ANTIPIRAMIDA (II)

Këto ditë që u fol për fatin e ndërtesës së ish-muzeut Enver Hoxha, në qendër të Tiranës, u zu në gojë, detyrimisht, edhe simbolika e saj.

Muzeun, si ndërtesë dhe pikë orientimi urban, tiranasit prej kohësh e quajnë “piramida”, një emërtim që nuk i referohet doemos raporteve të piramidës me pushtetin dhe konotacionin faraonik.

Ndërkohë, të shumtë janë kritikët në media që formën piramidale e interpretojnë si homazh ndaj pushtetit total të Enver Hoxhës.

Arkitektët e projektit, nga ana e tyre, gjithnjë i kanë mëshuar ngjashmërisë së ndërtesës së tyre me shqiponjën, këtë simbol kombëtar të shqiptarëve, përtej çdo ngjyrimi politik dhe ideologjik.

Klement Kolaneci, një nga arkitektët dhe njëkohësisht dhëndër i diktatorit, i tha Gazetës Shqiptare:

Nga ne si projektues të Godinës, nuk u mendua ndërtimi i një piramide. Godina mori emrin Piramida nga shumica e njerëzve kështu që mendimi i shumicës merret në konsideratë, por në fakt godina duket duket e tillë vetëm nëse je poshtë saj. Nëse e sheh piramidën në pamje ballore […] ajo ngjason me krahët e shqiponjës, s’ka lidhje me emërtimin e marrë.

Megjithatë, dihet se një ndërtesë merr pamje të ndryshme, në vartësi nga këndi i vështrimit; dhe kështu të duket edhe si piramidë edhe si shqiponjë.

Prandaj është këndi i vështrimit ai që ia përcakton edhe simbolikën ndërtesës.

Është thënë se kompleksi arkitektonik i Bulevardit të Madh dhe stadiumit kombëtar në Tiranë paraqet të stilizuar sëpatën e liktorit – një simbol fashist. Natyrisht, për ta parë këtë sëpatë duhet të vendosesh mbi qytet, gjë që banori i zakonshëm i Tiranës nuk e realizon dot. Kësisoj, simboli i sëpatës nuk është menduar për qytetarin, por për dikë tjetër.

Ish-muzeu Hoxha mund edhe t’i shëmbëllejë një shqiponje, por vetëm i parë nga lartësi të tilla që vetëm helikopteri, avioni ose desanti parashutist i forcave të Traktatit të Varshavës mund t’i pushtojnë e t’i përdorin.

Banori i Tiranës e ka parë ndërtesën nga poshtë, nga rruga, nga hapësira publike e qytetit; dhe që andej e ka pagëzuar si piramidë. Tirana vërtet është kryeqytet i Shqipërisë, por banorët e saj janë njerëz, jo shqiponja të lartësive.

Por nëse qytetari nuk e kap dot simbolikën prej shqiponje të ndërtesës, atëherë kujt i flet ajo simbolikë?

Të thuash i flet “syrit në qiell”, do të thotë të kuturisesh pak si thellë në paranojat masonike; të cilat gjithsesi nuk do të kenë qenë të huaja për kastën që e sundoi Shqipërinë me grusht të hekurt për gati gjysmë shekulli.

Krahasimi me vizatimet e mistershme të Nazca-s, në Peru, nuk shmanget dot; por edhe ato thuhej se u drejtoheshin vizitorëve nga kozmosi…

Gjithsesi, orientimin vertikal të simbolikës urbane, në Tiranë, nuk e shpikën Institutet e Projektimit, as arkitektët komunistë; këtë na e provon, së paku, sëpata e liktorit në Bulevard.

Prandaj ndoshta te ky orientim vertikal duhet të shohim mishërimin e pushtetit; dhe te këndi i vështrimit nga lart poshtë vështrimin e leader-it total, i vetmi që është në gjendje të shfrytëzojë përmasën e tretë.

Simbologjia totalitare na sugjeron shembuj të tjerë të këtij vështrimi nga lart-poshtë: që nga manifestimet sportive në stadiume te paradat madhështore me rastin e festave dhe të përvjetorëve.

Sot këndvështrimin publik e kushtëzojnë, para së gjithash, kamerat e televizionit; në mënyrë të tillë që jo vetëm publiku i percepton ngjarjet me syrin e kameras, por edhe ngjarjet vetë shtjellohen në mënyrë të tillë, që t’i kapë kamera.

Por nuk ka qenë gjithnjë kështu e aq më pak në Shqipërinë totalitare, ku formën realitetit publik nuk ia jepte kamera e televizionit, por syri i udhëheqësit.

Kujtoni makijazhin që u jepej rrugëve kryesore, dyqaneve dhe lulishteve, në qytetet e provincës, para se të shkonte për vizitë “i madhi”; në mënyrë që këtij t’i shihte syri vetëm dritë, begati, entuziazëm revolucionar, dashuri të pakufishme dhe gatishmëri.

Si në eksperimentet e fizikës kuantike, ky farë realiteti materializohej në momentin që vinte në kontakt me syrin e diktatorit.

Ndryshimi me kameran është esencial; sepse kamera është anonime, është syri im dhe yti; ndërsa pamja që i shpalosej diktatorit nuk ishte menduar ndonjëherë për mua, as për ty.

Kujtoni ushtrimtarët në fushë të stadiumit, në spartakiadat, kur kombinoheshin për të formuar, me trupat e tyre në formacion, shkronjat e fjalëve PARTI ENVER. Këto fjalë bëheshin të tilla vetëm kur shiheshin nga tribuna e udhëheqjes, ose nga lart.

Kujtoni “sfondin”, në manifestime të mëdha sportive; ose mijëra shkollarë, të ulur në shkallaret e stadiumit, me një libër të madh në prehër, të cilin e hapnin në një faqe të caktuar, sipas sinjalit që u vinte nga tarraca e tribunës përbri: ashtu formonin një figurë çfarëdo – parullë ose imazh, e cila materializohej vetëm e parë prej së largu.

Kujtoni paradën e 1 majit, banderolat, portretet e klasikëve dhe fytyrat e polit-byroistëve, kamionët e shndërruar në makete ose skena teatri, valltarët e ansambleve folklorike që jepnin shfaqje duke parakaluar: për kë ekzistonte ky spektakël, në mos për diktatorin në tribunë?

Televizioni iu shtua këtij karnevali relativisht vonë; madje pa arritur ndonjëherë të integrohej mirë me shfaqjen në bulevard, që i drejtohej gjithnjë tribunës jo kamerave.

Populli poshtë i shfaqej udhëheqësit lart si disiplinë koreografike, ndërsa udhëheqësi lart i shfaqej popullit poshtë si syri në qiell.

Të fluturoje mbi Tiranën totalitare ishte praktikisht e pamundur dhe, teorikisht, e ndaluar; në dukje për arsye sigurie, por arsyeja e vërtetë kishte të bënte me të drejtën për ta parë qytetin dhe qytetarët nga lart, e cila i përkiste ekskluzivisht udhëheqjes, të mishëruar në personin dhe personalitetin e diktatorit.

Në këtë kuptim, ndërtesa e ish-muzeut Hoxha mund të ketë pasur vërtet formën e stilizuar të shqiponjës, por kjo pamje e saj mbetej pamje simbolikisht “e ndaluar”.

Duke këmbëngulur në këtë shpjegim, arkitektët e ndërtesës vetëm sa e theksojnë edhe më tej simbolikën e saj totalitare, ose rolin që duhej të luante, si monument jo aq i shqiponjës vetë, simbol tashmë i krejt i zbrazët, sesa vështrimit nga lart poshtë, me të cilin u manifestohej Enver Hoxha shqiptarëve.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin