PRESHI KUNDËR KASTRAVECIT

Personalisht do t’i ndaja krahasimet në politikë sipas dy kritereve. Së pari, në bazë të sinqeritetit: krahasimet bëhen, o me mirëbesim, o me prapa-para-mendim. Kur hodha dyshim për krahasimet e tepruara (si Hitleri, si Stalini, si Hoxha, si Gedafi, si Ben Ali,…), midis të tjerash, kisha parasysh faktin se figura të tilla retorike ishin në thelb manipuluese, sepse në rastin më të mirë shprehnin një dëshirë, në rastin më të keq përbënin ftesë për të kopjuar një model të mëparshëm. Nuk është e rastit që krahasimi me Tunizinë u bë fillimisht nga Gjinushi në vigjilje të protestës së 21 janarit, që u interpretua nga shumëkush si ftesë për rrëzimin e qeverisë sipas modelit tunizian. Krahasimi u rimorr nga Berisha për t’i thënë troç se në Shqipëri nuk do të realizohej kurrë modeli tunizian. Të tjerat dihen…

Krahasimet manipuluese nuk i pranoj nga asnjë palë. Madje i quaj të pamoralshme, sikurse Xhibi. Pakti midis publikut dhe politikanëve, për t’u kuptuar gjatë komunikimit (fjalë që nuk i shkon për shtat realitetit shqiptar), është mirëbesimi. Politikanët shqiptarë i përdorin figurat retorike jo për të përcjellë mesazhe, por për t’i delegjitimuar kundërshtarët, për t’i denigruar, për t’i përdhosur, së fundi për t’i mposhtur, mundësisht deri në shfarosje. Atje ku publiku kërkon skenë, ka prapaskenë, atje ku qytetarët kërkojnë sinqeritet, ka manipulim.

Ka diçka perverse në përdorimin e retorikës politike në Shqipëri. Të gjitha forcat politike përdorin të njëjtat armë denigruese. Vetë Mubaraku, Ben Alia, Gedafi, janë përdorur si çomange krahasuese nga të dyja palët. Opozita e krahason Berishën me Ben Alinë, Gedafin, Mubarakun, mazhoranca e krahason Edi Ramën si pasardhës të Ben Alive, Gedafëve, Mubarakëve të Shqipërisë. Krahasimi me regjimin, gjithashtu, ka pësuar pothuajse neutralizim dyanësh. Mazhoranca e konsideron Edi Ramën bllokmen (së fundi me variantin e shëmtuar bllokqen), duke i kujtuar pafundësisht emrin e të atit; opozita i boton Berishës fotografitë e vjetra, duke i kujtuar lidhjet me nomenklaturën komuniste. A thua figura të tilla retorike huazohen ndërsjelltazi për t’i eliminuar efektin në publik? Lojë me shumën zero? Në këtë rast do të kishim një luftë të hollë politike në rang stilistikor, betejë për jetë a vdekje ndërmjet stilemash të komunikimit postmodern…, ndoshta thjesht virtuale; në qoftë se nuk kemi të bëjmë me një kacafytje verbale fare të rëndomtë, në rang mejhanesh ndyranake.

Natyrisht, krahasime të tilla janë bërë edhe nga qytetarë e analistë të thjeshtë, në kuptimin që nuk kanë ndonjë përgjegjësi direkte përfaqësuese. Këta ndryshojnë nga politikanët, sepse i bëjnë krahasimet me mirëbesim, ndoshta të pabazuara mirë, ndoshta të keqkuptuara, por i bëjnë me sinqeritet, në ndihmë të argumenteve të veta. Krahasimeve të tilla u kontestoj vetëm efektshmërinë figurative. Ka të drejtë Xha Xhai, nuk mund t’i ndalojmë njerëzit të bëjnë krahasime. Do të ishte absurde të ndërtonim diga censuruese kundër krahasimeve. Krahasimi i tij midis Berishës e Berluksonin nuk ka përse të ngjallë habi. Madje është intrigues. Tek e fundit, atësinë e kanë vetë mbështetësit e PD-së, që kohë më parë përmendin 3B-të (Bush, Berisha, Berluskoni). Gjithsesi, arsyetimi i Xha Xhait më erdhi në ndihmë për të bërë një dallim tjetër. Të thuash “Berisha është si Gedafi” rezulton thelbësisht e ndryshme nga “Fjalimi i Berishës si ai i Gedafit”. Fjalimet mund të krahasohen kur paraqesin analogji të forta, mundësisht me metoda filologjike skrupuloze, madje duke pyetur veten për motivet e kësaj ngjashmërie, por figurat e tyre politike kurrsesi, sepse realiteti është rrënjësisht i ndryshëm.

Kriteri i dytë lidhet me dobishmërinë e krahasimeve. Kur këto na ndihmojnë për leximin e realitetit, për kuptimin e gjendjes, për zbërthimin e politikës, atëherë janë të mirëpritura. Rasti e deshi që trazirat në Shqipëri të fillonin pak a shumë në të njëjtën periudhë me ato të Afrikës veriore. Mediat perëndimore, mesa duket krejt të befasuara sikurse kancelaritë përkatëse, filluan ta rreshtonin Shqipërinë me vendet si Tunizia, Algjeria, Egjipti, Libia, duke u rrekur t’u jepnin lexuesve një çelës interpretues të trazirave mesdhetare. Mirëpo, çelësi passepartout nuk dukej fort i dobishëm për të kuptuar realitetin shqiptar. Kjo është aq e vërtetë sa edhe vetë mediat nuk ishin dakord me homologimin e situatave të vendeve në thelb të ndryshme. Pra krahasimi nuk doli i dobishëm.

Natyrisht, nuk mund t’u kërkohet politikanëve ta shpjegojnë realitetin siç duhet. Analizat e tyre janë gjithnjë të njëashme. Analistëve u kërkohet t’i përdorin më me kujdes krahasimet, dhe figurat retorike në përgjithësi, meqë kanë si qëllim interpretimin e politikës, jo marrjen e votave. Në qoftë se politikanëve mund t’u falet përdorimi i retorikës me qëllime manipuluese, analistëve u ndalohet rreptësisht, ngaqë nuk duhet ta falsifikojnë realitetin. Nuk e përjashtoj që edhe analistët të bëjnë krahasime të guximshme, është në të drejtën e tyre por, për t’i pranuar, do të doja që t’i ofronin me sinqeritet, si të bazuara në pikëpamjet personale. Në fakt, ka plot politologë që nuk pajtohen me analizën e ngjarjeve të fundit në Shqipëri. Kjo është normale, madje e kundërta do të ishte e çuditshme. Nuk e përjashtoj gjithashtu ekzistencën e politikanëve që e krahasojnë Berishën ose Ramën me këtë apo atë të keqe universale, duke u nisur nga bindjet personale, të diktuara nga emocionet, pra koherente e në thelb të ndershme. Nuk është hera e parë që tek kundërshtari projektohen të këqijat njerëzore, por në këtë rast kemi të bëjmë me viktimë jo me xhelat, ose me të dy njëkohësisht.

Në të vërtetë figurat retorike në politikë, krahasimet, metaforat, epitetet, etj. nuk më shqetësojnë shumë po të mos kishim në tërësi një komunikim publik që zhvillohet praktikisht në një hapësirë me gaz, herë asfiksues, herë shpërthyes. Të marra veçmas, krahasimet e politikanëve nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe, tek e fundit ka gjithnjë nga ata që ia fusin kot, që e teprojnë, që flasin pa doganë. Por tashmë komunikimi publik mund të konsiderohet tërësisht i sëmurë, meqë riprodhohet në një mjedis armiqësor ndaj komunikimit normal. Ka një garë të pashpallur midis forcave politike, përkatësisht zëdhënësve, për të gjetur epitetin më goditës, fyerjen më vrastare, krahasimin më denigrues, duke e zhvendosur kufirin e decencës gjithnjë e më tutje. Fluturimet me presh janë të rrezikshme për sa kohë e drogojnë komunikimin publik, duke e boshatisur krejtësisht, meqë hallet e vërteta të njerëzve “harrohen” nga batuta më e fundit, ajo me ngjyra të ndezura, me xixa fishekzjarrësh, me efekte hollivudiane. Ndërsa vëmendja monopolizohet nga teatri i politikës, harrojmë se jemi marrosur pas përleshjes verbale, pas intrigave të luftës për pushtet, sikur ndjekim një tragjedi shekspiriane të shkëputur nga realiteti i sotëm.

Unë jam në plate si të gjithë të tjerët, i trallisur nga spektakli i politikës shqiptare, duke ndjekur me gojë hapur preshët e kastravecët që fluturojnë rreth meje, në një vallëzim dyluftues marramendës; edhe pse rrasem pas murit, pothuajse instinktivisht, për fat të keq ua njoh destinacionin.

Nuk ka komente

  1. Pishak, flm per artikullin nga ana ime, se ke shtjelluar shume ceshtje per te cilat kam shprehur (ose dashur te shpreh) rezervat e mia rreth kesaj lufte fishekzjarresh me retorika te ndezura dhe metafora bajlozesh.

    Në qoftë se politikanëve mund t’u falet përdorimi i retorikës me qëllime manipuluese, analistëve u ndalohet rreptësisht, ngaqë nuk duhet ta falsifikojnë realitetin.

    Plotesisht me vend. Do i ndaja dhe vete pak a shume sic thua ne tre kategori; politikanet, analistet, populli (midis tij dhe ne qe komentojme ketu e gjetke).

    Pergjegjsia morale e politike eshte padyshim shume me e larte midis dy grupeve te para, se nga politikanet presim te na zgjidhin hallet, te merren me punet tona e jo vetem me grate e Edit dhe fotot e Sales, e nga gazetaret/analistet presim te na shpjegojne situaten, po dhe te na orientojne. Keto te pakten jane pritshmeri normale. Tek ne shpesh ndodh e kunderta; jane politikanet ne bashkepunim me analistet/gazetaret per te anashkaluar hallet tona dhe per te pshurur anembane debatit publik me sharje e metafora, aq sa s’ngelet me vend per debat te vertete, po dhe te vjen ndot t’i afrohesh mjedisit shpeshhere.

    Ne kete ndarje pra, metaforat dhe krahasimet e popullit (po e perdor lirshem dhe gjeresisht keter term ‘popull’) jane ku e ku me te tolerueshme, se ja ju shkrep dikujt, ty a mua p.sh., dhe do nxjerrim dufin duke thene Sali/Edi=Hitler. Aty ku une kam rezerva dhe ne kete pike, eshte tek ajo qe thua qe shpesh s’i perceptoj keto reagime si safi te tilla, si duf te sinqerte nga populli, por shpesh ose si te manipuluara nga mediat dhe politikanet, ose si fryrje te zjarrit me qellim, nga personi qe i valevit keto retorika si shpata duke shpresuar qe ne mos koken, do t’i presin gishtin kundershtarit politik.

    E ne fund prap behet nje vrime ne uje dmth, pra ka vec humbje dhe jo fitore (no gains, just loses) per ne. Ne mjegull fitojne gjithmone ujqerit, jo delet.

    Por dhe nuk lene shume vend per krahasime te nevojshme dhe te sinqerta. Personalisht p.sh. kam vene re dhe tek shkrimi i fundit ngjashmerite e politike-berjes pas me para monizmit, dhe kjo si tregues deshtimi per keta politikane dhe politiken tone. Por kuptohet dhe kesaj retorike i humbet kuptimi kur dite e nate njehesohet Berisha e Rame jo vetem me Enverin po dhe Hitlerin.

    Ndërsa vëmendja monopolizohet nga teatri i politikës, harrojmë se jemi marrosur pas përleshjes verbale, pas intrigave të luftës për pushtet, sikur ndjekim një tragjedi shekspiriane të shkëputur nga realiteti i sotëm.

    Po pra, dhe kjo ka efekt tek te gjithe ne, padyshim. Sidomos kur jeton ne Shqiperi, eshte si tymi i duhanit nga pirja e te tjereve ne nje ambient te mbyllur; nuk i shmangesh dot, do s’do do ta pish dhe ti qe s’e ndez.

    E ndaj duhet hapur dhe ndonje dritare pra ne arenen e debateve politike, te pakten nga ne qe s’e pime, qe s’jemi dmth zedhensat e njeres a tjetres parti.

  2. Meqe flasim per mediat dhe analistet, ja nje shkrim qesendises nga L.D. (me gjasa Lutfi Dervishi, se ai shkruan keshtu) tek nr 5 i Revistes AKT, i shjelluar si gjoja dosje sekrete e zbardhur nga dokumentat e Wikileaks.

    Po sjell ketu vec nje pjese, mund te lexohet i plote tek lidhja (eshte pdf, shkrimi eshte ne fund):

    Wikileaks për median shqiptare

    Ekziston një mendim i gabuar në trupin diplomatik në Tiranë, sikur politikanët përdorin gazetarët dhe median. Unë kam ndjekur me vëmendje, sidomos ngjarjet e mëdha, dhe kam vënë re se është e kundërta: mediat përdorin liderët politikë deri në atë pikë sa i nxjerrin të raportojnë “live” nga vendngjarja. Jo vetëm reporterët politikë, por edhe vetë njerëzit e thjeshtë (qytetarë e fshatarë) janë të turpshëm dhe nuk i sheh në lajme apo reportazhe. Ndryshe nga ne në Perëndim, njerëzit këtu ditën e votimit nuk përcaktojnë vetëm se kush do të jetë në qeveri dhe kush në opozitë, por edhe se kush do të dalë më shumë në ekran çdo ditë.
    http://www.akt.al/images/pdf_revista/akt_5.pdf

    Do ishte fantastike sikur keta te AKT te botonin artikujt e tyre online dhe falas. Tani per tani mund te lexosh vetem pak artikuj ne faqen e tyre.

  3. Edvin Kristaq Rama, Edvin Kristaq Rama, Edvin Kristaq RA-MA. Tani që e thamë këtë, le të merremi me thelbin e çështjes. Sali Berisha i hyri politikës në vitet ’90, njëri prej krerëve të lëvizjes për rrëzimin e komunizmit. Nga viti 1992 e deri më 1997, në vitin e famshëm ’97 Berisha ka qenë president i vendit dhe nuk mendoj se do guxonte njeri në atë kohë ta akuzonte si puçist, pikërisht sepse puç s’ka pasur. Berisha i bëri një opozitë tepër të zhurmshme dy legjislaturave socialiste, të karakterizuara nga një frymë policentrike dhe tejet liberale, por edhe mjaft të korruptuar. Po ta krahasojmë vitin 2011 me vitin e largët 2002, 2003 apo edhe 2004, të bie në sy fakti se përveç korrupsionit që është po ai, fryma liberale e shumë figurave të angazhuara ose më mirë e disa rrymave qartësisht të dallueshme që luftonin për pushtet ekonomik brenda PS, tashmë është zhdukur. Vendin e ka zënë një brez më i ri në moshë, po jo në mendime; të gjithë përpiqen të imitojnë Ramën, qoftë edhe në gjestet që bën me duar (si për shembull E.Sh., që kur i drejtohet publikut, sheh gjithmonë nga kamera. Ky E.Sh. e keni kuptuar dhe vetë, është Eduard Shalësi).
    Fatos Nano ishte tepër inteligjent për të përdorur shprehje të tilla si “Sali Ramë Berisha, këlyshi dhe puthadori i bllokmenëve të djeshëm do që të marrë pushtetin me çdo mjet, por ne do t’i thyejmë dhëmbët me darët e ligjit”, apo të bënte ndonjë aluzion mbi prodfesionin e Salës si kardiolog dhe gjendjes politike në vend. Imagjinoni sa absurd dhe qesharak do dukej Nanua nëse do nxirrte nga goja fjalë të tilla. Po pse nuk ndodh e njëjta gjë me Berishën? Unë do thoja se kemi të bëjmë me një rast helmimi nga ekspozimi i vazhdueshëm, që tashmë nuk na bën më përshtypje. Fakti se jemi mësuar me të keqen, na duket në mos normal, të paktën diçka e zakonshme. Përse nëpër televizione shohim vetëm Mesila Dodën që me zërin e saj të ëmbël në orën 8:30 të darkës akuzon opozitën? Nuk mund të shohim ndonjë debat për arsimin, ne që kemi fëmijë dhe na interesojnë programe të tilla? Nuk mund të na serviret dot ndonjë histori suksesi e ndonjë biznesmeni që është kthyer nga jashtë dhe ka punësuar nja 12 veta në biznesin e vet? E përse na duhet të shohim përditë e përditë një shtangist që qan – s’e kam fjalën për Metën – dhe mamin e tij, që e paralajmëron: Kujdes të keqen mami, ajo ka një lidhje tjetër jashtë shtëpisë më të famshme në Shqipëri! E kujt i plasi domethënë?
    Përse këtu nuk kemi një shërbim sondazhesh që t’i masin pulsin popullit, që të dimë se ç’duam të gjithë si shoqëri, nga se kemi frikë, apo thjesht sa veta janë kundër këtij regjistrimi mbi bazë etnike dhe fetare? Pse nuk na pyesni se ç’mendojmë në lidhje me ata dokumentarët jo tepër tendenciozë, po tepër ekstravagantë të ndonjë televizioni francez që vjen këtej kur i ka ardhur në majë të hundës nga programacioni i zakonshëm: problemi i ferexheve ndërë arabet e Parisit? Përse gjëja e parë që bëjnë,është të filmojnë xhamitë, natyrisht duke vënë në sfond ndonjë prej “banorëve indigjenë” teksa tregon me gisht kishën? Bah, sa afër qenkan! Uah, po ju paskeni një bashkëjetesë të mrekullueshme fetare, për t’u pasur zili! Natyrisht, duhet t’ua fshehim trupës së xhirimit ekzistencën e ndonjë fshati të vogël dhe të pistë në Librazhd, si p.sh. Dragostunja, se përndryshe edhe ato pak gjëra me të cilat krenohemi në ritransmetimet e Bushatit, do davariteshin si tymi në erë! Kaq për sot.

  4. Sot, te Gazeta Shqiptare, Rexhep Qosja e krahason kryeministrin Berisha me diktatorin libian Muamar Kadafi, në bazë të qëndrimit që kanë mbajtur ndaj krizave politike, e që i kanë shprehur në fjalimet e tyre publike.
    Për Qosen, Berisha “flet me të njëjtën gjuhë politike me të cilën flet edhe kryetari i Libisë,” me ç’rast i referohet një fjalimi të Kadafit më 23 shkurt 2011, të cilin e përqas me fjalimin e kryeministrit shqiptar menjëherë pas protestave të 21 janarit 2011.
    Qoses i duken këto dy fjalime shumë të ngjashme, diku-diku plotësisht të njëjta; dhe për këto arsye (citoj nga artikulli):

    Në të dy fjalimet bëhet dallimi midis atyre nënshtetasve që rrinë urtë, qetë, që janë besnikë, ndaj sundimtarit të tyre dhe atyre që janë ngritur në protestë kundër atij sundimtari.
    Në të dy fjalimet thuhet, shumë vendosmërisht, se pavarësisht prej numrit të protestuesve, as kryeministri, as kryetari, nuk do të tërhiqen. Jo! Kurrën e kurrës. Pavarësisht sa do të zgjasin aty protestat.
    Në të dy fjalimet ftohen anëtarët e partisë së kryeministrit Sali Berisha dhe besnikët e kryetarit Moamer el-Gadaf që të jenë në gatishmëri kur t’u thuhet të dalin në protestë, të cilën i pari e quan miting, kurse i dyti e quan popull, për të treguar përkrahjen ndaj sundimtarit.
    Në të dy fjalimet, protestuesit, herë të gjithë e herë disa grupe të tyre, quhen kriminelë, jo, më falni, banditë.
    Në të dy fjalimet, protestuesit zhvlerësohen si përdorues të drogës dhe të alkoolit, që i bëjnë të sillen pakontrollueshëm e të ushtrojnë dhunë kundër forcave të rendit!
    Në të dy fjalimet, protestuesit quhen të paguar, më së shumti prej armikut të brendshëm – opozitës, por nuk përjashtohen as paratë e armikut të jashtëm, të vjetër a të ri.
    Në të dy fjalimet arsyetohen vrasjet e protestuesve me “argumentet” e gjithmonshme të tiranëve, despotëve e diktatorëve – janë vrarë duke u përpjekur të pushtojnë institucionet dhe të marrin pushtetin!
    Në të dy fjalimet akuzohen protestuesit se kanë plagosur e kanë vrarë njëri-tjetrin me qëllim që për vrasjen e plagosjen e tyre të akuzohen forcat e rendit, domethënë mbrojtësit e kryeministrit të Shqipërisë dhe të kryetarit të Libisë.
    Në të dy fjalimet, të dy sundimtarët, ky i Shqipërisë gojavetë dhe me gojën e ministrit të ushtrisë, kurse ai i Libisë, me gojën e të birit, i përkujtojnë protestuesit se, po e deshi puna, protestuesit do t’i paqesojë ushtria!
    Në të dy fjalimet autorët e tyre tregojnë se e duan shumë krahasimin si figurë të shprehjes politiko-poetike: edhe kryeministri shqiptar, edhe kryetari i Libisë, i krahasojnë organizuesit e protestës, domethënë armiqtë politikë, me miun që lyp vrimën për t’u fshehur kur hidhërohen ata!
    Në të dy fjalimet, siç shihet, mbizotërojnë dy trajta të ligjërimit: akuza dhe kërcënimi.
    […]
    Edhe kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, edhe kryetari i Libisë, Moamer el-Gadafi, e njëjtësojnë qeverisjen me sundimin, kontratën shoqërore midis popullit dhe përfaqësuesit të zgjedhur me sundimin e pakufizuar.
    Edhe kryeministri i Shqipërisë, edhe kryetari i Libisë, e dëshirojnë sundimin e tyre si sundim të pafund, derisa të jenë gjallë. Për arsye pse e dëshirojnë dhe e kuptojnë kështu sundimin, kryeministri shqiptar u drejtohet qytetarëve të Shqipërisë kështu: do të jem në politikë, e kjo për të do të thotë në pushtet, edhe tridhjetë vjet, derisa të bëhet 110 vjeç, kurse kryetari i Libisë i drejtohet popullit kështu: nuk do të largohem prej vendit. Kurrë!
    Edhe kryeministri i Shqipërisë, edhe kryetari i Libisë nuk e fshehin fare se janë të gatshëm të vdesin për të mbetur aty ku janë: në pushtet.
    Për këtë arsye kryeministri i Shqipërisë, u drejtohet protestuesve, opozitës, të gjithë atyre që shprehin dëshirën që të largohet prej pushtetit: ata që do të provojnë edhe një herë t’i afrohen ndërtesës së kryeministrisë do të marrin përgjigjen që nuk e kanë imagjinuar kurrë!
    Për këtë arsye kryetarit i Libisë i drejtohet popullit: do të vdes si martir. Natyrisht: në fron.

    Përfundon Qosja:

    Shqipëria duhet të jetë shumë e shqetësuar pse kryeministri i saj, Sali Berisha, flet me gjuhën politike me të cilën flet edhe diktatori i Libisë, Moamer el-Gadafi. Dhe, duhet të jetë shumë e shqetësuar Shqipëria sepse gjuha politike e të parit si edhe gjuha politike e të dytit burojnë prej mendësisë pushtetore në thelb të njëjtë, që është mendësi e kërcënimit, e frikësimit, e shtypjesh, e vrasjes.
    Në qoftë se do që të jetë shtet i qytetëruar, me rend politik-shoqëror demokratik, në të cilin demokracia do të jetë marrëdhënie midis njerëzve, shtet i së drejtës, shtet me qëndrueshmëri, me shëndet moral, me nderim e autoritet në botë dhe, më në fund, shtet i pranuar në Bashkimin Evropian, Shqipëria duhet të lirohet prej konceptit pushtetor berishian – gadafian. Kur të lirohet prej këtij koncepti të tejskajshëm për pushtetin, Shqipëria do të lirohet edhe prej asaj gjuhe revolucionare, shtypëse, kërcënuese dhe frikësuese, që e dëgjon nga goja e kryeministrit dhe e kryetares së Kuvendit të Shqipërisë a – më saktë e thënë – nga goja e kryetares së Kuvendit të tij.
    Duke vënë edhe ai theksin te virulenca dhe toksiciteti i diskursit politik të Berishës.

    Duam apo nuk duam, na pëlqen apo nuk na pëlqen, krahasimin që bën Qosja nuk e shpërfillim dot me argumente të natyrës metodologjike, të tipit “nuk mund të bëhet ky krahasim”; krahasimi mund të bëhet sepse është bërë, dhe sepse është më se normale dhe e logjikshme që të krahasosh fjalimet politike të dy liderëve, në momentin kritik kur këta e kanë ndier pushtetin e tyre të rrezikuar nga protestat popullore. Tek e fundit, reagimi publik i një lideri politik ndaj një proteste që kërkon ta rrëzojë është edhe ai pjesë e procesit politik nëpërmjet të cilit lideri politik realizon dhe riprodhon vetveten dhe funksionin e tij drejtues. Nëse nuk ka dyshim që Berisha dhe Kadafi kanë ardhur në krye të pushtetit me rrugë të ndryshme – i pari me rrugë demokratike, pak a shumë legjitime; i dyti me grusht shteti – kjo nuk mund të pengojë që të krahasohen metodat, teknikat dhe pasionet e komunikimit të tyre në publik. Qosja e bën këtë, madje në mënyrë analitike; duke provuar edhe një herë se, në politikë, origjina e personazheve dhe e programeve ka më pak rëndësi sesa shndërrimi i këtyre në proces e sipër; dhe se analistit të politikës nuk i intereson aq sa të ngjashme janë, në tërësinë e tyre, dy dukuri; se sa të ngjashme janë bërë ato mes tyre, me kalimin e kohës. Ky është një përkujtim i mirëpritur për të gjithë ne dhe diskutimet tona.

    1. Qosja ia kalon edhe vetvetes kur bën ironikisht autokrikë se deri tani e paska krahasuar Berishën me Ben Alinë dhe Mubarakun, në dëm të këtyre të fundit:

      kam bërë një gabim, që nuk ia fal vetes: kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, e kam krahasuar me kryetarin e Tunizisë, Ben Alinë, dhe me kryetarin e Egjiptit, Hosni Mubarakun. E ndiej se, duke bërë këtë krahasim, u kam hyrë në hak edhe kryetarit tunizian, edhe kryetarit egjiptian…

      Pastaj shpall vendimin:

      Shumë më tepër se këtyre dy shtetarëve arabë, kryeministri i Shqipërisë, me mendësinë politike dhe, në përgjithësi, me natyrën e tij, i shëmbëllen një sundimtari tjetër arab: i shëmbëllen kryetarit të Libisë, Moamer el-Gadaf.

      Më tej shpjegon arsyet. Një më një.

      Pastaj formulon diagnozën:

      Gjuha politike e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, dhe gjuha politike e kryetarit të Libisë, Moamer el-Gadafi, janë gjuhë politike gënjeshtare, shtypëse, frikësuese, dhunuese, sepse sundimi i tyre, rendet politiko-shoqërore, në të cilat sundojnë, me gjithë ndryshimet sipërfaqësore, a proceduriale, në thelbin e tyre, janë të njëjtë; rende politiko-shoqërore despotike.

      Në fund, jep recetën me ilaçin revolucionar:

      E vë peng veprën dhe etikën time mendore dhe them: Shqipëria do të lirohet prej atij koncepti vrastar pushtetor dhe, më në fund, prej asaj gjuhe shtypëse, kërcënuese dhe frikësuese, gadafiane, vetëm në qoftë se lirohet prej kryeministrit të sotëm të saj, Sali Berisha.

      Nuk kam ç’të them. Analiza e Qoses do të më dukej më e besueshme nëse do të ishte bërë me premisa të tjera e me ton tjetër, pa mllef e pa obsesion. Po të hidhesha nga dega në degë, ndoshta krejt pa lidhje, do të parafrazoja ata që i konsiderojnë prokurorët italianë si aleatët më të mirë të Berluskonit. Pa ata, ky nuk do ta kishte të gjatë politikisht. Thonë.

      Gjithsesi, rrethi do të mbyllet përfundimisht kur në shtypin libian do të botohet shkrimi: “Gedafi si Berisha!”, ose kur Qosja të shkruajë për ngjashmëritë midis Edi Ramës dhe opozitarit të Gedafit.

      1. “Po të hidhesha nga dega në degë, ndoshta krejt pa lidhje, do të parafrazoja ata që i konsiderojnë prokurorët italianë si aleatët më të mirë të Berluskonit. Pa ata, ky nuk do ta kishte të gjatë politikisht. Thonë.”

        Po ti nuk e bën hedhjen degë më degë, apo jo? Nëse do e bëje ama…

        Shiko Pishak, kam përshtypjen se jeton në Itali, apo jo? Ty, vetëm si banor i Italisë, të intereson çështja e shtetit italian kam përshtypjen, apo jo? Ose së paku, duhet të të interesojë…

        Kjo çështja e shtetit italian, sipas mendimit tim gjithnjë, nuk është midis Berlusconit dhe prokurorëve. Dashur pa dashur është çështje e të gjithëve. Me një fjalë, është edhe tëndja.

        Do desha të dija, cili është mendimi yt aktiv për këtë çështje? Mendimi yt i sinqertë.

        Se të thuash psh që “po të mos ishin prokurorët”, diç është disi kompromentuese.
        Në paç mendim negativ, gjykues ndaj Berlusconit, i bindur se është fajtor, atëherë realisht prokurorët s’po e bëjnë punën e tyre, dhe kjo është pa fryte. Kjo në fakt është në dëmin tënd, sepse puna pa fryte e prokurorëve, rëndon mbi xhepin e taksapaguesve, për rrjedhojë dhe tëndin.

        Në paç mendim pozitiv ndaj Berlusconit, përsëri aventura e prokurorëve, sipas teje, është mund i derdhur dëm. Pra përsëri, reagimi duhet të dilte jashtë kornizave të një opinioni apatik dhe inaktiv dhe mbase pak ironik.

        Në këtë mënyrë që komenton ti, një çështje madhore të shtetit, unë mund ta bëj vetëm kur shikoj një ndeshje sportive. “Ah sikur Robben ta kishte gjuajtur 5 cm më lart topin, Hollanda do ishte kampione bote”.

        Po pres të shoh nëse do e bësh hedhjen në degë a jo…

        1. J., siç e kuptove fare mirë nuk u hodha kot degë më degë.

          Për Berluskonin dhe Berluskonizmin janë shkruar kilometra me libra, biblioteka të tëra. Këtu nuk më duket vendi i duhur. Gjithsesi, po i bie shkurt me ndjesën përkatëse.
          Personalisht do të isha shumë i kënaqur sikur Berluskoni të mos ishte Kryetar i Këshillit të Ministrave të Italisë. Për shumë arsye, vërtet shumë. Por ai është zgjedhur demokratikisht, ndaj ia njoh legjitimitetin. Berluskoni mund të rrëzohet vetëm me POLITIKË. Të gjithë ata që e kanë tepruar me të drejtën e vet, kanë kaluar nga ana e gabuar. Përfundimisht, kundërshtarët e Berluskonit shndërrohen në gjeneratorë të tij kur rreken ta IMITOJNË, ose ta RRËZOJNË me mjete jashtëpolitike, ose ta PERSONALIZOJNË luftën politike. Kujtojnë se e dobësojnë, por i japin forcë. Por ndoshta është e vetmja mënyrë për të mbushur BOSHLLEKUN ideor e programatik që i karakterizon, ose për të RIPRODHUAR vetveten në konflikt.

          Kush e ha? Unë, ti, ai, ne, ju, ata. Me hallet tona të përditshme. Parë nga ky këndvështrim, unë dal më ANTIBERLUSKONIAN se antiberluskonianët. Por eja e mbushja mendjen radikal-shikëve jakobinë. Me sfondin plot libra, e me pulovrën kashmir, gjithnjë fotozhenikë para kamerave, gjithnjë cool, ata të shikojnë nga lart poshtë.

  5. Nuk bere mire qe nuk solle edhe nje kenge per Edi Ramen. Keshtu edhe krahasimi do ishte me i besueshem, edhe virtyti jone i barazlargesise nuk do na ofendohej. Gjithsesi nuk jane njesoj. Te mirat e Enverit jane numeruar per 3min e 52 sek, nderkohe qe per te mirat e Saliut duhet dyfishi i kohes. Pastaj ti J., shiko, se kjo do qendronte sikur kenget te ishin kenduar me premisa te tjera, pa obsesion, e pa pathos. Shiko, se eshte i rendesishem stili dhe manierat. Ne nje analize te fundit, nuk ka rendesi ajo qe thuhet, por se si thuhet. Ajo qe ka rendesi eshte etiketa e tavolines, me cfare piruni ha sallaten, me cfare luge ha pilafin dhe me cfare luge rrufit supen. Pavaresisht se pilafi eshte pilaf me miza, tasi i sallates ka kaq kohe qe eshte bosh – ka fluturu cmimi i preshit, or mik – e pavaresisht faktit qe supa eshte plot me te vjella. Kunder ketij sherbimi s’kemi pse permbysim tavolinen – pse c’u beme ne, revolucionare romantike apo kafshe qe te biem pre e pasionit dhe e stomakut? Si te iluminuar dhe te arsyeshem qe jemi, si njerez qe rrezatojme drite e arsye, si iluministe te vertete e mendimtare te ndritur, nuk na takon te sillemi si kokpalare. E hame edhe pilafin me miza, edhe supen me te vjella, edhe mungesen e preshit, por mbi te gjitha, me manierat e duhura dhe me etiketen e tavolines.

    1. Doja ta përmendja në fakt, këtë që ti e thua ndryshe. Këta duhet të kuptojnë se po operojnë tashmë në një terren të djegur. Debatit dhe komunikimit i është vënë flaka. Dhe që kur po i vihej flaka, këtu është folur, dhe është folur shumë mbi pasojat e mundshme, mbi arsyet pse nuk duhet kështu, derisa flaka mori dhenë.

      Pishaku tani pas zjarrit, po luan me hi, edhe të tjerët. Është me interes të shkosh psh të shikosh që ato ditë, që prej 17 Janarit, se çfarë qëndrimi kanë mbajt këta. Xhibi me topthat e vet kokëverdhë, që pyet naivisht “pse vetëm meqë shau Saliu, duhet të japë dorëheqjen”? Të tjerë që i justifikonin çdo gjë që bënte duke i rënë pas etj. Ai terren është djegur tashmë. Nuk mbin gjë aty, asnjë thirrje nuk dëgjohet, asgjë!

      E gjithë kjo është një fasadë e rradhës. Sikur gjithë tregun e zarzavateve të sjellë Pishaku këtu, asgjë s’do gatuajë dot.

      Çështja është në tjetër vend, aty ku gjithnjë ka qënë: katër njerëz janë vrarë në 21 Janar. Shqipëria dhe shqiptarët dalin o të larë, o të 10 pas kësaj.

  6. Katër janë parimet bazë, të nevojshme në përdorjen e metodës shkencore dhe dijes njerëzore në përgjithësi: 1. ligji i jokundërshtive (mosrënies në kontraditë), 2. ligji i shkakësisë (shkak-pasojë), 3. mbështetja themelore në perceptimin e shqisave dhe 4. përshtatshmëria e gjuhës njerëzore për komunikim. Tani, më thoni ju se cilin prej këtyre ligjeve nuk ka shkelur Sali Berisha këto gjashtë… ç’po them, tri muajt e fundit? Akuza dhe kundërakuza të mbushura me mukfa, që i shkelin këto rregulla me të karta këmbët. Përveç të tjerash, gjuhën, që përfshin edhe sharjet e fyerjet, Berisha ia ka nënshtruar epshit të vet për pushtet. Ç’është më e keqja, nuk dihet kur gjithë kësaj turre ligjërimesh do t’i vijë fundi. Kur Sala, si Don Corleone të nisë e të merret me domatet e kopshtit të vet? Ç’do bëhet më pas me Sala’s little helpers?

    1. Se çfarë do bëhet me ata, është hall i madh, MADHOR madje. Se si ka thënë the original one: Jeni ju, pa jemi ne!

      Fillimisht këta do e qajnë Salën e dashur, na kokrra e lotit. Uh çna bëre, si na ike, si na le, ku do mbytemi ne etj. ASHTU SIÇ bënë me… Po unë gjithsesi, uroj të qajnë më pak kësaj rradhe. Për të mirën e të gjithëve.

      Pas të qames, do fillojnë me e sha, të gjithë, ASHTU SIÇ bënë me … do thonë se “kshu ka qënë një punë atëherë”, ashtu ishin kohët. Një çikë cipë në fytyrë duhet, gjithsesi.

      Po unë prapë uroj që ta shajnë më pak, se atë… Për të mirën e të gjithëve.

      Pas kësaj.. bën vaki që disave tu mungojë disi ASHTU SIÇ … po kjo varet. Unë uroj të mos u mungojë fare. Për të mirën e të gjithëve.

      Dhe pastaj, duhet të merremi me ATA vetë. Tu hapim shkolla, të mos i lëmë pa bukë, tu mësojmë çfarë do të thotë ndershmëri, dinjitet, punë, meritë etj.

      Kështu të paktën nuk do i varen si sekrecione hundësh, hundëshkabës së rradhës që…

  7. Qosja ia kalon edhe vetvetes kur bën ironikisht autokrikë se deri tani e paska krahasuar Berishën me Ben Alinë dhe Mubarakun, në dëm të këtyre të fundit

    Tregues i shterpesise se ketij gjoja-diskursi; pasi ke krahasuar Shqiperine me Tunizine dhe Egjiptin, dhe Berishen/Ramen me Mubarakun etj, ku mund te shkosh me tutje, cfare mund te shkruash ne analizen e radhes ne shtyp? Atehere fillon i kthen krahasimet nga krahu tjeter, “jo ca Mubaraku, Mubaraku eshte demokrat, ne te kishim nje si Mubaraku ishim lule”.

    Sado te shumta keto kohe, nuk ka mjaftueshem protesta ne ate pjese te botes qe te furnizojne qoset dhe nanot me metafora e krahasime ne artikujt e tyre.

    Shterpesia ndryshe vihet re dhe nese perpiqesh te permbledhesh keta artikuj me pak fjale per te pare se cfare thone, cfare percjellin.

    Dmth karnavale hesapi; sa me shume fishekzjarre dhe ngjyra te ndezura, sa me pak substance dhe asnje vlere.

    Nderkohe Lubonja e quan duelin bastard parlamentar “elektroshok”: http://perpjekja.blogspot.com/

  8. Keto krahasimet e fundit perpiqen ti japin forme te pranueshme, ta futin ne shishe, farmakun e secilit. Po te lexoni keta me poshte, Qosja hyn tek postmodernistet. Ja qe aksh krahasim mund te behet. E pastaj? Ngjashmeria nuk nxjerr gje vetiu. Dhe as me duket arme e ndershme politike.
    Po ti hiqnim keto emrat konkrete, te thirruarat e nje shqiptari qe i ngjan se i kane vjedhur bacen qe ruan, me te thirrurat e nje libiani qe i ngjan se i kane vjedhur bacen qe ruan, domosdo do te kene shume ngjashmeri. Situata, gjendja, natyra, jane po aq burime te ketyre ngjashmerive, sa dhe vete autoret. Nuk eshte e drejte ti bejme vellezer siameze keta qe therrasin, ashtu si ne rastin e kundert, kedo qe do na theshte se gjithe jeten e ka kaluar me seks e te sillte ne fjale Klunin, ja perqeshim krahasimin.
    Per Qosjen e Xha Xhain sa gjuhetare e letrare, kjo ngucje qe duket, ky ngushtim i rrjedhes se komunikimit, qe shprehet ne gjuhen e ngjashme te lidereve te cilet pak gjera i lidhin bashke, mund te ishte pare ne anen gjuhesore, ne limitet e gjuhes, a te ligjerimit publik.
    Kam friken se po te ecim krahasimeve, gjithe shkrimtaret do na dalin gjenij, e mjere ne se nuk do dime ke te lexojme me pare.

    Tani, ne do shohim zarzavatet a ne do shohim kopshtarin, e kemi vete ne dore, por ne vendosim te shohim zarzavate, ja dhe kandari:

    Kastriot Myftaraj versus Andrea Stefani

    http://www.zeriislam.com/artikulli.php?id=307

    http://www.shekulli.com.al/2009/11/29/berisha-ky-hitler-i-demokracise.html

    p.s. pikturen qe shoqeron shkrimin kur e kam pare mes kryeveprash, ndryshe nga keto qe mund ti “prekje”, nuk mundeshe – e mbanin futur ne nje kuti qelqi.

    1. Së bashku me të tjera që nuk e panë dritën e diellit – kryesisht për të mos e rënduar hapësirën e komenteve me video.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin