ANTIPIRAMIDA

Blendi Fevziu mediton, në Panorama, për të ardhmen e godinës së ish-muzeut “Enver Hoxha” e që zakonisht njihet si “Piramida”.

E ndërtuar pas vdekjes së diktatorit, në një nga vendet më të spikatura të qendrës së Tiranës, Piramida mbeti hapësirë jetime pas vitit 1990, aq sa sot ka filluar deri edhe të rrëgjohet.

Fevziu pyet se ç’duhet të bëjmë me këtë ndërtesë, që nuk ka arritur të integrohet as me bulevardin përbri, as me Tiranën vetë; në një kohë që kërkon investime të konsiderueshme për mirëmbajtje; dhe vetë përgjigjet:

Pyetje e vështirë, që kërkon sa më shumë mendime, por që unë personalisht nuk kam asnjë dilemë. Parlament ose jo, kjo ndërtesë duhet shembur.

Pse duhet shembur Piramida? Fevziu përmend disa arsye: (1) sepse është “godina më e shëmtuar dhe pa asnjë lloj sharmi në një ndër bulevardet më të bukur të Ballkanit”; (2) sepse është sot “godina më jofunksionale publike e Tiranës”; (3) sepse “kostot e mirëmbajtjes së një godine të tillë janë tejet të larta”; dhe (4) sepse “që në fillesë ka qenë ideuar dhe projektuar [si një ndërtesë] që i shërbente kultit të individit të figurës më negative të historisë së Shqipërisë.”

E pranoj se më intrigon një propozim për shembje, në kontekstin e një Tirane ku vetëm ndërtohet frenetikisht; por arsyet e Fevziut meritojnë vëmendje edhe në vetvete.

A është e shëmtuar Piramida? Ndoshta edhe është, por gjithsesi jo aq e shëmtuar sa hotel Tirana, Pallati i Kulturës dhe Pallati i Kongreseve; dhe jo aq sa kjo shëmti të përligjë shembjen e saj.

Aq më tepër që, po të gjykosh nga cilësia e ndërtimeve në Tiranën post-1990-ës, nuk ka asnjë garanci që në vend të Piramidës nuk do të ngrihet diçka edhe më e pashijshme ose kitsch.

A është jofunksionale Piramida? Natyrisht, Fevziu e di se për çfarë flet; por Piramida është jofunksionale jo aq për faj të arkitekturës së saj, sesa të paaftësisë që tregojnë institucionet në Tiranë për të administruar hapësirat publike të atjeshme.

Pyetja që kërkon përgjigje, në këtë kontekst, është nëse mund të shfrytëzohen në mënyrë funksionale hapësirat publike të trashëguara nga totalitarizmi, ose të konceptuara për të kryer funksione të tjera.

Nga kjo pikëpamje, Piramida nuk ndryshon shumë nga Pallati i Kulturës, Galeria e Arteve, Pallati i Kongreseve dhe ndërtesave të tjera publike, poli-funksionale për nga natyra – fati i tyre varet nga dëshira e mirë institucionale për të administruar dhe mirëmbajtur hapësirën publike. Prandaj degradimi i saj i pandalshëm, shqepja e pllakave të mermerit dhe thyerja e xhamave veç provojnë që mendësia sunduese i trajton objekte të tilla si të askujt.

A mund të përshtatet Piramida, për të funksionuar përtej skemave zanafillore të kultit të individit, mauzoleumit dhe simbolikës totalitare? Natyrisht. Mjaft të kthehej në një muze të totalitarizmit shqiptar – me pavijone kushtuar represionit policor, propagandës, artit të realizmit socialist, shkollave të lira ushtarake, ekonomisë autarkike. Ashtu do të shndërrohej në një nga hapësirat më të vizituara të qendrës së Tiranës…

Prandaj Fevziut që kërkon ta shembë, unë do t’i përgjigjesha se Piramida, së bashku me shumë ndërtesa të tjera publike të qendrës së Tiranës, është shembur tashmë; dhe institucionet ekzistuese veç po ua përdorin gërmadhat.

Nuk ka komente

  1. Sa i perket ketyre kostove qe permend ai qe citoni ju, mendoj se nuk kane ndonje vlere te madhe si argument. Jo vetem duke iu referuar personit qe flet, por edhe faktit se qeveria ku ai eshte sejmen dhe deri diku keshilltar, vetem per nje rikonstruksion te salles se Parlamentit shpenzoi 730 milione leke, ne nje kohe kur sipas kryeministrit per 100-vjetorin e Pavaresise do te ndertohet nje seli e re per kete institucion. Per cfare duheshin atehere keto shpenzime? Apo per te plotesuar tekat e zonjes Jozefine qe e ka bere Kuvendin si galeri fotografish per shqiptare te njohur -se fundmi shkodrane te shquar- e ku ajo kerkon ne menyre trashamane nje identitet qe nuk i qendron mire ne raport me menyren si flet?
    Nga ana tjeter kjo ceshtja e shembjes se Piramides, nuk ka sesi te mos jete llogari politike dhe ku ai qe shkruan te Panorama luan rolin e dekoruesit dhe te kanalit bonifikues ne debatin politik. Kjo ide perkon ne kohe me ngritjen e Komisionit Hetimor per Ceshtjen e Tivarit, qe do te hetoje kete ngjarje tragjike per te cilen e djathta shqiptare, e mbire nga gjirizi i PPSH ka ndjeshmeri te madhe. Para ca ditesh, sipas gazetave, vdiq edhe deshmitari i fundit okular. Pra nje goditje ndaj komunizmit, ne simboliken e vet qe priret te jete thember e Akilit per shumekend, revanshizem per dike tjeter dhe gabim i panevojshem ndoshta. Hetimi i krimit historik, me sfond antishqiptar e ploteson demagogjine dhe propaganden qe synon jo edukimin e nje brezi pa memorie, por opoziten e cila thirret keshtu ne bashkefajesine e eterve. Perse? Sepse refuzon nje komision qe nuk mund te beje asgje per nje ngjarje qe kerkon ndricim historik; nje komision i cili sherben si bateri politiko-elektorale, per sa kohe qe e drejton Fatos Beja dhe per sa kohe i ben jehone rezolutes se fundit te Parlamentit Evropian per krimet e komunizmit. Nje sallate qe nuk e ha me njeri, per sa kohe qe nuk mundet ne nje vend me demokraci medemek qe kryeministri te adresoje edhe shqetesime me karakter arkitektonik.
    Natyrisht levizja e vitit ’90, mund te shihet edhe si platforme histerie, dhe kjo ka arsye, pasi nje urrejtje e akumuluar per aq kohe veshtire te kontrollohet. Kjo histeri qe mbahet me serume si kjo e Piramides sikur po del, por nuk perjashtohet ndonje miting anti-PS mu te shkallet e Piramides nga lloj lloj ish-te perndjekurish te certifikuar apo jo, ulerites profesioniste me duhmen e posacme te turmes. E njejta gje edhe per mozaikun e Muzeut Historik, por nese kjo qeveri do rifitoje mandatin ne 2013 – qe nuk ka me asnje gjase sikur te permbyset – do te kemi edhe diferencimin e varrezave. Do e pagezojne me eshtrat e Ahmed Zogut, per t’i bere me tej vend edhe ketyre te sotmeve qe natyrisht do zgjerohen ca.
    Prandaj kur ai i Panorames mendon se do rishkruhet historia e ketij vendi, me iluzionin se ’90 ishte projekt i te djathtes qe do te mbyllet me vizat, NATO dhe BE, atehere natyrisht qe do te perfundoje si te gjitha iluzionet.
    Dhe ne fund nuk do te ishte mire qe Piramida te privatizohej, se keshtu e djathte permes parimeve qenesore te vetat i rezervon nje shaka te hidhur Diktatorit? Plus eshte edhe nje zgjidhje e pakundershtueshme, per sa kohe qe investitoret e pare te veteshpallur te d(hjero)emokracie shqiptare nuk ua mban qe keto ceshtje t’i bejne pjese te debatit publik, ne perputhje natyrisht me zakonet e tyre publike. Se nuk do rrime t’i verifikojme te gjithe tani.

  2. Nëse do të kishte një monument të ndërtuar gjatë epokës së diktaturës, të cilin do të duhej ta ruanim me doemos, ky, besoj, është Piramida.

    Asnjë monument tjetër i kësaj përmase, kategorie dhe funksioni, ngrehur gjatë kësaj periudhe, nuk e përmbledh më qartë gjithë simbolikën diktatoriale dhe kultin e personalitetit të diktatorit.

    Në këtë kontekst, arsyetimi për vlerat estetike të kësaj ndërtese bëhet ktejtësisisht i parëndësishëm, në kontrast me vlerat simbolike dhe historike të saj, duke qenë se Piramida është vetë epitoma e trashëgimisë kulturore diktatoriale.

    Ky monument nuk është thjesht një përmendore simbolike e çfarëdoshme e kultit të diktatorit.

    Para së gjithash ai është tempulli i fesë së njeriut të ri që ndërtoi diktatura, kryepriftit të të cilit i kushtohet ky monument.

    Gjithë simbolika e një tempulli pagan gërshtohet në të, e kjo që nga zgjedhja e formës së pashqoe piramidale, e cila për më tepër nuk lejon të harrohet as struktura e fesë së shoqërisë diktaroriale.

    Mungesa e mundësisë për të luajtuar dhe modifikuar hapësirat e brendshme, të përplas edhe ajo në çdo moment me qendrën e kulmin e strukturës.

    Vendndodhja e monumentit është po ashtu domethënëse.

    Rehatuar midis strukturash të ngjashme për nga shëmtia, ndërtuar po ashtu gjatë kësaj periudhe, piramida tërheq menjëherë vëmendje, thërret për meditim.

    Sidoqoftë, vlera e më e madhe që ngërthen ky monument qendron pikërisht në faktin se, vetë hartimi dhe ndërtimi i tempullit pagan të diktaturës ishte një proces tipik i një diktature tribale.

    Ideuar, sugjeruar, hartuar dhe realizuar nga familjarët e kryepriftit të fesë së re, ky momument është kështu epitoma edhe e mënyrës së funksionimit brendshëm të diktaturës.

    Në këtë kontekst, vështirë të ketë ndonjë rezistencë të sinqertë ndaj shkatërrimit.

    Sporadike, ndoshta, kryesuar nga nostalgjikët e përherëshëm, trullosur nga vendimet e çuditshme të partive përkatëse pas të cilave janë rreshtuar tribalisht.

    Sakaq, për sa kohë ndarjet tribale nëpër partitë e mëdha kanë rënë dakord për fenë e re të shqiptarëve, tempulli pagan i fesë së vjetër përkujton rrënjët e një barbarie të tejkaluar, e cila e ka mbyllur ciklin, kryer funksionin e arritur qëllimin.

    Për më tepër, të dyja tributë tributare kanë kohë që e vështrojnë me mirëkuptim procesin e rehabilitimit të strukturave të caktuara të diktaturës.

    Të dyja tributë pra, vështirë të konsiderohen të painteresesuara që pikërisht kjo strukturë që e përfaqëson kaq fort terrorin e fesë së vjetër të njeriut të ri monstruoz, të mos mbijetojë si dëshmi.

    Ndërkaq, duke gjykuar nga deklaratat e vejushës, duhet besuar se edhe tribuja familjare mund të ofrojë thjesht një rezistencë simbolike për prishjen e mureve, në mënyrë që të shpëtojë thelbin e mesazhit të kryepriftit.

    Në këto kushte, nëse rezistencë të sinqertë do të ketë, përveç viktimave të vërteta të diktuaturës, të qarta për simbolikën e Piramidës, vështirë se do të shohim.

    Gjithë çështja është se, pikërisht me këto viktima do të luhet gjithë loja e manipulimit emocional.

    Shpesh të paqarta për mungese komoditeti dhe përgatitjeje për të kuptuar gjithë qëllimet që fshihen pas kësaj ndërmarrjeje pastrimi kimik, viktimat rrezikojnë të manipulohen në këtë lojë të shëmtuar.

    Megjithatë, në kushte kur burgjet e lara me gjakun e kaq e kaq njerëzve janë shuar përfundimisht nga memoria, e varret e kaq e kaq të tjerëve mbahen fshehur, e besoj detyrë qytatare ndaj memories rezistencën kundër asgjesimit të kësaj trashëgime të diktaturës sonë.

  3. Shume tinzare keto shqetesimet per Piramiden, qe shfaqen vetem kur ngec ndonje sharre politike ne gozhde. Duket qarte qe fati i kesaj ndertese nuk perben ndonje shqetesim te mirefillte per Fevziun me shoke por eshte gracka e radhes (kujtoni zhurmen per mozaikun e Muzeut) per te realizuar plane e deshira qe jane gatuar me kohe e tani vetem pritet te serviren.

    Keshtu Fevziu e ngre pyetjen ç’duhet bere me Piramiden vetem e vetem qe t’i gjeje vend propozimit per nje “godinë dinjitoze parlamentare” si pergjigje qe vjen natyrshem. Nuk do te çuditesha sikur, pasi te ishte marre miratimi publik per shembjen e Piramides dhe ndertimin e Parlamentit, te identifikoheshin pengese mbas pengese qe do te çonin ne braktisjen e projektit.

    E them kete pasi me duket absurde qe ne Tiranen ku nuk ka meter katror te pashfrytezuar ne emer te kultit te individualizmit, te sakrifikohet nje hapsire kaq e lakmueshme per nje godine parlamentare e cila mund te ndertohet kudo.

    Dhe meqe per Parlamentin duhet nje godine e re, duket me e logjikshme qe kjo te ndertohet larg qendres se mbingarkuar e ne nje zone disi te lene pas dore, ku prania e nje godine te tille do te ishte katalizatore per zhvillime te tjera ne ate zone.

    Per nje kryeqytet relativisht te vogel si Tirana, shperndarja e godinave shteterore ne disa qendra perkrah zhvillimin e barabarte te qytetit dhe i pershtatet modelit policentrik qe eshte propozuar disa here ketu ne blog.

    “Në asnjë prej guidave të huaja që prezantojnë Tiranën nuk thuhet me qartësi se përse shërben.” E kote te konsultohesh me guidat turistike se as banoret vete nuk ia kane idene, si per Piramiden ashtu dhe per shume e shume godina te asaj kohe e te ketyre 20 viteve te fundit. Edhe Muzeu Kombetar e ka nje funksion, sipas guidave gjithmone, por sa here qe kam dashur ta vizitoj e kam gjetur te mbyllur.

    Ndertimet e 20 vjeteve te fundit, nga ana e tyre, mund te duken me “moderne” se shkelqejne nga xhamlleku, por nuk dallojne nga kulla ne kulle e nuk mund te konkurojne me modelin e Piramides sesi duhet perqafuar hapesira, ndonese monumentale. Shnderrimi ne disa funksionalitete te deshtuara te njepasnjeshme veç tregon sa te varfer jemi ne imagjinate dhe perkushtim per t’iu qasur ketij objekti qe kemi trasheguar nga disa ane te ndryshme.

    Para disa ditesh qeveria shpalli konkursin “Qyteti i Arteve” per te cilin mund te lexoni ketu. Perpjekje per te stimuluar artin dhe tregun si ky projekt me duken shume te shtirur, nderkohe qe nje konkurs per ri-imagjinimin e Piramides do te ishte vertet i vlefshem dhe nje ushtrim me plot pedagogji ne vetvete edhe sikur asnje nga idete te mos jepte rezultate te realizueshme.

    Por jemi mesuar te shpallim e te shperblejme konkurse maketesh per te huajt dhe as nuk interesohemi per te kultivuar imagjinaten e kesaj gjenerate per tu ballafaquar me te kaluaren. Mbeten vetem iniciativa artistike te izoluara per nje publik te ngushte nderkohe qe kujtesa kolektive e popullit duhet perpunuar paralelisht si ne kohe ashtu edhe ne hapesire.

    “Po ç’duhet të bëjmë me këtë ndërtesë që iu imponua dhunshëm kryeqytetit të shqiptarëve pa asnjë diskutim paraprak, pa asnjë konsultim, si shenja tipike e dhunës urbanistike dhe arkitektonike komuniste në fund të viteve ’80-të?” Une nuk e di me ç’seriozitet e ben Fevziu kete pyetje nderkohe qe pseudo-gratacielat e kane perdhunuar Tiranen me simbolike fallike te nje realiteti qe gjithsesi mbetet impotent. Po lulezimi betonarme i Tiranes, kulmi i kultit te individualizmit, ç’plan urbanistik po ndjek? Eshte pandershmeri qe monumentet e atij sistemi te zhvendosen per t’ua lene vendin monumenteve te nje dhune te re, tashme te zbukuruar me makijazhin e demokracise parlamentare.

    Propozimi i Xha Xhait per nje muze te jeteses totalitare mua me duket i pershtatshem po te merret parasysh edhe qe perpjekje per te krijuar nje muze te tille ka patur nga ana e Albion Bogdanit. Bogdani e quan muzeum e tij “Tirana Museum of Communist Objects” por tani per tani eshte kufizuar ne tre apartamente banimi dhe nuk e di mire si funksionon aktualisht. Piramida eshte vend i perkryer per kete iniciative modeste te Bogdanit, qe mund te zgjerohet dhe perkrahet me seriozisht duke mbledhur nje grup pune per ideim te plote ku te perfshiheshin disa specialiste nga fusha te ndryshme. Padyshim do te uroja pjesemarrjen e personave si Elidor Mehilli qe po e studiojne nga afer kulturen materiale te atyre viteve.

    Vetem nje muze dedikuar jetes se perditshme nen regjimin totalitar dhe kultures materiale qe prodhoi ai sistem mund te riperterije funksionin e Piramides. Veç te tjerash, muzeu besoj se do te nxirrte aq te ardhura per vetefinancim nder viteve, jashte kostos fillestare.

    Per mua Piramida ka vlere ashtu si Kulla e Sahatit: pikerisht ngaqe funksionaliteti i dikurshem u eshte zbehur dhe tani sundohen nga rendesia qe kane ne orientimin e hapesires te qytetit dhe kohes si nyje ne nje harte te imagjinuar. Dhe meqe nuk kam jetuar asnjehere ne Tirane me kane sherbyer besnikerisht per te lundruar kete palimpsest qe vetem emri Tirane i dallohet akoma. Eshte shenje e nje varferie kur mendohet vetem si na “sherbejne” hapsirat dhe jo si duhet tu sherbejme.

  4. Natyrisht, Fevziu e di se për çfarë flet – thote Xha xhai…

    Lexova me shqetesim shqetesimin e figliol prodigo te tan shqiptareve, knej e anej kufinit, dhe mu kujtua nje rrefenje e “Antenes brenda familjes”, ku i siperpermenduri &Co shqetesohen per Stadiumin “Q.stafa” se, medemek, eshte fare prane institucioneve me te rendesishme te vendit dhe duhej ndertuar diku gjetke, madje si investim privat. Keta te fundit do ta merrnin me koncesion per 99 vite dhe me kete rast do perfitonin dhe nga e drejta e transmetimit te ndeshjeve. Ne te e siper, rastesisht, ne vendin ku sot eshte stadiumi, po i njejti konsorsium ndertuesish private do te ngrinin nje kompleks super modern banim-zyra-supermarkete.

    Do ti (ne fakt do s’do ti) qe pra pak ditesh Kryeministri premtoi se 100-vjetori i Pavaresise do ta gjeje vendin me Parlament dhe me nje … stadium te ri! Kjo me kujtoi edhe nje barcalete te famshme me te filanin qe vuante nga majaselli dhe shkoi tek … okulisti. Po c’lidhje ka syri me …. – ia priti i cuditur doktori. Ka doktor ka – i tha hallexhiu,- se kur me dhemb shume …, me dalin lot nga syte.)

    Po natyrisht, Fevziu e di se për çfarë flet …

    1. Tjeter gje te hapesh debat publik per nje ceshtje, e tjeter gje te pergatisesh publikun per cfare mund te ndodhe (gatitet te ndodhe).

  5. Kjo puna e fevziut me kujtoi nje perralle shqiptare (e gjeni tek “Perralla Shqiptare”) me titull “Njerez budallenj”. Disa dasmor po shpinin nusen hipur mbi nje kal tek dhendri. kur mberrijne ne shtepine e dhenderrit, hasin nje problem: Porta ne oborr eshte pak e ulet dhe nusja mbi kal nuk mund te hyje dot ne oborr. Thote njeri, ti presim kembet kalit. Jo, thote tjetri, ti presim kalit koken. jo, jo, bertet nje tjeter, ti presim koken nuses!!!” keshtu edhe puna e fevziut.

    s’po zgjatem tek pohimi i fevziut, se eshte kaq deshperues, po vertet kaq shume…

    Piramida e vertete qe duhet shembur eshte ky sistem i degraduar ne cdo hallke. Kjo eshte struktura qe duhet shembur. E ke kapur shume bukur problemin Ardian. Pershendetje.

  6. “Përse të mos kompensohet komuniteti katolik, më i përndjekuri, me “piramidën” e të ngrejë Katedralen Shën Tereza e Tiranës, selia e një kardinali shqiptar, në të cilën njerzit të hedhin qindarka nga kursimet e tyre për të vazhduar misionin e nisur prej Nënë Terezës.”

    Nuk i kam vënë pikëpyetje më 2006 e as i vë më 2010, sepse e di që përgjigjja e vërtetë është: Ne, nuk duam.
    As po hapem tek ne – cilët janë, pse nuk duan dhe çfarë nuk duan, vetëm se juve të këtushmëve do tu pyesja:
    Është më mirë të ndërtosh një muze të dhembjes, apo një shtëpi të dhembjes?
    Për analogji, a është më mirë të ndërtosh mbi gërmadhat e maternitetit të Tiranës një muze të gjinekologjisë apo një shtëpi lindje, a mbi gërmadhat e UT (thirri të dëgjojë thotë populli) një muze të arsimit shqiptar apo një kompleks shkollor?

    Këtë për konsipracistët: vërtet besoni se këtë e bën Jozefina e Madhe e Shqipërisë, që të ngrejë aty godinën e parlamentit shqiptar me rastin e …?

  7. Une nuk shoh ndonje arsye pse piramida te mos i lere vendin ndonje ndertese tjeter. Eshte e vertete qe jane shkaterruar pa arsye fabrika,uzina, vreshta e ullishta, jane lene ne meshire te fatit hekurudhat, por kjo nuk do te thote qe tani hajde e mbrojme çdo gje qe ngeli, si mozaiku apo piramida.

    Ne vend te shkaterroheshin simbolet e diktatures u shkaterruan te mirat e diktatures, ok u bene gjerat se prapthi, por tani nuk ka ndonje arsye pse simbolet e diktatures te mos shkaterrohen.

    Piramida eshte ndertese simbolike, cdo piramide ekzistuese ne bote perfaqeson nje simbol dhe simbolit nuk mund t’ja ndryshosh domethenien sipas qejfit nga sot me neser, duhen shekuj para se domethenia zanafillore te zhduket, e theksoj te zh-duket por jo te asgjesohet.

    A ka pislleqe nga pas kjo çeshtje ? Ne Shqiperi s’ka çeshtje pa ndonje pisllek nga prapa, e megjithate Piramida e Enverit duhet rrezuar, edhe sikur ai vend te lihet si ‘ground zero’.

    Mund te ndertohen shume gjera, por vetem nje ndertese simbolike mund t’ja shkule asaj hapesire vleren simbolike.

  8. Po pse xhanem mendja ne te prishur menjehere? Ne s’jemi as te pasur qe te prishim e te ndertojme pa hesap. Ndertimet prishen dhe zevendesohen kur ka arsye ekonomike, kur rehabilitimi i tyre kushton me shume se prishja dhe zevendesimi.

    Nese Piramida mund te kthehet ne muze te terrorit komunist, pse jo? Po edhe nese behet Parlament, pse jo? Apo muze arti a cdo lloj gjeje tjeter.

    Cfare logjike eshte kjo e “simboleve”? Keshtu i bie qe Parisi te ishte sheshuar kur kaloi nga monarki ne republike…e keshtu me rradhe.

  9. Ndertimet nuk ndjekin thjesht logjiken ekonomike dhe nje shtet qe shpenzon 1,5 mld dollare per nje rruge ka pare per nje ndertese, te jesh e sigurte.

    Nuk i bie si Parisi, se ketu s’po flasim per gjithe ndertimet, po vetem per 1, qe ka fuqi simbolike shume me te madhe se cdo ndertese tjeter ne Shqiperi.
    Piramida eshte simbol esoterik, tregon pushtetin e perjetshem dhe eshte kurioze sesi u zgjodh forma piramidale ne nje vend komunist per te treguar pikerisht pushtetin e perjetshem te Enver Hoxhes qe edhe pas vdekjes sundon mbi te gjallet.

    Shkaterrimi i Piramides eshte imperativ kategorik, nuk eshte aspak rastesore qe kunder jane te gjithe socialistet dhe ndonje qe ka lidhje emotive personale.

    Ne vend te saj duhet vene nje simbol tjeter madheshtor, nje si tip Altari i Atdheut, si ky qe kane italianet e qe dominon Piazza Venezia-n, mu aty ku eshte zbulur kasollja e Romolo-s. Aty brenda ver edhe muzeun e diktatures.

    Piramida duhet shkaterruar.

  10. Mendja ne te prishur, sepse prishja i pershtatet vizionit tone subversiv per historine. E bejme te ardhmen me terapi shoku, jo me korrigjim. Prishet Piramida, ndertohet nje Parlament i ri, tempull i demokracise dhe koha arkitektonike e kryeqytetit unifikohet brenda shtratit perendimor, qe nis me godinat e ministrive te Ahmed Zogut dhe vijon mandej me kete te rene qe po e bejne keta. Komunizmi pra eshte vetem nje aksident tragjik. Jozefina tha se ky vendim ka nje simbolike domethenese per vendin. Ka harruar valle qe e ka zyren ne ish-Komitetin Qendror mo? D.m.th ajo eshte praktikuese e zhvendosjeve rrenjesore. Pa qene shume dyshues, por ka gjase qe kjo te kete EDHE arsye te vetat per te prishur Piramiden. Kjo godine nuk mund te vazhdoje te lartesoje sado artificialisht figuren e nje katoliku tjeter si Pjeter Arbnori, legjendat per te cilin nuk i ka thurur vetem Kastriot Myftaraj.
    Puna eshte se duhet edhe adresari i ri; ta zeme me kete optike nuk ka sens qe bulevardi “Deshmoret e Kombit” te bashkohet permes sheshit “Skenderbej” me bulevardin “Zogu I”. Pse ishin ata qe u vrane ne LIIB, deshmore te Kombit? Kryetarja e Kuvendit te Shqiperise, se bashku me Presidentin i kane dhene dekoraten Nderi i Kombit edhe Ali Kelcyres – e kam fjalen se ky Komb edhe Nderin e vet e ka te dekretuar.
    Nje dicka edhe per idene e Piramides muze. Nuk ka kuptim politik, do ishte kthim ne identitet, qe pershtat keshtu nje ide te vjeter dhe te sulmuar socialiste. Mandej ardhacaket e kryeqytetit, qe ideojne sulme te ketilla nuk kane nevoje per konservatorizmin e Historise, por per perdorimin e saj, meqe si nomade te perjetshem e shohin kufirin urban si zone stacionimi per cadra.

  11. theollogos, kot i vjen anes si gjithe te tjeret. Nuk shoh as pse u duhet irrituar e as zgerdhire.
    Piramida nuk eshte ndertese historike, eshte mbeturine historike dhe mbeturinat e kane vendin ne kosh. Vete ndertimi i saj ne nje kohe qe diktatura po merdhifte deri ne palce, tregon se ajo ndertese si simbol i pushtetit te perjetshem, eshte nje shaka e keqe, te tallesh leshte me historine dhe popullin shqiptar, per me teper pasi e ke çuar buze gremines.

    Tani te sillesh sikur ajo eshte e mire ben qe eshte, don te thote qe s’te vjen aspak keq qe ndertuesit e saj tallen leshte me shqiptaret. Te thuash epo iku ajo pune, çu be u be, don te thote te nenvleresosh energjine shperthyese te eksplozivit. Te thuash se me mire ajo sesa ta marrin katoliket (???) do te thote se s’di ça argumenti te perdoresh dhe po kacavjerresh.

    Ky ketu poshte eshte argumenti me tragjikomik pro-ruajtjes:

    ”’Per mua Piramida ka vlere ashtu si Kulla e Sahatit: pikerisht ngaqe funksionaliteti i dikurshem u eshte zbehur dhe tani sundohen nga rendesia qe kane ne orientimin e hapesires te qytetit dhe kohes si nyje ne nje harte te imagjinuar”’

    Ende nuk kam pare nje argument te hajrit pro ruajtjes se simbolit me te forte komunist ne Shqiperi, ka vetem jo po ky kshu ai ashtu, ne,ju, ata,ato qishtu.

    1. Aqif, nje argument akoma me tragjikomik eshte deshira qe nje dite ne nje te ardhme shume te larget, kur une dhe ti te jemi ushqim per krimbat, te shkruhet keshtu edhe per Piramiden e ndonje piramide tjeter qe do ti rrezistoj kohes. Ndoshta e ke shume te veshtire te perfytyrosh se ndertesat(edhe ato qe jane shembur) jane gjallesa, plote jete ne imagjinaten tone e me veti magjike per te na mbajtur dhe ne gjalle.

      Monumenti më i mistershëm, por edhe më përfaqësimtar i Tiranës, Kulla e Sahatit, me pamjen e saj prej prizmi venecian e gjatosh e të pikëlluar, të mbuluar me një kësulë piramidale disi groteske, i strehoi zemërgjerësisht të gjitha përpjekjet e mendjes tiranase për t’ia dhënë një kuptim simbolik, një arsye përtej metafizikave që e kërcënonin qytetin. Ndoshta në vitet e mbretërisë, plot iluzione për një modernitet të merituar, kullës iu desh të simbolizonte Europën, pjesë e së cilës jo vetëm ishte, por edhe dëshironte me gjithë shpirt të ishte: paradoks ky që e pati jetën shumë më të gjatë se mbretëria vetë.

      Thjesht është atje, në emër të organizimit të hapësirës së qytetit, për ta vaksinuar këtë të fundit kundër kaosit. E parë nga afër, është madhështore në raport me pamësin; e parë së largu është madhështore në raport me qytetin. Nuk zvogëlohet kurrë. Ndërtesë dobia e së cilës shpesh nuk ekziston veçse si alibi, kulla tashmë ka hedhur rrënjë në vetëdijen kolektive të njerëzisë, falë virtyteve të saj për të komunikuar një prani të menjëhershme, e për të shërbyer si katalizator i nyjëtimit të jetës qytetare. Kjo emblemë e varur pezull në kohë, e paasimilueshme në paradigma, strumbullar e pasqyrë e vetëdijes qytetëse, heroikisht i bëri ballë çdo adoptimi të dhunshëm nga ana e shtetit — monument i askujt, i ndërtuar nga askush, i papërvetësueshëm.

      Kulla e Sahatit, Ardian Vehbiu

  12. Sikur te mendonin vetem per urbanistiken. MUa personalisht, qe u rrita keto 20 vjet, nuk me ben dot moral per Kohen e Re, as Jozefina Topalli Coba etj, as Sali Vicidoli dhe as ndonje tjeter. Kam pare aq sa te kuptoj se loja e tyre dhe atyre perballe eshte aq e pagdhendur sa do te duhej te ishe maksimalisht kapter per t’u rekrutuar.
    Kur nenvizoj faktin e ardhacakeve perfshij edhe veten-qe do te thote se si i ardhur ne Tirane nuk kam te drejten e protagonizmit per te diskututiar se u prish apo u rikonstruktua nje ndertese apo nje tjeter. Ne fund te fundit, as ka qene, as eshte dhe as do te jete hapesira ime, qyteti im. Le te prishet dhe ndertohet cfare te doje, une sodites do jem dhe kete rol e zgjedh dhe e pranoj me deshire. Por historine nuk ma shkruan dot asnje nga keta te list-pageses se borderove te vjetra: Asnje. Se nuk po synohet urbanistika, por historia qe legjitmon nje pushtet qe mban vetem nje ere qe nuk durohet me. Pa se u prish Piramida, apo nuk u prish, as Enverit qe ua ka bere te katermbedhjetat ketyre qe ne sabah nuk i prishet puna dhe as mua qe kujtimet e mia, vlerat dhe ato cfare besoj se eshte e mire nuk kam arritur qe ta le te ma zgjedhe Jozi, Saliu, pavaresisht origjines, fisit dhe lengut.

  13. Me frikë për këtë çështje. Me frikën se mos kësaj pune i është gjetur dhe fituesi i tenderit të ndërtimit e ndërsa të bëhet se flet, dërdëllit. Por pa frikë mund të thuhet se ideja për të ndërtuar parlament të ri, dhe aty, ka dalë nga ndërtuesit, ata që blejnë çdo mm të Tiranës “të vjetër” për të ndërtuar “të renë”, ata që kërkesat për këtë, dhe për atë, edhe për atë tjetrën, në kushte të tjera, të rikonstruksionit, e kanë pasur të pamundur ti përmbushin; si xhepat e tyre domosdo.
    Ndërsa jam për ta dhuruar atë ndërtesë, nuk jam as për ta prishur e as për ta shkatërruar nga themelet, (në fakt ajo vetëm themele ka). Nuk di të kenë prishur e shkatërruar popuj të tjerë sa ngritën tiranët e tyre; ndërsa di, ashtu si çdo qytetar qytetesh të mëdha apo të vjetra (sipas orës së Shqipërisë) se prish-ndreqjet e kësaj natyre kanë pasur vazhdimisht përfundime të këqija. Fakti që një gropë (jo shesh) ndërtimi kënaq disa më mirë se një ndërtesë me çfarëdo funksioni, përtej sa tregon në planin personal, tregon pamundësinë tonë publike për të manaxhuar.
    Ndërtesat e bulevardit mbajnë njëra tjetrën si në një gjerdan. Nëse këputet e para të gjitha kanë për të rënë varg, e nëse për piramidën do duhen nja dhjetë vjet shumëzoje këtë për sa ndërtesa e do të gjesh edhe për sa kohë Tirana do të mbetet shesh për të zezë të banorëve të vet; keq më vjen por ja që mësuam ta skip-im, bypass-im…
    Kjo çështje për mua shquan, i bën dhe më të dallueshëm, ato grupe shoqërore për të cilat është folur e që, kur i kemi e kur si kemi pranuar. Kemi parinë, që mendon vetëm për veten e saj, kemi elitën opinionbërëse mëdyshese qe e nisur nga sepse ajo ndërtesë nuk mund të rrijë në atë gjendje, ngelet peng e zgjidhjes së lëmshit se çdo të bëhet me piramidën, kur asaj do ti duhej, me më shumë hov se kaq të kishte marrë e të ngrinte debat mbi mundësinë e ndërtimit të metrosë së Tiranës, vepër nga e cila përfitojnë të gjithë.
    Flasim për hapësirën dhe për publiken. Piramida zë më pak hapësirë se çdo ndërtim tjetër, ndërrimi i destinacionit në parlament përveçse ka për ta shndrruar nga publike në përdorim të një grupi të vogël, ka për ta përdorur në më të keqin e përdorimeve të një hapësire urbane – në parking. Mendësia është e tillë: unë jam king,/kam par-king kur duhet të jetë: unë jam ing.,/ kam park-ing. Kjo çështje tregon dhe hipokrizinë shumëplanëshe, që po na e taksojnë për virtyt.
    Me frikë për këtë çështje. Me frikë se duhet të thuash që ideja për ta kthyer piramidën në muze është muzeale; por muze për ide s’ka asnjë – mauzoleume për ide ka sa të duash.

  14. theollogos, Piramida dhe qendra e Tiranes nuk eshte çeshtje e banoreve te Tiranes, as e shqiptareve dhe as e kinezeve te Tiranes, por eshte çeshtje e gjithe shqiptareve si komb, pasi eshte qendra e kryeqendres.

    Se ndokush ka kujtime apo i eshte mesuar syri a nuk e koncepton dot pa te, ky eshte problem zero.
    Duhet te gjykojme racionalisht dhe te shkeputur nga emocionet, ajo qe thuhet rendom ketu.

    ””Ndoshta e ke shume te veshtire te perfytyrosh se ndertesat(edhe ato qe jane shembur) jane gjallesa, plote jete ne imagjinaten tone e me veti magjike per te na mbajtur dhe ne gjalle. ””

    Guri eshte hyjni, nje ndertese guri eshte leje hyjnore per te jetuar bashke me hyjnine, ajo te mbron nga te keqijat e jashtme. Per kete privilegj njeriu duhet ti bej fli gurit; Rozafat jane te panumerta. Une jam gati te bej bene mbi Gur e jo mbi bibel.

    Megjithate, kur me paraqitjen e Hyjnise, njeriu nderton ndertesen anti-hyjnore par excellence, qe s’ka asnje lidhje me kulturen, te shkuaren e te ardhmen e bashkesise ne kuptimin e racionalitetit historik te saj, atehere ketu kemi nje mekat ndaj hyjnise dhe njerezve, kemi nje ndertese blasfeme. Nje ndertese qe tallet haptazi me qenien shqiptare, duhet te shkaterrohet, duhet te çlirohet Guri nga pislleqet e njeriut. Por per kete duhet te çlirohet njeriu nga pislleqet e veta apo te prinderve, te kerkoje ndergjegjen e vet dhe te vetpastrohet.

    Asaj ndertese vetem nje njeri i pastert mund ti vere dinamitin dhe te pajtoje shqiptarin me hyjnine, duhet gjetur njeriu i pastert.

  15. Duke induktuar nje gjendje fobie kundrejt gjurmeve fizike te nje sistemi si perfaqesuesit te cilet evokojne ndjesi te lidhura me te keqen/te frikshmen, kjo ne emrin e ndeshkimit te se shkuares diktatoriale, i lihet shteg manipulimit kolektiv nepermjet idese se rrugezgjidhja me e mire eshte zhdukja e tyre. Thene ndryshe, te pretendosh se kjo gje nuk ka ekzistuar kurre duke lene nje boshllek qe me kalimin e kohes shnderrohet ne amnezi.

    Dukshem ky manipulim behet pjeserisht per interesa te momentit, por ky nuk mund te jete shpjegimi i vetem …

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin