NGA NJË SHPJEGIM NË TJETRIN

Më duket me interes të përcjell, këtu më poshtë, mënyrën si e ka komentuar, shpjeguar dhe përligjur kryeministri Berisha refuzimin e policisë për të zbatuar urdhër-arrestet e lëshuara nga Prokuroria, ndaj disa komandantëve të Gardës së Republikës, në kuadrin e hetimeve për vrasjet me armë zjarri, gjatë protestave të 21 janarit në Tiranë.

Në fjalën e mbajtur të dielën, 23 janar, në Parlament, kryeministri e quajti protestën para godinës së kryeministrisë “grusht shteti”, ose “puç” dhe pastaj, duke iu referuar të vrarëve të asaj dite, vazhdoi:

Meqë jam këtu dua të garantoj familjarët se organizatori i vrasjes së tyre ka vetëm një emër, ky është Edvin Rama. Vdiqën të paguar apo të pa paguar ata njerëz shpirti i tyre e di, le të gjeje paqen e merituar, por unë jam kryeministër i një vendi të lirë. Në çdo rrethanë unë do të kërkoj hetimin për çdo jetë të humbur kudo që të ndodhë dhe kërkova hetim prokurorisë, garantova se do të ketë ço lehtësi në këtë hetim, besoj se kjo ishte detyra.

Dje në mëngjes të dashur qytetar dhe qytetare gjendem para një situate tërësisht të re.

Prokuroria e shtetit në një kohë të rrufeshme dhjetë orë gjithsej nga darka që dështoi grushti deri në orët më të para të mëngjesit, kishe lëshuar 7 urdhër arresti për të gjithë zinxhirin e komandës së gardës, nga Komandanti i Gardës deri tek ai që ishte në fushë. Ministri më informon, zoti Rama sinkronisht paralajmëron miting për horrat e gardës dhe kjo ishte një situatë jashtëzakonisht të veçantë. Ministri i kërkon Prokurores së Përgjithshëm se që të gjithë ata që kërkon do të vijnë për hetim, por të arrestohet i gjithë zinxhiri i drejtimit të komandës së gardës do të thotë të dekapitosh mbrojtjen e institucioneve, do të thotë të dënosh kolektivisht. Ju garantoj që secili prej tyre, jo që s’ka ndërmend të lëvizë nga vendi, por do të vijë të dëshmojë sa here ta thërrisni ju për hetim. Por nuk kishte filluar asnjë hetim, as balistikë, as këqyrje vendi asgjë prej gjejë.

Pastaj një korrespondencë mes institucioneve dhe pasdite Prokurorja e Përgjithshëm merr ne telefon Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe i kërkon të ekzekutojë vendimin. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë i thotë, zonjë i ke me lapsuse, gabime teknike dhe unë vendim me lapsuse, nuk ekzekutoj ndaj po i ri kthej ti rregullosh. 30 minuta më pas del kryetari i opozitës Edi Rama del në konferencë për shtyp dhe thotë se prokurores i kthehet urdhri, sepse Drejtori i Përgjithshëm i Policisë thotë se janë lapsuse, nuk besoj se kjo është mënyra e hetimit të paanshëm. […]

Por dua të informoj shqiptarët se nëse janë lëshuar gjashtë urdhra arresti për dënim kolektiv, për zinxhirin e komandës së gardës, nuk është marrë asnjë në përgjegjës apo të pyetet, asgjë nga organizatorët, as ata që kanë deklaruar se na duhen 13 mijë të vdekur, as ata që kanë deklaruar se na duhen martirë dhe Shqipëria të nderohet me martir të rinj, as ata që kanë deklaruar se popullin nuk do e kontrollojmë por do të bejë atë që do, as atë që drejtoi grushtin e shteti nga lokali i Fidelit, as atë që urdhëroi momentin, sulmin mbi kryeministrinë, që e patën të gjithë, as ata që dhanë para dhe rekrutuan bashibuzukë dhe mercenare, përkundrazi drekojnë rëndshëm me anëtarë të prokurorisë. Pra mendoj se ky është një gabim fatal.

Zonjë, që kur je ulur në atë karrige deri më sot ke hapur me dhjetëra procese me administratën dhe qeverinë, të kam përgëzuar, të përgëzoj dhe do të të përgëzoj çdo akt të tillë, sepse ky është interesi jetik i mazhorancës, ky është interesi jetik i vendit, por asimetrizmi yt politik në fushën e krimit ekonomik nuk u gjet kurë, nuk mund të pranohet kurrë në fushën e një grushti shteti, që përsëriten në Shqipëri pas 87 vitesh. Është akti më i shëmtuar, ky është akti më i turpshëm me kriminal me antikushtetues. Kjo është një mazhorancë legjitime, është një mazhorancë, e cila ka një axhendë dhe po bën gjithçka për të konkretizuar këtë axhendë ndaj dhe të mbash një qëndrim të tillë ndaj grushtit të shteti, ky është absolutisht anësi me pasoja fatale, shumë të këqija dhe të rënda. Nëqoftëse të parin e toleroj

të dytin jo, sepse nuk janë më në lojë probleme të mazhorancës apo të kryeministrit, këtu janë në loja fate madhore të kombit të shoqërisë së shteti. Kjo është shumë shumë e rëndë.

Në këto pasazhe, refuzimi për arrestim arsyetohet, në krye, me argumentin pas gjase të ministrit [të Brendshëm] se “ të arrestohet i gjithë zinxhiri i drejtimit të komandës së gardës do të thotë të dekapitosh mbrojtjen e institucioneve, do të thotë të dënosh kolektivisht”; ndërsa më pas me argumentin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, i cili i paska thënë Prokurores së Përgjithshme për urdhër-arrestet: “zonjë i ke me lapsuse, gabime teknike dhe unë vendim me lapsuse, nuk ekzekutoj ndaj po i rikthej t’i rregullosh.” Ky argument i dytë duket i natyrës procedurale.

Nuk ka informacion nëse këto lapsuse, të vërteta apo të supozuara, u rregulluan apo jo; dhe nëse Prokuroria është po aq e detyruar të korrigjojë lapsuset që gjen Drejtoria e Policisë në udhrat e saj, sa ç’është Drejtoria e Policisë e detyruar që t’i zbatojë ato urdhra.

Më pas vjen një argument i tretë, i natyrës krahasuese, i vetë kryeministrit, sipas të cilit

nëse janë lëshuar gjashtë urdhra arresti për dënim kolektiv, për zinxhirin e komandës së gardës, nuk është marrë asnjë në përgjegjës apo të pyetet, asgjë nga organizatorët, as ata që kanë deklaruar se na duhen 13 mijë të vdekur, as ata që kanë deklaruar se na duhen martirë dhe Shqipëria të nderohet me martirë të rinj, as ata që kanë deklaruar se popullin nuk do e kontrollojmë por do të bejë atë që do, as atë që drejtoi grushtin e shteti nga lokali i Fidelit, as atë që urdhëroi momentin, sulmin mbi kryeministrinë, që e patën të gjithë, as ata që dhanë para dhe rekrutuan bashibuzukë dhe mercenare, përkundrazi drekojnë rëndshëm me anëtarë të prokurorisë

Ky argument i tretë nuk vlen për të shpjeguar refuzimin e arrestit; nuk jam i sigurt nëse do të vlente edhe po të sillej në seancë të gjykimit paraprak, nga ndonjë prej avokatëve të të arrestuarve.

Sot, më 24 janar, Berisha u takua me efektivin e Gardës së Republikës, për t’i falënderuar për përmbushjen me profesionalizëm dhe dinjitet të detyrës së tyre më 21 janar. Në fjalën që mbajti para tyre, ai ceku edhe çështjen e urdhër-arresteve të refuzuara, duke e komentuar kështu:

Dje u lëshuan urdhra arresti për të gjithë zinxhirin e komandës së gardës pa bërë asnjë hetim të vetëm, u mor rregullorja e gardës u pa se kush është komandanti, e kush vartësi dhe u kërkua arrest. Ky ishte një mesazh, po mbrojtje kryeministrisë arrestohesh, ky ishte skenari B i grushtit të shtetit.

Komandanti juaj, ministri juaj kryeministri juaj është disponibël në çdo kohë ne çdo vend për hetim. Unë do tu jap një shembull, pati një problematikë të krijuar, më ka ardhur zëvendëskryeministri në zyrë dhe më ka thënë se jap dorëheqje të parevokueshme. Më tha një gjë shumë të mirë, unë nuk shkoj të ulem si zëvendëskryeministër para prokurorit, sepse do të jetë presion, do të shkoj si qytetar, dhe unë i garantoj shqiptarët se cilido zyrtarë të kërkohet për hetim do të shkojë të hetohet si qytetar i lirë, pa asnjë lloj mbrojtje dhe imuniteti. Nëse ti aplikon dënimin kolektiv, dënim kolektiv nuk ka kod në botë, që e pranon. Ministri juaj bëri të gjitha përpjekjet duke i thënë prokurores se nuk ikën askush, janë njerëz në krye të detyrës, ikin bashibuzukët jo njerëzit në krye të detyrës, kur të duash ti kërkoi, por ti vësh në arrest do të thotë që indirekt të ftosh të sulmohet sërish kryeministria dhe pastaj ju thuhet gardistëve se po e mbrojtët arrestoheni.

Sot do ju them ju se ky puç vazhdon, njeriu që gjet tek dera e hapur e kryeministri me revole natyrisht nuk shkoi për ti dhënë lule gardistit, por ato çfarë kishte revolja, sot drejtësia e liroi për ndjekje të lirë Gjin Ndreka e nxorën në ndjekje të lirë. Dëshpërim se ata që dështuan me skenarin A me skenarin B do marrin turpin e tyre. […]

Duhet tu bëj me dije dhe njëherë se absolutisht ne nuk jemi dhe nuk do të bllokojmë as edh enjë hetim ndaj cilitdo, por nga na tjetër nisë u lëshuan urdhër arrestet e para që ka lëshuar ai institucion është zinxhiri i komandës së Gardë se Republikës, nuk ka thirrur asnjë nga puçistët. Kjo pastaj na detyroi të ngremë komisionin hetimor parlamentar.

Në krahasim me dje, këtu ka disa argumente të përsëritura nga dje, por ka edhe gjëra të reja.

Urdhrin për arrestim të “zinxhirit të komandës së Gardës” kryeministri Berisha e interpretoi tani si orvatje për të dekapituar Gardën dhe për t’i lënë institucionet të pambrojtura, ose si “skenari B” i grushtit të shtetit; çka do të thotë se kryeministri tani mendon se Prokuroria e Tiranës (ose Prokuroria e Përgjithshme, nuk kuptohet se cila pikërisht) janë palë në “grushtin e shtetit” të nisur të premten – akuzë që, edhe e vetme, do të mjaftonte për të hapur një krizë institucionale madhore.

Më tej, këto urdhra-arreste kryeministri Berisha i interpreton si “dënim kolektiv”; edhe pse vështirë të pranohet një arrestim si dënim – arrestimi mund t’i paraprijë dënimit, por një person i arrestuar nuk është doemos dhe automatikisht i dënuar; fare mirë mund të gjendet i pafajshëm.

Ka edhe më. Tani rezulton se ministri (i Brendshëm) i paska thënë prokurores se “ t’i vësh në arrest [komandantët e Gardës] do të thotë që indirekt të ftosh të sulmohet sërish Kryeministria dhe pastaj ju thuhet gardistëve se po e mbrojtët arrestoheni.” Kjo është një prej arsyeve për të cilat qenka refuzuar zbatimi i urdhër-arresteve (për të siguruar që institucionet të mbeten të mbrojtura).

Më në fund, Berisha u shpjegon gardistëve të pranishëm në mbledhje se fakti që prokuroria nuk ka thirrur asnjë nga puçistët “na detyroi të ngremë komisionin hetimor parlamentar,” çka lë të kuptohet se kë do të hetojë, ditët e ardhshme, ky organizëm – i cili do të jetë një nga ato komisione të rralla hetimore parlamentare në historinë e parlamentarizmit botëror, ku nuk marrin pjesë parlamentarë të opozitës.

Shënim: hyperlink-et në tekst lidhen me disa PDF që u kam bërë unë vetë faqeve zyrtare të Këshillit të Ministrave, ku janë botuar fjalimet. Këto faqe përndryshe mund të konsultohen drejtpërdrejt këtu.

Nuk ka komente

  1. Xhaxha pse me duket mua sikur je rreshtuar perkrah nje rrugaci (Ed Rames) kunder nje cubi (Berishes) ti, kur mendoj qe me mire do ishte te qendroje i paanshem? Ti mesa une di nuk ke interesa ekonomike me opoziten sic ka fjala bie Mustafa Nano qe nxiste turmen per lufte ne diten e protestes. Edhe pse Berisha nuk eshte burre i mire, mbrojtja qe ai i ben gardes eshte mbrojtje e institucionit shteteror qe u sulmua nga rrugacet e Edi Rames. Ne New York ku je ti, policia te keput po te sillesh si u sollen rrugacet e PS-se gjate protestes.

    1. Unë e shoh veten si në mbrojtje të republikës dhe të shtetit ligjor në Shqipëri, me aq sa dhe si mundem; por dhe në mbrojtje të së drejtës dhe decencës, përballë harbutllëkut dhe arrogancës, edhe pse interpretimet e të tjerëve nuk i kontrolloj dot, as më bëhet vonë t’i kontrolloj. Ka lloj-lloj optikash kjo dynja. Rama dhe Berisha shkojnë e vijnë, por republika dhe shteti ligjor mund dhe duhet të mbeten.

      1. Xha xhai, mos u lodh hiç që të japësh sqarime! Koka e ca njerëzve ngjan me atë fuçinë e shpuar: hidhi ujë sa të duash, ajo bosh që bosh ngelet! E këtyre njerëzve, ndoshta nga qëndrimi i gjatë nëpër llogore, u duket se të gjithë njerëzit rrinë nëpër llogore. E këta po të panë jashtë llogores, ta këpusin! Me dyfek! Dyfek jevgu, tha!

    2. Jevg,

      E lexon mbrapsht faqen e Peizazheve. Kush po e mer ne mbrojtje Ramen? Xhaxhai? Te pakten mua nuk me duket ashtu.

      Saliu ka hyre ne konflikt me gjithe popullin ndersa Rama vetem me te Saliut.

    3. “Xhaxha pse me duket mua sikur je rreshtuar perkrah nje rrugaci (Ed Rames) kunder nje cubi (Berishes) ti, kur mendoj qe me mire do ishte te qendroje i paanshem?”

      I paanshem ? I paanshem kundrejt kujt? I paanshem kundrejt hajdutit (ve), vrasesit , diktatorit, plumbave , kercenimeve, te korruptuarve, midokriteteve egoiste…

      O jevg, ti prape me ftillove sot qe me mengjes se kemi shume teper truthare mes nesh, sidomos aty ne parine e “Tirones” qe nen petkun e paashmerise dhe principin e jodhunes mbrojne plumbat e “cubit” me justifikimin se tjetri eshte “rrugac”
      I better take a break!

    4. Lexoj nga deklarata e fundit e Berishës në mbledhjen e sotme të Qeverisë, lidhur me akordimin e një fondi shpërblimesh për çdo dëshmitar, i cili që do të dëshmojnë kësaj here jo në prokurori, por në komisionin hetimor parlamentar për ngjarjet e 21 janarit.

      Ja ç’thotë Berisha:

      “Zoti ministër i Financave, do përcaktosh një fond shpërblimi për çdo dëshmi të vyer dhe dëshmitarë që do paraqiten për pucin, organizimin, financimin, komandën dhe cdo gjë. Informacionet po vijnë, por ato duhet të shpërblehen”, theksoi Berisha.”

      Ç’kanë plan ky që është palë, të paguajë dëshmitarët dhe dëshmitë tyre antipuçiste?

      Ç’ka bërë me këshilltarët ligjorë xhanëm, ku i ka.

      Kush e këshillon?

      Do t’i jetë shfaqur lugat Mehmet Shehu ndoshta, me gjithë ato të shtëna, ka ngritur ndoshta edhe të vdekurin nga varri.

  2. Mendoj qe momentalisht tragjedia me e madhe pas vrasjeve dhe plagosjeve te se premtes, eshte moszbatimi i nje vendimi te prokurorise nga policia e shtetit. Arsyet se pse jane diskutuar ketu ne PF ndaj nuk mendoj se ja vlen te shtoj me teper ne kete drejtim.

    Por nga ana tjeter nuk mund te mos shihet me pak dyshim vendimi i rrufeshem i prokurorise per te arrestuar nje numer drejtuesish te larte te gardes. Si arriti prokuroria te bindej kaq shpejt per, te themi, fajesine e komandantit te gardes?Kush u pyet, çfare procedurash u shqyrtuan, cilat procedura dolen qe ishin shkelur? Gjithe keto analiza kerkojne kohe dhe studime te thelluara. Edhe nese prokuroret jane plotesisht te bindur qe komandanti eshte fajtor, a nuk ishte e mundur te kalohej me pare ne gjykate ky vendim arresti? Apo prokuroria mendonte se keta persona ishin ne rrezik te arratiseshin? Kjo per mendimin tim tregon perçmim te shtetit (gardes) nga shteti (prokuroria).

    Mua me duket se vendimi i prokurorise ka te pakten pak nuanca politike. Dhe me kete nuk dua te akuzoj prokuroret si perkrahes te nje krahu apo krahu tjeter partiak. Nje arsye me e thjeshte mund te jete qe prokuroret me kete arrestim menduan ti drejtojne nje mesazh popullit qe vrasjet po hetohen dhe populli te rrije i qete se drejtesia do vendoset. Nese eshte e vertete kjo arsye do kishim te benim me nje veprim ne dukje patriotik te prokuroreve por ne fund te fundit te gabuar pasi prokuroria nuk ka te drejte te merret me politike ne asnje lloj forme.

    1. “Apo prokuroria mendonte se keta persona ishin ne rrezik te arratiseshin?”
      Nqs Prokuroria ka kete mendim, a mund t’i vesh faj? A nuk mund te thuash qe “largimi i fajtoreve ne drejtim te panjohur” eshte nje shabllon mjaft familjar ne perndjekjen e krimit ne Shqiperi?

    2. arti,

      ata persona janë momentalisht në arrati. Nuk e di se çfarë kupton ti me arrati? Që të ikin me gomone në Itali?

      Fakti që ata refuzojnë nënshtrimin e urdhër-ndalimit të prokurorisë, tregon se ata janë në arrati.

      Arrati është edhe të rrish i mbyllur në ndërtesën e Kryeministrisë, apo tek Hotel Rogneri.

      Por nuk është vetëm kjo.

      Është edhe rëndësia e veçantë e veprës penale (vrasje me rrethana rënduese) që e bën të të nevojshëm ndalimin e tyre.

      Ata mund të vrasin përsëri të premten që vjen.

      Kjo është edhe arsyeja, se pse të gjithë të dyshuarit për vrasje ndalohen që në rastin më të parë.

      Për më tepër që marrëdhëniet e hierarkisë në Gardën e Republikës dhe pozita e tyre akoma në pushtet ju mundëson atyre ndikimin e dëshmitarëve të mundshëm.

      Ndikimi i dëshmitarëve është një arsye shumë e fortë për nevojën e lëshimit të urdhrit të ndalimit dhe masën e arrestit.

      Arsyetimi i përsëritur disa herë këto ditë, se ndalimi i tyre do të dobësonte Gardën e Republikës nuk ka asnjë kuptim.

      Do të mbeteshin ata në detyrë sikur të mos dyshoheshin të kenë kryer vrasje me dashje me rrethana rënduese por të kishin përdhunuar një vogëlushe?

      Çdo të thotë kjo, që një vrasës i dyshuar të paraqitet në gjykatë apo prokurori kur të gjejë një një orar bosh në kalendarin e takimeve?

      LG,

      shteti nuk funksionon nëse të dyshuar për vrasje vazhdojnë i shërbejnë atdheut. Ata me siguri kështu mund të ruajnë ndërtesën e Kryeministrisë, që dikush të mos i vërë zjarrin, por kështu janë nëpërkëmbur institucionet e shteti shumë keq dhe dëmi i demokracisë është i pallogaritshëm.

  3. Ne nje vend me shtet ligjor “normal” ne rast te ketille -te vecante- kur objekti i hetimit eshte policia e ne kete rast koka drejtuese e saj, eshte normale qe hetimin nuk ‘mund’ ta beje policia-ne drejtim te vetvetes per aresye te konfliktit te interesit- por prokuroria qe presupozohet te jete organ i pavarur dhe duke u nisur se behet fjale per ngjarje te rende e quaj normale te jepet urdheri i arrestit per ata persona drejtues, te cilet ne momentin e pare te arrestit brenda 12 oreve te afatit te marrjes ne pyetje, e sqarojne veten e mund te mbrohen ne liri apo te lirohen fare nga hetimi.
    Qendrimi qe mban Berisha eshte tipike e ngercit nga ku nuk di se si te dale, sepse problemi i vertete mbetet korrupsioni ne shkalle te larte i pushtetit, e kjo ngjarje e lehteson shume Berishen ne spostimin e qendres se vemendjes.
    Fatkeqesa e popullit eshte se ne Shqiperi “demokracia” nuk polli demokrate, por pushtetare qe mbahen edhe tek fija e kashtes pas privilegjit te pasjes se pushtetit.
    Personalisht urrej qendrimin arrogant te Berishes, i cili eshte me paragjykimet e forta e komplekse, eshte karte e djegur qe para 13 vjetesh, por edhe krahu tjeter e ka treguar veten se sa per korrupsion nuk mbetet prapa (kujtoj bemat e kohes se Nanos).
    Per fat te keq per sa kohe te jete e sundoje psikoza berishiane e konceptimit te pushtetit, te tilla ngerçe do te kete perseri Shqiperia edhe pas largimit, dikur, te Berishes.
    Nuk di se kur do te vije ai brez qe politiken ta beje me kulture, me sensin pozitiv te demokracise, me njohjen e institucionit te doreheqjes.
    Shikoni se c’thote Ilir Meta lidhur me regjistrimin: ma beri Edi.
    Sikur nuk ishte ai ne video, sikur nuk ishte ai qe foli dhe dha udhezimet.
    Epo more burre, Edi te urdheroi ty kur po flisje dhe udhezoje Priftin – pyes une? Mos te dha Edi ndonje droge apo pije nga e cila e humbe kontrollin e gjykimin dhe fole percart me Priftin?
    Ma beri Edi – tha Meta dhe me kete eshte zgjidhur problemi i korrupsionit qe demaskon videon.
    Kesaj i thone ngopja sinjori!

  4. Po te njejtat fjale Saliu i perseriti sot ne ministrine e tankistit te vitit 1997 Arben Imami.

    Mund te them se junta ushtarake sot u kompletua me te gjitha armet edhepse ushtria eshte inegzistente me perjashtim te nja 200-300 bashibozukerve te Ben Saliut.

    Ben Saliu e ngirti ushtrine e tij. Tani e ka fjalen populli.

    Eshte e kote te kerkosh logjike ne fjalimet e tij tashme.

  5. Shpjegimet permblidhen ne nje pike: Garda nuk lihet pa komande ne situaten kur rendi kushtetues eshte i cenuar. Edhe Kodi i Procedures Penale e parashikon kete, dmth. per njerezit ne detyre.

    Sapo foli Ina Rama dhe tha qe personat per te cilet ka leshuar urdher-arreste jane te dyshuar, a nuk mundej qe keta te dyshuar Ina Rama t’i hetonte ne gjendje te lire? Nderkohe qe ne gjendje te lire po heton edhe ate shkodranin me pistolete ne shkallet e godines se KM gjate demonstrates se dhunshme.

    PARESORE SOT PER SOT ESHTE MBROJTJA E SHTETIT E RENDIT KUSHTETUES, garantimi i jetes dhe prones se qytetareve.

    Kush ka deshire te veje nen presion forcat e sigurise?

    Xh2, duke mos paragjykuar fare shqetesimin tend per ligjin e institucionet, po te bej vetem nje pyetje: Ke shkruar vetem per flete-arreste qe nuk kane asnje hetim te besueshem paraprak qe i justifikon, nderkohe qe nuk ke asnje shkronje ne kete blog per dhunen e shkaktuar te premten e shkuar ne demonstrate. A nuk ishte edhe ajo shkelje ligji? A nuk ishte edhe ajo nje shfaqje e opozites ne menyre antidemokratike? A nuk po tregohesh pak, po vetem pak ama i anshem?

    Berisha sot ka folur per pergatitje te tjera te veprimeve te dhunshme qe i kane ardhur nga sherbimet e huaja, ka cituar pergjime te drejtuesve te demonstrates se dhunshme ku dallohen si komandante banditesh, atehere a nuk mendoni se shqetesimi yne kryesor duhet te jete per dhunen?

  6. Xhaxha, me duket se Prokurorja e Pergjithshme ka nevoje urgjentisht per asistencen tuaj linguistike sepse po del e thote

    “Është folur për fletë-arreste, por janë urdhëra-ndalimi

    Per mua arrest dhe ndalim eshte i njejti koncept ne gjuhe te ndryshme.

    1. E ka drejte prokurori i pergjithshem, pasi termat jane ligjore, nuk i perdor ajo sipas deshires: arrest ne kushtet e flagrances; urdher ndalimi, qe ndermerren nga vete prokuroria dhe arrest me burg qe ne cilesine e mases se sigurise, vendoset me vendim gjykate.
      Sipas kodit te procedures penale, nuk jane te njejta keto nocione dhe te dy termat jane ligjore; behet fjale per dy koncepte te ndryshme dhe per pasoje, regjimi juridik duhet te jete i ndryshem.
      Ndonje penalist mund te te shpjegoje secilin prej tyre, nese je i interesuar.

      1. Shqetesimi im eshte linguistik e jo jurdik. Jam shume i ndergjegjshem qe juridikisht keto koncepte jane te ndryshme, ashtu sikunder jam shume i ndjeshem ne konfuzion qe sjell eksportimi i fjaleve te huaja ne mendjen e njerezve te thjeshte (qe s’i kuptojne dhe ulin koken se u duket vetja shume te trashe per te marre pjese ne punet e ‘te medhenjve’). Ekspertiza ime eshte ne finance dhe zallamahia linguistike ne Shqiperi ne kete lemi me llahtaris. Besoj se eshte me keq per shkencat juridike.

    1. MB, kam qene vete aty, prane z. Gjin qe provokonte policine dhe qe ekspozohet ne video si dikush qe mbante arme. Shume gazetare kane qene aty. Por Policine asnje nuk e ka akuzuar deri me tani, pervec faktit se pasi u shpernda turma u hyri njerezve qe gjente perpara si kafshe dhe ne menyre te pakuptime. Akuza qendron mbi Garden qe qellonte me arme po fare kot dhe pa lidhje, nderkohe qe njerezit qeshnin dhe i thoshin njeri-tjetrit: jane manovre. Terheqja e turmes behej permes kordonit policor te cilin askush nuk e godiste. Madje ne kohen kur turma u rrallua sepse u hoq edhe policia nga rrethimi mbrojtes. C’eshte kjo? Apo per t’i yshtur njerezit te hynin brenda per te goditur me arme dhe per te vrare ne kushte ligjore? Nuk ka nevoje per komente, aty ishin shume njerez, u pane te gjitha. U pa edhe ngjyra e vdekjes qe i kishte hipur atij qe rrinte brenda pa asnje informacion nga ShISh. Nuk ka nevoje ai per sherbimin ketu, ka kush e informon.

      1. O zotni, po flet perralla. Sapo eshte cenuar rende rendi kushtetues, duke tentuar ne menyre te organizuar te rrezojne nje qeveri legjitime.

        E kuptoni seriozitetin e situates apo jo?

        Garda dhe policia kane qene shume ne rregull, megjithe dhunen ndaj tyre kane vepruar ne menyre te matur dhe s’kane kaluar asnjehere kompetencat, kete po thote edhe punonjesi i policise me lart, ne dicka jo zyrtare, te parregulluar, po ashtu bruto.

        Tani po perseris ate qe tha E. Hasimja ne nje shkrim te tij te nesermen e protestes se dhunshme: Rama dhe te gjithe ju qe i shkoni prapa ketij njeriu, keni dy rruge, o kthehuni ne institucione dhe njihni legjitimitetin e qeverise, ose beni thirrje njerezve qe ju mbeshtesin per lufte civile. Fitofte me i forti.

        1. Ti Djale Metali ai Ere mali. Puna eshte te diskutohet sesi te bashkejetohet ne Shqiperi dhe jo te trashet zeri, sepse keta qe sot trashin zerin kur kane veshur uniforma, une i kam pare sesi derdhnin lot dhe luteshin per jeten edhe pse e quanin veten burra me bole. Por nuk eshte ky thelbi; jane vrare ne rruge 3 njerez, qe nuk ishin as rrugace, as terroriste dhe as kriminele. Jane vrare tre njerez ne mes te nje turme prej 100 njerezish, jashte gardhit te institucionit. Eshte qelluar me gure te bulevardit dhe eshte konfrontuar me policine sikunder ndodh ne cdo vend qe protestohet. Jane qelluar policet me cadra dhe me ristela tabelash. Mijera te tjere benin sehir. Ku eshte cenimi i rendit kushtetues ketu? Saliu kerkonte vrasje dhe kur nuk e gjeti e beri, vete. Ashtu sikurse tentoi te prishte vendin e ngjarjes, te negocionte me Prokurorine e Pergjithshem urdher-ndalimet e 6-es se Gardes me dy qitesat etj.
          Edhe njehere; protesta duhet te marre nje produkt politik, sidmos tani qe ka 3 viktima te qelluara edhe sipas Kryeministrit qe ti ndoshta nuk i shkon pas, po i hap rrugen me vrap. Kerkohet zgjidhje politike dhe ketu qendron maturia e nje drejtuesi. Perndryshe, shtrohet ceshtja e Shqiperise se nuk ja vlen te vihesh ne siklet per ca si Saliu dhe Ilir Meta.
          Sa per ate luften civile…me siguri qe brenda se djathtes ka me shume shqiptare sesa saliste. Te kerkoj te arsyetosh pak. Nese kete e quan grusht shteti, cfare eshte 14 shtatori 1998? Cfare? Mos fol nisur nga kronika e dites se kam qene vete nga fillimi deri ne fund. Respekto te pakten nje minimum logjike, per veten tende, jo per mua. Relfektimi mbi kete ngjarje ka vlere pse i jep edhe te djathtes nje perspektive politike, pa e burgosur ate tek emri i Saliut. Edhe njehere, sa per ate luften e Civile…e kupton shume mire ti qe nje minister Mbrojtjeje me dhembe te shkulur njehere mbaraz mbetet te shihet vetem si klloun qesharak qe nuk tremb njeri me ne Shqiperi. Nuk mund ta keni kete vend sipas optikes suaj vetem, do te duhet te degjoni te tjeret. Dhe natyrisht qe me i forti nuk eshte me budallai.

          1. E biseduam m’u ketu para protestes se Rama do te katandisej ne kete derexhe. Opozita politike, eshte kthyer ne opozite jo demokratike dhe violente. Politikisht tani kjo opozite keshtu perkufizohet.

            Pas dhunes, ku opozita u shfaq jo demokratike dhe tentoi rrezim me force te qeverise legjitime, Rama do ta kete te veshtire te rehabilitohet politikisht.

            Eshte lideri i nje opozite qe tentoi te merrte pushtetin me force.

            Sigurisht qe gjithe kjo dhune qe pa frike mund te quhet puc, e kerkon haracin politik dhe Rama ne muajt ne vijim ka per te qene ne pozite te veshtire, ashtu sikunder i ndodhi PD-se dhe Berishes pas gomarllekut te 98-es, qe nga nje zemerim i drejte rreshqiti ne sulm te dhunshem ndaj institucioneve.

            Dhuna ka qene e parapergatitur, eshte rrethuar dhe sulmuar KM per 5 ore rresht. Nje dhune spontane duhet te mbyllej brenda nje gjysme ore, ndersa ne kemi mbajtje nen rrethim e sulm te godines se KM me qellimin per te rrezuar qeverine.

            Gjithnje grupet puciste, qe kerkojne pushtetin me mjete force, sulmojne distriktin e ndertesave qeveritare.

            Njerezit qe u vrane jane barra qe ka Edi Rama mbi shpine. Po te protestohej paqesisht, brenda ligjeve nuk do te kishte viktima, por Rama ashtu sic paralajmeroi tentoi marrjen e pushtetit me dhune, ndryshe quhet edhe grusht shteti.

            Ata viktima te shkreta mund te jene vrare aksidentalisht, ashtu sic flet nga zemra ai punonjesi i policise me siper.

            Ne te majte ka njerez te mencur, te arsyeshem, nuk ka pse mbahet peng nga nje njeri qe kerkon pushtetin me cdo mjet dhe meqe eshte i semure pas karriges se kryeministrit (per te bere ate qe ka bere ne bashkine e Tiranes), atehere Rama edhe ju qe i shkoni pas, merrni edhe pergjegjesine e luftes civile, pasi kur t’i thoni te djathteve se nuk ju njohim voten, rruge tjeter nuk ka. Eshte pergjegjesi e madhe, teper e rrezikshme, nese ja u mban merreni persiper.

            Nga ana tjeter Berisha eshte ne te drejten e tij legjitime te mbroje institucionet qe i jane besuar nga shumica e shqiptareve. Eshte detyrim kushtetues per te dhe gjithe zyrtaret e shtetit. Te njejten gje do te bente edhe Obama nese ata perkrahesit e Tea Party qe u mblodhen me qindra mijera ne Washington, te tentonin te merrnin WH me force. Prandaj edhe mbeshtetja nderkombetare nuk i ka munguar.

            1. Zoteri kot qe flasim. Ketu nuk po flitet se cilat ishin qellimet politike te Edi Rames apo te tjetrit. Ketu eshte puna te diskutohet mbi faktin se u vrane 3 njerez dhe kush i vrau. U VRANE. Dhe ky fakt ka ripermasuar realitetin politik. Dhe u vrane nga forcat e shtetit qe nuk ndodheshin nen kercenim te tille sa te kalonin ne nje veprim kaq ekstrem. Ky eshte fakti, te tjerat jane analiza politike dhe shpelarje trush te pakuptimta. U vrane o zoteri 3 njerez ne rruge, u vrane 3 te keputur qe nga kryeministri legjitim u quajten trafikante, kriminele dhe terroriste. Saliu kerkoi te shkonte per mort te i ndjeri Deda qe u varros ne Laknas te Tiranes. Iu refuzua kerkesa qe kam te drejte ta konsideroj si nje loje te piste politike. Iu refuzua dhe sipas metrit te gjykimit te tij, dera ne mort nuk i hapet vetem Hasmit. Kryeministri legjitim mund te kerkonte shume mire te vizitonte edhe familjet e Ziverit ne Gjirokaster apo Myrtajt ne Fier. Por jo, jane shume larg ato per legjitimitetin e tij dhe shume te padeshiruara per zakonin e varrimit.
              Keto dite, gazetat dhe televizonet, keto mjedise te domosdoshme te shurrosjes politike, por edhe njerez te cquar, intelektuale me nder teje, kane referuar ndihmen e komunitetit nderkombetar, imazhin e keq te Shqiperise. Mbetem rrugeve si legena, na u be komuniteti nderkombetar si dashnoret e virgjera qe u mbetet qejfi edhe per 2 minuta vonese. Kemi harruar te themi dhe te apelojme ulje tonesh se keshtu behet me e mire jeta jone pa le te thone c’te duan bushtrat e Evropes.
              21 janari 2011 ka te miren se i dha Histori nje kryeqyteti me adresar kioskash, ngushticash dhe kthesash gjithfare. I dha adrese te sakte qeverise se Sali Berishes; ne dere te tij vrau 3 njerez. Kete nuk e mohon dot njeri.

        2. “Sapo eshte cenuar rende rendi kushtetues, duke tentuar ne menyre te organizuar te rrezojne nje qeveri legjitime.”
          Or Zotni, arë “rendin kushtetues”, ta sulmoi ndonjë forcë e armatosur? Ta sulmoi ndonjë grup ushtarak? Ta sulmoi ndonjë i huaj?
          Juve jeni aq debila, saqë edhe atë që Rama e deklaron si protestë paqësore, juve kërkoni ta reklamoni si “grusht shteti”… ku, meqë nuk egzistojnë premisat për t’u konsideruar grusht shteti, i ngelet që të jetë, ashtu siç është në të vërtetetë, një revoltë popullore.
          Ç’dreqin e zgjat me militantizmin tënd idiot për të mbrojtur të pambrojtshmen?!
          NUK mund të pretendosh të jesh një qeveri demokratike nëse bëhesh subjek i revoltave popullore.

  7. ”’çka do të thotë se kryeministri tani mendon se Prokuroria e Tiranës (ose Prokuroria e Përgjithshme, nuk kuptohet se cila pikërisht) janë palë në “grushtin e shtetit” të nisur të premten – akuzë që, edhe e vetme, do të mjaftonte për të hapur një krizë institucionale madhore.”’

    Kete e tha Majlinda ne deklaraten per shtyp te grupit parlamentar te PD-se qe para 2 ditesh.

    Sala s’po dinte ça emri ti vinte vrasjeve te veta, ne date 21, tha i kane vrare njerezit e Rames me pistolete, kur gjithe bota pa qe filmimet jepnin vrasje e plagosje nga kryeministria dhe qe ne mengjes mbine flete-arrestet, u kap tek grushti i shtetit.
    Po kur ka grusht shteti qe per me teper s’ka mbaruar, ka edhe shpallje te gjendjes se jashtezakonshme, ka arrestime te krereve te grushtit te shtetit etj etj, kurse ky s’ka bere asnje nga keto, çka e ben te qarte natyren propagandistike e kercenuese, te konceptit te grushtit te shtetit.

    Ai u flet pedeisteve per mbeshtetje, pedeistet e zgjuar dhe te ndershem, nuk e hane kete budallek qe nuk shtyhet as me vaj e as me uthull, por PD-ja ka edhe idiote, ka edhe njerez me interesa ekonomike, ka edhe maskarenj.
    Idiotet do e hane, se i besojne Sales me shume se syve e mendjes se tyre, kot s’jane idiote, ata qe kane interesa ekonomike do bejne sikur do e hane, do bejne gerr-verr mbi çdo qe do sugjeroje Sala, kurse maskarenjte si e thote vete fjala i jane vene punes ta bejne te zezen te bardhe (keta, qe i ka çdo parti, jane kategoria me e ndyre).

    Persa i perket krizes institucionale, kesaj i thone 2 dele 300 pare, sepse vendi ka 18 muaj ne krize institucionale, pasi per nga menyra si eshte strukturuar shteti, primati i padyshimte i parlamentit ben qe kur ky eshte ne krize, vetvetiu gjithe struktura shteterore te jete ne krize.

    Kriza vetem sa eshte thelluar, po perplasjet Berishe- Prokurori ashtu si edhe Berishe-Gjykate Kushtetuese, jane njefaresoj ‘normale’, nuk jane keto qe e futin shtetin ne krize institucionale, shkaktari eshte parlamenti, per shkak te primatit brenda stuktures shteterore.

    Kriza institucionale eshte thelluar,jo per shkak te formaliteteve te perplasjes Prokurori-Berishe por sepse Ekzekutivi ka ekzekutuar Sovranin.

    Kemi Sali Berishen qe po i merr pushtetin Sovranit, qe po thote shteti jam une, kriza institucionale ka rrenje ontologjike/qenesore, eshte vene ne pikepyetje pushteti ontologjiko-politik i sovranit.
    Sovrani perballe kesaj humbjeje te pushtetit, nuk mund ti drejtohet asnje institucioni, pasi ato e humben legjitimitetin qe ne çastin kur Sali Berisha qelloi mbi Sovranin, ky i fundit prej 3 ditesh ka vetem 2 rruge:

    1- te pranoje humbjen e pushtetit
    2- te ngrihet ne kembe e t’ja rimarre pushtetin Sali Berishes dhe krimineleve qe e rrethojne.

    Ajo perfaqesi e Sovranit qe e do pushtetin si pjese integrale e te qenit Sovran, duhet te ngrihet ne kembe, pjesa tjeter qe pranon humbjen e pushtetit, le te beje haje bar, kopete e buajve kane disa buaj qe u dalin para kafsheve mishngrenese dhe pjesa tjeter qe ha bar.
    Ata buaj qe u dalin para mishngrenesve mund edhe te kafshohen, po kur u ndane ato rane, eshte imperativi i tyre kategorik, keshtu edhe ajo pjese e Sovranit qe njeh si imperativ kategorik rrezimin e Sales nuk ka asnjelloj alternative perpos rrezimit te Sales me çdo mjet.

  8. ”’atehere Rama edhe ju qe i shkoni pas, merrni edhe pergjegjesine e luftes civile, pasi kur t’i thoni te djathteve se nuk ju njohim voten, rruge tjeter nuk ka. Eshte pergjegjesi e madhe, teper e rrezikshme, nese ja u mban merreni persiper.”’

    Ashtu posi, po pa me thuaj, kush do luftoje per Salen, gerdecari apo ai shkodrani qe shkon ne wc me varke ?
    S’ka asnje lufte civile, ka nje grup banditesh e kriminelesh qe duhen spastruar, s’ka asnje te djathte e asnje te majte, ka popull te egersuar dhe bandite te egersuar e s’mbahen shqiptaret zap nga nje grush banditesh me uniforma dhe kollare.

    Meqe jemi tek shqiptare te egersuar, te enjten, para ambasades shqiptare ne Rome, do kete nje manifestim kunder banditeve me uniforme dhe kollare, shpresoj qe te kete sukses edhe pse eshte dite pune e ai qe ka marre lejen ne kuesture eshte burre hajvan (po shqiptaret dine te vene ne krye vetem hajvane).
    Shpresoj edhe qe nisma te tilla te jene duke u ndermarre edhe ne Greqi e SHBA.

    1. Fort i dashtun Hyllin, dhuna, me gjase sjell edhe degradim ne mendim e vizion. Ndoshta po gjykoj ceket po kjo me rezulton kur shikoj qe gazetat e Rames, si ushqim propagandistik per turmen e uritur dhe te zhgenjyer socialiste (nominal gjithmone ky emertim), ka gjetur supen filozofike te Maos e ndonje tjetri, qe serviret me pak qepe shqiptare nga lulat e vocerr te tipit Agon Hamza e ndonje kanan.

      Mjerim ideologjik e filozofik per PS-ne e Edit.

      Tek e fundit keta jane me te respektueshem, ne syte e mi gjithmone, pasi keta thelle ne shpirt duan nje revolucion qe te c’rrenjose sistemin shfrytezues kapitalist, ndersa puci nuk ndryshon sistemin, por vetem njerezit ne ofiqet e shtetit.

      Ekstremet puqen.

      Tungat!

  9. perseri Ambasadori Arvizu pa komente

    Ambasada Sh.B.A,Tiranë, Shqipëri

    Për shpërndarje të menjëhershme 25 janar, 2011

    Ambasadori i Sh.B.A. Alexander A. Arvizu

    Tekst i Konferencës për Shtyp

    Mirëdita.

    Që Shqipëria të funksionojë në mënyrë të efektshme si demokraci, është absolutisht e domosdoshme që institucionet e pavarura, sidomos ato të ngarkuara me mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, ruajtjen e sundimit të ligjit, dhe kryerjen e drejtësisë të lejohen të funksionojnë pa ndërhyrje apo kërcënime nga çdo anë, qoftë kjo qeveri, opozita apo tjetër. Dje pasdite, gjatë konferencës për shtyp në Prokurorinë e Përgjithshme, vura në dukje mbështetjen e plotë dhe tërësore të Shteteve të Bashkuara për atë institucion.

    Shtetet e Bashkuara besojnë se është me rëndësi kritike që të zhvillohet një hetim i besueshëm dhe i gjithanshëm mbi ngjarjet e 21 janarit. Në përgjigje të kërkesës së Prokurores së Përgjithshme për ndihmë teknike nga SHBA për të ndihmuar hetimin e saj, kam kënaqësinë të raportoj që përgjigja jonë është e favorshme. Në ditët dhe javët që vijnë do të punojmë me Prokurorinë e Përgjithshme në përpjekje për të dhënë sa më shumë ndihmë që të jetë e mundur. E kuptojmë që njerëzit duan shpejt përgjigje për pyetjet e tyre. Ndaj, i kërkoj cilitdo që të rezervojë dhënien e gjykimeve deri në kohën kur të dalin në dritë më shumë fakte. Kam këto fjalë për cilindo: lejoni hetuesit të kryejnë punën e tyre. Përpjekja për ta bërë këtë në media nuk i shërben askujt.

    Dje, u ftova për drekë nga Kryeministri Berisha. Gjatë bisedës sonë mbi situatën aktuale, i kërkova të merrte në konsideratë anulimin e tubimit të Partisë Demokratike të planifikuar për këtë të shtunë. I shpreha gjithashtu që isha i shqetësuar mbi retorikën e ndezur politike nga të gjitha anët dhe kërkova që ai të bënte pjesën e tij për ta ulur atë. Dje në mbrëmje, Z. Filip Gordon, Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Europiane, i telefonoi Kryeministrit për t’i shprehur shqetësimet tona. Shtetet e Bashkuara përgëzojnë vendimin e Kryeministrit për ta anuluar tubimin. Ishte një vendim prej burri shteti dhe gjëja e duhur. Para pak fola me Kryeministrin për t’ia shprehur këtë.

    Dje në mbrëmje, kalova thuajse 100 minuta me kryetarin e opozitës. I shpreha pikëpamjen që dhuna e mëtejshme nuk do të ndihmojë Shqipërinë për të luftuar korrupsionin apo për të çuar përpara aspiratat e popullit shqiptar. I kërkova Z. Rama të merrte në konsideratë anulimin e tubimit të opozitës që është planifikuar për të premten. Më vonë në mbrëmje, Z. Gordon i telefonoi kreut të opozitës dhe folën për afro 30 minuta. Edhe Z. Gordon theksoi shqetësimin e tij për potencialin për dhunë dhe i kërkoi Z. Rama të anulonte demonstratën.

    E gjej jashtëzakonisht për të ardhur keq që Z. Rama është shprehur se ka në plan ta kryejë tubimin ditën e premte. E nxis me forcë që ta rishikojë pozicionin e tij.

    Shtetet e Bashkuara nuk marrin anën e asnjërës palë. Ne jemi në anën e popullit shqiptar. Mbështesim institucionet demokratike të Shqipërisë. Nevojitet që edhe udhëheqësit politikë shqiptarë të bëjnë të njëjtën gjë.

    Dje në mëngjes, dola jo larg kryeqytetit në bazën ushtarake të Zallherrit, ku Ministri i Mbrojtjes Imami drejtoi një ceremoni nisjeje për 45 trupa të forcave speciale shqiptare që do të vendosen në Afganistan. Emri i grupit të tyre është Shqiponja Dy. Siç mund të merret me mend nga emri, ekziston edhe Shqiponja Një, e cila është në Afganistan prej kohësh. Shqiponja Dy po shkon në Afganistan për të mbështetur misionin e NATO-s që përpiqet të sjellë paqe dhe stabilitet në atë vend të trazuar. Shqipëria është anëtare e Aleancës Atlantike e prandaj është pjesë e këtij misioni. Kur të arrijnë atje, do të vendosen përkrah ushtarëve amerikanë në jug të Afganistanit, në Kandahar. Ata po shkojnë për të zëvendësuar kontigjentin e parë shqiptar që mbërriti atje në gusht, i cili është lavdëruar nga Komando e Shteteve të Bashkuara për profesionalizmin dhe disiplinën e tyre. Pas ceremonisë, pata mundësinë të takohesha me disa prej këtyre ushtarëve të zotë e të përkushtuar. U shtrëngova duart dhe secilit i shpreha të njëjtën gjë: “Faleminderit për shërbimin tuaj. Dhe ju uroj siguri.” Më pas, u takova edhe me disa anëtarë të familjeve të ushtarëve. Mund të dalloja tek ata njëfarë ankthi, çka është e kuptueshme. Por më shumë se çdo gjë, mund të ndjeja krenarinë e tyre të pamatë. Dhe duhet të ndihen krenarë. Këta të rinj po i shërbejnë vendit të tyre me nder dhe po shquhen. U kërkoj të gjithë shqiptarëve që të marrin një çast sot – vetëm një çast, sot – për t’u lutur për sigurinë e tyre dhe të mendojnë mbi sakrificën që po bëjnë.

    Me këtë ka të bëjë Shqipëria e vërtetë – dhënia e kontributeve dhe si ta bëjmë botën një vend më të mirë – dhe jo vetëm në vende të largëta si Afganistavi, por këtu, në shtëpinë tuaj, në Shqipëri. Shqiptarët kanë fituar të drejtën për të ndjekur aspiratat e tyre – uroj që vendi do të vazhdojë të ecë përpara kësaj rruge, duke punuar së bashku, duke gjetur një mënyrë për të punuar së bashku e tejkaluar diferencat, përfshirë edhe diferencat e fundit politike.

    Kam thënë shumë ditët e fundit dhe nuk jam i sigurt sa ka ende për të thënë por mund t’iu përgjigjem një apo dy pyetjeve tuaja.

    Planet TV: Ju keni zhvilluar takime me shumë udhëheqës politikë. Sa larg një kompromisi mendoni se janë?

    Ambasadori Arvizu: Duhet të punojmë bashkë për të gjetur një mënyrë që të kthehemi tek 20 janari. Është e qartë që dallimet mes palëve janë mjaft serioze. Por, në anglisht kemi një shprehje – aty ku ka vullnet, gjendet zgjidhja. Pra, njerëzit duhet vetëm ta kenë atë vullnet.

    Top Channel: A janë zgjedhjet e parakohshme një zgjidhje?

    Ambasadori Arvizu: Kjo është diçka që duhet ta vendosin palët. Zgjedhjet demokratike janë mënyra në të cilën shoqëritë demokratike zgjedhin qeveritë e tyre, zgjedhin udhëheqësit e tyre. Zgjedhjet vendore janë planifikuar për në maj të këtij viti. Zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme janë planifikuar për në vitin 2013. Mua më duket se nëse ka një mekanizëm kushtetues, nëse Kushtetuta i parashikon zgjedhjet e parakohshme dhe, nëse palët bien dakord, pse jo. Por kyçi është që duhet të jetë diçka kushtetuese dhe të gjitha palët duhet të bien dakord me një gjë të tillë.

    Ju faleminderit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin