GËZUAR!

I erdhi fundi vitit 2010 dhe tani po gatitemi të festojmë.

Një festë, në thelb, jo fetare, as politike, as historike.

Nuk përkujtohet ndonjë ngritje flamuri, ndonjë djegie, ndonjë çlirim qyteti, ndonjë shembje perandorie, ndonjë aleancë madhështore, ndonjë revolucion.

Nuk kremtohen shenjtorë, martirë, prelatë të lartë, perëndi dhe gjysmëperëndi.

Nuk na kërkon kush të rrimë pa ngrënë, pa pirë duhan, pa bërë dashuri; as të vishemi mirë, as të vishemi keq, as të vemë e të heqim kësula dhe maska.

Dhe sidomos – është festë e të gjithëve. Nuk kam dëgjuar njeri të thotë: Ne e festojmë Vitin e Ri, edhe pse jemi ateistë. Nuk kam dëgjuar të jetë linçuar kush, as t’ia kenë djegur kujt shtëpinë ngaqë (nuk) e festonte.

Është një festë e kalendarit. Ndoshta festë e shtypshkronjave që bëjnë kalendarë dhe i tregtarëve që specializohen në to.

Do të më thonë: në një vit, Toka plotëson një rrotullim rreth Diellit. Viti i Ri është festë pagane, traditë e lashtë, e çliruar nga disiplina e kalendarit fetar. Është festa e njeriut në marrëdhënie me natyrën, ciklet e planeteve, Rrugën e Qumshtit, universin.

Vërtet. Por nuk është se rrotullimi i Tokës rreth Diellit përmbyllet pikërisht në 31 dhjetor. Faqet e kalendarit po, por orbita jo; sepse orbita është rreth, ose gjarpri Ouroboros që ha bishtin e vet.

Të apasionuarit pas Tokës, Diellit dhe orbitave mund të zgjedhin çdo ditë për të festuar përmbylljen e rrethit.

Ne të tjerët, kemi zgjedhur ndërrimin e shifrave.

Viti i Ri: një festë aritmetike, ndoshta e vetmja.

Nuk di të ketë njerëz që festojnë ndërrimin e muajve (aq më pak të javëve). Cili prej nesh e feston 29 shkurtin? (Përgjigje: kush ka lindur në atë datë).

Viti i Ri: një festë aritmetike, por edhe burokratike.

Burokracia ka ciklet e veta, të cilat i fsheh pas atyre të natyrës; dhe pikërisht atëherë kur ne nuk e kemi mendjen, të dehur siç jemi, në festën e festave; ose në festën e hiçit.

Aty gjithsekush sjell veglat e veta të kremtimit solemn: dhuratat, pijet, salcat, kanalin televiziv të zemrës; simbole festash të tjetërsojshme, si Bredhin ose Babagjyshin ose borën ose barin ose këmbanat ose fishekzjarret ose gjelin e detit ose bakllavanë ose daullen. Ejani uluni me ne, ka vend për të gjithë. Paguan kozmosi.

Të gjithë dëfrehemi duke rivënë në skenë rite festash të tjera, të lejuara dhe të ndaluara; tonat dhe tuajat.

Viti i Ri: palimpsest festash.

Ka nga ne që dalin rrugëve, tërbohen e harbohen si të ish duke ardhur apokalipsi; i lejojnë njëri-tjetrit shkelje dhe shkarje; nuk festojnë fillimin por fundin (Ouroboros t’i lejon të dyja).

Disa marrin vendime po aq solemne sa firma: do të pres duhanin, do të lë bixhozin, nuk do ta vë më në gojë rakinë.

Më tepër se festë, Viti i Ri është ftesë (vëreni anagramin); ftesë për ta jetuar një ditë të ndërmjetme sikur të mos i përkiste askujt dhe asgjëje, përveç ekskluzivisht teje. Është pretekst dhe alibi, ka në vetvete diçka nga karnevali dhe nga Mesha e Zezë.

Është, më në fund, edhe kremtimi i natës; ose më mirë, kremtimi i sfidës sonë ndaj natës. Ndoshta edhe prandaj shpesh rrimë zgjuar deri ndaj të gdhirë, për ta parë agimin e Njëshit, si konfirmim dhe simbol që asgjë nuk ka ndodhur: ja, Dielli po kthehet të ndriçojë.

Gëzuar, pra, të gjithëve: le të festojmë dhe shijojmë mungesën e kuptimit; le të bashkohemi në tryezat, në rrugët dhe sidomos, në faqet e fundit të kalendarëve.

Gëzuar, nga Peizazhe të fjalës!

SHKRIMET MË TË VLERËSUARA GJATË 2010-ËS

STANDARDI: ZËRA ALTERNATIVË

STANDARDI: RISHIKIM DHE MIRËMBAJTJE

KODI I LAPËRDHIVE

ETËR DHE BIJA

ORNITOLOGJI

DREJTSHKRIME DHE DËSHTIME

ANTOLOGJI

NDODH EDHE KËSHTU

BASHKËKOHËSÍ

TRISHTIMET E TURMËS

SHKRIMET MË TË LEXUARA GJATË 2010-ËS

EMRA FËMIJËSH

MOTRA E TË GJITHA MOTRAVE

MAMI, MAOJA!

PAMJE TË KONVERTUARA

TRISHTIMET E TURMËS

MAKS GJERAZI BOTOHET

RRETH LASHTËSISË SË SHQIPES

DEBAT I SHPËRFYTYRUAR

CORPUS DELICTI

NËNË TEREZA MAJTAS

Nuk ka komente

      1. Jo, jo – nuk ndodh. Në fakt, këtë shkrim e kemi përgatitur bashkë; meqë listat janë të PA, ndërsa teksti imi. Për fat të keq, WordPress nuk lejon bashkautorësi…

  1. Një festë, pak e çuditshme. Ndoshta shqiptarët i japin më shumë rëndësi ngaqë për shumë dekada nuk festonin Krishtlindjet; Pashkët, Bajramin apo dhe festa të tjera fetare, kështu të gjithë energjinë e shpenzonin për Vitin e Ri, i cili pikturohej në çdo xham pijetorje, rostiçerie apo restoranti… biles shumë fotografë të asaj kohe (realizmi socialist) të cilët kanë bërë një punë të vyer për t’i fiksuar ato kohë me anën e një estetike aspak dëshpëruese, zgjidhnin vitrinat me shkrime te tilla për të fotografuar familjarët e lumtur se po ikte Plaku i Vitit të Ri dhe një Plak tjetër po ia zinte vendin; shkurt përrallë! Por që të gjithë kishim nevojë t’i besonim…

    Dikur, flas për shiptarët, mbronim rradhat me trimëri që të mos na ikte kilja e mishit apo racioni pesë kilesh me molla dhe portokalle, edhe pse te gjitha familjet ishin siguruar nga pushteti socialist se ka për të pasur për të gjithë. Kurse sot, zgjedhja për të blerë është mijërafishuar. Rrugëve gjen gjela deti, me pakicë apo me shumicë. Lojra (për fëmijë)të mbushura me prodhime kimike të dëmshme për shëndetin, të ardhura (importuara) nga Kina. Verëra, raki, lëngje frutash të mbuluara me sheqer, ëmbëlsira; peta bakllavash të ardhura nga Turqia; fiq të tharë të ardhur nga Maqedonia. Portokalle acide apo mandarina të athta nga Greqia. Cfarë don të blesh, sot është e mundur. Ky është ndryshimi nga Plaku i Vitit të Ri socialst me atë kapitalist. Tavolinën e mbushim plot!

    Shpresojmë dhe i urojmë blogut, dhe atyre që e bëjnë të ekzistojë, shëndet të mirë dhe plot krijime për 2011.

    1. Unë e kujtoj gjithnjë si festë apolitike dhe afetare; që bashkonte përtej shumë, në mos të gjitha dasive. Ishte një alternativë ndaj frymës totalitare, që njëfarësoj i kundërvihej pushtetit në mënyrën më të efektshme – duke e shpërfillur. Edhe vetë pritja për mbrëmjen dhe organizimi i festave zinte vend midis hapësirës publike, të organizuar deri detajet nga pushteti, dhe hapësirës private, me dasmat, ditëlindjet dhe kremtimet e tjera me natyrë familjare. Ishte një manifestim primitiv, i pa-artikuluar i shoqërisë civile – sado bombastike të tingëllojë kjo sot. Njerëzit zbulonin këtë hapësirë midis privates dhe politikes; madje jo vetëm e zbulonin, por edhe shijonin, sepse gjenin aty mundësi të mrekullueshme për t’u socializuar. Për nga efekti çlirues, natën e Vitit të Ri unë do ta krahasoja me eksperiencën në stadium, ose televizionin italian ose jugosllav, mundësisht të shijuar në grup.

      1. Ndoshta eshte thjesht nostalgji por me duket se ne ate kohe kur kishte vetem nje kanal televiziv programet e nates se Vitit te Ri ishin ku e ku me cilesore. Akoma mbahen mend batutat e humori gatuar enkas per ta shoqeruar harene familjare deri oret e vona. Hap televizorin sonte dhe perballe kam Fatos Nanon te ftuar tek APARTAMENTI 2XL. U sosen artistet e humoristet qe i erdhi radha Fatos Nanos apo dhe naten e Vitit te Ri duhet permbytur televizioni me llum politike?

        Ja si reklamohet ky eveniment ne faqen e Vizion Plus:

        “Por, përtej këtyre emocioneve qe organizatoret e spektaklit premtojnë për te gjithë shqiptaret, qe mbrëmjen e vitit te ri do ta ndajnë me Vizion Plus, me siguri, pyetje kryesore është: “A do te vije ai?” Hyska tregon se me ne fund Fatos Nano do ti pergjigjet thirrjes se djemve te “Apartamentit 2XL”.”

          1. Doli dhe Ilir Meta tek E Diela Shqiptare si Baba Gjyshi modern qe i dhuroi Kristines* nje shanc te dyte ne jete.

            *Kristina, nje fatkeqe qe vuan nga nje deformim ne shtyllen kurrizore qe i rrezikon organet e tjera vitale, do kete mundesine te operohet ne Itali pas nderhyrjes te Ilirit.

            “E patca sa malet e Tomorrit” – thote gjyshi i Kristines.

  2. Urime te gjitheve dhe nje falenderim te veçante @ 2xh dhe Parrullen, per punen e jashtezakoneshme qe perballojne per te ruajtur nivelin e ketij blogu.

    1. I bashkohem edhe une urimeve te lyssd ne keto dite te te para te vitit 2011. Gezuar, te gjitheve !!!
      2Xha, urimet per ty jane shumefishe!:-)

  3. Në kohërat e lashta, kur sundonte Xhaxhi Enver, d.m.th. para ’85-tës, më bënte përshtypje mënyra se si RTSH dhe Radio Tirana e shfaqnin këtë festë. Karakteri afetar i kësaj feste ishte i njëjtë sikurse tek ne përtej kufirit. Më duket se i jepej mjaft publicitet. Mund të thuhet shumë. Kjo e zbuste pak përmbajtjen tepër të politizuar të “lajmeve” të këtyre mediave. Por kjo përshtypje prishej kur fillonin të tregonin se sa % është rritur furnizimi me llokume, pemë, etj. në krahasim me një vit më parë. Më e keqja ishte kur në programin festiv muzika pothuajse nuk ndryshonte nga programet e rëndomta kur emitonin këngë për Partinë dhe Shokun Enver. Edhe komentet e spikerëve pas ardhjes së Vitit të Ri, ishin tepër të PPSh-zuara dhe enverizuara. Nejse, të shkuara, të harruara!
    Gëzuar!

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin