SHQIPËRIA FESTON MURGESHËN E VET

Në vijim të diskutimeve për shqiptaren Nënë Terezën ja edhe një përkthim (i fundit) i një reportazhi të shkurtër të stacionit radiofonik gjerman Deutschlandfunk të datës 26.08.2010 të orës 09:36 me autore Anne Zimmermann.

Shqipëria feston të vetën Nënë Tereza. Për nder të saj zhvillohen në vijim të këtij muaji aktivitete të shumta. Dhe që në të vërtetë frekuentohen mirë, thotë Niko Lena nga Ministria shqiptare e Kulturës.

[Niko Lena, zë burri origjinal në shqip]

Tirana do të jetë përmbyllëse … [zëri origjinal në shqip mbulohet nga moderatorja në gjermanisht; në vijim përkthim nga gjermanishtja] Në këtë javë festimet arrijnë kulmin e tyre në kryeqytetin shqiptar Tiranë. Të gjitha institucionet kulturore po bashkëpunojnë për këtë. Po tregohen ekspozita, shfaqen koncerte, pjesë teatrale dhe një mbrëmje të madhe në formatin e një spektakli. Madje kanë ardhur edhe muzikantë nga India.

[Në vijim moderatorja] Nëne Tereza lindi si Gonxhe Bojaxhi më 26.08.1910 në Shkupin e sotëm, kryeqytet i Maqedonisë. Gonxhja rritet në një familje shqiptare të kamur. Lindur në Maqedoni si shqiptare. Pyetja për origjinën e saj ka shkaktuar në të kaluarën shpesh polemika. Për Niko Lenën e Ministrisë së Kulturës çështja është e sqaruar:

[Niko Lena, zë origjinal në shqip]

Ajo thotë diku që… [zëri origjinal në shqip mbulohet nga moderatorja në gjermanisht; në vijim përkthim nga gjermanishtja] Ajo ka thënë një herë, që origjinën e gjakut e kam shqiptare, besimin e kam katolik, ndërsa zemra i takon Zotit. Nënë Tereza e ka thënë vetë, që gjakun e ka shqiptar.

[Në vijim moderatorja] Gonxhja merr edukim fetar dhe ndjek një shkollë femërore katolike. Në moshën 12 vjeçare ajo vendos ta vazhdojë jetën si murgeshë. Në moshën 18 vjeçare ajo largohet nga atdheu i vet në drejtim të Indisë. Megjithëse Nënë Tereza kalon pjesën më të madhe të jetës së saj në Kalkuta dhe vdes në vitin 1997 si qytetare indiane, shqiptarët e shikojnë si një të tyren. Pas vdekjes së saj, kryeministri i atëhershëm Fatos Nano tha:

[Nano, zë origjinal në shqip]

Shqiptarja Gonxhe Bojaxhi … [zëri origjinal në shqip mbulohet nga moderatorja në gjermanisht; në vijim përkthim nga gjermanishtja] Shqiptarja Gonxhe Bojaxhi, e jona Nënë Tereza, është një burim i forcës, krenarisë dhe shpresës për gjithë shqiptarët, pavarësisht se ku ndodhen.

[Në vijim moderatorja] Edhe në qytete në Kosovë, Maqedoni dhe Serbi, në të cilat jetojnë shumë shqiptarë, Nënë Tereza nderohet. Kudo i janë ngritur monumente. Një nderim i vonë, sepse për një kohë të gjatë askush nuk donte t’ia dinte për Nënë Terezën. Nën regjimin e komunistëve në vitin 1967 u urdhërua një ndalim total i fesë dhe Shqipëria u shndërrua në shtetin e parë ateist [të botës]. Por Nënë Tereza iu përkushtua besimit të vet. Nderimi i saj me Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1979 u mbulua në Shqipëri me heshtje totale. Vetëm në vitin 1981 murgesha mund të vizitonte përsëri atdheun e vet [duhet të jetë fjala për Jugosllavinë]. Sot, engjëlli i të varfërve nderohet si shenjtore. Presidentja e Parlamentit Jozefina Topalli thotë:

[Topalli, zë origjinal në shqip] Çdo gjë, që ajo ka bërë në jetë… [zëri origjinal në shqip mbulohet nga moderatorja në gjermanisht; në vijim përkthim nga gjermanishtja] Çdo gjë që kjo grua ka bërë në jetë, e madhështon këtë grua trupimët. Ajo bën me këtë [veprën e saj] krenar Shqiptarët dhe emrin e Shqipërisë.

[Në vijim moderatorja] e gjithë Shqipëria feston. Dhe jo vetëm datëlindjen e saj në këtë muaj, por edhe çdo vit më 19 tetor, e cila është në Shqipëri ditë festive që nga lumturimi i saj nga Papa Gjon Pali i Dytë në vitin 2003.

[fund]

Nuk ka komente

  1. Vetëm në vitin 1981 murgesha mund të vizitonte përsëri atdheun e vet [duhet të jetë fjala për Jugosllavinë]

    Sa larg te paska vajt mendja!!! S’ka ndonje mundesi qe te jete gabim viti, psh jo 1981 por 1991?

  2. swed,

    mos fol marrëzira.

    NT në vitin 1991 nuk ka vizituar asnjë vend për herë të parë.

    edhe ule pak tonin, se nuk të kam gjë për borxh.

    1. Kam në pallat një komshi korean, njeri punëtor, rron me djersën e ballit, si shitës peshku në një dyqan këtu në lagje.

      E takoj, herë pas here në ashensor, banojmë në një kat. Kur kthehet nga dyqani, ky kutërbon më keq se Gjona i Biblës, që kaloi tri ditë dhe tri net në barkun e balenës.

      Ma merr mendja se ndonjëherë, në ditë festash ose shitjesh të furishme, ky qelbet kaq shumë, sa ndonjë femre nazike që kemi në ndërtesë i bie të fikët.

      I avullon era e rëndë e rropullive të troftave, levrekëve, qefujve, kocave, merlucëve, barbunjave nga çdo por i lëkurës, nga çdo palë e këmishës prej fanellate që ia hekuros e shoqja me kujdes në mëngjes.

      Vizitori i rastit do të kujtonte se ky po kthehet nga ndonjë gosti vigane, ku e ka qëruar me dorë krapin e pjekur në tavë, halë pas hale.

      Unë, që e kam parë se ku punon, nuk e bëj me faj; e di që era e keqe nuk është e tij, as e punës që ai bën, por e peshkut; dhe peshku mban erë të keqe jo sepse është i palarë dhe i qelbur dhe krimbur, por sepse është peshk.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin