PËRSE SHKRUAJ?

El País semanal, versioni i përjavshëm i të përditëshmes spanjolle El País, që për mua mbetet nga gazetat më interesante në botë, në fillim të kësaj jave botoi anketën  e saj me pesëdhjetë autorë, kryesisht hispanikë, të cilëve u kishte drejtuar të njëjtën pyetje : Përse shkruani ?

Kuptohet, përgjigjet ishin nga më të ndryshme dhe shumica tyre më lanë mbresa, disa për thjeshtësinë, të tjera për humorin, të tjera akoma për sinqeritetin por që të gjitha të linin të kuptoje se ishin formuluar nga burra e gra të mençura, nga përvoja jetese mbresëlënëse.

Në hyrje, autori i anketës (Jesus R. Mantilla), që në fakt e quan reportazh, bën një interpretim të tijin të rreshtit të parë të Biblës (të librit të Zanafillës, besoj) që siç e dimë është : Në fillim qe fjala. E vetmja gjë për t’u shënuar m’u duk dyshimi që ai shpreh se para fjalës do të kenë qenë malet, detet, nata dhe shtron pyetjen se si quheshin vallë ato para se të ishte fjala ?

Në vijim, poshtë emrit të çdo autori (nuk i përktheva të gjithë) do të gjeni një batutë a një përmbledhje të përgjigjes së tij. E shoh të tepërt t’ju njoftoj  se është fjala për një përkthim shumë të shpejtë e të lirë :

Votën, time ia jap Manuel Vincentit.

Hector Abad Faciolince

Shkruaj sepse truri im komunikon më mirë me duart se sa me gjuhën.

John Banville

Shkruaj sepse nuk di të shkruaj. Një gazetar pyeti një herë Gor Vidal-in përse shkroi Myra Breckinridge ? Ai u përgjigj. Sepse nuk ekzistonte. Një përgjigje e mirë. Të sjellësh në botë diçka të re është një privilegj që nuk i është dhënë të gjithëve.

Felipe Benitez Reyes

Nëse dikë e pyesin përse shkruan, normalisht ai duhet të përgjigjet me një frazë të bukur, por gati të gjitha frazat e bukura kanë brenda diçka të paqëndrueshme dhe të rreme, sepse bukuria kërkon që t’i bësh një farë ndryshimi asaj që ndjen në të vërtetë në favor të vetë formulimit të saj.

John Boyne

Sikundër shumica e shkrimtarëve nuk shkruaj sepse kam zgjedhur të shkruaj, shkruaj sepse duhet ta bëj një gjë të tillë.

Andrea Camiller

Shkruaj sepse është shumë më mirë se të shkarkosh arka te tregu i qytetit. Shkruaj sepse nuk di të bëj gjësendi tjetër.

Umberto Eco

Sepse më pëlqen.

Ken Follet

Është fantastike ti kushtohesh gjësendi që di të bësh mirë.

Carlos Fuentes

Pse marr frymë ? Kur isha e vogël dhe lexoja ndonjë  libër që më pëlqente shumë, nisja pastaj  e sajoja vetë një histori tjetër për fundin e tij. Ishte një vazhdim që autori tij nuk kishte dashur ta bënte. Gjithsesi edhe tani, kur nuk  mundem të fle, tregoj histori vetemëvete, i rishikoj, i përshkruaj në qetësi, me sy të mbyllur, deri sa më zë gjumi.

Mark Haddon

Romane, poezi, teatër, pikturë, vizatim… nuk ka shumë rëndësi. Dita që më kalon pa bërë gjësendi, sado e vogël qoftë, më duket një ditë e humbur. Një javë pa krijuar më duket e dhimbshme…

Gonzalo Hidalgo Bayal

Për të krijuar, për të vuajtur, kam shkruar dikur. Për të krijuar sepse kjo është prirje, nevojë, këmbëngulje, zbavitje. Për të vuajtur sepse vetëm dhimbja dhe rrethanat e saj të panumërta përpjesëtojnë ashtu sikundër duhet materialin letrar, në in hac lachrymarum valle

Fernanado Ivasaki

Shkruar sepse lexoj dhe falë leximit lindin rrëketë dhe përrenjtë nga lumenjtë e librave të lexuar. Shkruaj sepse besoj në pavdekshmërinë e rreptë të fjalës së shkruar dhe në bibliotekat si parajsa laike…

Donna Leon

Në fillim, shkruaja për të provuar nëse mund ta bëja një gjë të tillë.

Elvira Lindo

Shkruaj që kur isha nëntë vjeçe. Që fare e re nisën të më paguajnë në radio për tregimet, skenarët  dhe skeçet që bëja. Tridhjetë e një vjeç shkruajta librin e parë…Mendoja se të shkruaja ishte detyra ime deri sa e kuptova se ishte diçka tjetër. Është një detyrë, por edhe një formë jetese.

Alberto Manguel

Shkruaj sepse nuk di të kërcej tango, të luaj në ndonjë vegël muzikore, të zgjidh probleme matematike të vështirë, të vrapoj në maratonën e Nju Jorkut, të përshkruaj trajektoren e planetëve, t’u ngjitem maleve, të  luaj futboll….

Javier Marias

Siç e kam thënë edhe në raste të tjera, shkruaj sepse nuk dua  të kem një shef te koka dhe të ngrihem herë në mëngjes…

Luise Amertin

Kur dëgjoj shkrimtarë të tjerë të shpjegojnë arsyet pse shkruajnë, unë i ndaj plotësisht mendimet e tyre. Të gjitha. Më duket vetja si ata hipokondriakët që gjejnë te vetvetja simptomat e gjithë atyre sëmundje për të cilat  dëgjojnë. Shkruaj si të qe një terapi psikike, për të vënë rend në botë dhe  ta kuptoj, për ta shpjeguar botën,  të paktën si e  shoh, për të ndryshuar botën, për të jetuar jetë që nuk mund t’i jetoj, për të shëruar fajet e mia, për t’u kujtuar nga brezat e ardhshëm, për ti mbijetuar vdekjes, për t’u ndjerë Zot qoftë edhe për një çast. Duke dëgjuar fjalimin e O. Pamuk në akademinë Suedeze të Nobelit dëgjova edhe një arsye që askush nuk e kishte formuluar në atë mënyrë të mrekullueshme : shkruaj sepse kështu e kuptoj arsyen përse jam aq shumë i zemëruar me ju, më gjithë botën »

Luis Amteo Diez

Shkruaj për të fshehur paaftësinë për të bërë gjësendi tjetër.

Eduardo Mendoza

Sinqerisht nuk e di.

Ricardo Menedez Salmon

Shkruaj për pakënaqësi. Nëse do të isha i kënaqur do të kufizohesha « të jetoj jetën » jo të përpiqesha ta kuptoja nëpërmjet të shkruarit …

Juan José Millas

Shkruaj për të njëjtat arsye që lexoj, sepse nuk ndihem mirë.

Rosa Montero

Shkruaj sepse nuk i bëj dot ballë vërshimit të imazheve që kalojnë në kokën time dhe disa nga këto imazhe janë aq eksituese sa ndjej nevojën urgjente që t’i ndaj me të tjerët.

Andres Neuman

Shkruaj sepse që fëmijë e kam ndjerë se të shkruarit është një formë kureshtjeje dhe paditurie. Shkruaj sepse nuk di dhe nuk di pse shkruaj.

Amelie Nothomb

Më pyesin përse zgjodha të shkruaj. Nuk e kam zgjedhur unë një gjë të tillë. Është njëlloj si të biesh në dashuri. E dimë që nuk është një ide e mirë dhe askush nuk e di si ka mbërritur deri aty, por të paktën ka provuar. Është gjësendi që i kushtojmë të gjithë kohën të gjitha mendimet tona. Të shkruajturit është një akt dhe njëlloj sikundër dashuria është diçka që bëhet.

Arturo Perez-Reverte

Shkruaj sepse ka njëzet e pesë vjet që jam shkrimtar profesionist dhe jetoj me një gjë të tillë. Është puna ime.

Soledad Puertolas

Kënaqësitë e jetës të vijnë majë hundës. Dhimbja dhe humbjet të zhysin përfund. Monotonia dhe vaktësia mund të dalë që janë vrasëse. Kur shkruaj jam jashtë këtij realiteti.

Fernando Royuela

Shkruaj për shkak të mëdyshjeve që kam. Kam shumë vështirësi për të kuptuar qenien njerëzore dhe duke shkruar shpresoj t’i zbus pak ato (vështirësitë)

Jorge Semprun

Po ta dija mbase nuk do të shkruaja. Të shkruarit nuk është një akti i mirëmenduar (i vullnetshëm), as edhe një j funksion natyror (i njeriut)

Antonio Tabucchi

Do të desha ta formuloj pyetjen në këtë mënyrë : Përse shkruhet ? Ka shumë kohë, kur isha i ri dëgjova Samuel Beketin  që u përgjigj : Nuk më mbetet tjetër gjë.

Përgjigjet e mundshme janë të shumta, por të gjitha kanë një pikëpyetje nga pas. Shkruajmë sepse kemi frikë nga vdekja ? Sepse koha ikën shpejt dhe ne përpiqemi ta ndalojmë … Siç thoshte Bodleri : jeta është një spital ku çdo i sëmurë kërkon të ndërrojë shtrat. Njeri mendon se do të gjejë shërim pranë dritares, tjetri pranë kaloriferit…

Andres Trapiello

Pse dikush shkruan ? Normale është të flasësh, madje edhe të këndosh, por jo të shkruash. Të rreshtosh fjalët për të bërë një libër, thoshte Unamuno, është një « tragjedi e shpirtit » dhe sipas rastit shkruajmë nga frika se mos mbetemi të vetëm para dhimbjes sonë, si të shkruarit të ishte një ilaç dhe jo një  helm. Të paktën unë kështu e ndjej.

Karmen Uribe

Në nëntor 2007 u ftova të marr pjesë në klasën e të shkruarit artistik të Antoni MacCann në CalArts te Los Angeles, me rastin e përfundimit të viti shkollor ; Antoni më tregoi se më të mirët bëhen skenaristë për seriale televizivë, më të dobëtit  bëhen poetë.

Në fillim shkruajmë për imitim, më tej sepse besojmë se do të bëjmë botën më të mirë. Pastaj bindesh se kjo është detyra tënde. Po të bëja pjesë në klasën e Antonit me siguri do të isha në grupin e dytë, në atë të poetëve.

Maria Vargas Llosa

Shkruaj sepse mësova të lexoj që i vogël dhe të lexuarit më jepte shumë kënaqësi, më bënte të jetoja përvojë të pasura, të shkruarit shndërroi jetën time në mënyrë aq të mrekullueshme…

Fraza e famshme e Floberit që citoj shpesh : « Të shkruarit është një mënyrë jetese », përputhet plotësisht me rastin tim

Manuel Vincent

Nëse do të ma kishin bërë këtë pyetje kur isha shumë më i ri me siguri përgjigja ime do të ë kishte qenë më romantike, më letrare, më taravele. Ka mundësi të kisha thënë se shkruaja për të krijuar një botë sipas imazhit tim, për të lexuar librin që nuk gjeja në bibliotekën time, për shkak të dashurisë për një vajzë, për të mos vrarë veten…

Pa harruar se kjo punë ka në vetvete një lloj vaniteti dhe narcizizmi, nga kjo pikë ku kam mbërritur them se shkruaj sepse më pëlqen, që nganjëherë më del mirë e nganjëherë keq, por në çdo rast letërsia bën pjesë te ato forca vitale që më ndihmon të ndihem mirë në këtë botë, pa shpresuar ndonjë gjësendi të madhe si rezultat.

Santiago Roncagliolo

Do të më duhej të them se shkruaj meqë nuk di të bëj gjësendi tjetër. Nuk di të ngas biçikletën, mu desh një vit që të marr patentën e makinës, nuk marr vesh nga deklaratat financiare dhe kur kompjuteri më prishet e vetmja zgjidhje që kam është që të qaj deri sa të rregullohet vetë. Por po provoj një përgjigje më të thellë. Besoj që realiteti që na rrethon nuk ka asnjë kuptim. Rrotull teje gjërat zhvillohen në mënyrë të parregullt e shpesh në kundërshti me njëra tjetrën dhe një ditë vdesim. Në të kundërt, romanet kanë një fillim e një fund. Personazhet shkojnë diku, kanë lavdinë e tyre, vetëshkatërrohen apo përfundojnë në  hiç dhe veprimet e tyre kanë pasojë në këtë botë. Shkruaj gjësendi që ka kuptim.

Wole Soyinka

Para disa vjetësh u anketova për të njëjtën gjë nga gazeta franceze, Libération. Në atë kohë u përgjigja ; Besoj (se shkruaj) për ata qenien mazokiste që kam brenda vetes. Që nga ajo kohë nuk kam ndonjë arsye që të ndërroj mendim.

Enrique Vila-Matas

Ah, e shikoj, u rikthye pyetja e vjetër e pabesë. Por ju mund të më pyesni edhe përse bëj një fjongo te këpucët e mia, edhe përse nuk bëj një nyje, e cila do të më shërbente njëlloj. Këto lloj zakonesh nuk na tërheqin vëmendjen se pse janë bërë të rëndomta. Dikur, në të shkuarën një paraardhës bëri një fjongo. Ne nuk jemi veçse imituesit e tij, një hallkë në zinxhirin e zakoneve. Atëherë atij që më pyet përse shkruaj do ti përgjigjesha se është njësoj si të pyesësh atë paraardhësin përse bëri gjësendi tjetër veç fjongos.

Juan Eduardo Zúñiga

Kopshti duket i mplakur nga të ftohtit e nëntorit dhe toka është mbuluar nga gjethet e rëna të një akacie. Largoj sytë nga dritarja. Jam vetëm në një dhomë të zbrazët ku kam disa lodra dhe libra me rrëfime, në mur janë varuar vizatime të një vendi të huaj, i huaj është edhe autori i një libri që marr në dorë. E kujtoj emrin e tij : Michel Zevaco. Lexoj fundin e kapitullit të dytë : një njeri kërkon pa reshtur në një kuti me plot margaritarë dhe nuk gjen çka ishte më e rëndësishme për të. Më habit kjo : »… më e rëndësishme për të ». Marr në dorë një fletore e laps dhe shkruaj : « Ai kërkonte gjësendi tjetër midis margaritarëve… » dhe vazhdoj të shkruaj edhe sot e gjithë ditën.

Nuk ka komente

  1. Disa të tjera nga e njëjta intervistë:
    Shalom Auslander
    Për të evituar vrasjen time dhe/ose të të tjerëve. Për momentin po funksionon.

    Andrea Camilleri
    Shkruaj sepse është më mirë se të shkarkosh arka te tregu.
    Shkruaj sepse nuk di të bëj gjë tjetër.
    Shkruaj që më pas të mund t’ua dedikoj librat nipërve të mij.
    Shkruaj sepse kështu mund të kujtoj të gjithë personat që kam dashur.
    Shkruaj sepse më pëlqen të më tregojnë historira.
    Shkruaj sepse më pëlqen të tregoj historira.
    Shkruaj që në fund të mund ta kem birrën time.
    Shkruaj për të dhënë diçka nga gjithçka kam lexuar.

    Umberto Eco
    Sepse më pëlqen.

    Nathan Englander
    Shkruaj për të vendosur një çikë rregull në kaos.

    Adam Thirlwell
    Shkruaj sepse, s’ka kënaqësi më të madhe se ajo që, mund të krijosh lexues imagjinarë

    1. Mund t’i jepja disa përgjigje kësaj pyetjeje.

      P.sh. – shkruaj sepse të shkruaj është çfarë mund të bëj më mirë; shkruaj që të mos plas (të mos luaj nga mendtë e kokës); shkruaj që të komunikoj me njerëzit; shkruaj sepse kam gjëra për të thënë; shkruaj sepse ashtu ndihem i gjallë; shkruaj siç e end rrjetën e vet merimanga; shkruaj sepse nuk di të flas mirë; shkruaj siç këndon bylbyli; shkruaj sepse ma kërkon një forcë brenda meje; shkruaj sepse ashtu ndihem i dobishëm (u shërbej të tjerëve)…

      Përgjigjja që i besoj më shumë, sidomos kur është fjala për tekste pak a shumë letrare është kjo: nuk jam unë që shkruaj; unë vetëm e nxit ose e lejoj “atë” që të shkruajë.

    1. Arber, i bindur se kjo pyetje do te shtrohej edhe ketu, shenova qe ne hyrje te perkthimit se voten time ia jap Manuel Vincentit, pra kam te njejtin mendim me te. Dhe kjo me duket pune e mire sepse nuk e di nese ka ndokend te cilit do t’i interesonte mendimi im. Pelqeva te M. Vincenti idene se ne periudha te ndryshme jemi te motivuar nga arsye te ndryshme. Arsyeja e vertete? Nuk e di. Me ka mbetur ne mendje se Samuel Beketit, nga fundi i jetes se tij i shkoi dikush t’i bente ca pyetje rreth Godosë, që e kishte ngritur ne rangun e Shekspirit. Akoma ju interesojne te tilla marrezira, pyeti ai nga ana e tij.
      Tani ec e merre vesh pse shkruhet!
      Per te tjerat pastaj, nese e ke fjalen per pranine time te herepashereshme te PTF, kete mund ta shpjegosh fare mire me nevojen per te kapur here pas here temperaturen e problemeve sociale ne Shqiperi, meqe e shoh si blog me te ekulibruar e profesional.

  2. Te shkruarit, duhet te jete nje akt shume interesant (nuk di a mund te them: i bukur!), por, sa keq qe nuk di ta bej!
    Megjithate, ne kete bote, dikush shkruan e te tjeret lexojne, ato cka shkruhen per to. Kete te fundit, e bej me shume deshire e pasion, sepse per ore te tera, me shkeput nga realiteti e me qeteson, ashtu si shkrimtari ndjehet, kur shkruan..

  3. Mua do me kish pelqyer te kisha lexuar ndokend qe thoshte, shkruaj sepse jam i guximshem, s’kam frike nga broçkullat qe mund te nxjerr, pasi jam i vetedijshem, qe mes tyre do t’kete edhe diçka me vlere.

    Mbaj mend ne hartime merrja gjithnje 6, verejtja; shkruan si ne gazete. Nuk e çaja shume koken se rregullohesha neper provime. Sesi me ndodhi, gjate nje qortimi, qe meqe realisht s’beja, pasi asokohe te thaja edhe ne shenjat e pikesimit, qe vendosa te lexoj hartimin e dikujt qe kish marre 10 (merrte gjithnje), por po bente qortim. Lexoj e me duken broçkulla, por qe dija ti shkruaja.
    Filloj e shkruaj broçkulla, mora 9+, keshtu qe fillova te merrja vetem 9+ ne hartime dhe rashe rehat ne provime, s’po mesoja me, se rregullohesha me hartimet (ngelen 9+ si ndeshkim qe s’mesoja me, te tjereve ua bente 10).

    Keshtu thashe rrofshin broçkullat, po me vone fillova te gjeja edhe ndonje interesante mes broçkullave.

    1. C’me kujtove gjimnazin Hyllin… Kur kam qene ne vit te pare, kam patur nje kusheri ne vitin e katert (nxenes i mire) te cilit ia beja gjithmone une hartimet, dhe ky merrte gjithmone dhjeta me hartimet e mia… Deri ketu nuk ka asgje te keqe, po pastaj e mori vesh klasa e tij dhe m’u versulen te gjithe per hartime, e nejse, une beja sa mundja, e kjo pune zgjati derisa nje dite me kapi drejtori ne korridor ndersa beja pazarin e hartimit 🙂

    2. Po nuk të duket ky mendimi që ke shumë i kushtëzuar, për ta parë të shprehur te dikush tjetër?

      Megjithatë, ta ndjej hallin. Kam përshtypjen se fëmija shihet prej mësuesve më shumë si objekt qortimi, sesa si kapacitet, apo potencial krijues.

      Edhe dëgjon o… se më kujtove për hartimet. Ia kisha gjetur anën për vete. I bëja poezi. Ishte më thjesht. 20 rreshta, ja 30 e shumta. Nuk të hante kohë fare për korrigjim, merrje madje edhe notë + për “guximin” për tu shprehur në vargje.

      Shiko tani e forta… e mbaj mend madje se në cilin hartim e nisa eksperimentin. Ishte një për Lahutën e Malcis. Oso Kuka, beteja e Shalës, të tilla gjëra. Ty do të bëhej zemra mal po të ma lexoje. 😀 Këtu kisha shkruar nja katër faqe plot, bashkë me një poezi, apo si e kisha quajtur unë në hartim “këngë zanash”.
      “Dielli që pa dalë, u skuq gjaku në Shalë” e të tilla gjëra. Rrofsh që ma kujtove.

      Flo, unë tentova të shkruaja një për vëllain që e kam në gjimnaz, para dy vitesh, diçka e tillë. Për ferrin e Dantes. E keqja ishte që nuk bëhesha dot fëmijë, dhe do dukej që e kishte shkruar një i rritur. Lëre pastaj që vëllai dhe motra më sollën në rrugë të drejtë, sepse çka kisha shkruar, më thanë, nuk shkonte me mendimet e mësueses. Bravo thashë me vete, im vëlla dhe ime motër e paskan kalitur më mirë se unë instiktin e mbijetesës.

      1. Kurse une e kisha shume te lehte te shkruaja per më te rritur, madje ndonjehere me duket se nuk kam shkruar kurre si femije, ndoshta faji i librave per te rritur qe kam lexuar ne moshe krejt te papershtatshme…
        Ne fakt ishte nje angari e merzitshme te beje dhjete hartime te ndryshme me te njejten teme, dhe e di si veproja ?… Hidhja syte perreth dhe cfaredo objekti te shihja pertoke, me të e filloja hartimin, e pastaj tirr e tirr… nota te mira merrnin gjithmone… manipuluese qe athere 🙂

  4. Shkruaj ne shqip sepse e gjej si te vetmen menyre per te njohur veten dhe te kaluaren, shkruaj ne shqip per ti dhene pak kuptim komunizmit, per te justifikuar cmendurine e ideologjise komuniste dhe adhurimin idiot te absurditetit komunist. Shkruaj ne shqip per te “shijuar” akoma prangat e gjuhes gjate diktatures, shkruaj ne shqip sepse e pelqej gjuhen time, sepse dua ta njoh gjuhen time, jo sic ma mesuan ne shkolle, por ashtu te lire si nje zog qe fluturon; shkruaj ne shqip sepse dua t’i eksperimentoj, t’i jetoj te gjitha aspektet e gjuhes qe nuk arrita dot t’i ndjej si pjese e identitetit tim.

    Shkruaj ne gjuhe te huaj sepse kjo me cliron nga frika, dhe padituria ime e gjuhes shqipe; shkruaj ne gjuhe te huaj sepse ndjehem i lire te shkruaj si te dua.
    Te shkruash nuk do te thote te dish te shkruash, por te marresh kurajon per te thyer kohen dhe kujtesen duke i kombinuar ne fjale— ne fjale te cilat duhet te perkthehen ne imagjinate si thesare te dhimbjes njerzore, sepse dhe lumturia eshte pjese e dhimbjes. Te gjithe duhet te shkruajne, dhe te gjithe dine te shkruajne; njerzit behen me te ndergjegjshem kur shkruajne sepse arrijne te prekin mendimet dhe te njohin veteveten. Mund te shkruash per publikun apo mund te shkruash per veten, sido qe te jete, te shkruash eshte me mire sesa te flasesh; fjalet i merr era, ndersa shkrimin mund ta lexosh te nesermen e te buzeqeshesh me veten duke menduar sa “i papjekur” isha dje. Shkrimi eshte si nje pasqyre e vetevetes qe nuk i shpeton dot, do apo nuk do, eshte kokeforte, i heshtur, bindes, dhe shpesh here alarmant ne humor, ne koncept dhe ne ndjenje.

    1. “Te shkruash nuk do te thote te dish te shkruash, por te marresh kurajon per te thyer kohen dhe kujtesen duke i kombinuar ne fjale…” ide tejet orgjinale!

    2. “sido qe te jete, te shkruash eshte me mire sesa te flasesh; fjalet i merr era, ndersa shkrimin mund ta lexosh te nesermen ”

      Kam nje kundershtim pak klishe : Krishti dhe Sokrati nuk kane lene asgje te shkruar, mirepo… 😉

    3. “Shkrimi eshte si nje pasqyre e vetevetes qe nuk i shpeton dot”

      …vetem vetvetes qe mbetet ngrire ne shkrimin pasqyre, pasi vetja shkrues eshte gjithnji jasht pasqyre ashtu si kujtesa e munguar e pasqyres.

  5. Balzak me duket se ka nje permbledhje interesante te arsyeve qe shtyjne dike te shkruaj profesionalisht, dicka qe shkon me duket ne linjat e qefit, miletit dhe se fundi kur…es (xhepit)
    S’e dini ju se pse shkruani mo?
    Ua thome u. Ja me muzike:

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin