VERTEBRA TË KULTURËS

Mes romaneve që mbaj mend nga fëmijëria, vend të veçantë zë Rruaza e katërt, i shkrimtarit finlandez Martti Larni.

E kam gjetur në bibliotekën time, prandaj them se do të jetë botuar në Tiranë para vitit 1965.

Ky roman, që rrëfen peripecitë e një finlandezi në Amerikë (Jerry Suomalainen, më pas Jerry Finn), duke ia bërë edhe një analizë satirike mënyrës amerikane të jetesës, është pothuajse i panjohur në Perëndim.

Megjithatë, po të gjykosh nga numri i madh i hit-eve në Google, i përkthimeve dhe i botimeve në rusisht, duket se Rruaza e katërt paska qenë jashtëzakonisht popullor në Bashkimin Sovjetik, pasi ky roman u botua atje i përkthyer, në fund të viteve 1950.

Kultura sovjetike e priti triumfalisht Larni-n jo vetëm për mjeshtërinë e tij si shkrimtar dhe vlerën letrare dhe dëfryese të romanit, por edhe për etosin e një vepre që qesëndiste Amerikën, shoqërinë e konsumit, kultin e parasë, Hollywood-in, kulturën pop dhe mënyrën ose më mirë filozofinë amerikane të jetesës, e cila ende i magjepste rusët (ndoshta për shkak të elitave kulturore të lidhura së bashku me shumë fije, veçanërisht hebraike, Bashkimi Sovjetik dhe Amerika, deri në fund të Luftës II Botërore të paktën, ishin në thelb dy shprehjes të së njëjtës përpjekje utopike për ta kapërcyer modelin europian të historisë; shih për këtë Susan Buck Morss, Dreamworld and Catastrophe, The Passing of Mass Utopia in East and West, the MIT Press, 2002).

I rekrutuar dhe i dërguar menjëherë në llogoret e luftës së ftohtë, romani Rruaza e katërt u popullarizua jo vetëm në Bashkimin Sovjetik, por edhe në vende të tjera të bllokut lindor.

Kështu, kur revista franceze Paris Match mori një herë në intervistë presidentin e Kubës Fidel Castro, ky e pyeti reporterin: “E keni lexuar Rruaza e katërt? Është shkruar nga një shkrimtar finlandez.” Sikurse shumë të tjerë në Lindjen politike, Castro-ja kujtonte se Martti ishte i mirënjohur edhe në Perëndim.

Lexuesit shqiptar, kjo vepër e letërsisë bashkëkohore jo-komuniste iu dha nëpërmjet një rruge të tërthortë, por të sigurt: jo vetëm e përkthyer nga rusishtja, por edhe pasi ishte miratuar nga organet mbikëqyrëse të shtypit dhe të letërsisë në Moskë.

Kjo rrugë u ndoq për një numër të madh autorësh të Perëndimit, të cilët pranoheshin në Shqipëri vetëm pasi ishin shqyrtuar, miratuar dhe pranuar nga sovjetikët; dhe kështu do të veprohej edhe shumë vjet pas ndërprerjes së marrëdhënieve me kampin e Lindjes, në fillim të viteve 1960.

Shkrimtarë amerikanë bashkëkohorë ose relativisht modernë, si Hemingway, Saroyan, Steinbeck, Dreiser ose edhe më të vjetër, si Mark Twain, Jack London, O’Henry dhe Fenimore Cooper do të hynin në Shqipëri nëpërmjet valvulave ideologjike të Moskës – edhe kur përktheheshin rrallë e tek nga origjinali, edhe kur përktheheshin, siç ndodhte më shpesh, nga rusishtja.

Vetëm kështu mund të shpjegohet, bie fjala, që një kolumnist amerikan bashkëkohor i The Washington Post-it, Art Buchwald, botohej rregullisht nga Hosteni deri vonë, në vitet 1980; në një kohë kur, për shembull, asnjë film i ri amerikan nuk shfaqej më në kinema ose në TV-in shtetëror të Tiranës, edhe pse ndonjë vjetërsirë si Helena e Trojës ende lejohej të qarkullonte.

Tani marr vesh edhe se Bashkimi Sovjetik i asaj kohe nuk e kishte nënshkruar ende Konventën e Bernës për të drejtat e autorit, prandaj praktikisht rrëmbente çfarë të mundte nga tregu i librit; në gjurmët e sovjetikëve, shkelnim edhe ne të vegjlit, për të përfituar ndonjë thërrime qyl.

këtë faqe lexoj se Martti Larni nuk e paskësh ditur që romani i tij Rruaza e katërt po përkthehej në rusishte; çka më tingëllon ironike, kur përfytyroj famën që do t’i jepte ai libër më pas e që ia mban emrin ende të gjallë në Google sot e kësaj dite.

Nuk besoj që Larni të ketë ditur edhe që ky roman do të përkthehej pastaj edhe në shqipe; dhe që do të përfundonte si trivia në gojën e presidentit të Kubës.

Megjithatë, kjo faqe e historisë kulturore shqiptare e sidomos e marrëdhënieve të kësaj kulture me kulturën botërore mbetet për t’u shkruar; dhe pikërisht që publiku shqiptar i viteve të alfabetizimit të vrullshëm 1950-1960 dhe të krijimit të qytetërimit “socialist” në Shqipëri, u lejua ta shohë Perëndimin me syze të prera për një publik tjetër.

Këtu po më kujtohet një batutë, në mos gaboj, e Mark Twain-it. Ky tregon se, kur ishte i vogël, kish një vëlla binjak; dhe se, një ditë kur po i lanin të dy në govatë, njëri prej vëllezërve u mbyt aksidentalisht. “Ai që u mbyt isha unë,” shkruan Twain-i.

Nuk ka komente

  1. “Dardha e ka bishtin” , thotë një fjalë e popullit.
    Fëmijët, si të padjallëzuar, nuk mund t’i kuptojnë shumë gjëra. Pafajësinë e fëmijëve e kanë shfrytëzuar edhe diktatorët. Ata shpesh duken në mesin e fëmijëve të buzëqeshur, sikur duan t’i mbulojnë fajet e tyre me pafajësinë e fëmijëve.
    Edhe unë, si fëmijë, pata gjetur në bibliotekën e shtëpisë disa libra që më patën bërë përshtypje. Një ndër ta ishte “Dhëmbi i bardhë” i Xhek Londonit. “Është amerikan” ky Xheku. Ku ta dija se “është i majtë” apo “simpatizant i komunistëve”. Si fëmijë, dhe si të rinj, s’kishim si ta dinim se ku është “bishti”.
    Kur u rrita pak, fillova të mendoj në këtë drejtim. Sot, shpesh i shikoj gjërat në mënyrë retrospektive. Kështu i kuptoj më mirë disa gjëra. Këtë “metodë” e pata zbuluar heret, që në rininë time, kur në tavanin e shtëpisë e pata zbuluar “thesarin” me gazeta dhe revista të vjetra; ku pata kaluar shumë kohë duke i lexuar. Duke e ditur tashmë se çka ka ndodhur, bëja krahasime me parashikimet që bëheshin nëpër gazeta. P.sh. e pata gjetur një revistë serbisht të vitit 1960, ku parashikohej se ç’farë zbulimesh shkencore dhe shpikjesh teknike do të bëheshin deri në vitin 2000. Nuk më kujtohen të gjitha, por jam i sigurt se interneti dhe celulari nuk parashikoheshin. Aty parashikohej se deri në vitin 2000 do të zbulohet natyra e gravitacionit dhe, rrjedhimisht ,do të mund të neutralizohej për të bërë transportimin e materialeve të rënda nga Toka në hapësirë.

    Si një shembull të një përkthimi “me bisht” të një libri, e mora nga rafti enkas për këtë koment, një libër që mu kujtua tani.
    Ky është libri “100 NJERËZ MË ME NDIKIM NË HISTORI” i autorit Majkël Hart.
    Titulli i origjinalit:
    Michael H. Hart
    THE 100: A RANKING OF THE MOST INFLUENTIAL PERSONS IN HISTORI

    Përkthyer nga maqedonishtja në shqip nga Sadulla Kamberi.

    Pse e përktheu Sadulla Kamberi këtë libër?
    Duke qenë S.D. një besimtar musliman, ndoshta edhe klerik, ai e përktheu për të vetmën arsye se nën nr.1 të këtyre 100 personaliteteve më me ndikim në histori ishte renditur Muhammedi. Për mua e qartë.
    Por unë mendoj edhe diçka tjetër.
    A mos ka edhe një “bisht” tjetër këtu, nga ana e autorit?
    Nuk do të habitesha nëse autori Majkëll Hart e ka vëne me qëllim Muhammedin të parin në “listë”. Qëllimi i tij mund të ketë qenë që ti joshë besimtarët muslimanë që ta lexojnë këtë libër, dhe kështu “të kontrabandojë” në mendjet e mbyllura dhe dogmatike të besimtarëve, mendimin kritik – armiken kryesore të të gjitha dogmave.

    P.s. Ky libër është përkthyer në shqip edhe një herë, besoj po nga maqedonishtja, nga Ilinden Spasse, i biri i shkrimtarit Sterjo Spasse

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin