DY LIBRA PËR NËNË TEREZËN

Duke parë interesin për vështrime alternative për Nënë Terezën, këtë figurë të rëndësishme të diskutimeve shqiptare, menduam të botojmë një përkthim nga gjermanishtja të një bisede letrare me teologun, kritikun letrar dhe gazetarin televiziv e radiofonik Andreas Malessa, transmetuar më datën 26 gusht në stacionin radiofonik gjerman Deutschlandradio Kultur mbi dy libra: “Nënë Tereza. Shenjtorja e errësirës” të autorit britanik Greg Watts dhe “Nënë Tereza. Historitë magjepse” me autor Leo Maasburg. Shënimet e përkthyesi vijojnë në kllapa [] katrore.

[Prezantuesi i emisionit dhe njëkohësisht bashkëbisedës]

Kush është Nënë Tereza. Pyetja është relativisht e vështirë për t’ju përgjigjur, veçanërisht po të mbahet parasysh që bëhet fjalë për një person, i cili jo vetëm nëpërmjet lumturimit, por edhe për shkak të angazhimit të gjithanshëm qëndron pezull në formën e një ikone të mëshirës mbi të gjitha përpjekjet për të analizuar aktivitetin dhe angazhimin e saj duke ndrydhur kështu që në fillim një vështrim kritik. Kjo është edhe arsyeja, që tashmë është ndezur një luftë kampesh. Nga njëra anë qëndrojnë ata që gjejnë tek Nënë Tereza humanisten më të madhe të shekullit të 20, ndërsa të tjerët e vënë në lojë si një murgeshë bigote dhe dhe një shitmendëse llafazane.

Megjithatë tani afrohet edhe një mundësi e mirë për të hedhur një vështrim më preciz falë dy librave; njëri me autor Greg Watts dhe tjetri me autor Leo Maasburg: “Nënë Tereza. Historitë magjepse“, të cilat duam t’i diskutojmë me kritikun tonë Zotin Andreas Malessa. Zoti Malessa, na lini të fillojmë me librin e Greg Watts, me nëntitullin: “Shenjtorja e errësirës”. Cili është imazhi i Nënë Terezës, që ndërmjetëson autori?

MALESSA: Diçka që më gëzon është fakti, që autori prezanton një portret objektiv. Greg Watts është një korrespondent i BBC për Luftën e Gjirit; kam parasysh të dyja, më 1991 dhe 2003. Kemi të bëjmë me një korrespondent nga fronti i luftërave, i cili është i kalitur shkëlqyeshëm në llojin e vet, i cili ndryshe nga shumë biografë të saj – që gjithçka e fillojnë me përshkrime, se sa nga afër e kanë njohur apo i kanë qëndruar asaj – thotë që në fillim, se personazhi i asaj nuk i ka interesuar fare, ngaqë sipas tij, ajo ishte shumë njëdimensionale dhe shumë në “hava”. Megjithatë, pas mbledhjes së fakteve ai konkludon me një biografi tejet “esëll”; dhe në në një mënyrë britanike buzërrudhur jep një portret të saj dhe konstaton, se ajo rrjedh nga një familje shqiptare, ka lindur përpara 100 vitesh më 26.08.1910 në Shkup si vajza e një babai me profesion farmacist, biznesmen ndërtimi, përfaqësues politik në këshillin bashkiak lokal dhe nacionalist i zjarrtë kundër Osmanëve. Pra pak a shumë në një mjedis familjar dhelparak [“Verschlagenheit”; opsional: “tinzar”]…; edhe i ati nuk vdiq gjë në mënyrë të natyrshme, por me probabilitet të lartë është helmuar nga kundërshtarët e tij politikë. Fëmijëria e saj ishte gjithçka tjetër nga një e qetë dhe patrazuar, kjo ishte edhe arsyeja, se pse Nënë Tereza kurrë nuk ka folur me dëshirë për të. Pastaj dërguar nga murgeshat irlandeze në Darjeeling, ku në konfliktin midis myslimanëve dhe hinduistëve filloi të mbledhë të plagosurit e të dyja palëve nga rruga, gjë që më vonë themeloi edhe famën e saj. Watts ja numëron të gjitha këto [anë pozitive], madje, meqë ra fjala, duke ja shoqëruar me shije edhe me rreth 50 fotografi, të cilat në vetvete kanë fituar çmime; bëhet fjalë për fotografi të agjencisë fotografike legjendare “Magnum” dhe…, pra…, ia refuzon vetes dhënien e çfarëdolloj gjykimi…, pra nuk është as euforik, dhe nuk bie në pozitën e dikujt, që me sy të mbushur me lot të mos vështrojë dot më në mënyrë të kthjellët mbi çështjen, nga ana tjetër ai nuk është malinj [armiqësor, dashakeqës] karshi saj si për shembull Christopher Hitchens tek BBC-ja në 2004.

PREZANTUESI: Ky…, si të thuash…, shikim gjithë adhurim kultivohet kryesisht nga njerëz, që i janë qasur asaj nga jashtë: “grua e mirë”, “i ka ndihmuar shumëkujt”, POR që kur i qasesh pranë, se kjo është edhe ajo që pritet nga një biograf, hapen këndvështrime të reja. Ishte vërtet Nënë Tereza pra ajo e dashura e gjithkujt, që mund të ndihmonte këdo?

MALESSA: Jo, jo, absolutisht jo. Përkundrazi. Ajo ka qenë për të gjithë ata që kanë punuar me të e athët [herb] dhe kjo e bën të çuditshëm faktin, se si mund të shndërrohej dikush si ajo në ikonë të dashurisë, megjithatë ai [Watts] nuk e paragjykon atë për këtë… [pauzë e shkurtër mendimi]; ai nuk thotë se Çmimi Nobel i Paqes i është dhënë në vitin 1979 personit të gabuar…, fare, fare. Ai e vlerëson me respekt veprën dhe devocionin e saj, ai e lë atë të patrazuar në ultra-konservatorizmin e saj katolik…, por ai thekson, se konsumueshmërisë [Konsumierbarkeit] gëzim-ndjellëse të figurës së saj të presupozuar si të devotshme i qëndrojnë të paktën pesë hala në fyt dhe pikërisht:

  1. Qëndrimi i saj konservativ për rolin e gruas në familje dhe shoqëri; ajo mendon vetëm në mënyrë patriarkale,
  2. Angazhimi i saj për të varfërit nuk ka qëndruar kurrë përkrah teologëve çlirimtare amerikano-latinë, të orientuar në mënyrë marksiste, përkundrazi, ajo ka ndjekur gjithnjë Papën Gjon Pali i Dytë, në refuzimin e tij të iniciative demokratike brenda kishës të nisura nga poshtë,
  3. Ajo, pa asnjë lloj instinkti politik ka takuar e shtrënguar shpesh duar diktatorësh, i ka pritur ata,
  4. Ajo, siç e pamë edhe në dokumentarin e mbrëmshëm tek ARD, ostiliteti i saj kundër teknikës dhe skepticizmi i saj kundër mjekëve të shkollës klasike të mjekësisë, çoi në marrëdhënie katastrofale në institucionet e saj të përkujdesjes në Kalkuta.
  5. [Pika 5 mungon. Në një përmbledhje të reportazhit në faqen e radios për këtë emision thuhet: “në shënimet e ditarit të saj dhe letrat e botuara në vitin 2007 ajo shpreh zhgënjimin e saj prej besimtareje të braktisur nga Zoti, e cila nuk ja del dot të perceptojë heshtjen e Zotit për vuajtjet e njerëzve”]

PREZANTUESI: Libri i dytë ka dalë nga pena e Leo Maasburg, i cili është prift. Çfarë vështrimi hedh ky autor mbi Nënë Terezën?

MALESSA: [Psherëtin] Ah… pa qejf do të kisha harxhuar minutat e një emisioni të çmuar për një… [ndërpritet nga e qeshura e prezantuesit; qesh edhe vetë]

PREZANTUESI: …megjithatë bëjeni…

MALESSA: Ky është një nga ata që të lajnë dhe të lyejnë… Është një nga ato lloj biografish: “unë kam qenë pranë saj”, “unë i kam përjetuar vetë të gjitha”. Në fakt libri i tij: “Nënë Tereza. Historitë magjepse” është një shembull tipik, se si një afërsi e madhe me personin, të cilit i shkruhet jeta, pra një afërsi kaq e madhe me këmbën e farit nuk të lë t’ia shohësh dritën. Ai ofron një varg anekdotash njëra pas tjetrës, natyrisht, që nuk harron asnjëherë të theksojë, se edhe ai vetë ishte i pranishëm. Në fakt që në citatin e parë të tij [librit] dallohet predispozicioni programatik: “mua më ra për hise mëshira të jem i lejuar të shoqëroj Nënë Terezën”. [Pauzë] … Amen!

PREZANTUESI: Sidoqoftë. Ky është një fenomen normal. Burime drite si Nënë Tereza shërbejnë si mekanizma për ngritjen e vetvetes për ata që asaj…

MALESSA: [duke e ndërprerë] ok… por pastaj do të doja që [nëse do ta analizojmë seriozisht librin e dytë] ta krahasojmë me biografi të ngjashme të personave që mbushën 100 vjeç, si Mahatma Gandhi, Martin Luther King, Albert Schweizer, shkruar nga persona që u kanë qëndruar atyre pranë, megjithatë që kanë gjetur mundësinë t’i paraqesin ata në mënyrë kritike, pra njëkohësisht kritikë dhe me dinjitet, pra në një mënyrë britanike të distancuar siç bën Greg Watts në librin e tij, “Shenjtorja e errësirës”.

PREZANTUESI: Faleminderit. Ky ishte Andreas Malessa, mbi dy biografi të Nënë Terezës, njeri i Greg Watts, “Nënë Tereza. Shenjtorja e errësirës”, botuar nga shtëpia botuese Brendow-Verlag, Moers 2009, 188 faqe, 16,95 Euro dhe i dyti, ai i vajosuri i Leo Maasburg “Nënë Tereza. Historitë magjepse” shtëpia botuese Pattloch, Munih 2010, 238 faqe, 19,95 Euro.

Edhe një herë në fund, gjithçka mund ta lexoni në Internet në www.dradio.de/dkultur/.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin