KUJTESA E TEKSTIT

Ka tekste që, edhe të shkëputura, fragmente tekstesh më të gjata, dorëshkrimesh dhe librash, mjaftojnë për të rikrijuar tërësinë kulturore prej nga kanë ardhur, njëlloj si ADN-ja që teorikisht do t’i mjaftonte biologut për të rindërtuar një organizëm në laborator, ose një eshtër paleontologut, për të rikrijuar një skelet dhe identifikuar organizmin që e ka pasur.

Në tregimin e vet të mirënjohur Tlön, Uqbar, Orbis Tertius, Borges-i përmend kapitullin e 11-të të një enciklopedie për një vend imagjinar, të quajtur Tlön; dhe që e cyt autorin të përfytyrojë, në plotësinë e vet sado të pagjasë, enciklopedinë me të gjithë kapitujt dhe sidomos vetë kulturën tlön-eze.

Se ç’forcë ka një libër i vetëm, këtë e tregon rrëfenja, pas gjase apokrife, e Kalifit Omar që dogji Bibliotekën e Aleksandrisë, të treguar nga një dijetar i shekullit XIII, Bar Hebraeus, peshkop i Kishës Ortodokse Siriake. Sipas kësaj rrëfenje, Kalifi Omar pat urdhëruar të digjej Biblioteka e vyer, me këtë arsyetim: nëse ato libra pajtohen me ç’thuhet në Kuran, atëherë janë të tepërt; nëse bien ndesh, atëherë janë herezi.

Kalifit të kësaj përralle i mjaftonte një libër i vetëm, Kurani, për të shpjeguar botën.

Në mjedise dhe kontekste të tjera, rolin e këtij libri të vetëm e kanë luajtur, sipas rastit, Bibla ose edhe Libri i Kuq i Citateve të Maos.

Në NYC kam parë gra që lexojnë obsesivisht vetëm Biblën (por lexojnë); sikurse kam parë zezakë të Kombit të Islamit që lexojnë vetëm Kuranin në arabisht në metro duke lëvizur buzët dhe tek-tuk ndonjë kinez(e) që ende mban në çantë librin e kuq të citateve të Maos në vend të të kuqit të buzëve (nuk bëj shaka).

Shumëve prej nesh një libër i vetëm do t’u dilte e tepronte.

Te Brave New World, e Huxley-t, personazhi John Savage e ka kaluar fëmininë në një rezervat (Malpais), ku qarkullonin vetëm dy libra: një manual teknik i sjellë aty nga e ëma dhe një botim i veprave të Shekspirit, përndryshe i ndaluar në mbarë botën.

I dyti i shërbeu Savage-t si abetare për të mësuar shkrim e këndim, si kopsht për t’u rritur shpirtërisht e si vaskë për t’u imprenjuar me një botëkuptim të kundërt me atë të banorëve normalë të distopisë në roman; edhe kur flet me të tjerët, normalët, ai citon gjerësisht fjalët e personazheve të Shekspirit, thuase gjenetikisht i përkiste atij teksti, ishte krijuar me ADN shekspiriane, si dinosaurët e Jurassic Park, të Crichton-it.

Savage është i dënuar të mbetet i huaj për botën e Huxley-t, outsider, i përjashtuar; por çuditërisht, veprat e Shekspirit, së bashku me tekste fetare dhe të tjera kryevepra epokale, i ruan në bibliotekën e vet sekrete edhe Mustafa Mond-i, një prej administratorëve të botës mbarë; i vetmi që arrin të kuptojë tamam se çfarë thotë “i egri”, por që arsyeton pse ky botëkuptim duhet ndaluar rreptësisht të zërë rrënjë.

Ka një dallim, megjithatë, mes besimtares hispanike që nuk njeh libër tjetër veç Biblës, dhe Savage-it, që nuk kish libër tjetër për të njohur, veç veprave të Shekspirit. E para zgjedh me dëshirën e vet t’i referohet mendërisht një teksti të vetëm, që i përmban të gjitha tekstet; të dytit nuk i është dhënë mundësia për zgjedhje.

Unë, si simulakër kulturor i viteve të errëta 1960-1980, identifikohem më shumë me personazhin e Huxley-t, të cilin edhe pata fatin ta njoh dikur në fund të viteve 1970, në një përkthim frëngjisht të botuar në serinë Livres de Poche, që rastësisht kish përfunduar në bibliotekën time.

Kontaktin e parë me një univers në trajtën e një libri të vetëm e kam marrë, ende fëmijë, me tim gjysh; njeri me pak shkollë, që tërë jetën e kish kaluar në mërgim, në Amerikë. Dikur rreth fillimit të viteve 1970, pasi kish dalë në pension, vendosi të riatdhesohej e të kthehej në Tiranë, për ta kaluar pleqërinë me “nipat dhe mbesat”.

Pat sjellë shumë gjëra me vete: në atë kohë kushdo që vinte nga jashtë, vinte i ngarkuar, si magjypët. Mes këtyre çikërrimave, gjendej edhe një ekzemplar i vetëm i revistës The Reader’s Digest.

Gjyshi jetonte në shtëpi me ne; e mbaj mend atë revistë të më fanitej kudo, në kuzhinë, në dhomë të ndenjjes, në banjë. Kish qenë e re dhe e bardhë në fillim, por nisi të zverdhej shpejt e të merrte një ngjyrë të keqe, prej dheu. Tim gjyshi shumë shpejt i doli qejfi i riatdhesimit dhe e kalonte kohën ulur në verandë, duke lexuar revistën, të njëjtën revistë, ditë pas dite, mes përgjumjeve të pleqërisë, derisa vdiq.

Nuk dija mirë anglisht në atë kohë; dhe nuk e merrja dot me mend se çfarë mund të thuhej në atë farë reviste, çfarë e fshehte e çfarë e vërtete, që t’ia mbante të gozhduar vëmendjen këtij njeriu që kishte shëtitur botën në kohën e vet dhe kishte jetuar në kryeqytetin e botës – New York. Më pas, kur kam lexuar Huxley-n, ia kam kuptuar hallin. Im atë kishte në bibliotekë një numër librash mjekësorë, manualesh dhe enciklopedish psikiatrike në anglishte, të cilat ia kish dërguar i vjehrri më parë; nuk është se në shtëpi na mungonte literatura anglisht për të nxjerrë mallin e gjuhës; por gjyshi këtyre do t’u rrinte larg si Savage manualit teknik të së ëmës, mbase duke ëndërruar për kohën kur The Reader’s Digest mund ta blente në çdo kiosk të qytetit.

Më ka intriguar gjithnjë imazhi i një teksti të vetëm, dokument jetim, i shpëtuar nga një univers përndryshe i humbur; i një teksti që nuk gjen dot vend në universin e ri, prandaj edhe vjen e bëhet i vetëmjaftueshëm, botë në miniaturë, njëkohësisht e bukur por edhe gati për të shpërthyer në një Big Bang me pasoja të paparashikueshme.

Ka pasur të tillë tekste edhe në bibiotekën time, kryesisht libra të ndaluar ose që do të ndaloheshin, sikur t’u bëhej publike ekzistenca. Qarkullimi i letërsisë “së verdhë” ishte në modë, mes të rinjve të asaj kohe. Ne gjenim në libraritë Dickens-in, Çehovin dhe Hugo-in, por mendjen e kishim te Kompania e Bretkosave, Rrethi i Kuq, Arsen Lupin-i dhe të tjera vepërza bulevardesh, të mbijetuara sirtareve nga një kohë tjetër, tashmë e kapërcyer.

Mbaj mend se, mes librave të ndaluar që lexoja, më i ndaluari nga të gjithë ishte një libër kujtimesh i një Anthony Quayle, oficer anglez që kishte kaluar disa muaj në Shqipëri gjatë Luftës II, i vendosur në një bazë sekrete në një shpellë në Gramë, afër Dhërmiut. Libri titullohej Eight Hours from England; edhe pse autori shprehej relativisht me simpati për partizanët, veçanërisht për Besnikun (Hysni Kapon), libri vetë i përkiste një historie aq alternative ndaj asaj zyrtare që mësonim në shkollë, sa edhe Tlön-i i Borges-it, përkundrejt universit tonë real. E keqja, me librin e Quayle-it, ishte se nuk i flisja dot kujt për të, ngaqë druhesha mos më dilte sekreti; dhe në ato kohë të dënonin për shumë më pak.

Veç librit të Quayle, kam pasur tek-tuk edhe ndonjë dokument tjetër, që më lidhte me botën ku nuk kisha jetuar kurrë, por që e përjetoja mendërisht çdo ditë – Perëndimin. Në ato vite kur futbolli ishte, për të gjithë ne, një nga hapësirat ku e realizonim lirinë më mirë e më plotë se gjetiu, pasioni për gjithçka futbollistike na i ngjyroste ditët edhe më shumë se dashuria për letërsinë, ose edhe letërsia për dashurinë.

Përsëri rastësisht, më kishte rënë në dorë aso kohe një tjetër objekt i panatyrshëm, njëlloj i panatyrshëm dhe i huaj sa edhe shishja e Coca-Cola-s, në filmin The Gods Must Be Crazy (nuk mbaj mend me ç’titull e kanë shfaqur këtë film në Tiranë).

Ky objekt ishte një edicion i La Gazzetta dello Sport i datës 21 tetor 1971; datën e mbaj mend, sepse gazeta i kushtohej pothuajse e tëra një ndeshjeje fatale të një nate më parë, midis gjermanëve të Borussia Münchengladbach dhe italianëve të Interit, dhe që këta të fundit e humbën me rezultatin e thellë 7:1 (ndeshja u anulua më pas, për shkak të një kanoçeje që kishin hedhur tifozët gjermanë në fushë e që kishte goditur në kokë sulmuesin italian Boninsegna).

Ajo kopje e gazetës më linte pa gojë për disa arsye: së pari, ngaqë ishte shtypur në letër ngjyrë rozë, jo të bardhë si të gjitha gazetat e tjera; pastaj ngaqë kishte një numër praktikisht të pafund faqesh, në krahasim me Sportin tonë katërfaqesh; më në fund, ngaqë dilte, aq voluminoze, çdo ditë. Sikur të kisha jetuar unë në të njëjtin univers me gazetën, besoja se nuk të kisha bërë gjë tjetër, përveçse ta lexoja nga fillimi në fund.

Megjithatë, meqë universi ku botohej Gazzetta dello Sport dhe imi nuk puqeshin gjëkundi, përveçse në valët e radios dhe ndonjëherë të televizionit, nuk më mbetej veçse t’u kthehesha atyre faqeve herë pas here, të rilexoja artikujt dhe të ripërjetoja dramën e Interit kampion, të poshtëruar me shtatë gola prej gjermanëve. Ironikisht, unë atë ndeshje as e kisha parë, prandaj nuk kisha ç’t’i mbaja mend, veç rezultatit kumbues.

Nuk e harroj kurrë komodinën time te koka e shtratit, ku ruaja koleksionin e plotë të Sportit Popullor që nuk zinte shumë vend dhe pak numrat e revistës Shkenca dhe Jeta. Mes këtyre dokumenteve, llamburiste edhe kopja e vjetëruar, bojërozë, e objektit tim magjik, që më vinte materialisht në lidhje me botën përtej; së bashku me Tutto il calcio minuto per minuto të dielave dhe radiokronikat e ndeshjeve të skuadrave italiane në kupat e Europës, të mërkurave në mbrëmje. Megjithatë, valët vinin dhe iknin, ndeshjet ndonjëherë transmetoheshin në TV, ndonjëherë tjetër jo; regjimi e kishte mbyllur ripetitorin e RAI-t në malin e Dajtit, pas Plenumit të 4-t; por gazetën time të datës 21 tetor 1971 nuk ma prekte kush.

Reader’s Digest, Anthony Quayle, Gazzetta dello Sport, së bashku me pak libra dhe artifakte të tjera, kishin mbetur në shtëpi, si sendet që pat shpëtuar dikur Robinson Crusoe-ja nga anija e mbytur. Kisha tek-tuk edhe ndonjë libër tjetër me interes: esetë e zgjedhura të Ralph Waldo Emerson-it, një roman, Cinq-Mars, të Alfred de Vigny, dhe që, edhe kur mësova frëngjishten, nuk arrita dot ta mbaroj pse nuk e shtyja dot; dhe, më në fund, një përkthim në frëngjisht të Kritikës së Arsyes së Kulluar, të Kantit (volumi 1), libër edhe ai i vështirë për t’u çuar deri në fund, së paku nga një adoleshent i apasionuar pas futbollit.

Aso kohe, Perëndimi na shfaqej në trajta të çuditshme, surreale, të gatshme për interpretime të dala mendsh; por edhe na detyronte të gjithë ne, të interesuarve, të ishim nga pak koleksionistë, secili në mënyrën e vet. Përpiqeshim ta rindërtonim me fragmente tekstesh, si filologët e qëmotit poemat e humbura; ose digjeshim nga malli për një botë ku nuk kishim shkelur kurrë. Ishim të gjithë gjysmë të egër, si John Savage, i Huxley-t, por do të kemi qenë, besoj, interesantë – nëse do të na kish vrojtuar kush.

Nuk ka komente

  1. Edhe une kam lexuar nje kopje te “Reader’s Digest” per nje kohe shume te gjate. Ishte viti 1991 dhe shokut tim te dhomes ia kishte dhuruar dikush ate kopje qe ishte botuar ne Angli. Shoku nuk dinte anglisht dhe as une nuk dija anglisht. Une fillova te mesoja me ca metoda dhe sa here qe e ndjeja qe kisha bere perparime merrja ne dore revisten e i kaloja nga fillimi deri ne fund.
    Me ne fund, pas pese vitesh e gjykova qe arrija te kuptoja 95% te revistes dhe qe atehere se kam marre ne dore me. Tani ky shkrim me beri kurioz se ku mund te kete perfunduar.

  2. *
    Ylljet Aliçka, në tregimin “Shokët”, (që më dashje të kujton “Tre shokët”) për sa lejon ndërmarrja letrare pretendon të na ketë vëzhguar. Në fjalinë e tretë ai përdor analepsis, për ta futur lexuesin në atë botë që edhe “Kujtesa e tekstit” të fut; libra të ndaluar, tituj e autorë, dhe ajo që na intereson si ishim nën vëzhgimin letrar të autorit. Dhe ja ç’mësojmë:
    Njëri “… si i fandaksur e kishte lënë dashurinë përgjysëm e na solli me një frymë librat…”,
    Tjetri, “… kur lexonte jetonte për një kohë të gjatë nën efektin e librit…”
    Ndërsa kur njëri prej tyre thirret në hetuesi “….ne të tjerët, unë, Shkëlqimi, Engjelli, Berti dridhesihim si purtekë dhe prisnim me zemër të ngrirë kur do na vinte radha e hetuesisë. Radha nuk na erdhi por mania e dënimit nuk na u nda tërë jetën.”
    Brengosës është konstatimi i Aliçkës për fatin e sotëm të librave, leximit dhe të jetëve të shokëve të tregimit. Gjithçka shkon për asgjë.

    **
    “Dija vetëm që po lexoja në një mënyrë të çrregullt, të egër.” – Kjo fjali që më së miri, përshkruan dhe përmbledh ç’ndodhi atëkohë, nuk është e Ylljet Aliçkës por e Emberto Eco-s, shkëputur nga novela e ilustruar “Flaka misterioze e Mbretëreshës Loana”. Eco nuk na ka vëzhguar, por në mënyrë të shkëlqyer, i ka hequr njërit prej nesh, në fakt njërit prej brezit të vet (e njëta gjë) thujase krejt kujtesën dhe e ndjek atë hap pas hapi në kërkim të saj, kërkim që jo rastësisht ndodh të bëhet nëpërmjet tekstesh librash të vjetër të harruar në papafingo. Yambos i kujtohen vetëm librat që ka lexuar, vargjet që ka mësuar, si kujtohet emri por thotë “Quamëni … Ishmael?”
    Të mëdha këpucët e Ecos dhe më i madh çapi që ai hedh. Ai na vëzhgon në të dy kohët, të shkuarën dhe të tashmen, dhe ngre dy pyetje:
    të parës, “A jemi, apo a tentojmë qënien e gjendjes pakujtesë edhe pa pësuar goditje?” që ja lë përgjigjen jashtë librit;
    të dytës “A e rigjen nëpërmjet kujtesës së tekstit kujtesën e tij Yambo-ja?” që fton lexuesin ta mësojë nëpërmjet leximit.

  3. Ne kete pike, nuk ka treqind lexime per te bere, duhet thjesht PROUST. Nje tekst i shkelqyer qe mund te na sqaroje shume gjera mbi lidhjet e kujteses me tekstin, eshte teksti i tij MBI LEXIMIN (Sur la lecture). Gjejeni, perkthejeni, dhe shperndajeni, me siguri qe do te zini nje vend te nderuar ne kujtesen e atyre qe do ta lexojne.

    Keni degjuar per “madeleine de Proust” ? OK, ja sa per kujtese :

    Ajo dërgoi dikë që të kërkojë një nga ato ëmbëlsirat e vogla, të shkurtra dhe të fryra, të quajtura Petite Madeleine të cilat duken si të kishin qenë pjekur në zgavrën e dhëmbëzuar të një guacke Saint-Jacques. Dhe pa pritur më gjatë, vetvetiu, afrova tek buzët një lugë çaj ku kisha lënë të zbutet një copëz madeleine. Por pikërisht në çastin kur fyti i përzier me thërrimet e ëmbëlsirës preku qiellzën time, u rrëqetha, i vëmendshëm ndaj asaj çfarë gjëje të jashtëzakonshme që po ndodhte brenda meje. Një kënaqësi e mrekullueshme më kishte pushtuar, mbartur, pa e marrë vesh përse. Menjëherë, ajo m’i kishte kthyer në të përcipta të papriturat e jetës, në të padëmshme dështimet e saj, në të paqenë shkurtësinë e saj, në të njëjtën mënyrë siç bën dashuria, duke më mbushur me një esencë të çmuar : apo më tepër kjo esencë nuk ishte brenda meje, por isha unë. Kisha pushuar së ndjeri një dikush i rëndomtë, kalimtar, i vdekshëm. Nga mund të më kishte ardhur ky gëzim i fuqishëm ? E ndjeja se ky gëzim ishte i lidhur me shijen e çajit dhe të ëmbëlsirës, porse ai e tejkalonte pafundësisht atë, nuk duhet të ishte i së njëjtës natyrë. Nga vinte ai ? Ç’nënkuptonte kështu ? Ku ta mbërtheja ? Kapërdij dhe një gllënjkë të dytë ku nuk gjej asgjë më shumë se në të parën, një të tretë që më sjell ende më pak se e dyta. Është koha që të ndalem, virtyti i lëngut duket të zbehet. Është e qartë se e vërteta që unë kërkoj nuk është tek ai, por tek unë…
    ________________

    1. Ehe… nuk e kuptoj se ç’lidhje ka ky pasazh i Proust-it (që s’ka mbetur njeri pa e cituar) dhe temës së kujtesës që përmbajnë ose evokojnë tekstet. Biskota mund të ketë texture, por tekst nuk është.

      1. Pa problem. Mendova se njerezia do te shihnin pak me larg. Pyetje : e ke lexuar vertet “Sur la lecture” ? Lidhja eshte qe ne faqen e pare : kujtesa e leximeve tona te hershme nuk eshte e lidhur me permbajtjen e tekstit te lexuar por me kushtet ne te cilat eshte kryer ky lexim.

        Ja shiko psh shkrimin e LG : ai kujtohet per gjithçka anesore (libri, kush ia dha, ne ç’dite, ç’beri me te, etj.) dhe aspak per leximin e tekstit ne fjale.

        Ideja eshte ketu : leximi eshte diçka magjike, ai nuk eshte thjesht nje perpirje e pafajshme e rreshtave te shkruar por eshte nje “mise en place” e çuditshme e nje lloj topografie kohe-hapesire.

        Dhe ketu mori shkas episodi i madelenes se proustit, i cili ha nje embelsire te thjeshte dhe atij i shkrep shkendija e kujtimeve lume, dhe ti e di se kur Proust fillon te kujtohet, nuk di te ndalet me.

        Kaq ishte e gjitha. Falenderoj ata tre çapkenat qe i kishin rrasur nga nje njesh shkrimit me lart, kjo me shkrin se qeshuri, trop marrant, sans blague.

        1. Po ndoshta edhe një lidhje ekziston: ashtu si një biskotë e vetme ia hapi portat e një bote të tërë kallzimtarit të Proust-it, ashtu edhe një libër i vetëm e përmban ndonjëherë të gjithë universin po të dish si ta lexosh – çka i jep të drejtë, paradoksalisht, kalifit Omar të përrallës që kam përmendur më lart, meqë edhe e njëjta biskotë, në gojën e një kobashi çfarëdo, do të kishte vetëm kuptimin “dua edhe një tjetër.”

  4. Reader’s Digest im ishte numri ku ish botuar i kondensuar “Jonathan Livingston Seagull.” As nuk e mbaj mend se ne c’rrethana me ra ne dore dhe u be “imi.” Por mbaj mend se sa gjere e gjate e diskutoja ate novele me kusheririn tim, se si i ktheheshim e riktheheshim cdo fjale, cdo fraze….e gjenim kumte edhe aty ku mbase s’kishte. Dhe shfletonim e lexonim, cdo faqe, cdo rresht…

    Ndersa “Advertisements for Myself” ishte shume i komplikuar, me shume referenca kulturore te pakapshme dhe te veshtira per tu asimiluar. Por kjo nuk na pengonte te perpiqeshim te kuptonim e keqkuptonim e te ngaterroheshim me mendimet tona, pale ato te autorit. Asnje liber te Mailerit nuk kam lexuar dot me vone. Nuk di per c’arsye, asnje rresht nuk me ngjiti me. Mbase ngaqe isha mbingopur duke mesuar pothuajse permendesh te vetmin liber te tij qe me ra ne dore.

    Tani mu kujtua edhe se si u be “imi” ai liber. Librin ja kish dhene nje shoqes time nje njeri kot fare, qe as anglisht nuk dinte, por vetem i kish bere pershtypje nje foto nudo e Merilin Monrose ne kopertine. Nje zot e di kujt ja kish “marre” ai. Shoqja nuk e lexoi librin, por ma kaloi mua direkt.

    Diku ne liber ishte perfshire edhe nje dialog imagjinar midis Stalinit dhe dikujt tjeter. Dhe kjo u be pika e presionit. Shpjegimi im tek shoqja (me keshillen e kusheririt) ishte se ai njeriu qe solli librin mund te na kish provokuar me ate material anti-Stalin. Shoqja mund te akuzohej se po e shperndante, une gjithashtu qe e lexova dhe vazhdova shperndarjen neper fis. Ne nuk mund ta kthenim librin qe ishta prova e vetme qe ne merreshim me literature subversive. Keshtuqe nuk mbetej rruge tjeter, por te thonim “libri humbi.” Dhe ashtu beme.

    Mua akoma me merr te qaret kur kujtoj sa shume kemi vuajtur, sa shume jemi lodhur e jemi munduar.

  5. EHE…Ideja nuk ishte te tregojme se cfare lexuam e cfare mesuam prej leximit….e aq me pak te fillojme te citojme poshte e lart, se nuk ka blog qe na e del dot.

    Ka nevoje te shpjegoj une ketu tani se si lexohej “Jonathan Livingston Seagull” ne Tiranen e vitit 1975? Apo c’donte te thoshte Maileri kur beri moto te gjithe jetes se tij “Ju lutem, mos kuptoni askend shume shpejt.”

    Gjithshka kemi lexuar, menyra se si e kemi lexuar, si e “shtime ne dore” ate qe lexuam, e c’beme pastaj me te….jane te gjitha pjese e asaj qe jemi sot. Jane pjese e ketij muhabetit qe po bejme.

    1. Mik,
      Po nuk ishte kritike apo qortim kjo qe thashe une. Kjo iu ndodh te gjitheve, mua, ty, dhe xhaxhait bashke. Kete ta thote Prousti qe ne vitin 1900 e pak. Nuk kishte asgje per t’u pickuar, referenca ime ndaj teje ishte krejt dashamirese dhe shkonte ne kahun e asaj çfare thoshte Prousti.

      Per te vertetuar keto ç’po them, ja pikerisht pasazhi per te cilen fola me lart (te lutem, lexoje me kujdes pjesen ne kllapa, si dhe gjymtyren e fjalise pas presjes se fundit). Ah, se mos harroj, eshte fjali tipike proustiane, duhet zberthyer mire e me kujdes, dhe duhet gjetur ritmi i leximit, pauzat e presjeve, si dhe njefare melodie ne ze, ndryshe nuk merret vesh ç’ndodh.

      _______

      Nuk ka ndoshta ditë të fëmijërisë sonë që ne t’i kemi jetuar aq plotësisht sa ato që ne i kemi besuar si të pajetuara, ato që ne i kemi kaluar me një libër të dashur. Gjithçka që, siç dukej, i mbushte këto ditë për të tjerët, dhe që ne e shmangnim si një pengesë të rëndomtë ndaj një kënaqësie hyjnore : loja për të cilën një shok vinte të na kërkonte në faqen më tërheqëse, bleta apo rrezja e diellit që na detyronin t’i ngrinim sytë nga faqja apo të ndërronim vend, ndonjë micrrim ushqimi që na e kishin sjellë për ta shijuar dhe që ne e linim mënjanë mbi stol, pa e prekur, ndërsa, përsipër kokës sonë, dielli zbehej në qiellin blu, darka për të cilën duhet të hynim brenda dhe ku nuk mendonim gjë tjetër përveçse të ngriheshim për të përfunduar, menjëherë më pas, kapitullin e ndërprerë, e tërë kjo, që leximi do të ishte dashur të na pengonte ta shquanim ndryshe përveçse si bezdisje, e tërë kjo gdhendej përkundrazi nga ky lexim në një kujtim aq të butë (më të çmuar për gjykimin tonë të tanishëm sesa ajo çka ne lexonim asokohe me aq dashuri) saqë, nëse na ndodh ende sot t’i shfletojmë këta libra të dikurshëm, kjo është thjesht si të vetmit kalendarë që ne të kemi ruajtur nga ditët e shkuara, dhe me shpresën që të shohim të pasqyruar mbi faqet tona shtëpitë dhe pellgjet që nuk ekzistojnë më.

      __________________

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin