REKUIZITË

Kjo foto nxjerrë nga një diaporama që solli këtu Politicus më duket se meriton të komentohet hollësisht.

Dy turma janë vënë përballë njëra-tjetrës, si ushtritë në lashtësi; atëherë armët e ftohta i impononte teknologjia, tani i sugjeron etiketa e kontrollit publik.

Shkopinj, mburoja, kaska, maska, tarogza, ombrella të thyera, banderola të rëna përdhé, si bajrakët luftarakë të qëmotit.

Dy turma – të ngjashme në përbërjen e tyre, por sa të ngjashme aq edhe të ndryshme. Policia është turmë e disiplinuar, që i bindet një komande dhe një urdhri; turma tjetër, e protestuesve, i bindet një dëshire difuze, ndoshta të paartikulueshme me fjalë; dëshirës për të kaluar përtej, ose për ta kapërcyer murin e pancirëve blu.

Nuk duhen homologuar në analizat që bëjmë; sikurse nuk duhet të humbim kohë, për të gjetur se kush “e filloi” dhunën. Vetë konfigurimi i njerëzve në bulevard tregon se njëra palë, policia, është aty për të mbrojtur, ndërsa pala tjetër për të sulmuar.

Fotoja tregon edhe se një akt i betejës urbane është konsumuar tashmë; përdhé, në trotuar, ka ombrella me gjunjë të thyera, parrulla të gjymtuara, dërrasa të shqepura, disa edhe të shtypura nën këpucët e lustruara të policëve. Në Tiranë ka qenë ditë me shi, çka shpjegon edhe protagonizmin e habitshëm të ombrellave në imazhet.

Kjo orendi kaq civile, qytetëse dhe paqësore sot përfundoi e improvizuar si armë, krahas ulërimës, gurit dhe të tjerave mjete primordiale.

Të vërehen edhe kamerat, që ngrenë kokat kureshtare prej struci mbi arën me bostan të turmës – për të fiksuar imazhe si ky, me të cilat do të ushqehet diskursi, ose më mirë zallahia e mbrëmjes.

Dashur pa dashur, kamerat e shndërrojnë skenën në spektakël; duke i dhënë kuptim dhe qëllim tjetër përplasjes – në mos skenë baleti, të paktën fushë e një sporti të ashpër por burrëror, mes një skuadre me uniformë të rregullt, të stërvitur mirë dhe të sigurt për fitore dhe një tjetre, të sajuar në çast, me djem të lagjes ose ushtarë të liruar.

Të njëjtat duar që ngrenë shkopin për të goditur, ngrenë edhe kamerën për të filmuar. Nuk di nëse të parat apo të dytat i shkaktojnë më shumë dëm viktimës.

Pa përmendur pastaj se edhe vetë shkopinjtë, në duart e protestuesve, shërbenin deri pak më parë për të ngritur, gjithnjë mbi masën e njerëzve, mesazhet e pankartave – ose për të bërë të dukshme arsyen e protestës.

Vëreni më në fund edhe mishërimin e ndryshëm të dhunës në të dy krahët: turma e shfaq atë haptazi, kërcënueshëm, në gjestikulacion dhe në shprehjet e fytyrave – kjo është dhuna butaforike, e pasigurt e një mase civilësh, të cilët as vetë nuk e dinë si u gjendën aty, ballë për ballë me pretorianët e shtetit; përkundrazi, falanga blu e policëve është dhunë e përmbajtur, e sublimuar në disiplinë, e ftohtë, e rregulluar me ligj.

Më një anë ombrellat, dërrasat, gurët e shkulur nga trotuari, shkrepëset; më anë tjetër pajisjet e dhuruara nga BE-ja, plestiglasi dhe goma, gazi lotsjellës, uji me presion.

Më një anë improvizimi, më anë tjetër profesionalizmi.

Historia e protestës së sotme mund të shkruhej, tek e fundit, edhe nëpërmjet një inventarizimi të mbeturinave lënë për t’u pastruar në bulevard – pa harruar këtu edhe gjakun e derdhur, që kushedi si do ta lajnë.

Nuk ka komente

  1. Përleshjet e policisë me demonstruesit janë pjesë e një lloj koreografie urbane, e cila dikur bëhet e zakonshme në jetën e një metropoli. Policë që rrihen me demonstrues, apo demonstrues që rrihen me policë janë gjëra fatkeqësisht të zakonshme, që ndodhin përditë edhe kudo tjetër; që kjo ndodh sot edhe në Tiranë, tregon se qyteti po zhvillohet normalisht.

    Ajo që nuk është normale diku tjetër (e kam fjalën për botën e civilizuar) është që dhuna të jetë e cytur nga dhuna verbale (por jo vetëm kjo) e buruar nga pushtetmbajtësit apo udhëhequesit e oppozitës.

    Duhet të jesh tuahaf të mos e kesh dalluar, se dhuna dje në Tiranë e ka origjinën në dhunën verbale të kryeministrit Sali Berisha.

    Duhet të jesh të paktën tuhaf të mos dallosh se dhuna verbale e Berishës (dhe jo vetëm kjo) buron nga dhuna potenciale e shtetit të Diktaturës së Proletariatit dhe nga ideologjia sunduese e asaj periudhe.

    Berisha e shikon marrëdhënien e pozitës me opozitën si një kontradiktë antagoniste, e cila zgjidhet vetëm me asgjësimin fizik të njërës palë. Materializmi Historik i deformuar në shërbim të diktaturës së Enver Hoxhës është i vetmi sqarim politik i atij njeriu, i cili e kushtëzon në çdo hap që ai ndërmerr sot politikisht publikisht.

    Megjithatë, pavarësisht ikonografinë urbane të protestës, simetrinë boshtore të saj, vijën e frontit midis palëve në konflikt ndarë aq pastër si vija e flokëve e një beqari korçar të staxhionuar galant i shkollës së vjetër, ja edhe një pamje tjetër, fatkeqësisht konkrete e dhunës politike, që nuk ndodh në botën e civilizuar:

  2. xha xhai: Vëreni më në fund edhe mishërimin e ndryshëm të dhunës në të dy krahët: turma e shfaq atë haptazi, kërcënueshëm, në gjestikulacion dhe në shprehjet e fytyrave – kjo është dhuna butaforike, e pasigurt e një mase civilësh, të cilët as vetë nuk e dinë si u gjendën aty, ballë për ballë me pretorianët e shtetit; përkundrazi, falanga blu e policëve është dhunë e përmbajtur, e sublimuar në disiplinë, e ftohtë, e rregulluar me ligj.

    Cfare po komenton xha xha ? Ndonje pikture si, bie fjala”Guernika” e Picaso-s,kompozimin, ngjyrat,simboliken e kuajve dhe demave apo sekuencat nga nje ngjarjeje e cila eshte produkt i dinamikes dhe dialektikes se teatrit politik te pakten prej nje viti e gjysem?
    Kur Picaso-s ju kerkua te jepte nje shpjegim per domethenien simbolike te tablos , pergjigjia ishte “this bull is a bull and this horse is a horse..” Pergjigje e ndershme sepse , tek e fundit, autori tashme ka folur me penel,kurse interpretimet jane te hapura dhe diverse.
    Ndersa ti xha xha ,kam pershtypjen se nuk je i ndershem me pozicionin qe meton te marresh.Barasdistanca e pretenduar komprementohen kur estetizon “dhunen e disiplinuar,te tohte dhe profesionale” te shtetit perballe “dhunes butaforike ” te turmes . Po,shteti keshtu eshte, “me i ftohti perbindesh nga te gjithe perbindshat” dhe turma po keshtu eshte, kaotike, kur trajtohet si turme nga ata qe kane marre persiper ti sherbehen si popull.Dhe kujdes xha-xha , kur inventarizon/magazinon rekuiziten ,me shume vemendje per gjakun e derdhur ne skenen e teatrit .Nje detaj eshte tek e fundit.Rendesi ka estetika!

      1. Ate besoj edhe une, se Spiritus nuk te ka kuptuar. Disiplina perballe kaosit implikon pergjegjesi perballe papergjegjesise. Une te pakten keshtu e lexova, madje mu duk shume i vlefshem ky interpretimi qe bere, Xhaxha, pikerisht sepse edhe pa e bere eksplicite, ky interpretim i kesaj fotografise artikulon pergjegjesite.

        1. Natyrisht; madje shtysa për këtë shkrim u bë një prirje, rreth e rrotull, për ta trajtuar policinë dhe turmën e protestuesve si specie të njëjta.

  3. ja dhe kendveshtrimi i ambasadorit amerikan pa komente

    Tekst i Konferencës për Shtyp nga Ambasadori i SHBA Aleksandër Arvizu

    Më lejoni të filloj duke thënë që jam thellësisht i trishtuar dhe i shqetësuar që disa persona
    vdiqën gjatë trazirave të djeshme. Dua të shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të tyre.
    U trishtova gjithashtu kur mësova që shumë të tjerë – protestues, oficerë policie, dhe ndoshta kalimtarë të pafajshëm – u lënduan, disa prej tyre rëndë. Shpresoj vërtet që do të shërohen shpejt dhe plotësisht.

    Dita e djeshme ishte një ditë e tmerrshme për Shqipërinë. E di që shqiptarët anembanë vendit janë tejet të trazuar nga ngjarjet e djeshme. Të njëjtën gjë mund të them edhe për popullin e Shteteve të Bashkuara dhe tjetërkund, të cilët dëshirojnë më të mirën për Shqipërinë dhe popullin e saj shumë punëtor dhe që ka punuar aq shumë për të çuar përpara vendin gjatë 20 viteve të fundit.

    E djeshmja ka një të vërtetë të sigurt lidhur me ditën e djeshme dhe që është e rendësishme ta kuptojnë të gjithë. Nuk pati fitimtarë. Pati vetëm të humbur. Ishte një zmbrapsje dramatike të cilën vendi duhet ta kapërcejë. Dje bisedova me Kryeministrin Berisha, Kryebashkiakun Rama, Ministrin e Brendshëm Basha dhe Ministrin e Jashtëm Haxhinasto dhe ua përcolla këtë mesazh të dyve dhe i nxita të bëjnë çmos për të shmangur dhunë të mëtejshme.

    Është jashtëzakonisht për të ardhur keq që thirrjet tona që protestat e djeshme të ishin paqësore – thirrje që gjetën jehonë tek shumë njerëz si në Shqipëri ashtu edhe jashtë saj – nuk u dëgjuan. Siç e kemi thënë shumë herë, e drejta për t’u tubuar lirisht vjen me përgjegjësinë për të bërë gjithçka për t’u siguruar që të jetë paqësore. Dhuna së cilës i ishim dëshmitarë dje nuk ishte e nevojshme. As nuk ishte e pashmangshme. Mund të ishte shmangur. Duhet parandaluar që të mos ndodhë përsëri, për hir të të gjithë shqiptarëve.

    Disa kanë përshkruar si temë kryesore të demonstratave si protesta kundër korrupsionit të
    zyrtarëve. Askush nuk e vë në diskutim ndikimin gërryes të korrupsionit në Shqipëri. Duhet bërë përparim në luftën kundër korrupsionit në mënyrë që Shqipëria të realizojë potencialin e saj të plotë. Dhuna në rrugët e kryeqytetit apo tjetërkund në Shqipëri nuk do ta zgjidhë problemin e korrupsionit në Shqipëri.

    Në këtë moment, Shqipëria ka nevojë të dëshpëruar për udhëheqësi politike. Kemi nxitur
    vazhdimisht udhëheqësit politikë të Shqipërisë që të gjejnë rrugë për kompromis. Kur njëra
    palë – apo të dyja – këmbëngulin në pozicione maksimaliste që dihet që pala tjetër nuk mund t’i pranojë, më vjen keq, por ky nuk quhet kompromis. Zgjidhja e mosmarrëveshjeve politike me anë të betejave në rrugë nuk është kompromis dhe nuk pasqyron aspiratat demokratike të Shqiptarëve.

    Është koha për të marrë frymë thellë, për të riparuar dëmet dhe të nisim procesin e rimëkëmbjes. Për ngjarjet e djeshme duhet të dalin përgjegjës, përfshi një hetim të besueshëm mbi mundësinë se ka pasur përdorim të tepërt të forcës. Megjithatë, i nxis njerëzit të mos hidhen në përfundime por përkundrazi t’u japin prokurorëve e të tjerëve kohë të mjaftueshme për të çuar deri në fund hetimet e tyre. Është koha për të hequr dorë nga provokime të mëtejshme. Është koha për t’i dhënë fund inkriminimeve dhe sharjeve të ndërsjella. Ka nevojë që të gjitha palët të tregojnë përmbajtje. Mbi të gjitha, është koha për t’i dhënë fund dhunës.

    Është koha që udhëheqësit politikë – në fakt, të gjithë shqiptarët e përgjegjshëm – t’ua
    ripërkushtojnë veten shërbimit për vendin dhe interesat e qytetarëve të tij. E them këtë si mik dhe mbështetës i popullit shqiptar.

    Tani kam kohë për t’iu përgjigjur disa prej pyetjeve tuaja.

    Panorama: Mesazhi juaj ishte shumë i drejtpërdrejtë dhe një gjë të tillë nuk e kishim parë prej vitesh nga Ambasada e SHBA. Folët edhe mbi përgjegjësitë dhe mundësinë për shmangien e dhunës. Megjithatë, për nesër janë lajmëruar protesta të tjera. Jeni i shqetësuar se mund të tejkalohet një situatë normale?

    Ambasadori Arvizu: Kemi nxitur vazhdimisht për qetësi dhe vetëpërmbajtje dhe që tubimet të jenë paqësore. Tubimi i djeshëm nuk ishte paqësor. Kishte mijëra njerëz në rrugë dhe shumica dërrmuese e tyre, nga sa mund të shikoja, arritën me mjete dhe qëllime paqësore. Por, ishte një grusht i vogël personash që arritën me një axhendë tjetër. Për këtë, nuk ka dyshim. Për këtë pati edhe raportime nga dëshmitarë okularë të besueshëm. Duke pasur këtë në mend, po, jam shumë i shqetësuar mbi mundësinë për ndonjë demonstratë tjetër. Kjo nuk është kohë për të tjera demonstrata në rrugë.

    Top Channel: Në fakt, para se të vinim në situatën e djeshme, ka pasur mbi një vit e gjysmë, prej zgjedhjeve të 28 qershorit, me bisedime midis palëve dhe këto dështuan. Bashkësia ndërkombëtare shpesh ka bërë thirrje për qetësi e dialog mirëpo nuk u gjet kurrë një emërues i përbashkët apo kompromis dhe gjërat arritën tek situata e djeshme. A ndjen bashkësia ndërkombëtare ndonjë përgjegjësi për dështimin e këtyre bisedimeve?

    Ambasadori Arvizu: Është me rëndësi të mbahet parasysh që Shqipëria është një vend
    demokratik dhe një vend anëtar i NATOs. Shqipëria ka përparuar shumë. Shqipëria i ka
    institucionet demokratike; mund të mos jenë të përsosura, në fakt, ka vend për përmirësime.
    Por, strukturat demokratike ekzistojnë dhe u duhet dhënë mundësia të kryejnë detyrën dhe
    të funksionojnë. Në fjalët e mia më parë, kishte më shumë hollësi se sa zakonisht lidhur me
    ç’nënkuptojmë me kompromis. Kompromis dhe negociatë nënkupton që duhet të heqësh dorë
    nga diçka, edhe kur beson se është e drejtë. Sigurisht, u përmbahesh parimeve të tua, asaj që e quajmë, kufiri që nuk kalohet, që është i vështirë të negociohet. Por, kjo nuk do të thotë marrje e pozicioneve maksimaliste dhe mostërheqje prej tyre. Këtë dua të them me gjetje të një emëruesi të përbashkët.

    TV Klan: Thatë se kishit folur me dy udhëheqësit kryesorë politikë, Kryeministrin Berisha dhe
    Z. Rama. Ka qenë bisedë thjesht diskrete apo kishte diçka më shumë?

    Ambasadori Arvizu: Sigurisht, nuk mund të futem në hollësi, por këta janë dy njerëz shumë
    të rëndësishëm. Janë dy njerëzit më të rëndësishëm të vendit. Ndava me ta atë mendoj se ishte pikëpamja ime më e sinqertë dhe ata më bënë shumë të qartë pozicionet e tyre. Jam i sigurt që do të shohin regjistrimet e kësaj konference për shtyp dhe shpresoj që do ta dëgjojnë frymën e asaj që kam thënë – si një mik i Shqipërisë që flet me shqetësim mbi situatën këtu.

    Shekulli: Gjatë ngjarjes së djeshme, pati sulme kundër gazetarëve dhe operatorëve. Keni ndonjë koment mbi këtë?

    Ambasadori Arvizu: Siç bëra të ditur, u trishtova thellësisht për lëndimin e cilitdo, si protestues të pafajshëm, si oficerë policie, kalimtarë të pafajshëm, dhe sigurisht edhe gazetarëve. Në të gjithë botën, është e rendësishme në shoqëritë e lira, që gazetarët të kenë akses dhe ata shpesh gjenden përpara rreziqeve.

    Vizion+: Z. Ambasador, thatë se nuk pati as fitues dhe as humbës. Po të bënim një krahasim, është si të thuash, sot është ditë e vrenjtur. Mund të na thoni kush është më shumë përgjegjës për ngjarjet e djeshme?

    Ambasadori Arvizu: Nëse më lejoni të jem i drejtpërdrejtë – mendoj se ka boll faj për të gjithë. Por, nuk dua ta mbyll me nota negative. Siç e thashë, është koha për të marrë frymë thellë dhe për të menduar seriozisht mbi procesin e rikuperimit. Edhe një herë, shpreh ngushëllime të sinqerta për humbjen e jetëve dhe lutjet e mia të sinqerta janë për shërimin e atyre që u lënduan në demonstratë.

    1. I dashur politicus, do te deshiroja shume, nese mundesh, te beje nje koment rreth shperblimit qe u ofroi kryeministri (nepermjet zedheneses se qeverise znj. Mehilli) gardisteve, pak ore pasi prokuroria kishte leshuar urdher arrestet per drejtuesit e tyre, qe akuzohen per shperdorim detyre.
      Cfare qe ky: sinjal i dhene prokurorise; provokim i turmave; apo thjesht, si perhere, primitivizmi i nje njeriu qe nuk ka asgje te perbashket me demokracine?

      Nuk di a nuhat ti qe ndoshta e njeh me mire gjendjen, por vjen ere ’97!

      1. Une kam mendimin te denohen TE GJITHE ata qe kane shkelur ligjin ate pasdite (perpara Berisha me Ramen sipas pergjegjesive perkatese dhe pastaj te tjeret nese e kane shkelur ligjin). Po ashtu mendoj se denimi i gardisteve qe provohen fajtore nuk zgjidh asgje, po asgje fare. Kjo farsa e moralisteve hipokrite me trishton per gjendjen gati me teper se sa e premtja pasdite. Shtjellimin ta ka dhene idashur ne nje koment te meparshem, te cilin te sugjeroj ta lexosh me shume kujdes. Ndersa per pergjegjesite une per vete edhe per ca kohe do i besoj me shume ambasades amerikane se sa mediave (klani i pari qe te mos te ngelet peng). Ti bej si di vete.

        1. Nuk me paske kuptuar fare, po fare. Nuk eshte ceshtja se besoj qe denimi i gardisteve sherben per nxjerrjen e pergjegjesive. Mosekzekutimi i vendimit te prokurorise tregon shume.
          Po ti kete nuk mund ta kuptosh. As qe duhet thene me gje, tanni eshte e qarte. Me fal madje qe t’u drejtova. Mendova se thjesht kishe pak subjektivizem per shkak te afinitetit politik.

    2. Mu duk e teper ta theksoja, por ke dijeni besoj qe deri ne kete ore nuk eshte ekzekutuar mandati i prokurorit nga organi qe ka prerogativen ta beje kete: policia e shtetit.

      Une vete nuk gjej fjale, eshte e pakonceptueshme. Kurre nuk e mendoja se mund te ndodhte edhe kjo. C”thote valle per kete diplomati i huaj?

      p.s nuk di, me kaq zell i transkriptoje edhe deklaratat e ish-ambasadorit Withers?

      1. Une jam amerikan dhe e dua Ameriken po aq sa Shqiperine. Kesisoj i dua te gjithe ambasadoret amerikane po edhe stafin e tyre te cilet kane per detyre te transkriptojne te gjitha deklarimet. tani se ty te vjen inat qe mi nisin edhe mua cte te bej une.

        1. P.s E nderpresim ketu; nuk ka me vend per replika.
          E di c’po me kujton mua ky debat me ty? Rastet kur Astrit Patozi trajton ceshtje apo ben interpretime kushtetuese.

          1. Kurse mua ti me ndjell hijen e Gramoz Rucit i cili per faj tend dhe te afiniteteve te tua eshte ende ne krye te politikes ndryshe. (dhe mos jep urdhra kur duhet filluar e duhet nderprere se zbulohesh kush je pastaj). Ja edhe nje here te tentoj te te keshilloj leximin e idashur se ishte fort i ekuilibruar dhe i mencur.

            1. Mua nuk me shqeteson aspak G>Ruci, nje komunist ne krye te nje partie te majte, per te cilen kurre nuk kam votuar, por me shqeteson nje kryekomunist dhe nje me kriminel sesa Ruci, ne krye te nje partie te djathte, per te cilen do te kisha me teper afinitet si pasardhese e disa prej pasunareve te ketij vendi.
              Per ty me vjen vetem keq, sinqerisht, shume; Pres te te shoh ndonje dite ne vend te ED Halimit apo Mesila Dodes. Se ne fakt, keto qe thua ketu, pse mos t’i thuash edhe ne foltoren e famshme.
              Te lutem, se na vjen per te vjelle, mos i etiketo me “kundershtaret” si mbrojtes te Rucit; kuptoje nje here se jo cdo kush ketu detyrimisht ka zgjedhur te rreshtohet diku. Nuk jane te gjithe mercenare a sherbetore te lindur e qe te tille do te vdesin….

            2. Fakti qe nuk te shqeteson Ruci eshte problemi pra, crendesi ka per ke ke votuar( ne fakt kam pershtypjen qe ske patur mundesi ta provosh veten me vote se ke qene jashte). Ndersa une e kuptoj qe sistemi i tanishem nuk eshte ndare nga e kaluara, ti si pasardhese e pasunareve ende nuk je ndergjegjesuar per kete gje dhe vazhdon te bertasesh qe ske flamur nderkohe qe e valevit anti Berishizmin me force(ergo akuza per hipokrizi). E kam thene edhe perpara te shash Berishen nuk eshte pozicion e as zgjidhje. Madje tashme nuk eshte as merite, sepse sa me shume e shan Rama aq me shume i shton shanset qe neser ne opozite te jete prape drejtuesi i ” te djathtes”. Po te isha ai qe thua ti, do te te akuzoja se po ben lojen e Berishes. As kundershtaret me konsekuente dhe me te ndershem te Berishes nuk kane dale me tezen qe te gjitha fajet i ka Berisha (ka boll faje per te gjithe tha Arvizu). Jo sepse e duan, po sepse ruajne seriozitetin dhe integritetin e vet, po dhe besueshmerine ne syte e njerezve te cilet i shohin te gjitha palet. Dhe mos be sikur se kupton qe kjo nuk shfajeson njeri nga fajet e sotme dhe te djeshme, eshte vetem tentative per te njohur nje realitet sa me te sakte e per te mos rene pre e te njejtave gabime si ne 90-91-shin dhe 97-ten.
              Ti vazhdo e merru me mua (kete vesin e biografive nga familja e ke te mesuar?) sikur te ishe e dashur e braktisur, por kjo menyre te gjykuari eshte e keqdrejtuar per mendimin tim. Gjithe kete energji me mire ta shpenzosh per te ndikuar sado pak qe mendjet e ftohta te gjejne nje zgjidhje jo mbi palet ( sepse me sa duket ato po vetedemaskohen perdite) po pertej paleve. Bjeri Berishes aty ku eshte per ti rene (mosarrestimi i gardisteve, modeli i vjeteruar i politikes, deshtimi me korrupsionin dhe aleanca me Meten) por njih edhe nje opinion te balancuar si ai i ambasadorit amerikan i cili te thote “ka boll faje per te gjithe”. Une e lexoj qe te gjithe nje e pegere jane. Mos bjer dakord se ske asnje arsye( pa ironi e them), po degjoje me vemendje se nuk flet kot, ka gjasa me axhende po kurre kot. Ndoshta meson dicka pertej asaj qe e ke te paraprogramuar.
              Megjithe helmin qe hedh ( me sa duket di vetem te japesh e jo te marresh) une jam perseri i hapur qe te dialogoj me ty (pyet verdalle se te thone). Arsyeja eshte e thjeshte: megjithe neverine qe kam per Rucin dhe keqardhjen per ata qe me apo pa vetedije behen percues te axhendes se tij per te ndenjur ne politike, ajo pak eksperience me ka treguar qe nuk kemi ku vemi. Zgjidhjen do e gjejme mes nesh, dhe pozicioni yt duhet te kete zerin e tij, ashtu si edhe pozicioni im per sa kohe qe i sherbejne Shqiperise e jo individeve (une jam pak si naiv dhe dua te besoj se pertej mllefit kemi objektiv te njejte). Po te terhiqesh pak nga nxehja ( jam i bindur qe ke veti arsyetuese) do e shohesh qe ne nje debat ka vend per me shume se nje pozicion. Ato cka kemi mesuar ne shkolle, le ti zbatojme me perpikmeri, pse te mos jemi edhe ne si keta qe na rrethojne ne Perendim- tha idashur? Obama per te cilin kam bindje se ke nderim te madh, ulet e dialogon (pi birra) edhe me ata “te krisur” qe ne parim nuk i njohin nenshtetesine amerikane. E ti nuk duroke dot nje deklarate te nje ambasadori amerikan i cili ne fund te fundit tha ka faj boll per te gjithe?

  4. Ne pergjithesi ajo qe pritej, edhe pse deklarata e djeshme ishte si urdher perandorak, toni i se ciles s’me pelqeu, hera e dyte radhazi qe nderhyri me nje gjuhe te pazakonte per nje vend sovran. Me beri pershtypje kjo pjesa:

    -…. dëshirojnë më të mirën për Shqipërinë dhe popullin
    e saj shumë punëtor dhe që ka punuar aq shumë për të çuar përpara vendin gjatë 20 viteve të
    fundit.

    Kete nuk e di nga cila sqetull e nxori, se ne mburremi qe jemi popull trim, liridashes dhe punetor, por ama popull ”shume punetor”’ nuk e kam hasur gjekundi. Me ke na krahason ky ne kur thote shume punetor, me fiset e Amazones ?

    Dakort qe i duhej te sillte çik pranvere, po na solli korrikun, pse nuk e dime ne sa eshte punuar, sa eshte vjedhur, sa funksionojne institucionet etj.

    Nejse, thelbi eshte se Berisha gezon mbeshtjetjen e plote te Amerikes edhe pas kesaj qe ndodhi, keshtu qe Rames i shtrengohet rripi gjithnje e me teper, sepse nuk iu bind nje urdheri te prere perandorak.

    Shqetesues eshte fakti qe po pergezohet gjithe paria politike e ketyre 20 vjeteve per punen e bere, keshtu qe nga Amerika perfundimisht s’mund te presim asgje per ndryshimin e gjendjes.

  5. Xhaxha, shikojeni këtë video: http://www.youtube.com/v/joqewXlg3S4
    Deri në minutën 3.50, gjithçka paraqitej ashtu siç e kini përshkruar ju tablonë, mjaft saktë, në shkrimin tuaj.
    Por, problemet lindin pas asaj minute, kur murit të turmës së disiplinuar të policëve i shtohet edhe një TURMË SHTAZORE që, megjithse kishte elementët mbrojtës me mbishkrimin “Policia”, dukej qartë që nuk ishin policët e zakonshëm që shikojmë rrugëve të Tiranës.

    Nëse turma e protestuesve vepron instiktivisht për të shprehur kundërshtitë e saj pa u menduar gjatë, nëse policia duron me vetmohim këtë dhunë se ashtu ja kërkon detyra, unë nuk gjej një arsyetim bindës se ç’frymë djallëzore do i kishte fryrë dhe mbushur me aq urrejtje ata djem të gardës (supozoj unë) që ndërhynë më pas.

    Është e tmerrshme të konstatosh që egzistojnë shqiptarë (si ata gardistë) që të kenë një urrejtje kaq të pakontrolluar ndaj vëllezërve të tyre… ndoshta “njeriun e ri” që u përpoq të krijonte Enver Hoxha, arriti ta realizojë e kompletojë Saliu

  6. “Është e tmerrshme të konstatosh që egzistojnë shqiptarë (si ata gardistë) që të kenë një urrejtje kaq të pakontrolluar ndaj vëllezërve të tyre…”

    Dmth e vertetuam qe kane qelluar nga urrejtja per vellezerit e tyre gardistet?

    Sipas kesaj llogjike i bie te themi te njejten gje per keta tipat (shih keto videot nga NOA… http://www.youtube.com/v/joqewXlg3S4 dhe kete tjetren http://www.youtube.com/v/7TgKLdhq-8c ) qe gjuanin policat me hunj, gure, e c’te kishin ne duar?

    Le te shpresojme qe drejtesia, te pakten nga pritshmeria e madhe dhe per hir te natyres se incidentit, do nxjerre dicka ne drite.

    P.S. Di gje njeri pse nuk u zbatuan menjehere ato urdher arrestet e prokurorise per drejtuesit e Gardes?

    1. Xhibi, unë s’e di se me ç’syze e ke parë ti atë linkun që vura tek komenti im i parë, por mua, ai grupi (pas minutës së 3.50) më dukeshin si qen të tërbuar që mezi mbaheshin.
      Nëse ty të lanë përshtypjen se donin të shkonin të përqafonin protestuesit, mua më lanë komplet tjetër përshtypje.

  7. Gjithe ky lirizem vlen padyshim per foton ne fjale por sa per te gjithe maskren dje ku jane tre vete te vrare,
    shume te plagosur e te rrahur, disa qytetare te vetem jane rrethuar nga police te shumte dhe jane qelluar si zhtaze … vallahi fjale si gjakftohtesi, profesionalizem etj jane shume qesharake per te pershkruar sjelljen e Policise

  8. Meqe po flasim per rekuiziten, mua me ben pershtypje qe ata shkopinjte ne duart e demonstruesve jane identike me njeri tjetrin. Mire policia se i merr uniformat dhe armatimet me regjister, po protestuesit si u armatosen, me lista edhe ata?

    1. LG, kam përshtypjen se këta shkopinj janë shkulur nga banderolat që mbanin në dorë protestuesit, të cilat do të jenë fabrikuar në të njëjtën punishte grafike.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin