DY QYTETET

Në veprën e vet ndoshta më të frymëzuar, romanin serial Qytetet e padukshme (Le città invisibili), shkrimtari italian Italo Calvino përshkruan, mes të tjerash, qytetin imagjinar të Sofronias, i cili në të vërtetë nyjëtohet në dy gjysmë-qytete: njëri prej guri, mermeri e betoni, ku ndodhen bankat, pallatet, shkollat, thertorja; tjetri që trupëzohet në trajtat e një parku lojërash për fëmijë, me karuselin, cirkun me arinj dhe vegla akrobatësh, kafazet rrotulluese.

Njëri prej qyteteve është i përjetshëm, tjetri i përkohshëm: herë pas here, kur i mbaron fryma, vijnë ta ta zbërthejnë e ta bartin drejt visesh të tjera. Çdo vit, thotë Calvino-ja, ia mbërrin dita kur punëtorët shkulin ballinat prej mermeri, ulin me litarë muret prej guri dhe shtyllat e betonit, çmontojnë ministritë dhe monumentet, rafinerinë e naftës dhe spitalin dhe i ngarkojnë në karroca, për t’i çuar gjetiu. Nuk mbetet veçse gjysmë Sofronia e lojërave, e haresë fëminore, e kioskave ku qitet me pushkë ajri, në pritje që karvani shëtitës të kthehet sërish dhe dy gjysmat të bashkohen.

Sofronia më ka kujtuar gjithnjë Tiranën, dyzimin e saj të pashmangshëm në qytet dhe kryeqytet, ku institucionet e të dytit kanë dalë gjithnjë më të brishta e më jetëshkurtra se rrugicat e përjetshme të të parit. I lindur dhe i rritur pezull në këtë tension midis qytetit mekanik dhe qytetit organik, vetvetishmërisë dhe arsyes, përsëritjes ciklike dhe progresit historik hegelian, gjithnjë i kam ndier dy qytetet në një, jam mësuar të negocioj me to dhe të gjej veten edhe në njërin edhe në tjetrin, edhe pse jo gjithnjë ia kam dalë.

Si kryeqytet, Tirana ka qenë gjithnjë e të ardhurve; të cilët para se të banonin shtëpitë e tyre dhe pallatet, kanë banuar institucionet e shtetit; si qytet, Tirana ka qenë e vendësve. Paradoksalisht, të ardhurit e djeshëm sot e rigjejnë veten si vendës para të ardhurve të sotëm; fëmijët e lebërve të sertë të rritur në shoqëri të tironsve me shtëpi prej qerpiçi distancohen njëlloj prej çeçenëve, gabelëve dhe të tjerëve shëtitës. Në krahasim me gjysmë shekulli më parë, dinamikat urbane kanë ndërruar, por raportet e dy qyteteve në një kanë mbetur të pandryshuara.

Megjithatë, ndoshta Sofronia ma kujton Tiranën sepse Sofronia i ngjan çdo kryeqyteti të botës, që e vuan kontradiktën mes dy pjesëve të veta, por edhe e përdor energjinë e këtij konflikti për të shkëlqyer. Ka gjithnjë diçka prej barbari në shfaqjen e të ardhurve poshtë mureve të larta të vendësve; por të ardhurit, siç e thotë edhe rrënja e fjalës, sjellin me vete të ardhmen.

Një tjetër imazh sublim qyteti të dyzuar kam gjetur në veprën Qyteti & Qyteti (The City & the City), të anglezit China Miéville; vepër e cila u nderua me çmimin Hugo në 2010, për romanin më të mirë në zhanrin e fantashkencës.

Miéville ka përfytyruar, deri në hollësitë më të pabesueshme por rigorozisht logjike, dy qytete që ndajnë të njëjtën hapësirë: Beszel dhe Ul Qoma – diku në Europën lindore, ndoshta në Ballkanin e viteve 1990, të përçarë e të copëtuar nga konfliktet ndëretnike.

Dy qytetet e Miéville-it janë jo vetëm të ndryshme mes tyre për nga historia, traditat, gjuha dhe institucionet; por edhe të padukshme për njëri-tjetrin. Vetë banorët e secilit qytet janë mësuar që të vegjël që të çshikojnë ndërtesat, lagjet dhe sidomos banorët e qytetit tjetër; çdo ndërveprim mes tyre, qoftë edhe një aksident trafiku, ndëshkohet rreptësisht nga një autoritet policor fuqiplotë, që mbikëqyr ndarjen.

Përndryshe, Beszel dhe Ul Qoma kanë aeroporte të ndryshme, prefikse telefonike të ndryshme, ekonomi të ndryshme; Beszel është më i varfër dhe pak i degraduar, Ul Qoma përjeton një boom, për shkak investimesh të huaja. Qytetarët e secilit qytet qarkullojnë në hapësira praktikisht të pakomunikueshme mes tyre, të padepërtueshme; madje edhe kur i kalojnë përbri njëri-tjetrit, duke fërkuar pa dashur bërrylat e duke u çidentifikuar me bisht të syrit. Hendeku pothuajse metafizik mes njërit univers dhe tjetrit sillet në jetë, çdo çast, nga vullneti i të gjithë atyre që refuzojnë të shohin çfarë u del orë e çast përballë; pse ashtu janë stërvitur e mësuar, por edhe ngaqë i druhen me tmerr ndëshkimit nga lart.

E njëjta temë sërish: dy qytete në një, dy botë të mbivendosura, bashkekzistuese jo vetëm në kohë, por edhe në hapësirë.

Në Tiranën e fëminisë sime, vija ndarëse kalonte përmes qendrës me mermer, monumente, flamuj, pllakate gjigante, pallate ku jetonte nomenklatura dhe institucione të diktaturës më një anë; rrugicat e fjetura, shtëpitë tiranase, dialekti, aroma që derdhej nga dera e hapur e furrës, prej tavave të sapopjekura, shija e hideve, e fërgesës dhe e caracave më anë tjetër.

Në Tiranën e sotme, unë tashmë vizitor nuk di cilit “qytet” i përkas tamam – por ndoshta edhe qytetet tashmë janë më shumë se dy. Tirana e përjetshme, e rrugicave dhe parmakëve të shkallëve lyer me gëlqere, ka mbijetuar, edhe pse gjithnjë e kërcënuar nga tumoret, herë malinje e herë beninje, të ndërtimeve të reja; Tirana institucionale, njëlloj si gjysma e Sofronia-s të Calvino-s, vijon të çmontojë e të zhvendosë fasadat e mermerta të institucioneve, monumentet e heronjve, simbolet e së djeshmes, për t’i zëvendësuar me të vetat; ndërkohë një Tiranë tjetër, e tretë, më e fshehtë dhe tërësisht e padukshme, përpiqet të futet vjedhurazi mes të dyjave, në hapësirat e lira dhe intersticet: një anë trotuari, një rrënojë, një mbishkrim në një këmbë ure, një kthinë e rrethuar me kaçube në park, një kasolle e shtrembër prej llamarine në truall të bërë zap ose të zaptuar, një kodër plehrash plastike, një karabina fabrike e kthyer në fjetore dëshpërimtarësh. Njerëz të tjerë me dialekte të tjera dhe zakone të tjera dhe drama të tjera kanë zbritur dhe i janë avitur qytetit kryeqytet; por ne vendësit për ta nuk kemi sy – madje si personazhet e romanit të Miéville-it, jemi mësuar t’i çshohim, t’i filtrojmë nga pamja, t’i fshijmë me një lloj photoshop-i profilaktik, në emër të stabilitetit të perceptuar.

Brenda një realiteti të tillë, pikat më të nxehta, me potencial shpërthyes katastrofik, janë ato ku qytetet e mbivendosura bien në kontakt mes tyre, shkëmbejnë sende dhe simbole, shohin në sy njëri-tjetrin; meqë të gjitha këto transaksione prekin njëfarësoj të ardhurit, ato gjithnjë kanë të bëjnë edhe me të ardhmen; dhe kush i kontrollon, gatitet të sundojë qytetin kryeqytet nesër.

Botuar fillimisht në ResPublica

Nuk ka komente

  1. ——

    Si kryeqendër(zëvendësimi im), New Yorku ka qenë gjithnjë i të ardhurve; të cilët para se të banonin shtëpitë e tyre dhe pallatet, kanë banuar institucionet e shtetit; si qytet, New Yorku ka qenë i vendësve. Paradoksalisht, të ardhurit e djeshëm sot e rigjejnë veten si vendës para të ardhurve të sotëm; fëmijët e irlandezëve të sertë të rritur në shoqëri të amerikonve me shtëpi me kopësht (zëvendësim imi) distancohen njëlloj prej meksikanëve, portorikanëve dhe zezakëve dhe të tjerëve shëtitës. Në krahasim me gjysmë shekulli më parë, dinamikat urbane kanë ndërruar, por raportet e dy qyteteve në një kanë mbetur të pandryshuara.

    Megjithatë, ndoshta Sofronia ma kujton New Yorkun sepse New Yorku i ngjan çdo kryeqëndre të botës, që e vuan kontradiktën mes dy pjesëve të veta, por edhe e përdor energjinë e këtij konflikti për të shkëlqyer. Ka gjithnjë diçka prej barbari në shfaqjen e të ardhurve poshtë mureve të larta të vendësve; por të ardhurit, siç e thotë edhe rrënja e fjalës, sjellin me vete të ardhmen.

    ——

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin