PAS KONKURSIT

M’u dha mundësia sot te njihem në PTF me debatin për Konkursin e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë. E kam te vështirë te kap thelbin e diskutimeve sepse të njëjtët njerëz që në një rast përkrahin një ide, po ata i kundërvihen pak më tej, madje me inat.

Gjithsesi, këtë ndërhyrje po e bëj për faktin se shikoj sot se pjesë e diskutimeve është edhe z. Agron Tufa, që me sa kuptoj ka qenë Kryetar i jurisë së Konkursit që sapo u mbyll.

Nga ky këndvështrim ky diskutim më intereson, sepse rreth një vit më parë kam botuar një roman në Tiranë. Pa dyshim, edhe pse e quaj insolent synimin në vetvete të një çmimi, gjithsesi gjithkush ka të drejtë t’i lejojë vetes të drejtën që libri të rreshtohej në vijën e nisjes. Botuesi, Plejad, më siguron se e ka  regjistruar romanin sipas të gjitha rregullave në katalogun e BK dhe Komisionet shprehen se mbështetën fort në hyrjet e saj, por unë kurrë, në asnjë rast nuk kam vërejtur që libri në fjalë të hyjë në listën e konkurruesve. Nuk u përmend gjëkundi, nuk pati fatin të nxirrte hundën gjëkundi.

Shkurt e kisha fjetur mendjen dhe isha mjaftuar me përshtypjet e rralla që më vinin nga të njohurit  e mi dhe nuk u besoja fare atyre që më thonin se nuk duhej mbajtur qëndrim kritik  ndaj gjithë klasës politike për ngjarjet e vitit 1997, se ndonjërës duhej t’ia linja portën hapur … Për një gjë të tillë nuk isha fort i bindur.

Meqenëse edhe në moshën e iluzioneve jam përpjekur të mos jetoj më iluzione, jam gati të mendoj se  gjithçka ka ardhur sepse romani ka një nivel më shumë se të ulët, mizerabël, me gabime logjike, konstrukt rakitik, fraza idiote, mungesë strukture, shkurt do të ketë qenë gjësendi nga ato që z. Tufa e quan paraletërsi.

Po qe se është kështu,  më të vërtetë që më është bërë nder dhe i falënderoj komisionet dhe komisionarët, kushdo qofshin, sepse duke u përmendur si konkurrues, romani do të tërhiqte vëmendjen e ndokujt dhe në këtë rast  shëmtia e tij proletare  do të bëhej më e dukshme.

Kjo deri ditën kur mësova se një kopje e romanit i kishte rënë në dorë të një gruaje, ish diplomate franceze në Tiranë, e cila pasi e kishte lexuar, krejt pa dijeninë time kishte nisur të kontaktonte botues të ndryshëm në Paris, me një këmbëngulje e pasion që më la gojëhapur. Pë të thënë gjithë të vërtetën, me të vetëm se kisha këmbyer disa formula mirësjelljeje, gjatë nje pritjeje  në një ambasadë, njëzet vjet më parë.

Ç’është e vërteta unë nuk kam profesion letërsinë dhe nuk jetoj me letërsi, kam shkruar diçka në kohën e komunizmit por më fort jam i kënaqur për atë që nuk kam shkruar. E kam të vështirë të kuptoj se si shumë moshatarë të mi kanë guxim të shohin në sy fëmijët e tyre, ndërkohë që kanë lënë pas si letra të përdorura higjienike me qindra vepra ku shprehnin gatishmërinë tê vdisnin shtatë herë në ditë për idealet e komunizmit dhe të  ngjalleshin tetë herë.

Aktualisht, kam fatin të kem firmosur  që në fillim një kontratë pune të përjetshme të tipit cdi (ata që njohin kodin francez të  punës e dinë që duhet të vras shtatë vetë që të më pushojnë nga puna), dhe kjo më çliron nga çdo lloj tundimi për a detyrimi tjetër.

Në dijeni të asaj që po ndodhte u vura vetëm pak javë më parë, kur më ftuan të paraqitem  në zyrën e një botuesi në Paris « për të diskutuar mbi termat e kontratës ».  Më tej thuhej se gjithçka merrej përsipër prej tij (botuesit), madje edhe përpilimi i një dosjeje për CNL (Centre National du Livre).  Gjithsesi kjo mbetet punë e tyre. Ecuria (ritmet) e përkthimit do të përcaktojnë edhe kohën e daljes së librit në rrjetin e librarive franceze dhe frankofone. Pavarësisht nga optimizmi i botuesit (që më dërgon vazhdimisht mesazhe për të më njoftuar për ecurinë e punëve), unë besoj se kjo do të ndodhë diku nga fundi i vitit ose fillimi i vitit tjetër. (Francezët janë tepër fanatikë në promovimin e librave në dy sezone, në muajin shtator tetor dhe  në çdo fillim viti)

Pikërisht kjo ngjarje e vogël, krejt e papritur dhe jashtë çdo ndikimi nga ana ime (se edhe po të doja nuk kam se ku të ndikoj), mua nuk më duket jashtë interesit dhe seriozitetit që pret publiku shqiptar (që ky diskutim këtu tregon se nuk është më publiku pasiv i disa viteve më parë)  nga administrata e vendit të tij dhe nga autoritetet letrare e artistike që analizojnë punën e forcave krijuese të vendit.

Natyrisht, kurrë nuk kam menduar se botimi jashtë kufijve është përcaktues, por ai nuk është krejt i papërfillshëm. Qëndrimi prej energumeni nuk ndihmon në gjetjen e saktë tê pikës së rëndesës. Mjafton të nisesh nga fakti se vendimi i botimit dhe financimit në CNL merret nga njerëz të specializuar, që janë titullarë katedrash të njohura universitare, anëtarë komisionesh për  çmime  që jepen prej njëqind vjetësh dhe shënjojnë jeten letrare të vendit.

Them se raste të tilla të paktën janë tregues të seriozitetit që kërkon shqyrtimi (nuk flas për vlerësimin, por për shqyrtimin) e punës krijuese edhe të atyre që nuk kanë profesion letërsinë dhe nuk ushqehen prej saj.

Gjithsesi ju siguroj se jam menduar 1 mijë herë para se të shkruaj këto radhë dhe do të qe krejt pa vend që gjithçka të reduktohej në diskutimin e rastit në fjalë. Kam përshtypjen se po flas për një fenomen.

Dy vjet më parë nuk dëgjova gjekundi nëper konkurse të flitet për një roman të shkelqyer të P. Kulles. Nja dhjetë vjet më parë, gjeta në një librari të madhe të Parisit  një roman interesant  të Viron Graçit, roman të cilit në atë kohe vështirë t’ia ndeshje titullin gjëkundi në shtypin shqiptar, por që pati pritje tjetër nga shtypi francez.

Natyrisht, duhet të jesh jashtë e larg Shqipërisë, shtypit dhe jetës së saj letraro artistike, për të kuptuar se çfarë ndodh aty. Dhe kur dikush   ofron të botojë një libër në Shqipëri, ai të paktën duhet respektuar për gjestin e tij. Mahnitem tek shoh çfarë hapësire u hap Metropoli parisian shkrimtarëve e kritikeve belgë, kanadezë dhe Afrikës frankofone.

Po ne? Në sytë e mi asgjë nuk e përfaqson më mirë klimën e Shqipërisë se sa taksistët (me sa duket shumica me origjinë fshatare, që ngasin me patentë traktori) Si psikologë të hollë ata e kuptojnë hutimin tënd që  kur zbret nga avioni dhe të dyfishojnë në vend çmimin e udhëtimit deri në Tiranë.

Mikroklimat e qarqeve të mbyllura  nuk parandjellin gjësendi të  mirë as për letërsinë e një vendi.

Nuk ka komente

  1. Ne vazhdim te debatit qe filloi ne temat e tjera…

    Une mendoj se i gjithe problemi qendron ne ate qe trajton Lyss-i. Rrethi i mbyllur. Mbaj mend qe Agron Tufa vite me pare ishte vete aktiv ne media rreth kesaj teme duke shprehur shqetesimin e tij se eshte po nje grusht shkrimtaresh qe perfaqesojne Shqiperine jashte saj. Shqetesimi i tij per nje qark te mbyllur ishte tejet legjitim por po aq legjitim eshte edhe tani. Nese Agron Tufa u permend ne artikujt e Eneides, kjo eshte sepse ai ngelet perseri aktiv por kesaj here nga krahu i establishmentit. E thene thjesht ai eshte nje figure publike dhe me apo pa te drejte kritikat do kalojne atypari.

    Ato qe me shqetesojne mua ne lidhje me cmimet qe jepen ne Shqiperi po i rendis si me poshte.

    1. Shpeshtesia e tyre per nje letersi te vogel (si volum) sic eshte ajo shqiptare (sidomos ne proze). Kjo ben qe dashje pa dashje te qarkulllojne te njejtet emra, ata me aktivet por jo domosdoshmerisht me te miret. Ndoshta do te ishte me mire qe nje pjese e mire e cmimeve te ishin me te rralla ne kohe. Kjo do ta bente ngjarjen edhe me prestigjioze dhe do te ngjallte me teper kureshtje tek lexuesit.

    2. Mospromovimi i shkrimtareve te rinj, jo domosdoshmerisht ne moshe por te atyre qe sjellin nje lloj dinamike te re ne letersine tone. Une mendoj se te tille ekzistojne madje edhe botojne ne periodiket e pakte te Tiranes por nuk promovohen dhe lihen ne te shumten e kohes ne hije.

    Ne kontrast me kete po degjojme gjithmone e me shume per nje numer te kufizuar shkrimtaresh. Promovohen akoma brezi i te Pershtatshmes apo edhe nje grusht te tjeresh. Mendimi im eshte se ka ardhur koha qe brezi i te Pershtatshmes te hape krahun. E them kete me shume miqesi sepse ai brez me ka falur personalisht shume kenaqesi estetike. Ata sollen nje dinamike interesante ne vitet 90-te por nuk po shoh gjekundi te sjellin dicka qe i pergjigjet kerkeses se ketyre viteve. Me duket se e kane konsumuar veten. Fundja fundi misionin e tyre e kryen me sukses dhe nuk kane nga cfare turperohen. Me keto nuk nenkuptoj se ata duhet te ulin penat e te mos shkruajne. Dua te them qe ata vete (nese jane ne borde) duhet te jene promotor i nje fryme te re letersie qe une mendoj nuk perfaqesohet me nga ata.

    I gjithe thelbi i ceshtjes ne cdo disipline ne Shqiperi qendron jo aq ne faktin se si te futesh ne rrethin e mbyllur sesa ne ate sesi te mos krijosh edhe ti rreth te mbyllur sapo futesh aty. Ne kemi deshtur ne kete te fundit dhe nuk eshte turp ta themi. Ka gjithmone nje fillim. Me mire ta bejme mire dhe ngadale ate sesa te pretendojme perjetesisht sikur ka dicka qe nuk shkon.

  2. Miredita t’tanve.

    Pergezime per shkrimin ne radhe te pare Lyss. Shkrim shume i qete, inteligjent, shkrim si ata qe na duhen ne kete moment.

    Me vjen keq qe nuk ke shkruar emrin tend e titullin e librit sepse u bera kurioz, nese do kesh miresine te ma nisesh me mail te tiranacalling@gmail.com, do mundohem ta gjej.

    Ah, e natyrisht, fat te mbare me aventuren franceze.

    Tani, une dua te them nja dy gjera se pastaj duhet te iki te blej nje dhurate.

    Thone, themi shpesh qe letersia jone lengon, eshte e dobet, shkrimtari nuk shkruan, lexuesi nuk lexon, perkthyesi nuk perkthen e muhabete te tjera kafenesh. Personalisht mendoj se letersia jone ka vetem nje problem, e ky problem eshte kritika. Deri diku edhe shperndarja, po psh nese libri nuk shperndahet robi e gjen te Shtepia e Librit bje fjala, po kritiken ku ta gjeje?

    Lexova para ca kohesh nje shkrim te zotit Tufa, ku pak a shume sillte si fenomen negativ faktin qe botohen shume libra. Nuk jam dakord me te, le te botohen edhe 1000 libra ne dite, kjo nuk na prish pune. Nuk na prish pune, natyrisht, ne momentin ne te cilin kemi nje harte per tu orientuar ne kete mori botimesh. Por kur kete nuk e kemi, eshte shume veshtire te flasim.

    Deri diku te Tirana Calling jemi munduar te ofrojme recensione etj etj, por eshte shume e veshtire. Shtepia e Librit eshte interesant sepse lexuesit mund te komentojne e vleresojne librin, por as ajo nuk mjafton.

    Pyetja qe shtrohet per te gjithe lexuesit pra eshte kjo : si mund te ndertohet nje kritike letrare ne Shqiperi?

  3. Lyss, kam frike se eshte çeshje me banale se kaq. Deri para disa pak vitesh, te pakten, ishte autori ai qe e regjistronte librin per pjesemarrje ne konkurs; konkursi nuk begeniste te merrte parasysh gjithe botimet e vitit automatikisht.

    Do pare mire nese kjo praktike vazhdon, edhe pse kam pershtypjen se nuk ka arsye te kete ndryshuar. Nese eshte akoma keshtu, kjo shpjegon shume gjera.

    1. Mund te gabohem, por neper intervista ne menyre te perseritur eshte theksuar se merren si baze hyrjet e BK-së.
      Je se çfare me solli dikush nga nje interviste e antarve te komisionit te Shekulli:

      Kemi qenë të detyruar të mos bëjmë diferencime në arritjet më cilësore të botimeve pa u mbyllur data 31 dhjetor 2010, kohë kur mbaron dhe ISBN-ja e fundit e regjistruar në Bibliotekën Kombëtare.

      Megjithate, nuk dua te ngjall asnje keqkuptim. Shkrimi nuk eshte ankese e imja e as per veten, ate mund ta nisja edhe si koment te Predestinimit. Vetem dua te theksoj se e ndjej se ne kete fushe ka diçka qe nuk shkon e qe per pasoje jo vetem lexuesi i thjeshte, por edhe specialistet nuk e kane te lehte te kuptojne jerarkine e vlerave te letersise se sotme

      1. Jo mor vella, asnje keqkuptim. Ne qofte se ka ndryshuar praktika, s’mebet gje tjeter veçse t’u urojme te rrojne e t’i gezojne çmimet, se keshtu si po vijne ditet mbase u hyjne ne pune ne ndonje vend tjeter. Ky toni vate, tha.

  4. Edhe une dua te di emrin e autorit dhe titullin e romanit lyss.

    Duke qene koshient qe eshte keq t’a them, prape dua t’a nxjerr nga sistemi:
    Ashtu sic bastaxhinjte shqiptare nuk vene baste per ndeshjet e kampionatit shqiptar, sepse nuk kane besim, edhe une, kurre nuk lexoj libra te autoreve shqiptare pa rekomandim personal te ndonje miku ose pa u siguruar qe libri ka kaluar nepermjet nje filtri (pak me) serioz, sic mund te jete ndonje botues i huaj cfaredo.
    Sic nuk i ze bese ekipeve shqiptare me leket e mia, ashtu nuk i ze bese botuesve dhe jurive shqiptare me kohen time.
    Diskutimet e fundit ketu, vetem ma kane perforcuar kete bindje.

  5. Ndërsa unë e kam të vështirë por jo të pamundur ti ndjek të intersuarit për çështjen, titull më titull e faqe më faqe. Kjo hedhje e tillë s’është e llojit degë më degë, por lejon harlisjen imagjinare me një cung-argument.
    A. Klosi e rimerr çështjen ku e nisi E. Bozhani, tek respublica.al, e ripërsërit pa nevojë të njëjtat gjëra, disa prej të cilave këtu janë vënë para pikëpyetjes. Aty ka dhe të tjera, që ja vlen të lexohen, e që mund ti gjeni këtu:

    http://www.respublica.al/mat.php?idm=587&idr=8&lang=1

    p.s. Lyss a mund të jesh më konkret për cilat ide dhe ata që i kundërshtojnë kur më parë i kanë përqafuar.

    1. CD, kemi kaq vite qe këmbejmë këtu, me ndërmjetësinë e PTF dhe nuk them asgjë të re po të përsëris atë që ju do të keni konstatuar rreth opinioneve të mia politike. Por dua të them se kur ulem të shkruaj gjësendi, si gjithkush tjetër i bindem një instinkti a fryme të brendshme e cila nuk ka asgjë të përbashkët me kutinë ku unë hedh votën time, gjë që i habit të njohurit e mi, që kërkojnë të shohin të materializuar në një vepër letrare ndonjë lloj manifesti politik.
      Këtu fillon zhgënjimi… por i dyanshëm, ama.
      Kaq mund te them ketu dhe kjo nuk ka lidhje me subjektin e mesiperm, meqe romani as qe eshte marre fare ne shqyrtim, me sa di une.

  6. Lyss, doja te dija mbi kete paragrafin tend hyres:

    “M’u dha mundësia sot te njihem në PTF me debatin për Konkursin e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë. E kam te vështirë te kap thelbin e diskutimeve sepse të njëjtët njerëz që në një rast përkrahin një ide, po ata i kundërvihen pak më tej, madje me inat.”

    Jo me. E respektoj te drejten tende.

    1. Nejse, mos i kushto shume rendesi atij paragrafi, por nuk jam tamam ne nje mendje me ju kur thoni me lart se Klosi vetem sa perserit ato qe jane shkruar tashme nga te tjeret. Sikur ai te na siguroje se ato paragrafet qe citon nga veprat ne fjale jane autentike une kam frike se edhe macet ne Tirane do te ndiheshin te deprimuara. (Ndjese per vonesen, por jam ne levizje)

  7. Lyss, ja c’kam shkruar une:

    “A. Klosi e rimerr çështjen ku e nisi E. Bozhani, tek respublica.al, e ripërsërit pa nevojë të njëjtat gjëra, disa prej të cilave këtu janë vënë para pikëpyetjes. Aty ka dhe të tjera, që ja vlen të lexohen, e që mund ti gjeni këtu:”

    E ja c’shkruan ti se kam shkruar une:

    “…kur thoni me lart se Klosi vetem sa perserit ato qe jane shkruar tashme nga te tjeret.”

    Jane fjale qe s’i merr era Lyss, se jane te shkruara jo te thena.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin