BOJKOT

Sikurse do ta keni marrë vesh, në Konferencën e fundit gjuhësore të Durrësit, të organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë munguan një numër i madh gjuhëtarësh, albanologësh dhe dijetarësh të tjerë, të cilët do t’i kishin dhënë tjetër pamje dhe peshë debatit, sikur të kishin ardhur.

Mes bojkotimeve publike të kësaj konference, përmend atë të Institutit Albanologjik të Prishtinës (ose më saktë, emrave si Rexhep Qosja, Idriz Ajeti, Shefkije Islamaj, Abdullah Zymberi); të Fakultetit Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës, i cili u distancua si institucion, por duke lejuar pjesëmarrje individuale; të një grupi të përzier gjuhëtarësh dhe intelektualësh me zë, të cilët lëshuan një kumtesë për njoftim të publikut pikërisht ditën e fillimit të konferencës (përmend mes tyre Shaban Demirajn, Ali Dhrimon, Emil Lafen, Remzi Pernaskën, Rami Memushajn, Enver Hysën); mungesën në konferencë, megjithëse e kishin konfirmuar pjesëmarrjen, të Gjovalin Shkurtajt dhe Kristina Jorgaqit; mungesën e plotë të profesorëve të katedrave të gjuhës dhe të letërsisë shqipe në universitetet italiane (Italo Fortino, Francesco Altimari, Matteo Mandalà); dhe të tjerë dijetarë, si Xhevat Lloshi.

Nuk po hyj në arsyet shkencore të këtij bojkotimi; madje as në arsyet procedurale – ankimet për mënyrën e organizimit ose të njoftimit të pjesëmarrësve. Dua të ndalem vetëm në dukurinë e bojkotimit në vetvete, e cila po shndërrohet, hap pas hapi, në një karakteristikë të komunikimit ndër-institucional dhe përgjithësi publik mes shqiptarësh.

Pyes, me këtë rast, nëse mund ta konsiderojmë edhe bojkotimin, ose mungesën, si një lloj komunikimi.

Pa dyshim, refuzimi për të marrë pjesë është njëkohësisht edhe refuzim en bloc i çështjeve që do të diskutohen; ose një pozicionim jo aq kundër, sesa përtej këtij ose atij pozicioni. Jo më kot, në kumtesën e Institutit Albanologjik të Prishtinës thuhej se:

Ne, jo vetëm që nuk pajtohemi me organizime konferencash e diskutimesh të këtilla, po kundërshtojmë vendosmërisht çdo tendencë për ndryshimin e parimeve bazë të shqipes standarde. Qëndrimi ynë është se shqyrtimi i çështjeve të veçanta të standardit të shqipes duhet të bëhet patjetër me pjesëmarrjen e institucioneve shkencore e të studiuesve të Kosovës.

Nëse dikush mund të ma shpjegojë dot kontradiktën midis vendimit të këtyre studiuesve për të bojkotuar konferencën dhe kushtit se shqyrtimi i çështjeve të veçanta të standardit të shqipes duhet të bëhet patjetër me pjesëmarrjen e institucioneve shkencore e të studiuesve të Kosovës, është i mirëpritur. Unë këtë vendim e kuptoj kështu: po nuk erdhëm ne, kjo konferencë nuk mund të kryhet, as mund të ketë vlerë edhe po u krye.

Po a nuk është kjo arrogancë e kulluar?

E kuptoj që ndaj pozicioneve të paralajmëruara të Konferencës dhe atyre që dolën në dokumentin përfundimtar mund të ketë kundërshtime, ndonjëherë të forta. Megjithatë, unë besoj edhe se Konferenca do të ishte edhe vendi më i përshtatshëm për t’i shprehur këto kundërshtime dhe për të debatuar me mbrojtësit e pikëpamjeve të tjera.

Hartuesit e kumtesës për opinion kishin marrë mundimin të parashtronin, në një format letre të hapur, versionin e tyre të historisë së njësimit të shqipes së sotme; në një kohë që edhe ata këtë mund ta kishin bërë përballë kolegëve të tyre, në Konferencë.

Natyrisht, në faqet e gazetës ai version është vetvetiu i mbrojtur nga rreziku i kundërshtimit, kritikës ose debatit; prandaj nuk mund të mos merret, edhe ai, si një formë e arrogancës akademike, përballë orvatjes – reale ose të përfytyruar – për revizionim jo vetëm të rregullave të standardit, por edhe të vetë historisë se si u krijua, si u konsolidua dhe si u përftua ky standard.

Megjithatë, bojkotimi në vetvete nuk është i barasvlershëm me kundërshtimin; sepse bojkotimi kundërshton jo tezën, as pozicionin, por vetë logun e debatit ose shtratin ku kultivohen idetë dhe dija.

Dukuria më duket serioze dhe e meritueshme për vemendje jashtë kontekstit të diskutimeve për rregullat e standardit, paskajoren dhe ecurinë e shqipes së njësuar. Brenda një shoqërie që mëton të ndjekë modelin pluralist, palët nuk mund ta riprodhojnë njëra-tjetrën veçse në tryezat e ballafaqimit; përndryshe nuk kemi më pluralizëm, por feude baronësh lokalisht të pushtetshëm, por të pafuqishëm për t’iu imponuar të tjerëve. Nesër Universiteti i Tiranës mund të organizojë Konferencën e vet për standardin; dhe atje ndoshta do të venë Rexhep Qosja dhe Idriz Ajeti, por jo Besim Bokshi dhe Rexhep Ismajli; do të flasin Shezai Rrokaj dhe Rami Memushaj, por jo Kolec Topalli dhe David Luka.

Ky nuk është më pluralizëm, por segmentim.

Një kulturë që nuk arrin t’i ulë palët në tryeza, nuk është pluraliste, pa çka se mund ta etiketojë veten ashtu; por e segmentuar; dhe segmentimi është triumf i lokalizmit, i oligarkisë, i frymës paramafioze në institucionet, i provincializmit.

Nuk ka komente

  1. Pa lexuar këtë shënim të fundit kisha përshtypjen se diçka kishte mbetur pa thënë për atë konferencë, që për mua ishte e suksesshme ose të paktën mendoj se qëndrime të tilla kanë të ardhme. Natyrisht shija e keqe e bojkotit, një fenomen që për ne nuk mbetet i izoluar, shpreh në thelb mosdëshirën e një qëndrimi mendjehapur më shumë se sa të komunikojë idenë se ne nuk kemi çfarë të shtojmë për këtë problem, se ajo që kemi thënë më ’72-shin mbetet edhe sot arritja më e mirë në këtë fushë. (Pa folur për sharlatanët që bënin deklarata publike nëpër lista interneti dhe në konferencë shihnin një përpjekje djallëzore për të përçarë kombin)

    Pra, apriori nuk shoh ndonjë qëndrim politik (të paktën te shumica e atyre që refuzuan pjesëmarrjen) më shumë se sa limitet e një shkolle të caktuar në gjuhësi, që u mendua se u krijua, por që ishte e pamundur të krijohej në ato kushte, kur mbeteshin shume te pathena. Ishte më shumë fjala për një përvojë të gjuhësore që disa deshën ta shohin në evoluim (pjesëmarrësit), të tjerë e perçmuan sepse pretendonin se ata vetë kishin thene tashme fjalen e fundit (mospjesëmarrësit).

  2. “Dukuria më duket serioze dhe e meritueshme për vemendje jashtë kontekstit të diskutimeve për rregullat e standardit, paskajoren dhe ecurinë e shqipes së njësuar.”

    Me serioze dhe e meritueshme per vemendje sesa bojkotimi i parlamentit nuk mund te jete. Keshtu qe, jashte pra kontekstit te shqipes, mund te ishte ndalur kohe me pare. Madje ka edhe nje ndryshim themelor ketu : parlamenti eshte nje institucion, i cili me perkufizim e kerkon debatin dhe pranine ne salle te te zgjedhurve. Ndersa nje konference, mbetet gjithmone ne formen e nje ftese. Nuk mund te gjykohet a-priori se bojkotimi i nje “ftese” qenka i gabuar. Mund te kete shume arsye per mos te pranuar ftesen e nje konference ( po flas jashte kontekstit te konferences se Durresit ), mbi te gjitha qendron ajo e organizatorit : Kush je ti qe po e organizon, me cfare tagri ? Po nqs une jam i ftuari yt, a nuk fiton ti automatikisht perparesi ndaj meje ? Po sikur ta bej une nje konference dhe te te ftoj ty ? E them kete sepse mesa vura re, kjo ishte edhe nje prej arsyeve te “bojkotit” nga ana e “Ins Alb Kos”, te pakten me sa u shpreh Islamaj. Ata pra kerkonin te ishin bashkeorganizatore te konferences, jo te ftuar.
    Po mire, ja neser psh i mbushet mendja Xha Xha-it te organizoje nje konference per gjuhen. Perse duhet ta paragjykoj une bojkotin e mundshem te nje pjese te mire te gjuhetareve dhe instituteve te gjuhes ?

    Pra ketu ka nje problem autoriteti, mendoj une.
    Pa dyshim, nje institut ( cilido ) mund te therrase nje konference, por nuk ka asnje arsye per tu skandalizuar nga bojkotet.
    Nqs do te ishte parlamenti ( apo presidenti, apo nje ministri, apo ku di une, dikush mbi palet ) qe do e kerkonte kete, ketu po, bojkoti do te ishte vetvetiu mese i qortueshem.

    1. Në krye edhe unë mendoja se bojkotimi i Kuvendit, që në Shqipëri po krijon traditë, u ofronte një model të keq institucioneve të tjera.

      Nuk di nëse ka bërë kush llogari sa kohë ka qenë i bojkotuar Kuvendi në Tiranë pas 1990-ës nga opozita përkatëse dhe sa kohë ka funksionuar normalisht.

      Gjithsesi, tani unë besoj se bojkotimi, si mënyrë komunikimi, nuk ka pasur nevojë për çfarë ndodh në Kuvend, që të imponohet si model.

      Përkundrazi, është efekt anësor i pashmangshëm i një shoqërie provinciale dhe të segmentuar, që mbahej së bashku vetëm nga një pushtet autoritar, ndërsa tani pluralizmin e shfrytëzon vetëm e vetëm për t’u kthyer në zakonet e veta lokaliste dhe feudale.

      Kësisoj, si Kuvendi, ashtu edhe kuvendet e tjera të bojkotuara, janë vetëm hapësira ku riprodhohet kjo kulturë e komunikimit nëpërmjet moskomunikimit, ose e refuzimit të çdo ballafaqimi, kur ky nuk imponohet nga ndonjë autoritet suprem nëpërmjet frikës.

    2. pëshpëritës,

      më duket se gabon kur krahason Kuvendin me një konferencë shkencore për problemet e gjuhësisë. Faktikisht kuvendi është një institucion qendror shqiptar, detyra primare e tij është që të mos funksionojë si një parlament i një demokracie normale. Kuvendi i Shqipërisë është ajo pjesë e hapësirës publike ku realizohet faktikisht moskomunikimi i palëve politike gjatë procesit të qeverisjes. Detyra primare e Kuvendit të Shqipërisë është në thelb dhe substancë destruktive dhe destruksioni vetë është ideologjia sunduese pas-diktatoriale në Shqipëri. Së fundi Kuvendi i Shqipërisë përbëhet nga individë të cilëve u mungon së bashku me ndërgjegjen dhe kulturën qytetare edhe ekspertiza minimale për qeverisjen normale në frymën e Kushtetutës së Republikës.

      Sigurisht që përkufizimi teorik i parlamenteve është diçka e largët nga realiteti shqiptar apo edhe ndokundtjetër evropianolindor, por për hir të berazvlefshmërisë së kritereve të diskutimit do të lipsej që Kuvendi i Shqipërisë – i përdorur si kriter për t’u referuar për një ide – të përdorej vetëm në këtë kontekst, pra si vendi ku gjerat detyrimisht duhet të përfundojnë keq dhe ku palët në mënyrë të vetëkuptueshme nuk bien dakord për asgjë; pak a shumë një përdorim analog si kur themi për shembull: “Me nder deputet” dhe kemi parasysh një deputet të Kuvendit të Shqipërisë, por pa dhënë asnjë konsiderate me ngjyrim emocional, pra njësoj sikur themi: “Me nder mut” dhe kemi parasysh thjeshtë feçet.

      Ka edhe një gabim tjetër në ndërhyrjen tende, kur ti vë re, që takimi në konferencë me cilësinë e të ftuarit presupozon një pozicion relativ të nënshtruar të të ftuarit karshi ftuesit në lidhje me tematikën e çështjes, e cila pritet të diskutohet.

      Ftuesi dhe i ftuari në një konferencë shkencore janë “pares inter pares” dhe nëpërmjet pjesëmarrjes në aktivitet nuk hyjnë asnjëherë në një marrëdhënie te një vartësie sadopak vertikale, me përjashtim të rasteve kur bëhet fjalë për aspekte dytësore, si për shembull se ku do të sistemohet të ftuarit, nëse do të pinë gjatë seancave çaj mali apo ndonjë pije freskuese me kafeinë të të bollshme në përmbajte.

      Ti pret edhe një tagër të dikujt, që organizon një konferencë dhe edhe kjo është për mendimin jashtë mendësisë së kohës. Tagri për një konferencë shkencore nuk mund të jetë institucional por vetëm profesional dhe ka të bëjë vetëm me ambicien. Çdokush që është profesionist mund të organizoj një konferencë dhe janë mysafirët ata që e vendosin sipas profesionalitetit të ftuesit nëse shkojnë apo jo. Edhe ky blog është një konferencë, ku ne që vemi e vijmë nuk e dimë fare se kush na fton (xha xhai) por shohim njëri tjetrin në shkrim, e vlerësojmë se çfarë thotë dhe pastaj vendosim të marrim pjesë apo jo, me të vetmin qëllim, që të kemi themi mendimin tonë, pavarësisht se kujt.

      1. Pifto, kuvendi mund te jete si te doje, e diskutojme edhe ate. Une vetem sa thashe qe bojkoti i parlamentit eshte i papranueshem, i nje konference jo. Kaq.
        Se cfare jane e cfare nuk jane parlamentaret shqiptar, mund te biem edhe dakort.
        Ti thua : “Sigurisht që përkufizimi teorik i parlamenteve është diçka e largët nga realiteti shqiptar apo edhe ndokundtjetër evropianolindor”

        Une po them te njejten gje, por duke shtuar qe kjo nuk duhet pranuar. Nuk e kuptoj ku qendron kontradikta.

        Me pas vazhdon : “Ftuesi dhe i ftuari në një konferencë shkencore janë “pares inter pares” dhe nëpërmjet pjesëmarrjes në aktivitet nuk hyjnë asnjëherë në një marrëdhënie te një vartësie sadopak vertikale, me përjashtim të rasteve kur bëhet fjalë për aspekte dytësore”

        Nuk jam dakort.
        Eshte ftuesi qe vendos cfare do diskutohet, duke te ti derguar pikat nje e nga nje me e-mail. Pra une ty te ftoj si te barbarte, por te them, shiko, ne do flasim per kete e per kete e per kete. Jo per ate.

        Eshte ftuesi qe vendos se ke do te ftoje dhe ke jo. Une do ftoj filanin dhe fistekun, por jo fisteken. Ketu rrezikon qe forcat ne debat te jene jo ne balance, aq me teper ne kushtet kur qendrimet ( dhe qendruesit ) jane prej kohesh te shpallur.

        Eshte sigurisht ftuesi qe organizon edhe rendin e diskutimit, bashke me frymen e pergjithshme qe i jep konferences. Mos te kalojme ne idealizma dhe ti projektojme shkencetaret si qenie nje-permasore, partizane te vertetash dhe vetem te vertetash. Ka qendrime, ka emocione, ka perkatesi dhe grupime, sic eshte normale qe te kete, mbi te cilat fryma ka ndikimin e vete.

        Per te gjitha keto, dhe per ndonje gje tjeter, eshte mire qe fjalen ta thote nje autoritet permbi palet, jo per frike sikurse thote 2Xha, por per rregulla dhe barazi. Se keshtu na dalin disa me te barabarte mes te barabarteve, tha.

  3. Ju ftoj të kthehemi edhe një herë te kumtesa e Institutit Albanologjik, ku thuhet në thelb: ne nuk vijmë aty, dhe pa institucionet dhe studiuesit e Kosovës konferenca të tilla nuk mund të mbahen.

    Tani, çfarë i shtyn këta të thonë se “pa institucionet…” etj.? Kush dhe ku e përjashtoi Kosovën nga Konferenca?

    Unë quajta arrogante idenë – që depërton nëpër atë kumtesë – se pa Idriz Ajetin, Rexhep Qosen etj., çështjet e standardit nuk mund të shqyrtohen; të formuluar në të njëjtin kontekst ku këta zotërinj thonë se nuk vijnë në Konferencë.

    Kjo është njëlloj sikur të thuhet se, nëse do të mbahet apo jo Konferenca, këtë e vendosim ne; çfarë nuk shkon, në një kohë që Konferencën po e organizon tjetërkush (QSA).

    Sa për Kosovën, ajo ishte shumë mirë e përfaqësuar në Konferencë. Ishin aty Bardh Rugova, Besim Bokshi, Blertë Ismajli, Hasan Mujaj, Imri Badallaj, Linditë Rugova, Rexhep Ismajli, Rrahman Paçarrizi, Bahtiar Kryeziu, Shkumbin Munishi.

    Pa këta ndoshta konferenca nuk do të kish pasur kuptim – e them këtë duke pasur parasysh kontributin e tyre në punimet. Por nëse këta erdhën apo jo në konferencë, nuk besoj se u vendos nga Instituti Albanologjik i Prishtinës.

    Që këtej edhe kritika ime.

  4. Më duhet të shtoj diçka edhe për Ardian Marashin; të cilin e njoh shumë pak, por sa e kam njohur, më ka lënë përshtypjen e një personi korrekt, të njerëzishëm, të hapur dhe… më duhet të shtoj, pak të vetmuar.

    Marashi është relativisht i ri në moshë, sidomos në krahasim me kolegët e vet në Akademi dhe establishment-in e gjuhësisë shqiptare.

    Gjendet i kapur peng në një tërheqje litari mes dy klanesh të mëdha kulturore – që për mua janë shprehje, në thelb, e fillesave katolike më një anë, dhe ortodokse më anën tjetër, të kulturës shqiptare.

    Sot për sot, kjo tërheqje litari po manifestohet në lëmin e standardit, por nesër do të marrë një mijë forma të tjera.

    Marashit i duhet të administrojë një trashëgimi njerëzore – gjuhëtarë, historianë, albanologë, etj. – e cila nuk ia njeh autoritetin; meqë është i ri në moshë, meqë Marashi nuk është produkt i atij establishment-i akademik, meqë perceptohet si njeri i Berishës, meqë perceptohet si katolikocentrik.

    Më anë tjetër, Marashit mund t’i jetë dhënë përkrahje morale nga establishment-i politik, por jo përkrahje tjetër, dhe veçanërisht, asnjë përkrahje financiare.

    Një gjë është të organizosh konferenca, për Nënë Terezën ose standardin e shqipes; një gjë tjetër të rimëkëmbësh traditën e gjuhësisë shqiptare të aplikuar.

    Para pak ditësh po bisedoja me një ish kolegun tim, leksikograf; një nga autorët e dy fjalorëve të shqipes të viteve 1980; më tha se, nga një dyzinë leksikografësh që kishim në ato vite, kanë mbetur vetëm dy.

    Të tjerët kanë dalë në pension, janë larguar nga Instituti i Gjuhësisë dhe nga Shqipëria, ndonjë edhe ka vdekur.

    Shkolla shqiptare e leksikografisë praktikisht ka cofur. Një traditë që mezi u krijua, tani ka hyrë në reanimacion dhe nuk e ka të gjatë.

    Fondi me dhjetëra miliona skeda i Kartotekës Leksikore të Institutit ka kohë që është mbyllur me dryn; jo vetëm që nuk pasurohet më (dhe këto njëzet vjet do ta kishin dyfishuar, në rrethana normale), por edhe nuk mirëmbahet më.

    Fjalët plaka e të harrueme po i hanë minjtë, literalisht; në një kohë që ne zihemi se si t’i futim në përdorim.

    Natyrisht, për t’i ndrequr këto punë duhen pará; Marashi këto pará nuk i ka, as po ia japin; por nëse nuk shpenzohen pará dhe nuk bëhen punë të mëdha të organizuara, atëherë ku do ta gjejë autoritetin e nevojshëm QSA-ja dhe Marashi vetë?

  5. ”’Kush je ti qe po e organizon, me cfare tagri ? Po nqs une jam i ftuari yt, a nuk fiton ti automatikisht perparesi ndaj meje ? Po sikur ta bej une nje konference dhe te te ftoj ty ?”’

    Shume e drejte si i je perqasur.
    Qender ne Tirane, qender ne Prishtine, normalisht bashkepunetore, jo organizatore e te ftuar.
    Ata ne Prishtine mund te bejne rreth shqipes diçka pa marre fare lejen e institucioneve shqiptare se jane te pavarur, jane ne shtet tjeter.

    Flitet per arrogance nga ana e Kosoves, ne fakt ata jane te prekur, u ka ngelur qejfi qe jane trajtuar jo si te barabarte, por si bishti i kavallit.
    Perderisa standarti vlen njesoj si ne Shqiperi edhe ne Kosove, institucionet paralele duhet te silleshin si te ishin nje, mbi te gjitha kur kjo ishte konferenca e pare e ketij lloji.

    Ata thone pa ne (si bashkepunetore e bashkorganizues’) s’behet gje dhe kane te drejte. Jo se vertet s’behet gje, por diçka qe nuk gezon mbeshtetjen e plote institucionale, eshte e bere pergjysem.

    Kot per kuriozitet, dihet gje rreth Kadarese, u ftua a s’u ftua, ç’qendrim mbajti etj

  6. Ajo u mor vesh, ç’nuk merret vesh mire eshte pse nuk u organizua bashkarisht nga te dy institutet albanologjike, mundesisht me 2 takime, nje ne Durres e nje ne Prizren.

    Dihet qe s’ka dasem pa nje sherr apo qejfmbetje, pse me ftoi vone, pse ftoi ate hajvanin etj, por ama vellai ka statusin e organizatorit, jo te te ftuarit; nuk i çon vellai-vellait nje ftese me shkrim: ne emer te familjes Fisteku jeni i ftuar familjarisht… Kush e ben kete, s’e do ne dasem, por lan gojen.

    Ajo qe kuptohet ketu eshte se Instituti i Tiranes me te Prishtines, kane thjesht lidhje diplomatike, sa per sy e faqe, per te mos thene rivalitet te eger.

  7. Xhaxhai;
    Nëse dikush mund të ma shpjegojë dot
    kontradiktën midis vendimit të këtyre
    studiuesve për të bojkotuar konferencën
    dhe kushtit se shqyrtimi i çështjeve të
    veçanta të standardit të shqipes duhet të
    bëhet patjetër me pjesëmarrjen e
    institucioneve shkencore e të studiuesve
    të Kosovës, është i mirëpritur. Unë këtë
    vendim e kuptoj kështu: po nuk erdhëm
    ne, kjo konferencë nuk mund të kryhet,
    as mund të ketë vlerë edhe po u krye

    Ne fakt gjuhetaret e Kosoves e kane thene disa here se arsyeja pse nuk moren pjese ne konference ishte se;
    Ata duhet te kishin qene patjeter bashkeorganizatore, (siç e tha edhe Hyllin lart) dhe jo thjesht pjesmares te ftuar me ane te nje emaili!
    Nga ana tjeter nqs kesaj arsyeje te mosardhjes te gjuhetareve te vjeter, te IAP qe kane vite pune e vepra albanologjike te shumta pas i shtojme menyren se si eshte prononcuar I. Kadare mbi kete çeshtje, – Ndryshimi i gjuhes shqipe jo ne dore te diletanteve -, atehere llogjika e do qe mendimin e tyre ta lexojme pak me ndryshe, une e kuptoj keshtu:

    Kush eshte ky A. Marashi dhe keta diletante te tjere qe marrin inisiativa per ndryshimin e standartit, per me teper pa na pyetur ne fare, e akoma per me teper na dergojne edhe ftese per ne konference me email !?

        1. Falemnderit, Enj.

          Desha të shtoj, me këtë rast, se nuk bëhet fjalë gjëkundi për “ndryshim të gjuhës shqipe” (shprehje pa kuptim, por do të jetë e gazetës), por për ndryshim të disa rregullave të drejtshkrimit (ose rutinë), si dhe ftesë për të studiuar mundësitë e integrimit të paskajores të gegnishtes në standard (ndryshim i normës gramatikore). Vërejtja se kjo nuk duhet lënë në duar të diletantëve është gjithashtu e drejtë; por nuk besoj se ka lidhje shumë me Konferencën, e cila ishte në duar profesionistësh, jo diletantësh.

          1. Kjo qe thoni ketu eshte e vertete, nuk diskutohet.

            Xhaxha a mund te me sqarosh per diçka tjeter:
            Si eshte puna me Akademine e Shkencave te Shqiperise, me sakte, a nuk duhet ti kete ajo kompetencat dhe ekskluzivitetin per kete lloj konferencash, kaq te rendsishme ?
            Di qe ka pasur probleme midis Pushtetit dhe ASHSH me pare. Jane miratuar ligje e dekrete kunder saj me duket.

  8. “Rastesi per rastesi, Pipa dhe pipistet. Sigurisht, eshte e mundur qe rastesisht, vetem nga origjina, te jene katolike”

    Arshi Pipa eshte me origjine nga Gjirokastra, nuk ka sesi te jete katolik. D.m.th rastesisht katolik.

    Por natyrisht, nuk ka sesi te mendoj se ketu vlen fabula e “djalit plangprishes”, se Shkodra e ka absorbuar si djalin e vet.

  9. A ka të tillë që janë për ndryshimin e standardit dhe e kanë bojkotuar Konferencën?
    Këta që e kanë bojkotuar janë deklaruar kundër ndryshimit.
    Po të merrnin pjesë dhe në fund organizatorët të futnin në “përfundime” vetëm ato çka atyre ju pëlqen?
    Unë jam kundër bojkotimeve, por gjithashtu edhe kundër “përfundimeve” që nuk janë rezultat i një konsensusi minimal.

  10. Atëhere ca përgjegjësi i takoka vetë Ardian Marashit (ish Ardian Vaso??).
    Që Marashi ka patur fonde të mjaftueshme, kjo nuk diskutohet, sepse tre ditë në një hotel buzë Adriatikut në Durrës nuk janë pak.
    Ndofta me ato fonde Marashi mund të kishte siguruar pjesëmarrjen e të gjitha institucioneve dhe organizmave të interesuara dhe që janë marrë e merren me gjuhën shqipe.
    Organizimi i Konferencës nga ana e tij paska çaluar së tepërmi. E prapranueshme është, sikurse u përmend më përpara në këtë blog, mosangazhimi i askujt -gjuhëtar apo jo – nga trevat e tjera folëse të shqipes, si p.sh, në Greqi, por edhe në Turqi, si dhe nga vende të tjera ku ka apo ka patur katedra të gjuhës shqipe.
    Marashi duhet t’u kërkojë ndjesë institucioneve në Tiranë, Prishtinë, Kalabri që nuk morën pjesë në Konferencë pasi veprimi apo mosveprimi i tij solli një tubim të cunguar të dijetarëve të gjuhës shqipe. Eshtë njëlloj sikur të thërrasësh një kuvend dhe të lesh jashtë, d.m.th pa ftuar, gjysmën e fshatit.
    Ishte rasti shumë i mirë që të gjithë të mblidheshin e të kuvendonin. Marashi e shqelmoi këtë shans.
    Për mendimin tim Marashi duhet ta pranojë publikisht përgjegjësinë e tij, në mos të japë dorëheqjen.

  11. Kur shkruan për Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Shqipja standarde dhe shoqëria shqiptare sot”, që u mbajt në Tiranë më 11-12 nëntor 2002, Prof. dr.[sic] David Luka në Konferencën Gjuhësore të Durrësit jep:

    Në këtë Konferencë mungonte
    B. Beci, ish-drejtori i Institutit të Gjuhësisë, i cili ka botuar një libër të tërë për gjuhën
    standard15. Mungonte gjithashtu edhe kryetari i Akademisë së Shkencave të Kosovës,
    R. Ismajli, edhe ky me një botim16 për të njëjtat probleme. Mungonte E. Sedaj, autor i
    disa artikujve, njëri prej të cilëve përbën një analizë të hollësishme të bazave
    argumentuese të polemikave aktuale për gjuhën e njësuar17. Mungonte Rolf
    Ködderitzschi, pjesëmarrës në konferencën e vitit 1984 e 1992, me gjasë (siç do ta
    shohim më poshtë) sepse kishte nisur të mendonte ndryshe. Mungonte D. Luka, që
    përfaqësonte tubimin e Shkodrës të vitit 1992 dhe që kishte botuar një numër
    shkrimesh për gjuhën letrare kombëtare të njësuar dhe këtyre çështjeve u kishte
    kushtuar kapitullin e parë të veprës “Studime gjuhësore” VII.18 Mungonin edhe të
    tjerë, që qenë marrë me këto punë, megjithëse nuk ishin gjuhëtarë, por kritikë letrar si
    A. Plasari, A. Klosi etj. Tani, a qenë thirrë apo jo? Nuk e di

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin