PROFESIONI IM: LETËRSIA

nga Agron Tufa

E vetmja çertifikatë morale që ka një juri janë librat e autorëve fitues, krahasuar edhe me pretendentët: lexojini të dy palët dhe flisni. Meqë kjo më kërkohet dhe ka të interesuar që besojnë në troçësinë time, unë do flas për veten, në rradhë të parë. Gjithçka jashtë kësaj që do them, mbetet një lloj gufimi e shfryrjeje gufi me rigonin e përjetshëm shqiptar.

Kam qenë vjet fituesi i çmimit të Madh. Si regull, tradita e këtij konkursi lyp që ky fitues, të jetë në juri, gjë të cilën dy paradhësit e mi fitues, At Zef Pllumi dhe Ismail Kadare nuk e kanë bërë, për shkak, se i pari u nda nga kjo jetë dhe i dyti, gjendej në Paris.

Profesioni im është letërsia, përkthimet, leksionet, studimi dhe kritika letrare etj. Jam një lexues kurreshtar dhe i vëmendshëm, që e ndjek procesin letrar dhe botimet, prandaj shpesh shkruaj dhe recensione për librat që më kanë lënë mbresë të fortë. Çdo angazhim në juri nënkupton të mos shkruash nga momenti i përfshirjes në të, për asnjë autor pjesëmarrës të konkursit dhe kjo është morale. Nuk kam shkruar. Por jo përpara konkursit ama: recensioni im për romanin e mrekullueshëm të Ramiz Gjinit “Bibollasit”, është botuar në qershor të vitit 2010. Në juri më është bërë ftesa në fund të Tetorit 2010. As ia kisha idenë kush do të ishte tjetër në juri dhe nuk është e domosdoshme. E qartë? Duhet thënë se me shkrimtarët shqiptarë, njihem në pjesën derrmuese të tyre.

Kam drejtuar gazetën e përjavshme letrare “Fjala” për 5 vjet dhe njohja ime përfshin imtësisht procesin letrar dhe ata që shkruajnë. A përbën kjo ndonjë faj? Anëtarët e jurisë (Bardhyl Londo, Balil Gjini, Virgjil Muçi dhe Persida Asllani) janë gjithashtu të njohur, por jo miqtë e mi të ngushtë. Edhe po të kishim emra të tjerë, prapë do t’i njihja. Mos qëndron këtu korrupsioni?

Artikullshkruesja ngre pyetjet: “A gëzojnë autorët ndonjë të mirë në interes të letërsisë dhe komunikimit me lexuesin? A i bën çmimi më të njohur, më të pranishëm, më të shitur, më të përkthyer, më me influencë në opinionin publik dhe në realitetin letrar?”

Përgjigja ime është kjo: “Çmimi nuk është gjyqi i vetëm e i fundit. Ai nuk është ideal. Por ne ankohemi për mungesën e mekanizmave dhe infrastrukturës në njohjen e veprave, për instrumentat seleksionues të vlerave letrare, që të mund të realizonte një njohje më të mirë të veprave dhe autorëve që shkruajnë sot letërsi të mirë. Dhe mendoj se fituesit e çmimeve e përligjin më së mirë këtë. Nuk di ndonjë rast sensacional, që dikush u la pa çmim, sepse e mori dikush që nuk e meritonte. Të paktën në këto 10 vjetët e fundit. Por sigurisht ka patur shkarje nga tempi, e ndonjëherë edhe për mua ka patur ndonjë rast të veçuar, për të cilin nuk kam qenë dakord. E pastaj? Juria nuk është një njeri, por janë pesë vota.

Nga ana tjetër nuk është aspak e vërtetë që çmimi nuk i bën të njohur kontributet e fituesve. Ata janë pikërisht më të pranishëm, më të shitshëm, e më të përkthyer, me opinion në realitetin letrar. Të paktën për një pjesë të mirë të tyre, tek romani, tregimi dhe poezia…

Por unë flas për përvojën e këtij Konkursi. Artikullshkruesja thotë: “Juria e çmimeve kombëtare të letërsisë për vitin 2010 përbëhej nga kryetari Agron Tufa, shkrimtar (disa herë fitues dhe anëtar i jurisë), Persida Asllani pedagoge e letërsisë (disa herë anëtare e jurisë), Bardhyl Londo, poet, burokrat, përfaqëson Ministrinë (disa herë anëtar), Balil Gjini poet, përkthyes nga frëngjishtja; Virgjil Muçi shkrimtar, përkthyes (fitues, anëtar në edicione të mëparshme)”.

Përgjigjem: Kam qenë vetëm një herë në Juri (anëtar) në vitin 2002 (mos është e ndaluar?) dhe kam këmbëngulur t’i jepet çmimi “Penda e argjentë” Martin Camajt. Është e vërtetë që çmimin e poezisë e ka fituar atë vit vëllimi i mrekullueshëm i Gentian Çoçolit “Perimetri i hirit”. Çmimi diskutohej midis Çoçolit dhe Vojsava Nelos. Kemi lexuar disa poezi në juri, për të dalluar të gjithë diferencën. E them me plot gojën: ka qenë një çmim super i merituar! A e kam pas mik Çoçolin? Po! Çfarë faji kam unë që ndonjë mik i imi është edhe i talentuar? Është për t’u gëzuar kjo apo për t’u trishtuar? Apo duhej bërë kështu: “jo, jo, unë po tërhiqem, se po gjykohet krijimtaria e një poeti të mrekullueshëm, por, të cilin fatkeqësisht e kam mik”. Polemika nuk ka pasur atëherë, me përjashtim të një replike që pata me znj. Alba Maltezin (shih pra me kë!), edhe ajo, e stërfryrë nga irritimi i i një miku të saj poet që u skalifikua. Përgjigjen ia dhashë publikisht.

Kam marrë çmimin e romanit “Penda e argjendtë” në vitin 2004 (“Fabula rasa”, i përkthyer në frëngjisht). Asnjëherë nuk kam ndërtuar marrëdhënie të sëmura me librat e mi, e aq më pak me çmimet. Pra kam marrë 2 herë cmime (2004, 2009) dhe dy herë anëtar jurie (2002, 2010). Besoj se e kam merituar padiskutueshëm në të dyja përballjet, por jeni ju që gjykoni (të kuptohemi, jo pa lexuar). Ku qenka korrupsioni këtu? Po sekti? Kush shkëlqeu me mosmarrjen e çmimit kur ai m’u dha mua?

Artikullzhgrepsja pyet:”Përfaqëson një model kjo juri?”

Përgjigjem: “E, pse nuk përfaqësuaka?”.

Hasetin e madh goca e ka me Sabri Hamitin. Trilogjia 600 faqëshe “Poetika shqipe” (“Bioletra”, “Tematologjia”, “Albanizma” dhe shtojcat) mori çmimin e Madh si rezultat i kontrubutit 40 vjeçar në kritikën, teoritë dhe interpretimin e kodeve të letërsisë shqipe si një organizëm i vetëm. Është një punë kapitale dhe votimi 3:2 e nxorri atë fitues në përballje me romanet e fundit të Zija Çelës, i cili gjithashtu është një i njohur i imi i hershëm. Gocës duhet t’i them, që shoqëria ime vërtitet mes njerëzve që shkruajnë letërsi, e jo atyre që mblidhën në pikën e grumbullimit për gazetarë.

Nuk po i marr me radhë fituesit. Por të ndalem tek Ramiz Gjini, emigrant në Nju-Jork. Pas shtatë vëllimesh me tregime, një përmbledhje të botuar në rumanisht nga M. Dobrescu (“Atdheu prej dëbore”) dhe një romani (“Rrëketë”), konkuronte me romanin “Bibollasit”, të cilën artikullshkruesja e quan të “stilit arkaik”. Pyetje: “A më lejohet ta di më mirë unë këtë punën e stileve?” E kam besoj tagrin, qartësinë dhe ndershmërinë, dhe nuk furnizohem me frymëzime as nga para, as nga mbrapa. Këtu s’po kuptohet kush është eksperti i gjykimit.

Sa për Arian Lekën ia fusni krejtësisht kot. Libri i tij krahasuar me pretendentët e tjerë kishte diferencë. Goca ngre pretendimin se e kam mik. Ku e di ajo kë kam mik e kë s’kam mik? Kur pranova të marr pjesë në juri, nuk mund të shtija fall për librat e botuar, apo që do të botoheshin deri më 31 dhjetor. Edhe për tregimet, u skualifikua Ramiz Gjini, me tregimet e zgjedhura, por ka patur konkurrime të tjera, me emra të njohur, si Ylljet Aliçka, Teodor Laço etj. Jam i bindur se Ritvan Dibra nuk është ndonjë lëng groshe, siç mund t’i duket ndokujt dhe e meritoi. Nëse irritojnë kënd formulimet, ato formulime bëhen me terma të letërsisë, pavarësisht se gocës i pëlqejnë formulime të tipit “mace-mace, tollumbace”.

Por goca e ngjyen penën në mllef dhe thotë: “…Studiuesja në fjalë, Dhurata Shehri, është pedagoge e letërsisë, por është edhe bashkëshorte e një ish anëtari të përhershëm, disa herë kryetar i Jurisë së Çmimeve Kombëtare, Mark Marku. Në vitin 2009, juria që vlerësoi Shehrin drejtohej nga Aurel Plasari. Në vitin 2010, juria që vlerësoi zbulimin e vitit Eir Plasarin, vajzën e drejtorit të Bibliotekës Kombëtare, drejtohej nga Mark Marku”.

Çfarë mashtrimi! Dhurata Shehri është fituese e çmimit të kritikës në vitin 2007 me studimin “Koliqi mes malit dhe detit”, një studim krejtësisht i përkundërt me metodologjinë e Jorgo Bulos apo Floresha Dados dhe një nga studiueset më serioze të letërsisë që ka sot në Shqipëri. Shehri s’ka fituar gjë më 2009 dhe nuk ka qenë në juri Aurel Plasari. Në vitin 2009 fitues ka qenë bash Ardian Vehbiu! Eir Plasri e fiton çmimin për romanin debutues në vitin 20010 me romanin “Bërthama”. Dhe i lumtë, se e meritonte!

Lind pyetja, përse gënjen kjo vajzë? Kush e ka mbarsur me një frymëzim të tillë? Pse i ngatërron qëllimshëm vitet?

Të ngresh pretendime për Visar Zhitin me librin eseistik “Panteoni i nëndheshëm”, edhe këtë vetëm frymëzimet e kapërdijnë.

Sa i përket gjermanishtës, prapë goca gabohet. Në juri kishte njoje të gjermanishtes: isha unë, përkthyes i Traklit, Benit, Paul Celanit etj. Isha dhe redaktor i “Elegji Duine” të Rilkes. E pastaj? Mos do të shtinim fall, që do të jemi në juri, që mandej, të bënim “grevë urie”, me mos prekë profesionin me dorë? Por edhe të kishin fituar të tjerë emra, prapë i njëjti avaz, e prapë të njëjtat frymëzime do të kishim.

Juria zgjodhi Michel Houellebecq-un, si një ndër mitet e prozës bashkëkohore sot, për të hyrë në rezonancë me lëtërsinë që shkruhet sot në botë, përveç përkthimit mjeshtëror të Saverina Pashos, të cilën nuk e kam mikeshë. Personalisht do të doja të kishte qenë Rilke, por prandaj janë 5 vota dhe jo një.

Goca ia fut kot edhe për Joachim Röhem. Më poshtë po jap një cv të tij.
Librin e Manjola Brahajt e ke në Librari, mos gënje! Pastaj juria ka punë me vlerat e veprës, e jo me shpërndarjen e librit! Gocës i duhet thjesht të lexojë dhe të përmbajë frymëzimin e huaj.

Pastaj klithma e gocës vjen me habinë: “Kjo është “përzgjedhja” ndër 1000 tituj në tre muaj punë”. Shko në BK dhe merri këto libra, bëhet fjalë për tituj, të cilët do s’do ti janë në 70 përqin vetëshprehje, paraletërsi, dhe sigurisht që me shfletimin e parë, e ke të qartë se me çfarë ke të bësh.

Mllefi i vrerosur dhe të qepurit prapa si rrodhe (ndonjë ditë do ta shohësh të hyjë dhe në kafene, të më denoncojë, fjala vjen, se përvec kafes, Tufa mori edhe Vodka!!! Ku i gjen paratë?!), duken edhe në këtë paragraf të saj (të gjitha armët në sulm) ku goca thotë: “Për çfarë integrimi flet ministri i kulturës? Ai ka firmosur që kryetar jurie i Çmimeve Kombëtare të Letërsisë të jetë një njeri që gjykon edhe në juritë e këngës, në këshillin Kombëtar të Radio-Televizionit, në Këshillin Artistik të Projekteve të Ministrisë. Aktualisht Tufa është anëtar i Këshillit të Projekteve në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë”.

Ç’të thuash? Ajo e paska kapë dallaverexhiun! Po moj gocë, nuk kam mbaruar 24 vjet studime brenda e jashtë Shqipërisë për të punuar në zejet e paqme të bukëpjekësit, muratorit, taksisit etj, etj. Sigurisht që kam qenë njëherë (viti 2009) ne jurinë e këngës dhe dhashë të vetmen votë kundër votimit të jurisë. Sigurisht që mbaron mandati im në Këshillin TVSH (dhe do hapë sytë të gjej një punësim shtesë, se do ruaj fëmijët), sigurisht që jam për këtë vit edhe tek QKK. Unë jam punëtor dhe duhet të jem! Më kanë propozuar dhe kam pranuar. Çfarë dashke ti, t’i bie qemanes?

Jam i fushës dhe jam legjitim në këtë fushë ku jam. Për gocën kam po atë këshillë që kisha më lart: “Livadhi i huaj, ta prish kosën”. Ke folur pa lexuar, duke paragjykuar e duke mashtruar e shpifur. Tani Kafkën po ta kthej mbrapsh me një thënie të tij nga ditarët: “Mosdurimi është kryemëkati më i madh. Pas tij, vijnë të gjitha mëkatet e tjera…”.

Përmbahu pra, dhe lexo, lexo… këtë urdhër japin dhe librat e shenjtë. Përndryshe sytë nuk të bëjnë dritë dhe sheh gjithandej veçse korrupsione, konflikte interesi, sekte, teori konspiracioni, et, etj. Ti mund të vazhdosh me tënden, por për një gjë jam i sigurtë: do të vuash gjatë e do t’i hedhësh përjetimet dëm.

Shënim: titulli është imi. Ky shkrim ishte dërguar si koment, por e ka vendin në krye të faqes. E falënderoj autorin për sqarimet e hollësishme, që nuk na i kishte për borxh. [2Xh]

Nuk ka komente

  1. Ajo goca nuk qënka e vetmja që kritikoka. Qënka dhe një çun.
    Berat Aramagedoni, me gjasa prej Kosove, nën titullin

    “Poetika politike ose, Sabri, a u kusuritëm?!”

    që gjendet tek:

    http://www.telegrafi.com/?id=26&a=3323

    thotë ndër të tjera:

    “Por, ky studiues, S. H., i konsideruar plagjiator, po me ato libra të cilat janë zënë në flagrancë për plagjiat, përpos që merr “Azem Shkrelin” në Kosovë, merr edhe në nënën Shqipëri një Çmim të Madh nga kryetari i jurisë Agron Tufa, me të cilin kusuriten me një çmim që ka marrë Tufa kohë më parë në Kosovë. Në fund të vitit 2010 ai mori çmimin “Rexhai Surroi”, për romanin “Tenxherja”, si proza më e mirë e vitit 2010. Kryetar i jurisë së këtij çmimi ishte Sabri Hamiti. Megjithëse, dorën në zemër, Tufa në vitin e kaluar pati nisur diçka të ziejë në Shqipëri për Kosovën në tenxheren e vet. Dy herë i shkroi dy shkrime për “Albanizmën” e Sabriut, shkaku i të cilave e mori çmimin “Rexhai Surroi”. Më vjen keq të them, ama ky kontrabandim i çmimeve jo vetëm që ia ka ulur edhe atë pak moral Sabri Hamitit, por shumë më shumë Agron Tufës,…”

    dhe:

    “Kujtojmë se: “Poetika shqipe”, i botuar në Tiranë më 2010, është ribotim i tre librave: “Bioletra”, “Tematologjia” dhe “Albanizma”. I pari (Bioletra) është botuar në Prishtinë në vitin 2000, i dyti (Tematologjia) në vitin 2005, i treti (Albanizma) në vitin 2009. Pra, asnjëri prej këtyre librave nuk është botuar në vitin 2010.”

    Nëse këto qëndrojnë, duke ditur se keni votuar për Hamitin (thoni 3:2), ose çmimi juaj ose çmimi i Hamitit (nëse edhe ky ka votuar), t’i gëzoni, por zhvlerësohen, bëhen hiç, në sytë e njerëzve. Praktika demokratike e donte që në këtë rast, ti ose ai, kush e kishte mësuar fitimin e çmimit ndërkohë, të tërhiqej nga votimi. Sa për procedurë kjo. Tjetërgjë dhënia e çmimit për një ribotim, botuar vite më parë e për pjesë të të cilit kanë qarkulluar krahasime mbi plagjiaturë.

  2. Z. Tufa,

    Shume faleminderit qe harxhuat kohe dhe energji te pergjigjeni. Uroj te beheni shkrimtar po aq i madh sa besoni se jeni. Dhe mbi te gjitha uroj qe te qenit shkrimtar e kritik ju mjaftojne.

    Lexova nje artikull tuajin te paradokohshem, te titulluar “Shqiptarët s’janë lexues – shqiptarët janë shkrimtarë! (http://letersia.zemrashqiptare.net/article/KritikeAnaliza/5324). Me ndihmoi te kuptoj se nga ju vjen gjithe kjo arrogance dhe percmim per lexuesit.

    Sic tha dikush ketu, ne jemi lexuesit tuaj, dhe jemi shume, jemi ku e ku me shume se ai grushti i shkrimtareve qe keni ju perreth dhe qe ju bejne te ndiheni aq shume shkrimtar sa te mos pyesni per publikun.

    Personalisht, nuk me impresionon fare as rezymeja juaj, as ato qe shkruani, e aq me pak kjo gjuha harbute, fshatarake qe perdorni edhe ketu ne blog. Them se ajo juria qe drejtoni dhe ajo “letersia” qe gjykoni ju shkojne shume mire per shtat.

  3. Personalisht nuk prisja me shume se nje perciptesi te tille perballe atyre problemeve serioze qe u ngriten ketu e me te cilat ndeshet letarsia shqiptare. Nje klime e jarget provincializmi ku “njerzit e letrave” rrine e masturbojne njeri tjetrin.
    Dhe te gjithe jane te kanaqur.

  4. Pershendetje LG!

    Shkrimi nuk ka ndonje percmim dhe me pelqen qe e kam shkruar. Kur nuk jeni ne gjendje te kuptoni ironine dhe situaten absurde ne shkrim, atehere me lajmeroni t’ju paralajmeroj: “Ishte shaka”. Pra ishte ironi e shendetshme, mendoj une, dhe nuk e di ku e keni kapur veten te fyer? E dini per cfare lexuesish behet fjale ne shkrim? Pastaj pse nxitoheni te identifikoni veten me nje mase te tille lexuesish? Shfleto ndonje fjalor mbi kuptimet e fjales “ironi”, e cila, mendoj, nuk eshte arme pa leje.
    Me te mira!

  5. Z. Tufa,

    Kjo lloj harbuterie dhe arrogance nuk shkon as ne mejhanen e lagjes, e jo me ketu. Te siguroj qe te kam kuptuar shume mire, ty dhe ate ironine holle qe ben. E sigurt eshte qe ti s’je ne gjendje te kuptosh se si dola une nga shkrimi yt tek perbuzja per lexuesit.

    Nuk di te te shpjegoj sa larg je pergatitjes, inteligjences, talentit te te pakten gjysmes se atyre qe shkruajne ne kete blog. Dhe me e keqja, nuk ke as nje fije modestie, dhe as deshire per te pare rreth vetes. Nuk di me cfare e matni veten ju “shkrimtaret”…apo mbase me ato bejtet qe i dedikoni njeri tjetrit.

    Shume poshte ka rene katundi!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin