ARBËRESH I SHQUAR

Bota arbëreshe është e gjerë dhe e shpërndarë. Si e tillë ka shumë pika referimi, por kush e njeh sado pak atë, e pranon rolin e pazëvendësueshëm të imzot. Eleuterio Fortinos.

Imzot Eleuterio F. Fortino, i cili ndërroi jetë para disa ditësh, ishte nënsekretar i Këshillit Papnor për nxitjen e bashkimit ndërmjet të krishterëve, me një përvojë të jashtëzakonshme në lëmin e dialogut midis tyre. Veprimtaria e tij fetare është tejet e pasur, por arrin kulmin e saj me rolin e tij si promovues i marrëdhënieve me orthodoksët, pasi u vendos në Romë nga mesi i viteve 1960. Nuk duhet harruar edhe veprimtaria e tij si meshtar pranë kishës së Shën Athanasit, në rrugën qendrore Babuino në Romë, veprimtari që e ushtronte me përkushtim, thjeshtësi, dashuri, duke hyrë në sintoni të natyrshme me besimtarët.

Për rolin e arkimandritit imzot Eleuterio Fortino në kuadrin fetar kanë shkruar shumë organe shtypi. Një artikull të veçantë i kushtoi edhe gazeta “Osservatore Romano”, që e cilësoi me titullin domethënës “Memoria historike dhe shpirti i lëvizjes ekumenike”. Në gazetën e Vatikanit imzot Fortino kishte shkruar artikuj të panumërt, duke i kushtuar vëmendje temave të dialogut ndërkrishterë dhe ekumenizmin shpirtëror.

Më pak vëmendje mediatike i është kushtuar punës së tij brenda botës arbëreshe fillimisht e gjithëshqiptare më pas. Kush ka pasur fatin ta njohë Imzot Eleuterio Fortinon është në dijeni për aftësitë e tij intelektuale të jashtëzakonshme, sikurse për aktivitetin e tij akademik e kulturor. Ishte pa dyshim një nga njohësit më të mirë të Shqipërisë, Ballkanit dhe Evropës lindore. Ishte i mirinformuar edhe në momentet më autarkike të historisë shqiptare dhe i ndiqte zhvillimet e kulturës mbarëshqiptare me dashuri e vijimësi.

Shoqata kulturore Besa, e drejtuar prej tij me pasion të njëmendtë, ishte prej kohësh një pikë referimi e të gjithë arbëreshëve në Itali, duke filluar nga ata me banim në Romë. Pas rënies së totalitarizmit shqiptar, fillimit të emigracionit dhe hapjes së Shqipërisë, shoqata Besa u shndërrua në një vendtakimi i të gjithë shqiptarisë. Veprimtaritë e kësaj shoqate, përherë e më shumë, u bënë një pikëpjekje kulturore e të gjithë shqiptarëve. Nismat që zhvilloheshin në shoqatën Besa të Fortinos ishin gjithnjë largpamëse nga pikëpamja kulturore e gjithnjë efikase në objektivat e vet.

Ata që i ndiqnin aktivitetet dhe botimet e shoqatës së tij vlerësonin jo vetëm frymëmarrjen e gjerë, shumëllojshmërinë tematike, inteligjencën ideore, por edhe dialogun e shumëanshëm që ushtrohej atje. Në asnjë rast shoqata Besa nuk u mbyll në vetvete, ose në yllsitë shqiptare, por e ushtronte rolin e vet me funksionin e urës kulturore, edhe me realitetin perëndimor në përgjithësi e italian në veçanti.

Nga kjo pikëpamje, ndërrimi i jetës së imzot Eleuterio Fortinos është humbje e madhe për të gjithë. Vështirë që zbrazëtia kulturore e krijuar nga kjo humbje e thellë të kompensohet shpejt.

Gjithsesi, mbetet më e vështirë të vihet në pah humbja njerëzore. Këtë do ta ndjejnë ata miq që e kanë njohur personalisht nga afër  Eleuterio Fortinon. Të gjithë mund të dëshmojnë për aftësitë e tij për ta dëgjuar tjetrin, për ta kuptuar dhe sidomos për t’ia vlerësuar anët pozitive. Veti të jashtëzakonshme për njeriun, që bëhen të domosdoshme në epokën aktuale.

Kremtimet për nder të imzot Fortinos u zhvilluan në kishën e tij të Shën Athanasit, në Romë, të shtunën e kaluar. Dhimbja që vihej re në sytë e të pranishmëve të shumtë, personaliteteve të larta fetare e institucionale, të afërmve, por edhe qytetarëve e miqve të thjeshtë, buronte pikërisht nga vetëdija e një humbjeje të shumëanshme. Një nga ngushëllimet? Kujtimi i tij.

Nuk ka komente

  1. Kam kujtimet më të mira për imzot Fortinon, të cilin e kam njohur përmes të vëllait, prof. Italo Fortino-s, titullar i letërsisë shqipe në Institutin Oriental të Napolit.

    Për shumë vjet ka shërbyer si pikë referimi e arbëreshëve dhe e kulturës arbëreshe në Romë, dhe më pas edhe për shqiptarët që u zhvendosën drejt Italisë, në fillim të viteve 1990.

    Ishte nga ata njerëz të cilëve ua ndien fisnikërinë dhe karizmën që në momentin kur i takon.

    Më pat dhënë për të lexuar, në boca, një katekizëm që kishte shkruar vetë për fëmijët arbëreshë; me një shqipe që nuk ishte as arbërishte tradicionale, as shqipe standard, por diçka e ndërmjetme: shqipe e butë.

    Shumë vjet kanë kaluar që atëherë dhe librin, të cilin më pas ma dhuroi, nuk e kam më me vete; por ëmbëlsia e gjuhës me të cilën ishte shkruar më ka mbetur e pashlyer.

    Së bashku me të vëllanë, filolog dhe tekstolog i mirë, imzot Fortinoja ishte për një gjallërim të shqipes ndër arbëreshët nëpërmjet teksteve që, për nga zbatimi i normës letrare, të ishin diçka si kompromis mes standardit dhe formave të arbërishtes së folur.

    Ky pozicion binte ndesh me pikëpamjet e intelektualëve të tjerë arbëreshë, që ngulnin këmbë për t’u mësuar fëmijëve shqipen standard.

    Në atë kohë parlamenti italian pat miratuar një ligj që lejonte, madje përkrahte mësimdhënien e shqipes, si gjuhë të dytë, në shkollat fillore dhe të mesme të komuniteteve arbëreshe.

    Me influencën e vet të jashtëzakonshme dhe autoritetin që i kishte fjala, imzot Fortinoja ishte një nga katalizatorët e miratimit të këtij ligji.

    Për fat të keq, interesi për shqipen dhe kulturën shqiptare ndër komunitetet arbëreshe erdhi duke rënë, krahas me rritjen e numrit të imigrantëve nga Shqipëria dhe dobësimin e rolit të kishës ndër këto komunitete, sidomos pas shpërbërjes së demokristianëve në Itali.

    Pavarësisht nga këto zhvillime që nuk mund të kontrolloheshin prej elitave arbëreshe, roli i imzot Fortinos në mbajtjen gjallë të traditave arbëreshe në Itali të Jugut mbetet i rëndësisë kritike.

    Së bashku me të vëllanë, prof. Italo Fortino-n, kanë punuar shpesh në heshtje, larg bujës dhe kryetitujve të gazetave, për ta ruajtur kulturën arbëreshe dhe për të ndihmuar kulturën shqiptare, veçanërisht në këtë periudhë tepër të vështirë për albanologjinë në Shqipëri.

    Nuk është rastësi që, falë përpjekjeve të mëdha të prof. Fortino-s, u bë i mundur botimi kohët e fundit, në Itali, i Atlasit Dialektologjik të Shqipes: një vepër monumentale në dy vëllime, e përgatitur prej kohësh nga studiues dialektologë të Akademisë së Shkencave në Tiranë, por e mbetur në dorëshkrim për mungesë fondesh të shtypshkrimit.

    Kam punuar për shumë vjet me Italo Fortino-n, dhe e kam parë se ç’rol motivues ka luajtur, në veprimtarinë e tij, filologjike dhe popullarizuese, autoriteti dhe prestigji i të vëllait Eleuterio.

    Humbja e imzot Fortinos lë një zbrazëti të pariparueshme ndër arbëreshët në Itali dhe për shqiptarët anembanë.

    Le të na shërbejë, megjithatë, për të mësuar diçka më tepër për virtytin e tij të pashembullt.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin