GJINIA E VDEKJES

Në Tiranë vdekjet i has të shpallura me afishe të vogla, në muret. Kur je atje, sytë dashur pa dashur të kalojnë mbi emrat e atyre që kanë ndërruar jetë, për të parë nëse njeh ndokënd ose jo; edhe me frikën se, nëse po nis të njohësh pak si shumë prej tyre, do të thotë se po vjen edhe radha jote.

Gjithsesi, më ka mbetur e pashlyer përshtypja se burrat po vdesin më shumë e më shpesh se gratë.

Përpiqem ta arsyetoj këtë iluzion – por gjej kaq shumë arsye, sa gjithnjë dyshoj se ka ende vend për të rrëmuar.

Natyrisht, burrat vdesin më herët se gratë, ose në moshë më të re; gjithashtu, duke qenë unë vetë burrë, ndoshta instinktivisht shoh më shpesh lajmërimet për vdekje burrash (thellë-thellë, me ankthin absurd se do të ndesh atje një ditë emrin tim).

Por ka edhe më: në një shoqëri patriarkale, ku burri dominon jetën publike, ndërsa gruaja jetën private (versioni post-modern i ballafaqimit mes selamllëkut dhe haremllëkut, siç e quan Ervin Hatibi në një ese të vetën), vdekjet e burrave nderohen më shumë publikisht: për to shkruajnë gazetat në nekrologji me një lumë firmash në fund, bëhen homazhe në institucionet ku vendosen kurora me lule të freskëta, flasin personalitetet ose dërgojnë telegrame ngushëllimi me fjalë superlative, si “i paharruar qoftë”, “besniku i Partisë”, etj..

Me fjalë të tjera: në një shoqëri ku jeta sundohet publikisht prej burrave, doemos që edhe vdekja ashtu do të sundohet.

Shkoj në varreza; edhe atje më duket se varret më të mëdha, më të spikatura, ndoshta edhe më të shëmtuara, i kanë pikërisht burrat.

Ku të fshihen gratë e vdekura vallë?

Nëse gratë shqiptare rrojnë më gjatë se burrat; dhe nëse popullsia shtohet me ritme relativisht të shpejta, si në Shqipëri, atëherë dyshimi se burra vdesin më shumë se gra e ka një bazë statistike – dhe s’ka nevojë të jesh ekspert për ta përsiatur këtë.

Natyrisht, mund të supozojmë se raporti mes djemve dhe vajzave të porsalindur është 50/50 (nuk është, por le ta supozojmë gjithsesi). Në qoftë se burrat jetojnë më pak se gratë, mesatarisht (p.sh. 7 vjet më pak), atëherë ndër shqiptarët mbi 70 vjeç do të ketë më tepër gra se burra (ose më shumë plaka se pleq, çka është gjë e mirë, tek e fundit; shih plakat e jetës).

Edhe nga pikëpamja e perceptimit kolektiv, gruaja e vé është personazh më i zakonshëm sesa burri i vé; për vejusha, si të thuash, flitet dhe shkruhet më shumë. Burri i vé, përkundrazi, është kuriozitet, ose dukuri e padëshiruar, pse e kundërnatyrshme – gati-gati është në rendin e sendeve që gruaja ta kallë të shoqin në dhé, madje edhe t’ia bëjë nderet, duke përfshirë afishimin e lajmit të vdekjes në rrugë, ose, sipas rrethanave, edhe të qarët me kuje.

Mirëpo edhe grave u vjen radha për të ikur nga kjo botë; sado me vonesë; vetëm se në Shqipëri gratë, ndryshe nga burrat, i kalojnë ditët e fundit në shoqëri të njëra-tjetrës, kur nuk i kalojnë të harruara në shtëpitë e pleqve.

Vështirë ta shpërfillësh gjykimin se ndër ne vdekjet e burrave priren të jenë publike, ndërsa të grave private. Ritualet sociale të vdekjes kështu vetëm sa pasqyrojnë ato të jetës; me gratë që ende ndihen mirë në rolin e lehtësueseve të vdekjes së burrit, sikurse ende ndihen mirë në rolin e lehtësueseve të jetës së burrit.

Të dojë të thotë kjo edhe që gratë dinë të largohen nga kjo botë më lehtë ose pa shumë bujë?

Nuk ka komente

  1. “Të dojë të thotë kjo edhe që gratë dinë të largohen nga kjo botë më lehtë ose pa shumë bujë?”

    Grate “Pothuajse” dine te largohen nga kjo bote… pasi nuk le radhe per to largimi i burrerise me buje.

  2. Vdekjet e grave vertete mund te jene te padukshme por me cdo rast vdekjeje ato behen me te dukshme, me pranishme e gati pjese e vete vdekjes; me petkat e tyre te zeza e vajtimin qe e degjon gjithe mehalla. Tani qe i imagjinoj me shfaqen si pixels ne nje fushe te madhe etch-sketch!

    Duke u verdallosur hasa ne kete foto, te Klodiana Aliaj, qe pasqyron disi frymen e shkrimit.
    the living and the dead

  3. Mesatarisht 7 vjet me shume jete, po te llogaritet qe martohen mesatarisht 4-5 vjeçe me te reja, i bie te jetojne mesatarisht 11-12 vjet si te veja. Tani qe djemte ne numer e madh jane jashte ose ne shtepi tjeter, ka kercitur vetmia si ne kohet e koleres .

    Cmimi i ndryshimit duket i kripur per gjinine femerore, varferia ben te veten keshtu qe kam pershtypjen se do ‘mbajne peng’ djemte per nje kohe me te gjate seç bene nenat ne Perendim.
    Po gjithsesi mendoj se kushdo trembet nga 10-12 vjet pleqeri e vetmuar.

    Persa i perket gjykimit se vdekjet e burrave priren te jene publike, kemi prapa nje akt racional, si trashegimia. Meqe trashegimia kalon ne vije mashkullore, patrilineariteti, vdekja e burrit ka efekte te shumta publike, ashtu sikunder do ndodhte anasjelltas me matrilinearitetin.

    Trashegimia eshte pika kyçe e çdo shoqerie, mjaft te shikohet gjullurdia e madhe post-komuniste, prandaj ku ka patrilinearitet efektet publike vetvetiu i ngrene peshen vdekjes se burrit.
    Perkunder vdekja e gruas, e çliruar nga trashegimia, perjetohet shoqerisht me lehte, me afer natyres se shkeputjes nga jeta.

    Tani qe patrilineariteti po humbet esencen, per shkak te trashegimise se barabarte, do kemi edhe rritjen e efekteve publike te vdekjes se gruas.
    Dikush mund te thote, se kjo rritje vjen prej lufterave emancipuese etj, per mua i vetmi faktor racional ne kete mes, kur flitet per vdekje, eshte trashegimia dhe organizmat shoqerore jane me racionale, te ftohte e pragmatike, se ç’duken.

  4. “në një shoqëri patriarkale, ku burri dominon jetën publike, ndërsa gruaja jetën private vdekjet e burrave nderohen më shumë publikisht: për to shkruajnë gazetat në nekrologji me një lumë firmash në fund, bëhen homazhe në institucionet ku vendosen kurora me lule të freskëta, flasin personalitetet ose dërgojnë telegrame ngushëllimi me fjalë superlative, si “i paharruar qoftë”, “besniku i Partisë”, etj..”

    Une besoj se me teper se sa nje qasje sipas seksit, hierarkite qe krijojen gjate riteve mortore duhet ti studiojme duke u bazuar tek statusi i te ndjerit/ndjeres. Sic e thua dhe ti me lart, burrat dominojne statuset superiore ne shoqerine tone, ndaj, jo sepse jane burra, por sepse ata zoterojne keto statuse, nderohen me teper gjate mortit. Nje tjeter qasje, mund te jete edhe ajo gjeneracionale, do te ishte interesante te studioheshin ritet mortore kushtuar personave qe vdesin ne moshe te thyer dhe atyre qe largohen ne rini. Pershendetje, Arber Shtembari.

  5. Per nje pune timen m’u desh te merrem ca kohe me zakonin shqiptar (nuk ka qene vetem shqiptar) te fotografimit te te vdekurve, nje praktike e cila vazhdoi deri vone. Te pakten deri nga vitet shtatedhjete.

    Marubi dhe gjithe bashkekohesit e pasardhesit e tij kane bere me mijëra e mijëra te tilla. Duke kaluar neper duar shume prej ketyre fotografive, per hesap te nje kolokiumi te Universitetit te Çikagos ne Paris, mua me rezultonin se statistikisht me shume fotografoheshin grate se burrat.

    Deshire e fshehte per ta harruar babain sa me shpejt? Shprehje hakmarrjeje ndaj babait shqiptar pergjithsisht te ashper? Projektim i larget i mitit te Edipit? Triumf vetem ne shtratin e vdekjes i kromozoneve XX te gruas si baze e jetes?

    Ne fakt mua me interesonte teknika e fotografimit dhe keto pyetje me erdhen vetem tani, pasi lexova ketë refrleksion te 2xh.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin