PËRPJEKJA PËR PARATË

Nga gjërat më të mira që më ndodhën në Tiranë ishte kur një mik më ndihmoi të siguroja të gjithë numrat e fundit të revistës Përpjekja.

Edhe po të mos jesh dakord me filozofinë frymëzuese të kësaj reviste dhe të drejtuesit të saj F. Lubonja, nuk ia mohon dot vendin që ka zënë, si institucion, në panoramën kulturore të Shqipërisë të pas 1990-ës.

Nuk është e vetmja në raftet e botimeve jokomerciale; por ndoshta është e vetmja që ka arritur të ruajë një qëndrueshmëri në botime, në tema dhe në autorë.

Me staf fare minimal, ia ka dalë të mbijetojë heroikisht; në ç’kontekst, veç përkushtimit të F. Lubonjës vetë, të A. Putos dhe të E. Gjikës, duhen përmendur edhe të gjitha ato institucione, të huaja dhe vendëse, që ia kanë mbështetur revistës botimet në vite.

Qëllimisht përmenda, në prezantimin që ia bëra numrit të fundit, se ky është botuar me ndihmën bujare të Ambasadës Norvegjeze në Prishtinë, duke cituar verbatim nga një shënim në faqen e brendshme të kopertinës.

Pikërisht ky fakt, njërit prej komentuesve në blog, iu duk “si një supë e ftohtë dhe e mjerë”; me siguri, ka bërë një shoqërim idesh mes ndihmës bujare dhe supës që u ofrohet (zakonisht e ngrohtë) të pastrehëve nga shoqatat bamirëse.

Në rrethana ideale, një revistë si “Përpjekja”, me pretendimet që ka, me dëshirën për të mbetur e pavarur nga establishment-i dhe biznesi i madh, me vullnetin për të mos përcjellë reklama dhe për të mos e tërhequr publikun e vet me telenovelas ose lajme për bllokmen-ët, do ta ketë gjithnjë një problem financiar të pazgjidhur.

Kujt i kujtohet skica “Programi i një reviste”, e Migjenit? Botuesit dhe redaktorët e asaj reviste, të cilëve nuk u mungonin idealet dhe talenti për t’i mishëruar këto ideale në letër, u ndeshën me realitetin e ashpër të tregut dhe në fund vendosën: “të kërkojmë subvencion!”.

Ideja e Migjenit ishte se subvencioni i sjell prangat me vete; meqë askush nuk e kafshon dorën që e ushqen.

Sipas këtij arsyetimi, do të mund të arrinim në përfundimin se revista Përpjekja, së paku ky numër i fundit i përgatitur nga E. Derhemi, nuk ka mundur të kritikojë politikën e jashtme të Norvegjisë në Kosovë, as veprimtarinë e ambasadës norvegjeze në Prishtinë.

Natyrisht, financimi i një reviste të këtij kalibri është një nga punët më të mira që mund të bëjë një vend i pasur si Norvegjia, për të ndihmuar një vend dhe kulturë të varfër si jona, për më tepër të sunduar nga njerëz xhahilë, të cilët pyesin për kulturën vetëm kur u duhet ta përdorin si spaleta ose paterica të statusit të tyre social.

U hedh një sy numrave të revistës që kam në bibliotekë: pjesa më e madhe e tyre janë financuar nga PRESS NOW, një fondacion i bazuar në Hollandë, që ka për mision të mbështetë zhvillimin e mediave të pavarura. Kam pasur fatin t’i vizitoj në Amsterdam, më kanë lënë përshtypjet më të mira (me këtë rast, dua të përmend edhe përkushtimin e njerëzve si Albana Shala, të cilët ndërmjetësojnë pa u lodhur midis parasë dhe kulturës, pa kërkuar kurrfarë protagonizmi për veten).

Numra të tjerë janë mbështetur nga PRO HELVETIA, një fondacion zviceran; nga Instituti i Mediave në Tiranë dhe nga fondacione të tjera të ngjashme (në vitet 1990, rol kryesor në financimet ka luajtur Fondacioni Soros). Paratë e siguruara nga një çmim i akorduar nga qeveria shqiptare në 2005-ën janë përdorur gjithashtu për të botuar disa numra.

Një numër i vetëm, kushtuar kinemasë ballkanike, qenka mbështetur financiarisht nga AMC-ja.

Përshtypja ime është se Përpjekja, si revistë dhe si institucion, jo vetëm është në pararojë të komunikimit kulturor ndërshqiptar, por edhe përfaqëson një model menaxhimi kulturor të admirueshëm; pasi drejtuesit e saj kanë arritur të gjejnë fonde të nevojshme për ta mbajtur revistën gjallë në vite, duke tërhequr atje autorë nga më të mirët jo vetëm të arealit shqipfolës por edhe anembanë Europës dhe botës; dhe kanë arritur ta bëjnë këtë pa bërë ndonjë koncesion të dukshëm sa i përket lirisë së fjalës.

Pa dyshim, Përpjekja është revistë anti-establishment, e cila synon të sfidojë vetëdijen e kalcifikuar të elitave që rrezikojnë t’i tërheqin shqiptarët në humnerë kulturore nëpërmjet izolimit, propagandës, manipulimit politik, komercializmit, paranojës, bullshit-it kombëtarist dhe simboleve të zbrazëta. Këtë profil revistës, megjithatë, nuk ia kanë dhënë fondacionet që e kanë financuar, por drejtuesit e saj, para së gjithash F. Lubonja vetë, si dhe të gjithë ata të tjerët, që kanë marrë pjesë në projektin Përpjekja në vite, me shkrime dhe kontribute të tjera, redaktoriale, organizative dhe orientuese.

Nuk jam i sigurt nëse e njëjta gjë mund të thuhet apo të pretendohet për shumë media, komerciale dhe jokomerciale, që qarkullojnë sot në Shqipëri dhe në Kosovë.

Asnjë e keqe nuk i vjen kulturës shqiptare, nëse financimet për nisma dhe projekte brenda saj vijnë prej organizatash të huaja ose ndërkombëtare. Ideja se të huajt që japin pará e bëjnë këtë për të mbrojtur dhe çuar përpara interesat e tyre e ka gjithnjë një element të paranojës ksenofobike brenda; meqë duket sikur përjashton që interesat e këtyre të huajve të përkojnë me interesat e kësaj apo asaj pale shqiptare, pa u damkosur kjo e fundit si “e shitur.” Njëlloj më duket e pranueshme edhe që të ketë të huaj të interesuar që të përkrahin elementin liberal në elitat kulturore në Tiranë dhe në Prishtinë, duke besuar se në këtë rast janë duke luajtur një lojë me shumë pozitive, ose ku përfitojnë të gjitha palët.

Megjithatë, në një shoqëri normale, një revistë si Përpjekja mund dhe duhej të mbështetej me burime financiare që të vinin nga i njëjti treg që edhe e konsumon revistën: abonime nga gazetarët, mësuesit, akademikët, ushtarakët e lartë, punonjësit e mediave, punonjësit e kulturës, profesorët në universitete; por edhe abonime nga institucionet, bibliotekat publike, katedrat e universiteteve, bibliotekat shkollore dhe të institucioneve të tjera. Të tilla abonime do të vlenin edhe si formë financimi me fonde publike, të dhëna nga shteti, por vetëm tërthorazi.

Që kjo nuk ndodh, dëshmon sa e gjymtuar dhe e sëmurë është shoqëria shqiptare sot, veçanërisht sa i takon kulturës, prodhimit dhe konsumit të saj nga publiku, ruajtjes dhe transmetimit të saj. Ajo situatë emergjence që mund të përligjej disi në kaosin e fillim-viteve 1990, kur shteti po ndërronte gjakun dhe institucionet po ndërronin lëkurën, është pranuar tashmë si normale; në kuptimin që sot shpenzohen më shumë pará, bie fjala, për të zbukuruar qytetet për të kremtuar Krishtlindjet ose për gjithfarë pllakatesh dhe koncertesh me sfond politik propagandistik, sesa për bibliotekat publike ose për subvencionimin e revistave kulturore-letrare, siç ishin dikur Drita dhe Nëntori, zhdukja e të cilave nga kioskat e shitjes së gazetave nuk mund të llogaritet si fitore e pluralizmit, lirisë së fjalës dhe ekonomisë së tregut në Shqipëri.

Vëzhgues të ndryshëm kanë vërejtur se ne kemi shkëlqyer në shkatërrimin e institucioneve publike të lidhura, ngushtë ose jo ngushtë, me të shkuarën totalitare; por nuk i kemi zëvendësuar këto institucione me asgjë që do t’ua merrte përsipër rolin dhe misionin; dhe sidomos nuk kemi bërë dot gjë për të kundërshtuar një mendësi të përhapur, në të gjitha shtresat, sipas së cilës kultura është për t’u subvencionuar gjithnjë nga shteti, drejtpërdrejt dhe me fonde publike. Me fjalë të tjera, ne kemi shartuar një model amerikan liberist mbi një mendësi europiane-lindore, në mos ballkanike me nota të forta otomane; çka do të thotë edhe se ulja në mos shterja e fondeve publike në kulturë nuk është shoqëruar nga ndonjë lulëzim i fondacioneve private, siç ndodh në vende ku shteti zakonisht nuk përzihet shumë me çështje të komunikimit.

Për ta thënë me një shprehje të italishtes, të huajt në Shqipërinë e këtyre 20 vjetëve të fundit hanno fatto il bello e il cattivo tempo; janë ngatërruar në gjithfarë aferash, kanë ndihmuar dhe penguar, kanë paguar klientët e tyre dhe bojkotuar klientët e armiqve të tyre; janë treguar, sipas rastit, super-pragmatistë (kujtoni Prodi-n me Partizan Çaushin) ose super-idealistë (kujtoni zhurmën e shpërpjesëtuar që bëhet rreth problematikës gay); nuk ka nevojë të jesh ksenofob, as kombëtarist paranojak, për të kuptuar se disa punë të shqiptarëve, ndonjëherë fort të rëndësishme, do të kishin shkuar më mirë pa ndërhyrjen dhe sidomos tutelën ndërkombëtare. Megjithatë, dhe kjo është një megjithatë e madhe, subvencioni i revistave të tilla si Përpjekja nga fondacione të huaja hyn në ato kontribute të vyera, pa të cilat tabloja kulturore në Shqipëri do të kish mbetur tepër e varfër, e brutalizuar dhe e banalizuar në një fushë beteje mes televizioneve komerciale dhe pornografisë seksuale, politike dhe kriminalistike në mediat.

Nuk ka komente

  1. Aman o xha xha se ngeli dynjaja te lexoje revisten e Lubonjes, ate e ke nje me dy ne televizor, ç’ti hedhesh parate kot, me mire futi nje birre me ato para dhe hap televizorin, me nje gur vret dy zogj.

    1. Duket që s’e ke lexuar revistën. Aty shkrimet nga vetë Lubonja zënë a s’zënë 5% të revistës; të tjerat janë nga bashkëpunëtorë, shqiptarë e të huaj.

    2. Hyllin,

      një si puna jote, nuk e kupton dot se alternativa “mbyll-librin-hap-televizorin-pi-birrë” të trash trutë.

      Lubonja ka shkruar gjëra shumë të çmuara në shqip dhe merita e tij për të luftuar pa kompromis hipokrizinë, korrupsionin, enverizmin, post-enverizmin është e jashtëzakonshme.

      Nga ana tjetër bujaria e ambasadës norvegjeze në Prishtinë është vetëm për t’u admiruar, sepse pakkush është duke i përkrahur vërtetë shqiptarët në rrugën aq të vështirë të sqarimit intelektual, siç bën me kontributin e vet të çmuar revista “Përpjekja”.

      Lubonja është ndër të paktat pena, të cilave, edhe kur nuk je i një mendjeje, mund t’u lexosh çdo rresht dhe të mësosh.

      Kështu që ule një çikë vrullin dhe nuk është e thënë, që çdo gjë që shkruhet në këtë bllog ta komentosh ti i pari.

      Mbaje një çikë frymën jashtë derës tek pragu, se vërtetë që mund të hysh e të dalësh si të duash, por nuk ta ka gjë njeriu gjithnjë oreksin, që të hedhësh gjithnjë vickla dhe i pari.

  2. Rruga më e mirë për t’i dhënë mbështetje Përpjekjes, apo për të krijuar erëra më të favorshme për simotra të ardhshme të saj, për mua kalon nga shfrytëzimi i mundësive që jep Interneti. Mundësitë që ky lejon, janë të pakrahasueshme me zinxhirin klasik të botimit në letër. Për fat të keq, kur filloi të botohej “Përpjekja” nga Fatos Lubonja, këto mundësi nuk njiheshin. Vazhdimi ende me formatin e vjetër është i papërligjur sot. Çfarë është më mirë për një revistë që përpiqet për mbijetesë, një mijë a dy mijë kopje në letër, me nga 5 euro/copa, katër herë në vit, e nga të cilat botuesit i mbeten, të themi, 20-25% apo një pajtim online nga 10 mijë apo 20 mijë për një vlerë 20 -25 euro/viti, e me një mënjanë fitimi gati dyfish të linjës klasike të botimit në letër? Me shpërndarjen online, anashkalon shumë pengesa përndryshe të pakalueshme nga botimi në letër.

    Prospect, fjala vjen, për 24 paund në vit, të jep 12 numrat e vitit për të cilin je pajtuar, plus KREJT arkivën e mëparshme. Shumë revista apo gazeta i praktikojnë të dy formatet.

    Sugjerimi im nuk niset nga dëshira për të imituar këto më sipër, as për t’u shitur si i pararojës. Vërtet besoj që për kushte si të tonat, kjo do të ishte nga zgjidhjet më të mira, që u shërben të dyja palëve. Botuesit i ul në mënyrë drastike kostot, e lejon të vëzhgojë shumë më mirë shijet e lexuesit, të ketë feedback për lëndën që ofron, mundësi shumë të mëdha për krijimin e një bashkësie rreth botimit të tij dhe ushqimin e saj të vazhdueshëm, garantimin e lirisë financiare të shumëdëshiruar, dhe të tjera që mund të shtohen këtu. Lexuesit do t’i jepte mundësinë e pasjes së botimit të parapëlqyer me kosto më të ulët, pa kokëçarjet e rrëmimit nëpër libraritë e mjeruara të Shqipërisë, apo në “stendat” përdhese me mushama gjithë pluhur, anashkalimin e postës (që është një gjë pa kuptim në një vend ku nuk ka ende sistem funksional adresash), cilësinë grafike ku e ku më lart se sa botimi në letër, etj.

    (Hiq shembullin e revistës Prospect, numrat më sipër janë thjesht vlerësime të miat, por jo edhe aq larg realitetit shpresoj…)

    1. Kjo është ideja e parë që më erdhi në kokë kur lexova artikullin – pikërisht mundësia e abonimit online krahas botimit në letër. Personalisht e kam pasur shumë të vështirë të më bien në dorë rregullisht numrat e Përpjekjes dhe mendoj se do të kisha përfituar pamasë nëse do të mund ta shfrytëzoja online.

      Nëse kjo ide po mendohet nga botuesit e Përpjekjes, jam gati të kontribuoj personalisht në realizimin e saj. Ndoshta Xha Xhai do të mund të na sqaronte më shumë në këtë pikë.

      1. Botimet e disa viteve jane arkivuar ketu, por te duhet abonim nepermjet nje institucioni akademik.

        E pakta qe mund te behet eshte te skanohen te gjithe numrat dhe te hidhen diku ne rrjet (ne faqen e Perpjekjes, p.sh.), ose ndoshta te dixhitalizoheshin tekstet me mjete me te sofistikuara, sic ben Google Books.

  3. Kur edhe Saktivista arriti që të botonte një të përjavëshme për kaq kohë (dhe pa ndihmën e sorosit), do të thotë që një projekt, të cilit i përkushtohet dikush, mund të egzistojë…
    Edhe Përpjekja,një revistë si çdo aktivitet tjetër sot, duhet të ndjekë rregullat e tregut.
    Nëse nuk shitet, dmth që të realizojë një sasi të ardhurash të justifikojë vijueshmërinë e botimit në të ardhmen, do të thotë se nuk shitet sepse:
    – për dëshirën për të mbetur injorantë të lexuesve
    – përmbajtja dhe paraqitja grafike e revistës është e dobët
    – argumentet e trajtuara nuk i interesojnë lexuesve
    – botuesi nuk mund të konsiderohet i dashur prej lexuesve
    – botuesi ju është bërë bajat lexuesve
    – botuesi nuk është më i besueshëm për lexuesin
    etj etj etj.
    E di që ndokush do më thotë që; hë mo edhe ti, Ai nuk e bën për të fituar, sepse, nga 1 euro për 200 revista që shet, Lubonjës i ngelen vetëm thërrime…
    por, nëse nuk e bën për të fituar (dhe fakti që financohet vazhdimisht do thotë që Përpjekja nuk është me fitim), atëhere pse nuk i boton në rrjet këto artikuj? Të fusë paratë e financuesve direkt në xhep dhe Përpjekjen ta japë falas për të gjithë online (të paktën bën një “përpjekje” për të shpëtuar pyjet/letrën/bojën në diçka që nuk shitet e gjitha, për të mos thënë: fare).

    Vetë PTF, a nuk është një shembull i konfrontimit dhe debatit rreth argumenteve dhe ideve që shqetësojnë shqiptarët hera-herës?
    Jam i bindur që, edhe pse janë botuar në rrjet, nëse një përzgjedhje artikujsh (me garniturën e disa prej komenteve) të botohej në një revistë tremestrale, do kishte shumë më tepër sukses se sa përpjekjet e Lubonjës.

    Unë përpjekjen nuk e kam shfletuar ndonjëherë. Ndjek rregullisht postimet që bëhen tek blogu dhe, meqë postohen vetëm shkrimet e Lubonjës, nuk mund të jap një gjykim dhe për autorët e tjerë dhe për vetë revistën.
    Por kur shikoj që thuhet se:Përpjekja është revistë anti-establishment, e cila synon të sfidojë vetëdijen e kalcifikuar të elitave që rrezikojnë t’i tërheqin shqiptarët në humnerë kulturore nëpërmjet izolimit, propagandës, manipulimit politik, komercializmit, paranojës, bullshit-it kombëtarist dhe simboleve të zbrazëta.… ky prezantim, po të mos ishin fjalët përpjekje, shqiptarët dhe revistë, të sjell ndërmend vetëm një personazh: Don Kishotin.
    Nuk kam asgjë me Don Kishotin… ai është i lirë (dhe ka mundësitë financiare) që të realizojë ëndërrat e tija në luftën kundër mullinjve me erë…
    Mua, dhe e them sinqerisht, më vjen keq që, edhe disa persona që i vlerësoj dhe i adhuroj për bagazhin e tyre kulturor, për aftësinë e gjykimit, formulimit e shprehjes së mendimit, persona që mund të shkruajnë faqe të reja në enciklopedi, vihen në rolin e adhuruesit të këtij Don Kishoti.
    Është shprehje lirie edhe pranimi i rolit të Sanço Pancës prej kujtdo, por është alarmante kur personat që thoja më sipër, mbajnë si idhull një mediokër që, me ato që thotë, s’kalon as nivelin e njohurive që mund të merren prej wikipedias (në shqip).

    1. “nëse nuk e bën për të fituar (dhe fakti që financohet vazhdimisht do thotë që Përpjekja nuk është me fitim), atëhere pse nuk i boton në rrjet këto artikuj? “

      Nese do ti botonte ne rrjet, une do isha i pari qe do therrisja : VDEKJE INTERNETIT !
      Vetem e vetem qe ‘Perpjekja’ te vazhdoje te botohet… ne leter !

      1. Nqs nuk e merr për ofendim, meqë e paske kaq jetsore publikimin e Përpjekjes, nëse nuk ke mundësi të sigurosh një abonim, me gjithë qejf do të të dërgoja sasinë e nevojshme të parave… do më ngelej peng nëse ndokush do vuante për kaqe gjë, apo largqoftë, të vriste vehten vetëm për mungesë të Përpjekejes.

        1. Faleminderit per oferten. Nuk kam nevoje per abonim, i zoteroj te gjithe numrat, nga i pari tek i fundit. Kane qene dhe vazhdojne te jene plotesisht te gjetshëm, mjafton te kujtohesh ne kohen dhe vendin e duhur.

    2. Gazeta është pikërisht shembull se këto ndërmarrje nuk mbahen vetëm me vullnetin e mirë të nismëtarëve dhe të bashkëpunëtorëve. Gazeta, siç më duket mua, nuk i zgjidhi ndonjëherë dot problemet e financimit – këtë mund të ma konfirmojnë ose, sipas rastit, hedhin poshtë kolegë që i janë përkushtuar asaj gjatë muajve që qarkulloi. Gazeta gjithashtu jetoi për një kohë relativisht të shkurtër, në krahasim me vitet që ka Përpjekja në qarkullim. Po ashtu, Përpjekja boton materiale të një natyre të ndryshme nga Gazeta, të cilat kërkojnë tjetër lloj mobilizimi për t’u menduar dhe për t’u përftuar. Nuk di sa do të kishte ruajtur Përpjekja këtë cilësi që ka, bie fjala, sikur të mos i paguante bashkëpunëtorët. Etj., etj. Prandaj le të mos i ngatërrojmë gjërat kot. Në një botë ideale, Përpjekja, Gazeta dhe një blog si PTF do të ekzistonin së bashku, madje do të përfitonin thjesht nga konteksti i njëjtë ku do të konsumoheshin – por asnjëra prej tyre nuk do të mbijetonte dot në ekonominë e tregut; sepse tregu ynë ende nuk është pjekur për produkte të këtij niveli dhe se shumë shqiptarë pranojnë më mirë t’i japin para lypësit në rrugë, për t’u ndier superiorë qoftë edhe për një sekondë, sesa të paguajnë diçka për produkte të cilat, në thelb, u provokojnë mendërisht të kundërtën. Më anë tjetër, edhe objektivisht, tregu shqiptar për produkte të tilla është i vogël dhe i varfër; dhe sidomos, të ardhurat e atyre që do të kishin interes dhe dëshirë të ushqeheshin intelektualisht me to mbeten tepër të ulëta. Të paktën televizioni komercial, siç e vërejti edhe Hyllini, është gratis.

      1. Xhaxha, do isha komplet dakord me ju nëse Përpjekja do shitej me çmim të pranueshëm prej xhepave të kujtdo. Vetëm atëhere do të mund të pranoja që përpjekjet e Përpjekjes janë përmpjekje për të sjellë një mentalitet të ri tek njerëzit… dhe njerëzit (ndoshta jam gabim unë) janë ata që nuk i kanë mundësitë që të blejnë një revistë që në kopertinë ka të njëjtin çmim me librat e Dan Brow-it.
        Një disk me regjistrime të Orkestrës së Operës dhe Baletit, sado cilësor që të jetë, nëse do shitet shtrenjtë (sepse, për ta realizuar regjistrimin, incizimin etj etj kërkohet edhe një cilësi më e lartë se për të regjistruar tallavanë e rradhës), nuk do të mund dot kurrë që t’i bëjë konkurrencë tallavasë në treg (çmimi i të cilave i përshtatet xhepit të konsumatorit).
        Ndërkohë që, dhe kush është në rrjet dhe në çfardolloj social network-u mund të dëshmojë, në rrjet shqiptarët ndajnë me miqtë dhe faqet e tyre pjesët më klasike të repertorit botëror e shqiptar dhe tallavaja as që përmendet ndonjëherë (nga ku shihet dhe roli indikator i internetit rreth situatës).

        1. Ore mik, se te qenka fiksuar mendja me çmimet (me ç’shoh) :
          Numrat e “perpjekjes”, ne vitet ’90 kushtonin 130 leke (te reja). Ne vitet 2000 (per shembull nr 21, -vjeshte 2005), kushtonte 450 leke.
          Me ç’di une, me kete çmim, sot ne Shqiperi shiten 3 gota birre ne nje lokal.
          E kupton se ç’flet ???

          1. Nga të dhënat që më dhè, mora vesh vetëm një gjë të sigurtë: që birrat në shqipëri kushtojnë shumë shtrenjtë.
            I harxhoj edhe unë 4.5 dhe 5 euro në muaj për dy revista që i kam ndjekur vazhdimisht, por, po të mos kisha rreth 2000 euro rrogën mujore, vështirë se do ta ndjeja aq të nevojshëm “ushqimin kulturor” dhe të ndiqja pasionin tim.
            Nejse, gjithsekush e di vetë se si i harxhon paret e i bën llogaritë e veta… sepse shumë njerëz në Shqipëri, në vend që të thonë se 450lek=3birra, do të thonin që 450lek=10bukë…

  4. Ne nje kohe kur shteti shqiptar eshte dorezuar teresisht ne lidhje me fushen e kultures, financimet e huaja ne mbeshtetje te dinamikes kulturore ne vend jane te mirepritura. Une do ndalesha vetem tek dicka : a jane vertet autoret e perpjekjes anti establishement? Apo ne cfare grade arrin ajo “anti”? E shtroj kete pyetje pa pasur absolutisht asnje paragjykim. Nisem thjesht nga ideja, se sa autonomi mund te kete intelektuali shqiptar brenda ketij sistemi! A. Shtembari.

    1. Ndoshta duhej ta kisha specifikuar – me establishment, këtu kisha parasysh, më tepër, establishmentin kulturor, ose më mirë super-egon kolektive të shqiptarëve.

  5. Xha xha, nese A. Puto eshte Arben Puto, atij i lexoj librat, se ne historine politike per mua eshte njeshi (dyshi-treshit nuk i dihet), po gjithsesi nese koka eshte Lubonja, mjafton televizori, se ai eshte tipi qe kur i vjen ndonje gje ndermend e ben si puna e atij qe kur hante pule e merrte vesh gjithe mehalla, ne rastin tone gjithe Shqiperia.
    Po te kishte pak ‘buon senso’, s’do ishte bere si ‘derri maç’.

    Ti mund te vesh alarmin e te çjerresh faqet, nese s’lexohen veprat e klasikeve shqiptare, po jo nese s’lexohet revista e Lubonjes, po ne fund te fundit blogu eshte joti, penalltine e gjuan vete, mund ti besh publicitet kujt te duash.

    ”’Hyllin,

    një si puna jote, nuk e kupton dot se alternativa “mbyll-librin-hap-televizorin-pi-birrë” të trash trutë.”’

    pifto, e kam marre me kohe udhen e qoftelargut, po gjithsesi ketu kemi nje qortim pse nuk i krehim bishtin Lubonjes e meqe s’ja krehim bishtin jemi kunguj.
    Xha xhai vjen nga Amerika e blen revisten, te tjere as sikur te paguheshin me meditje s’do e lexonin. Pse?
    Sepse ajo reviste eshte personalizuar krejt, perdoret si trampoline vetjake, duket si partia e Berluskonit.

    Ajo mund te jete shume cilesore, po shkruan nje gje Lubonja e çon edhe ne 2 gazeta te tjera pastaj e reciton edhe ne televizor, keshtu qe thote dynjaja ja e pame edhe filmin e javes. Une per Lubonjen s’do shpenzoja asnje qindarke, po per Arben Puton mund te me prishej mendja. Atij tjetrit mund ti prishej mendja per dikend tjeter e keshtu me radhe, po kur revista i vjen publikut, ashtu si edhe ketu, nepermjet levdatave per nje individ, a thua se Lubonja eshte profeti i Zotit e po perhap shpalljen hyjnore, ketu ka diçka qe nuk shkon, qe vetvetiu perfshin pershtypjet rreth revistes.

    Kur lexohen gjera te tilla, jobesimtaret largohen, ngelen besimtaret. Po numri i vogel i besimtareve tregon, qe shqiptaret s’ja kane ngene nje besimi te ri.

    ”’Mbaje një çikë frymën jashtë derës tek pragu, se vërtetë që mund të hysh e të dalësh si të duash, por nuk ta ka gjë njeriu gjithnjë oreksin, që të hedhësh gjithnjë vickla dhe i pari.”’

    Ja, ty te duket se ketu jemi ne kishe, ku te gjithe jane te mirepritur, nese degjojne meshen, bejne kryqin dhe i fusin nje amen ne fund. Pasi e acaron ti gjendjen, vjen PA ne rolin e inkuizitores, te reciton qe ne emer te librave te shenjte te demokracise dhe sigurisht ne emer te popullit (lexuesve), je i denuar me debim nga katundi.
    Nejse, nga njera ane me behet qejfi, kur shoh qe ka shqiptare besimplote (s’ka rendesi ne çfare), se na kane mbytur besimpaket e te pabeset.

    1. ftesa nuk ishte për “t’i krehur bishtin Lubonjës” por për të konsideruar faktin se mendimi publik shqiptar substancial është i përfaqësuar shumë pak në mediet, të cilat nga ana e tyre i bëjnë jehonë luftës boshe partizane midis partive duke penguar çdo dialog intelektual produktiv e progresiv. Në këtë kuptim mediet janë kryekëput reaksionare dhe Lubonja me botimin e tij dhe Ambasada Norvegjeze me përkrahjen e saj janë dukuri fatkeqësisht të rralla por vetëm për t’u përshëndetur.

      Vetëm një qorr nuk e sheh, që Shqipëria është në një terr informativ e kulturor të llahtarisur dhe që mendimi publik rri e qelbet para vetes si uji i ndenjur i një vazoje me lule dhuruar përpara shumë kohësh, në qoftë se një maskilist e misogin si ti i kupton dot këto gjëra.

      Ka edhe më. Një revistë nuk mund të barazohet me një program televiziv, pasi këto janë platforma krejtësisht të ndryshme në komunikimin publik. Mënyra se si dallojnë ato nga njëra tjetra është perveç se substanciale edhe shumë komplekse. Njeriu ose e di këtë, pra është i “ditur”, ose nuk e di këtë dhe është i “paditur”, gjë që përsëri nuk nuk është ndonjë batall i madh, po qe se nuk do të hidhej menjëherë përpjetë i pari, për të deklaruar botërisht se se i paditur është.

      Ka edhe më. Prurja e televizorit si alternativë e platformës së shkëmbimeve intelektuale është një dëftese varfërie shpirtërore për të ardhur keq, kur kjo medie e ka humbur përfundimisht këtë funksion duke u shndërruar në atë cirk me ngjyra, misioni primar i të cilit është shpëlarja e truve të masave popullore.

      Të shikosh televizor është keq. Të lexosh revista është mirë. Të lexosh revista ballkanike të financuara nga sektori publik i një shteti skandinav është një nga gjërat e pakta të mira që mund t’i bësh vetes në hapësirën mediatike shqiptare aq të ndotur intelektualisht (të bombarduar do të thoja).

      Ka kohë që besohet se shëndeti mendor konservohet më mirë në hapësirën jashtëtelevizive.

      “TV free” në vend të “free TV”.

      Kurt të shkrova që mbaje një çikë hovin tek dera e bllogut, se nuk ka ndonjë nevojë impertinente, qe sa herë që shtrohet supa në këtë tavolinë, të vish ti i pari dhe të pështysh në tenxhere, kisha parasysh vetëm që mos u shty aq shumë që arrish vërtetë i pari për të pështyrë në supë. Lëru edhe të tjerëve një çikë radhë, të krijojnë edhe këta një mendim të tyrin.

      Dhe nuk ka nevojë të bëhesh si viktimë, se nuk po të them ndonjë gjë të madhe. Je ku je, livadhis prej vitesh si të ta dojë qefi, thua ç’të duash, pavarësisht se mendimin e mbështet në një instinkt, se ndonjë provë që të jesh i studiuar akoma sikur e ke borxh, fyen botërisht njerëz të njohur e panjohur, a thua se ta kanë këta borxh, pra më shumë prish se ndreq, e megjithatë nuk ta ka mbyllur gjë njeriu shulin përpara hundës.

      Bllogu nuk ka nevojë për rituale se nuk është kishë e ca më pak një harmoni mendimi të imponuar se nuk është as medrese, por thjeshtë një predispozicion më humanist e libertin.

      Dhe si u bë ajo puna mbetur hapur? Vazhdon akoma të besosh që gratë në Perëndim janë të përdala? Se i ike një çikë si skuth kësaj pune dhe nuk ma sqarove më.

  6. “Vetë PTF, a nuk është një shembull i konfrontimit dhe debatit rreth argumenteve dhe ideve që shqetësojnë shqiptarët hera-herës?”

    Kerrkund. Shembull i konfrontimit dhe debatit rreth argumenteve qe shqetesojne shqiptaret jane edhe kafenete. Ka tjeter kerkesa dhe cilesi Perpjekja. Ne PTF hyn kushdo, cfaredo troll i rradhes, kerrcet ad hominemi jo me pak se ne cdo forum, etj, etj. Artikujt e Perpjekjes nga ana tjeter nuk jane thjesht komente apo opinione te publikuara me nje te rene te butonit, por ese te pjekura e te menduara gjate nga autoret, me te fokusuara, e me tjeter lloj shije.

    1. Luljan, ti ke pas qenë një prej atyre që, personalisht (dhe diku e kam shprehur edhe publikisht), të adhuroja për kapacitetin tënd…
      Po pse ore Luljan bën sikur s’kupton?
      Përse e krahason PTF me një kafene çfardo?
      Kur them që niveli i argumenteve dhe diskutimit të PTF, kam parasysh argumentet, cilësinë dhe mënyrën e diskutimit që ofron PTF-ja me artikujt e tij dhe jo ajo çka aludon ti rreth komentuesve.
      Përveç cilësisë së artikujve të PTF, ku GJITHMONË autori kryesor ka dhënë të dyja anët e medaljes së argumentit në diskutim (ndryshe nga e njëjta vrimë e fyellit që i bije Lubonja), kanë qënë pikërisht komentet (edhe të atyre troll-eve) që kanë nxjerrë në pah që medalia nuk kishte vetëm dy faqe por ishte poliedrike… dhe, me sa është mundur, është bërë dritë rreth të gjitha “faqeve” të argumentit.
      Besoj se je dakort me mua nëse do të thoja që: Një lexues i çfardoshëm do të fitonte shumë herë më tepër nëse do të lexonte një temë çfardo të PTF (ku argumenti i trajtuar mjaft mirë ka vlerën e shtuar se është trajtuar nga të gjitha anët edhe prej komentuesve), se sa të lexonte sasinë e artikujve të Lubonjës… dhe nuk është SASIA e shkrimeve të Lubonjës fajtorja që mund të ketë edhe shkrime të dobëta ndër to… sepse, edhe nga ana sasiore, PTF-ja ka ofruar ku e ku, shumë herë më tepër se të gjithë “analistët/opinionistët” shqiptarë të marrë së bashku dhe me CILËSI-në që i takon të flasë/shkruajë dikush që ja vlen të thotë diçka.

      Nëse do flitej për tjetër shije, shijes dhe elegancës së artikujve të PTF në përgjithësi dhe të Xhaxhait në veçanti, vështirë se do të gjeje ndokënd që të thoshte: shkrim i shkruajtur keq, apo, shkrim pa fund e krye… pamvarsisht se sa mund të jem(i) dakord dhe se sa ashpërsisht (dhe deri në ç’nivel) mund të reagoj(më) ndaj shkrimit (apo ndaj autorit, meqë e kishe merak ad hominem-in).

      1. Edrus, nuk me ke marre vesh. Ndoshta duhet te isha me i qarte, pasi kisha parasysh formatin. PTF eshte nje nga blogjet me cilesore shqiptare, por mbetet blog gjithsesi, artikujt e te cilit arrijne nje maksimum PUBLICISTIK, dhe aty mbesin. Kjo eshte natyra e blogut ne fund te fundit. Ndryshon puna me Perpjekjen. Ajo eshte reviste, artikujt e se ciles nuk kane natyre publicistike, por studimore, kerkimore, etj. E vertete qe shume artikuj te Xhaxhait, te nisur ne PTF, jane permbledhur neper libra, por po t’i vesh re me kujdes, vetem pak prej ketyre artikujve i kane shpetuar redaktimit te autorit, duke ia ndryshuar keshtu formatin. Plus, vete fakti qe keto artikuj jane bere libra, flet per nje mungese te llojit blog, qe nuk ka te beje edhe aq shume me raportin internet/leter, sesa me raportin mes formave te ndryshme te shprehjes. Ajo qe dua te them eshte se artikujt e Perpjekjes jane te finalizuara. Vertete ndonje kontribues aty mund te niset nga nje artikull qe ka derguar dhe ta shnderroje ne nje pune me sistematike, por sidoqofte, hapesira per permiresim eshte me e madhe per sa i perket artikujve neper blogje, se sa artikujve neper revista. Blogu eshte impulsiv, dhe i drejtuar nga aktualiteti, ne dac ne lidhje me artikujt kryesore, ne dac ne lidhje me komentet. Fale ketij impulsiviteti dhe ketij “llogorizimi” ne aktualitet, analogjia mes blogut dhe kafenese qendron, nderkohe qe revistat si Perpjekja kane tjeter perspektive. PTF eshte kafene e mire, por kafene gjithsesi, ku muhabeti rrihet mbare e mbrapsht, nga te gjitha kendet, ndryshe nga Perpjekja, ku muhabeti ka nje fokus dhe drejtim te caktuar.

  7. “Përpjekja” nuk është tribuna e fjalës së Fatos Lubonjës, por një adresë e hapur nga Fatos Lubonja për të mirëpritur mendimin e kualifikuar, prurjet studimore me domethënie për momentin dhe për të ngritur kështu nivelin e debatit kulturor, përkundër anti-përpjekjeve më të shumta në numër e tirazh, të cilat tërheqin përditë drejt tjetërkundi.

    Për këtë arsye, kjo revistë ka qenë dhe mbetet një periodikë pikëtakimi e paevitueshme.

    Ende më e vërtetë është se, me hir apo pahir, pothuaj çdo numër i “Përpjekjes”, dhe kjo që prej fillimeve të saj, është kthyer në ngjarje.

    “Përpjekja” nuk boton pra opinione, por i mbush më së shumti faqet e saj me studime, hulumtime dhe analiza specialistësh dhe intelektualësh, të cilat do t’i bënin nder, sikurse edhe i kanë bërë, cilësdo simotre të saj në vende ku debati intelektual ka kuptim, respektohet dhe ndiqet më dendur.

    Konstatimi se kjo revistë nuk lexohet dhe vlerësohet nga masa, konfirmon kështu ndërmarrjen intelektuale të “Përpjekjes”. Gjithë sikurse konfirmon, mjerisht, edhe titullin që bart jometaforikisht kjo revistë, edhe pas njëzet vitesh aktivitet.

    Shumëkush mund ta shpinte edhe më tej cinizmin me të tjera insinuata, për etje protagonizmi a për të tjera qëllime, të cilat ndër shqiptarë gjenden me bollëk.

    Ndërkaq, konsistenca e veprimit dhe mendimit të Fatos Lubonjës që prej fillimeve të karrierës së tij si i burgosur politik dhe deri në ditët e sotme është aq e rrallë ndër shqiptarë, sa do të bënte me turp shumëkënd.

    Jemi apo jo dakord me mendimin dhe veprimin e Fatos Lubonjës, pjesërisht apo plotësisht, ky intelektual e ka vendosur kaq lart stekën e integritetit, ndershmërisë dhe konsistencës intelektuale, sa do të jetë tepër e vështirë për cilindo tjetër nesër të mos sikletoset krahas shembullit Lubonja.

    Në liri dhe sidomos në rini është kollaj të japësh mend edhe të bësh moral.

    Në burg është tmerrsisht e vështirë. Pas burgut, të lundrosh pa u bërë pis me të njëjtin qelbësirëllëk që të kalbi në burg, është gati heroizëm.

  8. ”’Dhe si u bë ajo puna mbetur hapur? Vazhdon akoma të besosh që gratë në Perëndim janë të përdala? Se i ike një çikë si skuth kësaj pune dhe nuk ma sqarove më.”’

    Ore, ty te paska ngelur ora 7 pa 5 ! Ti ta gezosh gruan perendimore e te t’rrojne femijet me gjak perendimor, por si ta thashe asokohe dhe qe e mbeshtes edhe sot edhe mot e sa te kem fryme, persa kohe qe gjysma e meshkujve eshte jashte, eshte e dobishme ideja se grate perendimore jane te perdala, pasi ky eshte stereotip qe krijon pengesa kulturore ne çeshtje martesore (ka me dhjetra pengesa kulturore qe prishin marredheniet, duke filluar nga fe te ndryshme, qe kane gerryer nga brenda edhe lidhje te forta), me leverdi per kombin, sikunder ka qene per shekuj pengesa kulturore qe ka penguar martesat mes shqiptareve dhe romet.
    Tani pas teje le te hidhen perpjete edhe romet, po fakti eshte fakt.

    A e kupton ti robo, se popujt e vegjel mbijetojne kryesisht fale pengesave kulturore, apo te ka ikur treni ?

    Ne nje diskutim mbi punet e shqiptareve, nuk ka: kjo me djeg mua, prandaj eshte keq, te djeg s’te djeg nese eshte mire per shumicen e hengre ballokumen.
    Nese shumica do bente si puna jote, shqiptaret do ishin komb ne rrezik zhdukjeje, mjafton kjo logjike e thjeshte per te arritur ne perfundimin se rasti yt duhet te jete i izoluar dhe te izolohet me tej me ane te nje pengese kulturore.
    Po ti e ke humbur logjiken si Xhaferri simiten.

    Persa i perket te tjerave qe ke thene, me shpjego njehere ç’eshte ‘mendimi publik shqiptar’, se kam vite qe kerkoj mendimin shqiptar dhe se gjej kurrkund, pastaj shohim e bejme.

    ”’Ndërkaq, konsistenca e veprimit dhe mendimit të Fatos Lubonjës që prej fillimeve të karrierës së tij si i burgosur politik dhe deri në ditët e sotme është aq e rrallë ndër shqiptarë, sa do të bënte me turp shumëkënd. ”’

    Mungonte vetem kjo permendja e burgut, po ama te hash burg ngaqe flet kunder komunizmit dhe te mbeshtetesh pas burgut levizjet anarko-komuniste, tregon se Lubonja eshte viktime e sindromes se Stokholmit dhe jo ndonjefare konsistence veprimi e mendimi.

  9. Pak mjete ka kultura në Shqipëri që t’i rezistojë (ekzistojë!) llumit që përhapet me shpejtësi në mjedisi ku duhej marrë kulturë. Big Brother-at, spektaklet boshe që mbushin ekranet e televizorit në Shqipëri po zëvendësojnë një mendim të mirë, të lirë që shumë e kanë por që mundësitë i mungojnë.
    Revista të tilla si Përpjekja, Hylli i Dritës, sado të mos i simpatizojmë botuesit, janë objekte të një rendësie të veçantë që ministri Xhaferri i emëruar si rregullonjësi apo mbarëvajtësi i kulturës dhe politikave kulturore, duhet të jetë krenar.
    Mendoj që ata/ ato që arrijnë akoma të shkruajnë në shqip siç shumë artikuj këtu apo dhe në blogje të tjera, kanë meritë; prandaj dhe përpjekjet e disa personave për të kontribuar sado pak për kulturën apo mendimin ndryshe jnë të mirpritur.

    Numri mbi të cilin flitet mbi kinemanë ballkanike është një imazh i mirë se sa të pranueshme janë njohuritë kur ato na vijnë me pikatore edhe pse jemi ballkanas.

    Le t’i urojmë vit të mbarë të gjithë atyre që përpiqen të ndjekin shembullin e kësaj reviste që akoma jeton.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin