PËSHTYNI PËRTOKË

Autoritetet bashkiake në New York po shqyrtojnë mundësinë që ta ndalojnë duhanin në disa vende publike, si p.sh. në parqet e qytetit dhe në plazhe.

Meqë histeria anti-duhan i ka dalë duarsh arsyes prej kohësh, ka të ngjarë që edhe ky propozim të miratohet, së bashku me një rritje të re të çmimit të cigareve.

Kush shëtit trotuareve të midtown-it, në Manhattan, gjatë ditëve të javës, nuk mund të mos habitet me të gjithë ata qyqarë që thithin tym si të ndërkryer, para se të kthehen në foletë e tyre lart në pemët prej betoni (gli alberi di trenta piani, siç i quante një i lashtë).

Natyrisht, jo çdo trotuar mund të përdoret për këtë lloj dhunimi të etiketës: disa kompani nga më prestigjiozet nuk të lejojnë t’ua ndezësh cigaren afër hyrjeve kryesore të ndërtesës.

Duhanxhinjve një ditë prej ditësh do t’u mbeten vetëm kolonat e mbikalimeve rrugore, gërmadhat e godinave të shkrumbuara (ground zero), ndërtesat e braktisura, ose hapësirat e askujt, për ta ushtruar vesin e tyre në paqe.

Ironikisht, bash këto ditë lexoja rastësisht në një libër të shkruar në vitet 1980, ku autori ankohej se nuk duronte dot kur pacientët pinin duhan, në sallën e pritjes të një klinike ambulatore.

Sa përpara ka bërë njerëzimi që nga ajo kohë!

Një paketë cigaresh sot në New York kushton rreth 11 dollarë; me të ardhurat shtesë, bashkia e qytetit mund të paguajë një polici të rregullt duhani, e cila të financojë vetveten me gjoba të mëtejshme, madje t’i teprojnë pará edhe për të mbajtur ndonjë polici tjetër, p.sh. të kolesterolit, ose të pijeve të gazuara.

Paradoksalisht, vizitori naiv i qendrës së New York-ut (where the streets have no name) do të krijonte idenë se ky është qyteti ku pihet më shumë cigare në botë; për shkak të atyre dhjetëra mijëra duhanxhinjve të zbarkuar në trotuaret, shumica vajza dhe gra të cilave ende u merren mendtë prej ashensorëve të shpejtë.

Ka edhe më: në disa pallate banimi (billdingje, siç i quajnë shqiptarët e këtushëm), pronarët kanë vendosur tashmë ta ndalojnë duhanin në të gjitha apartamentet; me pretekstin se disa banorë janë ankuar se u hyn në shtëpi tymi i cigareve që pihen e shijohen në apartamente të tjera.

Këtu ka një të vërtetë: unë, bie fjala, gjithnjë mund të them me saktësi se çfarë po gatuan plaka në apartamentin ngjitur me timin, meqë kuzhinat tona komunikojnë nëpërmjet vrimave të ajrimit, si të ishim në ndonjë nëndetëse (ose pasagjerë në klasën e tretë të Titanikut).

Meqë flasim për mjete transporti, kam lexuar diku që cilësia e ajrit në avionët e pasagjerëve ka ardhur duke u ulur në mënyrë alarmante, qëkur u ndalua rreptësisht duhanpirja në kabinë; tani që ajri në avion nuk mban më erë tym, kompania ajrore mund të vendosë ta riciklojë më shpesh e më gjatë, për të kursyer energji, se ashtu shpëton edhe planetin.

Gjithsesi, ndalimi i duhanit në vende “publike” pajtohet për bukuri me medikalizimin e jetës sociale; askush nuk ka të drejtë të shkurtojë jetën e të tjerëve, duke u dërguar entropi drejt e në alveolat e mushkërive të tyre aerobike.

Sikurse askush nuk ka të drejtë të dëmtojë veten, së paku në sy të të tjerëve.

Vetëvrasja dënohet, madje edhe kur konsumohet me ngadalësi prej kërmilli.

Më anë tjetër, një nga gëzimet e jetës në qytetin e madh është liria kaotike e qendrës, e cila e ruan gjithnjë një element prej karnevali – të përforcuar edhe nga reklamat me ngjyra, artistët improvizues, të pastrehët gjithfarësh, turistët me gjithfarë hartash, daullexhinjtë, aktivistët, portretistët, predikuesit e marrë dhe të tjerë banorë të intersticeve.

Kohët e fundit, kësaj liste i janë shtuar edhe duhanxhinjtë korporativë, ose proletarët e epokës së kompjuterit, të cilët përndryshe e kalojnë jetën në kubikë prej kompensate, të rrjetëzuar së bashku në network.

Pse pikërisht trotuari? Sepse trotuari është e vetmja hapësirë e lirë që ka mbetur – në rrethanat kur rrugën e ka pushtuar makina, ndërsa baret dhe restorantet dhe kafetë dhe libraritë mbeten off-limits për një kategori qytetarësh të varësuar pas nikotinës.

Vëreni këtu përdorimin që po i bëhet hapësirës publike: jo më si vend takimi, shkëmbimi, komunikimi, proteste – por si vend për të konsumuar vesin ose inferioritetin ose sakatllëkun kulturor – diçka e ngjashme me një këmbë ure ose rrëzë muri ku mund të urinosh lirisht; ose një gropë e rastit, ku mund ta hedhësh më në fund pështymën e grumbulluar prej kohësh.

Krahasimi me koshin e plehrave imponohet vetvetiu; sepse, ndryshe nga ç’mund të mendohet, koshi i plehrave i ka të gjitha karakteristikat moderne të hapësirës publike: nuk ankohet, nuk tutelohet, nuk disiplinohet nga askush. Si emërues i përbashkët është kaq tolerant, sa pranon edhe zeron.

Kush e kalon verën i kapur rob në ndonjë metropol si New York-u, do të ma qajë hallin. Ti rri pret trenin në një stacion të nëndheshëm metroje që gulçon si gjyryk, së bashku me qindra bashkëvuajtës të tjerë; në stacion duhani është rigorozisht i ndaluar, por përndryshe atmosfera i ngjan më tepër rrathëve të ferrit të Dantes, në mos për nga larmia e miletit, të paktën për nga temperatura.

Pas pak mbërrin treni ngeshëm; hap dyert dhe lëshon, për një çast, dritë të bardhë verbuese, të freskët si qumështi i skremuar; së bashku me ajër ujë të akullt, që brenda vagonave; por kjo zgjat vetëm një grimë, meqë pastaj e mbyt duhma e nxehtë prej kondicionerëve, që vjellin në hapësirën e stacionit krejt nxehtësinë prej së brendshmi, së bashku me djersët, gromësimat dhe parfumet e vjetruara të udhëtarëve.

Lart, në mexaninë, deri edhe kabinat e shërbimit e vjellin ajrin e nxehtë në hapësirën “tënde”.

Edhe më lart akoma, në trotuar, avulli përvëlues derdhet prej rrokaqiejve si për të të gatuar; gjithë freskia private të shfaqet ty, kalimtarit, si përvëlim. Autobusat dhe veturat që kalojnë me zallahi të madhe, të hedhin zheg të padurueshëm fytyrës, teksa e mbajnë mjedisin brenda pothuajse frigoriferik; pa zënë në gojë pisllëkun akustik. Shto më në fund ventilatorët e gjellëtoreve që flakin në rrugë aroma dhe kutërbime, herë të mira e herë të pamira, peshq të fërguar, petulla, sallo derri, kocka të përzhitura, kafe të zezë të lëtyrshme; që tjetër gjë s’janë, veçse plehra olfaktive.

Guxo pastaj të ecësh rrugëve tërthore, atyre me numra, qoftë edhe në zemër të midtown-it, në mbrëmje ose natën vonë; i rrethuar nga pirgjet kutërbuese me thasë të zinj plehrash, mbushur me kufoma anonime të ditës që sapo kaloi, viktima të ndonjë epidemie tashmë rutinë.

Askund nuk kam përjetuar kontrast të tillë si ai në Herald Square; ku mjerimi urban, glasat e pëllumbave, karrocat e të pastrehëve, koshat gufmues me gota prej letre dhe shishe plastike, asfalti i spërkatur me miliona njolla çamsakëzi të nxira katran gjëllijnë krah për krah me mjediset kristaline të Macy’s-it e të Manhattan Mall-it, ku edhe spontaneiteti është i studiuar në çdo detaj.

Shpesh më qëllon të shoh ndonjë nga shitësit e Macy’s-it (salesperson), të veshmbathur me uniformë rigoroze, që tymos me ngut të pashembullt cigaren e radhës duke shtrënguar me njërin grusht çakmakun ngjyrë trëndafili, me tjetrin celularin (gjithashtu ngjyrë trëndafili); në kapërcyellin midis dy hapësirave, ose në trotuarin varur pezull midis parfumeve dhe neonit brenda, pisllëkut dhe ngordhësirës përjashta; dhe më duhet ta pranoj se imazhi që më vjen në mendje, është ai i një majmuni të stërvitur mirë.

E nisa këtë shkrim me duhanin; por ky nuk është shkrim për duhanin. Unë duhanin nuk e pi, e kam lënë prej kohësh; por kur shoh si një qytetërim i tërë, i dehur në hipokrizi, i përdor duhanxhinjtë për të konfirmuar virtytin e vet urban, ose përkushtimin ndaj pastërtisë dhe shëndetit, më vjen ta nis duhanin përsëri.

Mënyra si po trajtohet duhanxhiu i sotëm më jehon brenda kokës si këmbanë alarmi; sepse sinjalizon një dëshirë, në vetvete fashiste, për të kontrolluar dhe disiplinuar hapësirën publike; ose, në pamundësi për ta arritur këtë kontroll, për ta shtyrë hapësirën publike në skajet, në periferitë e vetëdijes urbane, në një zonë të rrezikshme, ku mungesa e disiplinës rimon me mungesën e rendit publik.

Me sa duket, për administratorët e metropoleve të sotme, hapësira mirëfilli publike ose vendi gjeometrik i ushtrimit të lirive qytetare, është katandisur tanimë në kosh plehrash: vërtet të dobishëm, por përndryshe për t’u shmangur.

Për ekuilibrin midis rendit publik dhe lirisë së individit nuk pyet më kush (tek e fundit, do të vijë dita kur duhan do të mund të pihet në Facebook vetëm).

Se ç’pasoja sjell kjo për komunitetin, jetën politike, komunikimin dhe eksperiencën metropolitane, këtë po ia lë, hë për hë, përfytyrimit të lexuesit.

Nuk ka komente

  1. Sa here qe mengjesi me fillon me zymti gjithmone i kthej syte me shprese tek “Peisazhe te fjales”, se mbase gjej aty nje fije drite qe te me ndihmoje ta kaloj edhe kete dite. Dhe ja sot, nje nga ato shkrime qe me detyrojne te mos e largoj buzeqeshjen gjate dites, dhe qe nje here akoma i detyrohem xhaxhait.
    Une nuk jetoj ne New York, qe perndryshe e vizitoj shpesh, sepse here pas here kam nevoje per rremujen e New Yorkut, dhe nuk kam arritur ta shoh ashtu aq te detajuar, me syte e xhaxhait, aq real, aq te frikshem, aq tolerant dhe smirezi – ndaj duhanxhinjve – qe perndryshe arrij ti permbledh te gjithe ne nje kategori – te harruar, te lene pas dore, te shfrytezuar, te lashte, dhe mbi te gjitha super cool!!

  2. Juve qe s’pini duhan e keni kollaj te beni shakara. Hajdeni flisni me rreth 50 milione duhanpires ne SHBA vetem. Sipas statistikave te fundit, numri i duhanpiresve nuk ka rene qe nga 2004, lekundet tek 20% e popullsise. Ma merr mendja ne Europe edhe me i larte duhet te jete numri. Por persekutimi s’ka te ndalur! Dhe askush nuk guxon te ngreje zerin, sepse duhanpiresit jane me keq se leprozet dikur. Presim te na linde Martin Luther King dhe te shohe ndonje enderr!

    Ne NY u fol edhe para ca vjetesh per ndalimin e duhanit brenda apartamenteve, por me duket se u hodh poshte ne gjykate me qe cenonte privacine.

    Parku dhe trotuari eshte disi problematik, sepse ne te kalojne jo vetem te rritur, nga ata qe votojne per persekutimin e duhanpiresve, por edhe femije. Nuk vete te tymosesh duhan kur shikon kalamaj qe luajne prane. Nuk ka nevoje per ligje e rregulla per pak njerzillek.

    Ne nje aeroport ne Europe kam pare nje kabine qelqi, vendosur mu ne mes te nje bari/restoranti, ku mund te hynin dhe te pinin duhan mileti. Tamam si ne nje kafaz ne kopshtin zoologjik. Sa e pashe, bera be me vete qe nuk shkel me ne ate aeroport, por per dreq ja harrova emrin (nese e ka pare njeri tjeter, ju lutem me thoni cili aeroport eshte.) Ne aeroporte te tjera kam pare dhoma te posacme ku mblidhen duhanxhinjte, por nuk di per c’arsye pikerisht ato dhoma kane nje ventilim te mjeruar. Teknologjia qe ftoh e ngroh ndertesa te shtrira ne hektare toke, nuk ventilon dot sic duhet nje dhome te vetme.

    Ndalimi i duhanit ne vende publike nuk ka asgje te keqe, eshte ca inkonvenient per duhanpiresit, por nuk eshte ndonje qamet. Teprimi vjen kur kerkon ta mohosh fare ekzistenecen e tyre, dhe as nuk e vret mendjen te krijosh mjedise alternative, ku te gjithe te jene te kenaqur pa demtuar e bezdisur njeri tjetrin. Ka nje logjike fare naive ne kete mes “le te mos pine duhan.” Dhe me shume ulerijne ata qe e kane pire dhe e kane lene! Kam frike se shume shpejt duhani do dali jashte ligjit, do behet si drogat. Eshte rruge me e shkurter sesa te mundohesh te krijosh kushte humane per duhanpiresit.

    Ajo policia e kolesterolit dhe e fruktozave mos ju duket dhe aq cudi! Se po afrohet dita qe kompanite e sigurimeve shendetesore te bejne per ushqimet te njejtin presion qe bene mbi FDA dhe publikun per duhanin. Dhe po e shohim rezultatin. Nuk eshte kot gjithe kjo zallamahi per obesitetin, ushqimet etj. Ka filluar ta ndjeje industria e sigurimeve efektin, dhe ka filluar presioni ….dhe si perfundim do mblidhen duhanxhinjte dhe obeset bashke neper kampe ose do i futen trafikut ilegal te duhanit dhe cokollatave.

  3. “Vëreni këtu përdorimin që po i bëhet hapësirës publike: jo më si vend takimi, shkëmbimi, komunikimi, proteste – por si vend për të konsumuar vesin ose inferioritetin ose sakatllëkun kulturor (…)

    Krahasimi me koshin e plehrave imponohet vetvetiu; sepse, ndryshe nga ç’mund të mendohet, koshi i plehrave i ka të gjitha karakteristikat moderne të hapësirës publike: nuk ankohet, nuk tutelohet, nuk disiplinohet nga askush. Si emërues i përbashkët është kaq tolerant, sa pranon edhe zeron.”

    Ne te dyja anet e boshtit te simetrise simbolike, pjeset e krahasimit “hapesira publike /si/ kosh plehrash”, bashkepunojne progresivisht edhe pertej ketij teksti, te cilin e lexova dy here.

    Per shembull, ne qytetin ku une jetoj, frika nga atentatet terroriste, ka bere qe autoritetet bashkiake te vendosin tashme neper rruge kosha transparente plehrash, (qese te medha plastike, tendosur ne gryke) ku cdo objekt i dyshuar si bombe do binte lehtesisht ne sy, nga cdo vezhgues, bile edhe nga kamerat qe vezhgojne vezhguesin. Pra edhe nje virtyt tjeter te hapesires publike sot, supersurvejimin, (“pranimin e zeros”) e sjell natyrshem struktura e metafores se koshit.

    Vras mendjen nese ndonje zhvillim i ardhshem i koshit te plehrave mund ta mbarte ende me shume hapesiren publike brenda.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin