ZEMËRIMI I SHENJTË

Në të vërtetë ai asnjëherë nuk e quajti veten disident. Veçse gjithçka që tregonte të shtynte mendoje pikërisht se kishte qenë disident. Megjithatë, dua të jem i qartë në këtë pikë, ai kurrë nuk e pohoi, kurrë nuk tha që kishte qenë i tillë, por kjo nuk na pengonte ne ta quanim disident, madje të pandreqshëm.

Ndiheshim mirë që ishim miq të tij dhe meqë ai doli nga burgu disa vjet para se të binte regjimi komunist, ne fshehurazi mendonim se do të vinte një ditë, kur do t’u tregonim fëmijëve tanë se ishim bashkë me Poetin kur të tjerët e kishin braktisur. Kur të tjerët kishin frikë ta përshëndesnim, ne ishim me të. Me të ishim edhe kur njerëz të fisit të tij (siç na thoshte ai) ndërronin trotuar kur e shihnin së largu.

Mund të qemë rreth dhjetë vjet më të rinj se ai, por nuk ishte kjo arsyeja që rrinim dhe e dëgjonim me orë të tëra, pa e ndërprerë. Paradoksalisht, historitë e viteve të tij të burgut i bënin më njerëzore mbrëmjet tona të varfra, ato mbrëmje të largëta, rrotull një shisheje rakie të bërë vetë…

Mua më preknin së tepërmi edhe rrëfimet e tij të shkurtra, për vitet e internimit, që regjimi i kishte rezervuar menjëherë sapo doli nga burgu. Tregonte aq bukur sa ndjeja një lloj keqardhjeje që nuk kisha qenë edhe unë i internuar, të paktën për disa muaj. Aq gjë do të mjaftonte të më jepte një imazh timin, që do të më nxirrte nga galeria e anonimëve, në jetën e të cilëve nuk ndodh asgjë. E njihja atë shprehjen e Biblës: shumë të ftuar e pak të zgjedhur, por e ndjeja se bëja pjesë te ata që as ishin ftuar e as ishin zgjedhur ndonjëherë… Çdo gjë ka një çmim dhe unë me sa dukej, unë nuk kisha qenë asnjëherë i gatshëm të paguaja ndonjë qindarkë.

Më kanë mbetur në mend edhe rrëfimet e tij për ato vajza të bukura yll (gjithmonë të tilla, sikur shëmtia kishte frikë t’i afrohej), për mësueset, ekonomistet, por edhe për ato fshatarkat e lezeçme, që i afroheshin tinëz gjatë viteve te internimit dhe i shprehnin mirënjohjen për kënaqësinë që u kishte dhënë me poezitë e tij të mrekullueshme, kenaqësi që ishin të gatshme ta zgjatnin, kur të dëshironte ai…

Mua, për të cilin ai besonte se kisha një të ardhme të shkëlqyer letrare (dhe gjej rastin të shpreh keqardhjen që e zhgënjeva), mua ai më tregonte edhe subjektet e romaneve që kishte në dorë, por ndryshe nga poezitë, të cilat m’i lexonte me një zë pëshpëritës, duke pirë kafe, romanet nuk m’i rrëfente as si subjekt : kufizohej me idenë e tyre. Më dukeshin me të vërtetë mahnitës.

Kur komunizmi u zhduk nën tokë, si ajo stihia e përrallave, ne më shumë se sa për veten tonë menduan se tani kishte ardhur dita e mikut tonë disident. Dhe ç’është e vërteta ai nisi të botonte një libër në çdo gjashtë muaj. E megjithatë, për tmerrin tonë, nuk dëgjuam ndokënd të flasë për të. Gjithnjë vazhdonte të flitej për shkrimtarët e afirmuar me kohë dhe për disa poetë e poetesha të reja, por jo për mikun tonë.

Në ato kohëra më lindi ideja të përgatisja një libër me bisedat e fshehta që kisha patur me të gjatë viteve të diktaturës. Mendoja se do të qe një mënyrë e mirë për të ndriçuar dhe bërë më të kuptueshme disa pjesë të krijimtarisë së tij. Veçse kur ia shpreha këtë ide një botuesi, ai ngriti supet duke thënë se nuk e kuptonte se çfarë ishte e pandriçuar në krijimtarinë e mikut tim. Madje ajo ishte krejt e tejpashme.

Më revoltuese ishte kur kritiku L. Karamitro, duke folur për nja dhjetë prozatorë njëherësh, u ndal më fort te krijimtaria e shkrimtares Veronika H., ndërsa për veprën e mikut tim la te kuptohej se i njgjante krijimtarise së atyre të sëmurëve me tuberkuloz, që shkruajnë për rrezet e diellit (zakonisht me to krahasojnë flokët e vajzave), për vazot me lule, petalet e bukura dhe gjithçka që mungon në një sanatorium. Që prej asaj kohe mua nuk më mbeti veçse një inat hakmarrës dhe me kënaqësi të ligë përfytyroja si do të ndiheshin të turpëruar të gjithë atëherë kur bota do ta zbulonte artin e tij të vërtetë.

Mbaj mend se nja dy ditë pas atij artikullit të mësipërm ai më telefonoi në mesnatë dhe për herë të parë më foli për dy poetë të rinj, që ndryshe nga ai, nuk kishin patur fatin të dilnin të gjallë nga burgjet e regjimit komunist. E trishtueshme, i thashë, tepër e trishtueshme. Nuk është e trishtueshme tha ai, është revoltuese. Dhe tha diçka që nuk e besova menjëherë. Në procesin e tyre, ishte ngatërruar edhe Veronika H.

Disa javë radhazi disidenti im m’u duk me të vërtetë i sfilitur nga një brengë që e mundonte së brendshmi. Së fundi ai e ndau mendjen dhe shkroi me një ashpërsi të paparë kundër Veronika H. Unë jam i bindur se vetëm njerëzit e mëdhenj kanë një zemërim të tillë të shenjtë.

Që nga ajo kohë e për vite me radhë, artikujt e tij binin si breshër mbi Veronika H. Në të vërtetë mua ato më ngjanin si shiu në kurriz të patës, sepse ajo botonte çdo vit nga një roman, përkthehej në gjuhë të ndryshme dhe fitonte çmime nga më të mirët, por një natë (në mesnatë si zakonisht dhe, për këtë shkak ai qe shndërruar në makth për time shoqe) disidenti im më telefonoi dhe më siguroi se kishte të dhëna të sigurta se Veronika H. ishte bërë depresive dhe në një rast kishte tentuar t’i jepte fund jetës së saj. Arti nuk pëson ndonjë humbje, tha ai si për të më qetësuar mua, po qe se ajo kalon në akt. Ti e di, regjimit i duheshin disa shkrimtarë dhe shtypi e kritika sajuan disa të tillë. Po të vrasë veten ajo do të thotë se e ka vrarë një krijesë artificiale.

Para se te ulte dorezën më njoftoi se kishte vendosur të konkurronte për çmimin Kallamari me sërma, që shpërndahej çdo vit për veprat më të mira kombëtare nga Ministria e turizmit dhe mbrojtjes sociale. Në mendje kam edhe telefonatën e tij të dëshpëruar mesnatën tjetër (nuk e di një javë a dy më pas), kur më njoftoi se kishte dëgjuar se kryetare e komisionit që caktonte çmimin në fjalë ishte pikërisht Veronika H.

Kësaj i thonë të të gjuajë perëndia me gurë, thashë me vete, i bindur se përpara kisha një natë që do ta kaloja pa gjumë. Ishte një nga ato goditje që të shtynë drejt përsiatjeve filozofike. Pra, thashë me vete, ka nga ata që perëndia nuk i fton ndonjëherë, të tjerë që i fton por nuk i zgjedh, ka akoma nga ata që as i fton e as i zgjedh, por ka edhe të tjerë që sapo i sheh, ajo tërbohet dhe nis e i qëllon me gurë, si t’i kishin ngrënë bukën.

Ishin plotësuar të gjitha piperosjet e duhura, që jo vetëm ai, por edhe unë të bëhesha alkoolik. Dhe kisha filluar t’i jepesha fetarisht atij vetëndëshkimi, kur pak javë më pas ai më thirri urgjentisht në një takim te kafe Evropa, gjë që më habiti sepse qe fjala për një vend të preferuar takimi të mjaft poetëve, gazetarëve e kuadrove të njohur të regjimit të vjetër. Sapo më njoftuan se për këtë vit Kallamarin me sërma e kam fituar unë, më tha ai, duke bërë sikur nuk e vuri re qortimin tim për vendtakimin që kishte zgjedhur. Ndjeva lotët që më mbushën sytë dhe ktheva kokën të shoh rrotull, për të fiksuar cili ishte i pranishëm çastin e marrjes së atij lajmi. Më në fund komunizmi me sa duket ra, thashë me vete.

Në darkë lajmi gjëmoi në të gjitha ekranet e televizorëve dhe për çudi une ndieva se kisha humbur mikun tim. Që nga ajo ditë ai ishte ftuar kudo nëpër biseda e intervista dhe unë kisha mall për ato telefonatat e tij në mesnatë. Madje edhe time shoqe. Një ditë munda ta kap në telefon, por qe e pamundur ta shkëpus për një kafe, madje as te kafe Evropa, që thuhej se ishte bërë vendi i tij i parapëlqyer. Më tha se ishte duke lexuar librin e fundit të Veronika H. dhe me të vërtetë ishte i bindur se kishte të bënte me një shkrimtare serioze, madje e madhe. I vinte keq qe nuk e kishte njohur më parë. Kaq dhe deshi ta mbyllë, por duket kuptoi diçka nga heshtja ime. Degjo, më tha, e di se çfarë mendon. Veçse duhet ta dish se kohët e fundit kane dalë dokumente që vërtetojnë se ata të dy në të vërtetë janë dënuar jo për shkak të poezive të tyre, por se kishin djegur mullarët e fshatit a diçka të tillë. Ti e di, për këto punë nuk të falin as në Amerikë.

Dhe ma mbylli telefonin.

Unë vazhdova ekzistencën time të vogël i sigurtë se për mikun tim tani kisha mbetur një kujtim i zbehtë i viteve të shkuara. Nuk shiheshim më, thoshte se ishte i zënë dhe kjo mund të qe e vërtetë.  Tani ishte zgjedhur ne krye të një shoqate shkrimtarësh. Ai çmim atij i kishte dhënë një ekzistencë të re. Mbase atë për të cilën kishte ëndërruar gjithë jetën.

Kur po mendoja se kishte ardhur koha që edhe unë ta cilësoja veten burrë dhe guxoja e të verfikoja gjeometrinë e moralit tim dhe të të tijit, u rrëqetha kur pashë mikun tim të dilte në një gazetë qendrore të Tiranës me një artikull, ku në emër të shoqatës së tij, propozonte shkrimtaren Veronika H. si kandidate të çmimit Nobel.

Mbaj mend që shumë vetë mbetën të shtangur nga një propozim i tillë, të tjerë qeshën, se e dinin se nuk është kjo procedura që ndiqet, të tjerë që nuk po kuptonin asgjë se çfarë po ndodhte e të tjerë akoma që thanë se të paktën ai të kishte gjetur dikë tjetër për të shpallur idenë e tij të shkëlqyer.

Kjo duket e revoltoi së shumti atë, sepse artikulli i parë u pasua nga të tjerë, me të cilët ai kamxhikonte ata që nuk arrinin të kuptonin vlerat e vërteta te kodeve morale që fshiheshin në veprën e Veronikës. Unë e ndjeva se isha bërë njeri shpirt vogël, kur në mendje djallëzisht më lindi ideja se e gjithë kjo zhurmë idiote bëhej me qëllim që vitin e ardhshëm të ishte Veronika H. që do të bënte të njëjtin propozim për të. Edhe ideja e të qenit kandidat për çmimin Nobel automatikisht do ta ngjiste atë në një rang fjala vjen me …Kadarenë. Kandidat unë, kandidat ti!

Dhe kur ai e merrte një çështje për zemër, në sy i përshkëndiste një zemërim i shenjtë. Diçka dija që më parë për një gjë të tillë.

p.s. Përkimi me ngjarje dhe njerëz reale mund të mos jetë krejt i rastit.

Nuk ka komente

  1. pèrkimi me persona tè vèrtetè nuk èshtè i rastit … unè dallova D. C. dhe Z. M. .. I dyti nuk èshtè mè midis tè gjallève.

    1. Le të respektojmë privatësinë e njerëzve, ju lutem. Nuk na ka hije të merremi me identifikime.

  2. Meqenese referencat jane te tejdukshme, duhet thene se aluzionet e bera ne paragrafin e fundit jane pothuaj qesharake.
    Veteironia ne dukje krejt e pafajshme, fatkeqesisht i ngjan per se tepermi avazit, doni me per belulin, per mos thene qe eshte nje larje hesapesh per fyerjen qe Poeti te paska bere ne gjallje.
    Pastaj keto historite me Nobel jane merri me leng, tamam ushqim per mediat e cakerdisura shqiptare.

    1. Keto historite me Nobel jane merri me leng, thote Fort-i. Ne fillim edhe une ashtu mendova, por dikush me kujtoi se nje propozim i tille eshte berë, sado e pabesueshme dhe qesharake te duket.

      1. Ja dhe alibia e radhes: Te ndaj autorin nga tregimtari, sidomos kur personazhet jane krejtesisht reale. OK, po i ndaj. Ti duhet te jesh tregimtari, autori dikush qe ta ka shitur ty historine ose thjesht ta ka peshperitur, meqe mesa del me lart ka qene natyre friksi. E vetmja gje qe mbetet mister eshte ku eshte qellimi i ketij i shkrimi: gjyq ndaj nje te vdekuri? Po ku ishit ju kur beheshin keto debate ne publike disa vite me pare?

        Perfundimisht Lyss, nuk ka gje me te trishtuar per lexuesin kur zbulon pertej nje shkrimi xixellues doren e nje burracaku.

  3. Mirepo “Veronika vendos te vdese” ! Por jo, ja qe ne fund nderhyn Pal Koelja dhe e shpeton.

    Di dhe une nje histori me nje tip qe ka pushkatuar s’di sa e sa shkrimtare, Nasil e quajne. Nuk e kam takuar asnjehere, megjithese ia di bemat qe nga larg. Nasili eshte nje dem i vertete, s’ia ben syri terr, ska vigan qe ia shti friken.

    Edhe Nasili ine eshte goxha i madh ne keto komisionet tona, jep e shperndan fletushka, flet para mikrofoneve, i lier e i ngjier spic, Nasili eshte me te vertete figure.

    Por s’kam ndermend ta tregoj historine e Nasilit se eshte histori e gjate, dhe teper teknike. Nejse, Veronika duhet te jetoje !

  4. Meqe ra fjalan kur je person publik dhe je shprehur neper gazeta te shperndara ne mijra kopje atehere edhe vete largimi nga kjo bote nuk mund te perdoret si imunitet parlamentar per te mos kujtuar pakez ato gjera absurde qe dikur u shprehen aq hapur e duke shperfillur nje opinion te tere.

  5. Nuk eshte ngjarje fort e larget dhe te gjitheve na kujtohet se nuk pati ndonje debat, te pakten nuk u fol per anen komike te problemit, u fol nese behen a nuk behen propozime te tilla dhe nese behen, kush ka te drejte t’i beje.

    Mua nga e gjithe ajo histori me ka mbetur ne mendje ideja se problemi me i madh i shkrimtarve te asaj toke nuk eshte niveli i ulet, por morali i dyshimte.

  6. Nuk besoj se Lyss ka hallin e personazheve, me inciale ose jo, te gjalle a te vdekur. Aq me pak ka nder mend te nxjerre inate me ta.

    Shkrimi ka lidhje me hipokrizine e njerzve, moralin e dyshimte te tyre, qofshin ata persekutore a te persekutuar. Dhe me zhgenjimin e pales se trete.

    Nese nuk e ke ndjere ate lloj zhgenjimi vete, nuk eshte cudi qe te kepusesh dokrra si ato te Fortit, se te mungon referenca, andaj s’kupton sec flitet.

  7. Mbrojtje shume e dobet. Morali i dyshimte i kujt? I atij qe çka mendoi e shkroi publikisht, mire apo keq, nen emrin e tij apo i ketij qe fshihet pas pseudosh per te bere moralistin si kofini pas te vjeli…
    e kupton o LG, cfare qytetarie ka media jone ? Le me letersia si ky lloj tregimi qe u hidhet si cope mish minihijenave te blogosferes per tu eglendisur ca kohe…

    ky lloj morali per mua eshte skandaloz, jo i personazhit ne fjale.

  8. Ky nuk eshte debati im, por edhe mbrojtja e Fortit me nder mban pak ere. Meqe ai i personalizon a kerkon vete t’u japë emer konkret personazheve atehere më burronre do te ishte te thote : Nuk eshte e vërettë se Poeti nuk ka akuzuar Veroniken, nuk eshte e vertete se Veronika ishte kryetare komisiont atë vit qe Poeti mori çmimin dhe nuk është e vërtete se Poeti ka propozuar Veronikën per çmim Nobel.

    Meqe nuk je ne gjendje ta besh kete, Fortis, sepse hominis volant scripta manent, atehere mos u bej qesharak me mjaullima te tilla!

    1. Qato, here pas here dil nga dhoma, derman, qe te kuptosh qe jo te gjithe hane hudhra tre here ne dite. Sa per argumenta kodra pas bregut, jemi deri ne fyt me keta qe jane pjese e debatit, imagjino po te shtohen dhe ca si ty qe vijne per te dredh zinxhirin.

  9. Me sa po kuptoj ky poeti ketu ka pak interes qe vepra e tij t’i shqyrtohet duke i shpalosur pak edhe jeten, siç shpjegon xhaxhai te tema tij Atribuime

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: