DHËNDURËT E PLURALIZMIT

Vende dhe kultura me tradita pluraliste, liberale dhe demokratike, e organizojnë debatin dhe në përgjithësi konfliktin politik rreth çështjeve të konsideruara si me rëndësi parësore për publikun, shtetin, institucionet, fatet e vendit, ekonominë, politikën e jashtme e kështu me radhë.

Kush e ndjek politikën në ShBA, do ta ketë vënë re sa i mprehtë është aty debati dhe sa i polarizuar opinioni publik për çështje të tilla si ndërhyrja amerikane në Lindjen e Mesme, investimet publike dhe taksat, sigurimet shoqërore dhe sistemi shëndetësor; por edhe për çështje më soft, të natyrës kulturore, si raportet e fesë me institucionet publike, marrëdhëniet me pakicat e ndryshme, e drejta e gruas për të abortuar.

Këto debate nuk kanë rëndësi pse polarizojnë ligjëratën publike; por sepse nëpërmjet tyre riprodhohen palët në komunikimin politik, i cili nga njëra anë luhatet mes skajeve të marrëveshjes dhe të mosmarrëveshjes, por nga ana tjetër i ofron shoqërisë sistemin shumëpartiak, duke ndihmuar drejtpërdrejt në konstituimin dhe mirëmbajtjen e elementeve të këtij sistemi.

Një demokrat, në ShBA, identifikohet jo si “njeri i Obamës”, por si dikush që ndan, me shumë demokratë të tjerë, bindje dhe pasione të ngjashme, për mënyrën si duhen zgjidhur çështjet madhore të politikës amerikane: për shembull, duke shtuar investimet publike, përmirësuar mekanizmat e amortizimit social dhe të ndihmave për shtresat e nënprivilegjiuara, forcuar tolerancën ndaj diversitetit në institucionet e në jetën sociale, e të tjera të ngjashme.

Partitë politike, të mëdhatë dhe të voglat, u referohen natyrisht traditave të tyre ndonjëherë shekullore, por në rrafshin bashkëkohor koagulohen jo rreth personaliteteve – të cilat megjithatë nuk u mungojnë – por rreth çështjeve që formulojnë dhe zgjidhjeve që i sugjerojnë publikut, konstituentëve dhe mbarë vendit.

Me mendje të ftohtë, një sistem i tillë duhej pritur, së paku në vija të trasha, edhe në Shqipërinë e pas vitit 1990; sa kohë që, çfarë e solli përmbysjen e komunizmit, mes të tjerash, ishte edhe dëshira e njerëzve për pluralizëm, në të gjitha fushat: politikë, ekonomi, kulturë. Për fat të keq, në fund të viteve 1980, dëshira e papërballueshme për pluralizëm u materializua kryesisht si kërkesë për lejimin dhe nxitjen e pluri-partitizmit; me shpresë se shumë parti do të ushqenin vetvetiu një dialektikë të komunikimit politik të mbështetur në pluralitetin e zgjidhjeve të ofruara.

Njëzet vjet më pas, si pa u kuptuar, ajo dëshirë amorfe e atyre viteve është mpiksur tashmë, duke përftuar masën e madhe, të rëndë dhe mbytëse, të partitokracisë – e cila në thelb nuk i shërben më publikut, por vetë partive, në metamorfozën e tyre si institucione grykëse për pushtet dhe të pavarura nga interesi publik.

Natyrisht, politikës shqiptare nuk i mungojnë çështjet e mëdha, rreth të cilave duhej të organizohej më parë debati politik dhe më pas vetë palët konstitutive të sistemit pluralist. Të tilla do të ishin, bie fjala, shkalla e privatizimit të ekonomisë, borxhi publik, pronësia mbi tokën, kontrolli i emigracionit të brendshëm dhe të jashtëm, investimet publike, kriza në sektorin e shëndetësisë, arsimi publik dhe privat; ose, në politikën e jashtme, marrëdhëniet me Europën e Bashkuar, pjesëmarrja ushtarake në operacionet e NATO-s, marrëdhëniet me Kosovën, marrëdhëniet me fqinjët në Ballkan.

Në rrethana normale, palët politike do të diferencoheshin nga njëra-tjetra pikërisht duke u ofruar zgjidhje të ndryshme këtyre çështjeve madhore: p.sh. njëra palë do t’i kundërshtonte universitetet private, një palë tjetër do t’i mbështeste; njëra palë do të kërkonte investime në transportin publik, një tjetër në autostrada dhe parkime; njëra palë do t’i kundërvihej shitblerjes së tokës, pala tjetër do ta nxiste; njëra palë do të kërkonte forcim të marrëdhënieve me ShBA, pala tjetër do të kërkonte përkundrazi, që t’i jepej përparësi Europës, e kështu me radhë.

Kështu, me kohë do të përvijoheshin, në arenën e komunikimit dhe të veprimit politik, parti politike të identifikueshme jo nga njerëzit që kanë në krye, por nga filozofia politike që i frymëzon.

Por çfarë ndodh në realitet? Ndodh pikërisht e kundërta: çështjet madhore ekzistojnë vërtet, por debat rreth tyre nuk ka, sepse zgjidhjet jo vetëm ekzistojnë paraprakisht dhe nuk i vë kush në diskutim, por edhe trajtohen si të paprekshme, a si të ishin tabú; ndërsa konflikti politik, tepër i ashpër, madje artificialisht i ashpër, shtjellohet kryesisht rreth personave që kanë pushtet, për t’i rrëzuar nga kolltuku ose, sipas rastit, për t’i salduar atje.

Politika degradon kështu në politikë kuadri.

Dhe jo vetëm. Nëse debati ka për synim vetëm të kthjellojë ose, përkundrazi, të nxijë figurat dhe personalitetet e protagonistëve të jetës politike, me mënyra herë legjitime e herë jolegjitime, herë të qytetëruara e herë rrugaçe, kjo lë të kuptohet sikur perspektiva politike, ekonomike dhe sociale e Shqipërisë nuk është problem i shtruar për zgjidhje, por zgjidhje në pritje të personave që do ta zbatojnë, ose të princave që do ta marrin për nuse.

Kështu, nga njëra anë, përvijohet spektakli i pahijshëm i aktorëve të këqij në skenë, që hedhin e presin akuza mes tyre; më anë tjetër, kanoset pamja shqetësuese e një ligjërimi dhe procesi politik të zhveshur nga mendimi krijues, nga debati, nga pluralizmi i ideve.

Teksa palët kërleshen mes tyre për të provuar se kush ka vjedhur më shumë, kush ka kurvëruar, kush ka korruptuar dhe kush ka fyer mikun në sofër, publikut vjen e i krijohet bindja, në thelb e gabuar, se strategjia politike për Shqipërinë ekziston tashmë, si një e vetme dhe e padyshimtë; dhe se, çfarë mungon, janë veç njerëzit e përshtatshëm e të virtytshëm për ta zbatuar.

Mirëpo, e vështruar në mënyrë të tillë simpliste, kjo strategji politike, e konceptuar si bashkësi zgjidhjesh konsensuale të cilat pranohen – zakonisht pa vërtetim – si të vetmet të pranueshme për shoqërinë shqiptare, publikun, shtetin dhe institucionet, nuk mund të jetë veçse një formë rudimentare, pak a shumë beninje, e kombëtarizmit, e cila e mënjanon çdo lloj debati,  me argumentin herë naiv e herë hipokrit të interesit kombëtar.

Vetëm kështu mund të kuptohet pse palët në konfliktin politik pareshtur i drejtohen njëra-tjetrës me akuzat – në vetvete të ngjethshme – për tradhti kombëtare, për shitje të interesave, për thika pas shpine, për rroga të serbit dhe të grekut. Kjo kabaré akuzash ka mundur të ngjitet në skenat institucionale më prestigjioze të vendit falë idesë, të pranuar pa vërtetim, se interesi publik nuk është veçse emëruesi më i vogël i përbashkët i interesave individuale, ose një formë primitive, e pa-artikuluar, gjysmë-mitike dhe gjysmë-kitsch, e patriotizmit.

Përballë një spektakli të tillë absurd, teoricienët e komploteve do të nxirrnin sakaq përfundimin se zgjidhjet e politikës shqiptare, ose tabútë që nuk pranojnë asnjëherë debat publik, as lejojnë që palët të përvijohen në bazë të zgjidhjeve të ndryshme që ofrojnë, janë vendosur në të vërtetë tjetërkund, në kancelaritë e fuqive të mëdha, ose në zyrat e ambasadorëve në Tiranë.

Mirëpo realiteti ka gjasa të jetë ndryshe; dhe pikërisht që përmbysja e vitit 1990 të mos ketë qenë aq zëvendësim i monizmit me pluralizmin, sesa zëvendësim i totalitarizmit të djeshëm policor, maksimalist, puritan, ideologjik, me totalitarizmin mediokër të ideve të thjeshtuara, të truve të sheshuar ose të zgjidhjeve të gatshme, në pritje të problemeve. Duket sikur me një realitet të tillë janë pajtuar tashmë jo vetëm sharlatanët e politikës, ose të gjithë ata që shërbimin publik e përfytyrojnë veç si mundësi për të zhvatur të tjerët; por edhe të gjithë ata të tjerët, që përnjëmend duan të bëjnë diçka për zgjedhësit e tyre dhe shoqërinë shqiptare; sepse edhe këta të fundet duket se, në momentet e tyre më të sinqerta e të virtytshme, besojnë se Shqipërisë i mungojnë jo aq strategjitë dhe zgjidhjet, sesa personat që do t’i zbatojnë këto.

Mediat kanë pjesën e tyre në faj, sa kohë që, kur nuk merren me personat, familjet e tyre dhe klanet, jetët private dhe skandalet, kravatat dhe parfumet, i japin hapësirë të madhe ligjëratës kombëtariste soft, deri në atë shkallë sa të lejojnë që një pjesë e madhe e debatit që ende mbahet i hapur nga intelektualët e pavarur, analistët dhe opinionistët, e që nuk mund të kornizohet lehtë si debat midis “atyre të Saliut” dhe “atyre të Edit”, të ri-interpretohet e të ri-kornizohet menjëherë si debat mes atyre që ia duan të mirën shqiptarisë, dhe atyre që shqiptarisë të mirën nuk ia duhen. Pas pak, do të vijnë në vështrim greku dhe serbi, do të përmendet Turqia e kështu me radhë, derisa të gjithë pjesëmarrësit do të ulen për të pozuar me kostume kombëtare, si në fotografitë e Marubit.

Ky farë totalitarizmi soft, ose versioni ballkanik i fashizmit në kushtet e integrimit politik, ekonomik dhe social të Shqipërisë në organizmat dhe institucionet ndërkombëtare, e pranon me lehtësi privatizimin, Amerikën, NATO-n, bazën e raketave, TEC-in me teknologji të revolucionit industrial anglez, dhënien e koncesioneve gjithfarësh; çfarë nuk pranon, sepse nuk e pranon dot, është pluralizmi, ose barazia e zgjidhjeve të ndryshme, ndonjëherë të kundërta e të papajtueshme, për çështjet madhore të politikës.

Si askund tjetër, kjo varfëri idesh, kontributesh intelektuale dhe mendimi shpaloset në krejt mjerimin e vet gjatë debateve parlamentare – ose pikërisht aty ku, në rrethana ideale, duhej të përpunohej, të shtjellohej dhe të artikulohej mendimi politik shqiptar. Atyre happenings që ndodhin atje, e që përcillen pastaj të amplifikuara nga mass mediat anembanë, vetëm emri u ka mbetur debat; pjesëmarrësit duket sikur nuk kanë çfarë të diskutojnë më, përveçse të luajnë ping-pongun e mërzitshëm, dhe rregullisht të shtirur, të akuzave e të kundërakuzave të rënda, fyese, poshtëruese për zgjedhësit e tyre dhe institucionin vetë.

Për arsye të ndryshme, një nga mësimet e mëdha të këtyre njëzet vjetëve të fundit është se klasa politike shqiptare, nën drejtimin e parive përkatëse, e ka keqpërdorur institucionin e pluralizmit, duke e përçudnuar në partitokraci. Nuk di si mund të shpëtohet nga ky tumor politik, përveçse duke ripërmasuar – dramatikisht – rolin dhe prerogativat e partive politike në jetën e vendit dhe duke forcuar mekanizmat e pushtetit lokal, proceseve politike jashtëpartiake deri te mosbindja civile. Përndryshe, jo vetëm do t’ia hapim rrugën fashizmit, por edhe fashizmi që po ndjellim do na vërë të gjithëve në gjumë, me varfërinë skandaloze dhe ngushtësinë intelektuale të diskursit të vet politik.

Shënim: ky shkrim u botua në numrin e parë të Res Publica.

Nuk ka komente

  1. Fashizmi eshte rrugice qorre, realiteti shqiptar sundohet nga paraja. Fashizmi eshte doktrine etike e se perbashketes, dominimi i entit ne teresine e vet nga esenca e shtetit etik.
    Identifikimi i evokimit te tradites patriotike si fashizem nuk gjen konkretizim as horizontalisht e as vertikalisht, perkundrazi nese demokracia nder shqiptare mund te kerkoje ndonje tradite eshte pikerisht tek evokimi i tradites patriotike.
    Vetem tek ajo mund te gjenden njerez qe kane dhene gjithçka edhe jeten per demokracine dhe nuk besoj se eshte e nevojshme te behen emra.

    Nderkaq, sundimi i parase mbi psikologjine kolektive eshte momenti ekstrem qe merr gjykimi nga pozicioni i vlerave, aty ku enti shkeputet, braktis dhe braktiset,nga esenca, nga çdo konceptim i mundshem i saj, duke kerkuar leximin objektiv horizontal matematikor te teresise se vet.
    Enti vetidentifikohet a-historikisht,shkeput lidhjet kerthizore dhe atomizohet, keshtu perjeton negativin e vet ne plotesine absolute. Shthurje sociale ne terma me te tretshem.

    Gabimi fatal i entit shqiptar eshte konceptimi i realitetit si antiteze e komunizmit, politikane e intelektuale nuk reshtin se perforcuari kete konceptim, keshtu komunizmi merr dinjitetin e tezes dhe ne castin e sintezes e ka te garantuar perjetesine.

    Pluralizmi eshte i pamundur ne mungese te çdo konceptimi te esences, kur enti eshte i sigurte ne leximin objektiv horizontal te teresise se vet, pasi pluralizem nenkupton leximin subjektiv i cili eshte perjashtuar automatikisht.
    Keshtu nuk ka inkoherence ne kerkesen e entit shqiptar per njerez(ent) e jo per ide(esence).
    Po ashtu pamundesia (heperhe) e daljes nga ky batak nuk eshte pesimizem por realizem. Cdo beteje per nja 20 vjet eshte paraprakisht e humbur.
    Por kjo sdo te thote qe perkushtimi ndaj kombit eshte kohe e humbur, njeriu mund ti perkushtohet ne shume menyra edhe privatisht, pa buje publike.
    Cdo gje ka kohen e vet, neser mbase vjen koha e idese.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin