RRUFEJA NË TË KTHJELLËT

Më tërhoqi vëmendjen një intervistë e kryeministrit Berisha dhënë “Zërit të Amerikës”, të cilën e kishte zbardhur “Panorama”; jo për nga përmbajtja, sesa për nga mënyra e shtjellimit, ose e nyjëtimit të mendimit.

Krahasoni pjesën e parë të intervistës, ku Berisha thotë:

Rezoluta do të sjellë një atmosferë shtensionimi. Unë mendoj se ajo është një dokument absolutisht i përshtatshëm për të dyja palët. Ky është vlerësimi im. Është i përshtatshëm dhe një sukses i padiskutueshëm për Kosovën dhe për Serbinë. Ajo iu drejtua gjykatës, mori një verdikt. Është në kodin moral të njerëzve të qytetëruar të qeverive demokratike, të respektojnë ligjet, ligjin ndërkombëtar dhe kombëtar. Në këtë kontekst, uroj dhe dëshiroj që të shoh një dialog sa më të shpejtë mes Prishtinës dhe Beogradit për çështje praktike, për çështje humanitare, për të gjitha problemet që kanë fqinjët njëri me tjetrin. Sikundër, ne mbetemi të vendosur të zhvillojnë dhe të vendosim një kapitull të ri midis serbëve dhe shqiptarëve në Ballkan.

Me pjesën e dytë, ku i njëjti person, në të njëjtin kontekst ligjërimor, shprehet kështu:

Çdo çështje që ngrihet jo vetëm nga opozita, por dhe nga media e cilido, të gjithë mekanizmat, institucionet përgjegjëse, duhet të angazhohen për transparencë. Por nuk mund të kem asnjë lloj qëndrimi pa folur institucionet në një kohë kur ata akuzojnë një deputete, se i shoqi i saj është këshilltar ligjor i një kompanie që ka fituar një prej 220 hidrocentraleve për të ndërtuar dhe ai është i punësuar në atë kompani. Ndërsa për opozitën, nuk u nis nga Qeveria. Ishin biznesmenë të sulmuar nga zoti Rama, të cilët nxorën dokumentin e 20%. Ky dokument, në këto 18 vjet është fakti më absolut, ku një njeri për të zhvilluar planin e ndërtimit e ka bërë atë me pallate 35 katëshe dhe për t’u marrë lejen e ndërtimit, që dihen të gjithë afrimitetet e tij me kryetarin e bashkisë, është bërë aksioner 20% në shumën 100 milionë eurove, në vetëm njërën kontratë. Kjo është fakt, sa ç’është fakt, që kjo është një nga kullat më të larta të këtij qyteti.

Paragrafi i parë, ku flitet për marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë dhe në përgjithësi situatën në Ballkan shquhet për qartësi mendimi, logjikë dhe vijueshmëri. Kryeministri i Shqipërisë niset nga disa premisa, për të çuar më tej një ide; dhe e bën këtë me gjuhë të kthjellët, të kuptueshme dhe të drejtpeshuar.

Papritur, e gjithë kjo kthjelltësi zhduket, sapo vijnë në vështrim çështjet e politikës së brendshme, marrëdhënieve me opozitën dhe akuzat për korrupsion.

Fjali të tilla si:

Çdo çështje që ngrihet jo vetëm nga opozita, por dhe nga media e cilido, të gjithë mekanizmat, institucionet përgjegjëse, duhet të angazhohen për transparencë.

Dhe sidomos:

Ky dokument, në këto 18 vjet është fakti më absolut, ku një njeri për të zhvilluar planin e ndërtimit e ka bërë atë me pallate 35 katëshe dhe për t’u marrë lejen e ndërtimit, që dihen të gjithë afrimitetet e tij me kryetarin e bashkisë, është bërë aksioner 20% në shumën 100 milionë eurove, në vetëm njërën kontratë.

Jo vetëm janë gramatikisht të papranueshme, jo vetëm shkelin çdo rregull elementar të sintaksës dhe të logjikës, por edhe tradhtojnë një mendim kaotik, impulsiv, ku gjethja e fikut të arsyes dhe gjakftohtësisë është rreshkur e vyshkur sakaq.

Çfarë mund të thuash për këtë pranëvënie kaq dramatike?

Më e pakta, është që kryeministri i Shqipërisë nuk arrin dot ta ruajë komandën racionale mbi ligjëratën e vet sa herë që tema e prek emocionalisht, ose i shkakton emocione negative.

Paragrafi i parë, që shërben si paragraf “kontrolli”, vërteton tani se keqartikulimi, ose pështjellimi në mendimet e folësit nuk është për t’iu atribuar ndonjë ceni permanent e të pakthyeshëm; por vetëm një mangësie – serioze – në mekanizmat e feedback-ut ligjërimor, për shkak ndoshta të zemërimit.

Ka edhe më: Berisha, në paragrafin e dytë, flet për çështje të tilla si 20-përqindëshi, përmend një njeri që kërkon të zhvillojë një plan ndërtimi (por pa ia zënë emrin në gojë), i referohet një objekti misterioz si “një nga kullat më të larta të këtij qyteti” dhe në përgjithësi e shtjellon ligjëratën jo sikur kjo të jetë pjesë e një interviste nga më konvencionalet, por sikur të jetë vazhdim i një diskutimi ose polemike të filluar gjetiu; dhe aq pak i vetëdijshëm është për këtë konfuzion, sa nuk bën as përpjekjen më të vogël për ta kontekstualizuar bisedën – bie fjala, për të sqaruar se qyteti te “kullat më të larta të këtij qyteti” është Tirana.

Çfarë provon kjo? Provon se Berisha, të paktën në rrethana të caktuara, është kapur peng prej konflikteve ku e realizon vetveten si kryeministër ose lider i PD-së; dhe jo vetëm i kapur peng, por edhe i mbyllur në një kolibe meskinitetesh, të cilat u duken të rëndësishme parive në Tiranë, por që në të vërtetë janë aq banale, aq të padenja, aq të larguara nga e përditshmja e një qytetari normal, sa publiku i Zërit të Amerikës meriton, të paktën, një sqarim të mëtejshëm se për çfarë është pikërisht fjala.

Për ta thënë ndryshe: ligjëruesi i paragrafit të dytë as do t’ia dijë se po iu referohet çështjeve, konflikteve dhe incidenteve të cilat kanë nevojë të prezantohen në kontekst; sepse nuk janë të tilla që të vetëkuptohen doemos, nga çdo kategori publiku. Pse ndodh kjo, është vështirë ta thuash: ndoshta Berisha thjesht e përdor intervistën me Zërin e Amerikës si një platformë për të vazhduar të njëjtën ligjëratë flakëhedhëse që e mban edhe në qeveri, në Parlament dhe para mikrofonëve të mediave të Tiranës; ndoshta edhe e ka humbur aftësinë për t’ia dhënë kontekstin e duhur mendimeve të veta.

Nuk ka komente

  1. Ne fakt behet fjale per nje nga kullat qe do te ngrihet ne asamblin ndertimor te ground zero.
    Sipas llafeve, qenkerkesh njera, personazh i famshem hollivudian, emrin ia thone Jessica Rabbit, qe i thote njerzise lart e poshte se “po me dhe mua 20% te ndertimit, une te siguroj lejen nga Michael(ito) Bloomberg (Kryebashkiaku i NY)”.
    Me demek u prish edhe Amerika. Personalisht them ta ndertojne ate xhamine aty, se ne do Zoti do prishet syri i keq dhe njerzia do kthehen prape ne udhe te mbare.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin