilla që të përfaqësonin zyrtarisht ndonjë institucion.

Si rregull, nëse Krasniqi do të shkruante si punonjës ose titullar i një institucioni të caktuar, këtë do ta tregonte duke e shtuar titullin e vet pas emrit, një konvencion ky i njohur dhe i pranuar, që nga koha e Gutenberg-ut.

Natyrisht, e mora me mend edhe arsyen e këtij shënimi – incidentin e paradokohshëm, kur Dritan Hilën, autor analizash në shtypin e ditës, e shkarkuan nga detyra në Ministrinë e Punëve të Jashtme, duke i përmendur konfliktin e interesit, ose mospërputhjen e veprimtarisë së diplomatit me atë të polemistit në mediat.

Megjithëse Hilës ia kam vlerësuar gjithnjë shkrimet, edhe unë mendoj se një diplomat është i kufizuar, nga vetë natyra e punës që kryen, në shprehjen e mendimeve në shtyp, sidomos për çështje të cilat i mbulon edhe në detyrë.

Mirëpo pezullimi i Hilës ka krijuar një precedent; dhe siç ndodh rëndom në Shqipëri në rrethana të tilla, precedenti do të kthehet sakaq në armë të pamposhtur në duart e idiotëve.

Pjesa më e madhe e analistëve në mediat e shkruara nuk e nxjerrin dot bukën si analistë; të shkruarit në gazetë është më tepër një hobby, kur nuk është përpjekje për të tërhequr vëmendjen e pasuruar C.V.-në, ose në rastin ideal, efekt i një shtyse të papërmbajtur për t’u angazhuar në debatin qytetar.

Të supozosh se kushdo që ulet të shkruajë një analizë për mediat po flet jo në emrin e vet, por në emër të institucionit ku punon është cenim i drejtpërdrejtë i lirisë së fjalës.

Precedenti Hila është i rrezikshëm jo sepse atij autori iu bë një padrejtësi, por për të kundërtën – sepse me të u veprua drejt, në pajtim me rregullat e institucionit. Mirëpo jo çdo institucion ka specifikën e Ministrisë së Jashtme – dhe rrethanat në Shqipëri janë të tilla, që analistët, intelektualët, zërat referencë të Shoqërisë Civile, janë të angazhuar me punë të gjithë në institucione të ndryshme.

Gjithsesi, kjo nuk do të thotë asgjë. Edhe një drejtor gazete, bie fjala Adrian Thanoja i Shekullit, kur ulet të shkruajë një analizë, nuk e bën këtë me titullin e drejtorit të gazetës, por si autor dhe analist.

Dua të them me këtë se akti i pjesëmarrjes në debatin publik është thellësisht individual – dhe nuk mund të lejojmë ndotjen e tij me referenca institucionale ose burokratike.

Përkundrazi, nëse vazhdohet me këtë identifikim të autorit me postin, detyrën ose rolin e tij në një organizatë ose institucion, atëherë debati vetvetiu do të shndërrohet nga një debat mes qytetarësh, në një debat mes profesionistësh, çka nuk është në interesin e askujt, përveçse të atyre që nuk duan t’u trazohen ujërat.

Nuk ka komente

  1. Xhaxha, meqe Krasniqi qenka keshilltar politik i presidentit, kam pershtypjen se eshte shenim thjesht protokollar. E vertete qe nuk eshte zedhenes, por keshilltar, e si i tille, fjala nuk i konsiderohet me perkufizim zyrtare, por gjithsesi, ekuivoke mund te krijohen. Me shume se paranoje nisur nga precedenti, ka mundesi te jete thjesht praktike pune per shmangjen e ekuivokeve.

    Nga ana tjeter, e gjej shume te debatueshme shprehjen “akti i pjesëmarrjes në debatin publik është thellësisht individual – dhe nuk mund të lejojmë ndotjen e tij me referenca institucionale ose burokratike.”

    Per mendimin tim, akti i pjesmarrjes ne debatin publik eshte akt thellesisht personal. Por kjo nuk do te thote se vetem pse eshte personal eshte njekohesisht edhe individual. Tjeter individi dhe tjeter personi, te pakten ne dy aspekte. Nga nje krah ligji i njeh statusin e personit edhe entiteteve kolektive ku formimi dhe pjesmarrja ne grupime dhe organizata politike eshte e garantuar me ligj. Keshtu psh, kur flet Berisha, flet edhe kryetari i PD-se. Dhe nga krahu tjeter, te njejtit individi te vetem t’i njohi dy statuse, ate te personit privat dhe ate te personit publik. Dhe Krasniqi eshte pikerisht nje nga ata individe qe i gezon te dy statuset. E nuk eshte thjesht nga pikepamja juridike, por vlen edhe per publikun qe nje individ ne nje pozicion te tille te sqaroje ne eshte duke folur formalisht apo informalisht, si person publik apo si person privat.

    1. E drejtë vërejtja.

      Çfarë kisha në mendje kur e përcaktova aktin debatues si individual është se, në rast të kundërt, ai duhet cilësuar në mënyrë eksplicite.

      Për shembull, kur Krasniqi flet në emër të institucionit ku punon, mund të shtojë përbri emrit edhe detyrën ose përgjegjësinë që ka, për ta bërë të qartë që po flet me atë titull dhe cilësi.

      A mund të flasë publikisht Krasniqi përtej dhe pavarësisht detyrës së vet? Tani që e mësova se çfarë është, nuk di ç’të them – duhet parë rregullorja e Presidencës ose kontrata e punës që ka nënshkruar.

      Për mendimin tim, një këshilltar i Presidentit nuk ka punë të shkruajë opinione ose analiza në shtyp përveçse me cilësimin përkatës, meqë përndryshe krijohen shumë keqkuptime, të cilat çdo “disclaimer” vetëm sa do t’i rëndonte.

      Edhe pse presidenti Topi njihet si njeri i hapur dhe liberal, vështirë të mendosh se këshilltari i tij politik do të dalë në gazetë me opinione që bien ndesh me ato të Presidentit.

      Nëse është kështu, atëherë sqarimi në fund të artikullit është hipokrit.

      Nga ana tjetër, ligji që ua njeh personësinë (personhood) disa entiteteve kolektive është relativisht i ri; e di që e kanë miratuar këtu në ShBA, por nuk e kam të qartë sa vlen kjo në Shqipëri (dhe gjetiu në Europë).

      Gjithnjë për mendimin tim, ky ligj nuk ka as kuptim as vlerë, dhe nëse është kaluar, kjo është bërë për shkak të trysnisë së fortë nga korporatat.

      (Do të bindem që një kolektiv është person herën e parë që të marr vesh se një korporatë është arrestuar ose dënuar me heqje lirie).

      Çështje për t’u diskutuar me vete, gjithsesi.

      Ideja ime është kjo, me dy fjalë: çdo person që shprehet në publik, e bën këtë në emrin e vet personal, me përjashtim të atyre rasteve kur – në daç haptazi në daç vetvetiu ose me konvencion – kualifikohet sipas detyrës që ka ose një institucioni që përfaqëson.

      1. Nuk është e thënë që të shikohet problemi vetëm në këndvështrimet e para deri më tani.
        Me artikujt e “personazheve” të tillë (flas edhe për eksperiencën që ndeshet rëndom në Itali), institucionet paraqesin pikpamjet e tyre pa dashur që të deklarojnë publikisht qëndrime zyrtare.
        Nëse një këshilltar i presidentit italian do të shkruante një artikull ku (p.sh) vihen në dukje të metat e një sistemi të caktuar gjyqësor, për lexuesin e zakonshëm duket si një artikull informativ/divulgativ… ndërsa për komisionin e ligjeve në parlament (që po punon për atë ligj), është një “gjujtje me spond” për t’ju thënë që; Nëse vjen tek presidenti një ligj që shkel principet e deklaruara, atëhere ai ligj vështirë se do marrë firmën e presidentit.

      2. “Nga ana tjetër, ligji që ua njeh personësinë (personhood) disa entiteteve kolektive është relativisht i ri; e di që e kanë miratuar këtu në ShBA, por nuk e kam të qartë sa vlen kjo në Shqipëri (dhe gjetiu në Europë).”

        Shif kodin civil. Persona juridike private jane shoqatat, organizatat, firmat, etj, nderkohe qe persona juridike publike jane institucionet shteterore. Nuk jam i qarte partite politike ku hyjne, por kam pershtypjen kane statusin e personit juridik privat. Gjithashtu ne kodin civil percaktohen edhe pergjegjesite ligjore qe mban nje person juridik. Neni 32 thote, “Personat që kanë vepruar me cilësinë e organit të personit juridik, kanë përgjegjësi vetjake për shpërblimin e dëmeve që janë shkaktuar për fajin e tyre.” Nuk di perfshihet ketu edhe burgimi apo jo, por kam pershtypjen se po, perndryshe Vehbi Alimuca si person qe ka vepruar me cilesine e organit te personit juridik, nuk besoj do ishte ne burg. Dicka e ngjashme besoj ka funksionuar edhe ne rastin e Maddoff.

  2. Me sa di, Afrim Krasniqi ka qene Keshilltar i Presidentit Alfred Moisiu, por nuk kam dijeni te jete ende ne kete detyre me presidencen “Topi”.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin