ME PUPLA TE RREME

Sistemi i arsimit të lartë në Shqipëri është i mbarsur me një sërë problemesh si cilësia dobët e mësimdhënies, mjediset e varfra universitare, mungesa e sigurisë së studentëve, inflacioni i diplomave, korrupsioni në sistem, konfuzioni nga ndërrimi i shpeshtë i kuadrit rregullator nën reformat e shumta, etj. Nën efektin e kërkesës së madhe në tregun e arsimit të lartë për personel akademik me tituj dhe duke përfituar nga  afërsia virtuale me vendet e tjera, Shqipëria sot po përballet edhe me problemin e diplomave nga universitete fallco perëndimore.

Deri më tani jemi mësuar të dëgjojmë për falsifikim diplomash deputetësh dhe policësh, ndërhyrje nëpër regjistrat e amzës dhe diploma të shitura nëpër stacione karburanti nga institucionet e arsimit të lartë privat. Sot mungon një vëzhgim sistematik i këtyre problematikave, të cilat në rastin më të mirë janë të provuara sporadikisht, por përndryshe ngelin në rrafshin e thash-e-themeve. Më pak dihet për përmasat e problemit të titujve akademikë të blerë nga universitetet fallco (degree mills / mullinjtë e diplomave).

Një “degree mill” është një organizatë apo një individ që shet diploma, tituj akademikë, listën e notave dhe të dhënat e arritjeve akademike, të cilat krijojnë përshtypjen e një arritjeje të vërtetë akademike, por që në të vërtetë dëshmojnë pak ose aspak studime të mirëfillta. Këto “universitete” janë normalisht të paakredituara ose janë të “vetëakredituara” nga agjenci fallco akreditimi (accreditation mills), jo të legjitimuara ose të pa pranuara nga bota akademike.

Universitetet fallco janë kthyer në një biznes tepër fitimprurës. Tregu lëvron mbi 200 milion dollarë në vit dhe vlerësohet me miliarda dollarë (Dr. John Bear’s Guide on Degree.Net). Në SHBA ekzistojnë mbi 2 milionë diploma fallco, të marra kryesisht nga punonjës të sektorit publik dhe në sistemin shkollor për shkak të përfitimeve financiare që sjell përmirësimi dhe kualifikimi i mëtejshëm tek buxhetorët. Dëshira për të shpërblyer kualifikimet kthehet në një boomerang për sistemin dhe jo vetëm për buxhetin e shtetit.

SHBA-ja është shteti më i prekur nga ky zhvillim (mbi 890 universitete të paakredituara gëlojnë në treg). Vlera në dollarë për doktoraturë varion nga 500 deri në 4000$. Kohëzgjatja për një Ph.D. është disa muaj dhe shkon edhe një vit për të gjitha ciklet e studimeve, nga bachelor në Ph.D. Europa (rreth 460 institucione të tilla) është më pak e prekur për shkak se në disa vende emërtimi “universitet” është i mbrojtur me ligj, por dallon Zvicra (Swiss European University), Hollanda dhe Anglia. Në Hollandë p.sh. me ndryshimet në ligjin e arsimit të lartë morën statusin e Universitetit edhe shkollat e larta (Hogeschool), çfarë ka shkaktuar lindjen kërpudhore edhe të universiteteve fallco (problem i njohur edhe në Shqipëri paçka se emërtimi “universitet” është i mbrojtur me ligj). Anglia vjen e dyta pas SHBA-së për nga përmasat e problemit. Sipas Times Higher Education në Angli në vitin 2010 kishte mbi 271 “universitete” fallco. Grupi i synimit për këto kolegje janë të huajt për shkak të vizave studentore për mësimin e gjuhës angleze. Manchester College of Professional Studies, me tre klasa dhe tre docentë kishte në vitin 2009 një mijë studentë dhe lëshoi 600 diploma fallco (përpara se të mbyllej nga Home Office, por Blackpool University vazhdon ende). Në fushën e mjekësisë rast i rëndë ka qenë instituti Sussex General Hospital dhe Metropolitan Collegiate Institute, ekzistuese vetëm në letër, por që jepnin titullin doctor në mjekësi.

Në botën në zhvillim këto probleme janë edhe me të rënda. Në Meksikë, sipas “The Chronicle of Higher Education” vitin e kaluar autoritetet arritën të zbulojnë rreth 370 licenca të falsifikuara, 84 tituj akademikë dhe 179 diploma fallco. Në Rusi ekzistojnë mbi 29 agjenci që shesin Candidate Nauk apo Doktor Nauk, por kryesisht për tregun vendas. Mendohet se rreth 25% e doktoraturave të mbrojtura në Rusi janë të kopjuara ose të shkruara nga profesionistë që punojnë në rreth 170 firmat e specializuara (nga 900$ deri në 25000$ për Doktor Nauk). Burokratët dhe politikanët janë më të tërhequrit pas këtyre titujve, një dëshirë që nuk i ka shpëtuar as Putin-it, i cili besohet se e ka kopjuar tërësisht disertacionin e tij. Përfshirë këtu Australinë, Kinën, Indinë, Izraelin, Pakistanin, Rumaninë etj. vlerësohet si  problem global (shih Verifile).

Në internet numri i institucioneve që lëshojnë diploma fallco është mbi 3000. Këto institucione zakonisht përdorin postën elektronike (spam) për të ngacmuar reagimin e njerëzve.  Dikush bie viktimë e këtyre skemave pa dijeni të plotë, porse një pjesë e mirë e njerëzve janë të gatshëm të rrezikojnë.

Institucionet on-line janë të fshehura, kanë vetëm një kuti postare si adresë dhe normalisht janë të regjistruara diku tjetër.  Ato nuk kanë numër telefoni fiks, porse numra pa pagesë (toll-free), të cilët lidhen me sekretari ose call-centers. Këto institucione ofrojnë diploma bazuar mbi përvojën e jetës (ose kredite për life experience), kërkojnë shumë pak ose aspak punë akademike.  Pagesat për diplomat me bojra bëhën nëpërmjet E-Gold, kartë krediti ose Western Union dhe kushtojnë nga 300$ deri në 2400$. Ekzistojnë edhe paketa për disa diploma njëherazi, kuptohet me ulje. Nota mesatare është 3.2 GPA, por një pagesë shtesë mund të rritet në 4.0. Strategjitë e marketingut janë të shumëllojshme, si p.sh. oferta të ndryshme si tek dyqani i bakallit (merr dy e paguaj një!) etj.

P.sh. faqja e internetit të California South University (jo University of Southern California!) nuk përmban asnjë adresë, kjo faqe interneti (domain) është e regjistruar me një adresë në Punjab, Pakistan. Po ashtu edhe faqja e internetit e agjencisë së akreditimit, që e ka “akredituar” këtë institucion,  është e regjistruar nën të njëjtin person banues në Pakistan.

Interesant është rasti i St. Regis University në Libi (jo Regis University!). Shërbimeve Sekrete iu deshën disa vjetë hetime (operacioni “Gold Seal”) për t’a zbuluar dhe mbyllur këtë institucion. Gjatë ekzistencës së tij (1999-2005) St. Regis University pati një rritje astronomike të fitimeve nga 5000$ në $1.65 milion dollarë, duke lëshuar mbi 10 mijë diploma për studentët e huaj nga 131 vende. Ky institucion dilte me disa emërtime në internet gjasme të afiliuara me njëri-tjetrin dhe fotografi vendesh të ndryshme. Në Libi kishte arritur që nëpërmjet korrupsionit të diplomatëve të fitonte akreditimin e shtetit të Libisë.

Përmasat e kësaj dukurie në Shqipëri janë të panjohura. Si kusht për të ushtruar aktivitetin e tyre nën një titull të përftuar jashtë shtetit, të diplomuarit duhet të njehsojnë diplomat pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Për njehsimin e diplomave të doktoraturës Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka një Komision të Vlerësimit të Titujve Akademikë (KVTA, ngritur me Vendim të Këshillit të Ministrave Nr.467, datë 18.7.2007, i ndryshuar VKM Nr. 91, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurave për kualifikimin shkencor e pedagogjik të personelit akademik”) të përbërë nga 14 akademikë dhe kryesuar nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës (Rregullorja). Nuk dihet nëse anëtarët e këtij komisioni kanë aftësitë e duhura teknike për të ndërmarrë kontrolle të imtësishme të integritetit akademik të aplikantëve, por vitin e fundit vërehet një lloj kujdesi në njehsimin e këtyre diplomave. Sidoqoftë rezultati është se në Tiranë ndërmjet profesorëve qarkullojnë anekdoda pedagogësh me tituj, të cilat janë blerë nga institucione fantazmë të paakredituara ose edukimi on-line nga institucione të dyshimta. Është e pamundur të gjesh një bazë të dhënash të vendimeve të Komisionit të Vlerësimit, por rastet e zbuluara kanë qenë më shumë pasojë e denoncimeve (spiunllikut) sesa nga kontrollet sistematike. Për më tepër me hyrjen në treg të institucioneve private është e vështirë të bëhen verifikime, pasi procedurat e njehsimit janë të gjata dhe institucionet private i pranojnë pedagogët pa verifikuar diplomat e tyre.

Faktorët shtytës dhe tërheqës për këtë dukuri janë rritja e kërkesës në treg, vlerësimi moral dhe monetar i titujve dhe lehtësia e përfitimit të tyre nëpërmjet internetit dhe me pak kosto financiare e kohore etj. Në Shqipëri p.sh. personat me doktoraturë paguhen më mirë në administratën publike dhe ka shtesë page pikërisht për këtë titull. Gjithashtu shpërthimi i institucioneve të arsimit të lartë privat dhe rritja masive e kuotave të studentëve në universitetet publike, ka sjellë një mangësi të madhe në treg për pedagogë më doktoraturë (edhe pse në USA dhe Angli tregu për të diplomuar me Ph.D. është i tejngopur). Nga ana tjetër politika e qeverisë në lidhje me hapjen e programeve të doktoraturës ka qenë tepër konservative duke i kufizuar “doktoraturat” vetëm në institucionet publike dhe në numër. Nisur nga situata e krijuar, disa zgjedhin mënyra të tjera për të mbërritur tek titulli shumëpremtues. Në Shqipëri janë evidentuar disa raste të tilla, edhe për ciklin e parë të studimeve, por kryesisht më së shumti kanë qenë për nivelin e tretë, Ph.D. (Leibniz University of Arts and Science).

Meqë tregu i arsimit të lartë ka mangësi të theksuara për pedagogë me Dr., në të ardhmen pritet që në Shqipëri të shtohen përpjekjet për të blerë dhe paraqitur tituj nga institucione fallco (edhe pse plagjiaturat kanë qenë të zakonshme deri më tani). Për këtë i ngelet institucioneve të arsimit të lartë të tregohen të kujdesshëm gjatë rekrutimit të pedagogëve, të kontrollojnë dhe gjurmojnë diplomat dhe institucionet, e me raste të lajmërojnë organet e prokurorisë për ndjekje penale (dikush duhet të bëhet shembull!, në Itali ligji parashikon 3 deri në 6 vjetë burg). Gjithashtu Komisioni i Vlerësimit të Titujve duhet të bëjë publike vendimet e saj.

Si përfundim gjatë vlerësimit të një diplome duhet bërë kujdes të verifikohen:

  1. Emri i institucionit: zakonisht këto institucione kanë emërtime të ngjashme me ato të njohurat (New York City University vs. të vërtetën City University of New York).
  2. Adresa: Institucioni ka një adresë interneti dhe e-maili, por jo adresë fizike. Mjafton për të bërë një kërkim me “who is” për të gjetur IP-në dhe adresat e regjistruara në të, në emër të kujt është regjistruar, adresën fizike etj.
  3. Statusi ligjor: Institucioni pretendon se “njihet”, është i “akredituar” dhe “bashkëpunëtor” ose “anëtar” i diçkaje, por këto nuk kanë ndonjë vlerë. Kërkimi në faqen e internetit të CHEA ose të Departamentit të Arsimit në SHBA për informacione mbi institucionet e akredituara mund të japë një informacion të detajuar. Universiteti i Michigan dhe Oregon Office of Degree Authorization kanë një listë të këtyre institucioneve.
  4. Diplomimi i shpejtë: Koha e marrjes së diplomës është shumë e shpejtë dhe i vetmi dokument që kërkohet është CV-ja. Këto institucione në SHBA nuk kërkojnë pikët e TOEFL-it apo të GRE-s. Ambasada Amerikane nuk jep viza studentësh për studentët nëse nuk kanë TOEFL ose GRE (për Ph.D.). Kjo e bën të lehtë zbulimin e mashtruesve në tregun shqiptar, pasi mungesa e një vize studentore në pasaportë aludon se diploma mund të jetë blerë.
  5. Pagesa: Pagesa është bërë menjëherë, jo për lëndë dhe është shumë e ulët në krahasim me institucionet e akredituara.

Nuk ka komente

  1. Shqipëria sot po përballet edhe me problemin e diplomave nga universitete fallco perëndimore.

    Ky problem eshte simptome e kapitalizmit amerikan te importuar ne Shqiperi. Ndoshta duhet rishikuar modeli amerikan per te cilin cdo gje eshte produkt. Aplikimi i parimeve te tregut per nje te mire si arsimi (qe eshte kryekeput publike), per mua perben nje sulm i terthorte ndaj autoritetit dhe legjitimitetit te pushtetit qendror.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin