KUSH I SHKRUAN FILMAT?

Elsa Demo, te Shekulli, u kthehet sërish problemeve të kinematografisë shqiptare (Në dyshim paratë apo idetë, 9 nëntor 2010).

Këto probleme janë të shumta dhe të shumëllojshme: më një anë mungojnë financimet e nevojshme, më anë tjetër idetë artistike; regjisorët e kalojnë pjesën më të madhe të kohës duke kërkuar fonde poshtë e lart; teknika lë për të dëshiruar; publiku në Shqipëri e ka braktisur kinemanë dhe filmat e prodhuar së fundi zakonisht vetëm sa shëtitin nga një festival në tjetrin.

Duke u ndalur në disa dobësi të skenareve të filmave ekzistues dhe të atyre në projekt, Demo shkruan:

Ka jo pak raste që tregojnë në bashkëprodhimet kinematografike se një shkrimtar nuk është një skenarist. Madje sa më i mirë të jetë si shkrimtar aq më i keq është si skenarist.

Është një gjini që vetë regjisorët e mbajnë nën kontroll të rreptë nga frika se humbasin kontrollin ndaj gjithë filmit – e konsiderojnë dhe e kanë pronë meqë bëjnë edhe rolin e producentit – dhe ngaqë nuk dyshojnë më në atë që kanë bërë deri tani.

Demo merr shkas nga projekti Sorkadhet e trembura, Ljuba, të cilit ia ka shkruar skenarin Ismail Kadareja (“i përdorur si çelës që mund të hapë çdo derë”, shkruan autorja); por përmend edhe filmin Maya, të Pluton Vasit, i cili kishte për bashkëskenariste një poete, Luljeta Lleshanakun (“produkt amator” e quan këtë skenar Demo).

Demo ka të drejtë: shkrimtari nuk është vetvetiu skenarist. Por kjo nuk mund të përligjë, në vetvete, një dukuri tipike të kinematografisë shqiptare të kohëve të fundit – kur regjisorët i shkruajnë vetë skenarët e tyre.

Nëse është e vërtetë që “sa më i mirë të jetë si shkrimtar aq më i keq është si skenarist” (kjo mbetet për t’u parë), nuk do të thotë se e vetmja shpresë për të pasur skenar të mirë është të jesh shkrimtar i keq – siç janë, zakonisht, regjisorët e improvizuar si autorë skenaresh.

Mund të ndodhë që regjisori të shkëlqejë edhe në skenar; por kjo do marrë më shumë si përjashtim, jo si rregull. Skenari kërkon profesionistin përkatës, ose skenaristin.

Regjisorët që i shkruajnë vetë skenaret zakonisht e përligjin këtë duke shpjeguar se ashtu i japin formë filmit që kanë në përfytyrim.

Kjo mund të qëndrojë, por skenari është produkt në thelb letrar; dhe si tillë kërkon mjeshtëri me fjalën, edhe sikur autori jo-skenarist të jetë në gjendje të kontrollojë rrafshin rrëfimtar.

Nëse filmat e kohëve të fundit kanë pasur probleme, një pjesë e këtyre problemeve lidhen drejtpërdrejt me skenarët. Kur regjisorët i shkruajnë skenarët vetë, e kanë të vështirë t’i dallojnë dhe t’i korrigjojnë dobësitë e tyre – në rrafshin rrëfimtar dhe në rrafshin ligjërimor (diskursiv).

Sa i përket këtij të fundit, do të veçoja dialogun, i cili ndryshe nga rrafshi rrëfimtar e ruan natyrën ligjërimore edhe në produktin final, sa kohë që personazhet flasin edhe në ekran (në një kohë që rrëfimi përcillet kryesisht nëpërmjet imazheve, planeve dhe montazhit).

Idealisht, përveç skenaristit, filmi kërkon edhe një specialist të dialogut. Kur ky specialist mungon, dialogu në film bëhet i mërzitshëm, ose nuk integrohet mirë me rrëfimin. Personazhet në ekran thonë gjëra të mërzitshme, të rëndomta, të varfra. Publiku mërzitet ose nuk e beson më filmin. Ndonjëherë, i njëjti personazh në një skenë flet si profesor filozofie, ndërsa në tjetrën si hamall porti. Në raste të tjera, dialogjet amatoreske kërkojnë me çdo kusht batutën ose efektin komik duke e shndërruar skenën në skeç estrade. Më në fund, për shkak gjithnjë të dialogut të parealizuar, disa personazhe mbeten të zbehta, meqë autori i skenarit nuk është në gjendje t’i mbushë me “lëndë”.

A kanë mbetur skenaristë të mirëfilltë sot në Shqipëri, përtej shkrimtarëve, poetëve dhe regjisorëve vetë? Nga përgjigjja kësaj pyetjeje varet edhe ecuria e suksesshme e filmit shqiptar në të ardhmen. Punës së skenaristit i kuptohet tamam vlera vetëm në nivel profesional; meqë skenari i mirë është i tejdukshëm, ndërsa i keqi menjëherë bie në sy (ose më mirë në vesh) të publikut.

Këtë pa dyshim e dinë, të parët, regjisorët.

 

Nuk ka komente

  1. nje debat i perafert po behet dhe te Rreth-disidences-ne-kinematografine-shqiptare/ 
    Ne kinematografine shqiptare ne rradhe te pare mungon shkolla e aktrimit per film. gjithe filmat shqiptare vuajne nga artikulimi jane shume teatrale. Aktoret as nuk impenjohen fare te futen ne rrol, dialekte qe perziehen pa pasur lidhje me vendin apo kohen ku zhvillohen ngjarjet.
    Ne pergjithesi filmat sidomos kohet e fundit mundohen te kopjojne rryma te caktuara qe kane sukses po perfundimisht dalin shemtira, po marr shembull Kohen e Kometes ku kishte personazhe qe flisnin si cuna Blloku. apo shembulli “I Dashur Armik” regjizori eshte perpjekur po personazhet falsin keq duket qarte qe filmi eshte bere per juri qe nuk dine shqip.
    Personalisht sidomso filmat e vjeter shqiptar bardh e zi preferoj ti shikoj pa ze ne to dalin ne pah aftesite e regjizoreve shqiptare, shembull eshte edhe Gjurma qe solli Autori ne blogun e tij.

  2. Të më falni për daljen nga tema, por, meqë bëhet fjalë për kinemanë, doja të sillja diçka të bukur që dëgjova sot.
    Me rastin e vdekjes, në moshën 91vjeçare të Dino de Laurentit, produktorit kinematografik italian nga më të famshmit në botë, po jepeshin pjesë nga intervista e tij e fundit; pyetjes se “si e ndjente vehten që është një nga përfaqësuesit e neorealizmit botëror?”, ai, me një çiltërsi që më habiti, u përgjigj: “Neorealizmi ishte një trillim i gazetarëve… bile më saktë, hyri në terminologji jo nga gazetarët italianë por nga gazetarët francezë. Fakti që ne xhironim direkt në rrugë, nuk varej nga dëshira jonë për të pasqyruar realizmin, por gjendeshim në rrugë sepse nuk kishim pare për të realizuar studiot…

  3. Çështja e skenarit është thelbësore. Është nga ato argumente që në italisht i quajnë “collo di bottiglia”. Në Amerikë, ku paraja është shpesh njësi e mirë matëse, ndodh që skenaristi fiton më shumë edhe se vetë aktorët-yje të Hollywood-it. Që nga trokitja në dyer për të kërkuar para për filmin, kur ai është ende në mendjen e regjisorit, e deri tek xhirimi i sekuencës së fundit, çdo gjë bëhet me skenar në dorë. Problemi është që skenari është një formë rrëfimi në funksion të një tjetër arti dhe jo si qëllim në vetvete, siç mund të jetë romani, apo edhe poezia. Në një kohë kur këto të fundit mund t’i shkruajë potencialisht gjithkush (mirë apo keq, është punë tjetër, por të rrëfesh, apo të shprehesh figurativisht me vargje është diçka imediate) për të shkruar një skenar duhet të njohësh teknikën e të shkruarit të tij që, si çdo gjë teknike, duhet mësuar. Është sikur të kërkosh një harpist në orkestër, për shembull. Kështu, mbas rënies së prodhimit të filmave në Shqipërinë e viteve ’90, skenaristët gjithnjë e më tepër u shndërruan në mall të çmuar. Shumë prej tyre ndërruan jetë/vendbanim/interesa.
    Skenari vetë shkon tek 150-200 faqet. Shtoi këtij edhe dhjetra faqe të tjera po të futësh brenda fazat e ndërmjetme, funksionale për filmin, që në italisht i quajnë “scaletta” dhe “scalettone”. Një pjesë e skenaristëve pastaj nuk kënaqen me aq, por shkruajnë edhe më: bëjnë një trajtesë të hollësishme diskursive të personazheve dhe ambienteve të filmit (kjo është ajo fazë e të shkruarit që i ngjan më tepër letërsisë). Pa harruar dialogët. Për të cilët në disa vende, si për shembull Franca, ekzistojnë specialistë të veçantë, (“dialogistë”), siç e përmendte edhe Xha Xhai. Sigurisht nuk mund ta nënshkruaj frazën “që sa më i mirë të jesh si shkrimtar, aq më i keq je si skenarist”, se siç thashë është çështje teknike. Do të thosha, ama, (po ky është thjesht një impresion i imi, nuk e vë dorën në zjarr) që ndoshta diçka që i vështirëson marrëdhëniet e shkrimtarëve shqiptarë në përgjithësi me skenarin është se në Shqipëri sot proza shkruhet në formë, të themi, fluviale, lirike (s’ka asgjë të keqe); kurse një skenarist duhet të shkuajë me flash-e, me hedhje/kapërcime (skenat e filmit, që një montazh i mirë, muzika etj. i ngjiz së bashku).

  4. Ne shtese te cfare eshte shkruar me lart: ne e gjykojme aftesine e skenaristeve te sotem shqiptare ne baze te cfare po na paraqitet ne kinemate/festivalet shqiptare – gje qe eshte shume normale ne nje vend ku konkurenca behet paresisht ne aftesi te vlerave te punes. Ne vendin tone, kjo me duket se nuk eshte shume e mundur; mungesa e investuesve private ne film ka bere qe burimi kryesor i fondeve per prodhimin e filmit artistik ne Shqiperi te jete shteti. Dhe shteti do funksionoje njesoj ne fushen e filmit ashtu sic funksionon dhe ne fusha te tjera: nepotizmi dhe favorizimi i bazuar nga interesa te tjera vetjake behen vetiu kriteret percaktues kryesore te ndarjes se fondeve midis projekteve qe u paraqiten. Me nje fjale, prodhimi i filmit shqiptar eshte ende shume i centralizuar, ku nje grusht njerezish vendosin se c’do te shikoje publiku. Kjo nuk do te thote qe shqiptaret nuk po prodhojne “skenare te bukur” (pike shume e diskutueshme kjo, pasi filmi, si cdo lloj fushe tjeter e artit eshte shume subjektiv: ta dinit ju c’filma me pelqejne mua rrezik s’do e kishit lexuar fare kete mesazhin deri ketu :)), thjesht qe ne si shikues po na serviret vetem nje sasi shume e cunguar nga c’po prodhohet ne fushen e skenareve ne vend. Ne vende me treg me te gjere per filmin seleksionimi behet zakonisht nga shikuesi; ka filma qe shfaqen me jave te tera ne kinema e festivale te ndryshem, ka te tjere qe dalin direkt ne DVD. Kuptohet qe edhe ne keto vende ndodh nje lloj pre-seleksionimi nga producentet, shtepite prodhuese ose investoret, po ky seleksionim behet ne baze te perfitimit monetar (ose fames, qe prape vetiu te con ke paraja). E njejta gje teknikisht ndodh edhe me seleksionuesit shqiptare (qendra?), edhe ata per perfitim monetar bejne zgjedhjet qe bejne, por ndryshimi eshte se njera pale perfiton nga ekonomia e tregut (shitjet e publikut), kurse tjetra nga fondet e shtetit. Dmth pervec pikave te parafolesve ku trajtohet aspekti i profesionalizmit te kineasteve shqiptare, eshte dhe fakti qe skenare te mire mund te mos kene asnje gjase qe te realizohen ne filma per shkak te mungeses se transparences si dhe pjeserisht permasave te tregut te filmit shqiptar. Problemi i pare edhe ka shprese te zgjidhet – Marubi ka disa vite qe ofron nje pergatitje me bashkekohore ne fushen e filmit, shtuar eshte gjithashtu dhe numri i kineasteve shqiptare qe kane fituar nje shkollim ose trajnim profesional si brenda dhe jashte Shqiperise e po japin kontributin e tyre ne kete fushe. Sa per problemin e dyte…

  5. Une do ta lidhja temen me ate te hapur nga Parrulla Armiqesore dhe ne vijim te “Kush Je?”.

    Studentet e Akademise Marubi kane realizuar disa filma te shkurter teper origjinal. Por a gjejne keto hapesira ne mediat shqiptare?
    Si cdo gje ne Shqiperi qe eshte e monopolizuar (bisedat ne TV, artikujt ne shtyp etj.) edhe realizimet kinematografike cilesore si ato te Marubit perballen me heshtjen e plote.

    Deshiroja te gjeja dicka ne youtube per ta ilustruar mendimin tim, porse mesa duket edhe Akademise Marubi nuk i intereson t’i japi publicitetin e merituar studenteve te vete, porse vetem drejtuesit te kesaj akademie. Ne youtube gjeje vetem videot e Cashkut gjate revoltave per “rrembime trojesh”.

    Shkurtimisht, ne sistemin e gjere ekziston nje monopol mendimi dhe prezantimi i vetem disa figurave te zgjedhura, porse edhe ne qoshet e mendimit te kundert multituda flet njezeri por vetem nga nje ose dy rryla fyti.

    1. Dyshoj se Youtube nuk eshte format i pershtatshem sa duhet per filma te shkurter. E kuptoj shqetesimin qe ngre, por fakti qe filmat e shkurter te studenteve te Marubit nuk gjenden ne Youtube nuk eshte ilustrim i sakte i ketij fenomeni. Ne fund te fundit, gjeja me e keqe qe mund t’i ndodhte filmit te shkurter shqiptar perpos mungeses totale te ekspozimit, do ishte ekspozimi ne kanale ad hoc si Youtube. Qofsha gabim.

      1. Xhaxhai do te na fale besoj qe po dalim pak nga tema ( ndoshta jo dhe aq ), por meqe e ceku Luliani, nuk mund te rri pa e shprehur dhe une nje mendim.

        Pa dashur te tregohem agresiv, me duhet te them se une kete forme “konservatorizmi” ne faqet e shoh si te sforcuar dhe shpesh jorealist. Ne qoftese ne rastin e wiki-t disa dyshime edhe mund te ngrihen ( edhe kjo ne varesi te cfare kerkon ), per Youtube nuk me duket rasti, sepse ketu, ndryshe nga wiki, nuk ka nevoje per nje nderhyrje te trete. Dmth produkti eshte i gatshem, dhe ti o sheh o nuk e sheh, o te pelqen vepra e marubianit o nuk te pelqen, krejt e pavarur kjo prej mediumit. Dakort, dikush ketu do te me kundershtoje me cilesine e videove, e cila e pranoj ndonjehere le per te deshiruar. Mirepo une insistoj se kjo eshte fare pak per ti qendruar larg, aq me teper ketu ne Shqiperi ku mundesite per tu shprehur dhe per ta kaluar produktin tek shikuesi jane te pakta. Pastaj, te flasim drejte, nuk eshte se po bisedojme per ndonje “Avatar” apo jo ; te pakten nga ana vizuale, vepra te nje niveli maksimumi semi-profesional mund te jene.
        Une ne Youtube dhe Dailymotion, kam pare disa prej filmave me metrazh te shkurter me te mire, dhe shijen ua kam ndjere.
        Ky eshte nje prej tyre, dhe mendoj se e tejkalon vleren modeste te marubi&co.

        http://www.dailymotion.com/video/xc53vi_skhizein-jeremy-clapin-2008_creation

        1. E kuptoj qe ka nje lloj purizmi ne kete qe po them, por nuk eshte se po i shkoj deri ne ekstrem. Punet e marubisteve mund te mos jene perfekte, apo ultra-profesionale, sidoqofte duhet pasur parasysh qe, nese po flasim per filma me metrazh te shkurter, ato jane krijuar me nje lloj ekspozimi ideal ne mendje, gje qe perfshin ekspozimin neper salla kinemash, por jo ne Youtube.

          Ne fund te fundit, ato mund te riformatohen per te gjitha llojet dhe hapesirat e ekspozimit, ne ekranin shtate inch ne pjesen e mbrapme te sediljeve ne avion, ne zyre perpara kompiuterit, ne shtepi perpara televizorit, te instaluara ne nje galeri arti, etj, dhe une nuk jam kunder kesaj. Madje do shtoja qe pasi te ekspozohen ne hapesiren per te cilen jane ideuar, duhet te shperndahen ne publik nepermjet te gjitha kanaleve, me kusht qe te theksohet se as ekspozimi ne galeri nuk do kishte ndonje avantazh perpara ekspozimit ne Youtube, duke qene se te dyja keto lloje ekspozimi do ishin inferiore ndaj shfaqjes ne nje salle kinemaje.

          Por kjo nuk do te thote se nuk duhet bere, apo se filmi me metrazh te shkurter nuk mund te konceptohet i tille qe te shfaqet edhe ne youtube, TV, apo galeri arti. Nese ka nje konceptim te tille, ku hapesira e ekspozimit nuk merret parasysh, ku produkti konceptohet aq viral sa qe mund t’i pershtatet cdo hapesire, jam absolutisht dakord.

          Sidoqofte, po flasim per punet e nje shkolle kinematografike, ku hapesira e ekspozimit (salla e kinemase) eshte pjese integrale e produktit dhe e profesionalizmit. Ceshtja ketu nuk eshte te vije produkti tek publiku, pasi perjetimi i produktit keshtu do te zbehej, por te shkoje publiku tek produkti, ashtu si edhe do ishte ballafaqimi ideal, i cili dhe do ofronte maksimumin e perjetimit te produktit.

          Qe ta permbledh, e kuptoj qe kur nuk ke pulen do hash sorren, por kjo nuk do te thote se duhet te kenaqemi me sorren, se sorra mjafton. Perkundrazi, kam frike se e meson konsumatorin te kenaqet me pak, nderkohe qe, ekstaza shpirterore e perjetuar ne tempullin e kinematografise, mbetet komplet ne hije. Kerkesa legjitime per konsumim ne mase nuk duhet ta neglizhoje faktin qe keto pune jane konceptuar per nje konsum te caktuar, brenda mureve te kinemase si hapesire, dhe caqeve te kinematografise si medium artistik.

  6. Videot e Marubit nuk ke si i gjen ne youtube pasi jane prone intelektuale e Marubit. I perdor Cashku vetem per festivale internacionale.

  7. Hajdaro, e ke gabim! Studentet e Marubit kane nje kanal te vetin ku ka vetem filma te tyre. http://www.livestream.com/afmmtv
    Filmat pasi bejne cirkuitin e festivaleve ne ballkan, Europe dhe bote, ku perfaqsojne kinemane e vendit te tyre denjesisht, u jepen rrjeteve televizive pa pagese. AlSAT, TVKLAN etj…
    Po Marubi eshte Çashku dhe ne te Marubit e kemi per nder. Banditet kulturore qe n’a mbajne nen rrethim, si pjese e grupit fondshvates e shtetkapes, mbajnë pergjegjesi per te gjith shperdorimin e fondeve te taksapaguesve Shqiptarë, me mossukseset e tyre që vijne si rezultat shkak-pasoje i mungeses se formimit kinematografik, nivelit teper te kufizuar kulturor e cila u manifestohet ne sulmin e paprecedent qe i bene shkolles se pare te filmit ne Shqiiperi dhe themeluesit te saj qe n’a ben nder, Kujtim Çashkut!
    Me vjen keq qe disa nga komentet e mesiperme jane te keqorientuara, e te bazuara ne balten e hedhur ndaj Marubit dhe Çashkut, nga mediokrit e paprincipte qe sot kane kapur e po dhunojne kinemane shqipetare.

    Ciné

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin