SI TË UDHËTONI PËR NË TIRANË

nga Pllaka e Pionierit

Gjirokastër 22 nëntor. Të jesh në mëngjes në Gjirokastër, në fund të nëntorit, nuk është dhe nga opsionet më të mira që mund të kesh për të filluar ditën. Sidomos kur mëngjesi shoqërohet me një të ftohtë që të depërton dhe një shi i cili edhe pse i hollë të ngrinte nervat. Shto këtu edhe rrugët e prishura, pellgjet me ujë, makinat që kalonin me shpejtësi dhe spërkatnin (kryesisht mbi njerëzit) ujin dhe për finale… autobuzi…

Ishte pikërisht autobuzi i Tiranës ai që kaloi para sysh, i fishkëlleva, bëra sikur vrapova, tunda dorën, i bërtita me fuqi por efekti Doppler bëri punën e vet. Shumë bukur, e humba autobuzin, nuk ngelet veçse të kap tjetrin. Më pëlqen kur gjej optimizëm tek vetja, sidomos kur nuk ka arsye për diçka të tillë. Dhe sidomos kur autobuzi tjetër për Tiranë nisej pas dy orësh.

U ktheva mbrapsht, atje që ishin mbledhur disa furgonë, disa njerëz, disa plaçka të gjithë duke pritur nisjen. Tabelat e furgonëve ishin nga më të larmishmet; Tepelenë, Përmet, Sarandë-Delvinë… dhe andej nga fundi i rrugës, bingo! Tiranë. Ishte një furgon ngjyrë vishnjë, diçka më shumë se modest për preferencat e mia por kishte tabelën magjike që shkruante: Tiranë! Iu afrova, kur niseni? Tani? Shumë bukur. Do sjellim içik rrotull tha, mos gjejmë dhe ndonjë pasagjer tjetër (e tha me një ton sikur po thoshte, “ndonjë viktimë tjetër”). Fine by me, mua më intereson që do ikja për Tiranë. U futa brenda dhe gjithë shijen e mirë që kisha nga qumështi i mëngjesit dhe çokollata ma hoqi ekrani LCD që po villte turbofolk. Nuk prisja në fakt orkestrën simfonike të Berlinit, por jo dhe turbofolk në pikë të mëngjesit!

Furgoni bëri disa rrethe, disa kthesa majtas-djathtas, si qentë që kërkojnë të kafshojnë bishtin e vet, gjeti një djalë tjetër (klient le të themi) për Tiranë dhe pastaj ndaloi. Shoferi përshëndeti një furgon tjetër, ngjyrë të bardhë, dhe duke u kthyer pastaj nga ne na tha, -Zbrisni, do shkoni me atë. Diçka s’shkon këtu thash me vete por shoferi nuk dukej nga ata tipa që u pëlqejnë argumentet… Zbritëm, vajtëm tek ajo rrangalla tjetër që për eufemizëm le ta quajmë furgon. Në pamjen e jashtme u ngjante atyre furgonave që gjermanët transportonin çifutët në kampet e përqëndrimit gjatë luftës së dytë botërore. Bëhu optimist i thashë vetes, mund të ishte edhe më keq. Mund të ishte ndonjë spond i pambuluar Zisi… Unë edhe pasagjeri tjetër ia hipëm furgonit të dytë. Edhe ky, si tjetri, filloi prapë duke bërë kthesa majtas-djathtas dhe duke bërë xhiro rreth vetes për të gjetur pasagjerë të tjerë. Me diferencën se ky shofer hapte dritaren dhe bërtiste çdonjerit që i afrohej furgonit. Je për Tiranë? (vallahi, me gjithë atë zë që lëshonte edhe sikur të isha për Tiranë nuk do i afrohesha… por rrethanat e sollën që i kisha hipur)!

Pasi gjetëm dhe tre pasagjerë të tjerë (një plakë, një indiferente dhe një krijesë të bukur që zbriti tek Ura Vajgurore or whatever) u nisëm. Kithi i mëngjesit ishte zhdukur dhe koha bëri sikur u hap. U nisëm. Ndaluam! Shoferi hapi dritaren e vet dhe përshëndeti një furgon që po vinte nga ana e kundërt e rrugës. –Po, ia futa me levë! Të më thotë mua se nuk kam licencë? Un kam 15 vjet që punoj taksi ore! O Zot, thash me vete, ç’po më dëgjojnë veshët (të paktën ka eksperiencë, 15 vjet nuk janë pak)! Mirëpo, deri sa të dolëm nga Gjirokastra e njëjta skenë u  përsërit nja tre-katër herë akoma, duke ndaluar furgona e autobuza, vetura e kamjona, biçikleta e motora, për t’u treguar sesi i kërkoi policia (njëfarë polici që nuk më kojtohet emri dhe që shoferi ynë i njihte të jatin) letrat dhe si kishte reaguar shoferi ynë. Shyqyr që pasi lamë Gjirokastrën, trafiku u lehtësua dhe kështu nuk ndaloi më.

Tek Ura Vajgurore lamë krijesën e bukur afër një Ure që s’kishte ndonjë diferencë nga ura e lumit Kwai. Shoferi nuk i mori pará, Ik tani, e di unë atë punë, tha. Krijesa buzëqeshi dhe pasi mori sekretet me vete u zhduk ashtu siç ishte shfaqur në skenën e teatrit tonë surrealist. Kudoqofsh o krijesë kalofsh mirë, me shoferin apo pa të!

Në pjesën tjetër të rrugës shoferi e gjeti të arsyeshme të na tregonte me çdo lloj hollësie  sesi kishte vajtur në Kakavie si taksi, dhe si e kishte ndaluar policia (Arjani! Ia kujtova emrin policit!) dhe i kishte thënë se nuk kishte licencë për Kakavie dhe mund t’i sekuestronte furgonin. Kjo e fundit përbënte kulmin për shoferin tonë, nuk duronte gjëra të tilla, nxorri një levë dhe e goditi (policin!), pastaj i ndanë, pastaj e morën në degë, pastaj e lanë. Nuk di për ç’arsye e lanë por sigurisht ka qenë për të torturuar ne. Unë një mjet desha i shkreti për Tiranë, asgjë më tepër.

Tepelenë. Sa arritëm, hapi dritaren dhe bërtiti, -A ka njerëz për Tiranë oreee?! Shyqyr Zotit, jo. Vazhduam rrugën, u kthye për një çast nga mua, -Beqar je? Po, thash (duket?). E pyeti edhe djalin tjetër, po tha dhe ai. –Hë mo mirë, tha, të rinj jeni akoma. Dhe filloi të na tregonte prapë për licencën dhe levën dhe Kakavien. Shyqyr që e ndërpreu telefoni ku e morri një tjetër shofer i etur për të mësuar ndodhinë me levën dhe ky yni me gjithë kënaqësi filloi (duke bërtitur) t’ia tregonte…

Memaliaj. Zbriti plaka me gjithë plaçkat (ca presh të njomë, patate, një pako oriz dhe dy pako sheqer. Nuk pashë kafe). Memaliaj është nga ato qytete interesante për antropologët, të tregon sesi do të jetë bota pas luftës së tretë botërore. Vazhduam pa ndonjë gjë interesante. Veçse kësaj here shoferi po drejtonte mjetin me një dorë, pasi e dyta ishte e zënë me byrekun me lakra që po hante dhe me copën e djathit që më kalli datën. Pasi lëpiu gishtat i fshiu në xhaketë (po, po, në xhaketë!) dhe në pantallona! Dua të zbres, dua të zbres, dua të zbres (u dëgjua brenda meje një zë që ulërinte)!

Ndaluam diku që mund të ishte dhe fundi i botës ose i shijes. Në një bar-restorant (qesha me vete) me emrin “Gjuetarët e Magjepsur”. Në fakt nuk quhej kështu por nuk e mbaj mend mirë sesi quhej. Për nevojat fizike iu drejtova asaj godine me tabelën WC. Gabim! Dhe e kuptova gabimin sa hapa derën dhe era më goditi nervat e frymëmarjes. Një banjë alla turka, me një çezëm që rridhte në mes dhe një dritare me xham të thyer. Më mirë të kisha shkuar prapa ndonjë peme, të shijoja natyrën të paktën. Pasi lava duart shkova në bar-restorant. Mbas atyre që kisha “shijuar” gjatë rrugës nuk më hahej diçka. Veçse mora një paketë cigare, dhe një shishe uji. Dola jashtë për të ndezur cigaren dhe sapo e kisha ndezur më ra çakmaku (që sapo e kisha blerë) nga dora dhe u bë 100 copë. Si ishte e mundur nga një lartësi më e vogël se dy metra të shpërbëhej çakmaku? Ende e kam kureshtje.

Erdhi shoferi dhe u nisëm. Diku në një fshat gjysëm të braktisur lamë indiferenten. Ishte kaq indiferente që nuk meriton më shumë se dy rrjeshta në këtë rrëfim. U nisëm prapë. Shqipëria e mesme më dukej në gjendje skamnore. Lapidare me kryqe apo gjysëmhëna anës rrugës të kujtonin aksidentet, rrugën e mjeruar dhe mungesën e qytetërimit automobilistik. Syri të mbushej ose me kasolle e bunkera ose me vila groteske pa estetikë; modele të kitsch-it dhe ekzemplarë të pasurisë postkomuniste. Ndonjë flamur tek tuk, i kthyer në ngjyrë portokalli nga rebeshi të kujtonte se ishe në Shqipëri… Dhe ajo era e rëndë të kujtonte se po i afroheshe Ballshit. E thashë dhe më erdhi në mendje era e squfurit dhe gazi i metanit apo i propanit, ose i kirozinës apo ç’dreq quhen ato produkte të përpunimit të thellë të naftës. Atje nuk ndaluam. Duket se as shoferit tonë i pëlqente Ballshi. Shënova një plus këtu për shoferin tonë.

Fier. Koha ishte bërë e zymtë, kishin filluar të duken rretë e para të zeza. Këtë herë nuk ishte shoferi që ndaloi por një burrë që sapo pa furgonin ngriti dorën. U hap dera, dhe hyri një burrë në të tridhjetat, dhe me një theks të rëndë myzeqar pyeti nëse shkojmë për Tiranë. La çantën dhe u ul. Shoferi filloi t’i tregonte historinë me levën, Kakavien, licencën… Mirëpo myzeqarit nuk i pëlqeu historia. Për habinë time filloi t’i shpjegonte shoferit se reagimi i tij ka qenë jashtë kuadrit ligjor (leva!), se në botën e sotme të kulturuar e demokratike nuk ka vend për dhunë (leva!!!), se në Shqipëri duhet të mësohemi me ligjin… Ngela gojë hapur! Edhe shoferi bashkë, që mezi priste edhe një tjetër që t’i konfirmonte se kishte të drejtë dhe se bëri mirë që i theu policit kokën apo brinjët.

Rrogozhinë. Deri në Rrogozhinë koha ishte e zymtë, me re të zeza. Sapo arritëm në Rrogozhinë shpërtheu një shi i tërbuar, u hap qielli dhe uji binte me urrejtje mbi rrugë dhe mbi makinë. Edhe pse pastrueset e xhamave po punonin në superxhiro, shikimi ishte bërë i vështirë. Pamë nja-dy njerëz poshtë një strehe dhe ndaluam. Hipi njëri nga ata për Tiranë. Siç mund ta prisni, shoferi filloi të tregonte prapë histori, me diferencën se kësaj here na thoshte mbi eksperiencën e tij të drejtimit të automjeteve dhe jo për levën. Kuptoni, publiku i ishte shtuar, dhe duhet të krijonim më shumë besim tek shoferi ynë. Na tregoi sesi kishte qenë shofer në ushtri dhe sesi kishte kaluar nga çdo cep i Shqipërisë, që nga Vermoshi deri në Konispol (që nga Tivari deri në Prevezë shtova unë) duke ngarkuar e duke shkarkuar, duke pritur e duke përcillur dhe sesi pastaj në demokraci ishte bërë shofer taksie (furgoni).

Edhe njëherë tjetër për mysafirin e ri të këtij ekskursioni drejt çmendinës shoferi filloi të tregonte historinë me levën. Prapë leva, prapë licenca, prapë Kakavia! Plaku që kishte hipur i jepte të drejtë duke tundur kokën, pastaj në një nëndialekt të gegërishtes filloi të na tregonte dhe ai eksperiencat e tij me ligjin dhe shtetin e korruptuar. Siç na tregoi, vëllai i tij për arsye gjakmarrjeje nuk kishte bërë diçka serjoze, veç se kishte therrur (fjalë e tij!) një person dhe ishte në hasmëri dhe duhet të paguante avokatin tani dhe gjykatësin për të dalë nga burgu. Diku këtu, thashë me vete, hymë në Twilight Zone. Vetëm kjo e bën burrin burrë, tha plaku duke tërhequr këmbëzën e pistoletës imagjinare që mbante në dorën drejtuar qiellit (të furgonit). Të lumtë goja, tha shoferi. Duan Enverin këta, se s’bëhen njerëz. Hë, thash me vete, edhe Enveri na duhej tani në bisedë. Dhe qesha pasi m’u kujtua ligji i Godwin-it i cili mjaft mirë mund të aplikohet për Shqipërinë e sotme dhe bisedat në lidhje me gjithçka.

Që nga Kavaja deri në Durrës nuk pashë dhé. Autostrada ishte e përmbytur në ujë, dhe furgoni ynë e çante ujin si ndonjë varkë. Shoferi ishte kthyer tani në kapiten dhe ne në ekuipazh. Arritëm në Durrës dhe dikush informoi kapitenin tonë se rruga kryesore (e reja) ishte e mbyllur apo kishte përfunduar në fund të detit, kështu që morri vendimin të shkojë nga rruga e vjetër. Gjë që shkakoi shqetësim tek myzeqari i cili kishte hall të arrinte aeroplanin me destinacion një qytet të Perëndimit (pas gjasash në Itali). Mos u merakos, i tha shoferi, e di unë atë punë. U nisëm drejt Tiranës. Po kalonim ca fshtara dhe shoferi filloi të na tregonte prapë historitë e veta. Na tregoi sesi në behar kishte punuar si shofer i një autobuzi që bënte xhiro skuadrën e Partizanit nëpër Rivierën Shqiptare. Por ajo që i kishte bërë më shumë përshtypje, nuk ishte as Riviera (se mbase e kishte parë), as sportistët, por sesi një femër shqiptare shoqëronte një lojtar zezak (fjalë e tij!) të kësaj skuadre. Si është e mundur, thoshte i indinjuar. Nuk ka familje ajo vajzë? Nuk ka vëllezër? Plaku tundte kokën… Zor se mund ta nxirrje shoferin nga deliri i tij në ato momente. Por, ja që myzeqari prapë mendonte ndryshe. Ç’të keqe ka këtu, thoshte. Vajza është e lirë të zgjedhë atë që do. Atë gjeti më të mirë, atë mori. Argumente jo bindëse për shoferin këto. Në shpellën e tij bëhej ndryshe siç dukej.

Kaluam Pezën heroike dhe hymë në periferi të Tiranës. Diku atje zbriti dhe djali i ri, kishim filluar të rralloheshim. Pamjet e para nuk ishin fare mbresëlënëse. Shi dhe ujra të zeza shikoja, si dhe njerëz që lëviznin në mënyrë të çrregullt për të gjetur strehim dhe mbrojtje nga natyra. Në një çast që kishim ndaluar nga trafiku, pashë nga dritarja dy gra që hoqën këpucët, përveshën patallonat dhe tentuan të kalonin rrugën. Nuk e fsheh se më shkau një buzëqeshje, thjesht në mendimin se këmbët e mia ishin të sigurta në këpucët ushtarake që kisha veshur, kurse ato vdekataret ecnin tani të zbathura e të bëra qull. Mirëpo, ku ta dija unë se…

Kishim hyrë tashmë në Tiranë, nga një rrugë që siç më thanë më vonë ishte ajo e Kavajës. Trafiku po bëhej edhe më i dendur. Zbrit ti, më tha shoferi. Ti arrite. Dymbëdhjetë mijë lekë të vjetra dhe zbrita. Ende i mpirë nga sedilja dhe nga ngrohtësia e furgonit, era e ftohtë mbi fytyrë më solli në realitet. Ishte katër e gjysëm mbasdite. Shiu binte ende por i hollë. Vura kapuçin e xhupit në kokë, hodha çantën në shpinë dhe iu drejtova një stacioni të urbanit. Nën strehën e tij ishin të mbledhur nja pesë veta. Vajta të ndizja një cigare por u kujtova se çakmaku im ishte bërë njëqind copa. Me mirësjellje iu drejtova njërit prej bashkëvuajtësve poshtë strehës i cili ma ndezi. Kur kalon urbani për Qendër? e pyeta. Nuk e shikon çfarë bëhet, më tha, rrugët janë të mbyllura nga trafiku dhe shiu, as taksi nuk do gjesh. Jam larg nga qendra? e pyeta prapë. Tundi kokën dhe duart në mënyrë të tillë që tregonin se seriozisht isha larg. Në fakt, shumë larg.

Vendosa të nisesha me këmbë duke ecur Rrugën e Kavajës në një drejtim që instinktivisht mendoja se do më nxirrte në qendër. Tani shiu ishte i dendur, por xhupi i Bundeswehr-it tregonte cilësinë e vet. Makinat nuk lëviznin nga trafiku i rrënduar dhe nuk dëgjohej diçka tjetër veçse motora të ndezur, sharjet dhe klithmat e shoferave dhe boritë shumëngjyrëshe. Një kaos i vërtetë. Gjithçka i ngjante Saigon-it ditët e fundit të luftës së Vietnamit. Vazhdoja të ecja deri sa arrita tek bulevardi Bajram Curri. Atje tek Pallati me Shigjeta thashë me vete se duhet të eci në bulevard. Krejt instiktivisht. Nuk mund të pyesja as njerëzit sepse ose ishin poshtë çadrave dhe ecnin shpejt, ose nuk kishin çadra dhe ecnin akoma më shpejt.

Duke ecur në bulevard u kujtova se nuk kisha marrë me vete karikuesin e iPhone-it. Fatkeqësi e madhe, por shpresat nuk humbën. Duke ecur pashë një dyqan që po shiste aksesorë celuarësh. U futa brënda, duke pikuar gjithëkund. Keni kabllo USB për iPhone? Po tha, urdhëro. Sa bën? Pesë mijë lekë, tha. Të reja? Jo, të vjetra. Nuk e prisja të ishte kaq i lirë dhe mora një. Për qendër thash, mirë më çon rruga? Mirë or burrë i dheut, m’u përgjigj, por je larg. Ku ta dije ti, thash me vete nga jam nisur unë, dhe dola jashtë në suferinë.

Bulevardi tani po bëhej familjar. Kisha kaluar këtej para dy vitesh, kur kisha qenë prapë në Tiranë (në rrethana më njerëzore). E dija se diku këtu afër që kaloja e kishte shtëpinë një shoku im dhe pak më poshtë ishte shkolla Vasil Shanto. Nuk u përgënjeshtrova, pak më poshtë arrita tek shkolla Vasil Shanto. Grupi Komunist i Shkodrës! Anastas Lula, Zjarri, Shulja, Tarasi, Vjosa, fraksionistët, elementi antiparti, Ambasada Jugosllave, të gjitha më kalonin para sysh tani. E dija se duhet të kthehesha djathtas dhe t’i drejtohesha Komunës së Parisit (lagje të këtij kalibri ka Tirana!). Ishte Rruga Sulejman Delvina dhe tani Tirana bëhej më e qartë. Ende në kaos, por tashmë e qartë. Ndenja poshtë një strehe për t’u çlodhur dhe për të kulluar ujin.

I dërgova një mesazh kushëririt tim, njeriut që do i bija në qafë ato ditë që do rrija në Tiranë, me koordinatat e vendndodhjes sime dhe m’u përgjigj të shkoja drejt Universitetit NY (relativisht afër). Sapo kisha futur celularin në xhep shikoj një fytyrë të njohur që po kalonte në rrugë para meje. Më pa dhe u shtang, ktheu kokën dhe vazhdoi rrugën. U ndal, dhe u kthye prapë drejt meje. Diçka i kujtoja dhe atij. Hoqa kapuçin nga koka. I fola, xhaxhi Q.! Si je? Ishte xhaxhai im, Q.K. Në gjithë atë kaos, në gjithë atë shi, në gjithë atë pamundësi të probabilitetit, gjeja në Tiranë xhaxhain tim! I shpjegova se kisha ardhur pak a shumë incognito në Tiranë dhe po të kisha mundësi do kaloja dhe nga shtëpia e tij.

Më shoqëroi deri tek kryqëzimi i përballë stadiumit të Dinamos, tek Rruga Medar Shtylla dhe më tregoi drejtimin që duhet të ndiqja. Atje që po flisnim na dëgjoi një plakë dhe më tha të prisja urbanin për të shkuar drejt Universitetit se pak më poshtë rruga ishte e përmbytur dhe nuk kalohej me këmbë. Fjalë plakash, thash me vete. Mos kij frikë nëno, i thashë. Kam këpucë të mira, sado ujë që të ketë s’ka problem për mua, dhe i fala një buzëqeshje. Përshëndeta xhaxhain, i dhashë një premtim që nuk do ta mbaja kurrë dhe u nisa.

Me të vërtetë nuk isha i përgatitur për pamjen që më doli përpara. Në fakt, duhet të them për liqenin që më doli përpara. Nuk ishte e mundur! Makinat kalonin, dhe uji u arrinte deri në mes (vetëm kjo më bëri të besoj se nuk po shikoja shtratin e Lanës) dhe njerëzit kishin ndaluar anës bregut të hutuar. Nuk kisha me vete as varkë, as kalë (kalova lumin…), si do t’ia bëja i shkreti? Nuk di as not! Mora frymë thellë; Kabo Dalipi e kishte kaluar me sukses lumin tek “Malet me blerim mbuluar”, pra edhe unë mundesha. Veçse Kaboja ishte partizan kurse unë isha i veshur me një xhup të Bundeswehr-it. Mora vendimin e madh, do futesha në ujë. I premtova vetes, se nëse dal i gjallë prej andej do bëhesha njeri më i mirë në jetën time. Çova pantallonat gjer tek gjunjët dhe bëra hapin e parë. Ujë i ftohtë akull! Më ndaloi qarkullimi i gjakut. Vazhdova me hapat e tjera, me avash, duke mbajtur ekuilibër. Kaloi një makinë e cila më solli një dallgë me ujë që desh më rrëzoi. Pas njëzet metrash dola në anën tjetër të rrugës. Këmbët nuk i ndjeja fare nga të ftohtët, dëgjoja vetëm atë flap-flap që bënte uji brenda këpucëve.

Pas disa minutash arrita tek Universiteti i NY dhe ndënja përballë, poshtë një strehe. Bënte ftohtë dhe uji më kishte arritur gjer në palcë. E ndieja veten nja dhjetë kile më të rëndë nga uji i akumuluar. Momente dëshpërimi. Desha të ndez një cigare por nuk kisha çakmak. Atje që kisha ndenjur ishte shkolla private Kristaq Rama dhe kishte një mesoburrë për roje, apo thjesht një njeri që hapte derën. I thash mos kishte çakmak. Shyqyr Zotit që besonte, kishte. Më dha diçka që nuk kisha parë asnjëherë, por meqë ai e thoshte, duhet të ishte çakmak. Provova ta ndizja por nuk ndizej. E ktheva rrotull, e tunda, e shkunda por pa fat. Nuk ndizet. Me siguri produkt japonez, shpikësi i të cilit tani fërkonte duart në ndonjë vilë në Tokio. Kishte dhe një kuti shkrepse, e cila bëri punën e vet. Metodë e vjetër por efikase.

Atë moment vendosa ti dërgoj një mesazh Zanës. Me këtë kohë po më pret? Jam lagur deri në kockë, dhe të gjitha këto për një kafe! Nuk u përgjigj… Në atë çast u prenë edhe dritat në lagje! Diçka që në fakt ishte përfundim logjik për një radhë fatkeqsish të kësaj natyre që kishin ndodhur atë ditë. Pas dyzet minutash (!) erdhi kushëriri dhe më mori. Shkuam në shtëpi ku analizova gjendjen. Çizmet nuk visheshin, çorapet po ashtu. Hiq edhe xhupin që duhej shtrydhur. Do qarkullonim tashmë me mall hua. Televizori më verifikoi atë që kisha përjetuar. Titull karakteristik tek lajmet: “Gjendje apokaliptike në Tiranë”. Është ngushëlluese të dish që mjerimi që hoqe ishte i përbashkët dhe kishte dhe njerëz të tjerë që kishin vuajtur. Google Maps më verifikoi edhe ai dyshimet. Kisha ecur plot katër kilometra! Jo keq natyrisht.

Dolëm për kafe me kushëririn, gruan e tij dhe princin e vogël. Mendja më shkoi prapë tek Zana. I dërgova një mesazh kësaj radhe nga rrjeti. Ku do takohemi nesër? A, tani do të takohemi? m’u përgjigj. Po mirë, do vija unë në Tiranë dhe nuk do të gjeja? Nuk do më zinte gjumi pastaj, i thashë. Bla, bla, bla, më tha! Po mirë, vetëm ke ardhur apo me shokun tënd V.? Jo, thash, krejt vetëm. Ashtu të rrish, si qen! Jo qen, thash me vete. Mace e lagur do shkonte më mirë.

U kthyem në shtëpi. Shikoj mesazhet dhe më kishte dërguar prapë. Nesër jam në mësim deri në orën gjashtë. Do flasim prapë nga rrjeti, ose në qoftë se ke Vodafone Club. Jo, nuk kisha. Nesër pra. Nesër do ishte dita që do shikoja për herë të parë dhe të fundit Zanën në Tiranë.

E marta u gdhi pa tensione dhe pa të papritura. Do gjeja një shokun tim, A.S. dhe do shkonim për kafe. Kushëriri më kishte lënë çorape të reja, një xhup që ishte në numrin tim dhe një palë çizme që më vinin një çikë të vogla, por punën e tyre e bënin. Mbi të gjitha, më kishte lënë dhe një çadër. Wise man! E takova shokun tek shkolla Vasil Shanto dhe pasi morëm urbanin iu drejtuam Bllokut. Sapo u takuam e pyeta mos kishte Vodafone Club. Kishte! Dita fillonte me lajme të mira. Zbritëm në Bllok dhe shkuam në një café. I tregova planin e ditës dhe ia bëra të qartë se nuk do kishim në dispozicion shumë kohë. Pasi piu dy dopjo espresso dhe gjysëm paketë cigare (pa iu dridhur fare qerpiku) u nisëm. Do shkonim nga qendra për të blerë libra.

I thashë të më jepte telefonin që kishte ofertën. Do merrja Zanën. Formova numrin dhe i rrashë ziles. Zemra fillonte të më rrihte fort por përgjigje nga ana tjetër e linjës nuk erdhi. Provova përsëri, tani linja u ndërpre më shpejt. Kishte shkelur reject! Nejse thashë, shkojmë. Pas disa minutash erdhi mesazhi. Kushdoqofsh, nuk mund të përgjigjem. Jam në mësim. Do të të bëj zile unë, kur të mbaroj. Iu përgjigja. Të dhjefsha mësimin! Kur të marr unë në telefon dua të më përgjigjesh. U dhjefsh vetë! më tha. Fair enough… Do më merrte ajo tek ky numri kur të mbaronte.

Dolëm tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, kaluam Tajvanin dhe Kullat Binjake dhe nga ana tjetër pashë Piramidën (mbase për herë të fundit). Qendra e Tiranës ngjante me Bagdadin, pas bombardimit të amerikanëve. Atje ku dikur gjendej sheshi Skënderbej ishte një gropë e madhe e rrethuar me gardh metalik dhe tabela që tregonin se po bëheshin punime për pamjen e re të sheshit. Vetëm Gjergji mbi kalë kishte ngelur në vend, në pozicion parade si gjithmonë. Ishim nga ana e Bankës dhe duhet të shkonim tek Opera, kështu që u desh të bënim një rreth, duke ecur në baltë dhe në ujë. Fasada e Operës ishte e mbuluar me një rrjet të madh i cili kishte të shënuar largësinë e qyteteve të mëdha europiane nga Tirana. Vjena kaq kilometra larg, Madridi kaq kilometra larg, Berlini kaq kilometra larg. Mënyrë elokuente për t’u thënë shqiptarëve se duhet braktisur Shqipëria me rast liberalizimin e vizave. Mua në fakt më kujtoi Dr Göbbels-in gjatë betejës së Stalingradit ku kishte kërkuar që çdo qytet gjerman të shënonte largësinë e tij nga qyteti sovjetik për t’u ngritur moralin ushtarëve.

Arritëm tek Opera, libraria ishte simpatike. Sapo kisha kapur në dorë librin e Maks Gjerazit, pashë se shoku im po fliste në telefon. Po, këtu është, tha shoku im dhe më solli telefonin. Po?! Ishte Zana! Për herë të parë e dëgjoja në telefon por zëri karakteristik i saj nuk linte dyshime. Për respekt ndaj njerëzve që po shikonin një njeri që fliste në telefon brënda në një librari dhe për hir të privatësisë dola jashtë. I tregova me pak fjalë për rrugën që kisha bërë, më pyeti për fshatin, e pyeta për mësimet. I tregova se kisha ardhur për të blerë libra, qeshi. Do dilnim? Po, do dilnim. Do sjellësh dhe shoqet e tua. Jo? S’ka gjë, dhe ti mjafton. Unë për ty kam ardhur. Po ku do dilnim? Unë nuk dija, unë isha i huaj. Mirë, do më dërgonte ajo mesazh që të më informonte për vendin dhe orën. E mbyllëm dhe shkova prapë brenda për të vazhduar blerjen e librave.

Kur mbarova isha pak më i varfër në pará, por pak më i pasur në njohuri. Klishé, e di. Po ecnim prapë gjatë Bulevardit kur më erdhi një mesazh i ri. Më njoftonte Zana për vendin dhe orën. B. përballë piceri E. në gjashtë e gjysëm. Tek Blloku është, informohu dhe gjeje. I thashë shokut. Ku është B. përballë picerisë E.? Nuk dinte. Keq puna. Duhet ta gjejmë i thashë, çështja është delikate. Filloi telefonatat tek shokët e tij, pastaj tek shokët e shokëve, pastaj tek Ministria e Transporteve dhe Telekomunikacioneve. Si përfundim na thanë se ishte diku midis Presidencës dhe Librit Universitar, gjithsesi nuk duhet të dilnim nga Blloku. Më në fund, pas shumë përpjekjesh dhe pasi kishim kaluar nga i njejti vend nja dy-tri herë e gjetëm. Wine-Bar B. Piceria E., ishte përballë. Informacionet përputheshin, s’kishte mundësi gabimi.

I kërkova të më tregonte dhe një mënyrë si të shkoja në shtëpi me qëllim që mbasdite ta bëja nga ana e kundërt dhe të vija prapë pa u humbur. Më tregoi dhe mbajta në mendje disa shenja të rrugëve të cilat u ngulitën në kujtesën time dhe do shërbenin si litari i Ariadnes në rast nevoje. E përshëndeta shokun tim, i dhashë edhe atij një premtim që nuk do ta mbaja kurrë dhe u ktheva me këmbë në shtëpi.

Hëngra një drekë të shijshme me menu kineze që kishte përgatitur gruaja e kushëririt tim dhe rashë i lodhur për gjumë. Në pesë e gjysëm zilja e iPhone-it më nxorri nga ëndrrat dhe solipsizmi. U bëra gati dhe u nisa rreth orës gjashtë. Binte pak shi, kështu që kisha marrë çadrën me vete. Rrugës që po ecja dëgjova zilen e celularit. Ishte Zana, një thirje e humbur. I bëra dhe unë një zile dhe vazhdova rrugën. Më erdhi një mesazh. E hapa me frikë, besoja se do anulonte takimin. Gjë që në fakt edhe mund ta meritoja pas atyre që i kisha bërë. Hë mo ku je? Të nisem? E gjete ku është B.? Mora frymë i lehtësuar. Thamë në gjashtë e gjysëm, do më gjesh atje në gjashtë e gjysëm, iu përgjigja.

Arrita para B. përballë picerisë E. në gjashtë e njëzet e katër minuta. Nuk kishte ardhur ende. Natyrisht, pasi nuk ishte gjashtë e gjysëm. Shikova brënda lokalit por nuk e dallova gjëkundi. Pra, me të vërtetë nuk kishte ardhur. Vajti gjashtë e gjysëm, në mendje po më vinte kënga e Vaçe Zelës, “Djaloshi dhe shiu”, jo rastësisht. Pas dy orësh shikoj se kishin kaluar vetëm pesë minuta. Koha po kalonte. Më në fund e pash që vinte. Ishte me të vërtetë Zana. U përshëndetëm. U vonove plot tetë minuta i thashë. Pse nuk ke hyrë bënda, më tha.

Hymë në lokal dhe ndenjëm diku nga krahu i djathtë. U ul përballë meje. Për herë të parë e shikoja kështu. Me buzë të kuqe, një makijazh të lehtë, një bluzë të zezë që linte të hapur krahun prej bronxi, dhe pantallona në ngjyrën e hënës së zbehtë. E kuruar, tha ajo në zhargonin e rinisë së Tiranës. Fjalë e panjohur për mua. Pyet kushëririn tënd më tha, se mbase e di. Kushëriri im është doktor, me siguri ka kuptim tjetër për të i thashë. Qeshëm. Unë mora një cocktail mojito dhe ajo diçka që nuk kuptova, por në shishe kishte një fetë limon. Folëm për gjithçka, për atë, për mua, për Tiranën dhe odisenë e pabesueshme (të një populli parahelen) për të arritur deri tek wine-bar B. (përballë picerisë E.). Kisha pa e parë që nga gushti në fshat dhe ishte e natyrshme që do flisnim dhe për fshatin, mbresat tona nga pushimet dhe çdo gjë tjetër që do ta bënte të përdorte atë zë të të veçantë që më kishte bërë përshtypje që nga hera e parë që e kisha dëgjuar, dy vjet më parë.

Mora dhe një cocktail të dytë. Ajo nuk deshi. Shikoi orën në celular. Mos është vonë? pyeta. Jo, tha nuk ka problem. U ngrit në një çast dhe shkoi në tualet. U vonua… u kthye me buzëqeshje. Desh ngela në tualet, më tha. Nuk po hapej dera. Në qoftë se do shkosh, ki kujdes derën e dytë sepse nuk hapet mirë. Ishte rradha ime të shkoja në tualet. Lokali kishte një tualet, ose të paktën një pashë unë. Dera e parë u hap pa problem, siç kishte thënë Zana. E dyta nuk hapej. Trokita se mos ishte ndonjëri brenda. Nuk u përgjigj kush. Provova ta hap me forcë, vura shpatullën dhe fillova të shtyja. Rezistonte keq. U tërhoqa i djersitur. Papritur shikoj dorezën që lëviste. U hap dera dhe shikoj një grua të hutuar, për të mos thënë në frikë. Tunda kokën i skuqur nga turpi. Kush e di çfarë do mendonte me vete…

U ktheva tek Zana. Orët po kalonin pa u ndier. Atje nga ora dhjetë e gjysëm filluam të kuptojmë se kishin kaluar katër orë dhe koncertit në fund të stinës po i vinte fundi. Ajo duhet të arrinte konviktin se mbyllej në njëmbëdhjetë, kurse unë duhet të kthehesha në shtëpi tek kushëriri që nuk e kisha lajmëruar se do vonohesha kaq. Ke çadër më pyeti? Kam, thashë, por duhet të kisha thënë jo. Buzëqeshi…

Dolëm nga lokali dhe shëtitëm për disa metra. Nuk binte shi. Kishte ardhur momenti i lamtumirës. Ishte ai moment që fjalët nuk kanë vlerë, kështu që e kapa, e shtrëngova fort dhe u dorëzua në puthjen time. Në fakt jo, por kështu u bë në një univers paralel i cili tash nuk ekziston. Hasta la vista Gori im. Hasta la vista Zana ime.

Ka kohë që s’shihemi dhe ndiej
Si të harroj unë dalëngadalë.
Si vdes tek unë vështrimi yt,
Si vdesin flokët dhe gjithçka.

Finis.

Nuk ka komente

  1. Kam ne plan te shkoj ne Tirane kete pranvere, por jo per Zanen, por per nje gjyq pronash. Kam shume, shume vjet pa e pare Tiranen, dhe e di qe pronat nuk jane arsye per te vajtur ne Tirane, por kur nuk ka asnjeri tjeter, jam i detyruar. Kusherinjte me thone hajde e jeto ne Tirane, jemi bere si njehere vaktit, ketu eshte vendi tend. Shtepia ne te cilen do te rri ato dite ndodhet tek liqeni; shtepi te cilen nuk kam jetuar asnje dite, dhe me thone qe liqeni eshte bere qytet me vete. Shume emocionuese ideja e udhetimit ne Tirane. Sidoqofte tregimi i mesiperm, pervec humorit dhe keqardhjes, shume ndihmues per te krijuar nje ide me praktike.

  2. Po mirë mo, këtij nga fshati kaq shumë përshtypje i ka bërë Shqipëria? Sa qef i kam disa “të virgjër” të cilët dalin ca kohë jashtë dhe kur kthehen “skandalizohen” nga ajo që kanë parë e jetuar tërë jetën e tyre përpos pak vitesh të kaluara në një rrethinë të qetë të një qyteti të huaj.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin