GJEOMETRITË PRIVATE

Disa mendime të shkartisura, në lidhje me privatësinë në studion televizive, duke iu referuar edhe debatit në temën e mëparshme.

Po e filloj me marrëdhënien e të ftuarve me publikun – në sallë dhe sidomos para ekranit. Kjo marrëdhënie është dyfish e ndërmjetësuar: (1) nga drejtuesi i emisionit dhe (2) nga teknologjia (kamera, mikrofoni, ndriçimi, antenat, elektriciteti, aparati marrës, etj.).

Kush ka qenë i ftuar në televizion, do ta mbajë mend me sa kujdes dhe qartësi lajmërohet momenti kur fillon atje xhirimi. Kjo bëhet në mënyrë që të gjithë personat para kamerës të adoptojnë maskën e tyre publike – ose të sillen në mënyrë të tillë që t’i përshtatet kontekstit.

Ai moment shërben në mënyrë të ngjashme me kornizën që i vihet një pikture, ose kapakun e librit; duke ndarë në mënyrë solemne mesazhin nga jomesazhi. Nëse ti, si i ftuar, je duke kruar herdhet para se të ndizet kamera, kjo është diçka pa kurrfarë rëndësie; nëse e bën këtë me kameran ndezur, atëherë po i jep publikut një sinjal të caktuar, për veten tënde dhe ndoshta edhe emisionin ku gjendesh.

Njëlloj si ndezja e kamerave lajmërohet edhe fikja e tyre; në mënyrë që të ftuarit të shplodhen, sipas rastit të shfryjnë hundët ose të shkojnë në banjë ose të shtriqen ose të hidratohen. Madje solemniteti me të cilin lajmërohet ndezja e kamerave parakupton/nënkupton që edhe fikja ashtu do të lajmërohet; në mënyrë që regjistrimi të ndahet qartazi nga joregjistrimi.

Kjo është edhe marrëveshje e heshtur midis të ftuarve në një studio radiofonike ose televizive dhe autoritetit që drejton emisionin. Ky i fundit, nëse është gazetar, duhet të ndjekë edhe një kod të etikës së gazetarit, i cili i kërkon, besoj unë, që t’i lajmërojë bashkëbiseduesit nëse do ta bëjë publik apo jo informacionin që ka marrë prej tyre.

Kam edhe përshtypjen se, në vende të qytetëruara, gazetarët që nuk e ndjekin këtë kod rrezikojnë të mbeten pa burime informacioni, meqë askush nuk do t’u zërë më besë.

Të mos harrojmë edhe se, në komunikimin e një gazetari me një person që gazetarit i intereson, mjafton një handshake për t’u siguruar që biseda po bëhet on the record, ose off the record (tani që po e nxirrja këtë shkrim, vura re që konceptin e ka përmendur edhe ipare në këtë koment).

Tani, duke kaluar tek teknologjia, më duhet të vërej se kjo bën të mundur kapërcimin e disa kufijve natyrorë të privatësisë, por në mënyrë të tillë që dhunimi të mos jetë i dukshëm ose i përjetueshëm.

Kështu, një bisedë me zë të ulët mes dy vetëve zakonisht nuk mund të dëgjohet nga një i tretë tridhjetë metra larg, përveçse kur ky përdor teknologjinë e mikrofonit dhe të altoparlantit (ose të kufjes). Përndryshe, që ky i tretë të dëgjonte çfarë i pëshpërit unë shokut tim, duhej të afrohej aq shumë, sa të shkelte hapësirën fizike private që më rrethon mua/ne dhe që është pjesë e personit tim/ne të dyve si grup.

Gjithashtu, kur unë gjendem në një studio televizive në Tiranë, nuk ka asnjë shans që një person i tretë, bie fjala, në Koplik, të shohë një pikë loti që më varet mua prej syrit në një moment dramatik të debatit, përveçse kur këtë e ndërmjetëson kamera, nëpërmjet një plani të parë ose marrjeje shumë nga afër. Edhe në këtë rast, sikur të mos ishte kamera, një i tretë do të mund ta shihte lotin tim vetëm po të më afrohej fizikisht aq shumë, sa të ma dhunonte privatësinë haptazi (madje deri në atë shkallë sa unë të mos isha në gjendje të reagoja emocionalisht ndaj atij momenti dramatik të debatit, duke u përlotur).

Nga kjo pikëpamje, një arsye e dytë pse lajmërohet aq qartë ndezja, përkatësisht fikja e kamerave (dhe e mikrofonave) në studio ka të bëjë edhe me autorizimin, që e jap unë heshturazi si i ftuar, për të më dhunuar hapësirën time përndryshe private, nëpërmjet filmimit dhe regjistrimit të zërit me anë mjetesh teknologjike.

Kjo bën pjesë në rregullat ndoshta të pashkruara të mënyrës si përftohet një emision televiziv; por janë pikërisht rregulla të tilla të cilat e mundësojnë ecurinë normale të produksionit.

Sa për privatësinë e personit, kuptohet se kjo varet gjithnjë nga konteksti, siç mund të kuptohet lehtë duke analizuar çështjen e distancës optimale mes dy personave të panjohur, e cila në thelb nuk ekziston si e tillë, ose si distancë absolute; por varet nga konteksti.

Për shembull, në një autobus të mbushur dingas me njerëz, ekziston edhe marrëveshja, e pashkruar, që dy njerëz përndryshe krejt të panjohur mund të bien në kontakt fizik (taktil) mes tyre, nëpërmjet bërrylave, shpinës, gjunjëve dhe pjesëve të tjera të trupit; por i njëjti kontakt do të konsiderohej i papranueshëm, nëse në autobus do të kishte vend të lirë të mjaftueshëm, ose edhe për t’u ulur.

Po ashtu, është normale që në vendin pranë teje, në autobus, të ulet një person të cilin ti nuk e njeh; por në qoftë se në autobus udhëtoni vetëm ju të dy si pasagjerë, atëherë me siguri do ta shmangni të qëndruarit të ulur përbri, në të njëjtën sedilje.

Shembuj të tillë mund të sillen shumë, nga sfera të ndryshme të bashkëjetesës publike. Për shembull, ti thërret ashensorin dhe kur hapet dera, vëren se në ashensor ka tashmë një person, i cili qëndron fare afër murit të ashensorit përballë teje, por me fytyrë të kthyer nga muri, ose me shpinë të kthyer nga dera e ashensorit. Normalisht, ky pozicion i atij personi do të interpretohet si kërcënues, dhe shumë njerëz do të refuzonin të futeshin në një ashensor ku gjendet një pasagjer i tillë. Megjithatë, në një ashensor të mbushur plot, mund të ndodhë që dikush të gjendet me fytyrë nga muri, pa shkaktuar kjo ndonjë farë paniku te të tjerët.

Nuk besoj se jam larguar shumë nga tema. Doja vetëm të shpjegoj, me shembuj të shumëllojshëm, se koncepti që kemi për hapësirën private ndryshon sipas kontekstit social ku ndodhemi; dhe ndryshon në bazë rregullash të thjeshta të pashkruara, të cilat nuk është se kanë ndonjë natyrë etike kushedi çfarë, por vetëm sa shërbejnë si lubrifikant i marrëdhënieve tona me të tjerët.

E theksoj – konteksti është social, jo statik; sepse rregullat e sjelljes në një vagon treni nuk kanë aq të bëjnë me karakteristikat fizike dhe funksionale të vagonit, por me njerëzit e tjerë që janë atje dhe raportet e pasagjerit me këta të tjerë.

Kështu, nuk e kemi problem t’ia tregojmë biletën një konduktori, i cili na prezantohet i veshur me uniformë të dallueshme; por do të habiteshim sikur biletën të na i kërkonte një person i tretë çfarëdo. Njëlloj, një fëmije, qoftë ky edhe i panjohur, do t’ia toleronim të hiqte të mbathurat në praninë tonë ose të bashkëshortes; por jo konduktorit, ose një pasagjeri në moshë jo të mitur.

Kur jemi duke pritur metronë në platformë të stacionit, në rush hour, mund të detyrohemi të qëndrojmë fare pranë të tretëve; por kur stacioni është bosh, vendosim me ta një distancë “sigurie”; dhe nëse dikush na afrohet, bie fjala, aq sa ta dëgjojmë kur merr frymë, në një platformë përndryshe të zbrazët, këtë do ta merrnim si sulm jo vetëm ndaj privatësisë, por edhe integritetit.

Këto rregulla të pashkruara të distancës mes njerëzve, të cilat i studion një degë e psikologjisë e quajtur proksemikë (anglisht proxemics), kanë të bëjnë drejtpërdrejt me privatësinë e personit, e cila mund të përkufizohet edhe si një metaforë komplekse për hapësirën taktile dhe përgjithësisht shqisore që vendosim rreth trupit tonë dhe që duam ta ruajmë sepse është pjesë e identitetit dhe e integritetit tonë. Mënyrat me të cilat mund të shkelet kjo privatësi pa e vënë re personi i cenuar janë të ndryshme: që nga maskimi, tepdilosja ose paraqitja si person tjetër (mjet i përdorur rëndom në komedi ose në vjedhjet), deri te përgjimi (mjet i përdorur në spiunazh), regjistrimi zanor pa leje, kamerat hapur dhe candid camera.

Kontrasti mes privates dhe publikes i përftuar nga konflikti midis distancës së perceptuar dhe distancës reale qëndron, në situata të tilla, në bazë të efektit komik; por efekti komik nuk mund ta përligjë cenimin e privatësisë, as ta anulojë privatësinë vetë. Përkundrazi, në ato raste kur kjo bëhet ose konsiderohet si e domosdoshme për hir të së vërtetës, ose luftës kundër korrupsionit, ose krimit etj., atëherë do të kërkohej, normalisht, një vendim i gjykatës që ta autorizonte; sepse privatësia është tepër e vyer, për t’iu lënë në dorë një të treti çfarëdo e drejta për ta cenuar, pavarësisht nga qëllimet.

Nuk ka komente

  1. Studiot me publik, nenkuptojne pa asnjelloj problemi, pranine e publikut. Mesa po marr vesh çeshtja eshte kjo: pse ne vend te 50 vetave ta marrin vesh 50 000 apo 500 000, dmth i bie te jete çeshtje numerike.
    Po ata 50 te pranishmit, jane perfaqesuesit tane, ç’shikojne ata mund ta shikojme edhe ne, perndryshe i bie qe ata te jene te privilegjuar e ne te diskriminuar ?
    Por publik ata, publik edhe ne, pse ne duhet te diskriminohemi ?

    Nese duhet ruajtur privatesia e te ftuarve atehere ta bejne emisionin pa publik, atehere ka kuptim, ne parim, diskutimi i ketushem, por qe te ngrihet tjetri i irrituar pse ne vend te 50 vetave e moren vesh 500, 5000 apo 50000 veta, kjo me duket e pavend.

    Per mua s’ka asnje shkelje te privatesise, ka mosnjohje te privilegjit qe televizionet u ofrojne rregullisht te ftuarve, privilegj qe konsiston ne ruajtjen e te ftuarve nga gafat e tyre, qe ti marrin vesh vetem ata 50 perfaqesuesit e publikut e jo krejt publiku.

  2. “në situata të tilla, në bazë të efektit komik; por efekti komik nuk mund ta përligjë cenimin e privatësisë, as ta anulojë privatësinë vetë.”

    Mbase dhe shkelet privatesia disi, me ca shohim ne emisione te ndryshme ne mediat e huaja, por gjithmone kur qellimi eshte humori, jo kur humori perdoret si justifikim per dicka joetike.

    Ne raste te tilla qe transmetohen ne tv, ma do mendja patjeter qe personave te kapur gafil u kerkohet para publikimit qe te jene dakort, ndryshe publikimet nuk behen, ne mos per etike, per pasojat ligjore.

    Bejne perjashtim (nga marrja e lejes) raste te krimeve te vecanta, si p.sh. ato kamerat e fshehta qe kapin njerez qe shkojne me djeni dhe qellim per te bere seks me minorene (ka nje emision ne shba per kete), po dhe kjo kur eshte e rregulluar me ligj.

    Perndryshe krejtesisht dakort me cka thote xhaxhai, dhe duhet ti besh cirk llogjikes per te nxjerre justifikime dhe per te mos qene dakort.

    Por njeheresh ato qe thote xhaxhai (dhe me te cilat jam dakort) presupozojne nje ambient ku dhe etika rrespektohet, dhe ligji po ashtu, per te cilin dhe po s’pate rrespekt do kesh frike, pasi zbatohet.

    Ne rastin konkret behet fjale per ne Shqiperi, dhe specifikisht per nje studio televizive, dmth ambient tipik ku nuk ushtrohet as etika profesionale po as ligji nuk ushtrohet kushedi sesa.
    Njeheresh (per te folur dhe pertej ketij rasti, ne pergjithesi), edhe kur ligji behet sipas midese se Maliqit, nuk eshte se sjell ndonje reagim kushedi se cfare tek masat.

    P.sh. shumica e publikut (ma ha mendja) ishte ok me shkeljen e privatesise se Pangos (pergjimin ne apartamentin e tij) per ta demaskuar ate. Une te pakten isha dakort, edhe pse krejt i vetedijshem qe kjo ishte pastertisht nje goditje politike/mafioze e klanit te Rames ndaj klanit te Berishes ne prag te zgjedhjeve.

    Qe te mos isha dakort, i bie qe te kishte funksionuar paraprakisht shteti, dhe po te kishte funksionuar, as Pangoja, as Berisha e as Rama nuk do ishin fare (me) ne pushtet. Per sa kohe shteti nuk funksionon (ose funksionon ne menyre selektive) me mire nje Pango me pak sesa nje me shume.

    Kjo pastaj sjell dhe te mesuarit e njerzve me shkeljen e ligjit dhe etikes, e keshtu duhet kuptuar pse publikimi i insterteve te te ftuarve nga Fevziu (s’e kam pare emisionin ne fjale, po lexova shkrimin ketu) nuk eshte se sjell ndonje reagim kushedi se cfare, nderkohe qe ne nje vend tjeter, sic thote xhaxhai, Fevziu do ngelej pa te ftuar, ne mos pa pune fare ne ate profil qe ka.

  3. Une mendoj se koncepte si privacy jane teper te huaja per mendesine dhe menyren tone te jeteses jo-individualiste.

    Duke filluar qe nga socializimi ne familje. Shume pak femije e kane luksin te kene dhomat e tyre personale. Shume pak te rritur jetojne vetem. Shoqeria jone i jep rendesi te madhe marteses dhe ndertimit te familjes. E duke mbaruar tek menyra e shoqerizimit me bashkemoshataret (kafete, lojrat kolektive etj.) dhe etiketimi si “i cuditshem” i atyre qe zgjedhin te kene momente te vetmuara per t’u karikuar nga ekspozimi i gjate ne shoqerimin e shume njerezve.

    Nuk e di a ka ndonje studim mbi pervetesimin e perbrendesimin e roleve dhe statuseve sociale ne Shqiperi, porse mendoj se shume njerez i mbartin keto role gjithandej. Ndoshta ky eshte efekt i byrokratizimit te shoqerise shqiptare gjate periudhes se kaluar.

    Mjafton te shohesh nje njeri qe ngrihet ne detyre, ne administrate. Njeri fillon te percudnohet nen trysnine e pritshmerive ndaj rolit dhe statusit qe gezon, derisa mesohet me te e nuk mund ta kuptoj veten, te pakten perkohesisht, jashte ketij perceptimit te rolit te tij. Ky rol si vijim percohet ne kontekste te tjera sociale, jashte vendit te punes, ne familje (pa qene nevoja te lexosh Kafken apo biografi femijesh ushtarakesh per ta kuptuar).

    Nje tjeter fakt qe flet kunder konceptit te privacy eshte edhe menyra e organizimit te puneve ne Shqiperi. Nisur nga qasja sociologjike e roleve ne Shqiperi, cfare na meson se roli tejshkon kontekstet sociale nen te cilat lind per te kaluar ne familje dhe ne shoqeri, ngrihet teza se si pasoje, organizimi i puneve ne Shqiperi “ne turme” (klan, taraf etj.) nuk lejon nje perdorim te konceptit te privacy.

    Ndarja e paqarte e roleve (off record/on record) eshte nje ndarje artificiale, e huaj, e imponuar nga kamerat, por e parealizueshme. Shqiperia eshte e vogel, keta njerez njihen jashte dhe brenda kamerave. Kane lidhje familjare/biznesesh/shoqerore me gazetaret e me pronaret e medias etj.

    Besoj se te njohesh personalisht disa prej ketyre personave qe dalin ne keto bisedat televizive, te ndihmon te kuptosh menyren sesi mendojne. Ata kane filluar te identifikohen me fytyrat qe prezantojne. Bisedat e tyre duket qe jane vazhdim i bisedave neper kafe. Njohjet e tyre personale ose e bejne te veshtire mveshjen e nje roli tjeter, ose e bejne te veshtire daljen nga roli i perbrendesuar. Keta persona nuk njohin ekzistence tjeter pervetem asaj qe perfaqesojne ne kamera. Vezhgohini si dalin perdite, ne cdo kanal, njeherazi e ne sekuence. Nuk mund te jetojne pervetem se ate personalitet me te cilen kane dale ne x-vit ne x-TV.

    Pash Gj. Zhejin para ca ditesh me Bushatin tek nje emision idiotesk “Majtas Jo djathtas”. Studjova biseden e tyre. Romuzet qe hidhnin. Rolet qe kishin zgjedhur. Stereotipet qe perfaqesonin ne personalitetin e tyre. Zheji si nje burre i mocem (edhe mosha) e i pjekur, i sigurte ne ate c’ka beson. Bushati si ai djali i ri, brezi i ri, dyshues, kritik etj. Nje karagjozllik medemek i pashembullt. Porse kishte nje familjaritet ne bisedat e tyre, qe nuk mund t’i ndante ata te dy edhe pse situata i kishte vendosur ne pozicione te kundert. Si kundershtite ndermjet babait dhe djalit. Atehere c’kuptim ka privacy ne nje setting te tille?

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin