DREJTSHKRIME DHE DËSHTIME

Sot, më 28 nëntor 2010, përfaqësues të 22 akademive të spanjishtes anembanë botës miratuan njëzëri versionin e ri të drejtshkrimit të kësaj gjuhe.

Ndër shqiptarë, një akt i tillë do të ishte përfshirë në të ashtuquajturat “ndryshime të standardit”; ndërkohë, koordinatori i projektit, Salvador Gutiérrez Ortóñez refuzon deri edhe të përdorë fjalën “reformë”, për të karakterizuar këtë ndërmarrje të nevojshme.

Botimi ri i Ortografía de la lengua española, që duhet të dalë nga shtypi para fundit të vitit, pritet të jetë një vëllim prej më se 800 faqesh, ku saktësohen rregullat dhe risitë drejtshkrimore të spanjishtes, një nga gjuhët më të përhapura të botës.

Ndryshe nga gjuhë si anglishtja dhe frëngjishtja, të cilat drejtshkruhen sipas parimit historik, spanjishtja shquhet për lehtësinë dhe thjeshtësinë e sistemit të saj drejtshkrimor, i cili përgjithësisht ndjek parimin fonologjik (njëlloj si shqipja).

Si do të ndryshojë drejtshkrimi i spanjishtes? Do të hapet ky sistem formal ndaj dialekteve dhe të folmeve, do të korrigjojë padrejtësi të së shkuarës, do të marrë parasysh opinionin e masave të gjëra, intelektualëve, demagogëve dhe poetëve?

Natyrisht jo. Spanishtja e njësuar shkruhet dhe flitet anembanë botës, nga qindra miliona njerëz; nuancat dhe ngjyrimet dialektore mbeten të lokalizuara gjeografikisht dhe ruajnë lezetin e provincës, njëlloj si gjellët karakteristike, varietetet e rrushit dhe vallet. Përndryshe, kur vjen puna për spanjishten, si gjuhë të institucioneve dhe të kulturës spanjolle, bukinisti në Salamanca dhe bariu i llama-ve në Peru nuk janë veçse dy përdorues të ndryshëm të të njëjtit sistem të njësuar, të mirëmbajtur nga dijetarët e Akademisë Mbretërore.

Edhe modifikimet e tanishme të drejtshkrimit janë më tepër pjesë e mirëmbajtjes rutinë që i bëhet këtij sistemi, për t’ia përshtatur kohës dhe për të ndrequr pasaktësi të së shkuarës.

Çfarë do të ndryshojë pikërisht?

Para së gjithash, tabela e alfabetit; tashmë ch dhe ll nuk do të konsiderohen më shkronja të pavarura; në kuptimin që fjalët që nisin me këto digrame nuk do të kenë rubrika më vete në fjalorët (në shqipe, kjo do të ishte njëlloj sikur dh, gj, nj, rr, sh, th të mos quheshin më shkronja të veçanta të alfabetit).

Po ashtu, do të hiqet theksi nga disa fjalë, në të cilat përdoret me funksion semantik – p.sh. për të dalluar ndajfoljen sólo nga mbiemri solo; ose për të dalluar disa përemra dëftorë nga mbiemrat përkatës (ésta dhe esta).

Theksi do të hiqet edhe nga fjalë që, për shkak të diftongimit të zanoreve të temës, shqiptohen tani gjithnjë si njërrokëshe: guion dhe jo guión.

Më në fund, me drejtshkrimin e ri, shkronja k do të fitojë qytetarinë e plotë në alfabet, çka do të thotë se fjalë të tilla që deri sot janë shkruar si Iraq, Qatar, tash e tutje do të shkruhen Irak, Catar.

Këto janë ndryshimet më “dramatike” në drejtshkrimin e ri e që, për t’i miratuar, janë mbledhur akademikët në Meksikë nga ana e anës. Ndryshimet e tjera kanë të bëjnë me raste individuale ose të veçanta (të krahasueshme me çfarë ndodhi për shqipen, kur u miratua, vitet e fundit, që fjala Evropë të shkruhej edhe Europë).

Meqë këtë periudhë kemi diskutuar shpesh për konferencën gjuhësore që do të mbahet në dhjetor të këtij viti në Tiranë, krahasimi me çfarë është vendosur për spanjishten nuk mund të shmanget.

Natyrisht, shqipja dhe spanjishtja kanë histori të ndryshme dhe u shërbejnë kulturave deri edhe tipologjikisht të ndryshme; megjithatë, duhet vënë re se akademikët e konsiderojnë spanjishten e njësuar, ose letrare, si sistem tashmë të përmbyllur dhe të pavarur, që ndryshon për arsye të brendshme, jo për shkak të marrëdhënieve me sisteme konkurrente (për shembull, dialektet).

Gjithashtu, atyre që me ngulm kërkojnë “ndryshime” në sistemin drejtshkrimor dhe gramatikor të shqipes ndryshime si të spanjishtes as do t’u hyjnë në sy.

Vallë janë treguar tepër konservatorë akademikët e spanjishtes?

Nuk jam në gjendje të them nëse ka pasur apo jo propozime, nga poshtë nga lart apo nga anash, për ta reformuar më thellë sistemin drejtshkrimor, pak a shumë të përsosur, të spanjishtes; por më shkon mendja, gjithnjë, te ecuria e reformës drejtshkrimore të gjermanishtes, të miratuar në vitin 1996, nga qeveritë e vendeve gjermanisht-folëse të Europës e që, edhe pse gjithnjë e kufizuar në shtrirje dhe ambicje, guxonte më tepër se ndërmarrja e tanishme me spanjishten.

Siç dihet, reforma drejtshkrimore e gjermanishtes ndeshi në rezistencë të madhe nga shoqëria civile, në një kohë që autoritetet nuk arritën të merren vesh për mënyrën si do të zbatohej reforma dhe si do të imponohej drejtshkrimi i ri. Për pasojë, i vetmi rezultat konkret i reformës së drejtshkrimit të gjermanishtes është pështjellimi në përdorimin publik të kësaj gjuhe, sa i përket drejtshkrimit të saj.

Sipas disa anketave, gati 80% e gjermanofonëve midis moshave 30 dhe 40 vjeç refuzojnë të përdorin drejtshkrimin e ri.

Reformat e drejtshkrimit janë treguar kundërprodhuese edhe me gjuhë të tjera; kështu, në hollandishte, reforma e vitit 1995 ka çuar në përdorimin e dy sistemeve të ndryshme të drejtshkrimit, njëri nga shkollat dhe institucionet, tjetri nga mediat. Në frëngjishte, një ndryshim në drejtshkrimin e rreth 2000 fjalëve i urdhëruar nga qeveria franceze ende ka mbetur i pa-adoptuar në shkallë të gjerë. Në Rumani, drejtshkrimi i disa fjalëve me î, përkatësisht â, të cilat zanore sot shqiptohen njëlloj, por që shkruhen ndryshe për arsye historike (ose më mirë pseudo-historike), u thjeshtua në vitin 1993 – shkrimi me î i fjalëve të tilla si romîn (dhe jo român) konsiderohej gjerësisht si mbeturinë e një sistemi drejtshkrimor të imponuar nga regjimi komunist. Drejtshkrimi i ri, megjithatë, nuk është adoptuar nga të gjitha entet botuese, publike dhe private; disa revista, si  România literară, i lejojnë autorët të përdorin atë sistem drejtshkrimor që dëshirojnë.

Nuk është e qartë nëse dështimi i orvatjeve gjatë këtyre dekadave të fundit për të thjeshtuar sistemet drejtshkrimore lidhet apo jo me alfabetizimin masiv të përdoruesve të gjuhëve dhe masivizimin e pashembullt të përdorimit të gjuhëve të njësuara, p.sh. nga tekstet shkollore, mediat ose, tani vonë, Interneti. Në të shkuarën reformat drejtshkrimore kanë pasur zakonisht sukses; por arsyet për këtë sukses kanë qenë jashtëgjuhësore (p.sh. numri i pakët i përdoruesve të alfabetizuar; ose imponimi i rregullave të reja nga një sistem institucional i centralizuar dhe autoritar, si në rastin e shqipes në 1972). Sa për shqipen e sotme, kësaj i mungon një institucion me prestigjin dhe autoritetin e Real Academia Española (ne as kontrollin drejtshkrimor automatik të MS Office nuk kemi arritur ta programojmë dot mirë); dhe rreziku që çdo reformë e sugjeruar, sado e kujdesshme dhe e matur, të thyejë njësinë e sistemit pa çuar në ndonjë njësim të ri epror, mbetet rrezik real, i konfirmuar nga ç’ka ndodhur me gjuhë të tjera, më të organizuara se shqipja jonë sot, me institucione më të shëndetshme dhe me shoqëri civile ku e ku më aktive se ajo e sotmja në Shqipëri.

Nuk ka komente

  1. Përshëndetje,

    Për çfarë e ke fjalën kur bën këtë konstatim:

    …ne as kontrollin drejtshkrimor automatik të MS Office nuk kemi arritur ta programojmë dot mirë;

    1. Për arsye pune, më duhet ta përdor shpesh kontrollin drejtshkrimor automatik të MS Office për shqipen.

      Në përgjithësi, ky kontroll nuk më zgjidh punë, sepse fjalorit të tij i mungojnë një numër i madh fjalësh.

      Veç kësaj, fjalori ka edhe gabime, ndonjëherë të rënda.

      Tani që nisa t’i përgjigjem kësaj pyetjeje, vendosa të bëj një test dhe të kontrolloja tekstin e Kushtetutës së Republikës Shqiptare.

      Kontrolli më gjeti gabime (ose nuk njohu si korrekte) fjalë të tilla si kanoneve, të tretëve, kontraktor, nënparagrafi, (listat) shumemërore, (listat) njëemërore, kandidojnë, (kushtet e) pazgjedhshmërisë, (në rastin e) mosushtrimit, e vetëzbatueshme, (Gjykata e) Kasacionit.

      Gjithashtu, kontrolli drejtshkrimor i një materiali të shkruar që kisha në kompjuter nuk njohu fjalë të tilla si supersticionit, agnostikët, shekullaristët, sublimohet, astrologjike, atlantë, kinezëri, irracionalizmi, kombëtarizmi, katastrofik, moraliteti, vetërregullohet, drogoj, merkantilizmit, paradoksalisht, i noterizuar, sepet, subatomike, kuantike, kuarkeve, gluoneve, kromodinamika, kozmologjisë, futurologët, Jupiteri, ripërkufizoi, ndërnjerëzor, ekstrovert, kurioz, Andromeda, fantashkenca, parakomuniste, makartizmi, seriali (televiziv), kozmolog, orbital, katërkëndor, entropike, kundërfigurë, astronaute, jungiane, primordiale, katalogimi, faustian, konceptuale, paranoid, (kanë) stereotipizuar, frikërat, gravitacionale, ndërveprojnë, (sëmundje) e pakurueshme, virtualisht, i rikombinuar, kontroversial, unipolare, kolektivist, nanoteknologjia, presupozimi, narcisizmi, meritokracia, manikeiste, Prometeu, transkontinentale, zepelinëve, masonik, biologjikisht, racionalitetin, fraktale, epifania, dekalkomania, tabloidët, okult, u nënvendoset, intuitiv… (fjalët në kllapa i kam vënë për kontekst)

      Ç’të thuash më?

  2. p.sh. ‘të tretëve” dhe “nënparagrafi” i paska programi përveç nëse ke ndonjë version shumë të hershëm, por, p.sh. “kontraktor” mendoj që duhet të jetë “kontraktues”. Megjithatë, ju sugjeroj që ta vendosni këtë koment/testim në forumin e portalit Gjuha Shqipe (www.gjuhashqipe.com) dhe do të marrësh përgjigje. Po ashtu, kjo do të ishte një ndihmë konkrete për ekipin e gjuhëtarëve që merret me aspektin gjuhësor të AS Drejtshkrimorit. Përdoruesit e këtij softueri rregullisht dërgojnë fjalët që konsiderojnë që i mungojnë softuerit në adresën e caktuar për këtë gjë: shto@gjuha-shqipe.com. Shpresojmë edhe ju edhe të tjerët që kontribojnë sa më shumë në forumin e gjuhës shqipe sidomos kur keni vërejtje konkrete sikur këto që ke paraqitur. Edhe ndonjë vizitë e profesionistëve dhe dashamirëve të gjuhës shqipe, në zyrat tona në Tiranë ose në Prishtinë çdoherë është e mirëseardhur.

    Gjithë të mirat.

    1. Lulëzimi shkruan:

      u sugjeroj që ta vendosni këtë koment/testim në forumin e portalit Gjuha Shqipe (www.gjuhashqipe.com) dhe do të marrësh përgjigje.

      Falemnderit, por në të vërtetë unë nuk bëra asnjë pyetje; vetëm sa konstatova që një produkt nuk po ma bën punën. Nuk ma merr mendja që kontrollori drejtshkrimor i MS Office të jetë open source.

  3. Në të vërtetë as unë nuk thash që bëre pyetje, vetëm thash që do të marrësh përgjigje “në konstatimin tënd të gabuar”.
    Ne jemi autorë dhe pronar të këtij softueri. Po ashtu jemi partner i Microsoft-it. Ndërsa fondi i fjalëve që përmban softueri është 99% e leksikut aktiv të gjuhës shqipe, që do të thotë ju kryen punë 99%, ndërsa 1% duhet të mbani personalisht përgjegjësi për atë çfarë shkruani. Nuk ju ndihmon dot asnjë softuerë as në gjuhët tjera 100%. Megjithatë, softueri për të cilin po flasim AS Drejtshkrimori 2.0 përmban mbi 2.300.000 fjalë të shqipes dhe ua ofron mundësinë edhe ju që të shtoni fjalë të caktuara që ju duhen, e që nuk i ka.
    Kuptohet që nuk është Open Source dhe nuk është pa pagesë. Do të ndihmonit shumë gjuhën shqipe dhe ne si autorë të këtij softueri sikur të paguanit 40 Euro, aq sa kushton licenca. Sa për njoftim deri tani ka mbi 400.000 instalime të këtij softueri që për çudi “ty nuk po ta bëka punën”.
    Je shumë i mirëseardhur për çfarëdo kërkese nga ekipi që tash e dhjetë vite merret me përparimin e këtij softueri.

    Lulëzim Shishani

    1. A po flasim për të njëjtin program? Unë këtë që përdor e kam shkarkuar, si paketë, nga sajti zyrtar i Microsoft-it. Natyrisht pa pagesë (Microsoft e ofron falas) për ata që kanë licencë të rregullt për MS Office (e kam blerë suitën).

      Tani, nëse këtij programi i mungojnë shumë fjalë (ose gjeneron shumë false positives), atëherë i vetmi përfundim që mund të nxjerr është se ai nuk është testuar mirë. Të dhashë një listë fjalësh për të cilën m’u deshën vetëm 15 minuta testim me ca tekste të miat çfarëdo. Po të merresha një javë me të, lista do të ishte shumë më e gjatë. Çfarë ju ka penguar, bie fjala, që të përfshini fjalë të tilla si kuantik, agnostik, konceptual në fjalorin tuaj?

      Gjithashtu, numri që sjell, prej 2.300.000 fjalësh është fiktiv dhe ti, Lulëzim, e di shumë mirë që është fiktiv. Këto nuk janë fjalë, por trajta gramatikore fjalësh, të cilat i gjeneron automatikisht programi.

      Unë të përmenda fjalë që mungojnë, si njësi leksikore, jo forma fjalësh; por vetëm një folje, p.sh. ripërkufizoj, ka me dhjetëra forma që merr gjatë zgjedhimit. Po të doja edhe unë të impresionoja njeri, do të thoja: programit i mungojnë fjalët: ripërkufizoj, ripërkufizon, ripërkufizojmë, ripërkufizoni, ripërkufizojnë, ripërkufizoja, ripërkufizoje

      Nuk kam për qëllim të denigroj produktin tuaj. Po ta kisha atë qëllim, do të isha lidhur me Microsoft-in drejtpërdrejt dhe, më beso, do ta kisha formuluar ankimin tim në mënyrë shumë bindëse (tek e fundit, suita MS Office kushton relativisht shtrenjtë). Vetëm më bën përshtypja lehtësia me të cilën kërkoni kontribute vullnetare për të përmirësuar një produkt, për të cilin besoj se jeni paguar shumë mirë nga porositësi.

    2. …., p.sh. “kontraktor” mendoj që duhet të jetë “kontraktues”…

      Sa me siper verteton ate se pse eshte e mira qe klubi juaj te jete ai qe duhet te paguaj specialistet si puna e Xhaxhain dhe jo e kunderta.
      Kur thua “mendoj”, une e kuptoj kete thjesht si nje opinion subjektiv, qe eshte i bazuar ne perspektiven tende, ne besimin tend apo deshiren tende, qe shume kollaj mund te tranformohet ne nje informacion te pabazuar.
      Me kete menyre te te berit , psh do te isha kurioz te dija se cfare mendimi ke mbi fjalet:
      kontrate
      kontraktim
      kontraktueshme
      kontraktuar
      kontraktuale
      kontrakture

      … dhe po le jashte ketu variantet me nen(sub). (edhe me italiket e Xhaxhait besoj se do te te dale koha te mendosh mbi to)

      …”Do të ndihmonit shumë gjuhën shqipe dhe ne si autorë të këtij softueri sikur të paguanit 40 Euro, aq sa kushton licenca.
      Sa për njoftim deri tani ka mbi 400.000 instalime të këtij softueri që për çudi “ty nuk po ta bëka punën”…”

      400.000x40Euro = 1,6 miljon Euro. Jo keq si kthim ne investim. Kjo do te thote se punet ne negotium-in te shkojne mire, dhe mundesite do te ekzistonin per ta zhvilluar ate me tej, qofte edhe duke paguar per ato gjera qe s’doni ti beni por duhet t’i beni , apo s’mundeni ti ben, megjithese do te donit.

      Dhe e fundit: shprehja “Sa per njoftim” tingellon si qyngj bosh ne shqip. Gati-gati nuk duket shqip. Si ne kontekts, ashtu edhe strukture te fjalise, qofte asaj te thjeshte apo te perbere.

  4. Programi yt Xhaxhaio pavarësisht që nuk po e tregon versionin, ka gjasa që të jetë ndër versionet e para që kemi bërë dhe që ia kemi shitur Microsoft-it. Do të ndihmoje jashtëzakonisht shumë gjuhën shqipe dhe ne, sikur të kontaktoje Microsoft-in dhe t’i bëje vërejtjet tuaja dhe të kërkoje që ta përparojnë (ta blejnë versionin e fundit).
    Po e them një gjë edhe për këtë forum (bllog) po më duket shumë paragjykues për të mos thënë fyes. Unë thash “do të marrësh përgjigje” ai thotë “nuk bëra pyetje por konstatim”. Unë them “ka 400.000 instalime” ai thotë “400.000 x 40=1.6”. Unë nuk thash qe ka 400 mijë pagesa, por, 400 mijë instaliem nga shqiptarët në tërë botën, sidomos në Shqipëri. Do të dëshironim të kemi mjete financiare dhe t’ia shtojmë edhe komponentin gramatikor, edhe atë sinonimk edhe komponente tjera. Në fakt edhe jemi duke punuar në këtë drejtim në Tiranë dhe në Prishtinë, por, për shkak të piraterisë ose ndoshta paaftësisë sonë që të gjejmë donacion, punët po ecin shumë ngadal.
    Më dëshirë do të vazhdoja bisedën dhe të ju njoftoja me çdo detaj të punës tonë në forumin e portalit Gjuha Shqipe (www.gjuhashqipe.com), aty ku është faqja zyrtare për këtë softuer dhe softuerët tjerë. E pamë si i bëri Facebook-u 500 milion anëtarë, ngase njerzit, nuk duan më të jenë anonim në internet. Duan të flasin e debatojnë pa u fshehur dhe pa u frikësuar (mos me keqkuptoni).
    Vlerësimet, mendimet, vërejtjet tuaja çdoherë janë më rëndësi për ne.
    Andaj ju ftoj në forumin e gjuhës shqipe dhe për çështje gjuhësore merrni përgjigje/komente nga specialistët tanë të gjuhës jo nga unë. Unë mund të flas për organizimin e përgjithshëm dhe prioritetet.

    Gjithë të mirat,

    Lulëzim Shishani

    1. Nuk di se ku ta gjej versionin, që të ta tregoj. Të thashë që e shkarkova si paketë gjuhësore nga sajti i Microsoftit – por edhe kaq i vjetër nuk është. Do ta kem shkarkuar dikur nga gushti ose shtatori.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin