PUTSCH NË TRAFIK

Sot lexoj te Gazeta 55 një editorial të F. Balliut (“Shoqja Rama, shoku Topi: Dhuna u ushtrua tek kryeministria, jo në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”), ku sulmohet jo vetëm Ina Rama, por edhe presidenti Bamir Topi, si bashkëfajtorë në dhunën e ushtruar ndaj Kryeministrisë në datën 21 janar.

Autori e quan presidentin Topi “struc”, “shoku Topi”, “shoqja Topi”, dhe i kujton se bisedat telefonike që ka bërë atë ditë i janë regjistruar, së bashku me shpresën “për të dalë në jetën e atyre skeçeve banale të uzurpimit nga egërsia komuniste e Bllokut, tek perversiteti i kokainës të shoqeve Rama-Kristaq.”

Shkruan Balliu:

Shokë dhe shoqe strucër! A nuk keni ngritur telefonat ju, nga ora 2 e çerek e deri në 5? Ç’kujtoni, se ato bisedat tuaja mbeten si tabulate egjiptiane, apo mendoni se vetëm ajo firma juaj, kur t’ju teket dhe për budallallëqe e shpifje, fut në përgjim telefona?

Në këtë shkrim, sa për të krijuar një ide për tonin diskursiv, Edi Rama quhet “Edi i Netës”.

Gjithsesi, këtu nuk dua të komentoj shumë shkrimin në fjalë, por vetëm të rrëfej një anekdotë që m’u kujtua, kur po e lexoja.

Një person nget makinën në autostradë dhe dëgjon radion. Emisioni ndërpritet, për një komunikatë urgjente në lidhje me trafikun. Thotë komunikata: “Kujdes, kujdes! Në segmentin X të autostradës është futur një automjet që po lëviz në drejtim të kundërt me kahun.”

Personi në fjalë, që po udhëton vetë në segmentin X, sheh nga dritarja e makinës, tund kokën me habi dhe thotë me vete: “Se mos vetëm një automjet!”.

Për t’u kthyer në punët tona – presidentin Topi sot po e kritikojnë nga e majta dhe nga e djathta, siç pritej, po të gjykosh nga qëndrimi i tij në hije, gjatë krizës dhe më pas.

Megjithatë, toni i artikullit dhe orientimi i krahut autostradal të Berishës lë të kuptohet se këta njerëz pavarësinë e pushteteve po duan ta interpretojnë, përditë e nga pak më tepër, si ndonjë formë veprimtarie armiqësore.

Pa çka se tabelat e trafikut, ndryshe nga tabulatet egjiptiane, janë të shkruara shqip dhe shkoqur.

Nuk ka komente

  1. Përgëzime Xhaxha, që më së fundi dikush e mori seriozisht këtë gropë fekalesh të quajur 55, nga ku merr material pushteti për të lyer pastaj gjithë organet e veta. Si ato mediatike, ashtu dhe ato institucionale.

  2. Sapo lexova shkrimin e F. Balliut. Dikush qe eshte specialist i fushes a mund te me sqaroje a respektohen aty ligjet per mbrojtjen e institucionit te presidentit te republikes dhe te prokurorise?
    Me ben pershtypje pjesa e shkrimit ku citohet fakti qe telefonatat, edhe ato te presidentit te republikes mund te jene, a jane regjistruar, nese e kuptoj mire. F. Balliu kercenon presidentin e republikes?! (duket sikur po kercenon dike me te cilin eshte grindur ne rruge qe ka nje shok boksier)
    çdo te thoshte FB sikur Rama te ishte kryeminister dhe domontsrata e organizuar nga SB dhe te ishin vrare 3 veta?
    Dhe kalimi i fundit: SB po punon per nje Shqiperi tjeter, etj…
    Si e la SB Shqiperine ne 1997?
    Nje paralelizem i shkurter: ne Itali kryeministrin S. Berluskoni po e akuzojne se eshte kurvar, kane edhe prova, po fillon procesi: goditja kryesore perqendrohet edhe ne tezen se kjo menyre jetese nuk i garanton atij qe te jete ne gjendje te qeverise pa u kushtezuar nga ata qe dine te fshehta te hidhura per te. Te gjithe servilet e tij po thone se nuk shkon me femra. Kurse vete i zoti i punes thote se ka shkuar me femra, por qe nuk i ka paguar.
    Edhe me SB po ndodh e njejta gje: Edhe ai vete nuk mbrohet “kaq mire” sa e mbrojne servilet edhe nga bashkepunetoret e vet.

  3. Kjo puna e telefonave, nëse është e vërtetë e fut Saliun drejt e në burg. Dhe veç Saliut, edhe gjithë besnikët e tij të përlyer në këtë çështje. Watergate në SHBA ishte pikërisht përgjimi i paautorizuar i telefonave të shtetasve amerikanë nga FBI.
    Për kusurin, nuk e di a ja vlen të diskutohet … Megjithatë, ja vlen që të diskreditohet diku ky farë idioti.

    1. KOndra,

      nuk e kuptoj, se pse u dashka futur në burg dikush, vetëm se pse u paska përgjuar Presidenti i Republikës dhe jo edhe kur përgjohet çdo shtetas çfarëdo.

      1. Ke te drejte: nqs pergjimi dhe regjistrimi jane ta paautorizuar, shkelet e drejta e qytetarit X njesoj si e presidentit te republikes. Kjo gje nga pikepamja e paprekshmerise se individit. Por kur behet fjale per Presidentin e republikes kemi te bejme edhe me institucionin e presidentit te republikes dhe me demet qe i vijne ketij institucioni, shtetit, etj. Dhe ajo çka shqeteson dhe e ul artikullin dhe autorin e tij eshte shantazhi, kercenimi ndaj presidentit me ane te regjistrimit te telefonatave. Kercenimi ne rastin konkret eshte sa i rende aq edhe qesharak.
        Vite me pare doli ne shtyp problemi i “Echelon”it, sistemit nderkombatar te pergjimit te telefonatave , fakseve, etj. Ishte nje prove e faktit dhe kushdo mund te pergjohet nqs pala pergjuese ka mjete ekonomike dhe pajisje teknike per te bere pergjimin dhe zbardhjen e regjistrimeve. Probleme te tjera dalin me vone edhe nga perdorimi i regjistrimeve: jane apo jo te ligjshme, dmth te autorizuara nga organet perkatese dhe nese materiali i regjistruar eshte apo s’eshte prove krimi a shkeljeje ligjore. Te gjitha keto varen nga rasti konkret. Pra per çeshtjet qe u interesojne te gjitheve eshte vetem pune mundesie konkrete sepse teknikisht gjithçka eshte e mundur: edhe kur nuk jane te regjistruara bisedat, gjithmone mbetet gjurme per numrat e telefonave qe lidhen midis tyre dhe per kohezgjatjen e bisedes. dhe per kete teme jane plot gazetat italiane te ketyre diteve ne lidhje me akuzat ndaj kryeministrit S. Berluskoni. Jane te regjistruara biseda telefonike, kohezgjatja dhe del edhe vendndodhja e perdoruesve te tel cel. Pra mund te themi me shaka se “Vellai i madh… gjithmone degjon”.

  4. xha – xha, me këtë shkrim pa dashje i ke bërë nder të madh fahrijes, sepse disa nga ata që të lexojnë jane bërë kurioz dhe e kanë lexuar. Përndryshe, ajo gazetë do të prehej e qetë sot edhe mot.

  5. Gazeta 55 po prezantohet si “e përditshme, e pavarur” dhe po i besojmë se është e tillë aq sa i besonin vizitorët e Shqipërisë në kohën e xhaxhit Enver parullës “mirë se vini në vendin më demokratik në botë!”.

    1. Po. Gazeta 55 eshte ajo qe eshte, por fatkeqesisht eshte pjese e sistemit te komunikmit ne Shqiperi. Prandaj duam s’duam ka rendesine e vet si gur i mozaikut te shtypit te shkruar ne Shqiperi. Lexuesi nuk e blen, nuk e lexon por ajo del dhe mjafton qe edhe vetem nje here ne historine e vet te kercenoje presidentin e republikes dhe e nxjerr keshtu harxhin e botuesit qe e ka mbajtur ne jete “kot” per vite. Keta shembuj me shtyjne gjithmone te mendoj se kemi te bejme me mjete komunikimi dhe aspak me mjete informimi.

      1. “”Keta shembuj me shtyjne gjithmone te mendoj se kemi te bejme me mjete komunikimi dhe aspak me mjete informimi.”””

        Bingo. Këtë po mendoj dhe unë.

        Ndërsa për këtë që “është ajo që është”, më duket gabim. Do të thosha se e kanë lejuar QËLLIMISHT të jetë kjo që është. Kujto ligjin e hequr ndaj shpifjeve dhe padive në media. Kujto “dashnor i fjalës së lirë”. Kujto dhe seancën e 17 Janarit, kur kreu i qeverisë dora vetë, doli dhe foli me gjuhën e 55-sës.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin