VIKTIMA TË RETORIKËS

Atentatori i Arizona-s Jared Loughner mund ta ketë konsideruar vërtet diskursin e shtetit si vegël për manipulim të mendjeve dhe t’i ketë qëndruar larg atij rreziku; por, ironikisht, disa analistë dhe vëzhgues në ShBA dhe gjetiu, gjestin e tij e shohin si efekt, në mos rezultat të diskursit të dhunshëm në mediat, veçanërisht në kontekstin e debateve politike.

Sipas këtyre analistëve, Loughner vërtet u ruajt nga diskursi trushpëlarës i së majtës federale, elitiste dhe liberale, por përfundoi i manipuluar nga diskursi njëlloj trushpëlarës, i së djathtës populiste, libertariane dhe anti-federale!

Dihet se, veçanërisht e djathta populiste amerikane, e përfaqësuar në figurën e Sarah Palin dhe të lëvizjes Tea Party, në betejat e saj politike, ka ardhur duke u mbështetur gjithnjë e më tepër në një metaforikë të armëve, të spastrimit, të shënjestrimit, të vdekjes. Kjo është një metaforikë që i ka rrënjët në vizionin primitiv të shoqërisë si xhungël, ku individi mund të komunikojë me mjedisin vetëm nëpërmjet tytës së pushkës.

Në fjalën e vet gjatë ceremonisë përkujtimore për viktimat e atentatit në Tucson, Arizona, presidenti amerikan Obama u ndal edhe në nevojën për të analizuar efektet e diskursit të dhunshëm politik në zhvillimet politike dhe sociale në ShBA.

Tha Obama:

[N]ë një kohë kur diskursi ynë është polarizuar kaq ashpër; në një kohë kur ndihemi kaq të gatshëm që t’ua vëmë fajin, për gjithçka që nuk shkon në botë, atyre që mendojnë ndryshe nga ne; ka rëndësi për ne që të ndalojmë për një moment dhe të sigurohemi se po i flasim njëri-tjetrit në një mënyrë që shëron, jo në një mënyrë që plagos. […]

Humbja e këtyre njerëzve të mrekullueshëm duhet të na ndihmojë […] të futim më shumë qytetari në diskursin tonë publik; dhe kjo jo se tragjedinë e shkaktoi thjesht mungesa e qytetarisë, por ngaqë vetëm një diskurs publik më i ndershëm dhe i qytetëruar do të na ndihmojë t’i përballim sfidat […].

Megjithatë, në fjalimin e vet, Obama theksoi edhe se “askush prej nesh nuk mund ta dijë me saktësi se çfarë u bë shkas për këtë sulm kaq brutal;” dhe në fakt, përpjekjet për ta lidhur dhunën e mirëfilltë me diskursin e dhunshëm në mediat, filmat dhe librat e dhunshëm, video-lojërat dhe kultin e personazhit të dhunshëm nga kultura amerikane e spektaklit (Hollywood-i) kanë qenë gjithnjë të instrumentalizuara.

Për ta thënë ndryshe: spektatori normal i një filmi horror zakonisht nuk kthehet në shtëpi dhe fillon ta ndajë në thela gjyshen e vet; sepse është në gjendje të dallojë midis faktit dhe trillimit, historisë dhe rrëfimit, realitetit dhe metaforës.

Një javë më parë, shumë analistë në Tiranë dhe gjetiu shprehën indinjatën me një fjalim të kryeministrit Berisha në parlament, ku flitej për vdekje dhe funerale të kreut të opozitës Rama dhe të pronarit të gazetës Shekulli, Kokëdhima. Kjo ishte indinjatë e shtirur, sepse kuptohej që kryeministri fliste në mënyrë metaforike. Çfarë mund dhe duhej t’i shqetësonte analistët ishte, në atë kontekst, se si është katandisur kështu Shqipëria, që të ketë në krye një kryeministër me shije diskursive kaq të keqe.

Dua të them: një diskurs politik i dhunshëm, si rregull, na sinjalizon se ka diçka që nuk shkon me vizionin e autorit; por përndryshe ky autor nuk mban përgjegjësi për metaforat e veta.

Njëlloj, në ShBA, idhulli i së djathtës populiste amerikane Sarah Palin mund të ketë thënë vërtet se senatorja demokrate Giffords duhej vënë në shënjestër; por Palin nuk mund të mbahet e përgjegjshme nëse Loughner ia mori këtë metaforë literalisht.

Apo mos duhet të mbahet e përgjegjshme?

Këto ditë, në mediat amerikane është përhapur, në mënyrë virale, koncepti i terrorizmit stokastik, i përkufizuar si “përdorimi i mjeteve të komunikimit masiv për të nxitur vetmitarë rebelë të izoluar (lone wolves) që të kryejnë akte terroriste ose të dhunshme që janë statistikisht të parashikueshme, por individualisht të paparashikueshme (mbiemri stokastik këtu shënjon cilësinë e të qenit i paparashikueshëm, i rastësishëm ose random; cilësi që ndeshet në çdo zhvillim me natyrë probabilistike).

Ky koncept është zhvilluar, në një varg shkrimesh, nga një autor anonim në sajtin Daily Kos.

Sipas këtij koncepti, terrorist stokastik është ai person që i përdor mass mediat për të nxitur, në mënyrë thjesht statistikore, një person (lone wolf) i cili është mendërisht aq labil, sa të kryejë një akt të dhunshëm që realizon diskursin e personit tjetër.

Efektshmëria e terrorizmit stokastik lidhet drejtpërdrejt me ndarjen që vendos midis nxitësit të aktit terrorist dhe zbatuesit të aktit; nxitësi është person publik, që gjithnjë mund të shpjegojë se dhuna e diskursit të tij publik duhet marrë metaforikisht; zbatuesi është impulsiv, vetmitar, i paorganizuar në grupe ose celula subversive dhe si i tillë praktikisht i pazbulueshëm nga forcat e rendit.

Sipas autorit të këtij koncepti, protagonistë të diskursit publik të dhunshëm në ShBA, si Beck, Hannity, Savage dhe O’Reilly e dinë që retorika e tyre emocionale vepron veçanërisht mbi njerëz emocionalisht labilë; sikurse e dinë që herët a vonë, ndonjë prej këtyre do të nxitet të kryejë një akt të dhunshëm në realitet.

Kësaj i thonë, shpjegon autori anonim, “të tërheqësh këmbëzën me telekomandë.” Terroristi stokastik, i cili gëzon akses të plotë në mass mediat dhe kontakt me publikun shumëmilionësh, e përdor foltoren e vet për të shpërndarë mesazhin destabilizues; sa më shumë vetë të ekspozohen ndaj këtij mesazhi, aq më i lartë është probabiliteti që ndonjë prej këtyre do të vendosë të veprojë.

Në faqen e lartcituar të Daily Kos përmenden shembuj të shumtë individësh që kanë kryer krime, të nxitur nga retorika e këtij apo atij diskursi publik: vrasje policësh, politikanësh, sindikalistësh, aktivistësh shoqërorë, homoseksualësh, transvestitësh, mjekësh të klinikave të abortit.

Nën dritën e këtij koncepti, edhe indinjata e shoqërisë civile, në Tiranë, për diskursin me vdekje dhe funerale të Berishës mund të lexohet ndryshe; dhe pikërisht si frikë instinktive ndaj dukurisë së terrorizmit stokastik, ose mundësisë që dikush dikur diku do ta marrë kryeministrin e vet seriozisht, nuk do t’ia kuptojë dot metaforat si metafora, dhe do të hidhet në veprim: për shembull, duke i spërkatur “larvat e bunkerëve të bllokut” me insekticid, ose duke i djegur me benzinë…

Që kjo s’ka ndodhur deri më sot, madje as në përpjesëtime minimale, ndoshta shpjegimi duhet kërkuar në numrin relativisht të vogël të publikut që i ekspozohet kësaj retorike zjarrvënëse.

Një avantazh, sado minor, i të qenit vend i vogël.

Megjithatë, e megjithë vlerën teorike të konceptit të terrorizmit stokastik, dhuna diskursive është e dënueshme edhe në vetvete, ose edhe kur nuk ka prodhuar dhunë të mirëfilltë në realitet; dhe është e dënueshme jo sepse është e shëmtuar, por sepse dhuna diskursive shkakton viktima; drejtpërdrejt dhe tërthorazi, duke e mësuar publikun me një lloj debati publik që është po aq artificial dhe i ritualizuar në shkëmbimet e veta sa edhe një spektakël i Professional Wrestling; edhe pse do të ketë gjithnjë njerëz që nuk do t’i shquajnë dot metaforat, sikurse ka gjithnjë njerëz që e marrin Professional Wrestling për sport të mirëfilltë, jo për formë marciale të teatrit folk.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin