KËSHILLI I AKREDITIMIT

Një artikull me titull “Sistemi universitar skandaloz, kreu i Agjencisë së Akreditimit Bardhyl Musai abuzon me akreditimet” i gazetës “Sot” akuzonte kryetarin e Këshillit të Akredimit dhe MASH për korrupsion. Nuk do t’ia vlente të merremi me artikullin që ishte krejtësisht i bazuar mbi opinionin e shkruesit, ku i vetmi fakt që përmendej ishte dyshimi mbi pavarësinë politike të Këshillit të Akreditimit. Ndërkaq Prof. Dr. Musai nuk është kreu i agjencisë, pasi drejtor i Agjencisë është Dr. Avni Meshi. Por tema në vetvete ja vlen të diskutohet.

Shumëkush në Shqipëri mendon se sistemi i arsimit të lartë karakterizohet nga një cilësi e dobët, sidomos institucionet e arsimit privat. Por deri më tani, përvetëm disa rasteve të dokumentuara (të nxitura) të korrupsionit nga ndonjë televizion privat, nuk ekzistojnë evidenca për këtë. Sidomos për ç’ka përflitet rëndomtë në Tiranë, për diploma që shiten dhe për studime në mjekësi pa kurrfarë praktike mjekësore dhe laboratorësh.

Por të ndërtosh një argument mbi një opinion personal është një gjë, tjetër punë është të argumentosh me fakte konkrete.

Psh. kur akuzohet Këshilli i Akreditimit për korrupsion, së bashku me kryetarin e saj, ndoshta do të ishte mirë të hulumtohej në faqen e internetit se cfarë është ky këshill, nga se përbëhet dhe si është procesi i vendimmarrjes. Ndoshta do të ishte më mirë psh. të lexoheshin raportet vjetore të Agjencisë së Akreditimit përpara se të spekulohej mbi opinion. Ndoshta do t’i shërbente më mirë publikut që edhe spekulimet apo interpretimet të kishin si pikënisje fakte të publikuara (të vërteta).

Në faqen e internetit të Agjencisë Publike të Akreditimit mund të lexohet se:

Këshilli i akreditimit (KA) është një organ kolegjial që rekomandon, bazuar në vlerësimin e jashtëm të cilësisë, akreditimin e programeve/institucioneve në arsimin e lartë publik dhe privat. Ai është i pavarur në punën e tij dhe bën publike vendimet e këshillit, duke shprehur edhe mendimet kundër. Në këshill përfaqësohen në mënyrë të balancuar institucionet e arsimit të lartë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Këshilli i Arsimit të Lartë dhe Shkencës, ekspertë të fushave, si dhe një student nga organizimet studentore.

Pra KA duhet të jetë i pavarur. Pyetja që ngrihet së pari është mbi pavarësinë e këtij këshilli. Në moment KA përbëhet nga : 1. Prof.Dr Bardhyl Musai (Kryetar i KA), 2. Prof.As.Dr Anila Hado (Nënkryetare e KA) , 3. Dr. Arjan Xhelaj (Përfaqësues i MASH),  4. Prof.As.Dr Ilir Bozgo,  5. Prof.As. Dr Emil Lamani , 6. Prof.Dr Shyqyri Llaci , 7. Prof.Dr Vladimir Nika,  8. Prof.Dr Gëzim Hadaj,  9. Qamil Dika (Përfaqësues i studentëve).

Atëherë autori anonim i artikullit duhet fillimisht të na sqaronte mbi mungesën e pavarësisë së këtij këshilli nga qeveria e politikat e saj dhe jo të merrej me aftësitë profesionale të kreut të këshillit (të cilin ai kurrsesi nuk mund ta gjykojë pa paraqitur fakte). Kryetari i Këshillit të Akredimit është Prof. Dr. Musai, një profesor i Universitetit të Tiranës, anëtar i Këshillit të Arsimi të Lartë dhe Shkencës, si dhe njëkohësisht këshilltar i Kryeministrit.

Së dyti nëse autori anonim dëshiron të supozojë se puna e Këshillit i shërben klientëve (akuza për klientelizëm) duhej që këtë supozim ta niste nga një fakt ose studim dhe jo të na tregojë ne opinionin e tij (fundja është anonim dhe nuk e njohim për ekspert). Edhe ky supozim mund të ndërtohej mbi një fakt. Mbledhjet e Këshillit të Akreditimit sic mund të shihen në vitin 2008 nuk kanë një shpërndarje të barabartë (disi më të ekuilibruar në vitin 2009).

Në vitin 2008 kjo shpërndarje ngre dyshime se ndoshta mbledhjet janë bërë me porosi, pasi ato janë të akumuluara përpara se të fillojë viti akademik (shtator-tetor, urgjenca e momentit dhe e konkurrences). Vërtetohet lehtë nëse gjejme institucionet që janë akredituar në këtë periudhë (këtë po ja lë gazetarucit, për të hulumtuar në të gjitha vendimet e këshillit). Pra akuza për klientelizëm mund të ndërtohej mbi një fakt nëse gazetaruci do të njihte disi metodat e kërkimit empirik, të cilën Prof. Dr. Musai e jep si lëndë në Fakultetin e Sociologjisë.

Së treti anonimi akuzon kryetarin e Këshillit të Akreditimit për vonesa në akreditimin e institucioneve private, e më pas për privilegjim dhe tolerancë ndaj tyre (diku shprehet me fjalën “abuzim” dhe pretendon se gazeta ka mbledhur prova). Përvec faktit që ky supozim përmban kundërshti në vetvete, këto pohime mund të provoheshin shumë lehtë sikur gazetaruci të kishte sërish lexuar raportet dhe vendimet e Këshillit të Akreditimit dhe të mos pretendonte më shumë së c’ishte në gjendje të provonte.

Në grafikun e mësipërm mund të lexohet lehtë se ka një tendencë për vendime pozitive, sidomos në 2010 ndaj institucioneve private, pasi psh. në 2010 nuk rezulton asnjë përgjigje negative për akreditim. Nëse autori anonim do ta lidhte këtë argument me observimet e tij personale mbi cilësine e dobët të mësimdhënies në institucionet private, atëherë ky do të ishte një argument i fortë për supozimet e tij.

Autori në artikull shprehet se sipas “materialeve të mbledhura nga hulumtimet e gazetës “SOT”, MASH ka përjashtuar nga grupi i vlerësimit të procesit të akreditimit grupet e interesit siç janë studentë apo prindër, të cilët mund të jenë të vetmit që të japin informacione të sakta për gjendjen në universitete.” Për këtë pretendim autori nuk përmend asnjë fakt, edhe pse mëton se paska mbledhur materiale. Por mjafton të shikosh raportet për të nxjerrë një konkluzion të ngjashëm me autorin. Formalisht ekziston një përfaqësues i studentëve, ndërsa prindërit nuk përbëjnë grup interesi përvetëm se identitetit të tyre si zgjedhës. Ndërkaq realisht, edhe pse një pjesë e raporteve të Këshillit të Akreditimit nuk përmban informacion të plotë mbi praninë e anëtarëve të Këshillit nëpër mbledhje, Qamil Dika, përfaqësuesi i studentëve nuk ka qenë i pranishëm në gati 30% të mbledhjeve. Ky fakt sikur të përmendej do të përbënte një themel për mëtimin e autorit të artikullit.

Përfundimisht, edhe pse informacioni është i gjindshëm, në gazetarinë tonë mjaftohen me mëtime të llojit të këtij artikulli. Unë jam i bindur se këto artikuj shkruhen ose për të ndëshkuar persona për inate personale, ose për të bërë shantazh. Artikuj të tillë nuk synojnë të nxjerrin në pah të vërtetën, porse përkundrazi ta mbulojnë atë me gënjeshtra në moton “ujku … ujku … ujku” (3x).

Nuk ka komente

  1. Për ne që as nuk e dimë se ç’funksion kryen ky Këshill akreditimi (dhe artikullshkruesi duhet të kishte mirësinë që të tregonte diçka), ky artikull ishte një Mesh-Mash i vërtetë.

    Autori në fillim thotë se “drejtor i Agjencisë është Dr. Avni Meshi. , ndërkaq (booo sa herë e përsëritur në artikull kjo), më poshtë thotë se: “Në moment KA përbëhet nga : 1. Prof.Dr Bardhyl Musai (Kryetar i KA), 2. Prof.As.Dr Anila Hado (Nënkryetare e KA) , 3. Dr. Arjan Xhelaj (Përfaqësues i MASH), 4. Prof.As.Dr Ilir Bozgo, 5. Prof.As. Dr Emil Lamani , 6. Prof.Dr Shyqyri Llaci , 7. Prof.Dr Vladimir Nika, 8. Prof.Dr Gëzim Hadaj, 9. Qamil Dika (Përfaqësues i studentëve).” ku, as që duket fare emri i Meshit.

  2. Edrus, sikur te kishe lexuar edhe ca vete (nga kureshtja!) nuk do te ishe nxituar ne perfundimet e tua. Drejtori eshte i Agjencise se Akredimit, organ administrativ. Ndersa Keshilli i Akreditimit eshte nje organ vendimmarres mbi Agjencine e Akreditimit.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin