SHUMË KUNGUJ, NJË SQETULL

Sikundër dihet tashmë, sot ka nisur, nën kujdesin e Qendrës së Studimeve Albanologjike (QSA), konferenca me temën “Shqipja në etapën e sotme: Politikat e pasurimit dhe të përmirësimit të standardit,” ku marrin pjesë specialistë të gjuhës shqipe, personalitete të letrave, të medias dhe të kulturës kombëtare dhe albanologë të huaj. Tema e konferencës ka ngjallur, si rrallë herë më parë, interes të madh qytetar, por edhe konfuzion në mediat dhe në publik, në lidhje me çfarë pikërisht synon të arrijë kjo ndërmarrje akademike.

1. Pasurimi dhe përmirësimi i standardit

Ky është edhe synimi “zyrtar” i tubimit, i shpallur që në titull. Standardi është, në këtë kontekst, një formë relativisht artificiale e gjuhës shqipe, e cila është sanksionuar të përdoret, ndër të tjera, në komunikimin publik, në ligjet, në tekstet shkollore dhe në mediat. Të ftuarit në konferencë pritet të diskutojnë rreth rrugëve dhe mënyrave për t’ua përshtatur standardin kohëve që jetojmë dhe rrethanave të reja që janë krijuar veçanërisht gjatë njëzet vjetëve të fundit, ose për ta përmirësuar shqipen publike – çka do të thotë, para së gjithash, për të bërë disa ndryshime në rregullat, në mënyrë që standardi t’i kryejë më mirë e më lehtë funksionet e veta. Përmirësimet mund të prekin drejtshkrimin, gramatikën dhe leksikun; sikurse mund të prekin politikat administrative për zbatimin dhe mirëmbajtjen e standardit; por konferenca veç mund t’i identifikojë këto rrugë, mënyra dhe drejtime të ndërhyrjes në standard, të kuptuar si formë e shqipes institucionale dhe publike, me të cilën qytetarët, para së gjithash, komunikojnë me shtetin e tyre dhe mes tyre nëpërmjet shtetit. Ideja më e frytshme, nga kjo pikëpamje, është ajo që kërkon ta realizojë përmirësimin dhe pasurimin e standardit duke modifikuar jo aq rregullat gjuhësore në vetvete, sesa protokollet dhe mekanizmat me të cilat standardi komunikon me shqipen e folur veçanërisht qytetare, duke e bërë të parin më të hapur ndaj prurjeve spontane të miliona përdoruesve të shqipes në bashkëkohësí.

2. Historia dhe e ardhmja e standardit

Si formë në thelb artificiale e gjuhës shqipe, standardi nuk ka dalë në skenë vetvetiu, por është produkt i të njëjtave rrethana historike që kanë përftuar, ndër të tjera, edhe shoqërinë dhe kulturën e sotme shqiptare. Dihet se, në trajtat që ka tani, standardin e sanksionoi Kongresi Drejtshkrimor i vitit 1972, një ndërmarrje e organizuar me kujdes nga shteti totalitar komunist i asaj kohe. Ka autorë që mendojnë se mënyra si u kristalizua dhe sidomos mënyra si u imponua në përdorim publik shqipja e njësuar, në kontekstin kulturor shqiptar të asaj periudhe, ishte edhe ajo vetë totalitare; mes këtyre autorëve, disa shkojnë edhe më tej, për të sugjeruar se standardi i tanishëm i shqipes nuk e shlyen dot prej vetes këtë mëkat primordial, të cilin e bart që prej ngjizjes. Qarkullimi, kohët e fundit, i një vepre të mirënjohur të gjuhëtarit Arshi Pipa për natyrën totalitare të politikave gjuhësore në Shqipërinë e Enver Hoxhës dhe rolin e pushtetit komunist në ngjizjen e këtij standardi që përdorim sot, e ka përforcuar bindjen, në disa qarqe periferike kryesisht jospecialistësh, se shqipja standard duhet të zhbëhet ose të riformulohet, për të vënë në vend padrejtësitë që i janë bërë kulturës shqiptare dekada më parë. Megjithatë, zhbërja e standardit (destandardizimi) dhe zëvendësimi eventual i këtij me një tjetër nuk janë, as mund të jenë synim i Konferencës së dhjetorit; por vetëm dëshira madje fantazi të pak individëve të cilët çështjes së standardit i qasen nga perspektiva ngushtësisht krahinore dhe paranoide.

3. Fatet e gegërishtes letrare

Shpesh, në debatet për standardin, vjen në vështrim gegërishtja letrare, ose ai variant letrar që ka historinë më të gjatë mes varianteve me të cilat është shkruar shqipja – që nga Gjon Buzuku në shekullin XVI deri te Martin Camaj dhe të tjerë autorë që e lëvrojnë këtë variant sot, kryesisht në letërsi dhe publicistikë. Edhe kur nuk përmendet në këto debate, gegërishtja letrare mbetet si the elephant in the room, ose një temë e cila, edhe kur vetëm e nënkuptuar, arrin të kushtëzojë çdo lloj diskursi për historinë dhe fatet e standardit në kontekstin e shoqërisë shqiptare që mbetet ende e shtrirë dhe e artikuluar në gjeografi. Përkrahësit, mbrojtësit dhe ithtarët e kësaj forme të kultivuar të shqipes së shkruar theksojnë, me të drejtë, se regjimi totalitar jo vetëm u imponoi shqiptarëve të përdornin shqipen e dalë prej Kongresit të vitit 1972, por edhe u orvat që ta dëbojë njëlloj artificialisht gegërishten e shkruar nga kultura shqiptare, duke e katandisur në një zhargon arkaik, të pak autorëve të studiuar në historinë e letërsisë; madje e realizoi këtë vepër kriminale në kuadrin e një operacioni homogjenizues, që synonte eliminimin e diversitetit në kulturën shqiptare dhe, ndër të tjera, çrrënjosjen e fillesës katolike në këtë kulturë. Të gjitha këto janë të vërteta, sikurse është e vërtetë se ajo politikë totalitare arriti, për fat të keq, t’ua shkatërrojë institucionet katolikëve të Veriut dhe ta ndërpresë dhunshëm, në thelb, lëvrimin e variantit letrar të gegërishtes veriperëndimore; çka ndodhi paralelisht edhe me vendimin e njëkohshëm të institucioneve akademike dhe administrative, në Kosovë, për të përqafuar shqipen e njësuar të sanksionuar në Tiranë, duke lënë mënjanë, edhe në atë trevë, atë version të gegërishtes letrare që ishte përdorur deri atëherë. Gjithsesi, sot gegërishtja letrare, me të gjitha format e saj, praktikohet pak dhe sporadikisht; më tepër mbijeton në vepra letrare klasike të letërsisë shqipe, të cilat, si të gjitha veprat klasike, lëvdohen shumë por lexohen pak nga publiku. Fatet e gegërishtes letrare, së paku në Shqipëri, varen kështu, më një anë, nga vullneti ekzistues për lëvrimin e saj të mëtejshëm dhe publiku potencial i teksteve të shkruara ose të folura me atë formë të shqipes së lëvruar dhe, më anë tjetër, nga gatishmëria e shoqërisë shqiptare për ta rikthyer studimin e gegërishtes letrare në sistemin shkollor të detyruar publik anembanë vendit; por këto fate nuk mund të diskutohen në një konferencë si ajo e dhjetorit, e cila ka për objekt standardin ekzistues të shqipes, jo format alternative ndaj këtij standardi ose paralele me të; dje, sot dhe nesër.

4. Zbatimi i standardit

Pjesëmarrësit në debatet për gjendjen e sotme të shqipes standard jo rrallë ngecin në një rreth vicioz: thonë se shqipja po shkruhet keq e më keq, dhe se fajin për këtë e ka standardi, prandaj duhet bërë diçka ose shumëçka për ta përmirësuar dhe reformuar këtë formë të shqipes; por lënë në heshtje faktin se arsyeja kryesore, që shqipja po shkruhet keq e më keq, nuk ka të bëjë me mangësitë e standardit, por me shpërfilljen e autoritetit të këtij standardi, sa kohë që asnjë institucion nuk duket të shqetësohet më seriozisht, për ta mirëmbajtur shqipen publike; prandaj ndreqja e mangësive, reale dhe të supozuara, të standardit nuk garanton aspak, në vetvete, që shqipja publike nesër nuk do të manifestojë të njëjtat simptoma të standardit të shpërfillur. Nëse shqipja studiohet keq ose pamjaftueshëm në shkollë dhe sistemi arsimor ekzistues nuk arrin të sigurojë që fëmijët të përvetësojnë si duhet rregullat e shqipes së njësuar, për këtë fajin nuk e kanë rregullat vetë, as mënyra si janë formuluar këto rregulla historikisht; por dobësitë strukturore të sistemit arsimor publik. Po ashtu, nëse shqipja shkruhet keq në mediat dhe, në përgjithësi, shqiptarët artikulohen keq në publik, duke e përzier shqipen e njësuar me dialektin dhe duke përdorur një leksik fare të kufizuar ose të mbytur me fjalë të huaja të panevojshme, për këtë nuk e mban përgjegjësinë shqipja e njësuar, as Kongresi Drejtshkrimor i vitit 1972, as Androkli Kostallari; por dobësimi i institucionit të redaktimit dhe të mbikëqyrjes gjuhësore, sikurse dhe sidomos dobësimi i prestigjit qytetar të standardit vetë, që lidhet sa me të kaluarën e tij totalitare, ashtu edhe me humbjen e respektit të qytetarëve për shtetin e sotëm dhe institucionet publike. Nga kjo pikëpamje, standardi gjuhësor është një gjë dhe politikat për ngulitjen dhe zbatimin e këtij standardi një gjë tjetër; dhe është e kotë të shpresohet se standardi mund të përmirësohet e të pasurohet duke bërë ndryshime në rregullat, sa kohë që nuk ristrukturohet, në mënyrë rrënjësore, mësimi i gjuhës shqipe në shkollë dhe institucioni i mbikëqyrjes së shqipes publike, nëpërmjet redaktorëve dhe filtrave të tjerë sipas rastit. Edhe nga kjo pikëpamje, Konferenca e tanishme nuk ka për synim të reformojë politikat arsimore ose cilësinë e mirëmbajtjes së ligjërimit shqip publik; edhe pse pjesëmarrësit do të detyrohen të kenë parasysh se kontributet e tyre nuk do të kenë vlerë praktike, në qoftë se nuk shoqërohen me zotime dhe masa të natyrës institucionale publike.

Marrë me pak ndryshime nga ResPublica.

Nuk ka komente

    1. Këtë nuk e mora dot vesh; në parim, jo – ishte e hapur vetëm për mediat. Por kishte në sallë disa persona që nuk ishin pjesëmarrës në konferencë dhe që nuk ishin të ulur në tryezën e punës.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin